Esenca e Dispozitave të Legjislacionit Islam (11)
“Umdetu el Ahkam”


Autor: Hafiz Abdulgani el Makdisi
Përktheu: Bledar Albani


KAPITULLI  I  GJAKMARRJES

 

339. Transmetohet nga Abdullah ibën Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Nuk lejohet gjaku i njeriut musliman, që dëshmon se nuk të adhuruar tjetër (me të drejtë) përveç Allahut dhe se unë jam i Dërguari i Allahut, veçse për tre gjëra: I martuari imoral, gjaku me gjak dhe lënësi i Fesë së tij që ndahet nga grupi (i muslimanëve).”[1]

 

340. Transmetohet nga Abdullah ibën Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Gjëja e parë për të cilën do të gjykohet ndërmjet njerëave në ditën e Gjykimit do të jenë gjakrat.”[2]

 

241. Transmetohet nga Sehl ibën Ebi Hathme (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ai ka thënë: “Abdullah ibën Sehl shkoi bashkë me Muhajsa ibën Mesudin në Hajber, i cili në atë kohë ishte në paqe me Muslimanët. Ata u ndanë dhe kur Muhajsa shkoi te Abdullah ibën Sehli –i cili ishte përlyer në gjak i vrarë – e varrosi atë, pastaj u kthye në Medine. Atëherë Abdurrahman ibën Sehl, Muhajsa dhe Huvajsa, dy bijtë e Mesudit shkuan tek i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!). Abdurrahmani filloi të fliste, por i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i tha atij: Lër më të madhin të flasë! –ai ishte më i vogli i tyre-. Atëherë ai heshti dhe folën ata të dy. Ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: A betoheni për këtë (që e kanë vrarë çifutët e Hajberit) dhe të meritoni gjakun e të vrarit tuaj –apo të njeriut tuaj? –Si të betohemi kur nuk kemi qenë prezent dhe nuk kemi parë gjë? –thanë ata. –Duke iu mbështetur çifutët me pesëdhjetë betime! –Si mund të bëhet kjo me betimet e një populli jobesimtar? –thanë ata. –Kompensimin e gjakut të tij e pagoi i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) nga vetja e tij.”[3]

Ndërsa në hadithin e Hamad ibën Zejd thuhet: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: Pesëdhjetë prej jush duhet të betohen kundra një burri prej tyre, që ta dorëzojnë për kapistre. –Kjo është diçka që nuk e kemi parë, e si mund të dëshmojmë? –Do t’iu përkrahin çifutët me betimet e pesëdhjetë prej tyre. –O i Dërguari i Allahut! Por ata janë popull jobesimtar?!”[4]

 

242. Transmetohet nga Enes ibën Malik (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se: “Një vajzë robëreshë u gjet me kokën të shtypur ndërmjet dy gurëve. I thanë: Kush t’a bëri këtë? Filani? Apo filani? –Deri sa përmendën ermin e një çifuti dhe ajo bëri me shenjë me kokë që “po”. Atëherë e morën atë çifutin dhe ai e pranoi. I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) urdhëroi që t’i shtypej koka mes dy gurëve.”[5]

 

343. Ndërsa në një transmetim tjetër të Muslimit dhe Nesait; nga Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmetohet se: “Një çifut vrau një robëreshë me disa stoli prej argjëndi dhe i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) urdhëroi që ai të vritej po me to.”[6]

 

344. Transmetohet nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: “Kur Allahu e çliroi Mekën në duart e të Dërguarit të Tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), njerëzit e fisit Hudhejl vranë një burrë nga fisi Beni Lejth për një gjakmarrje që kanë pasur në kohën e injorancës. I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) u ngrit dhe tha: Allahu i Madhëruar e bllokoi elefantin nga të hyrit në Mekë dhe ia dha sundimin e saj të Dërguarit të Tij dhe besimtarëve. Ajo nuk i është bërë e lejuar askujt që ka qenë para meje dhe nuk do t’i bëhet e lejuar (që të derdhë gjak në të) askujt pas meje. Ndërsa mua më është lejuar vetëm një pjesë të një dite. Në këtë çast që po flas, ajo është e ndaluar dhe nuk lejohet të priten pemët e saj, as të këputet bari i saj, as të priten gjembat e saj, as të merret e gjetura në të veçse për të gjetur të zotin e saj. Ndërsa atij që i vritet një i afërm (në Mekë), ai ka të drejtën të zgjedhë ndërmjet dy gjërave: Ose ta vrasë (vrasësin), ose të marrë kompensimin e të vrarit.”

