Edukata e nxënësit të dijes (1)

 

Autor: Muhamed ibën Salih el Uthejmin (Allahu e mëshiroftë!)

Përktheu: Bledar Albani


Nxënësi i dijes duhet patjetër që të mvishet me disa morale dhe edukata, prej të cilave po përmendim:

1. Pastrimi i qëllimit vetëm për Hir të Allahut të Madhëruar:

D.m.th. qëllimi i tij me kërkimin e dijes të jetë për Hir të Allahut dhe për të fituar botën tjetër, sepse Allahu i Madhëruar ka nxitur për këtë dhe ka përgëzuar për të, siç ka thënë Allahut i Madhëruar: “Dije se nuk ka të adhuruar tjetër (me të drejtë) përveç Allahut dhe kërko falje për gjynahet e tua!” [Muhamed, 19].

Po kështu lavdërimi i dijetarëve në Kuran është mëse i njohur, dhe kur Allahu lavdëron diçka apo urdhëron për të, ajo gjë bëhet adhurim.

Kështu që është i domosdoshëm pastrimi i qëllimit vetëm për Hir të Allahut në këtë adhurim (në kërkimin e dijes), d.m.th. që njeriu të ketë për qëllim Fytyrën e Allahut të Madhëruar me kërkimin e dijes.

Dhe nëse dikush bën nijet që me kërkimin e dijes fetare të arrijë marrjen e diplomës apo të ndonjë grade apo pozite, ta dijë se i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Kushdo që kërkon një dije me të cilën duhet pasur për qëllim Fytyra e Allahut të Madhëruar, dhe ky nuk e mëson veçse për të fituar diçka prej dynjasë, nuk ka për ta ndjerë aromën e xhenetit në ditën e kiametit.”[1]

Pra, ky është një kërcënim i ashpër…

Por nëse nxënësi i dijes thotë: “Unë kërkoj të marr dipllomë jo për ndonjë fitim nga dynjaja, por sepse peshorja matëse e dijetarit sot është bërë diplloma e tij.”

Atëherë themi: Në qoftë se me marrjen e dipllomës është për qëllim bërja dobi njerëzve, për t’i mësuar apo drejtuar ata, e gjëra të ngjashme, ky është nijet i pastër dhe nuk e dëmton gjë, pasi që është nijet i drejtë.

Por ne e përmendëm qëllimin e pastër në krye të edukatave të nxënësit të dijes, pasi që ai është baza. Nxënësi i dijes duhet që me kërkimin e dijes të ketë për qëllim zbatimin e urdhrit të Allahut të Madhëruar, sepse Allahu ka urdhëruar për kërkimin e dijes dhe ka thënë: “Dije se nuk ka të adhuruar tjetër (me të drejtë) përveç Allahut dhe kërko falje për gjynahet e tua!”[Muhamed, 19].

Pra, ka urdhëruar për kërkimin e dijes, dhe nëse ti mëson dhe kërkon dije, ke zbatuar Urdhrin e Allahut të Madhëruar.

2. Ngritja e injorancës nga vetja dhe nga të tjerët:

D.m.th. që me kërkimin e dijes duhet të kesh për qëllim ngritjen e injorancës nga vetja dhe nga të tjerët, pasi që origjina tek njeriu është injoranca dhe padituria, argument për të cilën është Fjala e Allahut: “Dhe Allahu ju ka nxjerrë nga mitrat e nënave tuaja duke mos ditur (ju) asgjë. Ai ju dha edhe dëgjimin, shikimin dhe zemrën që të mund të falënderoni (Atë).” [En Nahl, 78].

Aktualiteti dëshmon gjithashtu për këtë gjë, pasi që ti me kërkimin e dijes synon ngritjen e injorancës nga vetja dhe kështu arrin frikërespektin ndaj Allahut: “Vërtet ata që i frikësohen më shumë Allahut nga robët e Tij, janë dijetarët.” [Fatir, 28].

Pra, ti duhet të synosh ngritjen e injorancës nga vetja jote, pasi që origjina tek ti është mosdija. E nëse mëson dhe bëhesh prej dijetarëve, atëherë injoranca ngrihet nga ti.

