Domethënia e xhihadit dhe gjykimi i tij në Islam

Shkëputur nga libri: “Rregullat e Xhihadit te Ibën Tejmije dhe praktikimet e tij bashkëkohore”

Autor: Hasen Abdurrahman Husejn Vehdan

Kontrolluar dhe shikuar nga shejh Meshhur Hasen Al Selman

Përktheu: Bledar Albani


Domethënia e Xhihadit[1]:

Rrënja e fjalës “xhihad” vjen nga “el xhehd” që do të thotë: mund dhe lodhje, ose nga “el xhuhd”, që do të thotë: fuqi dhe takat.

Ndërsa në kuptimin terminologjik të sheriatit Islam, xhihadi përdoret me kuptim të përgjithshëm dhe me kuptim të përveçëm.

Xhihadi në kuptimin e përgjithshëm është: “Dhënia e mundit dhe përpjekja me të gjitha forcat për arritjen e të vërtetës dhe shtytjen e asaj që urrehet nga e vërteta.”

Në këtë kuptim ka ardhur edhe Fjala e Allahut: “Thuaj: Nëse e doni Allahun, atëherë më pasoni mua që t’ju dojë Allahu…” [Al Imran, 31].

Ibën Tejmija (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) urdhëron për ato që do Allahu dhe ndalon nga ato që urren Allahu, vepron ato që do Allahu dhe njofton për ato gjëra të cilat duhen besuar. Kështu që, kush e do Allahun, duhet detyrimisht që të pasojë të Dërguarin e Tij (salallahu alejhi ue selem); ta besojë atë në gjërat që ka njoftuar, t’i bindet në gjërat që ka urdhëruar, ta marrë për shembull në ato që ka vepruar. Kush i bën këto, ai ka bërë atë që do Allahu dhe kështu që Allahu do e dojë atë. Pra, Allahu ka vënë dy shenja për dallimin e atyre që e duan Atë:

  1.        Pasimi i Pejgamberit (salallahu alejhi ue selem)
  2.        Dhe Xhihadi në Rrugën e Allahut

Kjo, sepse esenca e xhihadit është: “Përpjekja për arritjen e asaj që do Allahu prej besimit dhe veprës së mirë, dhe për shtytjen e asaj që Allahu e urren prej mosbesimit dhe kundërshtimit të Urdhrit të Tij.”[2]

Ibën Tejmija, Allahu e mëshiroftë, jep edhe një përkufizim tjetër për xhihadin në kuptimin e përgjithshëm, duke thënë: “Xhihadi është prej plotësimit të urdhërimit për mirë dhe ndalimit nga e keqja, dhe përderisa është kështu, atëherë dihet se urdhërimi për mirë dhe ndalimi nga e keqja, dhe plotësimi i kësaj me xhihadin është e mira më e madhe për të cilën jemi urdhëruar.”[3]

Xhihadi në kuptimin e përveçëm:

Në librat e medhhebeve të ndryshme të fikhut, gjejmë:

  1.        Malikitë dhe Shafiitë e përkufizojnë xhihadin me fjalën: “Luftimi i mosbesimtarëve deri sa të bëhen muslimanë.”[4]
  2.        Hanefitë thonë: “Xhihadi është xhihadi i mosbesimtarëve, d.m.th. thirrja e tyre në fenë Islame, edhe nëse ata nuk pranojnë.”[5]
  3.        Hanbelitë thonë: “Xhihadi vjen nga rrënja e fjalës “xhahede” –luftoi dhe u përpoq, kur e lufton shumë armikun.”

