Esenca e Dispozitave të Legjislacionit Islam (9)
“Umdetu el Ahkam”


Autor: Hafiz Abdulgani el Makdisi
Përktheu: Bledar Albani


 

KAPITULLI  I  SHITBLERJES

 

253. Transmetohet nga Abdullah ibën Umer (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Kur dy persona kryejnë shitblerje me njëri-tjetrin, çdonjëri prej tyre ka të drejtën e zgjedhjes (së vazhdimit të aktit apo prishjes së tij) përderisa nuk janë ndarë nga njëri-tjetri dhe janë bashkë, ose kur njëri prej tyre i ka dhënë tjetrit të drejtën e zgjedhjes dhe pastaj bienë dakord për këtë, atëherë shitblerja është bërë e detyrueshme (e pakthyeshme – kur ata ndahen nga njëri-tjetri).”[1]

 

254. Sipas kuptimit të hadithit të mësipërm është edhe hadithi i transmetuar nga Hakim ibën Hizam, i cili ka thënë: i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Dy palët e aktit të tregtisë kanë të drejtën e zgjedhjes (së vazhdimit të aktit apo të prishjes së tij) përderisa nuk janë ndarë nga njëri-tjetri. Nëse ata kanë qenë të sinqertë dhe të qartë me njëri-tjetrin, tregtia e tyre është e begatë, e nëse mashtrojnë e fshehin, tregtisë së tyre i hiqet begatia.”[2]

 

Tema

Llojet e shitblerjeve të ndaluara

 

255. Transmetohet nga Ebu Seid el Hudri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ndaloi nga shitja e quajtur El Munabedhe –e cila bëhet duke hedhur dikush rroben e tij tjetrit para se të takohen apo pa e parë atë, si dhe nga shitja e quajtur El Mulamese, e cila është blerja e rrobes që prek, pa e parë atë.”[3]

 

256. Transmetohet nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Mos u dilni para karvaneve tregtare (para se të vinë në vendbanim me qëllim që t’ua blejnë mallin më lirë)! Askush të mos shesë mbi shitjen e tjetrit (duke ulur apo ngritur çmimin)! Mos shisni duke rritur çmimin nga një palë e tretë shok i të parës, me qëllim që ta blerësi të mashtrohet në çmim! I civilizuari të mos i shesë (dhe as t’i blejë) beduinit! Mos i lini delet pa mjelur para shitjes me qëllim që të duken me shumë qumësht, dhe nëse dikush e blen një dele të atillë, ai ka të drejtën të zgjedhë më të mirën për veten e tij, pasi që ta mjelë atë; nëse e pëlqen, ta mbajë, e nëse nuk e pëlqen, atëherë ta kthejë bashkë me një tas hurma.”

Në një transmetim tjetër thuhet: “Ai ka të drejtën e zgjedhjes brenda tri ditëve.”[4]

 

257. Transmetohet nga Abdullah ibën Umer (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) se: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka ndaluar nga shitja e këlyshit të këlyshit që ka në bark deveja barsë (d.m.th. të pritet që deveja të pjellë, pastaj të pritet të mbarset këlyshi i saj nëse është femër, dhe kjo të paguhet që në mbarsjen e devesë gjyshe), e cila ka qenë një lloj shitblerjeje e njerëzve në kohën e injorancës. Dikush e blente devenë që para se të dilte në jetë duke qenë se gjyshja e saj ishte barsë, pastaj të mbarsej nëna e saj me të. Dikush e shiste devenë e tij të madhe në moshë kundrejt këlyshit të këlyshit që kishte në bark deveja e palës tjetër.”[5]

 

258. Transmetohet nga Abdullah ibën Umer (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) se: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka ndaluar nga shitja e fryteve të pemëve para se të dallohet pjekja e tyre. Ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ndaloi edhe shitësin edhe blerësin (nga kjo gjë).”[6]

 

259. Transmetohet nga Enes ibën Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka ndaluar nga shitja e fryteve para dallimit të pjekjes së tyre (para ndryshimit të ngjyrës). Dikush tha: E ç’është kjo? –Deri sa të skuqen, tha ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!). Pastaj tha: Po sikur Allahu ta ndalojë pjekjen e fryteve, me çfarë do t’ia bësh të lejuar vetes pasurinë e vëllait të tij?”[7]

