Esenca e Dispozitave të Legjislacionit Islam (10)
“Umdetu el Ahkam”


Autor: Hafiz Abdulgani el Makdisi


KAPITULLI  I  MARTESËS

  

302. Transmetohet nga Abdullah ibën Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) na tha: “O ju të rinj! Kushdo prej jush që ka mundësi për martesë, të martohet sepse kjo është shkas më i madh për uljen e shikimit (nga harami) dhe për ruajtjen e organeve gjenitale! Ndërsa kush nuk ka mundësi (për martesë), të agjërojë sepse agjërimi është shtrydhës (dobësues) i epsheve.”[1]

 

303. Transmetohet nga Enes ibën Malik (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se: “Një grup prej sahabeve shkuan të pyesnin gratë e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) për punën e tij (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) të cilën nuk e shihnin njerëzit. Pasi i dëgjuan ato, njëri prej tyre tha: Unë nuk do të martohem kurrë. Ndërsa i dyti tha: Unë nuk do të ha kurrë mish. Ndërsa unë –tha i treti, nuk do të fle kurrë mbi dyshek.

-Këto fjalë i shkuan të Dërguarit (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe ai falenderoi Allahun, e lavdëroi Atë, pastaj tha: Si është puna me disa njerëz që thonë kështu e kështu?! Ndërsa unë falem natën dhe fle, agjëroj dhe nuk agjëroj (herë agjëroj dhe herë jo) dhe shkoj me gratë (e mia). Kushdo që i kthen shpinën sunetit tim (rrugës sime), ai nuk është prej meje.”[2]

 

304. Transmetohet nga Sead ibën Ebi Vekas (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ia refuzoi murgërinë Uthman ibën Madhunit dhe sikur t’ia kishte lejuar atë atij, ne do të tredheshim.”[3]

 

305. Transmetohet nga Umu Habibe bintu Ebi Sufjan (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ajo ka thënë: “O i Dërguari i Allahut! Merre për grua motrën time, të bijën e Ebu Sufjanit. –A e do vërtetë këtë gjë? –Po, -i thashë, – unë nuk do të jem gruaja jote e vetme, dhe njeriu më i dashur për mua që do të më shoqëronte në të mirë është motra ime. –I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: Kjo gjë nuk më lejohet. –Por ne na është thënë se ti dëshiron të martohesh me të bijën e Ebu Seleme? –Të bijën e Umu Selemes? –tha ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) me habi. –”Po”, -i thashë. –Edhe sikur ajo të mos ishte rritur në shtëpinë time, nuk do të ishte e lejuar për mua (të martohesha me të), sepse ajo është e bija e vëllait tim nga qumështi (kanë pirë nga e njëjta nënë). Thuvejbe më ka dhënë gji mua dhe Ebu Selemes. Kështu që mos m’i paraqitni për martesë me mua vajzat dhe as motrat tuaja.”

Urveh thotë: Thuvejbe është e liruara e Ebu Lehebit dhe ajo i ka dhënë gji të Dërguarit (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!). Kur vdiq Ebu Lehebi, dikush nga familja e tij e pa atë në ëndërr në një gjendje të keqe dhe sikur i kishte thënë atij: Çfarë gjete aty ku je tani? –Ebu Lehebi sikur i kishte thënë atij: Pas ndarjes nga ju nuk kam gjetur mirë, përveç pak uji që më është dhënë me këtë (enë) për shkak se unë kisha liruar nga robëria Thuvejben.”[4]

306. Transmetohet nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Nuk është e lejuar të bashkosh (në martesë) ndërmjet gruas dhe hallës së saj, dhe as ndërmjet gruas dhe tezes së saj.”[5]

 

307. Transmetohet nga Ukbeh ibën Amir (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Kushtet që kanë më shumë të drejtë për t’iu përmbajtur janë ato me të cilat keni bërë të lejuar arganet tuaja gjenitale (kushtet e vendosura në aktin e martesës).”[6]

