Esenca e Dispozitave të Legjislacionit Islam (4)
“Umdetu el Ahkam”


Autor: Hafiz Abdulgani el Makdisi
Përktheu: Bledar Albani


Namazi i vitrit

 

125. Transmetohet nga Abdullah ibën Umer (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: Një burrë pyeti të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ndërkohë që ishte në minber: “Çfarë thua për namazin e natës? –Ai falet dy e nga dy rekate dhe nëse dikush prej jush i frikësohet hyrjes së kohës së namazit të sabahut, atëherë të falë një rekat tek, i cili ia bën tek numrin e atyre që ka falur.” –Ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) thoshte: “Namazi i fundit i natës të jetë tek.”[1]

 

126. Transmetohet nga Aisha (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ajo ka thënë: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka qëlluar që ta falë namazin e vitrit në të gjitha pjesët e natës; në pjesën e parë të natës, në mes të saj dhe në fund të saj. Vitri i tij mbaronte në kohën e syfyrit në agim.”[2]

 

127. Transmetohet nga Aisha (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) falte trembëdhjetë rekate gjatë natës ku pesë prej tyre i falte namaz vitri dhe nuk qëndronte ulur (për teshehud) veçse në fund të tyre (të rekatit të pestë).”[3]

 

Tema

Dhikri (duatë) pas namazit farz

 

128. Transmetohet nga Abdullah ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: “Ngritja e zërit në bërjen e dhikrit pasi njerëzit e kryenin namazin farz ka qenë vepruar në kohën e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!). –Ibën Abasi thotë: Unë e merrja vesh se kur e mbaronin ata namazin, kur dëgjoja të bënin dhikrin (me zë, secili më vete).”

Në një transmetim tjetër thuhet: “Nuk e mësonim mbarimin e namazit të të Dërguarit (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) veçse me thënien ‘Allahu ekber’ (me dëgjimin e bërjes së tespive).”[4]

 

129. Transmetohet nga Veradi, shërbëtori i Mugira ibën Shubeh, se ka thënë: Mugira ibën Shube më diktoi nga një letër dërguar Muavijes, se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) pas çdo namazi farz thoshte: “Nuk ka të adhuruar tjetër (me të drejtë) përveç Allahut Një e të Pashoq. I Tij është sundimi dhe Atij i takon falenderimi. Ai është i Pltëfuqishëm për çdo gjë. O Zot! Nuk ka kush që e pengon atë që jep Ti dhe as dhënës të asaj që Ti e ndalon. As nuk i bën dobi pasuria të pasurit, por e gjithë ajo është prej Teje.” –Më pas shkova te Muavija dhe e dëgjova atë të urdhëronte njerëzit që të thoshin këto fjalë (pas namazit të tyre).”

Në një transmetim tjetër thuhet: “Ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ndalonte nga thashethemet, shpërdorimi i pasurisë dhe pyetjet e shumta. Ndalonte gjithashtu nga mosrespektimi i nënave, varrosja e vajzave të gjalla dhe nga mosdhënia kur të kërkohet dhe nga mospërgjigjja kur pyetesh.”[5]

 

130. Transmetohet nga Sumej –shërbëtori i Ebu Bekër ibën Abdurrahman ibën el Harith ibën Hisham-; nga Ebi Salih es Seman; nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se: “Të varfërit prej muslimanëve erdhën tek i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe i thanë: O i Dërguari i Allahut! Njerëzit e pasur po i marrin gradët e larta dhe kënaqësinë e përjtshme. –Si kështu? –tha ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!). –Po ja, ata falen si falemi edhe ne. Agjërojnë si edhe ne. ata japin lëmoshë, ndërsa ne nuk japim dhe ata lirojnë robër nga robëria, ndërsa ne jo!

-A t’iu mësoj diçka me të cilën mund të arrini ata që ua kanë kaluar, të kaloni ata që do të vinë pas jush dhe që askush të mos jetë më i mirë se ju përveç atij që vepron ashtu si ju?

-“Po”, o i Dërguari i Allahut! –thanë ata.

-Të thoni “Subhanallah”, “el Hamdu lilah” dhe “Allahu ekber”, nga tridhjetë e tre herë pas çdo namazi farz.

