Autor

Hafidh Abdulgani el Makdesi

(541 – 600 H.)

Përktheu

Bledar Karaj el Albani

KAPITULLI I NAMAZIT

Kohët e faljeve

44. Transmetohet nga Amër esh Shejbani –emri i të cilit është Sead ibën Ijas-, se ai ka thënë: Më ka treguar i zoti i kësaj shtëpie –dhe bëri me shenjë nga shtëpia e Abdullah ibën Mesudit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), ka thënë: “Pyeta të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!): Cila është vepra më e mirë? –Namazi në kohën e tij, -tha ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!). –Po pastaj cila? – i thashë unë. –Bindja ndaj prindërve, -tha ai. – Po pastaj, cila? –Xhihadi në Rrugë të Allahut.

-Thotë: Këto mi ka treguar i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe nëse do t’i kërkoja më tepër, ai do të më tregonte.”[1]

45. Transmetohet nga Aisha (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) se ajo ka thënë: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) falte namazin e sabahut dhe në xhami prezentonin edhe gra prej besimtareve, të mbështjella me rrobet e tyre. Pas namazit, ato ktheheshin në shtëpitë e tyre dhe nuk i njihte askush për shkak të errësirës (së përzierë me zbardhjen e mëngjesit).”[2]

46. Transmetohet nga Xhabir ibën Abdullah (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se ai ka thënë: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e falte namazin e drekës në mesditë, namazin e ikindisë kur dielli ishte i pastër (i fortë në rrezatim), akshamin kur dielli perëndonte dhe jacinë ndonjëherë e shpejtonte kur shihte se ata ishin mbledhur, në të kundërt e vononte, ndërsa sabahun e falte me errësirë (pa dalë drita).”[3]

47. Transmetohet nga Ebu el Minhal Sejar ibën Selame se ai ka thënë: “Unë dhe babai im hymë te Ebu Berze el Eslemi. Babai im i tha atij: Si e falte i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) namazin e detyrueshëm? –Namazin e mesditës, të cilit ju i thoni “namazi i parë”, ai e falte kur dielli e kalonte kupën e qiellit. Ndërsa kur falte ikindinë, dikush nga ne kthehej tek devetë e tij në periferi të Medines dhe dielli ishte ende i bardhë (i papërzierë me të verdhën e perndimit). –Ndërsa për namazin e akshamit, harrova se ç’tha. –Ndërsa namazin e jacisë, të cilës ju i thoni “el atame”, ai preferonte ta vononte dhe nuk e pëlqente gjumin para saj, dhe as bisedën pas saj. Ndërsa namazin e sabahut, ai e falte kur dikush e njihte shokun e ulur pranë tij dhe lexonte në një rekat gjashtëdhjetë deri në njëqind ajete.”[4]

48. Transmetohet nga Aliu (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se në ditën e Hendekut, i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: “Allahu i mbuloftë me zjarr varret dhe shtëpitë e tyre, ashtu si (ngase) na angazhuan nga falja e namazit të ikindisë deri sa perëndoi dielli.”

Në një transmetim tjetër thuhet: “Na angazhuan nga namazi i mesëm, namazi i ikindisë. –Pastaj e fali atë në kohën ndërmjet akshamit dhe jacisë.”[5]

49. Transmetohet nga Abdullah ibën Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se ai ka thënë: “Mushrikët e penguan të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) nga falja e namazit të ikindisë deri sa dielli u skuq, apo u zverdh, dhe i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: “Na angazhuan nga namazi i mesëm –namazi i ikindisë-, Allahu i mbushtë barqet dhe varret e tyre me zjarr!”[6]

50. Transmetohet nga Abdullah ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur prej tyre!) se ka thënë: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e vonoi jacinë në kohën e errësirës së plotë (apo një të tretës së parë të natës) dhe Umeri doli dhe tha: Namazi, o i Dërguari i Allahut! Sepse gratë dhe fëmijët i mori gjumi. –Ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) doli me kokën që i pikonte dhe tha: “Sikur të mos e rëndoja popullin tim, -apo njerëzit-, do ti urdhëroja ata që ta falnin këtë namaz në këtë orë.”[7]

51. Transmetohet nga Aisha (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Nëse thirret për namaz dhe darka është ofruar, atëherë filloni me ngrënien e darkës.”[8]