 

260. Transmetohet nga Abdullah ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka ndaluar nga dalja para karvaneve tregtare dhe nga shitblerja ndërmjet të qytetëruarit dhe beduinit. –I thashë Ibën Abasit (Ai që i ka thënë Ibën Abasit është transmetuesi nga ai, Taus ibën Kejsan el Jemani): Çfarë është për qëllim me të qytetëruarin dhe beduinin? –Të mos bëhet matrapas ndërmjet tij dhe blerësit! –tha ai.”[8]

 

261. Transmetohet nga Abdullah ibën Umeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka ndaluar nga shitblerja e quajtur El Muzabene (shitja e diçkaje të ditur me diçka të paditur) –që dikush të shesë frutat e kopështit të tij; nëse janë në palma, ti shesë me hurma (arabije) me peshë, e nëse janë rrush i njomë (në vresht), ti shesë me rrush të thatë me peshë, e nëse janë agrume (në arë), ti shesë me grurë me peshë. Ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka ndaluar nga të gjitha këto.”[9]

 

262. Transmetohet nga Xhabir ibën Abdullah (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka ndaluar nga El Muhabera, nga El Muhakale (shitja e grurit në kalli me grurë të shirë), nga El Muzabene, nga shitja e frutave para se të fillojnë të piqen dhe nga të shiturit me gjë tjetër përveç dinarit (arit) dhe dirhemit (argjendit), me përjashtim të shitjes El Araja (shitja e hurmave të njoma me të thata për të varfërit).”[10]

 

263. Transmetohet nga Ebi Mesud el Ensari (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka ndaluar nga çmimi (shitblerja) e qenit, fitimi i kurvërisë dhe nga ajo që u jipet fallxhorëve.”[11]

 

264. Transmetohet nga Rafiu ibën Hadixh (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Çmimi i qenit është i ndytë, mehri –pagesa- e kurvërisë është e ndytë dhe fitimi i atij që bën hixhame (nxjerja e gjakut me gota) është i ndytë.”[12]

 

 

Tema

Shitblerja e quajtur El Araja[13]

 

265. Transmetohet nga Zejd ibën Thabit (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i lejoi atyre që kishin Arije, që ti shisnin ato duke i matur me hamendje që në pemë.”

Në një transmetim tjetër të Muslimit thuhet: “Duke i matur me hamendje kundrejt hurmave të thata me peshë, me qëllim që (të varfërit të cilët posedojnë hurma të thata) të hanë hurma të njoma.”[14]

 

266. Transmetohet nga Ebi Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e ka lejuar shitjen e quajtur El Araja deri në peshën e pesë Eusuk (rreth 5 kv.) apo më pak se pesë Eusuk.”[15]

267. Transmetohet nga Abdullah ibën Umeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Kush shet palmë të pllenuar, atëherë frytet e saj (të para pas shitjes) i takojnë shitësit të saj, vetëm në rast se vihet kusht nga blerësi (në aktin e shitblerjes, që ti marrë ai).” 

Në një transmetim tjetër të Muslimit thuhet: “Ndërsa kush blen një skllav, pasuria e skllavit i takon padronit të tij që e shiti atë, vetëm në rast se vë kusht blerësi (që ta marrë ai).” [16]

 

268. Transmetohet nga Abdullah ibën Umer (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Kushdo që blen një ushqim (drith), të mos e shesë atë pa e marrë atë (pa e pranuar dhe futur atë në dorën e tij).”[17]

269. Transmetohet nga Ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) hadith i ngjashëm me të mësipërmin.

 

270. Transmetohet nga Xhabir ibën Abdullah (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ai ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) në vitin e çlirimit të Mekës, të thotë: “Allahu dhe i Dërguari i Tij e ka ndaluar shitblerjen e alkoolit, të të ngordhtës, të derrit dhe të putave (idhujve). –Dikush tha: O i Dërguari i Allahut! Po dhjamin e të ngordhtës? Pasi që me të lyhen anijet, ngjyhen lëkurat (e kafshëve) dhe përdoret për kandilin? –”Jo”, -tha ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!), -ai është haram. –Pastaj tham për këtë: Allahu i vraftë çifutët! Kur Allahu ua ndaloi atyre dhjamin e saj (të ngordhtës), ata e shkrinë atë, e shitën dhe e hëngrën çmimin e tij.”[18]

