Në hadithin e mirënjohur të Xhibrilit, të cilin e transmeton Umeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!), thuhet: “Më pas vazhdoi: “Më trego çfarë është imani (besimi)?” Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha : “Të besosh Allahun, engjëjt e Tij, librat që Ai zbriti, profetët e dërguar, Ditën e fundit dhe të besosh kaderin, qoftë i mirë apo i keq.” (Trans. Buhariu, Muslimi, etj.)

Prej ketu, shtyllat bazë të besimit Islam janë gjashtë:

 

1. Besimi në një Zot të vetëm

Muslimani beson në Allahun e Madhëruar, d.m.th: ai beson në ekzistencën e Allahut të Lartëmadhëruar dhe se Ai është Krijuesi i qiejve e i tokës, Gjithënjohësi i të shfaqurës dhe i të fshehtës, Zoti i çdo gjëje dhe Zotëruesi i tyre. Nuk ka të adhuruar tjetër (me të drejtë) dhe as zot tjetër përveç Atij. Allahu i Madhëruar është i cilësuar me atributet absolute dhe i Pastër nga çdo mangësi.

Muslimani e beson këtë si rezultat i udhëzimit të Allahut drejt kësaj, së pari, dhe nga argumentet prej teksteve Hyjnore dhe atyre logjike, së dyti.

Argumentet nga tekstet Hyjnore:

1. Vetë Allahu i Madhëruar ka njoftuar për ekzistencën e Tij, për të qenurit e Tij Zot dhe Krijues i gjithçkaje që ekziston, për Emrat dhe Atributet e Tij absolute. Këtë gjë Ai e ka treguar në Librin e Tij të Fisnik, ku thotë: “Padyshim që Zoti juaj është Allahu i Cili krijoi qiejtë dhe tokën në gjashtë ditë, pastaj qëndroi mbi Arsh. Ai sjell natën si mbulesë të ditës dhe secila duke synuar tjetrën pandërprerë; dhe Ai krijoi edhe diellin, edhe hënën, edhe yjet të nënshtruar ndaj Urdhërit të Tij. Padyshim që i Tij është krijimi dhe komandimi. Lartësuar me madhështi qoftë Allahu, Zoti i të gjithë botëve.” [El Araf: 54]

Po kështu, Fjala e Tij kur Ai i thirri Musës (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) në anën e djathtë të luginës së bekuar, tek pema: “O Musa! Sigurisht që jam Unë, Allahu, Zoti i botëve.” [El Kasas: 30]
Allahu i Madhëruar gjithashtu thotë: “Sigurisht që Unë jam Allahu dhe nuk ka të adhuruar tjetër (me të drejtë) përveç Meje, ndaj më adhuro (vetëm Mua) dhe fale namazin për të më kujtuar Mua!” [Ta Ha: 14]

Ndërsa në përmendjen e madhështisë së Vetes së Tij dhe të Emrave e Atributeve të Tij, Allahu i Lartëmadhëruar thotë: “Ai është Allahu, përveç të Cilit nuk ka të adhuruar tjetër (të merituar). Ai është Gjithënjohësi i të fshehtës dhe i të shfaqurës. Ai është i Gjithëmëshirëshmi, Mëshirëploti. Ai është Allahu përveç të Cilit nuk ka të adhuruar tjetër (të merituar), por vetëm Ai, Mbizotëruesi, i Shenjti, i Gjithëpërsosuri pa asnjë të metë, Gjithëdhuruesi i sigurisë (besimit), Gjithëvëzhguesi mbi krijesat e Tij, i Gjithëfuqishmi, Urdhëruesi i Papërballueshëm, më i Larti Suprem. Lavdi i qoftë Atij! I Lartë është Ai nga gjithë çfarë i mveshin dhe i shoqërojnë Atij. Ai është Allahu, Gjithëkrijuesi, Shpikësi i Pashembullt i çdo gjëje, Formësuesi i gjithçkaje. Të Tij janë Emrat më të bukur e më të lartë. Gjithçka që ekziston në qiell e në tokë lavdërojnë Atë. E Ai është i Gjithëfuqishmi, më i Urti Gjithëgjykues.” [El Hashr: 22-24]

Po kështu edhe Fjala e Allahut të Madhëruar në lavdërimin e Vetes së Tij: “Gjithë lavdërimet dhe falenderimet janë për Allahun, Zotin e botëve. I Gjithëmëshirshmi, Mëshirëploti. I Vetmi Zotërues e Gjithëgjykues i Ditës së Llogarisë.” [El Fatiha: 2-4]
Ndërsa ne muslimanëve, Allahu i Madhëruar na është drejtuar me këto fjalë: “Vërtet që ky populli juaj është një i vetëm (i një Feje) dhe Unë jam Zoti juaj, ndaj vetëm Mua më adhuroni!” [El Enbija: 92]