52. Transmetohet nga Ibën Umeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) hadith i ngjashëm me të mësipërmin.[9]

53. Muslimi ka nxjerë nga Aisha (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ajo ka thënë: Kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) të thotë: “Nuk ka namaz në prezencën e ushqimit (kur shtrohet ushqimi) dhe as kur shtrëngohesh për të mbajtur nevojat personale (në bark).”[10]

54. Transmetohet nga Abdullah ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) se ai ka thënë: “Tek unë dëshmuan disa burra të dashur për mua, ku më i dashuri prej tyre ishte Umeri, se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka ndaluar nga të falurit namaz nafile pas farzit të sabahut deri sa të lindë dielli, si dhe pas namazit të ikindisë deri sa të perëndojë dielli.”[11]

55. Transmetohet nga Ebu Seid el Hudri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Nuk ka namaz pas (farzit të) sabahut derisa të ngrihet dielli dhe as pas namazit (farz të) ikindisë derisa të perëndojë dielli.”[12]

56. Transmetohet nga Xhabir ibën Abdullah (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se: “Umer ibën el Hatab, në ditën e luftës së Hendekut erdhi pas perndimit të diellit dhe filloi të shante mosbesimtarët kurashit, pastaj tha: O i Dërguari i Allahut! Nuk e fala ikindinë veçse kur dielli thuajse perëndoi. –Ndërsa unë, për Zotin! Nuk e kam falur ende, -tha ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!). –Thotë: U ngritëm dhe shkuam në But’han (emër lëndine a fushe). Ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) mori avdes për t’u falur dhe ne bashkë me të, pastaj fali ikindinë pasi që dielli kishte perënduar dhe pas asaj fali akshamin.”[13]

Tema

Vlera e namazit në kolektiv dhe obligueshmëria e tij

57. Transmetohet nga Abdullah ibën Umer (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Namazi në kolektiv është njëzet e shtatë gradë më i mirë se namazi i personit që falet vetëm.”[14]

58. Transmetohet nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Namazi i burrit në kolektiv shumëfishohet me njëzet e pesë fish më tepër nga namazi i tij në shtëpinë e tij. Kjo për shkak se kur ai merr avdes mirë e mirë, pastaj del për në xhami duke qenë se nuk e nxjerë atë gjë tjetër përveç namazit, me çdo hap që ai bën i ngrihet një gradë dhe i fshihet një e keqe. Kur ai të falet, engjëjt vazhdojnë të luten për të, deri sa të vazhdojë të jetë në xhami: “O Zot! Bekoje atë! O Zot! Fale atë! O Zot! Mëshiroje atë!” Dhe ai vazhdon të jetë në namaz përderisa është në pritje të namazit (në xhami).”[15]

59. Transmetohet nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Namazi më i rëndë për hipokritët është namazi i jacisë (darkës) dhe namazi i sabahut. E sikur ta dinin (njerëzit) se ç’kishte në ato dy namaze, do të shkonin tek ato (në xhami) edhe këmba-doras.

Unë kisha vendosur të urdhëroja që të falej namazi dhe të urdhëroja dikë që të printe njerëzit në namaz, pastaj të shkoja bashkë me disa burra me dëngje drush në krahë, tek ata njerëz të cilët nuk e prezentojnë namazin në xhami dhe t’ua digjja atyre shtëpitë me zjarr!”[16]

60. Transmetohet nga Abdullah ibën Umer (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Nëse ndokujt prej jush i kërkon bashkëshortja e tij lejë për të shkuar në xhami, ai të mos e pengojë atë. –Bilal ibën Abdullah tha: Betohem për Allahun, se do t’i ndalojmë ato! –Thotë: Atëherë Abdullahi iu kthye atij me disa sharje të rënda, gjë të cilën nuk e kisha dëgjuar kurrë më parë nga ai, pastaj i tha: Unë të tregoj për fjalën e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!), ndërsa ti thua: ” Betohem për Allahun, se do t’i ndalojmë ato!”?!”