 

Tema

Es selem – Parapagimi

 

271. Transmetohet nga Abdullah ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: “Kur i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) erdhi në Medine, banorët e saj parapaguanin për blerjen e frutave të pemëve që para një, dy apo tre vjetësh nga marrja e mallit. I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: Kushdo që parapaguan për diçka, të parapaguajë për peshë të caktuar dhe masë të caktuar, deri në një kohë të caktuar (të caktuara këto në aktin e shitblerjes).”[19]

 

Tema

Kushtet në shitblerje

 

272. Transmetohet nga Aisha (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ajo ka thënë: “Berira erdhi tek unë dhe tha: Unë bëra marrëveshje me familjen (padronët e mi, pasi ajo ishte robëreshë) që të paguaj nëntë Ukije (njësi peshe –ons) argjend; nga një për çdo vit për të fituar lirinë; a më ndihmon për ta paguar atë? –Thashë: Nëse padronët e tu dëshirojnë t’ua paguaj atyre të gjitha dhe pastaj kujdestaria për ty të më kalojë mua, unë jam gati ta bëj. –Ajo shkoi te padronët e saj dhe u tha për këtë, por ata refuzuan. Kur u kthye nga ata, i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) kishte ardhur dhe ishte ulur (në shtëpi). Ajo tha: Unë ia parashtrova këtë padronëve të mi, por ata refuzuan dhe donin që kujdestaria mbi mua t’u mbesë atyre. –Atëherë Aisha i tregoi për këtë të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe ai tha: “Merre atë dhe kushtëzoju atyre kujdestarinë e saj, sepse kujdestaria i takon atij që e liron (skllavin).”

-Aisha veproi ashtu si i tha i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!), ndërsa vetë ai u ngrit, doli në mes të njerëzve, falenderoi Allahun dhe e lavdëroi Atë, pastaj tha: “Si është puna me disa njerëz që vendosin kushte të cilat nuk janë në Librin e Allahut? Çdo lloj kushti i cili nuk gjendet në Librin e Allahut (që nuk përputhet me sheriatin), ai kusht është i kotë (i pakonsiderueshëm) edhe sikur të jenë njëqind kushte. Gjykimi i Allahut është më i drejtë, kushti i caktuar nga Allahu është më i qëndrueshëm dhe kujdestaria i takon atij që e liron (skllavin).”[20]

 

273. Transmetohet nga Xhabir ibën Abdullah (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se: “Ai ishte duke ecur mbi një deve dhe ajo u lodh dhe u ul (nga mosha e madhe), e ai deshi ta braktiste. –Por i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) më arriti mua, bëri lutje për mua dhe e goditi devenë, e ajo eci si kurrë më parë. Pastaj tha: Ma shit atë deve mua me një Ukije (ons) argjend. –”Jo”, i thashë unë. –Ma shit mua atë! –tha ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) përsëri. –Atëherë ia shita atij (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) me një Ukije dhe e shpura barrën asaj te familja ime. Pastaj shkova tek ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) me devenë dhe ai më dha çmimin e saj. Pastaj u ktheva, por ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dërgoi dikë pas meje dhe më tha: A mendove se unë e bëra këtë që të merrja devenë tënde?! Merre dvenë tënde dhe dirhemët e tu, sepse ato janë tuat!”[21]

 

274. Transmetohet nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka ndaluar që i qytetëruari t’i shesë beduinit dhe të mos mashtroni në çmim (me anën e një të treti i cili gjoja e kërkon mallin me çmim më të lartë me qëllim që të nxisë blerësin), që të mos shesë askush mbi shitjen e vëllait të tij, as të mos kërkojë për martesë mbi vëllanë e tij (atë të cilën e ka kërkuar shoku i tij më parë dhe është në pritje të përgjigjes) dhe as të mos kërkojë ndonjë grua (nga burri që i kërkon dorën për martesë duke qenë se e ka një ngrua) divorcin e motrës së saj (shemrës) me qëllim që të marrë atë që ka pasur ajo.”[22]

