Esenca e Dispozitave të Legjislacionit Islam (12)
“Umdetu el Ahkam”


Autor: Hafiz Abdulgani el Makdisi
Përktheu: Bledar Albani


KAPITULLI  I  BETIMEVE DHE ZOTIMEVE

 

360. Transmetohet nga Abdurrahman ibën Semura (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “O Abdurrahman ibën Semura! Mos e kërko udhëheqjen (qeverisjen) sepse nëse të jepet ngase e ke kërkuar, do të të lihet mbi ty e gjithë barra e saj, e nëse të jipet pa e kërkuar, do të ndihmohesh në të. Nëse betohesh për ndonjë gjë, pastaj sheh se diçka tjetër (e kundërta e saj) është më e mirë se ajo, atëherë shpaguaje betimin tënd dhe vepro atë që është më e mirë!”[1]

 

361. Transmetohet nga Ebu Musa (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Betohem për Allahun, se unë –insha Allahu (në dashtë Allahu)- nëse betohem për diçka, pastaj shoh se diçka tjetër (e kundërta e saj) është më e mirë se ajo, atëherë unë veproj atë që është më e mirë, pastaj e shpaguaj atë betim.”[2]

 

362. Transmetohet nga Umer ibën el Hatab (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Allahu iu ndalon ju nga të betuarit për prindërit tuaj (për kokën e tyre).”[3]

 

363. Ndërsa në një transmetim tjetër të Muslimit thuhet: “Kush dëshiron të betohet, të betohet për Allahun, ose të heshtë (të mos betohet)!”[4]

 

364. Transmetohet nga Ebi Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Sulejman ibën Daudi –paqja e Allahut qoftë mbi të dy ata!- tha: Këtë natë do të shkoj tek shtatëdhjetë gra me radhë dhe çdonjëra prej tyre do të lindë një djalë i cili do të luftojë në Rrugë të Allahut! –Atij i thanë (engjëlli): Thuaj “Insha Allahu!”. Por ai nuk e tha dhe shkoi tek ato. Asnjëra prej tyre nuk lindi fëmijë me përjashtim të njërës, e cila lindi një gjysëm njeri.

-Thotë: I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: Sikur ai të thoshte “Insha Allahu!”, nuk kishte për t’a thyer betimin dhe do t’a arrinte dëshirën e tij!”[5]

 

365. Transmetohet nga Abdullah ibën Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Kushdo që betohet me një betim të rrejshëm me të cilin i pret të drejtën një muslimani, duke qenë se ai është mëkatar në të, ai ka për t’a takuar Allahun duke qenë i zemëruar me të. Pastaj zbriti ajeti: “Vërtet ata që shkëmbyen një vlerë fare të vogël duke humbur premtimin e Allahun dhe betimet e tyre…” [Al Imran: 77] deri në fund të ajetit.”[6]

 

366. Transmetohet nga el Eshath ibën Kajs (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: “Unë dhe një burrë kishim një grindje për një pus, dhe shkuam për gjykim tek i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), i cili tha: Ose sill dy dëshmitarë, ose do të betohet ai! –Unë i thashë: Atëherë ai betohet dhe nuk e vret mendjen! –Ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: “Kushdo që betohet me një betim të rrejshëm me të cilin i pret të drejtën një muslimani, duke qenë se ai është mëkatar në të, ai ka për t’a takuar Allahun duke qenë i zemëruar me të.”[7]

 

367. Transmetohet nga Thabit ibën ed Dahak el Ensari (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se: “Ai i dha besën të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) poshtë pemës (së njohur që përmendet edhe në Kuran), dhe se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: “Kushdo që betohet për dikë se ai është prej një populli jomusliman, duke qenë se gënjen me vetëdije, ai është vetë ashtu si ka thënë. Kush vret veten e tij me diçka, ai do të dënohet me të në ditën e Kijametit. Dhe askush nuk ka të drejtë zotimi në atë që nuk e posedon (që nuk është pronë e tij).”

Në një transmetim tjetër thuhet: “Dhe mallkimi i muslimanit është sikur ta kesh vrarë atë.”

Në një transmetim tjetër thuhet: “Kushdo që betohet me një betim të rrejshëm me qëllim që të shumojë (pasurinë) me të, atij nuk i shton Allahu veçse pakësim (të pasurisë).”[8]

 

Temë për zotimet

 

368. Transmetohet nga Umer ibën el Hatab (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: “Thashë: O i Dërguari i Allahut! Unë isha zotuar në kohën e injorancës që të qëndroja një natë në Itikaf (i mbyllur në xhami për adhurim) –ndërsa në një transmetim tjetër thuhet: një ditë- në Xhaminë e Shenjtë (në Kabe)? –Ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: Atëherë përmbushe zotimin tënd!”[9]

 

369. Transmetohet nga Abdullah ibën Umer (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ndaloi nga të zotuarit dhe tha: Zotimi nuk vjen me hajër, por me të i nxiret ndonjë gjë kopracit.”[10]

 

370. Transmetohet nga Ukbeh ibën Amir (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: “Motra ime u zotua që të shkonte më këmbë dhe zbathur deri në Shtëpinë e Shenjtë të Allahut (në Kabe). Ajo më tha mua që të pyesja për këtë të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe unë e pyeta atë, e ai tha: “Të ecë dhe të hipë mbi kafshë (kur lodhet).”[11]