 

308. Transmetohet nga Abdullah ibën Umer (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka ndaluar nga martesa e quajtur Shigar; që burri t’i martojë dikujt vajzën e tij me kusht që edhe tjetri (dhëndërri) t’i martojë atij vajzën e tij, pa paguar mehër (vlerë materiale për gruan) nga asnjëra palë.”[7]

 

309. Transmetohet nga Ali ibën Ebi Talib (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka ndaluar nga martesa e quajtur El Mut’ah (martesë e përkohshme), në ditën e luftës së Hajberit. Po ashtu ndaloi edhe nga ngrënia e mishit të gomarit të butë (në atë ditë).”[8]

 

310. Transmetohet nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Gruaja e ve nuk lejohet të martohet pa u pyetur, ndërsa ajo e virgjër nuk lejohet të martohet pa i marrë lejë asaj. –Thanë: O i Dërguari i Allahut! Cila është leja e saj? –Që të heshtë, -tha ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!).”[9]

 

311. Transmetohet nga Aisha (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: “Gruaja e Rifaah el Kuradhi erdhi tek i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe tha: Unë isha tek Rifaah el Kuradhi, por ai më divorcoi dhe e kaloi kohën e mundësisë së të kthyerit të tij, kështu që u martova me Abdurrahman ibën Zubejr, por ai ka diçka që nuk më pëlqen! –I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) buzëqeshi dhe tha: A dëshiron të kthehesh tek Rifaah? Por jo, deri sa të provosh shijen e tij (burrit të dytë) dhe ai të provojë shijen tënde (të kryeni marrëdhënie intime). –Ajo thotë: Ebu Bekri ishte aty, ndërsa Halid ibën Seidi po priste te dera që t’i jepej leje për të hyrë. Ai thirri Ebu Bekrin: A e dëgjon këtë se çfarë shpreh me zë tek i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!)?!”[10]

 

312. Transmetohet nga Enes ibën Malik (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: “Është prej sunetit që kur burri martohet me një grua të virgjër mbi një të ve (duke qenë se e ka një grua), atëherë ai qëndron tek ajo (e reja) shtatë ditë rresht, pastaj i ndan ditët mes tyre. E nëse martohet me një të ve, qëndron tek ajo tre ditë pastaj i ndan ditët ndërmjet tyre (në mënyrë të barabartë).” –Ebu Kilabe tha: Mund edhe të thoja se Enesi e ka ngritur këtë fjalë tek i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) –ka thënë se e ka thënë ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!).”[11]

313. Transmetohet nga Ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Nëse dikush nga ju, kur dëshiron t’i afrohet gruas së tij (të kryejë marrëdhënie intime) thotë: Bismilah. “O Zot! Na largo djallin dhe largoje djallin nga ai (fëmija) që na dhuron!”, atëherë nëse është caktuar që prej këtij bashkimi të lindë fëmijë, atë fëmijë nuk ka për ta dëmtuar kurrë djalli.”[12]

 

314. Transmetohet nga Ukbeh ibën Amir (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Ruajuni hyrjes tek gratë! –Një burrë prej ensarëve tha: O i Dërguari i Allahut! Po kunati? –Kunati është vdekja, -tha ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!).”[13]

Në një transmetim tjetër të Muslimit; nga Ebu et Tahir; nga Ibën Vehbi, se ky ka thënë: Kam dëgjuar Lejthin të thotë: “El Hamu –kunati- është vëllai i burrit dhe të ngjashmit me të nga të afërmit e burrit, si djali i xhaxhait të burrit e të ngjashëm me të.”[14]

Tema

Mehri –prika (dhurata e nuses)

315. Transmetohet nga Enes ibën Malik (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e liroi Safijen nga robëria dhe lirimin e saj e konsideroi mehër për martesën me të.”[15]

 

316. Transmetohet nga Sehl ibën Sead es Saidi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se: “Një grua erdhi tek i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe i tha: Unë ta dhuroj ty veten time. Dhe qëndroi aty gjatë, deri sa një burrë tha: O i Dërguari i Allahut! Ma marto mua atë, nëse nuk ke nevojë për të! –A posedon gjë që t’ia japësh për prikë (dhuratë për martesë) asaj? –Nuk posedoj veçse këtë izar (rrobe që vishet nga mesi e poshtë), -tha ai.

