DIJA

Përkufizimi i saj, vlera e saj

dhe gjykimi për kërkimin e saj

Autor

Muhamed ibën Salih el Uthejmin

(Allahu e mëshiroftë!)

Përktheu: Bledar Albani

Kapitulli i parë

Përkufizimi i dijes

Në kuptimin gjuhësor, dija është e kundërta e injorancës. Përkufizimi i saj mund të ishte kështu: “Perceptimi i diçkaje ashtu si është në realitet me një perceptim të sigurtë.”

Ndërsa në kuptimin terminologjik, disa dijetarë kanë thënë se dija është të njohurit, e cila është e kundërta e injorancës. Ndërsa disa të tjerë thonë: Dija është më e qartë se sa të pasurit nevojë për përkufizim.

Por ajo që na intereson neve është dija fetare, d.m.th: “Dija të cilën Allahu ia zbritur të Dërguarit të Tij prej provave dhe udhëzimeve.”

Pra, dija e lavdëruar dhe pozitive është dija e Shpalljes, dija të cilën e ka zbritur Allahu. I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Atij të cilit Allahut i do të mirën, Ai i jep atij kuptim (dije) në Fe.”[1]

Ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) gjithashtu thotë: “Pejgamberët nuk kanë lënë trashëgimi ar e argjend, por kanë lënë dijen dhe kushdo që e merr atë, ai ka trashëguar një pasuri të madhe.”[2]

Dhe siç dihet, ajo që kanë lënë trashëgimi Pejgamberët është dija rreth Sheriatit të Allahut të Madhëruar dhe jo ndonjë dije tjetër. Pejgamberët (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi ta!) nuk u kanë lënë trashëgim njerëzve shkencat e industrisë e çfarë lidhet me të. Madje kur i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) emigroi në Medine dhe i gjeti njerëzit që t’i pllenonin palmat, kur pa lodhjen e tyre për kryerjen e kësaj gjëje, ai u tha atyre një fjalë nga e cila kuptohet se nuk ishte nevoja për atë që bënin ata me palmat, kështu që ata e lanë plenimin e tyre, por më pas palmat filluan të prishen, atëherë ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) u tha atyre: “Ju jeni më të ditur për çështjet e dynjasë tuaj.”[3]

E sikur kjo lloj njohurie të ishte nga lloji i dijes së lavdëruar, atëherë i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) do të ishte më i dituri i njerëzve në të, pasi që më i shumti njeri i cili lavdërohet për dijen dhe punën është i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!).

Kështu që, dija fetare është ajo dije e cila është e lavdëruar dhe poseduesi is ë cilës gjithashtu lavdërohet.

Mëgjithatë, unë nuk e mohoj faktin se edhe njohuritë e tjera kanë vlerë dhe dobi, por dobia e tyre është me dy prerësa: nëse ajo ndihmon në arritjen e bindjeve ndaj Allahut, në ndihmën e Fesë së Tij dhe u bën dobi robëve të Allahut, atëherë kjo është diçka e mirë dhe e dobishme për njerëzit. Të mësuarit e kësaj dijeje, në disa raste mund të jetë i obligueshëm, nëse ajo përfshihet në Fjalën e Allahut të Madhëruar: “Dhe përgatisni kundër tyre gjithë fuqitë që keni, bashkë me kalorësinë…” [El Enfal: 60].

Shumë dijetarë kanë thënë se të mësuarit e shkencave të ndryshme të industrisë e të tjera, është detyrë e përgjithshme (farz kifaje – detyrim mbi një pjesë të mjaftueshme individësh të një shoqërie të caktuar). Kjo sepse njerëzit kanë nevojë patjetër për enë gatimi dhe pirjeje, si dhe shumë gjëra të tjera të nevojshme për jetën e tyre të përditshme, e nëse nuk gjenden njerëz të aftë për ngritjen e atyre industrive, atëherë të mësuarit e kësaj dijeje është farz kifaje.

Kjo në fakt është pikë në të cilën dijetarët kanë kundërshtime, por megjithatë unë desha të them se dija e lavdëruar është dija fetare, e cila është të kuptuarit dhe të mësuarit e Librit të Allahut dhe Sunetin e të Dërguarit të Tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!). ndërsa fushat e tjera të dijes mund të jetë mjet për arritjen e të mirës ose të keqes, kështu që gjykimi për të është në varësi të përdorimit të asaj dijeje të caktuar.

