Esenca e Dispozitave të Legjislacionit Islam (14)
“Umdetu el Ahkam”


Autor: Hafiz Abdulgani el Makdisi
Përktheu: Bledar Albani


KAPITULLI  I  XHIHADIT

 

405. Transmetohet nga Abdullah ibën Ebi Eufa (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se: “Një ditë, kur i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) do të përballej me armikun, priti sa të anonte dielli nga kupa e qiellit (pas dreke), u ngrit para njerëzve dhe tha: O njerëz! Mos e dëshironi takimin me armikun, por kërkojini Allahut shëndetin! Por nëse e takoni atë, atëherë bëni durim dhe dijeni se xheneti është nën hijen e shpatave.” –Pastaj tha: O Zot! Zbritësi i Librit, Lëvizësi i reve dhe Sfidues i ushtrive! Sfidoi ata (armiqtë tanë) dhe na jep triumfin mbi ta!”[1]

 

406. Transmetohet nga Sehl ibën Sead (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Bërja roje në kufi me armikun një ditë në Rrugë të Allahut, është më e mirë se e gjithë bota me çka në të. Vendi i shkopit të ndokujt prej jush në xhenet është më i mirë se e gjithë bota me çka në të. Një ecje mbasdite që robi bën në Rrugën të Allahut dhe një ecje e tij paradite është më e mirë se e gjithë bota me çka në të.”[2]

 

407. Transmetohet nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Allahu ka marrë përsipër –ndërsa në transmetimin e Muslimit thuhet: Allahu ka garantuar- për atë që del në Rrugën e Tij duke qenë se nuk e nxjerr veçse xhihadi në Rrugën Time, besimi tek Unë dhe besimi në të dërguarit e Mi, ai është në garancinë Time që ta fus atë në xhenet, ose ta kthej në banesën e tij prej të cilës doli, duke fituar të gjithë atë shpërblim që ka fituar.”

 

408. Në një transmetim tjetër të Muslimit thuhet: “Shembulli i atij që lufton në Rrugën e Allahut –dhe Allahu e di se kush lufton në Rrugën e Tij (me sinqeritet)- është si ai që agjëron ditën dhe falet natën. Allahu ka garantuar për atë që lufton në Rrugën e Tij që nëse e vdes, ta fusë në xhenet dhe nëse e kthen, ta kthejë shëndoshë e mirë bashkë me shpërblimin apo plaçkën që ka fituar (në luftë).”[3]

 

409. Transmetohet nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Çdokush që plagoset në Rrugë të Allahut, do të vijë në ditën e Kijametit dhe plaga e tij do të rrjedhë gjak; ngjyra e tij do të jetë ngjyrë gjaku, ndërsa aroma e tij do të jetë aromë misku.”[4]

 

410. Transmetohet nga Ebu Ejub el Ensari (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Një ecje paradite apo pasdite në Rrugë të Allahut është më e mirë se çdo ditë në të cilën ka lindur apo ka perënduar dielli.”[5]

 

411. Transmetohet nga Enes ibën Malik (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “”Një ecje paradite apo pasdite në Rrugë të Allahut është më e mirë se e gjithë bota me çka në të.”[6]

 

412. Transmetohet nga Ebu Katade el Ensari (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: “Dolëm me të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) në Hunejn –dhe përmendi një histori –dhe i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: Kushdo që vret dikë nga armiku dhe ka argument për këtë, atij i takon plaçka e tij (kali dhe armët, apo çdo gjë që ka me vete).” –Këtë gjë e përsëriti tri herë.”[7]

 

413. Transmetohet nga Seleme ibën el Ekvei (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: “Të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i erdhi një spiun i idhujtarëve kur ishte në një udhëtim. Ai u ul tek shokët e tij dhe foli me ta, pastaj u zhduk. I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: Kërkojeni dhe vriteni atë! –Atë e vrava unë dhe ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) më dha plaçkën e tij.”[8]

Në një transmetim tjetër thuhet: “Ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: Kush e vrau atë? –Ibën el Ekvei, -thanë ata. –Atëherë atij i takon e gjithë plaçka që ka pasur ai (me vete).”[9]

 

414. Transmetohet nga Abdullah ibën Umer (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dërgoi një grup përgjues në Nexhd dhe unë isha me ta. Ne zumë disa deve dhe dele. Pjesët tona arritën në dymbëdhjetë deve dhe i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) na dha secilit nga një deve.”[10]

 

415. Transmetohet nga Abdullah ibën Umer (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Kur Allahu i Lartëmadhëruar të bashkojë të gjithë të parët e të fundit, për çdo tradhtar do të ngrihet një flamur dhe do të thuhet: Kjo është tradhtia e filanit birit të filanit.”[11]

 

316. Transmetohet nga Abdullah ibën Umer (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se: “Një grua u gjend e vrarë në një prej luftërave të të Dërguarit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e ndaloi vrasjen e grave dhe të fëmijëve.”[12]

 

317. Transmetohet nga Enes ibën Malik (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se: “Abdurrahman ibën Aufi dhe Zubejr ibën Avam iu ankuan të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) për morrat në një luftë që ishin. Ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ua lejoi atyre të vishnin rrobe mëndafshi dhe unë i pashë ata me ato rrobe.”[13]

 

418. Transmetohet nga Umer ibën el Hatab (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: “Kapitalet e fisit Beni Nadir (çifutë) ishin prej atyre që Allahu ia dhuroi pa luftë të Dërguarit të Tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!); për të cilat muslimanët nuk luftuan me kalorës apo këmbësorë. Ato ishin posaçërisht për të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ndante prej tyre shpenzimet e një viti për familjen e tij, ndërsa pjesën tjetër e përndorte për kuajt dhe armët; përgatitje për në Rrugë të Allahut.”[14]

 

419. Transmetohet nga Abdullah ibën Umer (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i futi në garë kalorësit; për kuajt e stërvitur ai caktoi distancën nga El Hajfa deri në grykën e Lamtumirës (5 milje larg njëra-tjetrës), ndërsa për kuajt e pastërvitur caktoi distancën nga gryka e Lamtumirës deri në xhaminë e fisit Beni Zurajk (një milje larg njëra-tjetrës).”