Ndërsa në suren el Muminun thotë: “Dhe Unë jam Zoti juaj, ndaj më kini frikë vetëm Mua!” [El Muminun: 52]

Po kështu edhe Fjala e Allahut për rrëzimin e supozimit të ekzistencës së një zoti tjetër përveç Allahut, apo të ndonjë të adhuruari tjetër në qiej apo në tokë: “Sikur në ato të dyja (qiej e tokë) të ekzistonin zotëra të tjera përveç Allahut, padyshim që ato të dyja do të shkatërroheshin. I Lartësuar dhe i Pastër është Allahu, Zoti i Arshit, nga çfarë i mveshin Atij.” [El Enbija: 22]

2. Njoftimi i mëse njëqind e njëzet e katër mijë pejgamberëve e të dërguarëve të Allahut për ekzistencën e Allahut të Madhëruar, për të qenurit e Tij Zot të gjithçkaje që ekziston, për krijimin e Tij dhe Komandimin e Tij në të, për Emrat dhe Atributet e Tij. Allahu i Madhëruar i ka folur çdonjërit prej të dërguarve apo lajmëtarëve, ose ka dërguar tek ai të dërguar (engjëll), ose i ka frymëzuar atij në zemër e mendje, gjë nga e cila bindet qartë se ajo është Fjalë e Allahut dhe shpallje e Tij tek ai.

Sigurisht që njoftimi i një numri kaq të madh prej krijesave më të zgjedhura dhe më të mirëve të gjithë njerëzimit, njoftimi i këtyre është absurde të mohohet nga mendja njerëzore ashtu si dhe është absurde gjithashtu marrëveshja e të gjithë atyre që të gënjejnë e mashtrojnë, si dhe të njoftojnë për diçka që ata nuk e dinë e nuk e kanë vërtetuar, duke e thënë prerë se ajo është e vërtetë dhe e saktë. E si mund të ketë qenë diçka e atillë prej tyre kur ata janë prej njerëzve më të mirë, më të pastër në shpirt, më të plotë në të mendje e të gjykuar dhe më të sinqertit në fjalë?!

3. Besimi i biliona njerëzve dhe bindja e tyre për ekzistencën e Zotit të Lartëmadhëruar, adhurimi dhe bindja ndaj Tij e tyre është argument i gjallë për këtë. Si të mos jetë kështu kur zakoni njerëzor është që ata e besojnë një person të vetëm apo dy kur njoftojnë për diçka, aq më tepër nëse do të ishte një grup i madh njoftuesish, apo i gjithë populli, apo një numër i paimagjinuar njerëzish?! Shoqëruar kjo me dëshminë e mendjes dhe natyrshmërisë njerëzore për saktësinë e asaj në të cilën ata kanë besuar, kanë njoftuar, kanë adhuruar dhe janë afruar tek Allahu me të.

4. Njoftimi i miliona dijetarëve të mëdhenj për ekzistencën e Allahut, për Emrat dhe Atributet e Tij, për të qenurit e Tij i vetmi Zot dhe Hyjni, për Fuqinë e Mundësinë e Tij për çdo gjë. E se për këtë shkak, ata e kanë adhuruar dhe i janë bindur Atij, kanë dashur dhe urrejtur për hir të Tij.

Argumentet nga logjika e shëndoshë:

1. Ekzistenca e gjithë këtyre botëve (specieve të gjallesave) të shumëllojshme e të ndryshme dëshmon për ekzistencën e Krijuesit të tyre dhe se Ai është Allahu i Madhëruar, pasi që nuk ka ndonjë tjetër që të ketë pretenduar se ai është krijuesi i të gjitha këtyre botëve, përveç Allahut të Madhëruar.

Po kështu, mendja njerëzore e konsideron absurde ekzistencën e diçkaje pa qenë dikush që ta ketë bërë atë. Madje ajo refuzon edhe ekzistencën e gjësë më të vogël pa autorin e saj, si ekzistenca e bukës pa bukëbërësin e saj, apo një vend i shtruar pa qenë dikush që ta ketë shtruar atë. Atëherë si është çështja me gjithë këto botë të mëdha e të përkryera prej qiellit dhe çfarë ai përfshin prej orbitave, diellit, hënës e planeteve; të gjitha me përmasa të ndryshme, me largësi e lëvizje të ndryshme nga njëra-tjetra, si dhe prej tokës e çfarë Allahu ka krijuar në të prej njerëzve, xhinëve dhe kafshëve me të gjitha llojet e speciet e tyre, si dhe me ndryshimin e ngjyrave e gjuhëve të tyre, apo dallimin në kapacitetin e të kuptuarit të tyre dhe veçoritë e aftësitë e tyre.