Po kështu duhet të kesh qëllim edhe ngritjen e injorancës nga ymeti musliman, gjë e cila bëhet duke dhënë mësime me mënyrat nga më të ndryshmet, me qëllim që t’u bësh dobi njerëzve me dijen tënde.

A është kusht për bërjen dobi me dijen, që të ulesh nëpër tubime në xhami, apo mund t’i bësh dobi njerëzve në çdo rast dhe vend?

 Përgjigja: E sakta është e dyta, sepse Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Publikoni prej meje qoftë edhe një ajet.”[2]

Sikur ti të mësosh një njeri dhe ai të mësojë një tjetër, ty të shkruhet shpërblimi i dy njerëzve. Nëse ky mëson një të tretë, ty të shkruhet shpërblimi i tre njerëzve, e kështu. Por është prej bidatit që kur një njeri bën një adhurim të thotë: “O Zot! Sevapin e këtij adhurimi bëje për të Dërguarin e Allahut!”, sepse Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) është ai që ta ka mësuar dhe të ka drejtuar tek ajo, kështu që atij i shkruhet njësoj si shpërblimi yt.

Imam Ahmedi (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Asgjë nuk mund të barazohet me dijen, tek ai njeri që ka nijetin e pastër.” –Thanë: E si kështu? -Ai tha: “Duke bërë nijet ngritjen e injorancës nga vetja dhe nga të tjerët”; sepse origjina tek njerëzit është injoranca ashtu si edhe tek ti, dhe nëse mëson me qëllim që të ngresh injorancën nga ky popull, ti je prej muxhahidëve në Rrugën e Allahut të Madhëruar, të cilët përhapin Fenë e Allahut.

3. Mbrojtja e sheriatit:

D.m.th. të bësh nijet që me kërkimin e dijes të mbrosh sheriatin, sepse librat nuk mund t’a mbrojnë sheriatin, por ata që e mbrojnë atë janë mbartësit e sheriatit.

Sikur dikush prej bidatçinjve të hynte në një librari të mbushur plot me libra të sheriatit, dhe ky fillon të flasë me ndonjë bidat të cilin e pohon, nuk besoj se qoftë edhe një libër i vetëm t’ja kthejë atij dhe ta kundërshtojë atë. Por sikur të fliste me bidatin e tij para ndonjë njeriu të ditur me qëllim që ta pohojë dhe vërtetojë atë, atëherë ky kërkues i dijes ia kthen atij dhe e rrëzon fjalën e tij me Kuran dhe Sunet.

Pra, nxënësi i dijes duhet që me kërkimin e dijes të synojë edhe mbrojtjen e sheriatit, pasi që mbrojtja e sheriatit nuk mund të bëhet veçse me burrat e tij, tamam si arma; sikur ne të kishim depot ë mbushura plot me armë, a ndodh që këto armë të ngrihen vetë dhe të hedhin predha mbi armikun? A nuk bëhet kjo veçse me burra?

Përgjigja është se kjo nuk bëhet veçse me burra. Po kështu është edhe dija.

Përveç kësaj, bidatet përtërihen. Mund të ekzistojnë bidate që nuk kanë pas ekzistuar në kohët e para dhe nuk gjenden nëpër libra, kështu që sheriatin në këtë rast nuk mund ta mbrojë veçse nxënësi i dijes.

Ndaj them: Ajo që nxënësi i dijes duhet të ketë parasysh është mbrojtja e sheriatit, pasi që njerëzit kanë shumë nevojë për dijetarët, me qëllim që t’i kthejnë mbrapsht intrigat e bidatçinjve dhe të gjithë armiqve të Allahut. Por kjo nuk mund të bëhet veçse me dije fetare të përfituar nga Libri i Allahut dhe nga Suneti i Pejgamberit (salallahu alejhi ue selem).

4. Zemërgjerësia në çështjet ku nuk ka pajtim:

D.m.th. që nxënësi i dijes duhet ta ketë zemrën të gjerë në lidhje me çështjet ku ka mospajtim dhe shkak i të cilave është ixhtihadi (përpjekja me argumente); pasi që çështjet ku ka mospajtim mes dijetarëve janë dy llojesh: ose çështje të cilat nuk pranojnë përpjekje argumentuese por janë të qarta dhe të prera, në këto çështje nuk ka justifikim për kundërshtuesin e tyre, ose çështje të cilat pranojnë përpjekje argumentuese dhe në këto çështje justifikohet kundërshtuesi i tyre, dhe fjala jote nuk mund të jetë argument kundër kundërshtuesit tënd në to, pasi që sikur të ishte ashtu, atëherë mund të thuhej edhe e kundërta: që fjala e tij është argument kundër teje.

