Esenca e Dispozitave të Legjislacionit Islam (13)
“Umdetu el Ahkam”


Autor: Hafiz Abdulgani el Makdisi
Përktheu: Bledar Albani


KAPITULLI  I  USHQIMEVE

 

379. Transmetohet nga En Neuman ibën Beshir (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: Kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) të thotë: -ndërkohë Neumani çoi duart e tij tek veshët- “Hallalli është i qartë dhe harami është i qartë, ndërsa ndërmjet tyre ka disa gjëra të dyshimta të cilat nuk i dinë shumë prej njerëzve. Si shembulli i bariut që e kullot tufën rreth pronës së ndaluar (të dikujt tjetër) dhe nga çasti në çast mund të hyjnë në atë pronë. A nuk ka çdo mbret pronën e vet të ndaluar?! A nuk është prona e ndaluar e Allahut haramet që Ai ka ndaluar?! A nuk është në trup një copë mishi e cila nëse rregullohet, atëherë rregullohet i gjithë trupë, e nëse prishet, prishet i gjithë trupi?! A nuk është ajo zemra?!”[1]

 

380. Transmetohet nga Enes ibën Malik (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: “Ndoqëm një lepur në grykën e Dhahranit. Të tjerët vrapuan e u lodhën, ndërsa unë e zura dhe shkova me të tek Ebu Talha i cili e theri atë dhe dërgoi tek i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) pjesën e pasme dhe kofshët e lepurit, e ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e pranoi atë.”[2]

 

381. Transmetohet nga Asma bintu Ebi Bekër (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ajo ka thënë: “Therëm një kal në kohën e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe e hëngrëm atë.”

Në një transmetim tjetër thuhet: “në Medine.”[3]

 

382. Transmetohet nga Xhabir ibën Abdullah (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ndaloi nga ngrënia e mishit të gomerëve të butë dhe e lejoi ngrënien e mishit të kalit.”[4]

 

383. Në një transmetim tjetër të Muslimit thuhet: “Në kohën e luftës së Hajberit në hëngrëm mish kali dhe gomari të egër, ndërsa për gomarin e butë i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) na ndaloi ta hanim.”[5]

 

384. Transmetohet nga Abdullah ibën Ebi Eufa (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: “Në netët e qëndrimit në Hakber na mori uri e madhe dhe në ditën e hapjes së tij, ramë në gomer të butë dhe i therëm ato. Kur tenxheret po zienin me mishin e tyre, thirrësi i të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) thirri që ti derdhnim tenxheret. –apo tha: dhe mos hani asgjë nga mishi i gomerëve!”[6]

 

385. Transmetohet nga Ebu Thealebe (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e bëri të ndaluar mishin e gomarit të butë.”[7]

 

386. Transmetohet nga Ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: “Unë dhe Halid ibën Velid bashkë me të Dërguarin e Allahut  (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) hymë tek e bija e Mejmunes dhe na shtruam një Dabb (zvarranik i ngjashëm me hardhucën por më i madh në trup) të pjekur. I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) zgjati dorën tek ai por një nga gratë që ishin në shtëpinë  e Mejmunes tha: Njoftojeni të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) për atë që ka para! –I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e ngriti dorën nga ai dhe unë thashë: A është haram mishi i tij, o i Dërguari i Allahut? –”Jo”, -tha ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!)- por ai nuk ka pas jetuar në tokën e njerëzve të mi dhe unë ndiej të pështirë nga ai.” –Halidi thotë: Unë e preva dhe e hëngra atë në sy të të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!).”[8]

 

387. Transmetohet nga Abdullah ibën Ebi Eufa (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: “Luftuam bashkë me të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) shtatë luftëra dhe ne hanim karkaleca.”[9]

 

388. Transmetohet nga Zehdem ibën Mudarib el Xhermi se ka thënë: Ishim te Ebi Musa el Eshari dhe ai kërkoi sofrën në të cilën kishte mish pule. Në atë çast hyn një burrë nga fisi Beni Tejmllah, me ngjyrë të kuqe, i ngjashëm me robërit. Ai tha: Urdhëroni! –Por ky u smbraps. –Urdhëroni të hani, sepse unë kam parë të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) të hajë prej mishit të pulës.”[10]

 

389. Transmetohet nga Ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Kur dikush prej jush të hajë ushqim, të mos e fshijë (lajë) dorën e tij para se ta lëpijë atë!”[11] [Kjo sepse siç thuhet në një transmetim tjetër, ti nuk e di se ku është bereqeti i ushqimit.]

