Esenca e Dispozitave të Legjislacionit Islam (3)
“Umdetu el Ahkam”


Autor: Hafiz Abdulgani el Makdisi
Përktheu: Bledar Albani


Forma e namazit të Pejgamberit

(Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!)

 

83. Transmetohet nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: “Kur i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) merrte tekbir për namaz, ai qëndronte për pak kohë në heshtje para se të lexonte. Unë i thashë: O i Dërguari i Allahut! Për Zotin! Çfarë thua kur qëndron në heshtje ndërmjet tekbirit (fillestar) dhe leximit? –Them: “O Zoti im! Largo ndërmjet meje dhe gabimeve të mia ashtu si ke larguar ndërmjet lindjes dhe perëndimit! O Zot! Më pastro nga gabimet (gjynahet) ashtu siç pastrohet rrobja e bardhë nga papastërtitë! O Zot! Më la nga gabimet me ujë, borë e breshër!”[1]

 

84. Transmetohet nga Aisha (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ajo ka thënë: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e hapte namazin me tekbir (duke thënë “Allahu ekber”) dhe leximin me suren “El hamdu lilahi rabil alemin”. Kur bënte rukunë, ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) nuk e ulte shumë kokën dhe as nuk e mbante të ngritur atë, por në mes këtyre. Kur ngrinte kokën nga rukuja, ai nuk binte në sexhde pa u drejtuar mirë në këmbë. Kur ngrinte kokën nga sexhdja, ai nuk e bënte sexhden tjetër pa zënë vend mirë ulur. Pas çdo dy rekatesh, ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) thoshte “Et tehijatin”, në të cilin ai shtrinte këmbën e majtë dhe e mbante të ngritur të djathtën. Ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ndalonte nga të ulurit e djallit (me të dyja këmbët të shtrira mbi kurrizin e tyre dhe me të ndenjurat në tokë mes këmbëve) dhe nga shtrirja e parakrahëve ashtu si i shtrijnë egërsirat (duke mbështetur bërrylat në tokë gjatë sexhdes). Dhe e mbyllte namazin me selam.”[2]

 

85. Transmetohet nga Abdullah ibën Umer (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i ngrinte duart në lartësinë e supeve dhe pranë tyre kur hapte namazin, kur merrte tekbir për në ruku dhe kur ngrihej nga rukuja i ngrinte duart gjithashtu, dhe thoshte: “Semiallahu limen hamdeh, rabena ue lekel hamdu”. Ndërsa në sexhde nuk e bënte këtë gjë.”[3]

 

86. Transmetohet nga Ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) se ka thënë: i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Jam urdhëruar të bëj sexhde mbi shtatë eshtra: mbi ball –dhe bëri shenjë me dora nga hunda e tij-, mbi dy duart, dy gjunjtë dhe majat e gishtave të këmbëve.”[4]

 

87. Transmetohet nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: “Kur i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ngrihej për t’u falur, ai merrte tekbir në fillim kur qëndronte në këmbë, pastaj merte tekbir kur binte në ruku. Pastaj thoshte “Semiallahu limen hamideh” kur ngrinte kurrizin nga rukuja, pastaj thishte duke qenë në këmbë: “Rabena ue lekel hamd”. Pastaj merrte tekbir kur binte në sexhde, kur ngrihej prej saj, kur bënte sexhden e dytë dhe kur ngrihej prej saj. Pastaj vepronte kështu në të gjithë namazin e tij deri sat a kryente atë. Po kështu, ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) merrte tekbir kur ngrihej pas uljes së dy rekateve të parë (për në të tretin).”[5]

 

88. Transmetohet nga Mutarif ibën Abdullah se ka thënë: “Unë dhe Imran ibën Husajn u falëm pas Ali ibën Ebi Talib. Kur bënte sexhden, ai merrte tekbir, kur ngrinte kokën nga sexhdja merrte tekbir dhe kur ngrihej pas dy rekateve të para (për në të tretin) merrte tekbir. Kur e kreu namazin, Imran ibën Husajni më mori për dore dhe tha: Ky më kujtoi namazin e të Muhamedit (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) –apo tha: Ky fali me ne namazin e Muhamedit (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!).”[6]

 

89. Transmetohet nga el Bera ibën Azib (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: “Hidhja sytë në namazin e Muhamedit (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) kur isha duke u falur me të. Pashë që qëndrimi i tij në këmbë, rukuja, të drejtuarit pas rukusë, sexhdja, qëndrimi ulur mes dy sexhdeve, sexhdja e dytë, qëndrimi ulur ndërmjet selamit dhe të largimit; të gjitha këto ishin thuajse njësoj (për nga gjatësia).”[7]

Ndërsa në transmetimin e Buhariut thuhet: “Me përjashtim të qëndrimit në këmbë (gjatë leximit) dhe qëndrimit ulur (në et tehijat), të tjerat ishin thuajse njësoj (për nga gjatësia).”