-I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: Nëse ia jep asaj atë, do të mesësh pa izar, por shiko mos gjen diçka tjetër. –Nuk më gjendet asgjë, -tha ai. –Shih mos gjen qoftë edhe një unazë prej hekuri! –Ai kërkoi por nuk gjeti gjë. Atëherë i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: A ke mësuar gjë nga Kurani? “Po”, -tha ai. –Atëherë ta martoj ty atë me aq sa ke mësuar nga Kurani (që t’ia mësosh asaj)! –tha ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!).”[16] 

 

317. Transmetohet nga Enes ibën Malik (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) pa ngjyrë zeaferani në rroben e Abdurrahman ibën Aufit dhe i tha: Ç’është kështu me ty? –O i Dërguari i Allahut! Unë u martova me një grua, ndaj e kam këtë, -tha ai. –Çfarë i dhe për prikë? –Sa pesha e pesë dirhemëve ar, -tha ai. –Allahu të bekoftë! Tani bëj gosti qoftë edhe me një dele.”[17]

 

 

*

*          *

 

KAPITULLI  I  DIVORCIT

 

318. Transmetohet nga Abdullah ibën Umer (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se: “Ai e divorcoi gruan e tij duke qenë se ajo ishte me të përmuajshmet. Umeri ia tregoi këtë gjë të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe ai u mërzit shumë nga kjo, pastaj tha: Ta kthejë atë, pastaj ta mbajë atë deri sa të pastrohet dhe t’i vijnë përsëri të përmuajshmet, pastaj të pastrohet. Pastaj nëse vazhdon të dëshirojë divorcimin e saj, atëherë ta divorcojë atë duke qenë se nuk e ka prekur (nuk ka kryer marrëdhënie gjatë kësaj periudhe). Kjo është el Idetu (koha e pritjes së gruas pas divorcit) ashtu si ka urdhëruar Allahu i Madhëruar.”

Në një transmetim tjetër thuhet: “Deri sa t’i vijnë periodat e tjera pas atyre gjatë të cilave ai e ka divorcuar.”

Dhe në një transmetim tjetër: “Kjo u llogarit në numrin e divorceve të saj, dhe Abdullahi e ktheu atë ashtu siç e urdhëroi i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!).”[18]

 

319. Transmetohet nga Fatime bintu Kajs se: “Ebu Amër ibën Hafs e divorcoi atë me divorc të pakthyeshëm, duke qenë se ai nuk ishte present –ndërsa në një transmetim tjetër thuhet: e divorcoi atë tre herë – dhe dërgoi tek ajo një të autorizuar nga vetë ai me disa elb, por ajo e refuzoi atë. Ai i tha: Për Zotin! Ty nuk të takon ndonjë gjë nga ne. Atëherë ajo shkoi tek i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe ia tregoi këtë atij, e ai tha: Ti nuk ke të drejtë shpenzimi mbi të –ndërsa në një transmetim tjetër thuhet: dhe as banim -. Pastaj e urdhëroi atë që ta kalonte Iden (periudhën e pritjes) në shtëpinë e Umu Sherik. Pastaj ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: Ajo grua (Umu Sherik) vizitohet shpesh nga shokët e mi, ndaj kaloje periudhën e pritjes (iden) në shtëpinë e Ibën Umi Mektum, sepse ai është i verbër dhe ti mund t’i heqësh rrobat (hixhabin) e tua pa problem, dhe kur ta plotësosh Iden, më lajmëro. –Thotë: Kur i mbusha ditët e pritjes, i përmenda atij (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) se Muavije ibën Ebi Sufjan dhe Ebu Xhehmi më kërkuan për martesë. I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: “Sa për Ebu Xhehmin, si nuk e ul shkopin nga supi (udhëton shumë, apo rreh gratë), ndërsa Muavija është i varfër dhe nuk ka pasuri. Kështu që martohu me Usame ibën Zejd. –Mua nuk më pëlqeu, por ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha përsëri: Martohu me Usame ibën Zejd, dhe unë u martova me të. Më pas Allahu hodhi hajër tek ai dhe unë u kënaqa me të.”[19]