Në një transmetim tjetër thuhet: “Mos i pengoni robëreshat e Allahut nga shkuarja në xhamitë e Allahut.”[17]

61. Transmetohet nga Abdullah ibën Umeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: “Fala bashkë me të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dy rekate namaz (sunete) para farzit të drekës dhe dy rekate (sunete) pas saj, dy rekate pas namazit të xhumasë, dy pas namazit akshamit dhe dy pas namazit të jacisë.”[18]

Në një transmetim tjetër thuhet: “Namazet sunete të akshamit, jacisë dhe të xhumasë, ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i fali në shtëpinë e tij.”[19]

Dhe në një transmetim tjetër thuhet se Ibën Umeri ka thënë: “Më ka treguar Hafsa se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) falte dy rekate të lehta (sunete) pas hyrjes së agimit (kohës së sabahut), e cila ishte një kohë në të cilën unë nuk hyja tek i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!).”[20]

62. Hadithi i Aishes (Allahu qoftë i kënaqur me të!) i cili është përmendur më parë.

Temë për ezanin

63. Transmetohet nga Enes ibën Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: “Bilali u urdhërua që ezanin ta thërriste duke i përsëritur nga dy herë shprehjet e tij, ndërsa ikametin nga një herë.”[21]

64. Transmetohet nga Ebi Xhuhajfe Vehbi ibën Abdullah es Suai, se ai ka thënë: “Shkova tek i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) në Mekë, kur ai ishte në Abtah, në një çadër të kuqe të tij.

–Thotë: Bilali doli me ujin ku ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) mori avdes dhe njerëzit spërkiteshin me atë ujë (për bekim).

-Thotë: Pastaj doli i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) me një pelerinë të kuqe dhe unë sikur shoh tani në të bardhën e kërcijve të tij. Ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) mori avdes dhe Bilali thirri ezanin, ndërsa unë ndiqja me sy gojën e tij këtej e andej, duke e kthyer atë djathtas e majtas kur thoshte: “Hajje alas salah, hajje alel felah”

-Thotë: Pastaj ngulën një shkop për sutra dhe ai kaloi para dhe priu njerëzit në namazit e drekës të cilën e fali me dy rekate.

–Pastaj vazhdoi t’i falte namazet me dy rekate deri sa u kthye në Medine.”[22]

65. Transmetohet nga Abdullah ibën Umeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Bilali e thërret ezanin që me natë, por ju hani e pini deri sa të dëgjoni ezanin e Ibën Umi Mektum.”[23]

66. Transmetohet nga Ebi Seid el Hudri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Kur të dëgjoni muezinin (duke thirrur ezanin), ju thoni ashtu siç thotë ai (përsërisni fjalët e tij).”[24]

Tema

Të drejtuarit nga Kibla kur kryen faljen

67. Transmetohet nga Ibën Umeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) se: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) falte namaz sunet mbi devenë e tij, duke bërë me shenjë me kokën e tij, i drejtuar nga të drejtohej deveja. Kështu vepronte edhe Ibën Umeri.”[25]

Në një transmetim tjetër thuhet se: “Ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e falte namazin e vitrit i hipur mbi devenë e tij.”[26]

Dhe në një transmetim tjetër të Muslimit thuhet: “Por ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) nuk e falte namazin farz mbi deve.”[27]

Dhe në një transmetim tjetër të Buhariut thuhet: “Përveç namazeve farze (nuk i falte mbi deve).”[28]

68. Transmetohet nga Abdullah ibën Umer (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: “Ndërkohë që njerëzit ishin në Kuba, në namazin e sabahut, atyre u erdhi dikush dhe tha: Të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) iu shpall nga Kurani këtë natë dhe u urdhërua të drejtohej nga Kibla në namaz. –Ata u kthyen menjëherë nga Kibla, ndërkohë që ishin të kthyer nga Shami, duke u rrotulluar dhe drejtuar nga Kibla.”[29]

69. Transmetohet nga Enes ibën Sirijn se ka thënë: “Dolëm për të pritur Enesin kur kthehej nga Shami dhe e takuam atë në vendin e quajtur Syri i Hurmës. Unë e pashë atë të falej mbi gomar dhe fytyra e tij ishte kthyer nga e majta e Kibles. –Unë i thashë: Unë të pashë të falesh jo në drejtim të Kibles? –Sikur të mos e kisha parë të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) të vepronte kështu, nuk do t’a kisha bërë atë.”[30]