 

90. Transmetohet nga Thabit el Bunani; nga Enes ibën Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ai ka thënë: “Unë nuk ngurroj të falem me ju ashtu siç falej i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) me ne.” –Thabit thotë: “Enesi vepronte diçka që nuk iu shoh t’a bëni; kur ai ngrinte kokën nga rukuja, qendronte në këmbë, saqë dikush thoshte: Do të ketë harruar. Kur ngriti kokën nga sexhdja, qëndroi ulur aq sa dikush thoshte: Do të ketë harruar.”[8]

 

91. Transmetohet nga Enes ibën Malik (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ai ka thënë: “Nuk jam falur kurrë pas ndonjë imami me namaz më të lehtë e më të plotë se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!).”[9]

 

92. Transmetohet nga Ebu Kilabe –Abdullah ibën Zejd el Xhermi el Basri- se ka thënë: “Malik ibën el Huvejrith erdhi tek kjo xhamia jonë dhe tha: Unë po falem me ju (imam), dhe nuk kam për qëllim namazin, por për t’u falur ashtu siç kam parë të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) të falet. –I thashë Ebu Kilabes: Si falej ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!)? –Ai tha: Si namazi i këtij shejhut tonë. Ai qëndronte pak ulur kur ngrinte kokën nga sexhdja (e dytë) dhe para se të ngrihej në rekatin tjetër.”[10]

 

93. Transmetohet nga Abdullah ibën Maliku –ibën Buhajne- (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se: “Kur i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) falej (dhe bënte sexhden), ai i hapte krahët saqë i dukej e bardha e sqetullave.”[11]

 

94. Transmetohet nga Ebu Mesleme Seid ibën Jezid se ai ka thënë: “Pyeta Enes ibën Malikun: A falej i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) me sandale? –”Po”, -tha ai.”[12]

 

95. Transmetohet nga Ebu Katade el Ensari (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) falej duke mbajtur Umamen, vajzën e Zejnebes, bijës së të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe të Ebi el As ibën er Rabij ibën Abdushems. Kur bënte sexhde, e vendoste në tokë dhe kur ngrihej, e merrte në krahë.”[13]

 

96. Transmetohet nga Enes ibën Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Drejtohuni (qëndroni në formë të rregullt) në sexhde dhe askush prej jush të mos i shtrijë parakrahët e tij ashtu si bën qeni.”[14]

 

 

 

Tema

Obligueshmëria e të qetësuarit në ruku

dhe në sexhde

 

97. Transmetohet nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) hyri në xhami dhe pas tij hyri një burrë tjetër dhe u fal. Pas faljes, ai erdhi dhe përshëndeti të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!), i cili i tha atij: “Kthehu të falesh, sepse ti nuk je falur!” –Ai u kthye dhe u fal ashtu si herën e parë, pastaj erdhi dhe e përshëndeti me selam të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!). Ky i tha: “Kthehu të falesh, sepse ti nuk je falur!” –Tre herë. –Pastaj ai tha: Betohem për Atë i Cili të ka dërguar ty me të Vërtetën! Unë nuk di të falem më mirë se kështu, ndaj më mëso! –Ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: “Kur të ngrihesh për t’u falur, merr tekbir (thuaj: Allahu ekber), pastaj lexo ç’të mundesh nga Kurani. Pastaj bëj rukunë dhe qëndro në ruku derisa të qetësohesh në të, pastaj ngrihu dhe qëndro drejt derisa të qetësohesh në këmbë. Pastaj bjer në sexhde dhe qëndro derisa të qetësohesh në të, pastaj ngrihu nga sexhdja dhe qëndro ulur (mes dy sexhdeve) derisa të qetësohesh ulur, dhe kështu vepro në të gjithë namazin tënd.”[15]

 

Tema

Të lexuarit nga Kurani në namaz

 