-Ebu Salih tha: Fukarenjtë e Medines u kthyen dhe thanë: Vëllezërit tanë të cilët posedojnë pasuri e dëgjuan këtë gjë dhe vepruan ashtu si dhe ne.

-Atëherë i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: Kjo është mirësia e Allahut të cilën Ai ia jep kujt të dojë!”

-Sumej thotë: Këtë hadith ia tregova dikujt prej familjes sime dhe ai më tha: Ti ke harruar, sepse ai të ka thënë: “Thuaj tridhjetë e tre herë “Subhanallah”, tridhjetë e tre herë “el Hamdu lilah” dhe tridhjetë e tre herë “Allahu ekber”.

Atëherë u ktheva te Ebu Salih dhe i thashë për këtë, ndërsa ai tha: Thuaj: “Allahu ekber ue subhanallah uel hamdu lilah” deri sa të plotësosh gjithsej tridhjetë e tre herë.”[6]

 

131. Transmetohet nga Aisha (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) u fal me një këmishë me vizatime në të dhe gjatë namazit vështroi për pak çaste te vizatimet e saj. Pas namazit ai tha: Shpjereni tek Ebu Xhehmi këtë këmishë dhe më sillni një rrobe pa vizatime dhe të ashpër nga ato të tij, sepse kjo më largoi mendjen nga namazi im.”[7]

 

Tema

Të bashkuarit ndërmjet dy namazeve në udhëtim

 

132. Transmetohet nga Abdullah ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: “Kur ishte në udhëtim, i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) bashkonte ndërmjet namazit të drekës dhe të ikindisë, kur ishte në udhëtim e sipër. Po kështu bashkonte ndërmjet namazit të akshamit dhe jacisë.”[8]

 

Tema

Të shkurtuarit e namazit në udhëtim

 

133. Transmetohet nga Abdullah ibën Umer (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: “Unë e kam shoqëruar të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe ai nuk shtonte mbi dy rekate për namazet farze. Po kështu vepronte edhe Ebu Bekri, Umeri dhe Uthmani.”[9]

 

Tema

Namazi i të xhumasë

 

134. Transmetohet nga Sehl ibën Sead es Saidi se ka thënë: “Pashë të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) të ngrihej dhe të merrte tekbir (të thoshte ‘Allahu ekber’), edhe njerëzit bashkë me të, pas tij, duke qenë se ai ishte në minber. Pastaj u ngrit (nga rukuja) dhe u tërhoq mbrapa për të bërë sexhde në bazën e minberit. Pastaj u kthye deri sa plotësoi namazin deri në fund, pastaj u kthye nga njerëzit dhe tha: O njerëz! E bëra këtë me qëllim që të më pasoni në namaz dhe të mësoni formën e namazit tim.” 

Në një transmetim tjetër thuhet: “Ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) u fal mbi të (minber), mori tekbir mbi të, pastaj bëri rukunë duke qenë mbi të, pastaj zbriti duke u tërhequr mbrapa.”[10]

 

135. Transmetohet nga Abdullah ibën Umer (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Kushdo prej jush që vjen për të falur namazin e të xhumasë, të bëjë banjë (të lajë të gjithë trupin).”[11]

 

136. Transmetohet nga Xhabir ibën Abdullah (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: “Ndërsa i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) po mbante hytben në ditën e Xhuma, erdhi një burrë (në xhami) dhe ai i tha: O filan! A u fale (dy rekatet për përshëndetjen e xhamisë)? –”Jo”, -tha ai. –Atëherë ngrihu dhe fal dy rekate!”[12]

 

137. Transmetohet nga Xhabir (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) mbante dy hytbe duke qëndruar në këmbë, të cilat i ndante me një të ulur ndërmjet tyre (e ndante hytben në dy pjesë).”[13]

 

138. Transmetohet nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Nëse i thua shokut tënd: “Hesht!”, në ditën e xhuma, duke qenë se imami është duke mbajtur hytben, ti ke folur fjalë të kotë (e cila bën që ty të humbasë hytbeja).”[14]

 