 

Temë për gjuetinë

 

390. Transmetohet nga Ebu Thealebe el Husheni se ka thënë: “Shkova tek i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe i thashë: O i Dërguari i Allahut! Ne jetojmë në tokën e një populli prej ithtarëve të Librit. A të hamë me enët e tyre? Dhe në një tokë gjuetie, ku unë gjuaj me harkun tim, me qenin tim që nuk është i mësuar për gjueti dhe me qenin e mësuar. Çfarë më lejohet prej këtyre? –Ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: Për sa i përket atyre që përmende –enët e ithtarëve të Librit-; nëse gjeni të tjera, mos hani në to, e nëse nuk gjeni, atëherë lajini dhe hani në to! Ndërsa atë gjah që gjuan me harkun tënd dhe ke përmendur Emrin e Allahut kur ke gjuajtur, atë haje. Atë që zë me qenin tënd të mësuar dhe e ke përmendur Emrin e Allahut kur e ke lëshuar atë, haje atë. Dhe atë që zë me qenin tënd të pamësuar dhe arrin ta therësh atë gjah, atëherë haje atë!”[12]

 

391. Transmetohet nga Hemam ibën el Harith; nga Adij ibën Hatim, se ky ka thënë: “Thashë: O i Dërguari i Allahut! Unë lëshoj qentë e mësuar dhe e përmend Emrin e Allahut kur i lëshoj ato, a ta ha gjahun që ato zënë? –Ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: Kur e lëshon qenin tënd të mësuar dhe e përmend Emrin e Allahut, atëherë hajë atë që ai ka zënë për ty. –Thashë: Po nëse ato e vrasin gjahun? –Edhe nëse e vrasin atë, përderisa nuk i ka shoqëruara ato ndonjë qen tjetër që nuk është prej tyre (të tuve). –Thashë: Ndodh që unë ta qëlloj gjahun me shtizën time dhe ta godas atë? –Ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: Nëse e qëllon me shtizë dhe ajo e çan gjahun (i nxjerr gjak), atëherë haje atë, por nëse e godet më trupin e shtizës, atëherë mos e ha atë!”

Hadith i ngjashëm me këtë është edhe i Esh Sheabiut; nga Adij, por në të shtohet: “më përjashtim të rastit kur qeni ha nga gjahu, e nëse ai ha nga gjahu, ti mos e ha atë gjah, sepse unë kam frikë se ai e ka kapur për vete. E nëse bashkë me qenin tënd përziehen edhe qenë të tjerë, mos e ha gjahun e tyre, sepse ti ke përmendur Emrin e Allahut për qenin tënd dhe nuk e ke bërë këtë për qenin tjetër.”

Në të gjithashtu thuhet: “Kur ta lëshosh qenin tënd të mësuar, përmend Emrin e Allahut mbi të, dhe nëse ai e zë gjahun për ty dhe ti e arrin atë të gjallë, therre atë, e nëse e gjen ta ketë vrarë dhe të mos ketë ngrënë vetë qeni prej tij, atëherë haje atë, sepse mbytja e qenit është therja e gjahut.”

Në të gjithashtu thuhet: “Kur të gjuash me shigjetën tënde, përmend Emrin e Allahut!”

 Në të gjithashtu thuhet: “Edhe nëse gjahu i goditur nga ti të humbet për një apo dy ditë – ndërsa në një transmetim tjetër thuhet: dy apo tre ditë – dhe ti nuk gjen në trupin e tij veçse gjurmët e shigjetës tënde, atëherë nëse dëshiron haje atë. Por nëse e gjen të mbytur në ujë, mos e ha, sepse ti nuk e di nëse e ka vrarë uji apo shigjeta jote!”[13]

 