98. Transmetohet nga Ubade ibën es Samit (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Nuk ka namaz për atë që nuk e lexon suren Fatiha në të.”[16]

 

99. Transmetohet nga Ebi Katade el Ensari (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ai ka thënë: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!), në dy rekatet e para të namazit të drekës lexonte suren Fatiha dhe dy sure të tjera. Në rekatin e parë lexonte më gjatë dhe në të dytin më shkurt. Ndonjëherë dëgjohej zëri i tij kur lexonte. Edhe në namazin e ikindisë, ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) lexonte suren Fatiha dhe dy sure të tjera, ku në rekatin e parë lexonte më gjatë se në të dytin. Ndërsa në dy rekatet e fundit, ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) lexonte vetëm suren Nënën e Kuranit (suren Fatiha). Po kështu, në namazin e sabahut, ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e zgjaste rekatin e parë dhe e falte më shkurt atë të dytin.”[17]

 

100. Transmetohet nga Xhubejr ibën Mutim (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: “Kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) që në namazin e akshamit të lexojë suren “Et Tur”.[18]

 

101. Transmetohet nga El Bera ibën Azib (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ishte në një udhëtim dhe kur fali namazin e jacisë, në njërin prej dy rekateve të para, ai lexoi suren “Uet tijni uez zejtuni”. Nuk kam dëgjuar askënd me zë apo lexim më të mirë se ai.”[19]

 

102. Transmetohet nga Aisha (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dërgoi një burrë në krye të një grupi zbulues, i cili bëhej imam i shokëve të tij në namaz dhe në fund të çdo leximi ai lexonte suren “Kul huvallahu ehad”. Kur u kthyen (në Medine), ata ia përmendën këtë gjë të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe ai tha: Pyeteni se për ç’arsye e bënte këtë gjë? –Ata e pyetën dhe ai tha: Sepse ajo është Cilësia e të Gjithëmëshirshmit e Lartëmadhëruar dhe unë dëshiroj t’a lexoj atë (në çdo namaz). –Atëherë i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: Njoftojeni atë se Allahu i Lartësuar e do atë!”[20]

 

103. Transmetohet nga Xhabiri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i ka thënë Muadhit: “Përse nuk falesh (lexon) me suren “Sebihisme rabike el eala”, ose “Uesh shemsi ue duhaha”, apo “Uel lejli idha jagsha”; pasi që pas teje falet i madhi në moshë, i dobëti dhe nevojtari.”[21]

 

 

 

 

Tema

Mosshprehja me zë e “Bismilahirr rrahmanirr rrahim”

 

104. Transmetohet nga Enes ibën Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!), Ebu Bekri dhe Umeri e fillonin namazin me “El hamdu lilahi rabil alemin”.[22]

 

Tema

Sexhdja e harresës në namaz

 

105. Transmetohet nga Muhamed ibën Sirijn; nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ky ka thënë: “i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) fali me ne një prej dy namazeve të ditës –Ibën Sirijn thotë: Ebu Hurejra e tha se cilin prej tyre por unë e harrova. –Thotë: Ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) fali me ne rekate, pastaj dha selam dhe shkoi te një dërrasë e vendosur në xhami, dhe u mbështet tek ajo sikur të ishte i zemëruar. Dorën e djathtë e vendosi mbi të majtën dhe i lidhi gishtat e duarve me njëri-tjetrin. Disa të nxituar dolën nga dyert e xhamisë dhe thanë: Namazi u shkurtua! Në mesin e njerëzve ishte edhe Ebu Bekri me Umerin, por ata nuk mundën t’i thonin gjë nga respekti që kishin për të (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!). Ndërsa një burrë tjetër me duar të gjata, të cilit i thoshin “Dhul Jedejni” dhe ishte present, tha: O i Dërguari i Allahut! A harrove apo u shkurtua namazi? –Unë nuk kam harruar dhe as namazi nuk është shkurtuar, –tha ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!). –Pastaj tha: A është e vërtetë kjo që thotë Dhul Jedejni? –”Po”, thanë njerëzit. –Atëherë ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) kaloi para (në vendin e imamit) dhe fali atë që kishte lënë mangut nga namazi, pastaj dha selam, pastaj tha “Allahu ekber” dhe bëri sexhde të njëjtë me atë të namazit apo edhe më të gjatë, pastaj ngriti kokën nga sexhdja duke thënë ‘Allahu ekber’, pastaj tha ‘Allahu ekber’ dhe bëri një sexhde tjetër të njëjtë me atë të namazit apo edhe më të gjatë. Pastaj ngriti kokën dhe tha ‘Allahu ekber”. –Pastaj më duket se e pyetën transmetuesin: A dha selam pas kësaj? –Thotë: Atëherë u kujtova se Imran ibën Husajn tha: Pastaj dha selam.”[23]