139. Transmetohet nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Kushdo që lahet në ditën e xhuma, pastaj shkon herët në xhami, atij i quhet sikur ka bërë kurban një deve. Kush shkon në orën e dytë, atij i quhet sikur të ketë bërë kurban një lopë. Kush shkon në orën e tretë, i quhet sikur ka bërë kurban një dash me brirë. Kush shkon në orën e katërt, atij i quhet sikur të ketë bërë kurban një pulë dhe kush shkon në orën e pestë, atij i quhet sikur të ketë dhënë sadaka një kokërr vezë. Kur del imami, engjëjt prezentojnë dhe dëgjojnë dhikrin (hytben, namazin).”[15]

 

140. Transmetohet nga Seleme ibën el Ekve – i cili ka qenë prej atyre që lidhën besën poshtë pemës- (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: “Ne falnim namazin e të xhumasë me të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!), pastaj kur e mbaronim namazin muret nuk kishin hije që të futeshim në hijen e tyre.”[16]

Në një transmetim tjetër thuhet: “Ne e falnim namazin e të xhumasë me të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) kur dielli e kalonte kupën e qiellit (anonte nga perëndimi), pastaj kur ktheheshim (për në shtëpi) kërkonim hije që të hynim në të.”[17]

 

141. Transmetohet nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: “Në namazin e sabahut të ditës së xhuma, i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) lexonte suret “Elif-lam-mim. Tenzilul kitabi…Es sexhde” dhe “Hel eta alel insani …El Insan”[18]

 

Tema

Festat e dy Bajrameve

 

142. Transmetohet nga Abdullah ibën Umer (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!), Ebu Bekri dhe Umeri e falnim namazin e dy Bajrameve para hytbes së tyre.”[19]

 

143. Transmetohet nga el Bera ibën Azib (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) na mbajti hytbe në ditën e Kurban Bajramit pas namazit të Bajramit  dhe tha: Kush fal namazin tonë (si ne) pastaj pret kurban si ne, ai e ka bërë kurbanin (të rregullt), ndërsa kush e pret kurbanin para namazit (të Bajramit), atij nuk i quhet për kurban. –Ebu Burde ibën Nijar, daja i el Bera ibën Azib tha: O i Dërguari i Allahut! Unë e preva kurbanin tim para namazit pasi që e mora vesh se sot është ditë ngrënie e pirje, dhe dëshiroja që delja ime të ishte kurbani i parë që therej në shtëpinë time, kështu që e thera atë dhe hëngra para se të vija në namaz?! –Delja jote tani është dele për mish (dhe jo kurban), -tha ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!). –O i Dërguari i Allahut! Ne kemi disa dhi të cilat janë më të dashura për mua se dy dele bashkë. A më quhet nëse therr një prej tyre? –”Po”, -tha ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!), por kjo nuk do t’i vlejë askujt pas teje.”[20]

 

144. Transmetohet nga Xhundub ibën Abdullah el Bexheli (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: “Në ditën e Kurban Bajramit, i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) fali namazin e Bajramit pastaj mbajti hytbe. Pastaj preu kurbanin dhe tha: “Kush e ka prerë kurbanin para se të falë namazin e Bajramit, të therë një tjetër në vend të tij dhe kush nuk e ka prerë, ta presë tani me Bismilah.”[21]

 

145. Transmetohet nga Xhabiri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: “Prezentova me të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) në ditën e festës së Bajramit. Ai filloi me faljen e namazit para hytbes, pa thirrur ezan dhe as ikamet. Pastaj u ngrit dhe qëndroi mbështetur te Bilali; këshilloi për devotshmëri ndaj Allahut të Lartësuar, nxiti për bindjen ndaj Tij, i këshilloi njerëzit dhe i përkujtoi ata (me Allahun), pastaj shkoi te gratë dhe i këshilloi e i përkujtoi ato, pastaj tha: O ju gra! Jepni lëmoshë, sepse ju do të jeni drutë më të shumta të xhehenemit. –Një grua e hedhur (apo një grua nga mesi i grave), me mollëzat e faqeve që u ishte ndërruar ngjyra, u ngrit dhe tha: Përse, o i Dërguari i Allahut? –Sepse ju ankoheni shumë dhe i mohoni të mirat e bashkëshortit tuaj.