 

Tema

El Idetu –periudha e pritjes së gruas për

t’u rimartuar pas divorcit

 

320. Transmetohet nga Subejate el Eslemije se: “Ajo ishte nën kurorën e Sead ibën Haule –nga fisi Bebi Amir ibën Luej, dhe ishte nga ata që prezentuan në Bedër- i cili vdiq në haxhin e Lamtumirës dhe e la atë shtatzënë. Nuk zgjati shumë dhe ajo e lindi fëmijën e saj pas vdekjes së tij. Kur u pastrua nga nifasi (koha e lehonisë), ajo u zbukurua për ata që i kërkonin dorën. Tek ajo hyri Ebu es Senabil ibën Beakek –një burrë nga fisi Beni Abdi ed Dar- dhe i tha asaj: Si është puna që po të shoh të zbukuruar? Me sa duket ti po kërkon të martohesh, por për Zotin, ti nuk ke për t’u martuar deri sa të mbushësh katër muaj e dhjetë ditë. –Subejah tha: Kur ma tha këtë, në mbrëmje unë u mbështolla me rrobet e mia dhe shkova tek i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) për ta pyetur për këtë. Ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) m’u përgjigj se unë isha bërë e lejuar për martesë që kur linda fëmijën tim dhe më këshilloi të martohesha nëse e shihja të mirë diçka të tillë (nëse dëshiroja).”[20]

 

321. Transmetohet nga Zejneb bintu Umu Seleme (Allahu qoftë i kënaqur me to!) se ajo ka thënë: “Një i afërt i Umu Habibes ndërroi jetë dhe ajo kërkoi një lloj ngjyre të verdhë me të cilën bëri krahët e saj, pastaj tha: E bëj këtë sepse kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) të thotë: Nuk i lejohet një gruaje që beson Allahun dhe Ditën e Fundit, që të mbajë zi (të mos vendosë parfum dhe të zbukurohet) për të vdekurin më shumë se tri ditë, përveç nëse i vdes burri, atëherë duhet të mbajë zi për të katër muaj e dhjetë ditë.”[21]

 

322. Transmetohet nga Umu Atije (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Asnjë grua të mos mbajë zi për të vdekurin më shumë se tri ditë, me përjashtim të burrit; për të cilin duhet të mbajë zi (të mos zbukurohet dhe të mos vendosë parfum) katër muaj e dhjetë ditë; të mos veshë rrobe të ngjyrosur, por rrobe bardhë e zi. As të mos i lyejë sytë dhe të mos prekë parfum, veçse kur pastrohet (nga të përmuajshmet); në këtë rast të përdorë pak kust ose edhfar (lloj parfumi i zi, i ngurtë në formën e thoit).”[22]

 