 

Tema

Fajdet -kamata dhe këmbimi

 

275. Transmetohet nga Umer ibën el Hatab (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Shitja e arit me argjend është kamatë, vetëm nëse bëhet dorë më dorë (atëherë nuk është kamatë). Shitja e grurit me grurë (lloje të ndryshme gruri) është kamatë, vetëm nëse bëhet dorë më dorë. Shitja e elbit me elb është kamatë, vetëm nëse bëhet dorë më dorë.”[23]

 

276. Transmetohet nga Ebu Seid el Hudri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Mos e shisni arin me ar, veçse duke qenë në të njëjtën masë që të dyja dhe pa shtuar në masën e ndonjërës prej tyre. As argjendin mos e shisni me argjend vetëm duke qenë me masë të njëjtë dhe pa shtuar në njërin prej tyre. Mos shisni prej këtyre atë që është prezent me atë që nuk është prezent.”

Në një transmetim tjetër thuhet: “Veçse dorë më dorë.”

Dhe në një transmetim tjetër: “Veçse gram me gram, njësoj me njësoj dhe baraz me baraz.”[24]

277. Transmetohet nga Ebu Seid el Hudri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: “Bilali erdhi tek i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) me disa hurma të llojit të mirë dhe i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i tha atij: Prej nga janë këto? –Bilali tha: Ne kishim disa hurma të këqia dhe unë shita dy tasa prej tyre me një tas nga këto me qëllim që të hajë i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!). –Në atë çast i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: Uh! Uh! Kjo është vetë kamata, vetë kamata, ndaj mos e bëj këtë! Por nëse dëshiron të blesh, atëherë shiti hurmat që ke në një shitje tjetër, pastaj me shumën e tyre blij hurma të tjera.”[25]

 

278. Transmetohet nga Ebu el Minhal se ka thënë: “Pyeta El Bera ibën Azib dhe Zejd ibën Erkam për këmbimin dhe secili prej tyre thoshte: Ky është më i mirë se unë. Dhe secili prej tyre thoshte: I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka ndaluar nga shitja (këmbimi) e arit me argjend borxh (që nuk është prezent).”[26]

 

279. Transmetohet nga Ebu Bekri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka ndaluar nga këmbimi i argjendit me argjend dhe arit me ar, veçse njësoj me njësoj (në peshë). Ndërsa për blerjen e argjendit me ar, ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) na lejoi ta blejmë si të duam (pa barazuar në peshë), po kështu edhe për blerjen e arit me argjend. –Një burrë e pyeti dhe i tha: A dorë më dorë? –Ai tha: Kështu e kam dëgjuar (siç e thashë).”[27]

 

Tema

Pengu e të tjera

 

280. Transmetohet nga Aisha (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) bleu ushqim (grurë) nga një çifut dhe i la atij peng një parzmore prej hekuri.”[28]

 

281. Transmetohet nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Shtyrja e kthimit të borxhit nga i pasuri është padrejtësi. Nëse ndokush prej jush transferohet për kërkimin e borxhit tek dikush tjetër i cili është i kamur, atëherë të transferohet tek ai.”[29]

 

282. Transmetohet nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë –apo ka thënë: Kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) të thotë-: “Kush e gjen pronën e tij ashtu si ka qenë tek një burrë –apo njeri- i falimentuar, ai ka më shumë të drejtë për ta marrë atë sesa të tjerët (borxhlinjtë e tjerë).”[30]

 

283. Transmetohet nga Xhabir ibën Abdullah (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dha vendim me të drejtën e Shufas (e drejta e ortakut për blerjen e pjesës së ortakut të tij para blerjes së saj nga dikush tjetër) për çdo pronë të përbashkët përderisa nuk është ndarë, por nëse vendosen kufijtë dhe ndahen rrugët, atëherë nuk ka të drejtë Shufa.”[31]

 