 

106. Transmetohet nga Abdullah ibën Buhajne –i cili ka qenë prej shokëve të Pejgamberit (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!)-, se: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) fali me ta namazin e drekës dhe pas dy rekateve të para, ai u ngrit në të tretin (dhe nuk qëndroi ulur për bërë et tehijatin), dhe njerëzit u ngritën bashkë me të. Në fund të namazit, kur njerëzit po prisnin të jepte selam, ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha ‘Allahu ekber’, i ulur siç ishte dhe dhe bëri dy sexhde para se të jepte selam, pastaj dha selam.”[24]

 

Tema

Të kaluarit para atij i cili është duke u falur

 

107. Transmetohet nga Ebu Xhuhejm ibën el Harith ibën es Sammeh el Ensari (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Sikur ta dinte ai që kalonte para atij i cili është duke u falur se ç’gjynah kishte mbi të, më mirë për të do të ishte të qëndronte dyzet (vjet a diç tjetër) larg sesa të kalonte para tij.” –Ebu en Nasr thotë: Nuk e di nëse tha dyzet ditë, dyzet muaj apo dyzet vjet.”[25]

 

108. Transmetohet nga Ebi Seid el Hudri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: Kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) të thotë: “Nëse dikush prej jush falet para një sutre (pengese) e cila e ndan atë nga njerëzit, dhe ndokush tjetër kërkon të kalojë ndërmjet tij dhe sutras, atëherë ta shtyjë atë, e nëse ai refuzon, atëherë ta sulmojë (godasë) atë sepse ai është shejtan!”[26]

 

109. Transmetohet nga Abdullah ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: “Erdha i hipur mbi një gomar femër dhe në atë kohë isha afër pjekërisë (seksuale), ndërsa i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ishte duke u falur në Mina me njerëzit, pa pasur mur (pengesë, sutra) përpara dhe unë kalova para një pjesë të rreshtit të njerëzve. Pastaj zbrita nga gomari, e lashë atë të kulloste dhe u futa në rresht. Për këtë vepër që bëra nuk më qortoi askush.”[27]

 

110. Transmetohet nga Aisha (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: “Unë isha duke fjetur para të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe këmbët i kisha nga drejtimi i Kiblës së tij (i cili ishte duke u falur). Kur bënte sexhde, ai më prekte dhe unë i mblidhja këmbët, ndërsa kur ngrihej në këmbë, unë i shtrija ato. Në atë kohë shtëpitë nuk kishin kandila.”[28]

 

Temë përmbledhëse

 

111. Transmetohet nga Ebu Katade ibën Ribij el Ensari (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Kur dikush prej jush të hyjë në xhami, të mos ulet deri sa të falë dy rekate.”[29]

 

112. Transmetohet nga Zejd ibën Erkam ka thënë: “Në fillim (të Islamit) ne flisnim në namaz; shoku i fliste shokut që kishte përbri në namaz, deri sa zbriti Ajeti: “Dhe ngrihuni para Allahut (në namaz) me përkushtim!” [El Bekare: 238]. Atëherë ne u urdhëruam të heshtnim dhe të mos flisnim në namaz.”[30]

113. Transmetohet nga Abdullah ibën Umer dhe Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Nëse shtohet i nxehti, prisni të freskohet pastaj faleni namazin (e drekës), sepse i nxehti i madh është prej shfryrjes së xhehenemit.”[31]

114. Transmetohet nga Enes ibën Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Kush harron një namaz, ta falë atë menjëherë sa ta kujtojë atë, nuk ka shpagim tjetër për të përveç kësaj; “Dhe kryeje namazin për përkujtimin Tim!” [Ta Ha: 14].[32]

Në një transmetim tjetër të Muslimit thuhet: “Kush e haron një namaz apo fle në kohën e tij, shpagimi i tij është që ta falë atë kur ta kujtojë atë.”[33]

 

115. Transmetohet nga Xhabir ibën Abdullah (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se: “Muadh ibën Xhebel falte me të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) namazin e jacisë, pastaj kthehej tek njerëzit e tij (fisi i tij) dhe falte me ta të njëjtin namaz.”[34]