323. Transmetohet nga Umu Seleme (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ajo ka thënë: “Një grua erdhi tek i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe tha: O i Dërguari i Allahut! Bijës sime i vdiq burri dhe ajo po ankohet nga sytë. A t’ia lyejmë ato me kohël? –”Jo”, -tha ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!)- dy apo tre herë. Pastaj tha: Zija e saj është katër muaj e dhjetë ditë. Në kohën e injorancës, ndonjëra prej jush e hiqte zinë e saj në krye të vitit (ndërsa tani e keni më të lehtë). –Zejnebe tha: Kur gruas i vdiste burri (në kohën e injorancës, para Islamit), ajo hynte në një dhomë (tendë) të vogël, vishte rrobet më të këqia dhe nuk prekte pasrfum apo ndonjë gjë tjetër deri sa të kalonte një vit. Pastaj sillnin një kafshë; gomar ose shpendë ose dele dhe ajo fërkonte me të lëkurën e saj (pasi kishte ndenjur një vit pa prekur ujë). Menjëherë sa fërkohej me kafshën apo shpendin, ai ngordhte (nga era e keqe a diçka tjetër e ngjashme). Pastaj dilte dhe i jepnin një bajgë të cilën ajo e gjuante, pastaj kthehej dhe vendoste çtë donte prej parfumit etj.”[23]

 

KAPITULLI  I  DIVORCIT ME MALLKIM

324. Transmetohet nga Abdullah ibën Umer (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se filani i biri i filanit (dikush) ka thënë: “O i Dërguari i Allahut! Si thua sikur ndonjëri prej nesh të gjejë gruan e tij duke bërë imoralitet, si të veprojë në këtë rast? Pasi që nëse flet, do të flasë me diçka të madhe, e nëse hesht, do të hesht po ashtu nga diçka e madhe!

Thotë: I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) heshti dhe nuk iu përgjigj atij. Më vonë ky shkoi përsëri tek ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe i tha: Ajo për të cilën të pyeta më ka gjetur dhe jam sprovuar me të!

-Atëherë Allahu i Madhëruar zbriti këto ajete të sures En Nur: “Dhe ata të cilët akuzojnë gratë e tyre…” [En Nur: 6-9] dhe i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ia lexoi ato atij, pastaj e këshilloi dhe i përkujtoi frikën nga Allahu. Ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i tha atij se dënimi në këtë botë është shumë më i lehtë se dënimi në botën tjetër.

-Ai tha: “Jo”, betohem për Atë i Cili të ka dërguar ty me të vërtetën, se unë nuk kam shpifur kundra saj.

-Pastaj ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) thirri gruan e tij, e këshilloi atë dhe e njoftoi se dënimi në këtë botë është shumë më i lehtë se dënimi në botën tjetër.

-Ndërsa ajo tha: “Jo”, betohem për Atë i Cili të ka dërguar ty me të vërtetën, se ai është gënjeshtar.

-Pastaj filloi me burrin; dhe ai dëshmoi katër betime për Allahun se ai ishte prej të sinqertëve (që po thoshte të vërtetën), dhe betimi i pestë; se mallkimi i Allahut të ishte mbi të nëse ai do të ishte prej gënjeshtarëve!

-Pastaj thirri gruan dhe ajo dëshmoi katër betime për Allahun se ai ishte prej gënjeshtarëve dhe betimi i pestë, që Zemërimi i Allahut të  ishte mbi të nëse ai ishte prej të sinqertëve.

-Pastaj ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i ndau ata nga njëri-tjetri dhe tha: Allahu e di se njëri prej ju të dyve është gënjeshtar, ndaj a ka ndonjë që dëshiron të pendohet? –E përsëriti këtë tre herë.”

Në një transmetim tjetër thuhet: “Ty nuk të takon më asgjë nga ajo që i ke dhënë asaj, -tha ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!). –O i Dërguari i Allahut! Por ajo është pasuria ime? –Ti nuk ke më pasuri. Nëse e ke thënë të vërtetën kundra saj, atëherë ajo pasuri që i ke dhënë ka qenë për atë që ke bërë të lejuar për veten tënde prej organit të saj. E nëse ke shpifur, atëherë ajo pasuri është më larg teje se sa ajo.”[24]

 