Ndërsa unë kam për qëllim këtu ato çështje të cilat pranojnë arsyetim dhe argumentim me logjikë dhe argumente, dhe në të cilat njeriut i lejohet të diskutojë, por ama kush kundërshton rrugën e selefëve siç janë çështjet e akides, çështje të cilat nuk pranohet nga askush që të kundërshtojë kuptimin e selefëve në to.

Pra, është qëllimi për çështjet e tjera në të cilat ka vend për ixhtihad; nuk duhet që nga ky mospajtim në këto çështje të merret shkas për sharjen e të tjerëve dhe as shkas për armiqësi e urrejtje.

Sahabet –Allahu qoftë i kënaqur me ta!- janë kundërshtuar në çështje të shumta, dhe kush dëshiron të njohë mospajtimet mes tyre, të kthehet tek gjurmët e përcjella prej tyre dhe ka për të gjetur mospajtim në shumë çështje, të cilat kanë qenë shumë më të mëdha se ato çështje të cilat njerëzit sot i marrin shkas për mosmarrëveshje, sa që janë ndarë në parti dhe thonë: “Unë jam me filanin dhe unë me alanin”, sikur të ishte çështje partishë. Kjo padyshim që është gabim.

Për shembull, sikur dikush t’i thotë shokut: “Kur të ngrihesh nga rukuja mos e vendos dorën e djathtë mbi të majtën (mbi gjoks) por lëshoi duart anash kofshëve. Nëse nuk vepron kështu, ti je bidatçi.”

Fjala “bidtaçi” nuk është e lehtë për shpirtin, dhe nëse dikush ma thotë mua këtë, në zemrën time do të lindë diçka prej urrejtjes; sepse kështu është njeriu.

Në këtë çështjen e duarve ne themi se ka vend për mospajtim, kështu që ose vendosi duart mbi njëra tjetrën ose lëshoi (pas rukusë).

Për këtë, Imam Ahmedi ka thënë se njeriu ka të drejtë të zgjedhë vendosjen e dorës së djathtë mbi të majtën ose t’i lëshojë; sepse çështja këtu është e gjerë dhe e hapur.

Por cili është suneti në analizimin e kësaj çështje?

Përgjigja: Suneti në këtë çështje është që të vendosësh dorën e djathtë mbi të majtën kur të ngrihesh nga rukuja, njësoj si i vendos kur qëndron në këmbë. Argument për këtë është hadithi i nxjerrë nga Buhariu, ku thuhet se Sehl ibën Sead ka thënë: “Njerëzit urdhëroheshin që burri të vendoste dorën e tij të djathtë mbi parakrahun e të majtës, në namaz.”[3]

Të shohim; A është për qëllim këtu kur ishin në sexhde? Apo kur ishin në ruku apo kur uleshin?

Jo, por ka qëllim kur ishin në këmbë, dhe kjo përfshin qëndrimin në këmbë para rënies në ruku dhe pas ngritjes nga rukuja.

Por nga mospajtim mes dijetarëve ne nuk duhet të marrim shkas për grindje dhe përçarje, sepse që të gjithë ne kërkojmë hakun dhe secili ka vepruar atë përfundim që ka arritur me ixhtihadin e tij. Përderisa është kështu, atëherë nuk lejohet që prej kësaj të marrim shkas për armiqësi dhe përçarje mes dijetarëve, sepse dijetarët do të vazhdojnë të kenë mendime të ndryshme nga njëri-tjetri, madje që në kohën e Pejgamberit (salallahu alejhi ue selem).

Pra, obligimi i nxënësve të dijes është që të jenë një dorë e vetme dhe nga ky mospajtim të mos marrin shkas për largim nga njëri-tjetri dhe urrejtje të njëri-tjetrit, por obligimi në rastin kur e kundërshton shokun tënd bazuar në argumentin që ked he ai të kundërshton ty me argumentin e tij, obligimi në këtë rast është që ta vendosni veten tuaj në të njëjtën rrugë dhe dashuria mes jush të shtohet.