Po kështu edhe ato që ka futur në tokë prej xeherorëve të ngjyrave e dobive të ndryshme, apo lumenjve që rrjedhin nëpër tokë dhe rrethimin e dheut të saj me ujin e detërave e oqeanëve. Apo ato që mbijnë në të prej bimëve e pemëve me fryte, shije, aromë, dobi e veçori të ndryshme.

2. Ekzistenca e Fjalës së Allahut të Lartësuar para duarve tona dhe të cilën ne e lexojmë, meditojmë në të dhe i perceptojmë domethëniet e tij, është një argument i qartë për ekzistencën e Allahut të Lartësuar, pasi që është absurde të ekzistojë fjalë pa pasur folës të saj, dhe as thënie pa thënës të saj.

Kështu që Fjala e Allahut të Madhëruar argumenton për ekzistencën e Tij, e veçanërisht kur Fjala e Allahut ka përfshirë kushtetutat më të palëkundura e të përsora që ka njohur ndonjëherë njerëzimi, ligji më i përsosur i cili ka realizuar interesa të mëdha për njerëzimin. Ashtu si ka përfshirë gjithashtu edhe teoritë shkencore më të vërteta dhe shumë prej çështjeve të botës së fshehtë dhe ngjarjeve prehistorike, duke qenë i sinqertë në të gjitha këto. Me gjithë kalimin e kohës, asnjë prej ligjeve të tij nuk ka dalë i pavlefshëm dhe i padobishëm, pavarësisht nga ndryshimi i kohës dhe vendit. As nuk është hedhur poshtë ndonjë prej teorive shkencore që gjenden në të, e as nuk ka dalë ndryshe nga njoftimet e tij për të fshehtën. Po ashtu, nuk ka mundur të guxojë askush prej historianëve që të përdhosë ndonjë prej historive të përmendura në Kuran, apo të përgënjeshtrojë e refuzojë ndonjë prej ngjarjeve historike të përmendura në të.

Fjalë të atillë, të urtë e të vërtetë, është absurde që mendja njerëzore t’ia adresojë dikujt prej njerëzve, pasi që ajo është mbi mundësitë e aftësitë njerëzore dhe mbi kapacitetit të njohurive të tyre.
Përderisa rrëzohet pretendimi se ai (Kurani) është prej fjalëve të njerëzve, atëherë ai është Fjalë e Krijuesit të njerëzve dhe ai është argument për ekzistencën e Allahut të Madhëruar, për Dijen, Fuqinë dhe Urtësinë e Tij absolute.

3. Ekzistenca e këtij sistemi të përsosur të ekspozuar në ligjet universale të krijimit dhe formimit të gjithësisë, shpikja dhe zhvillimi i të gjitha krijesave të gjalla në këtë ekzistencë. Të gjitha ato janë të nënshtruara para këtyre ligjeve të caktuara nga Allahu dhe të kufizuara me to, pa pasur mundësi të dalin nga ato në asnjë rast.
Kështu për shembull, njeriu në fillim të krijimit të tij është një pikë uji në vezoren e nënës së tij, pastaj kalon nëpër disa faza të çuditëshme, në të cilat nuk mund të ndërhyjë veçse Allahu i Madhëruar, dhe më pas ai del njeri i përkryer. Kjo, në fazën e krijimit dhe formimit të tij, ndërsa e njëjta gjë thuhet edhe kur ai rritet e zhvillohet, që në foshnjëri e fëmijëri, rini e fuqi, thyerje në moshë e pleqëri.

Këto ligje të përgjithshme që janë tek njeriu dhe kafsha, janë të njëjtat tek pemët e bimët, në orbitat e larta dhe trupat qiellorë. Të gjitha ato i nënshtrohen ligjeve të lidhura me to, nga të cilat nuk mund të dalin e të devijojnë. E nëse ndodh që ato të devijojnë nga rruga e tyre, apo ndonjë prej sistemeve diellore të dalë nga orbita e tij, atëherë e gjithë bota do të mbaronte dhe jetës së kësaj bote do t’i vinte fundi.
Me argumente të tilla logjike e Hyjnore, muslimani beson në Allahun e Madhëruar, në të qenurit e Tij Zot i çdo gjëje, i Adhuruari i merituar i të mëhershmëve e i të mëvonëshmëve.

Mbi këto baza të besimit dhe bindjes ndërtohet jeta e muslimanit në të gjitha aspektet e saj.