284. Transmetohet nga Abdullah ibën Umeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: “Umeri fitoi një copë tokë në Hajber dhe shkoi tek i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) që të konsultohej me të. Ai i tha: O i Dërguari i Allahut! Unë fitova një copë tokë në Hajber ku më të mirë se ajo për mua nuk kam pasur ndonjë pasuri. Çfarë më këshillon të bëj me të? –Nëse dëshiron, lëre vakëf tokën dhe jepe sadaka prodhimin e saj. –Atëherë Umeri e dha sadaka atë, por vetë ajo tokë nuk lejohet të shitet, as të dhurohet dhe as të trashëgohet. –Thotë: Umeri ia dha sadaka atë disa të varfërve, disa të afërmëve të tij, atyre që paguanin për të fituar lirinë, në Rrugën e Allahut, udhëtarëve dhe miqëve. Nuk ka ndonjë gjynah për atë kujdestarin e saj që të hajë prej prodhimit të saj, apo të ushqejë ndonjë shok, por jo të përfitojë prej saj.”

Në një transmetim tjetër thuhet: “dhe as ta përvetësojë atë.”[32]

 

285. Transmetohet nga Umeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: “I dhashë dikujt një kalë që të luftonte në Rrugën e Allahut, ndërsa ai e humbi atë. Më pas doja ta blija atë (e gjeta tek dikush tjetër) duke menduar se ai do ta shiste lirë atë, por para se ta blija pyeta të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!), i cili më tha: Mos e blij atë dhe mos u kthe në sadakanë tënde, edhe sikur të ta japë me një dirhem, sepse ai që kthehet në dhuratën e dhënë është njësoj si ai që kthehet në të vjellën e tij.”

Ndërsa nga Ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmetohet se ka thënë: i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Ai i cili kthehet në dhuratën e tij (që ka dhënë) është njësoj si ai që kthehet në të vjellën e tij.”

Në një transmetim tjetër thuhet: “Sepse ai i cili kthehet në lëmoshën e tij, është si qeni që kthehet në të vjellën e tij.”[33]

 

286. Transmetohet nga En Neuman ibën Beshir (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: “Babai im më dha sadaka një pjesë të pasurisë së tij, por nëna ime Amra bintu Ravaha tha: Nuk jam dakord deri sa të pyesësh të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!). Atëherë babai im shkoi tek i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) për të dëshmuar për sadakanë që më dha mua. I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i tha atij: A veprove kështu me të gjithë fëmijët e tu? –”Jo”, -tha ai. –Kini frikë Allahun dhe mbani drejtësi mes fëmijëve tuaj! –tha ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!). –Atëherë babai im u kthye në shtëpi dhe e ktheu mbrapsht atë sadaka.”

Në një transmetim tjetër thuhet: “Atëherë mos më kërko të dëshmoj për këtë, sepse unë nuk dëshmoj për padrejtësi.”

Ndërsa në një transmetim tjetër: “Atëherë kërko të dëshmojë për këtë dikush tjetër!”[34]

 

287. Transmetohet nga Abdullah ibën Umeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se: “i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) bëri marrëveshje me banorët (çifutët) e Hajberit që t’i linte në tokat e tyre dhe të paguanin gjysmat e prodhimeve të tyre prej hurmave e të mbjellave.”[35]

 

288. Transmetohet nga Rafiu ibën Hadixh se ka thënë: “Ne (fisi ynë) ishim prej ensarëve që kishin më shumë ara të cilat i jepnim me qera; (qeraja ishte:) kjo për ne dhe kjo për ata. Ndodhte që kjo pjesë e tokës të jepte prodhim dhe tjetra të mos jepte, kështu që i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) na ndaloi nga kjo gjë. Ndërsa për dhënien me qera duke paguar dirhem (argjënd apo të holla), për këtë nuk na ndaloi.”

 

289. Ndërsa në një transmetim tjetër të Muslimit nga Handhale ibën Kajs, transmetohet se ai ka thënë: “Pyeta Rafiu ibën Hadixh për dhënien e tokës me qera, pagesa e të cilës të ishte ar apo argjend dhe ai tha: Për këtë nuk ka problem. Në kohën e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) njerëzit e jepnin tokën me qera kundrejt prodhimit që merrej nga anët e kanaleve apo grykave të kanaleve kulluese, apo kundrejt ndonjë gjëje nga të mbjellat. Por ndodhte që kjo pjesë prishej, ndërsa kjo tjetra jepte prodhim (ndodhte që ata që punonin të mos merrnin asgjë), dhe nuk kishte qera tjetër përveç kësaj. Për këtë shkak kjo gjë u ndalua. Ndërsa nëse qeraja është diçka e ditur më parë nga të dyja palët dhe e sigurtë, atëherë nuk ka problem për të.”[36]