Ndaj ne i duam dhe i përgëzojmë të rinjtë tanë të cilët tashmë kanë drejtim të fortë në vendosjen e çështjeve përballë argumenteve dhe në ndërtimin e dijes së tyre sipas Librit të Allahut dhe sunetit të Pejgamberit (salallahu alejhi ue selem). Mendojmë se kjo është diçka e hajrit dhe se kjo na përgëzon me hapjen e dyerve të dijes nga rrugët e sakta të saj, dhe nuk duam që ata ta marrin këtë gjë shkas për ndarje në parti dhe urrejtje mes tyre, ndërsa Allahu i ka thënë Pejgamberit të Tij (salallahu alejhi ue selem): “Vërtet ata që e ndajnë fenë e tyre dhe shpërndahen në sekte e grupe ti (O Muhammed) nuk ke aspak të bësh me ta. Puna e tyre është vetëm me Allahun i Cili paskësaj do t’u tregojë atyre çfarë ata vepronin.” [El Enam, 159].

Ata të cilët e fusin veten e tyre në parti dhe bëhen partiakë (të njëanshëm), ne nuk i aprovojmë ata në këtë gjë sepse partia e Allahut është vetëm një parti, dhe mendojmë se mospajtimi në kuptim nuk duhet të ketë rezultat largimin e njerëzve nga njëri-tjetri dhe as shkeljen e të drejtave të vëllait tënd.

Prandaj, është detyrë e nxënësve të dijes që të jenë vëllezër, edhe nëse nuk pajtohen në disa çështje dytësore, dhe secili prej tyre ta thërrasë tjetrin me qetësi dhe dialog nga i cili kërkohet Fytyra e Allahut dhe arritja tek dija. Kështu arrihet harmonia dhe hiqet ky ankth dhe dhunë që ekziston tek disa njerëz, të cilët arrijnë deri atje sa që grinden dhe bëhen armiq të njëri-tjetrit, gjë e cila padyshim që i gëzon armiqtë e muslimanëve.

Grindja mes ymetit musliman padyshim që është e keqja më e madhe që ekziston në dëm të tij. Allahu i Madhëruar thotë: “Bindjuni edhe Allahut edhe të Dërguarit të Tij, mos u kundërshtoni (me njëri-tjetrin) që të mos humbni kurajon dhe të mos ju lënë fuqitë dhe jini të duruar e të qetë. Vërtet që Allahu është me të duruarit.”[El Enfal, 46].

Edhe sahabet (radiallahu anhum) kishin mospajtim për çështje të tilla, por megjithatë ata ishin në një zemër, në dashuri dhe harmoni me njëri-tjetrin.

Madje unë iu them qartë se në të vërtetë ai i cili të kundërshton ty i bazuar në argumentin që ka, ai në fakt është pajtuar me ty; pasi që secili nga ju dy kërkon të vërtetën dhe si rrjedhojë qëllimi është një: njohja e të vërtetës me argument. Pra ai nuk të ka kundërshtuar ty përderisa ti e pohon se ai të kundërshtuar për shkak të argumentit që ka. Atëherë ku është kundërshtimi këtu?

Nëse ecet sipas kësaj rruge, ymeti musliman mbet një ymet i vetëm, edhe pse nuk pajtohen në disa çështje për shkak të argumentit që ka secili.

Por, ai që bën kokëfortësi dhe mendjemadhësi pas shfaqjes dhe qartësimit të së vërtetës, padyshim se me të duhet sjellë ashtu si e meriton, pas kokëfortësisë dhe kundërshtimit të tij. Pra, sipas vendit (rastit dhe personit) thuhet fjala (jepet gjykimi).

 

5. Të punuarit me dijen:

 D.m.th. që nxënësi i dijes duhet të punojë me dijen e tij në akide dhe në adhurime, në morale, sjellje dhe marrëdhënie me njerëzit, sepse këto janë frytet e dijes dhe rezultatet e saj. Mbartësi i dijes është si mbartësi i armës; ose me të ose kundër tij. Ndaj ka ardhur në hadith se Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Kurani është argument për ty ose kundër teje.”[4]

D.m.th. Kurani është argument për ty nëse punon me të, dhe kundër teje nëse nuk punon me të.