 

2. Besimi në Engjëjt e Allahut

 

Muslimani beson në engjëjt e Allahut dhe se ata janë prej krijesave më të ndershme të Tij, robër të respektuar nga robët e Tij, të cilët Allahu i ka krijuar nga drita, ashtu si ka krijuar njeriun nga balta e pjekur dhe xhinët nga flaka e zjarrit. Allahu i Madhëruar i ka ngarkuar ata me detyra të cilat ata i kryejnë ato pa asnjë diskutim, por me bindje të plotë. Disa prej tyre janë ruajtës të robëve të Allahut (prej njerëzve) dhe shkrues të punëve të tyre. Disa janë të ngarkuar me xhenetin dhe begatitë e tij, e disa të tjerë me zjarrin dhe dënimin e tij. Të tjerë bëjnë tesbih (Madhërojnë Allahun) ditë e natë, pa pushuar.

Muslimani beson gjithashtu se Allahu i Lartësuar ka bërë previligjime në mesin e tyre; prej tyre ka engjëj më të afërm të Allahut, si Xhibrili, Mikalili dhe Israfili, ndërsa të tjerët janë më pak të afërm se këta.

Muslimani i beson këto ngase allahu i Lartësuar e ka udhëzuar atë, së pari dhe duke u bazuar në argumentet Hyjnore dhe logjike të mëposhtme:

 

Argumentet nga tekstet Hyjnore:

 

1. Urdhëri i Allahut të Lartësuar që të besohet në ta dhe njoftimi i Tij për ekzistencën e tyre, në Fjalën e Tij: “Kushdo që e mohon Allahun, engjëjt e Tij, Librat e Tij, të Dërguarit e Tij dhe Ditën e Fundit, ai ka humbur në një humbje të largët.” [En Nisa: 136].

Dhe në Fjalën e Allahut: “Kushdo që është armik i Allahut, i engjëjve të Tij, i Xhibrilit dhe Mikailit, atëherë ta dinë se Allahu është armik i mohuesve (mosbesimtarëve).” [El Bekare: 98].

“Mesihu (Isai) kurrë nuk do ta përbuzte të ishte rob i Allahut, as edhe engjëjt që janë më pranë Allahut.” [En Nisa: 172].

“Atë ditë, tetë engjëj do të mbartin lart Arshin e Zotit tënd.” [El Hakkah: 17].

“Dhe Ne s’kemi vënë tjetër roje të Zjarrit veçse engjëj.” [El Mudethir: 31].

“Edhe melekët do të hyjnë tek ata nga çdo portë (e xhenetit duke u thënë): Selamun alejkum, nga që ju keni duruar. Vërtet e shkëlqyer është shtëpia e fundit.” [Er Rad: 23-24].

“Dhe (kujto) kur Zoti yt i tha engjëjve: “Me të vërtetë që Unë do të vendos në tokë një zëvendësues (që pasojnë brez pas brezi, njerëzimi).” Ata thanë: “A do të vendosësh atje ata të cilët bëjnë zullume e do të derdhin gjak, ndërsa ne të madhërojmë Ty me lavdërime e falenderime, dhe të shenjtërojmë Ty?” Ai u tha: “S’ka dyshim se Unë di atë që ju nuk e dini.” [El Bekare: 30].

 

2. Njoftimi i të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) për engjëjt, në lutjen e tij kur ngrihej për të falur namaz natën: “O Zoti im! Zoti i Xhibrilit, Mikailit dhe Israfilit! Shpikësi pa shembull të mëparshëm i qiejve dhe tokës! Gjithënjohësi i të fshehtës dhe i të shfaqurës! Ti që do të gjykosh mes robëve të Ty, për atë që ata kundërshtoheshin! Më udhëzo mua në të drejtën e asaj për të cilën ka kundërshtim nga e vërteta, me Lejen Tënde! Ti udhëzon kë të duash në rrugë të drejtë.”[1]

Po kështu në fjalën e tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!): “Në Shtëpinë e Banuar (mbi Kaben në qiell) hyjnë çdo ditë shtatëdhjetë mij engjëj dhe nuk kthehen më aty.”[2]

“Në ditën e Xhuma, në secilën prej dyerve të xhamisë qëndrojnë engjëj të cilët shënojnë emrat e atyre që hyjnë me radhë. Kur të ulet imami (në minber), ata i mbyllim defterat dhe shkojnë të dëgjojnë përkujtimin ( e Allahut).”[3]

“Ndonjëherë, engjëlli më vjen në formën e një burri dhe më flet, e unë e pervetësoj atë që thotë.”[4]

“Juve u vijnë engjëj të cilët pasojnë njëri-tjetrin natën dhe ditën (engjëj për natën dhe engjëj për ditën).”[5]

“Allahu i ka krijuar engjëjt nga drita, xhinët nga fjaka e zjarrit dhe Ademin nga ajo që u ka përshkruar.”[6]

 