 

290. Transmetohet nga Xhabir ibën Abdullah (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dha vendim për El Umra -dhuratën që i jepet dikujt me kusht sa të jetë gjallë dhe se ajo i takon atij të cilit i është dhuruar.”[37]  

Në një transmetim tjetër thuhet: “Kujt i dhurohet një dhuratë me kusht për sa të jetë gjallë ai apo pasardhësi i tij, ajo është e atij të cilit i është dhënë dhe nuk i kthehet atij i cili e ka dhënë atë, sepse ai e ka dhënë diçka mbi të cilën ka rënë trashëgimia.”[38]

Xhabiri ka thënë: “El Umra të cilën e ka lejuar i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) është ajo lloj dhurate ku thuhet: Kjo është për ty dhe për pasradhësit e tu. Ndërsa nëse thotë: Ajo është për ty për sa të jesh gjallë, ajo i kthehet dhuruesit të saj (pas vdekjes së atij që i është dhuruar).”[39]

 

291. Ndërsa në një transmetim tjetër të Muslimit thuhet: “Ruajini pasuritë tuaja dhe mos i prishni ato, sepse kushdo që jep një dhuratë të llojit El Umra – për sa të jetë gjallë, ajo dhuratë futet në pronësinë e atij të cilit i është dhuruar sa të jetë gjallë, kur të vdesë dhe për pasardhësit e tij.”[40]

 

292. Transmetohet nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Të mos e ndalojë komshiu komshinë e tij nga të ngulurit e një dërrase në murin e tij. –Pastaj Ebu Hurejra tha: Ç’është me ju kështu që iu shoh të mos e zbatoni këtë. Pasha Allahun! Do ta vendos atë (dërrasën, apo hadithin) ndërmjet shpatullave tuaja.”[41]

 

293. Transmetohet nga Aisha (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Kushdo që merr padrejtësisht qoftë edhe një pëllëmbë tokë, ai do të shtrëngohet (apo do të shtrydhet) për të nga shtatë toka.”[42]

 

Tema

Gjëja e gjetur

 

294. Transmetohet nga Zejd ibën el Xhuhenij (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) u pyet për arin apo argjendin (të hollat) e gjetura (në rrugë a diku tjetër) dhe ai tha: “Njofto për cilësitë e qeskës dhe gjalmës së tyre, pastaj prit një vit për të zotin e tyre. Nëse nuk del i zoti i tyre, atëherë shpenzoji ato (nëse dëshiron) dhe të jenë amanet tek ti, që nëse vjen kërkuesi (i zoti) i tyre ndonjë ditë prej ditësh, t’ia kthesh atij.”

–Pastaj e pyeti për devenë e humbur dhe ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: “Ç’ke ti me të? Lëre atë, sepse ajo ka thundrën e saj dhe vendin ku të pijë ujë. Ajo shkon vetë te uji dhe ha prej pemëve, deri sa të gjejë atë padroni i saj.”

-Pastaj e pyeti për delen e humbur, dhe ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: “Merre atë, sepse ajo do të jetë ose e jotja, ose e vëllait tënd (të cilit i ka humbur), ose e ujkut!”[43]

 

Tema

Amaneti apo testamenti

 

295.  Transmetohet nga Abdullah ibën Umer (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Është e drejtë e muslimanit që nëse ka diçka për të lënë amanet (qoftë borxhet, testamentet, a diçka tjetër), të mos kalojnë dy netë, veçse ta ketë shkruar testamentin dhe ta ketë aty (te koka)!”