Po kështu duhet punuar sipas asaj që është përcjellë nga Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem); që t’i besosh njoftimet e tij dhe të zbatosh dispozitat.

Kur të vjen një lajm nga Allahu dhe i Dërguari i Tij, besoje atë dhe pranoje me dëshirë dhe dorëzim, dhe mos thuaj: Përse? Si? Sepse kjo është rruga e mosbesimtarëve. Allahu i Madhëruar thotë: “Kur Allahu dhe i Dërguari i Tij kanë vendosur për një çështje, nuk i takon asnjë besimtari dhe asnjë besimtareje që në vendimin e tyre të bëjnë ndonjë zgjidhje tjetër. Dhe kushdo që nuk i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij, padyshim që ka humbur në gabim të qartë.” [El ahzab, 36].

Edhe sahabëve ndodhte që Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) t’u thoshte gjëra të cilat ishin të panjohura dhe larg perceptimit të tyre, por megjithatë ata i prisnin ato me pranim dhe nuk thoshin: Përse? Si?

Ndryshe nga këta njerëzit e fundit të këtij ymeti, ku gjejmë që kur dikujt prej tyre i tregohet një hadith nga hadithet e Pejgamberit (salallahu alejhi ue selem), për të cilin mendja e tij bëhet konfuze (dyshon), e gjejmë atë të sjellë komentime e gjëra të paqëna, të cilat zbulojnë se ai kërkon të kundërshtojë dhe jo të udhëzohet, ndaj edhe vendoset pritë mes tij dhe suksesit, deri sa ta kundërshtojë atë që ka ardhur nga Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem), sepse ai nuk e priti atë me pranim dhe dorëzim.

Për këtë po sjell një shembull: Është përcjellë nga Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) se ai ka thënë: “Zoti ynë zbret në qiellin e kësaj dynjaje kur ka mbetur edhe një e treta e fundit e natës, dhe thotë: Kush është ai që më lutet Mua, që t’i përgjigjem lutjes së tij? Kush është ai që më kërkon Mua, që t’i jap atij? Kush është ai që më kërkon falje Mua, që Unë t’ja fal atij?”[5]

Këtë hadith e ka thënë Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) dhe ai është hadith “Meshhur” (i njohur, i përhapur) madje është hadith “Mutevatir” (i përcjellë nga grup i madh transmetuesish), dhe askush nga sahabet nuk e ka ngritur gjuhën e tij dhe të thotë: “O i Dërguari i Allahut! Si zbret?” “A mbet Arshi bosh kur Ai zbret apo jo?” Si dhe pyetje të ngjashme me këto.

Ndërsa sot gjejmë njerëz të thonë gjëra të tilla: Si mund të vazhdojë të jetë mbi Arsh kur zbret në qiellin e dynjasë? Si dhe fjalë të tjera kundërshtuese që sjellin.

Por nëse ata do ta pritnin me pranim këtë hadith dhe të thoshin se Allahu i Madhëruar qëndron mbi Arshin e Tij dhe lartësia është prej domosdoshmërisë së Vetes së Tij, dhe se Ai zbret ashtu si dëshiron –i Madhëruari-, atëherë do t’i hiqeshin këto dyshime dhe nuk do të bëheshin konfuzë në lajmin e sjellë nga Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem), nga Zoti i tij.

Pra, detyra jonë është që ta presim me pranim dhe dorëzim atë që ka njoftuar Allahu dhe i Dërguari i Tij nga çështjet e fshehta, dhe të mos e kundërshtojmë atë me mendjet tona dhe perceptimet që kemi në lidhje me gjërat materiale dhe të dukshme, sepse e fshehta është diçka mbi këtë, dhe shembujt për këtë gjë janë të shumta, nuk desha t’a zgjas me përmendjen e tyre.

Por qëndrimi i muslimanit në lidhje me hadithe të tilla është që t’i pranojë dhe të dorëzohet para tyre; të thotë se Allahu dhe Pejgamberi i Tij kanë thënë të vërtetën, ashtu si ka njoftuar Allahu në Fjalën e Tij: “I Dërguari (Muhammedi) beson në çfarë i është zbritur atij nga Zoti i tij dhe po kështu edhe besimtarët (besojnë bashkë me të).” [El Bekare, 285].