3. Shikimi i shumë prej sahabeve engjëjt në luftën e Bedrit, dhe po kështu shikimi i tyre në grup Xhibrilin, besnikun e Shpalljes, më shumë se një herë. Kjo ngase ai ndonjëherë vinte në formën e një burri dhe ata e shihnin atë. Më i njohur për këtë është hadithi i transmetuar nga Umer ibën el Hatab (Allahu qoftë i kënaqur me të!), në të cilin thuhet se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “A e dini se kush ishte ky që pyeti? –Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më së miri, -thanë ata. –Ky ishte Xhibrili. Erdhi t’iu mësojë çështjet e fesë tuaj.”[7]

 

4. Besimi i mijëra miliona besimtarëve, pasues të pejgamberëve në të gjitha kohët dhe vendet, në ekzistencën e engjëjve dhe besimi i tyre në atë që kanë njoftuar për ta pejgamberët, pa pikë dyshimi e dileme.

 

Argumentet logjike:

 

1. Logjika e shëndoshë nuk e konsideron gjë absurde dhe nuk e mohon ekzistencën e engjëjve, pasi që logjika nuk mohon e refuzon veçse atë nga e cila rrjedh bashkim ndërmjet dy të kundërtave, si të ekzistuarit e diçkaje dhe të mosekzistuarit e saj në të njëjtën kohë, ose bashkim ndërmjet dy kundërthënieve, si të ekzistuarit e dritës dhe errësirës së bashku. Ndërsa besimi në engjëjt e Allahut nuk sjell kurrë përfundime të atilla.

 

2. Nëse prej gjërave të pranuara unanimisht nga të gjithë njerëzit që kanë mendje (logjikë) është se gjurmët e diçkaje argumentojnë për ekzistencën e saj, atëherë edhe për engjëjt ka gjurmë të shumta të cilat argumentojnë për ekzistencën e tyre. Prej këtyre gjurmëve është:

Së pari: Arritja e Shpalljes te Pejgamberët dhe të Dërguarit e Allahut, pasi që në shumicën e rasteve, Shpallja u arrinte atyre nëpërmjet Shpirtit besnik, Xhibrilit –alejhis selam-, engjëllit të ngarkuar me Shpalljen. Kjo është gjurmë e qartë dhe e pamohueshme, e cila pohon dhe forcon ekzistencën e engjëjve.

Së dyti: Vdekja e njerëzve me marjen e shpirtit të tyre është gjurmë e qartë argumentuese për ekzistimin e engjëllit të vdekjes dhe ndihmësve të tij. Allahu i Madhëruar thotë: “Thuaj: Meleku i vdekjes i cili është ngarkuar për ju, do t’ua marrë shpirtrat, pastaj ju do të ktheheni te Zoti juaj.” [Es Sexhde: 11].

Së treti: Ruajtja e njerëzve nga dëmi dhe sherri i xhinëve dhe djajve gjatë gjithë jetës së tij, në një kohë kur ai jeton mes atyre dyve dhe ata e shohin ndërsa ai nuk i sheh, ata munden ta dëmtojnë atë, ndërsa ai nuk mundet t’i dëmtojë ata, madje as të largojë sherrin e tyre, të gjitha këto janë argument për ekzistencën e ruajtësve të njeriut të cilët e ruajnë dhe e mbrojnë atë. Allahu i Lartësuar thotë: “Për çdo njeri ka melekë (rojë) të përhershëm para dhe mbrapa tij. Ata e ruajnë atë me Urdhërin e Allahut.” [Er Rad: 11].

 

3. Mosshikimi e diçkaje për shkak të dobësisë së të parit, apo për shkak të mospërgatitjes së plotë për shikimin e saj, nuk e mohon ekzistencën e saj, pasi që ekzistojnë gjëra të shumta materiale dhe në botën e dukshme, të cilat syri i njeriut nuk i kapte dot më parë, ndërsa sot ato mund të shihen qartë me anë të dylbive apo teleskopëve.

 


[1] E transmeton Muslimi (1/534).

[2] Origjina e këtij hadithi gjendet në dy Sahihat e Buhariut dhe Muslimit.

[3] E transmeton Buhariu (4/136).

[4] E transmeton Buhariu.

[5] E transmeton Buhariu (1/145).

[6] E transmeton Muslimi (4/2294).

[7] E transmeton Muslimi (1/38).