325. Transmetohet nga Abdullah ibën Umeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se: “Një burrë akuzoi gruan e tij për imoralitet dhe e mohoi fëmijën e saj, në kohën e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!). I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i urdhëroi ata të dy që të mallkonin njëri-tjetrin, ashtu siç ka thënë Allahu i Lartësuar. Pastaj fëmijën e hodhi mbi gruan dhe ndau (divorcoi) ndërmjet atyre që e mallkuan njëri-tjetrin.”[25]

 

326. Transmetohet nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: “Një burrë nga Beni Fezara erdhi tek i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe tha: Gruaja ime lindi një djalë të zi. –I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i tha atij: A ke deve? –”Po”, -tha ai. –Çfarë ngjyrash kanë? –Të kuqe, -tha ai. –A nuk ka në mesin e tyre deve me ngjyrë hiri? –”Po”, -tha ai, ndër to ka edhe bojë hiri. –Prej nga i erdhi ajo ngjyrë? –Ndoshta mund t’a ketë trashëguar nga ndonjë paraardhës i hershëm, -tha ai. –Edhe ky fëmijë mund ta ketë trashëguar ngjyrën nga ndonjë paraardhës i hershëm! –tha ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!).”[26]

 

327. Transmetohet nga Aisha (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: “Sead ibën Ebi Vekasi dhe Abdu ibën Zemah po grindeshin për një fëmijë. Seadi tha: O i Dërguari i Allahut! Ky është fëmija i vëllait tim, Utbeh ibën Ebi Vekas, i cili më ka thënë se ky ishte fëmija i tij. Vështro edhe faktin se ky i ngjan atij.

Ndërsa Abdu ibën Zemah tha: Ky është vëllai im, o i Dërguari i Allahut! Ai lindi në shtratin e babait tim (nëna e fëmijës e ka lindur atë kur ishte grua e këtij) që sa ka lindur. –I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) vështroi tek fëmija dhe e pa atë shumë të ngjashëm me Utben. Pastaj tha: Ai është i yti, o Abdu ibën Zemah, sepse fëmija i takon burrit të shtratit, ndërsa imoralit i takon guri. Ndërsa ti Seude, mbulohu në sy të tij. –Ai nuk e pa kurrë seuden.”[27]

 

328. Transmetohet nga Aisha (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ajo ka thënë: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) hyri tek unë i gëzuar dhe tiparet e fytyrës i shkëlqenin. Ai tha: A e di që Muxheziri (një person që njihte prejardhjen e njerëzve nga tiparet e tyre) vështroi pak më parë Zejd ibën Harithe dhe Usame ibën Zejd, dhe tha: Këto këmbë janë nga njëra-tjetra.”[28]

Në një transmetim tjetër thuhet: “Muxheziri ishte njohës i prejardhjeve të njerëzve nga tiparet e tyre.”[29]

 

329. Transmetohet nga Ebu Seid el Hudri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: “Të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i përmendën Azlin (derdhjen e spermës jashtë kur kryen marrëdhënie intime) dhe ai tha: E përse e bën këtë ndokush prej jush? –dhe nuk tha: Të mos e bëjë atë askush prej jush!- Nuk ka shpirt të krijuar veçse Allahu është Krijuesi i tij (mund të ndodhë shtatzani edhe nëse sperma derdhet jashtë).”[30]

 

330. Transmetohet nga Xhabir ibën Abdullah (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: “Ne e derdhnim spermën jashtë (kur kryenim marrëdhënie) dhe Kurani vazhdonte të zbriste (e nuk na ndalonte për këtë).”[31]

Ebu Ishaku shton: Sufjani tha: “Sikur të kishte gjë për t’u ndaluar (nga azli), Kurani do të na kishte ndaluar.”[32]

 