 

Kapitulli i dytë

Vlera e dijes

Allahu i Madhëruar e ka lavdëruar dijen dhe poseduesit e saj, dhe i ka nxitur robët e Tij që të mësojnë dijen dhe të shtojnë sa më shumë nga ajo. Po kështu edhe në Sunetin e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) gjejmë nxitje dhe lavdërim për këtë.

Dija është prej veprave më të mira dhe më i miri e më madhështori adhurim, nga adhurimet vullnetare, pasi që ajo është një lloj xhihadi në Rrugë të Allahut, sepse Feja e Allahut është ngritur mbi dy gjëra:

1. Dija dhe prova

2. Lufta dhe shtiza

Këto dy gjëra janë të domosdoshme dhe pa to, Feja nuk mund të ngrihet e të triumfojë, veçse më të dyja ato së bashku.

E para prej tyre është paraprirëse e të dytës, për këtë shkak i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) nuk e sulmonte ndonjë popull (vendbanim) veçse pasi t’u komunikonte atyre thirrjen për tek Allahu dhe Feja e Tij. Pra dija i paraprin luftës.

Allahu i Madhëruar thotë: “A është ai i cili është i nënshtruari i Allahut, i cili bie në sexhde e qëndron në falje gjatë orëve të natës duke pasur frikë botën tjetër dhe duke shpresuar për Mëshirën e Zotit të tij?!” [Ez Zumer: 9].

Pyetja e bërë në këtë ajet duhet patjetër që të ketë plotësuesin e saj, atë me të cilin bëhet krahasimi: “A është ai i cili është i nënshtruari i Allahut, i cili bie në sexhde e qëndron në falje gjatë orëve të natës?” d.m.th: A është ky i njëjtë me atë i cili nuk është i atillë, por pjesa e dytë e fjalisë nuk është përmendur, për arsye se ajo është i ditur, nënkuptohet. Pra, a është i njëjtë ai i cili i nënshtrohet Allahut dhe falet për të gjatë natës duke pasur frikë botën tjetër dhe duke shpresuar Mëshirën e Allahut, a është ky njësoj me atë i cili është kryeneç në bindjen ndaj Allahut?!

Përgjigja për këtë është: “Jo, nuk janë njësoj.”

Po vepra e këtij i cili i është nënshtruar Allahut, shpreson shpërblimin e Tij dhe ka frikë botën tjetër, a është vepra e tij rezultat i dijes apo rezultat i injorancës?

Përgjigja për këtë është: Sigurisht që rezultat i dijes, pasi që në vazhdim të ajetit, Allahu i Madhëruar thotë: “Thuaj: “A janë ata që dinë njësoj me ata që nuk dinë?” (Jo) Por janë vetëm njerëzit me arsye të shëndoshë ata të cilët me të vërtetë përkujtojnë.” [Ez Zumer: 9].

Ai që di nuk është njësoj me atë që nuk di, ashtu si nuk është njësoj i gjalli me të vdekurin, ai që dëgjon me të shurdhërin, ai që sheh me të verbërin.

Dija është dritë me të cilën Allahu e udhëzon njeriun dhe e nxjer atë nga errësira në dritë.

Me dijen, Allahu ngre atë që Ai do nga krijesat e Tij: “…që Allahu t’i lartësojë ata të cilët besojnë dhe ata të cilëve u është dhënë dija në grada të larta.” [el Muaxhadele: 11].

Ndaj i gjejmë dijetarët objekt lavdërimi. Sa herë që ata përmenden, njerëzit i lavdërojnë ata, gjë e cila është ngritje për ta në këtë botë. Ndërsa në botën tjetër, ata do të ngrihen në grada në varësi të mundit që kanë dhënë në thirrjen për tek Allahu i Madhëruar dhe të vepruarit me dijen e tyre.

Robi i vërtetë i Allahut është ai i cili e adhuron Atë me dije të sigurtë dhe me njohje të qartë të së vërtetës. Kjo është rruga e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!): “Thuaj: “Kjo është udha ime. Unë thërras për tek Allahu me dije të sigurt, unë dhe kushdo që më ndjek mua. Lavdi i qoftë Allahut dhe unë nuk jam prej idhujtarëve.” [Jusuf: 108].