-Thotë: Atëherë ato filluan të jepnin lëmoshë nga stolitë e tyre, të cilat i hidhnin në rroben e Bilalit (që kishte hapur ai); prej varëseve dhe unazave të tyre.”[22]

 

146. Transmetohet nga Umu Atije –Nusejbe el Ensarije- se ajo ka thënë: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) na urdhëroi që në dy festat e Bajrameve të nxirnim edhe plakat e moshuara dhe vajzat e mbyllura në dhomat e tyre. Ndërsa gratë me perioda, ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i urdhëroi të qëndronin jasht faltores së muslimanëve.”  

Në një transmetim tjetër thuhet: “Ishim urdhëruar që të dilnim në ditë feste, madje të nxirnim edhe vajzat beqare nga dhomat e tyre dhe ato që ishin me perioda. Ato (gratë me perioda) thonin tekbiret bashkë me muslimanët dhe luteshin me lutjet e tyre, duke shpresuar bekimin e asaj dite dhe pastrimin e saj.”[23]

 

Tema

Namazi i eklipsit

 

147. Transmetohet nga Aisha (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se: “Në kohën e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) u bë eklipsi i diellit dhe ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) urdhëroi dikë që të thërrasë: Namazi me xhemat! –Njerëzit u mblodhën dhe ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) kaloi para tyre, mori tekbir dhe bëri katër ruku në dy rekate, si dhe katër sexhde.”[24]

 

148. Transmetohet nga Ebi Mesudi –Ukbeh ibën Amër el Ensari el Bedri-, (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ai ka thënë: i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Dielli dhe hëna janë dy shenja (mrekulli) nga shenjat e Allahut, me të cilat Allahu frikëson kë të dojë dhe ato nuk mbulohen (gjatë eklipsit) për vdekjen e ndokujt prej njerëzve. Kur jut ë shihni një fenomen të tillë, falni namaz dhe bëni lutje deri sa të kalojë ajo që iu ka zënë.”[25]

 

149. Transmetohet nga Aisha (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ajo ka thënë: “Në kohën e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) u bë eklipsi i diellit dhe ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) u fal me njerëzit (namazin e eklipsit). Pasi qëndroi gjatë në këmbë, bëri rukunë të cilën e zgjati shumë, pastaj u ngrit dhe qëndroi përsëri gjatë në këmbë, por jo aq sa herën e parë. Pastaj bëri ruku dhe e zgjati atë, por jo aq sa herën e parë. Pastaj bëri sexhde dhe e zgjati atë. Pastaj veproi në rekatin e dytë ashtu si veproi në të parin. Kur e mbaroi namazin, dielli ishte zbuluar dhe ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) u mbajti hytbe njerëzve; falenderoi Allahun dhe e Lavdëroi Atë, pastaj tha: Dielli dhe hëna janë dy shenja (mrekulli) nga shenjat e Allahut dhe nuk mbulohen (me eklips) për vdekjen apo jetën e askujt. Nëse ju e shihni këtë fenomen të tillë, lutjuni Allahut dhe madhërojeni Atë me tekbir, falni namaz dhe jepni lëmoshë. –Pastaj tha: O umeti i Muhamedit! Betohem për Allahun! Askush nuk ka xhelozi më shumë se Allahu nëse robi apo robëresha e Tij bën prostitucion! O umeti i Muhamedit! Për Zotin! Sikur ju ta dinit atë që di unë, do të qeshnit pak dhe do të qanit shumë.”