-Atëherë u ngrit një burrë nga Jemeni, të cilit i thoshin Ebu Shah, dhe tha: O i Dërguari i Allahut! M’i shkruani këto mua!

–I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: Shkruani për Ebu Shahin!”

-Pastaj u ngrit Abasi dhe tha: O i Dërguari i Allahut! Përveç Idhhirit (një lloj bari), sepse ne e vendosim atë në shtëpitë dhe në varrezat tona.

–I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: Përveç Idhhirit (d.m.th. që ai lejohet të këputet).”[7]

 

345. Transmetohet nga Umer ibën el Hatab (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se: “Ai u konsultua me njerëzit për dështimin e gruas shtatzënë. Mugira ibën Shubeh tha: Kam qenë prezent kur i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dha vendim për një fëmijë të vrarë në barkun e nënës që për të të jepej kompensim një rob apo një robëreshë. –Umeri i tha atij: Më sill dikë që të dëshmojë me ty. Atëherë dëshmoi me të Muhamed ibën Mesleme.”[8]

 

346. Transmetohet nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: “Dy gra nga fisi Hudhejl u zunë me njëra-tjetrën dhe njëra prej tyre i gjuajti tjetrës me gurë duke shkaktuar vrasjen e saj dhe të fëmijës së saj që kishte në bark. Njerëzit e tyre shkuan për gjykim tek i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe ai vendosi që kompensimi (ed dije) për fëmijën e saj të ishte një “gurra” –rob apo robëreshë, ndërsa kompensimin e gruas së vrarë ai ia ngarkoi fisit të gruas vrasëse. Këtë pasuri e trashëguan fëmijët e saj dhe kush ishte me ta. Hamelu ibën Nabiga el Hudheli u ngrit dhe tha: O i Dërguari i Allahut! Si të kompensoj dikë që as ka pirë, as ka ngrënë e as ka folur ndonjë fjalë. A kompensohet një i atillë? –Ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: Ky burrë është prej vëllezërve të fallxhorëve!” –për shkak se ai i tha këto fjalë në vjershë.”[9]

 

347. Transmetohet nga Imran ibën Husajn (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se: “Një burrë kafshoi dorën e një burrit tjetër dhe ky e tërhoqi dorën me forcë nga goja e tij, duke shkaktuar rënien e një prej dhëmbëve të parë të tij. Pastaj shkuan të gjykohen tek i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e ai tha: “Si mund ta kafshojë dikush prej jush vëllanë e tij ashtu si kafshon kali?! Ty nuk të takon kompensim!”[10]

 

348. Transmetohet nga el Hasen ibën Ebi el Hasen el Basri (Allahu e mëshiroftë!), se ai ka thënë: Na ka treguar Xhundebi në këtë xhami dhe nuk kemi harruar asnjë prej haditheve të tij dhe ne nuk besojmë që Xhundubi të ketë gënjyer për të Dërguarin e Allahut. Ai na tha: i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Në kohët para jush ka qenë një burrë i cili kishte një plagë në trup dhe iu shtuan shumë dhimbjet. Ai mori një thikë dhe preu me të dorën e tij, pastaj nuk e bllokoi derdhjen e gjakut deri sa vdiq. Allahu i Madhëruar tha: Robi im më parapriu në veten e tij! Unë ia bëj haram atij xhenetin!”[11]

 

 

KAPITULLI  I  DËNIMEVE TË PËRCAKTUARA

NË SHERIAT

 

349. Transmetohet nga Enes ibën Malik (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: “Disa njerëz nga Ukli –apo Urajne- nuk e pëlqyen klimën e Medines dhe u sëmurën. I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i urdhëroi ata të shkonin te tufat e deveve që të pinin prej qumështit dhe urinës së tyre. Ata shkuan dhe pasi u shëruan vranë bariun e të Dërguarit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe morën devetë. Atëherë vjen lajmi në Medine që në fillim të ditës dhe ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dërgoi njerëz në ndjekje të tyre. Kur u ngrit dita (mbasdite) ata u sollën aty dhe ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) urdhëroi që t’u priteshin duart dhe këmbët në atë mënyrë që të prehej dora e djathtë dhe këmba e majtë (ose e kundërta), t’u shpoheshin sytë me gozhdë të nxehtë dhe të liheshin në një luginë me guraleca. Dhe kështu u bë. –Më pas ata kërkonin ujë, por askush nuk u jepte.”

Ebu Kilabe thotë: Këta vodhën, vranë, dizertuan nga feja pas besimit të tyre dhe luftuan Allahun dhe të Dërguarin e Tij.”[12]

Këtë hadith e ka nxjerë grupi.