_____________________________________

 

 

3.  Besimi në Librat e Allahut

 

Muslimani beson në të gjitha Librat e zbritur nga Allahu i Madhëruar, si dhe në fletushkat e dhëna disa prej Pejgamberëve të Tij. Ai beson se ato janë Fjalë e Allahut, të cilën ua ka shpallur Pejgamberëve të Tij me qëllim që ata të komunikojnë nga Ai Ligjin dhe Fenë e Tij. Më të mëdhenjtë prej këtyre librave janë: Katër Librat: “Kurani i Ndershëm”, i cili i është zbritur të Dërguarit tonë, Muhamedit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), “Teurati”, i cili i ka zbritur të Dërguarit të Allahut, Musa (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), “Zeburi”, i cili i ka zbritur të Dërguarit të Allahut, Daud (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe “Inxhili”, i cili i ka zbritur të Dërguarit të Allahut, Isa (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!). Muslimani beson gjithashtu se Kurani i Ndershëm është më Madhështori prej këtyre librave, dominues mbi to dhe abrogues (shfuqizues) i të gjitha ligjeve dhe dispozitave të tyre (Librave të tjerë). Për këtë dëshmojnë argumentet nga tekstet Hyjnore dhe nga logjika e shëndoshë.

 

Argumentet nga tekstet Hyjnore:

 

1. Urdhëri i Allahut të Madhëruar për të besuar në to, në Fjalën e Tij: “O ju që keni besuar! Besoni në Allahun, në të Dërguarin e Tij, në Librin që i ka zbritur të Dërguarit të Tij dhe në Librin që ka zbritur më parë.” [En Nisa: 136].

 

2. Njoftimi i Allahut të Madhëruar për këtë, në Fjalën e Tij: “Allahu është Ai përveç të Cilit nuk të adhuruar tjetër (me të drejtë). I Përjetshmi, Mbajtësi dhe Mbrojtësi i gjithçkaje që ekziston. Është Ai i Cili ta ka zbritur ty Librin (Kuranin) me të vërtetën, duke vërtetuar çfarë ka zbritur para tij. Dhe Ai e ka zbritur Teuratin dhe Inxhilin, kohë më parë, si udhëheqje për njerëzimin. Dhe Ai zbriti edhe Kriterin (e gjykimit mes të mirës dhe të keqes – Kuranin).” [Al Imran: 2-4].

Dhe në Fjalën e Tij: “Dhe Ne të kemi zbritur ty Librin (Kuranin) me të vërtetën, duke vërtetuar Librat e parë që patën ardhur para tij, dhe i besueshëm në shkallën më të lartë dhe dëshmues për ta (Librat e parë).” [El Maide: 48].

Allahu i Madhëruar thotë: “Dhe Daudit i kemi pas dhënë Zeburin.” [En Nisa: 163].

Dhe thotë: “Sigurisht që ky (Kurani) është zbritje nga Zoti i botëve. Me të cilin ka zbritur Shpirti Besnik (Xhibrili). Në zemrën tënde (O Muhamed!), me qëllim që ti të jesh prej këshilluesëve. (I zbritur) Në gjuhën e qartë arabe. Dhe me të vërtetë që ai (Kurani dhe zbritja e tij Muhamedit) është njoftuar në Librat e zbritur popujve të mëparshëm.” [Esh Shuara: 192-196].

Allahu i Madhëruar thotë: “Me të vërtetë që kjo është edhe në shkrimet (fletushkat) e para. Në shkrimet e Ibrahimit dhe të Musait.” [El Eala: 18-19].

 

3. Njoftimi i të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) për to në hadithe të shumta. Prej këtyre haditheve është edhe fjala e tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!): “Qëndrimi juaj në këtë botë, në krahasim me popujt që kanë qenë para jush, është sa koha ndërmjet namazit të ikindisë dhe perëndimit të diellit. Ithtarëve të Teuratit iu dha Teurati dhe ata punuan me të deri në mesditë, pastaj ata nuk mundën më. Atyre u është dhënë shpërblimi nga një kirat (njësi matëse e madhe). Pastaj ithtarëve të Inxhilit iu dha Inxhili dhe ata punuan me të deri sa u fal namazi i ikindisë, pastaj nuk mundën më dhe atyre ju dha shpërblimi nga një kirat. Pastaj iu dha juve Kurani dhe ju punuat me të deri sa perëndoi dielli dhe iu dha shpërblimi nga dy kirat. Ithtarët e Librave të mëparshëm thanë: Këta punuan më pak se ne dhe morën shpërblim më të madh se ne?! Ndërsa Allahu tha: A iu kam bërë ndopak padrejtësi në të drejtën tuaj? –Jo, -thanë ata (do të thonë). –Allahu tha: Kjo është Mirësia Ime dhe Unë ia jap atë kujt të dua.”[1]

 

Dhe fjala e tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!): “Daudit –alejhis selam- iu bë i lehtë leximi (këndimi i Zeburit) dhe ai urdhëronte që të shalonin kafshët e tij, ndërsa vetë lexonte (nga Zeburi apo Teurati) para se të shaloheshin ato. Dhe ai nuk hante veçse nga puna e duarve të tij.”[2]

 