 

116. Transmetohet nga Enes ibën Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: “Faleshim me të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) në të nxehtin e madh dhe kur ndokush prej nesh nuk mundej ta vendoste ballin në tokë, ai hapte rroben e tij dhe bënte sexhde mbi të.”[35]

 

117. Transmetohet nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Askush prej jush të mos falet me një rrobe të vetme pa hedhur gjë prej tij në supin e tij.”[36]

 

118. Transmetohet nga Xhabir ibën Abdullah (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Kushdo që ha hurdhër ose qepë, të veçohet (largohet) nga ne dhe nga xhamitë tona e të qëndrojë në shtëpinë e tij. –Një herë i sollën një tenxhere me perime e bimë barishtore nga të cilat ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ndjeu një lloj ere, dhe pyeti se ç’lloj perimesh kishte në të. Ata i thanë se kishte perime bishtajore dhe ai tha: Afrojani dikujt prej shokëve të mi. –Kur e pa, atij (shoku) nuk i pëlqeu ta hante. Ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: Ha ti, sepse unë pëshpërit me atë që ti nuk pëshpërit!”[37]

 

119. Transmetohet nga Xhabiri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Kushdo që ha hurdhër, qepë apo pras (presh), të mos i afrohet xhamive tona, sepse engjëjt dëmtohen nga ajo që dëmtohen edhe njerëzit.”[38]

 

Tema

Teshehudi[39]

 

120. Transmetohet nga Abdullah ibën Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ma mësoi teshehudin –duke qenë se dora ime ishte mes duarve të tij- ashtu siç më mësonte një sure nga Kurani: “Et tehijatu lilahi ues salavatu uet tajibatu. Es selamu alejke ejjuhen nebijju ue rahmetullahi ue berekatuhu. Es selamu alejna ue ala ibadilahis salihin. Eshhedu en la ilahe il-lallah ue eshhedu enne Muhameden abduhu ue rasuluhu” (që do të thotë: Përshëndetjet i takojnë vetëm Allahut, edhe Salavatet e Mirësitë (janë nga Ai). Përshëndetja e Allahut (salami) qoftë mbi ty, o i Dërguari i Allahut, edhe Mëshira e Allahut dhe Bekimi i Tij! Përshëndetja qoftë edhe mbi ne dhe mbi të gjithë robët e mirë të Allahut! Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër (me të drejtë) përveç Allahut dhe dëshmoj se Muhamedi është rob i Allahut dhe i Dërguari i Tij.”

Në një transmetim tjetër thuhet: “Kur dikush prej jush të ulet në namaz (për teshehudin) të thotë: “Et tehijatu lilahi…” dhe përmendi si ai i mësipërmi, por në të shtohet: “Pastaj të zgjedhë prej lutjeve ato që dëshiron.”[40]

 

121. Transmetohet nga Abdurrahman ibën Ebi Lejla se ka thënë: Më takoi Keab ibën Uxhrate dhe më tha: A të të dhuroj një dhuratë? I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) doli tek ne dhe ne i thamë: O i Dërguari i Allahut! Allahu na ka mësuar se si të dërgojmë selam për ty. Po salatin (lutjen) për ty si ta bëjmë? -“Thoni: “Allahume sali ala Muhamedin ue ala ali Muhamed, kema salejte ala Ibrahime ue ala ali Ibrahime, inneke hamidun mexhid! Ue barik ala Muhamedin ue ala ali Muhamed, kema barekte ala Ibrahime ue ala ali Ibrahime, inneke hamidun mexhid” (që do të thotë: O Zot! Dërgo salavat (lavdi) Muhamedin dhe familjen e Muhamedit, ashtu siç ke bekuar Ibrahimin dhe familjen e Ibrahimit! Ti je i Vetmi për t’u lavdëruar, Lavdiploti! Dhe jepi të mira Muhamedit dhe familjes së Muhamedit, ashtu siç i ke dhënë të mira Ibrahimit dhe familjes së Ibrahimit! Ti je i Vetmi për t’u lavdëruar, Lavdiploti!).”[41]

 

122. Transmetohet nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) lutej me këtë lutje (në namaz pas teshehudit): “O Zot! Unë të kërkoj mbrojtje Ty nga dënimi i varrit, nga dënimi i zjarrit, nga sprova e jetës dhe vdekjes dhe nga sprova e Dexhalit.”[42]