331. Transmetohet nga Ebu Dherri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ai ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) të thotë: “Nëse dikush thirret jo në emër të të atit –duke qenë se ai e di këtë-, ai ka bërë kufër dhe kush quan të vetën atë që nuk është e tij, ai nuk është prej nesh dhe le të përgatisë karrigen e tij prej zjarri! Kush i thotë dikujt tjetër “O kafir!”, ose i thotë: “Armik i Allahut!”, duke qenë se nuk është ashtu siç thotë, atëherë ajo bie mbi vetë atë.”[33]

  

 

KAPITULLI  I  GJIDHËNIES 

 

332. Transmetohet nga Ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë për të bijën e Hamzës: “Martesa me të nuk më lejohet, sepse ndalohet prej qumështit (pirjes nga e njëjta nënë) ajo që ndalohet edhe nga prejardhja (gjaku). Ajo është e bija e vëllait tim nga qumështi.”[34]

 

333. Transmetohet nga Aisha (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ajo ka thënë: i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Qumështi i gjirit bën të ndaluar çdo gjë që bën të ndaluar lindja (prejardhja).”[35]

 

334. Transmetohet gjithashtu nga ajo se ka thënë: “Eflahu –vëllai i Ebi el Kuajsit – më kërkoi lejë për të hyrë pasi ishte zbritur urdhëri për hixhabin (mbulesën e plotë) dhe unë i thashë: Për Zotin, nuk të jap lejë të futesh, deri sa t’i marr leje të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), sepse mua nuk më ka dhënë gji vëllai i Ebu el Kuajsit por gruaja e Ebi el Kuajsit. Kur i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) hyri tek unë, i thashë: O i Dërguari i Allahut! Nuk është burri ai që më ka dhënë gji, por më ka dhënë gji gruaja e tij. –Ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: Jepi leje atij të hyjë tek ti, sepse ai është xhaxhai yt, o t’u shkretoftë dora! (pa pasur për qëllim mallkimin).”

Urveh thotë: Për këtë shkak Aisha thoshte: “Bëni të ndaluar nga gjiri çdo gjë që ndalohet nga gjaku!”

 

235. Në një transmetim tjetër thuhet: “Eflahu më kërkoi lejë që të hynte tek unë, por unë nuk i dhashë leje dhe ai më tha: A po mbulohesh prej meje, ndërsa unë jam xhaxhai yt?! –E si kështu? -i thashë unë. –Gruaja e vëllait tim të ka dhënë gji nga qumështi i vëllait tim. –Thotë (Aisha): Atëherë pyeta të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe ai tha: Eflahu ka thënë të vërtetën, t’u shkretoftë dora! (pa pasur për qëllim mallkimin).”[36]

 

336. Transmetohet gjithashtu nga ajo se ka thënë: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) hyri tek unë dhe gjeti aty një burrë. Pastaj tha: O Aishe! Kush është ky? –Vëllai im nga gjiri, -thashë unë. –O Aishe! Shihni mirë se kush janë vëllezërit tuaj, sepse gjidhënia e konsideruar është ajo prej urisë.”[37]

 

337. Transmetohet nga Ukbeh ibën el Harith (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se: “Ai u martua me Umu Jahja bintu Ebi Ihab, por aty erdhi një grua e zezë dhe tha: Unë iu kam dhënë gji të dyve ju. –Këtë gjë ia thashë të Dërguarit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe ai më ktheu shpinën. –Unë lëviza pastaj ia përmenda përsëri këtë dhe ai tha: Si mund të vazhdoni martesën, kur ajo thotë se iu ka dhënë gji të dyve?!”[38]

 