Dhe fjala e tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!): “Nuk ka smirë (të lejuar) veç për dy njerëz: Një burrë të cilit Allahu i ka dhënë Kuranin (e ka mësuar atë) dhe ai e lexon atë gjatë natës dhe gjatë ditës…”[3]

 

Dhe fjala e tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!): “Unë kam lënë te ju atë, me të cilin nëse kapeni, nuk keni për të humbur kurrë pas meje: Librin e Allahut dhe Sunetin e të Dërguarit të Tij.”[4]

 

Dhe fjala e tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!): “Mos i besoni ithtarëve të Librave të mëparshëm dhe as mos i përgënjeshtroni ata, por thoni: Ne besuam në atë që ka zbritur ten e dhe në atë që ka zbritur te ju. Zoti ynë dhe Zoti juaj është Një dhe ne i jemi dorëzuar vetëm Atij.”[5]

 

4. Besimi miliona dijetarëve, njerëzve të urtë e besimtarëve në çdo kohë e vend, si dhe besimi i tyre i prerë se Allahu i Lartësuar ka zbritur Libra të cilat ua ka shpallur të Dërguarëve, njerëzve më të zgjedhur nga krijesat e Tij dhe ka vendosur në to atë që donte prej Atributeve të Tij, lajmeve të Tij nga bota e fshehtë e Tij, sqarimit të dispozitave dhe Fesë së Tij dhe premtimet e kërcënimet e Tij.

 

Argumentet nga logjika e shëndoshë:

 

1. Dobësia e njeriut dhe nevoja e tij e padiskutueshme për Zotin e tij, në rregullimin e trupit dhe shpirtit të tij, rezulton në zbritjen e Librave të cilat përmbajnë ligjet dhe dispozitat që i japin njeriut përsosmërinë e tij, si dhe të gjitha kërkesat e jetës së tij; në këtë botë dhe në botën tjetër.

 

2. Përderisa Pejgamberët janë ndërmjetësa mes Allahut të Madhëruar, krijuesit dhe robëve të Tij të krijuar nga Ai, dhe ata kanë qenë njerëz si të gjithë njerëzit, jetojnë për një kohë të caktuar, pastaj vdesin. E nëse mesazhet e tyre nuk do të ishin të shënuara në libra të posaçëm, atëherë ato do të humbnin me vdekjen e tyre, ndërsa njerëzit pas tyre do të ngelnin pa Mesazh Hyjnor, dhe synimi kryesor nga Shpallja dhe Mesazhi Hyjnor do të humbte. Kështu që, kjo gjëndje kërkonte patjetër zbritjen e Librave Hyjnore, pa pikë dyshimi a dileme.

 

3. Sikur Lajmëtari, thirrësi për tek Allahu të mos kishte libër të marrë nga Zoti i tij, në të cilin të ishte shënuar ligji, udhëzimi dhe e mira, atëherë njerëzit do ta kishin të lehtë përgënjeshtrimin e tij dhe refuzimin e mesazhit të tij.

Kështu që kjo gjendje rezulton në zbritjen e domosdoshme të Librave Hyjnor, me qëllim që njerëzve t’u ngrihet argumenti dhe të mos kenë justifikim para Allahut.

 


[1] E transmeton Buhariu (1/146).

[2] E transmeton Buhariu (4/194).

[3] E transmeton Buhariu (9/189).

[4] E transmeton El Hakim, në “El Mustedrak” (1/93). Hadithi është i saktë.

[5] E transmeton Buhariu (3/237).

_______________________________________________

 

4. Besimi në të Dërguarit e Allahut

 

Muslimani beson se Allahu i Madhëruar ka zgjedhur prej njerëzve të Dërguar, të cilëve u ka shpallur atyre Sheriatin e Tij dhe mori besën e tyre për komunikimin e tij, me qëllim që mos mbesë justifikim për njerëzit para Atij në Ditën e Kijametit. Allahu i ka dërguar ata me prova të qarta dhe i ka ndihmuar ata me mrekullira. Vargun e tyre, Allahu e filloi me Nuhun (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe e vulosi me Muhamedin (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!).

Megjithëse ata kanë qenë njerëz, që u ndodh ashtu siç ndodh me njerëzit; hanë e pinë, sëmuren e shërohen, harrojnë dhe kujtohen, jetojnë dhe vdesin, megjithatë ata janë krijesat e Allahut më të përsosura, më të mirat pa asnjë përjashtim. Besimi i robit nuk plotësohet kurrë nëse ai nuk beson në të gjithë ata, përgjithësisht dhe veçanërisht. Për këtë bazohemi në argumentet nga tekstet Hyjnore dhe nga logjika e shëndoshë, si vijon:

 

Argumentet nga tekstet Hyjnore:

1. Njoftimi i Allahut të Madhëruar për të Dërguarit e Tij, për Shpalljet dhe Mesazhet e tyre, në Fjalën e Tij: “Vërtet që Ne kemi dërguar në çdo popull të Dërguar (që t’u komunikojë atyre): ‘Adhuroni vetëm Allahun dhe qëndroni larg tagutit (çdo gjëje që adhurohet përveç Allahut)!” [En Nahl: 36].