Njeriu i cili pastrohet duke e ditur se kjo është udhëzim i Sheriatit, a është ky njësoj si ai i cili pastrohet sepse ka parë babanë apo nënën e tij të pastrohen?

Cili prej këtyre të dyve e vërteton më shumë adhurimin: një njeri i cili pastrohet ngaqë e di se Allahu ka urdhëruar për t’u pastruar dhe se ajo është vepër e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), kështu që pastrohet në zbatim të urdhërit të Allahut dhe në pasim të të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), apo dikush tjetër i cili pastrohet meqë kjo i është bërë zakon?

Përgjigja është: Sigurisht që i pari është ai i cili e adhuron Allahun me dije të sigurt. E si mund të krahason këta dy me njëri-tjetrin?! Megjithëse vepra e secilit prej tyre është e njëjtë, por ky e bën me dije e njohuri të plotë, duke shpresuar tek Allahu dhe me frikë për jetën e botës tjetër, si dhe duke e ndjerë se ai po ndjek shembullin dhe rrugën e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!).

Doja të qëndroja pak në këtë pikë dhe të drejtoja një pyetje: A e ndjejmë dhe e çojmë në mendje kur marrim avdes, se ne jemi duke zbatuar Urdhërin e Allahut, i Cili thotë: “O ju që keni besuar! Kur doni të kryeni faljen, lani fytyrat tuaja dhe duart tuaja (parakrahët) deri në bërryl, kaloni duart e lagura mbi kokat tuaja, lani edhe këmbët deri në nyje (kyçe).” [El Maide: 6].

A e kujton njeriu këtë ajet kur ai merr avdes dhe se ai merr avdes për të zbatuar Urdhërin e Allahut? A e përmend ai se kjo është edhe mënyra e avdesit të të Dërguarit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe se ai po pason të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!)?

Përgjigja është: “Po”. Në fakt disa nga ne e përmend këtë. Kjo është edhe arsyeja për të cilën ne e kemi të detyrueshme që kur kryejmë adhurimet, t’i kryejmë ato me qëllim që të zbatojmë Urdhërin e Allahut, që të realizojmë me këtë sinqeritetin dhe që të jemi pasues të të Dërguarit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!).

Ne e dimë se nga kushtet e avdesit është edhe nijeti (qëllimi), por me të mund të jetë për qëllim vepra, dispozitat e së cilës studiohen në fushën e Fikhut (jurisprudencës), por mund të jetë për qëllim edhe ai për të cilin e kryen atë vepër, kështu që ne duhet të jemi të vëmendshëm për këtë çështje të madhe; d.m.th: kur të kryejmë ndonjë adhurim, të çojmë në mendje se ne jemi duke zbatuar Urdhërin e Allahut , me të cilën gjë vërtetohet sinqeriteti, dhe të çojmë në mendje gjithashtu se këtë vepër e ka kryer edhe i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe ne jemi ndjekës të tij, duke vërtetuar kështu pasimin e tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe të sheriatit të tij.

Kjo, sepse prej kushteve të vlefshmërisë së punëve është: “Sinqeriteti” dhe “Pasimi”. Me këto të dyja vërtetohet dëshmija se nuk të adhuruar tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Allahut.

Tani të kthehemi te ajo që përmendëm në fillim për vlerat e dijes, pasi që me dijen, njeriu adhuron Zotin e tij me dije të sigurt. Zemra e tij lidhet me adhurimin dhe ndriçohet me të, kur ai i vepron ato me idenë se ato janë adhurim dhe jo zakon. Vetëm kështu, nëse njeriu e kryen faljen në këtë mënyrë, atëherë ai e ka të siguruar atë për të cilën ka njoftuar Allahu, se namazi të ndalon nga e vepra e ulët dhe e keqe.

 

Nga vlerat dhe dobitë më të rëndësishme të dijes përmendim:

1. Dija është trashëgimia e lënë nga Pejgamberët, të cilët nuk kanë lënë trashëgimi ar apo argjend, por kanë lënë dijen. Ndaj kush merr nga ajo, ai ka fituar pasuri të madhe nga trashëgimia e Pejgamberëve. Ti që jeton sot në shekullin e pesëmbëdhjetë të hixhretit, nëse merr nga dituria, ti ke trashëguar Muhamedin (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe kjo është nga vlerat më të mëdha të dijes.