 

350. Transmetohet nga Ubejdullah ibën Abdullah ibën Utbeh ibën Mesudi; nga Ebu Hurejra dhe Zejd ibën Halid (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) se ata të dy kanë thënë: “Një beduin erdhi tek i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe tha: O i Dërguari i Allahut! Të kujtoj Allahun, që të gjykosh ndërmjet nesh me Librin e Allahu! –Ndërsa pala tjetër -i cili ishte më i ditur se ky- tha: Po, gjyko ndërmjet nesh me Librin e Allahut dhe më lejo mua të flas! –Fol! –i tha ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!). –Djali im punonte me qera tek ky dhe bëri imoralitet me gruan e tij. Më pas unë mësova se djali im duhej të dënohej me gurëzim dhe unë dhashë kompensim në vend të gurëzimit njëqind dele dhe një robëreshë. Unë pyeta njerëzit me dije dhe ata më thanë se dënimi për djalin tim nuk ishte gurëzimi por rrahja me njëqind kamzhikë dhe dëbimi për një vit, ndërsa dënimi për atë gruan ishte gurëzimi. –I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: Betohem për Atë në Dorën e të Cilit është shpirti im! Unë do të gjykoj mes jush me Librin e Allahut; robëreshën dhe deletduhet të kthehen tek ti dhe dënimi për djalin tënd është goditja me njëqind kamzhikë dhe dëbimi për një vit. Ndërsa ti Unejs –një burrë nga fisi Eslem- shko tek gruaja e këtij dhe nëse ajo e pranon (fajin), gurëzoje atë. –Ai shkoi tek ajo dhe ajo e pranoi fajin. Atëherë i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) urdhëroi që ajo të goditet me gurë (deri në vdekje).”[13]

 

351. Transmetohet nga Ubejdullah ibën Ukbeh ibën Mesud; nga Ebu Hurejra dhe Zejd ibën Halid el Xhuheni (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) se kanë thënë: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) u pyet për dënimin e robëreshës që bën imoralitet dhe që nuk është e martuar. Ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: Nëse ajo bën imoralitet, goditeni me kamzhik, e nëse e përsërit, goditeni përsëri, pastaj shiteni atë qoftë edhe kundrejt një cope litar.”[14]

Ibën Shihab thotë: Nuk e di në e tha këtë pas herës së tretë apo të katërt.

352. Transmetohet nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: “Një burrë prej muslimanëve (emri i tij është Maiz ibën Malik) erdhi te i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) –i cili ishte në xhami- dhe e thirri atë: O i Dërguari i Allahut! Unë bëra imoralitet! –Ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i ktheu shpinën, ndërsa ai i shkoi nga para dhe i tha: O i Dërguari i Allahut! Unë bëra imoralitet! -Ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ia ktheu përsëri shpinën, deri sa ia përsëriti këtë gjë katër herë. Kur ai dëshmoi katër dëshmi kundët vetes së tij, i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i thirri dhe i tha: A je me të meta mendore? –”Jo”, -tha ai. –A je martuar? –”Po”, -tha ai. –Merreni dhe goditeni me gurë! –tha ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!).”

Ibën Shihab thotë: Më ka treguar Ebu Seleme ibën Abdurrahman se kishte dëgjuar Xhabir ibën Abdullah të thotë: Unë isha në mesin e atyre që e goditën me gurë atë. Ne e gurëzuam atë në namazgja dhe kur ai ndjeu dhimbjet e gurëve, ia mbathi me vrap. Ne e ndoqëm, e zumë në luginë dhe e goditëm me gurë (deri sa vdiq).”[15]

353. Transmetohet nga Abdullah ibën Umer (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: “Çifutët erdhën tek i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe i përmendën atij se një grua dhe një burrë prej tyre bënë imoralitet. I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) u tha atyre: Çfarë gjeni në Teurat për këtë, për dënimin e tyre me gurëzim? –Ne i turpërojmë ata pastaj goditen me kamzhik, -thanë ata. –Abdullah ibën Selami tha: Gënjeni! Në Teurat përmendet gurëzimi. –Atëherë sollën Teuratin dhe e shfletuan, ndërsa njëri prej tyre vendosi dorën e tij mbi ajetin e gurëzimit, dhe lexoi atë që ishte para dhe atë që vinte pas tij. Abdullah ibën Selami i tha atij: Ngrije dorën! Ai e ngriti dorën dhe aty ishte ajeti i gurëzimit. Ai tha: Të vërtetën thotë, o Muhamed! –Atëherë i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) urdhëroi që të gurëzoheshin (ata dy që kishin bërë zina –imoralitet). –Thotë: Unë e pashë atë burrin të përkulej e të mbronte atë gruan nga gurët (me trupin e tij).”[16]