 

123. Transmetohet nga Abdullah ibën Amër ibën el As; nga Ebu Bekër es Sidiku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ai ka thënë për të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!): “Ai më mësoi mua një dua (lutje) që ta them atë në namaz. Ai më tha: Thuaj: O Zot! Unë i kam bërë vetes padrejtësi të shumta dhe askush tjetër përveç Teje nuk i fal gjynahet, ndaj më fal mua me falje nga Ti dhe më mëshiro, sepse Ti je Falësi i Madh, Mëshirëbërësi.”[43]

124. Transmetohet nga Aisha (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: “Pas zbritjes së sures “Idha xhae nasrullahu uel fet’h”, i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) nuk linte namaz pa përmendur në të lutjen: “Subhaneke rabena ue bihamdike. Allahume gfirli” (Larg të metave je Ti o Zoti ynë! Vetëm Ty të takon falenderimi. O Zot! Më fal mua!)”

Në një transmetim tjetër thuhet: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) thoshte shpesh në rukunë dhe në sexhden e tij: “Subhaneke Allahume rabena ue bihamdike. Allahume gfirli”[44]

 


[1] E transmeton Buhariu (744), Muslimi (598), etj.

[2] E transmeton Muslimi (498), etj.

[3] E transmeton Buhariu (735), Muslimi (390), etj.

[4] E transmeton Buhariu (809), Muslimi (490), etj.

[5] E transmeton Buhariu (789), Muslimi (392), etj.

[6] E transmeton Buhariu (786), Muslimi (393), etj.

[7] E transmeton Buhariu (792) dhe Muslimi (471).

[8] E transmeton Buhariu (800), Muslimi (472), etj.

[9] E transmeton Buhariu (708), Muslimi (469), etj.

[10] E transmeton Buhariu (677), Muslimi (391), etj.

[11] E transmeton Buhariu (390), Muslimi (495), etj.

[12] E transmeton Buhariu (386), Muslimi (555), etj.

[13] E transmeton Buhariu (516), Muslimi (543), etj.

[14] E transmeton Buhariu (722), Muslimi (493), etj.

[15] E transmeton Buhariu (793), Muslimi (397), etj.

[16] E transmeton Buhariu (756), Muslimi (394), etj.

[17] E transmeton Buhariu (759), Muslimi (451), etj.

[18] E transmeton Buhariu (765), Muslimi (463), etj.

[19] E transmeton Buhariu (769), Muslimi (464), etj.

[20] E transmeton Buhariu (7375), Muslimi (813), etj.

[21] E transmeton Buhariu (705), Muslimi (466), etj.

[22] E transmeton Buhariu (743), Muslimi (299), etj.

[23] E transmeton Buhariu (482), Muslimi (573), etj.

[24] E transmeton Buhariu (829), Muslimi (570), etj.

[25] E transmeton Buhariu (510), Muslimi (507), etj.

[26] E transmeton Buhariu (509), Muslimi (505), etj.

[27] E transmeton Buhariu (76), Muslimi (504), etj.

[28] E transmeton Buhariu (382), Muslimi (512), etj.

[29] E transmeton Buhariu (1163), Muslimi (714), etj.

[30] E transmeton Buhariu (4534), Muslimi (539), etj.

[31] E transmeton Buhariu (533), Muslimi (616), etj.

[32] E transmeton Buhariu (597), Muslimi (684), etj.

[33] E transmeton Muslimi (684).

[34] E transmeton Buhariu (700), Muslimi (465), etj.

[35] E transmeton Buhariu (1208), Muslimi (620), etj.

[36] E transmeton Buhariu (359), Muslimi (516), etj.

[37] E transmeton Buhariu (855), Muslimi (564), etj.

[38] E transmeton Buhariu (854), Muslimi (564), etj.

[39] Teshehudi është thënia e “Et tehijatit” kur qëndron ulur pas çdo dy rekateve.

[40] E transmeton Buhariu (831), Muslimi (402), etj.

[41] E transmeton Buhariu (6358) dhe Muslimi (406).

[42] E transmeton Buhariu (1377), Muslimi (588), etj.

[43] E transmeton Buhariu (834), Muslimi (2705), etj.

[44] E transmeton Buhariu (794), Muslimi (484), etj.


<<< Esenca e Dispozita 2         |        Esenca e Dispozita 4 >>>