Në një transmetim tjetër thuhet: “Ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) plotësoi katër ruku dhe katër sexhde (në dy rekate).”[26]

 

150. Transmetohet nga Ebu Musa el Eshari (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: “Në kohën e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) u bë eklipsi i diellit dhe ai u ngrit i trembur, me frikën se po bëhej kijameti dhe erdhi në xhami. U ngrit dhe filloi të falej me kijamin (qëndrim në këmbë dhe lexim nga Kurani) dhe sexhden më të gjatë që kishte bërë ndonjëherë në namazin e tij, pastaj tha: Këto shenja (fenomene) që dërgon Allahu i Madhëruar nuk janë për vdekjen e ndokujt apo për jetën e tij, por Allahu i dërgon ato për të frikësuar me to robët e Tij. Nëse ju shihni diçka të atillë, drejtojuni përmendjes së Allahut, lutjes së Tij dhe kërkimit falje nga Ai!”[27]

 

Tema

Lutja për shi

 

151. Transmetohet nga Abdullah ibën Zejd ibën Asim el Mazini se ka thënë: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) doli për të bërë lutje për shi. Ai u drejtua nga Kibla duke bërë lutje dhe duke e veshur mbrapsht rroben e tij, pastaj fali dy rekate namaz në të cilat lexoi me zë.”

Në një transmetim tjetër thuhet: “doli në namazgja.”[28]

 

152. Transmetohet nga Enes ibën Malik (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se: “Një burrë hyri në xhami në ditën e xhuma nga dera që ishte në drejtim të gjykatës. Ndërkohë i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ishte duke mbajtur hutben. Ai iu drejtua të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!), i ngritur në këmbë dhe i tha: O i Dërguari i Allahut! U shkatërruan pronat dhe u prenë rrugët. Lute Allahun që të na zbresë shi! I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ngriti duart dhe tha: “O Zot! Na furnizo me shi! O Zot! Na jep shi!” Enesi thotë: Për Zotin! Nuk shihnim në qiell asnjë re dhe as re të shpërndara, që nga vendi ku ishim e deri në malin Selea. Veç kur, nga pas tij doli një re si mburojë dhe kur ajo u afrua në mes të qiellit (mbi ne), u përhap dhe lëshoi shi. Thotë: Për Allahun! Nuk e pamë më diellin për një javë. Thotë: Pastaj, të xhumanë tjetër hyri një burrë nga e njëjta derë, ndërkohë që i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ishte duke mbajtur hutben. Ai tha: O i Dërguari i Allahut! O shkatërruan pronat dhe u mbyllën rrugët, ndaj lute Allahun që ta ndalojë shiun nga ne. Thotë: Atëherë i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ngriti duart dhe tha: “O Zot! (Dërgoje shiun) Rreth nesh dhe jo mbi ne! O Zot! Nëpër male, fusha e lëndina dhe në vendet ku mbinë pemët!” Thotë: Shiu pushoi dhe kur dolëm (nga xhamia) ecnim në diell. Sheriku thotë: E pyeta Enesin? A ishte i njëjti burrë që erdhi një javë më parë? Ai tha: Nuk e di.”[29]

 

Tema

Namazi në rast frike

 

153. Transmetohet nga Abdullah ibën Umer ibën el Hatab (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) fali me ne namazin e frikës në disa ditë. Një grup i ushtrisë u ngrit për tu falur me të, ndërsa grupi tjetër qëndronte në front. Ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) fali me ata që ishin me të një rekat, pastaj ata ikën dhe erdhën të tjerët, me të cilët fali rekatin tjetër, ndërsa të dy grupet e falën vetë rekatin tjetër të tyre.”[30]

 

154. Transmetohet nga Jezid ibën Ruman; nga Salih ibën Havat ibën Xhubejr; nga dikush që fali bashkë me të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) namazin e frikës, se: “Një grup i muslimanëve u rreshtua pas tij, ndërsa grupi tjetër qëndroi në front. Ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) fali me ata që ishin me të një rekat dhe pastaj qëndroi në këmbë, ndërsa ata e plotësuan vetë rekatin e dytë, pastaj u larguan dhe shkuan në front përballë armikut. Atëherë erdhi grupi i dytë dhe ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) fali me ta rekatin tjetër, pastaj qëndroi ulur (pa dhënë selam) deri sa ata e plotësuan rekatin e dytë vetë, pastaj dha selam bashkë me ta.”