Ndërsa Ibën Tejmije, Allahu e mëshiroftë, në përkufizimin e xhihadit me kuptimin e veçantë, thotë: “Kush i lufton mosbesimtarët prej muslimanëve, me shpatë, apo me shigjetë, gurë e shkopinj, ai është muxhahid në rrugën e Allahut.”[6]

Prej këtyre përkufizimeve të xhihadit në kuptimin terminologjik Islam, na bëhet e qartë se kuptimi gjuhësor bashkohet me atë terminologjik në dhënien e mundit dhe përpjekjes me të gjitha forcat, por në kuptimin termilogjik dallojmë se xhihadi është dhënia e mundit në ndihmë të fesë Islame dhe asgjëje tjetër, si dhe ruajtja e saj duke thirrur në të dhe duke ua sqaruar atë njerëzve së pari, dhe pas kësaj, xhihadi bëhet me shpatë dhe jo me fjalë.

Ndërsa tek Ibën Tejmije, Allahu e mëshiroftë, fjala “xhihad” përfshin të gjitha llojet e përpjekjes dhe mundit, si dhe shfrytëzimin e të gjitha mjeteve të lejuara, për të shkaktuar atë ndryshim që kërkon thirrja në fenë e Allhut për të zënë vend te njerëzimi.[7]

Ndërsa me kuptimin e përgjithshëm, tek Ibën Tejmija, xhihadi është luftimi i vetvetes dhe i shejtanit për t’ju bindur Allahut dhe për t’ju larguar ndalesave të Tij. Dhe po kështu, me kuptimin e përgjithshëm, xhihadi përfshin luftimin e mosbesimtarëve dhe hipokritëve me prova dhe sqarime, si dhe luftimin e ndjekësve të bidateve dhe të këqiave me dorë, me gjuhë ose me zemër, sipas mundësisë.”

Nga përkufizimet e mësipërme, gjejmi se xhihadi i mosbesimtarëve paraprihet nga faza dhe shkallë të shumta, siç është luftimi i shejtanit, i epsheve dhe dëshirave vetjake.

Ibnul Kajim, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Kam dëgjuar shejhun tonë (Ibën Tejmijen) të thotë: “Luftimi i vetvetes dhe i dëshirave të saj është baza e luftimit të mosbesimtarëve dhe hipokritëve, sepse askush nuk mundet t’i luftojë ata pa e luftuar veten dhe epshet e tij para se të dalë për të luftuar ata.”[8]

Pra, qëllimi i xhihadit është që të mos adhurohet asgjë tjetër përveç Allahut, të mos lutet askush tjetër përveç Atij, të mos kryhet falja për askënd tjetër përveç Tij… Që e gjithë feja të jetë vetëm për Allahun, dhe fjala e Allahut të jetë më e larta, d.m.th. të mos adhurohet askush dhe asgjë tjetër përveç Allahut, ndërsa adhurimet e të tjerëve të jenë të mposhtura e të eliminuara. Po kështu edhe zbatimi i dënimit për lënien e obligimeve dhe kryerjen e të ndaluarave është nga qëllimet e xhihadit.

Gjykimi i xhihadit[9]:

Fjala e njohur e të gjithë dijetarëve në lidhje me gjykimin përfundimtar të xhihadit është se xhihadi është farz kifaje – detyrim kolektiv: të cilin e mbartin ata muslimanë që ngrihen me të për të gjithë të tjerët.[10]

Imam  Shafiu, Allahu e mëshiroftë, thotë në librin “El Umm”, 4/176: “Allahu i Madhëruar thotë: “Lufta ju është bërë e detyrushme.” [El Bekare, 216]. Po kështu, lufta është bërë e detyrueshme në disa ajete; prandaj obligueshmëria e xhihadit mund të merrej si obligueshmëria e namazit etj, por mund të merret edhe në përgjithësi, por Libri i Allahut dhe Suneti i të Dërguarit të Tij ka sqaruar se obligueshmëria e xhihadit është në atë mënyrë që të ngrihet me të aq sa mjafton për përballimin e tij, me kusht që të plotësohen dy kushte:

  1.        Që të ketë kush e ndalon kanosjen e armikut dhe frikën për muslimanët.
  2.        Që të luftojnë prej muslimanëve aq sa mjaftojnë për t’i bërë ball armikut, deri sa politeistët të pranojnë Islamin, ose ithtarët e Librit të japin xhizjen.