Tema

Formimi i rreshtave në namaz

70. Transmetohet nga Enes ibën Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Drejtojini rreshtat, sepse drejtimi i rreshtave është nga plotësimi i namazit.”[31]

71. Transmetohet nga En Neuman ibën Beshir (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: Kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) të thotë: “Do t’i drejtoni rreshtat, apo doni që Allahu të fusë ndryshimin në fytyrat (zemrat) tuaja!”[32]

72. Në një transmetim tjetër të Muslimit thuhet: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i drejtonte rreshtat tanë sikur të drejtonte shigjetën për gjuajtje, deri sa të shihte se ne e kishim kuptuar qëllimin e tij dhe ishim drejtuar. Një ditë ai doli dhe qëndroi para rreshtave (në vendin e imamit), deri sa u bë gati të merrte tekbirin fillestar të namazit, por pa një burrë me gjoksin të nxjerë përpara dhe tha: “O robët e Allahut! A do t’i drejtoni rreshtat tuaja, apo doni që Allahu të fusë ndryshimin në fytyrat (zemrat) tuaja!”[33]

73. Transmetohet nga Enes ibën Malik (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se: “Gjyshja e tij, Mulejke ftoi të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) për të ngrënë një ushqim që ajo kishte përgatitur. Pasi hëngri, ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: Ngrihuni të falem për ju!

–Enesi thotë: Shkova të merrja një rrogoz (hasër) i cili ishte nxirë nga përdorimi i gjatë, e spërkita me ujë dhe ia vendosa të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) që të falej mbi të. Unë dhe një djal jetim u rreshtuam pas tij, ndërsa gruaja plakë pas nesh. Ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) fali për (me) ne dy rekate, pastaj u largua.”[34]

74. Në një transmetim tjetër të Muslimit thuhet se: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) u fal bashkë me të dhe nënën e tij. Mua më vendosi nga e djathta e tij, ndërsa gruan plakë pas nesh.”[35]

75. Transmetohet nga Abdullah ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: “Fjeta tek tezja ime, Mejmune (bashkëshortja e Pejgamberit). I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) u ngrit të falej natën. Unë u vendosa nga e majta e tij, por ai më kapi nga koka dhe më vendosi në të djathtë të tij.”[36]

Temë për Imamin

76. Transmetohet nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “A nuk ka frikë ai që ngre kokën para imamit (në namaz), se mos Allahu ia shndërron kokën atij në kokë gomari, apo t’ia shndërrojë fizionominë e tij në fizionomi gomari?!”[37]

77. Transmetohet nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Imami është caktuar me qëllim që t’a pasoni atë, ndaj mos veproni ndryshe nga ai (në namaz); kur ai të marrë tekbir, edhe ju merrni tekbir. Kur të thotë: “Semiallahu limen hamideh”, ju thoni: “Rabena ue lekel hamd”. Kur ai të bëjë sexhde, edhe ju bëni sexhde, e nëse ai falet ulur, edhe ju faluni të ulur që të gjithë.”[38]

78. Hadith me kuptim të njëjtë me të mësipërmin është transmetuar nga Aisha (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ajo ka thënë: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) u fal në shtëpinë e tij (një namaz farz), ngase kishte dhimbje. Ai u fal ulur dhe pas tij u falën disa njerëz të tjerë të ngritur. Ai u bëri me shenjë që të uleshin. Kur mbaroi namazin, ai tha: “Imami është caktuar me qëllim që të pasohet; kur ai të bëjë rukunë, edhe ju bëni rukunë (pas tij). Kur të ngrihet nga rukuja, edhe ju ngrihuni. Kur të thotë: “Semiallahu limen hamideh”, ju thoni: “Rabena lekel hamd”. Nëse ai falet ulur, atëherë faluni ulur që të gjithë.”[39]

79. Transmetohet nga Abdullah ibën Jezid el Hatmi el Ensari (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: Më ka treguar el Berau –i cili nuk është gënjeshtar-, ka thënë: “Kur i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) thoshte “Semiallahu limen hamideh, askush nga ne nuk e përkulte kurrizin e tij për të rënë në sexhde deri sa i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) të binte në sexhde, pastaj binim në sexhde pas tij.”[40]