Muslimi shton: “Ibën Umeri tha: Nuk kalonte natë që pas asaj që dëgjova nga i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) veçse unë e kisha me vete testamentin tim.”[44]

 

296. Transmetohet nga Sead ibën Ebi Vekas (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ai ka thënë: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) erdhi të më vizitonte, në vitin e haxhit të Lamtumirës, për shkak të dhimbjeve që mu shtuan. Unë i thashë: O i Dërguari i Allahut! Mua më janë shtuar dhimbjet aq sa ti e sheh dhe unë kam pasuri, por nuk kam trashëgues të saj veçse një vajzë. A ta jap sadaka (lëmoshë) dy të tretën e pasurisë sime? –”Jo”, -tha ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!). –Po gjysmën e saj, o i Dërguari i Allahut? –”Jo”, -tha ai përsëri. –Atëherë një të tretën e saj? –Jepe një të tretën, megjithëse edhe një e treta është shumë. Për çdo shpenzim që ti bën për Hir të Allahut, do të shpërblehesh për të, madje edhe për atë që fut (me dorën tënde) në gojën e gruas tënde. –Thotë: Thashë: O i Dërguari i Allahut! A do të rroj pas shokëve të mi (më shumë se ata)? –Nëse ti rron dhe vepron punë të mirë me të cilën kërkon Fytyrën e Allahut, do të shtosh me të gradë dhe ngritje, por mundet që ti të rrosh e të kenë dobi prej teje disa njerëz, apo të dëmtohen prej teje disa të tjerë. O Zot! Plotësoja emigrimin shokëve të mi (të pacënuar nga mangësitë apo ndonjë vepër e keqe) dhe mos i kthe ata mbrapa! Por i mjeri është Sead ibën Haulete për të cilin i vjen keq të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!), sepse ai vdiq në Mekë (dhe nuk mundi të emigronte).”[45]

 

297. Transmetohet nga Abdullah ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: “Sa mirë do të ishte sikur njerëzit ta ulnin testamentin nga një e treta e pasurisë në një të katërtën e saj, sepse i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: Një e treta, megjithëse edhe një e treta është shumë.”[46]

 

Tema

Trashëgimia

298. Transmetohet nga Abdullah ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Jepjani pjesët e caktuara (në Kuran) të trashëgimisë atyre që u takon, ndërsa ajo që mbet është për më të afërmin mashkull nga gjaku (të të vdekurit).”[47]

Në një transmetim tjetër thuhet: “Ndajeni pasurinë (e të vdekurit) ndërmjet trashëguesëve të caktuar në Librin e Allahut. Nëse mbet gjë, ajo i takon më të afërmit mashkull (të të vdekurit).”[48]

299. Transmetohet nga Usame ibën Zejd (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: “Thashë: O i Dërguari i Allahut! A do të shkosh nesër tek shtëpia jote në Mekë? –A na ka lënë neve Akili ndonjë shtëpi?”[49]

-Pastaj tha: “Muslimani nuk e trashëgon jomuslimanin dhe jomuslimani nuk e trashëgon muslimanin.”[50]

 

300. Transmetohet nga Abdullah ibën Umer (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka ndaluar nga shitja e kujdestarisë për skllavin e liruar, si dhe nga dhurimi i kësaj kujdestarie.”[51]

 

301. Transmetohet nga Aisha (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: “Tek Berira gjendeshin (ndodhën) tre sunete (të të Dërguarit (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!): Asaj iu dha e drejta e zgjedhjes për të qëndruar apo jo me burrin e saj kur ajo u lirua nga skllavëria. Një herë asaj iu dhurua mish dhe i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) hyri tek unë ndërkohë që tenxherja ishte mbi zjarr. Ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) kërkoi të hante dhe i shpunë bukë dhe një gjellë që ishte në shtëpi. Ai tha: A nuk e pashë enën me mish mbi zjarr? –Thanë: Po, o i Dërguari i Allahut! Por ai është mish që i është dhënë sadaka Beriras dhe për këtë ngurruam të jepnim nga ai! –Ai është sadaka për atë, ndërsa nga ajo për ne është dhuratë.

(Dhe suneti i tretë është se) I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë në lidhje me të: Kujdestaria i takon atij që e liron (skllavin).”[52]

 


[1] E transmeton Buhariu (2107), Muslimi (1531), etj.

[2] E transmeton Buhariu (2079), Muslimi (1532), etj.

[3] E transmeton Buahriu (367), Muslimi (1512), etj.

[4] E transmeton Buhariu (2140), Muslimi (1515), etj.