392. Transmetohet nga Salim ibën Abdullah ibën Umer; nga babai i tij (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ai ka thënë: Kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) të thotë: “Kush mban qen (në shtëpi) –përveç qenit të gjuetisë apo të bagëtive-, atij i pakësohen shpërblimet nga dy kirat (njësi peshe, sa një mal) për çdo ditë.”[14]

 

393. Transmetohet nga Rafiu ibën Hadixh (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: “Ishim bashkë me të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) në Dhul Hulejfe dhe njerëzit i mori uria. Ata zunë disa deve dhe dele, ndërkohë që i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ishte nga fundi i njerëzve. Ata nxituan dhe i therën ato, pastaj vendosën tenxheret (në zjarr), por i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) urdhëroi që të derdheshin tenxheret, pastaj i ndau bagëtitë mes njerëzve. Dhjetë prej deleve ai i barazoi me një deve. Njëra prej deveve u egërsua dhe ia mbathi vrapit. Ata e ndoqën ta kërkonin por u lodhën. Në mesin e njerëzve, kalorësit ishin të paktë dhe njëri prej tyre u nis me një shtizë në dorë, (e gjuajti atë) dhe Allahu e bllokoi atë (kafshë). Atëherë ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: Prej këtyre kafshëve ka disa të egra njësoj si egërsirat, ndaj nëse egërsohet ndonjëra prej tyre, ju veproni me të kështu si me këtë.” –Thashë: O i Dërguari i Allahut! Ne do të përballemi me armikun nesër dhe nuk kemi thikë me vete, a ta therim atë me kallam? –Ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: Çdo send që i nxjer gjakun dhe përmendet Emri i Allahut kur e përdor atë (për therje), hajeni atë kafshë, me përjashtim të dhëmbit dhe thoit. Do t’ua tregoj përse jo me këto të dyja; sepse dhëmbi është eshtër, ndërsa thoi është thika e Abisinisë.”[15]

 

Tema për kurbanet

 

394. Transmetohet nga Enes ibën Malik (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) bëri kurban dy desh me brirë me ngjyrë të bardhë të përzierë me të zezë, të cilët i therri me dorën e tij. Ai përmendi Emrin e Allahut (tha Bismilah), madhëroi Allahun (tha Allahu ekber) dhe e vendosi këmbën mbi brinjët e tyre.”[16]

 

KAPITULLI  I  PIJEVE

 

395. Transmetohet nga Abdullah ibën Umer (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se Umeri i hipur në minber ka thënë: “O njerëz! Alkooli është bërë haram dhe ai merret nga pesë gjëra: nga rrushi, hurma, mjalti, gruri dhe elbi. Por alkool është çdo gjë që të mbulon mendjen (të deh). Do të kisha dashur që i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) të na linte tre gjëra para se të ndërronte jetë, nga të cilat të mos lëviznim; për trashëgiminë e gjyshit (kur bashkohet me vëllezërit e të vdekurit), për trashëgiminë e atij që nuk lë baba e as fëmijë, dhe për disa degë të kamatës.”[17]

 

396. Transmetohet nga Aisha (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) u pyet për lëngun e marrë nga mjalti dhe ai tha: Çdo lloj pije që të deh është haram.”[18]

 

397. Transmetohet nga Abdullah ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: “Umeri u informua se dikush kishte shitur alkool dhe tha: Allahu e vraftë filanin! A nuk e di ai se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Allahu i vraftë çifutët! Atyre iu bë i ndaluar dhjami i kafshëve, ndërsa ata e shkrinë dhe e shitën atë.”[19]

 

 

KAPITULLI  I  VESHMBATHJES

 

398. Transmetohet nga Umer ibën el Hatab (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Mos e vishni mëndafshin, sepse ai i cili e vesh atë në këtë botë, nuk ka për ta veshur atë në botën tjetër.”[20]

 

399. Transmetohet nga Hudhejfe ibën el Jeman (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: Kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) të thotë: “Mos e vishni mëndafshin dhe as dibaxhin (lloj mëndafshi), mos pini në enë prej ari e argjendi dhe mos hani në enë të atilla, sepse këto janë për ata (mosbesimtarët) në këtë botë, ndërsa për ju janë në botën tjetër!”[21]

 