2. Dija mbetet ndërsa pasuria zhduket. Ja Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!), ka qenë prej sahabëve të varfër, aq sa rrëzohej nga uria si atij që i bien të fikët. Ju pyes për Allahun, a përmendet kujtimi i Ebu Hurejrës në mësin e njerëzve, në kohën tonë, apo jo? Sigurisht që po, shumë. Dhe Ebu Hurejra ka sevape njësoj si ai i cili përfiton nga hadithet e transmetuara nga ai, pasi që dija mbetet, ndërsa pasuria zhduket. Kështu që, o ti kërkues i dijes, kapu fort në dije, sepse në një hadith nga i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) është transmetuar se ai ka thënë: “Kur njeriu vdes, atij i ndërpriten të gjitha punët, përveç tre gjërave: lëmosha e vazhdueshme (vakefi), dija me të cilën njerëzit përfitojnë dhe fëmija i mirë që bën lutje për të.”[4]

3. Poseduesi i dijes nuk mundohet për ta ruajtur atë, pasi që kur Allahu të furnizon me dije, vendi i saj është zemra dhe nuk ka nevojë për kasafortë e çelës. Ajo ruhet në zemër dhe në shpirt, dhe në të njëjtën kohë ajo është vetë ruajtësja jote, sepse ajo (dija) të ruan nga rreziku, me Lejen e Allahut të Madhëruar. Pra, dija të ruan ty, ndërsa pasurinë duhet ta ruash ti duke e futur në kasaforta të mbyllura me çelësa dhe megjithatë, përsëri nuk je i qetë për sigurinë e saj.

4. Me dije, njeriu arrin të jetë prej dëshmuesve me të vërtetën. Argument për këtë është Fjala e Allahut të Lartësuar: “Allahu dëshmon se nuk ka të adhuruar tjetër (me të drejtë) përveç Atij, edhe engjëjt, edhe ata të cilët posedojnë dije (dëshmojnë gjithashtu). Ai e mban krijimin e Tij në drejtësi të plotë.” [Al Imran: 18].

A mos ka thënë gjë: “Ata që posedojnë pasuri?” –“Jo”, por tha: “dhe ata të cilët posedojnë dije”.

Ndaj të mjafton ty, o kërkues i dijes, që të jesh prej atyre që dëshmuan për Allahun se nuk ka të adhuruar tjetër përveç Tij, bashkë me engjëjt të cilët dëshmojnë për Njësimin e Allahut të Lartëmadhëruar.

5. Dijetarët janë njëri prej dy llojeve të përgjegjësve të çështjeve të muslimanëve, për të cilët Allahu ka urdhëruar që t’u bindesh atyre, në Fjalën e Tij: “O ju që keni besuar! Bindjuni Allahut, bindjuni të Dërguarit të Tij dhe atyre të cilët janë përgjegjës të çështjeve tuaja!” [En Nisa: 59]. Fjala “përgjegjës” në këtë ajet, përfshin përgjegjësit e muslimanëve prej prijësave e pushtetarëve dhe dijetarëve e nxënësve të dijes. Përgjegjësia e dijetarëve është në sqarimin e Sheriatit të Allahut dhe në thirrjen e njerëzve tek Ai, ndërsa përgjegjësia e pushtetarëve është në zbatimin e Sheriatit të Allahut dhe detyrimin e njerëzve për këtë.

6. Poseduesit e dijes janë ata të cilët ngrihen me Çështjen e Allahut të Madhëruar deri sa të bëhet Kijameti. Për këtë argumentohemi me hadithin e transmetuar nga Muavija (Allahu qoftë i kënaqur me të!) i cili ka thënë: Kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) të thotë: “Atij të cilit Allahu i do të mirën, Ai i jep atij kuptim në Fe. Në të vërtetë, unë jam ndarës, ndërsa Allahu është Ai që jep. Dhe ky popull do të vazhdojë të qëndrojë i ngritur me Çështjen e Allahut, dhe nuk do të mund t’i dëmtojnë ata kundërshtarët e tyre, deri sa të vijë Urdhëri i Allahut (Kijameti).”[5]

Ndërsa imam Ahmedi, për këtë grup ka thënë: “Nëse ata nuk janë dijetarët e hadithit, atëherë nuk e di se kush janë.”