[5] E transmeton Buhariu (2143), Muslimi (1514), etj.

[6] E transmeton Buhariu (1486), Muslimi (1534), etj.

[7] E transmeton Buhariu (1488), Muslimi (1555), etj.

[8] E transmeton Buhariu (2158), Muslimi (1521), etj.

[9] E transmeton Buhariu (2171), Muslimi (1521), etj.

[10] E transmeton Buhariu (1487), Muslimi (1536), etj.

[11] E transmeton Buhariu (2237), Muslimi (1567), etj.

[12] E transmeton Muslimi (1567), etj.

[13] Dijetarët janë kundërshtuar për domethënien e kësaj lloji shitblerjeje, por më afër kuptimit është fjala se ajo është shitja e hurmave të njoma në pemë kundrejt një sasia hurmash të thata duke I përcaktuar me hamendje peshat e tyre.

[14] E transmeton Buhariu (2173), Muslimi (1539), etj.

[15] E transmeton Buhariu (2190), Muslimi (1541), etj.

[16] E transmeton Buhariu (2203), Muslimi (1543), etj.

[17] E transmeton Buhariu (2124), Muslimi (1526), etj.

[18] E transmeton Buhariu (2236), Muslimi (1581), etj.

[19] E transmeton Buhariu (2239), Muslimi (1604), etj.

[20] E transmeton Buhariu (456), Muslimi (1504), etj.

[21] E transmeton Buhariu (443), Muslimi (715), etj.

[22] E transmeton Buhariu (2140), Muslimi (1515), etj.

[23] E transmeton Buhariu (2134), Muslimi (1586), etj.

[24] E transmeton Buhariu (2176), Muslimi (1584), etj.

[25] E transmeton Buhariu (2312), Muslimi (1594), etj.

[26] E transmeton Buhariu (2060), Muslimi (1589), etj.

[27] E transmeton Buhariu (2182), Muslimi (1590), etj.

[28] E transmeton Buhariu (2068), Muslimi (1603), etj.

[29] E transmeton Buhariu (2287), Muslimi (1564), etj.

[30] E transmeton Buhariu (2402), Muslimi (1559), etj.

[31] E transmeton Buhariu (2213), Muslimi (1608), etj.

[32] E transmeton Buhariu (2737), Muslimi (1632), etj.

[33] E transmeton Buhariu (1490), Muslimi (1620), etj.

[34] E transmeton Buhariu (2586), Muslimi (1623), etj.

[35] E transmeton Buhariu (2285), Muslimi (1551), etj.

[36] I transmeton Buhariu (2327), Muslimi (1547), etj.

[37] E transmeton Buhariu (2625), Muslimi (1625), etj.

[38] E transmeton Muslimi (1625).

[39] Burimi i mësipërm.

[40] Burimi i mësipërm.

[41] E transmeton Buhariu (2463), Muslimi (1609), etj.

[42] E transmeton Buhariu (2453), Muslimi (1612), etj.

[43] E transmeton Buhariu (91), Muslimi (1722), etj.

[44] E transmeton Buhariu (2738), Muslimi (1627), etj.

[45] E transmeton Buhariu (56, 1295), Muslimi (1628), etj.

[46] E transmeton Buhariu (2743), Muslimi (1629), etj.

[47] E transmeton Buhariu (6732), Muslimi (1615), etj.

[48] E transmeton Muslimi (1615), etj.

[49] E transmeton Buhariu (1588), Muslimi (1351), etj. Akili është i biri i Ebu Talib ibën Abdimenaf el Kuashi el Hashimi, vëllai i Aliut dhe Xheaferit nga babai. Kuptimi është se Akili dhe Talibi e morën të gjithë trashëgiminë e babait të tyre dhe nuk i lanë gjë Aliut dhe Xheaferit. Dy të parët ishin jobesimtarë, ndërsa të dytët ishin besimtarë.

[50] E transmeton Buhariu (6764), Muslimi (1614), etj.

[51] E transmeton Buhariu (2535), Muslimi (1506), etj.

[52] E transmeton Buhariu (456), Muslimi (1504), etj.


<<< Esenca e Dispozita 8         |        Esenca e Dispozita 10 >>>