400. Transmetohet nga el Bera ibën Azib (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: “Nuk kam parë njeri më të bukur në një veshje të kuqe, se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!). Flokët e tij rrihnin mbi supet e tij. Me shpatulla të gjera dhe nuk ishte i gjatë e as i shkurtër.”[22]

 

401. Transmetohet nga El Bera ibën Azib (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) na urdhëroi për shtatë gjëra dhe na ndaloi nga shtatë të tjera; na urdhëroi për vizitën e të sëmurit, shkuarjen pas xhenazesë, urimin e atij që teshtin, përmbushjen e betimit, ndihmën e atij që i bëhet padrejtësi, përgjigjen e ftesës dhe përhapjen e selamit. Dhe na ndaloi nga unazat -apo vënia e unazës- prej ari, nga të pirit me enë argjendi, nga shtrojat prej mëndafshi, nga mëndafshi i Kasijit (emër vendi apo fisi), nga të veshurit e mëndafshit, nga istebraku (mëndafsh i ashpër) dhe nga dibaxhi (lloj tjetër mëndafshi).”[23]

 

402. Transmetohet nga Ibën Umeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) bëri një unazë prej ari dhe kur e vendoste në gisht, ai e fuste nga brenda dorës gurin e saj. Kështu si ai vepruan edhe njerëzit. Por më pas ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) hipi në minber, e hoqi unazën dhe tha: Unë e vendosja këtë unazë dhe e fusja gurin e saj nga brenda dorës. Pastaj e flaku atë dhe tha: Betohem për Allahun, se unë nuk e vendos më kurrë atë. Atëherë edhe njerëzit i flakën unazat e tyre (prej ari).”

Në një transmetim tjetër thuhet: “Ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e vendosi atë në dorën e tij të djathtë.”[24]

 

403. Transmetohet nga Umer ibën el Hatab (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ndaloi nga veshja prej mëndafshi, përveç të kësaj madhësie –dhe ngriti dy gishtat e tij, atë tregues dhe gishtin e mesëm.”[25]

 

404. Ndërsa në një transmetim tjetër të Muslimit thuhet: “i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ndaloi nga veshja e mëndafshit, përveç ndonjë pjese sa dy gishta, apo tre ose katër gishta.”[26]

 



[1] E transmeton Buhariu (52), Muslimi (1599), etj.

[2] E transmeton Buhariu (2572), Muslimi (1953), etj.

[3] E transmeton Buhariu (5510), Muslimi (1942), etj.

[4] E transmeton Buhariu (4219), Muslimi (1941), etj.

[5] E transmeton Muslimi (1941).

[6] E transmeton Buhariu (371), Muslimi (1365), etj.

[7] E transmeton Buhariu (5527), Muslimi (1936), etj.

[8] E transmeton Buhariu (5391), Muslimi (1946), etj.

[9] E transmeton Buhariu (5495), Muslimi (1952), etj.

[10] E transmeton Buhariu (5518), Muslimi (1649), etj.

[11] E transmeton Buhariu (5456), muslimi (2031), etj.

[12] E transmeton Buhariu (5478), Muslmi (1930), etj.

[13] E transmeton Buhariu (175), Muslimi (1929), etj.

[14] E transmeton Buhariu (5480), Muslimi (1574), etj.

[15] E transmeton Buhariu (2507), Muslimi (1968), etj.

[16] E transmeton Buhariu (5553), Muslimi (1966), etj.

[17] E transmeton Buhariu (4619), Muslimi (3032), etj.

[18] E transmeton Buhariu (242), Muslimi (2001), etj.

[19] E transmeton Buhariu (2223), Muslimi (1582), etj.

[20] E transmeton Buhariu (5828), Muslimi (2069), etj.

[21] E transmeton Buhariu (5426), Muslimi (2067), etj.

[22] E transmeton Buhariu (3551), Muslimi (2337), etj.

[23] E transmeton Buhariu (1239), Muslimi (2066), etj.

[24] E transmeton Buhariu (5865), Muslimi (2091), etj.

[25] E transmeton Buhariu (5828), Muslimi (2069), etj.

[26] E transmeton Muslimi në burimin e mësipërm.


<<< Esenca e Dispozita 12         |        Esenca e Dispozita 14 >>>