Personi i cili e fali këtë namaz me të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!), transmetuesi i hadithit është Sehl ibën Ebi Hathme.[31]

155. Transmetohet nga Xhabir ibën Abdullah el Ensari (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: “Prezentova me të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) namazin e frikës ku ne u vendosëm në dy rreshta pas të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!), ndërsa armiku ishte ndërmjet nesh dhe Kibles. I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) mori tekbir dhe ne morëm tekbir të gjithë pas tij, pastaj bëri rukunë dhe ne bëmë rukunë të gjithë, pastaj ngriti kokën nga rukuja dhe ne u ngritëm nga rukuja të gjithë. Pastaj ra në sexhde dhe me të ra në sexhde edhe rreshti që ishte menjëherë pas tij, ndërsa rreshti tjetër qëndroi në vëzhgim të armikut. Kur i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e mbaroi sexhden dhe kur rreshti pas tij u ngrit në rekatin e dytë, rreshti i dytë ra në sexhde pastaj u ngrit. Pastaj rreshti që ishte para kaloi mbrapa dhe ai që ishte mbrapa kaloi para. Pastaj i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) bëri rukunë dhe ne ramë të gjithë në ruku, pastaj ngriti kokën nga rukuja dhe ne u ngritëm të gjithë bashkë me të. Pastaj ra në sexhde dhe rreshti i parë –i cili kishte qenë i dyti në rekatin e parë-, ra në sexhde bashkë me të, ndërsa i dyti qëndroi në vëzhgim të armikut. Kur i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e kreu sexhden bashkë me rreshtin e parë pas tij, atëherë ra në sexhde rreshti i dytë, pastaj aid ha selam dhe ne dhamë selam të gjithë.

-Xhabiri thotë: Ashtu siç veprojnë rojet tuaj me princat e tyre.”

Këtë hadith, Muslimi[32] e ka përmendur të plotë, ndërsa Buhariu ka përmendur vetëm një pjesë të tij, se: “Ai fali namazin e frikës me të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) në luftën e shtatë të tij, në luftën “Dhatu er rikaa”[33]



[1] E transmeton Buhariu (998), Muslimi (751), etj.

[2] E transmeton Buhariu (996), Muslimi (745), etj.

[3] E transmeton Muslimi (737), etj.

[4] E transmeton Buhariu (841), Muslimi (583), etj.

[5] E transmeton Buhariu (844), Muslimi (593), etj.

[6] E transmeton Buhariu (843), Muslimi (595), etj.

[7] E transmeton Buhariu (373), Muslimi (556), etj.

[8] E transmeton Buhariu (1107), Muslimi (705), etj.

[9] E transmeton Buhariu (1102), Muslimi (689), etj.

[10] E transmeton Buhariu (377), Muslimi (544), etj.

[11] E transmeton Buhariu (894), Muslimi (844), etj.

[12] E transmeton Buhariu (930), Muslimi (875), etj.

[13] E transmeton Buhariu (920), Muslimi (862), etj.

[14] E transmeton Buhariu (934), Muslimi (851), etj.

[15] E transmeton Buhariu (881), Muslimi (850), etj.

[16] E transmeton Buhariu (4168), Muslimi (860), etj.

[17] E transmeton Muslimi (879), etj.

[18] E transmeton Buhariu (891), Muslimi (880), etj.

[19] E transmeton Buhariu (957), Muslimi (888), etj.

[20] E transmeton Buhariu (951), Muslimi (1961), etj.

[21] E transmeton Buhariu (985), Muslimi (1960), etj.

[22] E transmeton Buhariu (978), Muslimi (885), etj.

[23] E transmeton Buhariu (324), Muslimi (890), etj.

[24] E transmeton Buhariu (1044), Muslimi (901), etj.

[25] E transmeton Buhariu (1041), Muslimi (911), etj.

[26] E transmeton Buhariu (1044) dhe Ahmedi (9/25368).

[27] E transmeton Buhariu (1059), Muslimi (912), etj.

[28] E transmeton Buhariu (1005), Muslimi (894), etj.

[29] E transmeton Buhariu (34), Muslimi (897), etj.

[30] E transmeton Buhariu (942), Muslimi (839), etj.

[31] E transmeton Buhariu (4129), Muslimi (842), etj.

[32] E transmeton Muslimi (840), Buhariu (4130), etj.

[33] E transmeton Buhariu (4125).


<<< Esenca e Dispozita 3         |        Esenca e Dispozita 5 >>>