Ibën Umeri thotë: “Unë isha në mesin e kalorësve garues.”[15]

 

420. Transmetohet nga Abdullah ibën Umer (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se: “Iu paraqita të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) për të marrë pjesë në luftën e Uhudit, dhe në atë kohë isha katërmbëdhjetë vjeç, por ai nuk më pranoi. Kur iu paraqita në luftën e Hendekut dhe isha pesëmbëdhjetë vjeç, ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) më pranoi.”[16]

 

421. Transmetohet gjithashtu nga ai se: “Kur i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ndau plaçkën e armikut ndërmjet luftëtarëve, ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i dha kalorësit dy hise dhe këmbësorit një hise.”[17]

 

422. Transmetohet gjithashtu nga ai se: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i ndante hise të veçantë përveç asaj që i jepej të gjithë ushtrisë, atyre që dërgonte për të përgjuar armikun dhe lëvizjet e tij.”[18]

 

423. Transmetohet nga Ebu Musa –Abdullah ibën Kajs- se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Kushdo që na ngre (drejton) armën, nuk është prej nesh.”[19]

 

424. Transmetohet nga Ebu Musa (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) u pyet për atë burrë që vritet për trimëri, për atë që vritet nga entuziazmi dhe për atë që vritet për syefaqësi. Cili prej këtyre është në Rrugë të Allahut? –Ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: Kushdo që lufton me qëllim që Fjala e Allahut të jetë më e larta, ai është në Rrugë të Allahut.”[20]

 

KAPITULLI  I  LIRIMIT  NGA  SKLLAVËRIA

 

425. Transmetohet nga Abdullah ibën Umer (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Kushdo që e liron pjesën e tij nga një skllav i përpashkët dhe ka pasuri që arrin vlerën e skllavit, atij skllavi i përcaktohet vlera sipas të ngjashmëve me të dhe pastaj t’u japë ortakëve të tij pjesët e tyre dhe e liron atë në llogarinë e këtij. Në të kundërt (nëse nuk ka pasuri), lirohet prej skllavit aq sa ka qenë pjesa e këtij.”[21]

 

326. Transmetohet nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Kush liron një pjesë të një robi, ai duhet ta lirojë të gjithë atë me pasurinë e tij e nëse nuk ka pasuri, atëherë përcaktohet vlera e robit sipas të ngjashmëve me të, dhe robi lihet të punojë që të mbledhë pasuri (për të liruar veten), por pa e rënduar atë (mbi normalen).”[22]

 

Tema

Shitja e skllavit Mudeber – të cilit padroni i thotë

se do të jetë i lirë pas vdekjes së tij

 

427. Transmetohet nga Xhabir ibën Abdullah (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: “Një burrë nga ensarët lidhi kontratë me një rob të tij (që pas vdekjes së tij të ishte i lirë) –ndërsa në një transmetim tjetër thuhet: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) u informua se një burrë prej shokëve të tij e liroi skllavin e tij për pas vdekjes së tij – dhe ai nuk kishte pasuri tjetër përveç atij. Atëherë i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e shiti atë skllav me tetëqind mij dirhem dhe ia dërgoi çmimin e tij këtij.” [23]

Fundi i librit


[1] E transmeton Buhariu (2933), Muslimi (1742), etj.

[2] E transmeton Buhariu (2794), Muslimi (1881), etj.

[3] E transmeton Buhariu (36), Muslimi (1876), etj.

[4] E transmeton Buhariu (237), Muslimi (1876), etj.

[5] E transmeton Muslimi (1883), etj.

[6] E transmeton Buhariu (2792), Muslimi (1880), etj.

[7] E transmeton Buhariu (2100), Muslimi (1751), etj.

[8] E transmeton Buhariu (3051), etj.

[9] E transmeton Muslimi (1754), etj.

[10] E transmeton Buhariu (3134), Muslimi (1749), etj.

[11] E transmeton Buhariu (3188), Muslimi (1735), etj.

[12] E transmeton Buhariu (3014), Muslimi (1744), etj.

[13] E transmeton Buhariu (2919), Muslimi (2076), etj.

[14] E transmeton Buhariu (2904), Muslimi (1757), etj.

[15] E transmeton Buhariu (420), Muslimi (1870), etj.

[16] E transmeton Buhariu (2664), Muslimi (1868), etj.

[17] E transmeton Buhariu (2863), Muslimi (1762), etj.

[18] E transmeton Buhariu (3135) dhe Muslimi (1750).

[19] E transmeton Buhariu (7071), Muslimi (100), etj.

[20] E transmeton Buhariu (123), Muslimi (1904), etj.

[21] E transmeton Buhariu (2491), Muslimi (1501), etj.

[22] E transmeton Buhariu (2492), Muslimi (1503), etj.

[23] E transmeton Buhariu (2141), Muslimi (997), etj.


<<< Esenca e Dispozita 13