Akidja (bindja) duhet të jetë e ndërtuar sipas Librit të Allahut dhe sunetit të Pejgamberit të Tij (salallahu alejhi ue selem), dhe njeriu duhet ta dijë se logjika e tij nuk ka vend në të (që ta kundërshtojë apo të shtojë).

Them se për logjikën nuk ka vend në të, për shkak se për tekstet qiellore të ardhura për përsosmërinë e Allahut logjika është dëshmuese edhe pse nuk i percepton në detaje ato që i përkasin Allahut në përsosmërinë e Tij, por ajo (logjika njerëzore) e percepton se Allahu ka të gjitha cilësitë e përsosura.

Pra, duhet që nxënësi i dijes të punojë me këtë dije të cilën Allahu ia ka dhuruar atij me Mirësinë e Tij, në çështjen e akides.

Po kështu edhe në çështjen e adhurimit të Allahut të Madhëruar, siç e dinë shumë prej nesh, adhurimi ndërtohet mbi dy çështje kryesore:

1. Sinqeriteti për Hir të Allahut të Madhëruar.

2. Pasimi i Pejgamberit (salallahu alejhi ue selem).

Njeriu duhet ta ndërtojë adhurimin e tij sipas asaj që ka ardhur nga Allahu dhe i Dërguari i Tij (salallahu alejhi ue selem), dhe të mos shpikë në fenë e Allahut diçka që nuk është prej saj; as në origjinën e adhurimit dhe as në cilësitë e tij, andaj ne themi: Adhurimi duhet të jetë i vërtetuar me sheriat në formën e tij, vendin e tij, kohën e tij dhe shkakun e tij. Pra, adhurimi duhet të jetë i vërtetuar me sheriat në të gjitha këto.

Sikur dikush të sjellë diçka prej shkaqeve të një lloj adhurimi të caktuar për të adhuruar Allahun me të, pa pasur argument, atëherë ia kthejmë mbrapsht atij këtë gjë dhe i themi: Kjo është e papranueshme, sepse duhet patjetër që të vërtetohet se ky shkak është për këtë adhurim, përndryshe nuk pranohet.

Sikur dikush të bëjë të lejuar një lloj adhurimi i cili nuk ka ardhur në sheriat, ose sjell diçka e cila ka ardhur në sheriat por në një formë të shpikur nga ai, apo në një kohë të shpikur nga ai, këtij i themi se kjo gjë të kthehet mbrapsht, pasi që adhurimi duhet të jetë i ndërtuar sipas asaj që ka ardhur në sheriat, sepse kjo është domethënia e asaj që Allahu të ka mësuar ty prej dijes, që të mos e adhurosh Allahun veçse me atë që Ai ka bërë të ligjshme.

Prandaj dijetarët thonë se origjina në adhurime është ndalimi deri sa të vijë argument për lejueshmërinë e tij, duke u argumentuar me Fjalën e Allahut: “Apo kanë ata shokë e të barabartë me Allahun (zota të rremë të tyre) të cilët kanë themeluar e përcaktuar për ta ndonjë fe të cilën nuk e ka urdhëruar e përcaktuar Allahu?” [Esh Shura, 21].

Si dhe me fjalën e Pejgamberit (salallahu alejhi ue selem), të ardhur në hadith të saktë nga Aisha (radiallahu anha): “Kushdo që vepron diçka e cila nuk është sipas rrugës sonë, ajo është e refuzuar.”[6]

Edhe sikur të jesh i sinqertë dhe të kesh për qëllim afrimin tek Allahu dhe tek shpërblimi i Tij, por e bën këtë me rrugë jo të ligjëruar, kjo të kthehet mbrapsht. Edhe sikur ti të duash të arrishë tek Allahu me anë të një rruge të cilën Allahu nuk e ka bërë rrugë për të arritur tek Ai, kjo gjë të kthehet mbrapsht.