Ndërsa Gjykatësi El Ijad (Allahu e mëshiroftë!), ka thënë: “Ahmedi ka pasur për qëllim pasuesit e Sunetit dhe ata që besojnë ashtu si medhhebi (besimi) i dijetarëve të hadithit.”

7. I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) nuk ka nxitur ndokënd për të pasur zili ndokënd tjetër për ndonjë mirësi që i ka dhuruar Allahu, veçse për dy mirësi: 1. Kërkimi i dijes dhe të punuarit me të. 2. Tregtari i cili e jep pasurinë e tij në shërbim të Islamit.

Transmetohet nga Abdullah ibën Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Nuk ka zili (të lejuar) veçse në dy gjëra: një burrë të cilit Allahu i ka dhënë pasuri dhe ai e shpezon atë në hak, dhe një burrë të cilit Allahu i ka dhënë urtësi (dije) dhe ai gjykon me të dhe ua mëson atë të tjerëve.”[6]

8. Ajo që ka ardhur në hadithin e transmetuar nga Ebu Musa el Eshari (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Shembulli i asaj me të cilën më ka dërguar Allahu prej udhëzimit dhe dijes është si shembulli i shiut të begatë i cili bie në tokë, një pjesë e së cilës është e mirë, e pranon ujin dhe në të mbin kullota dhe bar i shumtë. Në të ka edhe pellgje të cilat e mbajnë ujin dhe ajo u bën dobi njerëzve të cilët pijnë nga ajo, u japin të pinë kafshëve dhe vadisin të mbjellat. Ndërsa një pjesë tjetër toke është e shterpë, as nuk e mban ujin dhe as nuk mbin bar në të. Kështu është edhe shembulli i atij që e ka kaptuar dhe ka dije në Fenë e Allahut dhe të cilit i ka bërë dobi ajo me të cilën më ka dërguar Allahu mua, ai mësoi dhe ua mësoi të tjerëve, dhe shembulli i atij i cili nuk ka ngritur kokë me këtë dhe nuk e ka pranuar udhëzimin e Allahut me të cilin unë jam dërguar.”[7]

9. Dija është rruga për në xhenet, siç argumenton për këtë hadithi i transmetuar nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Kushdo që ndjek një rrugë për të kërkuar dijen, Allahu i lehtëson me këtë gjë një rrugë për në xhenet.”[8]

10. Ajo që transmetohet në hadithin e Muavijes (Allahu qoftë i kënaqur me të!) i cili thotë: I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Atij të cilit Allahu i do të mirën, Ai i jep atij kuptim në Fe.” D.m.th: e bën atë të ditur në Fenë e Allahut dhe perceptues të saj. Të kuptuarit e Fesë nuk është thjesht të njohurit e dispozitave të fikhut, të cilat janë të posaçme vetëm me shkencën e Fikhut, por me këtë është për qëllim dija e Teuhidit, bazave të Fesë dhe gjithçkaje që lidhet me Sheriatin e Allahut të Madhëruar. Dhe sikur të mos kishte tekste të tjera nga Kurani dhe Suneti përveç këtij hadithi për vlerën e dijes, ai do të ishte mëse i plotë për nxitjen për kërkimin e dijes së Sheriatit dhe Fikhut.

11. Dija është dritë me të cilën robi ndriçohet dhe mëson si të adhurojë Zotin e tij dhe si të sillet me robët e Zotit të tij. Kështu që, rruga e tij me këtë është mbi dije dhe siguri.