 

371. Transmetohet nga Abdullah ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ai ka thënë: “Sead ibën Ubade pyeti të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) për një zotim që kishte bërë nëna e tij, e cila kishte vdekur pa e përmbushur atë. I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: “Përmbushe ti për të!”[12]

 

372. Transmetohet nga Keab ibën Malik (Allahu qoftë i kënaqur me të         !) se           ka thënë: Thashë: O i Dërguari i Allahut! Nga pendimi im është që unë të tërhiqem nga pasuria ime dhe ta jap atë sadaka për Allahun dhe të Dërguarin e Tij. –Ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: “Mbaje një pjesë të pasurisë tënde, sepse kjo është më e mirë për ty!”[13]

 

Temë për gjykimin

 

373. Transmetohet nga Aisha (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Kushdo që shpik diçka në këtë çështjen tonë (në fe), që nuk është prej saj, ajo është e refuzuar.”

Në një transmetim tjetër thuhet: “Kushdo që punon një vepër e cila nuk është sipas çështjes sonë, ajo është e refuzuar.”[14]

 

374. Transmetohet nga Aisha (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: “Hind bintu Utbeh –gruaja e Ebu Sufjanit- hyri tek i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe i tha: O i Dërguari i Allahut! Ebu Sufjani është një burrë dorështrënguar dhe nuk më jep mua dhe as fëmijëve shpenzimet e mjaftueshme, përveç asaj që unë marr nga pasuria e tij pa dijen e tij. A kam ndonjë gjynah për këtë? –I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: Merr prej pasurisë së tij që sa të mjafton ty dhe fëmijëve të tu.”[15]  

375. Transmetohet nga Umu Seleme (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dëgjoi zënkat e dy palëve kundërshtare në derën e dhomës së tij dhe doli tek ata e tha: Unë jam njeri dhe kur më vijnë ata që kundërshtohen me njëri-tjetrin, ndodh që dikush prej tyre të jetë më orator në argumentimin e tij se sa tjetri dhe unë mendoj se ai është i sinqertë, kështu që gjykoj në favor të tij. Por atij në favor të të cilit unë gjykoj duke i dhënë nga e drejta e një muslimani tjetër, ajo që i jap atij është një copë zjarri. Ai në dashtë, ta mbajë ose ta lerë!”[16]

 

376. Transmetohet nga Abdurrahman ibën Ebi Bekra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: “Babai im shkroi –apo unë shkrova për të- një letër për të birin e tij Abdullah ibën Ebi Bekra, i cili ishte gjykatës në Sixhistan, që të mos gjykonte mes dy njerëzve duke qenë se je i nxehur, sepse unë kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) të thotë: “Askush të mos gjykojë mes dy njerëzve kur ai është i nxehur!”

Në një transmetim tjetër thuhet: “Asnjë gjykatës të mos gjykojë ndërmjet dy vetëve duke qenë se ai është i nxehur!”[17]

 

377. Transmetohet nga Ebu Bekra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “A t’iu lajmëroj për gjynahet më të mëdha? –e përsëriti tre herë- “Po”, o i Dërguari i Allahut! –thamë ne. –Ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: Shokvënia Allahut, mosrespektimi i prindërve –pastaj ishte ulur dhe u ngrit, pastaj tha: A nuk është edhe fjala e rreme dhe dëshmia e rreme?! –Pastaj vazhdoi ta përsëriste këtë saqë thamë: Ah sikur të ndalonte.”[18]

 

378. Transmetohet nga Ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Sikur njerëzve t’u jipeshin të gjitha ato që kërkonin në ngritjen e akuzave, atëherë disa njerëz do të kërkonin gjakrat e njerëzve dhe pasuritë e tyre (me pa të drejtë). Por nga i akuzuari kërkohet betimi.”[19]



[1] E transmeton Buhariu (6622), Muslimi (1652), etj.

[2] Burimet e mësipërme.

[3] E transmeton Buhariu (3133), Muslimi (1649), etj.

[4] E transmeton Buhariu në burimin e mësipërm; nga Ebu Musa (Allahu qoftë i kënaqur me të!).

[5] E transmeton Buhariu (2819), Muslimi (1654), etj.

[6] E transmeton Buhariu (2356), Muslimi (138), etj.

[7] Burimet e mësipërme.

[8] E transmeton Buhariu (1363), Muslimi (110), etj.

[9] Ky hadith është përmendur më parë me Nr. 210.

[10] E transmeton Buhariu (6608), Muslimi (1629), etj.

[11] E transmeton Buhariu (1866), Muslimi (1644), etj.

[12] E transmeton Buhariu (2761), Muslimi (1638), etj.

[13] E transmeton Buhariu (2757), Muslimi (2769), etj.

[14] E transmeton Buhariu (2697), Muslimi (1718), etj.

[15] E transmeton Buhariu (2211), Muslimi (1714), etj.

[16] E transmeton Buhariu (2458), Muslimi (1713), etj.

[17] E transmeton Buhariu (7158), Muslimi (1717), etj.

[18] E transmeton Buhariu (2654), Muslimi (87), etj.

[19] E transmeton Buhariu (2514), Muslimi (1711), etj.


<<< Esenca e Dispozita 11         |        Esenca e Dispozita 13 >>>