Nëse këtë gjë e bëjnë aq muslimanë sa mjaftojnë për përballimin e tij, atëherë të tjerët që nuk luftojnë me ta, dalin nga gjynahu (nuk marrin gjynah), por e mira ju dedikohet atyre që luftuan mbi ata të cilët nuk luftuan, siç thotë Allahu i Madhëruar: Nuk janë të njëjtë ata besimtarë që rrinë në shtëpitë e tyre, përveç të paaftëve, me ata që luftojnë në rrugën e Allahut me pasurinë dhe jetën e tyre. Allahu i ngre një shkallë më lart ata që kanë luftuar me pasurinë dhe jetën e tyre kundrejt atyre që kanë ndenjur në shtëpitë e veta. Ai u ka premtuar të gjithëve mirësi, por i ka dalluar ata që luftojnë mbi ata që nuk luftojnë me shpërblim të madh.” [En Nisa, 95].

Pra, në ajet sqarohet se Allahu i ka premtuar të mira edhe atyre që rrinë në shtëpitë e tyre pa ndonjë arsye paaftësie, dhe se ata nuk marrin gjynah me qëndrimin e tyre, pasi që ata janë besimtarë dhe nuk qëndruan pa shkuar në luftë nga dyshimi apo qëllimi i keq, edhe pse e kanë lënë dobinë dhe vlerën që arrijnë duke shkuar në luftë.”

Imam Shafiu vazhdon të thotë: “Nuk ka pasur luftë prej luftërave që ka bërë pejgamberi salalallahu alejhi ue selem, veçse ka pasur muslimanë që nuk kanë marrë pjesë në to. Kur bëri luftën e Bedrit, shumë burra të njohur nuk morën pjesë në të, po kështu edhe në çlirimin Mekës e në luftra të tjera. Në luftën e Tebukut, kur po përgatiste ushtrinë për të luftuar kundër Romakëve, Pejgamberi tha: “Në çdo dy burra të dalë njëri, dhe ata që do të qëndrojnë, të përkujdesen për familjen dhe pasurinë e atij që do shkojë në luftë.” Pra, obligueshmëria e xhihadit është ashtu si e cilësova: ata që luftojnë i nxjerrin nga gjynahu ata që nuk luftojnë përderisa janë të mjaftueshëm, dhe nëse nuk shkon askush të luftojë, atëherë të gjithë marrin gjynah.” (Mbaroi fjala e imam Shafiut).

Ibën Tejmije, Allahu e mëshiroftë, thotë gjithashtu se xhihadi është farz kifaje, përveç në raste të veçanta të cilat i kanë përmendur dijetarët e fikhut, raste kur xhihadi bëhet obligim individual mbi çdo musliman, dhe ato raste janë:

  1.        Kur muslimanët janë në front përballë armikut ose kanë rrethuar ndonjë kështjellë, askujt prej atyre që janë prezent nuk i lejohet të largohet nga lufta, deri sa ta marrin atë. Argumenti për këtë është Fjala e Allahut: “O ju që keni besuar! Kur të përballeni në luftë me ata të cilët kanë mohuar, mos ua ktheni shpinën atyre (mos dezertoni).” [El Enfal, 15].
  2.        Kur armiku mësyn një vend musliman. Ibën Tejmije thotë: “Por nëse armiku sulmon, atëherë nuk ka më kundërshtim; shtytja e dëmit të tyre nga feja, jeta dhe nderi është i detyrueshëm unanimisht. Lufta mbrojtëse është lloji më i madh i shtytjes së grabitqarit që sulmon nderin dhe fenë, kështu që ajo është vaxhib unanimisht. Pas besimit, nuk ka gjë më të detyrueshme se shtytja e sulmuesit i cili prish fenë dhe dynjanë.”[11] Ndërsa në një vend tjetër thotë: “Nëse armiku synon të sulmojë muslimanët, atëherë shtytja e tij bëhet detyrim i të gjithë të synuarve, ndërsa muslimanët e tjerë e kanë detyrim t’i ndihmojnë ata, siç thotë Allahu i Madhëruar: “E, nëse ju kërkojnë që t’i ndihmoni për çështjen e fesë, atëherë jeni të detyruar t’u dilni në ndihmë, përveçse (kur ju duhet të luftoni) kundër një populli me të cilin keni marrëveshje.” [El Enfal, 72].
  3.        Kur prijësi i muslimanëve dërgon në luftë një person apo grup të caktuar, këta përsona të caktuar e kanë detyrim që t’i përgjigjen urdhrit të tij, sepse Pejgamberi (salalallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Kur t’u kërkohet të dilni për luftë (nga prijësi), atëherë dilni.”[12] Pejgamberi gjithashtu ka thënë: “Muslimani e ka detyrim dëgjimin dhe bindjen (ndaj prijësit) për gjërat që do dhe ato që i urren, përveç nëse urdhërohet për vepër të ndaluar, në këtë rast nuk ka dëgjim dhe as bindje.”
  4.        Luftëtarët me pagesë, të cilëve u jepet plaçka e luftës kundrejt luftës që bëjnë.
  5.        Kur kampi ushtarak ka nevojë që të dërgojë një grup tregtarësh për të shitur plaçkat që nuk mund t’i mbartin me vete, ai grup e ka detyrim që të dalë.
  6.        Po kështu, prijësi ka të drejtë që t’ia ngarkojë luftën një grupi të caktuar dhe t’i urdhërojë ata që të udhëtojnë në një vend tjetër për të. Ai ka të drejtë gjithashtu që të urdhërojë disa njerëz që të mësojnë dijen, të tjerë i cakton për të qenë mëkëmbës të tij në vende të ndryshme. Bindja ndaj imamit të drejtë është detyrim, kur nuk dihet të urdhërojë për diçka të ndaluar, ndërsa bindja ndaj imamit të padrejtë është gjithashtu detyrim kur dihet se vepra për të cilën urdhëron është bindje ndaj Allahut, siç është xhihadi.”[13]

 


[1] Shkëputur nga libri “Rregullat e Xhihadit te Ibën Tejmije dhe praktikimet e tij bashkëkohore”; autor: Hasen Abdurrahman Husejn Vehdan, kontrolluar dhe shikuar nga shejh Meshhur Hasen Al Selman.

[2] “Mexhmuul Fetava”, 10/91, 210.

[3] “Mexhmuul Fetava”, 28/126, 35/160, “El Istikame”, 2/209.

[4] “Ianetu et Talibin”, Ed Dimjati, 4/180.

[5] “Bedaiu es Sanaii”, El Kesani, 7/97.

[6] “Mexhmuul Fetava”, 28/316.

[7] “Xhihadi, fushat dhe mënyrat e tij”, Muhamed Naim Jasin, f.6.

[8] “Raudatu el Muhibin”, i Ibnul Kajim, f. 478.

[9] Shkëputur nga libri :“El Inxhad fi Ebvabi el xhihad”, Muhamed ibën Isa el Ezdi el Kurtubi, dhe nga libri: “Rregullat e Xhiahdit te Ibën Tejmije dhe praktikimet e tij bashkëkohore”; autor: Hasen Abdurrahman Husejn Vehdan.

[10] “El Inxhad fi Ebvabi el xhihad”, Muhamed ibën Isa el Ezdi el Kurtubi, 1/27.

[11] “Mexhmuul Fetava”, 4/465,466.

[12] Buhariu 2/651, 1025, Muslimi 19/123, etj.

[13] “Mexhmuul Fetava”, 29/196.