12. Dijetari është dritë me të cilën ndriçohen njerëzit në çështjet e fesë dhe të dynjasë së tyre. Që të gjithë ne e njohim historinë e atij burrit nga Beni Israilët, i cili vrau nëntëdhjetë vetë, pastaj pyeti për njeriun më të ditur në tokë dhe e adresuan te një burrë adhurues. Ky e pyeti nëse kishte pendim për të apo jo, ndërsa ai e zmadhoi shumë këtë çështje dhe i tha: “Jo”. Ky e vrau dhe i plotësoi me të njëqind të vrarë. Pastaj shkoi te një dijetar dhe e pyeti për çështjen e tij, ndërsa ai i tregoi se për të kishte pendim dhe se asgjë nuk mund të ndante mes tij dhe pendimit. Pastaj e adresoi atë për në një vend, banorët e të cilit ishin vepërmirë. Ky u nis për atje, por në rrugë i erdhi vdekja…” Historia e tij është e njohur[9], por qëllimi është që të vërehet dallimi mes dijetarit dhe injorantit.

13. Allahu i ngre dijetarët në botën tjetër dhe në këtë botë. Në botën tjetër, Allahu i ngre ata në grada sipas punës që kanë bërë prej thirrjes në Fenë e Allahut dhe të punuarit me atë që mësuan, ndërsa në dynja, Allahu i ngre ata në mesin e robëve të Tij sipas punës së tyre. Allahu i Madhëruar thotë: “…që Allahu t’i lartësojë ata të cilët besojnë dhe ata të cilëve u është dhënë dija në grada të larta.” [el Muaxhadele: 11].

 

Kapitulli i tretë

Gjykimi për kërkimin e dijes

Kërkimi i dijes fetare është Farz Kifaje – obligim i përgjithshëm; nëse ngrihet me të një numër i mjaftueshëm njerëzish, atëherë për të tjerët ai është sunet. Kërkimi i dijes mund të jetë edhe Farz Ajn – obligim i posaçëm për një person të caktuar, dhe kjo dallohet nëse kryerja e një adhurimi apo vepre të caktuar të cilën dikush kërkon ta kryejë, qëndron në të mësuarit e saj, në këtë rast ai e ka obligim që të mësojë se si ta adhurojë Allahun e Madhëruar me atë adhurim apo me atë vepër.

Ndërsa përveç këtij rasti, dija është Farz Kifaje dhe kërkuesi i dijes duhet ta ndjejë se ai po ngrihet me kryerjen e një Farzi Kifai, me qëllim që ai të arrijë njësoj si shpërblimi i vepruesit të asaj dijeje pas njohjes respective të saj.

Nuk ka dyshim se kërkimi i dijes është prej punëve më të mira, madje ai është prej Xhihadit në Rrugën e Allahut, sidomos në kohën tonë, në kohën kur ka filluar të shfaqen bidatet në shoqërinë muslimane, dhe të shtohen e të përhapen. Po kështu është shfaqur injorancë e madhe tek ata të cilët ndërmarrin dhënien e opinioneve (fetvave) pa dije dhe në mesin e njerëzve ka filluar polemikë e madhe.

Këto tre çështje e bëjnë mëse prerë që të rinjtë të kujdesen për kërkimin e dijes:

E para: Sherri i bidateve që ka filluar të shfaqet.

E dyta: Njerëz të cilët ndërmarrin dhënien e fetvave pa pasur dije.

E treta: Polemika e shumë njerëzve në çështje të cilat janë të qarta për dijetarët, por për to polemizojnë ata të cilët nuk kanë dije.

Për këtë shkak, ne kemi nevojë të domosdoshme për posedues të dijes të cilët kanë dije të sigurt dhe horizont të gjerë, të cilët kanë dije dhe perceptim në Fenë e Allahut dhe të cilët kanë urtësi në udhëzimin e robëve të Allahut, pasi që shumë njerëz sot, arrijnë të përvetësojnë dije nga ana teorike për ndonjë çështje të caktuar, por atyre nuk u intereson të vështruarit në rregullimin e njerëzve dhe në edukimin e tyre. Madje nëse ata japin fetva, kështu e ashtu, kjo do të ishte rrugë e një të keqeje të madhe, përmasat e së cilës nuk i di veçse Allahu i Madhëruar.

____________________________

[1] E transmeton Buhariu.

[2] E transmeton Ebu Daudi dhe Tirmidhiu.

[3] E transmeton Muslimi.

[4] E transmeton Muslimi.

[5] E transmeton Buhariu.

[6] E transmeton Buhariu.

[7] E transmeton Buhariu dhe Muslimi.

[8] E transmeton Muslimi.

[9] E transmeton Buhariu.