Kështu që obligimi i nxënësit të dijes është që t’a adhurojë Allahun e Madhëruar me atë që ka mësuar nga sheriati, pa shtuar dhe pa hequr gjë prej ti. Të mos thotë se kjo gjë me të cilën desha të adhuroj Allahun është diçka me të cilën më qetësohet zemra dhe më hapet gjoksi. Këtë gjë nuk duhet ta thuash kurrë, edhe sikur të ndodhë vërtetë ajo gjë, por ta peshojë atë me peshoren e sheriatit; nëse për atë vepër dëshmon Kurani dhe Suneti, e mirëpresim, përndryshe njeriut mund t’i zbukurohet vepra e tij e keqe: “A është ai pra, të cilit e keqja e veprave të veta i duket sikur është e mirë, saqë ai e quan atë të mirë (njësoj me atë që është i udhëzuar drejt)? Vërtet që Allahu humb atë që Ai do dhe udhëzon atë që Ai do …” [Fatir, 8].

Po kështu, duhet që nxënësi i dijes të punojë me dijen e tij në sjelljet dhe marrëdhëniet me njerëzit. Dija fetare fton në të gjitha moralet e larta të sinqeritetit, mbajtjes së fjalës, dëshirimit të së mirës për besimtarët, sa që Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Askush prej jush nuk beson deri sa të dojë për vëllanë e tij atë që dëshiron për vete.”[7]

Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) gjithashtu ka thënë: “Kush dëshiron që të largohet prej zjarrit (të xhehenemit) dhe të hyjë në xhenet, le t’i vijë vdekja duke qenë se ai beson në Allahun dhe në botën tjetër, dhe të sillet me njerëzit ashtu si dëshiron të sillen me të.”[8]

Shumë prej njerëzve kanë xhelozi dhe dashuri për të mirën, por nuk sillen mirë me njerëzit. I gjejmë ata të jenë të ashpër dhe të dhunshëm edhe në thirrjen në fenë e Allahut, gjë e cila është në kundërshtim me moralet që ka urdhëruar Allahu i Madhëruar.

Dije se morali i mirë është prej gjëravë që të afrojnë tek Allahu i Madhëruar dhe se njerëzit më të afërm tek Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) dhe më pranë tij në gradë janë ata që e kanë moralin më të mirë, siç ka thënë Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem): “Me të vërtetë, nga më të dashurit prej jush tek unë dhe më pranë meje në ditën e kiametit janë ata që kanë moralin më të mirë nga ju. Dhe me të vërtetë se më të urryerit prej jush tek unë dhe më larg meje në ditën e kiametit janë llafazanët, dënglamëshenjtë dhe mutefejkahunët.” –Thanë: O i Dërguari i Allahut! E dimë se cilëtr janë llafazanët dhe dënglamëdhenjtë, po mutefejkahunët cilët janë? –”Mendjemëdhenjtë” –tha ai (salallahu alejhi ue selem).[9]

 

6. Thirrja në fenë e Allahut

 Vijon … 


[1] E ka nxjerrë Imam Ahmedi (2/338), Ebu Daudi, Ibën Maxheh, El Hakim në Mustedrak (1/160), Ibën Ebi Shejbeh në “El Musanef”. El Hakim ka thënë: “Ky hadith është i saktë dhe zinxhiri i transmetuesve të tij janë të besueshëm”.

[2] E ka nxjerrë Buhariu (Kitabul Enbija).

[3] E ka nxjerrë Buhariu (Kitabu Sifatu es salat).

[4] E ka nxjerrë Muslimi (Kapitulli i Abdesit).

[5] E ka nxjerrë Buhariu (Kitabu et Tehexhud) dhe Muslimi (Kitabu Salatu el Musafirin).

[6] E ka nxjerrë Muslimi (Kitabul Ekdije).

[7] E ka nxjerrë Buhariu (Kitabul Iman) dhe Muslimi (Kitabul Iman).

[8] E ka nxjerrë Muslimi (Kitabul Imara).

[9] E ka nxjerrë Tirmidhiu (Kitabu el Biru ues sileh), Imam Ahmedi me tekst të përafërt, Begaviu në “Sherhus Suneh” dhe Hejthemi në “Mexhma ez Zevaid”, dhe ka thënë (ky i fundit): “Këtë hadith e ka nxjerrë Ahmedi dhe Taberani, dhe transmetuesit e Ahmedit janë burra të hadithit të saktë.”