80. Transmetohet nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Kur imami të thotë “Amin!” (pas leximit të Fatihasë), edhe ju thoni “Amin!”, sepse kujtdo që i përputhet thënia “Amin!” e tij me atë të engjëjve, atij i falet të gjitha gjynahet që ka bërë.”[41]

81. Transmetohet nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Kur dikush prej jush të falet imam për njerëzit, t’a lehtësojë namazin, sepse në mesin e atyre që falen ka të dobët, të sëmurë dhe njerëz që kanë nevoja. Ndërsa kur dikush të falet vetëm, ta zgjasë namazin sa të dojë.”[42]

82. Me të njëjtin kuptim është edhe hadithi i transmetuar nga Ibën Mesud el Ensari (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ai ka thënë: “Një burrë erdhi tek i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe i tha: Unë vonohem për në namazin e sabahut për shkak të filanit, i cili e zgjat namazin me ne. –Thotë: Nuk e kisha parë të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) të zemërohej në këshillat e tij, aq sa u zemërua atë ditë. Ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: O njerëz! Prej jush ka disa që janë largues e të neveritshëm me njerëzit. Kushdo prej jush që prin njerëzit në namaz, të falet shkurt, sepse pas tij gjendet i madhi në moshë, i dobëti dhe ai që ka nevoja.”[43]

 

Forma e namazit të Pejgamberit

(Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!)

Vijon … 

_______________________________________________

[1] E transmeton Buhariu (527), Muslimi (85), etj.

[2] E transmeton Buhariu (578), Muslimi (645), etj.

[3] E transmeton Buhariu (565), Muslimi (646), etj.

[4] E transmeton Buhariu (547), Muslimi (647), etj.

[5] E transmeton Buhariu (4533), Muslimi (627), etj.

[6] E transmeton Muslimi (628) dhe Ahmedi (1/403).

[7] E transmeton Buhariu (571), Muslimi (642), etj.

[8] E transmeton Buhariu (671), Muslimi (557), etj.

[9] E transmeton Buhariu (673), Muslimi (559), etj.

[10] E transmeton Muslimi (560), etj.

[11] E transmeton Buhariu (581), Muslimi (825), etj.

[12] E transmeton Buhariu (586), Muslimi (827), etj.

[13] E transmeton Buhariu (596), Muslimi (631), etj.

[14] E transmeton Buhariu (645), Muslimi (650), etj.

[15] E transmeton Buhariu (647), Muslimi (649), etj.

[16] E transmeton Buhariu (644), Muslimi (651), etj.

[17] E transmeton Buhariu (865), etj.

[18] E transmeton Buhariu (937), Muslimi (729), etj.

[19] Burimi i mësipërm, por teksti është i Buhariut.

[20] E transmeton Buhariu (1173).

[21] E transmeton Buhariu (605), Muslimi (378), etj.

[22] E transmeton Buhariu (187) dhe Muslimi (503). Teksti i përmendur është i Muslimit.

[23] E transmeton Buhariu (617), Muslimi (1092), etj.

[24] E transmeton Buhariu (611), Muslimi (383), etj.

[25] E transmeton Buhariu (1105), Muslimi (700), etj.

[26] Ky është teksti i Muslimit në burimin e mësipërm.

[27] Burimi i mësipërm.

[28] Buhariu (1099).

[29] E transmeton Buhariu (4491), Muslimi (526), etj.

[30] E transmeton Buhariu (1100) dhe Muslimi (702).

[31] E transmeton Buhariu (723), Muslimi (433), etj.

[32] E transmeton Buhariu (717), Muslimi (436), etj.

[33] Muslimi; burimi i mësipërm.

[34] E transmeton Buhariu (380), Muslimi (658), etj.

[35] E transmeton Muslimi (660).

[36] E transmeton Buhariu (6316), Muslimi (763), etj.

[37] E transmeton Buhariu (691), Muslimi (427), etj.

[38] E transmeton Buhariu (722), Muslimi (414), etj.

[39] E transmeton Buhariu (1113) dhe Muslimi (411).

[40] E transmeton Buhariu (811) dhe Muslimi (474).

[41] E transmeton Buhariu (780), Muslimi (409), etj.

[42] E transmeton Buhariu (703), Muslimi (467), etj.

[43] E transmeton Buhariu (702), Muslimi (466), etj.