338. Transmetohet nga el Bera ibën Azib (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) doli –d.m.th. nga Meka- dhe e bija e Hamzës po i shkonte nga pas duke i thënë: O xhaxhi! Atë e mori Aliu për dore dhe i tha Fatimes. Mbaje bijën e xhaxhait tënd, dhe ajo e mbajti atë. –Më pas Aliu, Xheaferi dhe Zejdi filluan të grindeshin për të (kush e kush të kujdesej për të). Aliu tha: Unë kam më shumë të drejtë për këtë, sepse ajo është e bija e xhaxhait tim. –Xheaferi tha: Ajo është bija e xhaxhait tim dhe tezja e saj është gruaja ime. –Ndërsa Zejdi tha: Ajo është bija e vëllait tim. –Atëherë i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) vendosi që kujdestarinë e saj ta merrte tezja e saj dhe tha: Tezja është në vend të nënës. Ndërsa Aliut i tha: Ti je prej meje dhe unë prej teje. –Ndërsa Xheaferit i tha: Ti më ke ngjarë mua në krijim (tipare) dhe në moral. –Ndërsa Zejdit i tha: Ti je vëllai dhe i dashuri (miku) ynë.”[39]

 


[1] E transmeton Buhariu (1905), Muslimi (1400), etj.

[2] E transmeton Buhariu (5063), Muslimi (1401), etj.

[3] E transmeton Buhariu (5073), Muslimi (1402), etj.

[4] E transmeton Buhariu (5101), Muslimi (1449), etj.

[5] E transmeton Buhariu (5109), Muslimi (1408), etj.

[6] E transmeton Buhariu (2721), Muslimi (1418), etj.

[7] E transmeton Buhariu (5112), Muslimi (1415), etj.

[8] E transmeton Buhariu (4216), Muslimi (1407), etj.

[9] E transmeton Buhariu (5136), Muslimi (1419), etj.

[10] E transmeton Buhariu (2639), Muslimi (1433), etj.

[11] E transmeton Buhariu (5213), Muslimi (1461), etj.

[12] E transmeton Buhariu (141), Muslimi (1434), etj.

[13] E transmeton Buhariu (5232), Muslimi (2172), etj.

[14] E transmeton Muslimi në burimin e mësipërm.

[15] E transmeton Buhariu (371 etj), Muslimi (1365), etj.

[16] E transmeton Buhariu (2310), Muslimi (1425), etj.

[17] E transmeton Buhariu (2049), Muslimi (1427), etj.

[18] E transmeton Buhariu (4908), Muslimi (1471), etj.

[19] E transmeton Buhariu (5321), Muslimi (1480), etj.

[20] E transmeton Buhariu (4909), Muslimi (1484), etj.

[21] E transmeton Buhariu (1280), Muslimi (1486), etj.

[22] E transmeton Buhariu (313), Muslimi (938), etj.

[23] E transmeton Buhariu (5336), Muslimi (1488), etj.

[24] E transmeton Buhariu (5311), Muslimi (1493), etj.

[25] E transmeton Buhariu (4748), Muslimi (1494), etj.

[26] E transmeton Buhariu (5305), Muslimi (1500), etj.

[27] E transmeton Buhariu (2053), Muslimi (1457), etj.

[28] E transmeton Buhariu (3555), Muslimi (1459), etj.

[29] E transmeton Muslimi në burimin e mësipërm.

[30] E transmeton Buhariu (2229), Muslimi (1438), etj.

[31] E transmeton Buhariu (5207), Muslimi (1440), etj.

[32] E transmeton Muslimi në burimin e mësipërm.

[33] E transmeton Buhariu 3508), Muslimi (61), etj.

[34] E transmeton Buhariu (2645), Muslimi (1447), etj.

[35] E transmeton Buhariu (2646), Muslimi (1444), etj.

[36] E transmeton Buhariu (4796), Muslimi (1445), etj.

[37] E transmeton Buhariu (2647) dhe Muslimi (1455).

[38] E transmeton Buhariu (88) dhe Ahmedi. Ndërsa Muslimi nuk e ka nxjerë këtë hadith në Sahihun e tij.

[39] E transmeton Buhariu (1781), etj. Ndërsa Muslimi nuk e ka nxjerë këtë hadith në Sahihun e tij.


<<< Esenca e Dispozita 9         |        Esenca e Dispozita 11 >>>