 

354. Transmetohet nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Sikur ndonjë burrë –apo ka thënë: ndonjë njeri- të vështronte tek ti (brenda gradhit të shtëpisë tënde) pa lejen tënde, dhe ti e godet atë me një gurë e ia nxjer syrin, ti nuk ke ndonjë gjynah për këtë (as kompensim).”[17]

 

Tema

Dënimi për vjedhjen

355. Transmetohet nga Abdullah ibën Umer (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ia preu dorën dikujt për vjedhjen e një mburoje (parzmore) vlera e të cilës –ndërsa në një transmetim tjetër thotë: çmimi i së cilës – ishte tre dirhem (argjendi).”[18]

 

356. Transmetohet nga Aisha (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ajo ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) të thotë: “Dora e vjedhësit pritet për vjedhjen e një çereku dinari (ari) e më shumë.”[19]

 

357. Transmetohet nga Aisha (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se: “Kurejshët i preokupoi shumë çështja e asaj gruas mehzumije që kishte vjedhur dhe thanë: Kush do të ndërhyjë për të (që të mos dënohet) tek i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!)? –E kush do të guxonte për këtë përveç Usame ibën Zejdit, të dashurit të të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!). Atëherë Usame i foli atij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe ai tha: A po ndërmjetëson në një prej dënimeve të Allahut? -Pastaj u ngrit dhe mbajti fjalim; Ata që kanë qenë para jush u shkatërruan për shkak se kur vidhte fisniku prej tyre, ata e linin atë (nuk e zbatonin dënimin), ndërsa kur vidhte i dobëti, ata e zbatonin dënimin mbi të. Pasha Allahun! Sikur Fatimja, bija e Muhamedit të vidhte, unë do t’ia preja dorën asaj!”[20]

 

Tema

Dënimi për pirjen e alkkolit

 

358. Transmetohet nga Enes ibën Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se: “Të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i shpunë një burrë i cili kishte pirë alkool dhe ai urdhëroi ta godisnin atë me lëkurë palmash rreth dyzet goditje. –Thotë: Kështu veproi edhe Ebu Bekri më pas. Ndërsa kur ishte halife Umeri, ai u konsultua me njerëzit. Abdurrahman ibën Aufi tha: Dënimi më ulët i përcaktuar në Librin e Allahut është tetëdhjetë goditje. Atëherë Umeri urdhëroi të zbatohej kjo.”[21]

 

359. Transmetohet nga Ebu Burde –Hani ibën Nijar- el Belevi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ai ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) të thotë: “Nuk goditet fajtori me më shumë se dhjetë shkopinj veçse nëse meriton ndonjë nga dënimet e përcaktuara nga Allahu.”[22]



[1] E transmeton Buhariu (6878), Muslimi (1676), etj.

[2] E transmeton Buhariu (6533), Muslimi (1678), etj.

[3] E transmeton Buhariu (2702), Muslimi (1669), etj.

[4] E transmeton Muslimi në burimin e mësipërm.

[5] E transmeton Buhariu (2413), Muslimi (1672), etj.

[6] E transmeton Nesai (4754) dhe ai është i vetmi që e ka përmendur me këtë tekst.

[7] E transmeton Buhariu (112), Muslimi (1355), etj.

[8] E transmeton Buhariu (7317), Muslimi (1689), etj.

[9] E transmeton Buhariu (5758), Muslimi (1681), etj.

[10] E transmeton Buhariu (6892), Muslimi (1673), etj.

[11] E transmeton Buhariu (1364) dhe Muslimi (113).

[12] E transmeton Buhariu (233), Muslimi (1671), etj.

[13] E transmeton Buhariu (2314), Muslimi (1697), etj.

[14] E transmeton Buhariu (2153), Muslimi (1704), etj.

[15] E transmeton Buhariu (5271), Muslimi (1691), etj.

[16] E transmeton Buhariu (1329), Muslimi (1699), etj.

[17] E transmeton Buhariu (6902), Muslimi (2158), etj.

[18] E transmeton Buhariu (6795), Muslimi (1686), etj.

[19] E transmeton Buhariu (6789), Muslimi (1684), etj.

[20] E transmeton Buhariu (2648), Muslimi (1688), etj.

[21] E transmeton Buhariu (6773), Muslimi (1706), etj.

[22] E transmeton Buhariu (6848), Muslimi (1708), etj.


<<< Esenca e Dispozita 10         |        Esenca e Dispozita 12 >>>