Dhe në Fjalën e Allahut të Madhëruar: “Allahu zgjedh të dërguar prej engjëjve dhe prej njerëzve. Allahu është Gjithëdëgjues, Gjithëshikues.” [El Haxh: 75].

Dhe në Fjalën e Allahut: “Me të vërtetë që Ne të kemi shpallur ty ashtu si i kemi shpallur edhe Nuhut dhe Pejgamberëve të tjerë pas tij. Po kështu, Ne i kemi shpallur Ibrahimit, Ismailit, Ishakut, Jakubit, Esbatëve (bijve të Jakubit), Isait, Ejubit, Junusit, Harunit dhe Sulejmanit. Ndërsa Daudit i kemi dhënë Zeburin. Ka pasur edhe të Dërguar të tjerë më parë të cilët Ne t’i kemi përmendur, por ka pasur edhe të tjerë të cilët nuk t’i kemi përmendur, dhe Musait Allahu i foli drejtpërdrejtë me fjalë. Të Dërguar përgëzues dhe paralajmërues, në mënyrë që njerëzimi të mos ketë më arsye për t’u shfajësuar tek Allahu pas të Dërguarve. Dhe Allahu është kurdoherë i Gjithëfuqishëm, më i Urti Gjithëgjykues.” [En Nisa: 163-165].

Allahu i Madhëruar thotë: “Padyshim që Ne i kemi dërguar të Dërguarit tonë me prova të qarta dhe bashkë me ta kemi zbritur Libër dhe Peshore (Drejtësi) me qëllim që njerëzimi të përmbajë drejtësinë.” [El Hadid: 25].

Dhe thotë: “(Kujto) Edhe Ejubin kur ai i thirri Zotit të tij: “Vërtet që më ka kapur mjerimi dhe Ti je më Mëshiruesi i mëshiruesve.” [El Enbija: 83].

Dhe thotë: “Ne nuk kemi dërguar para teje ndonjë të dërguar, veçse ata hanin ushqim dhe ecnin nëpër tregje.” [El Furkan: 20].

Allahu i Lartësuar thotë: “Ne e kemi dërguar Musain me nëntë prova të qarta. Pyetini atëherë Beni Israilët, kur ai shkoi tek ata.” [El Isra: 101].

Dhe thotë: “Dhe (përkujto) kur Ne morëm nga Pejgamberët besën e tyre, dhe prej teje, edhe prej Nuhut, Ibrahimit, Musait dhe Isait birit të Merjemes. Ne morëm prej tyre besë të fortë. Që Ai (Allahu) t’i pyesë të besueshmit (Pejgamberët e Tij) për të vërtetën e tyre (Mesazhin). Dhe Ai ka përgatitur për mosbesimtarët dënim të dhimbshëm.” [El Ahzab: 7].

 

2. Njoftimi i të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) për veten e tij dhe për vëllezërit e tij prej të Dërguarëve e Pejgamberëve, në fjalën e tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!): “Allahu nuk ka dërguar ndonjë Pejgamber, veçse ai e ka paralajmëruar popullin e tij për atë me një sy të verbër dhe gënjeshtar (për Dexhalin).”[1]

Dhe në fjalën e tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!): “Mos bëni dallim ndërmjet Pejgamberëve.”[2]

Po kështu edhe fjala e tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), kur atë e pyeti Ebu Dheri për numrin e të Dërguarëve dhe Pejgamberëve: “Numri i tyre është njëqind e njëzet mij, prej të cilëve treqind e trembëdhjetë kanë qenë të Dërguar (Rasul).”[3]

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) gjithashtu ka thënë: “Pasha Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti im! Sikur Musa të ishte gjallë, ai nuk do të bënte tjetër veçse të më pasonte se mua.”[4]

Dhe ka thënë: “Ai është Ibrahimi”, kur dikush i tha: O krijesa më e mirë! Ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e tha këtë nga thjeshtësia e tij.

Ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) gjithashtu ka thënë: “Askujt nuk i takon të thotë: Unë jam më i mirë se Junus ibën Meta.”[5]

Po kështu edhe kur ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) njoftoi për ta në natën e Israsë – ngritjes nga Meka në Kuds pastaj në qiell- dhe se ata u mblodhën atje në Xhaminë e Kudsit dhe ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) u fal imam i tyre. Po kështu, ai tregoi se në qiell kishte parë Jahjan, Isanë, Jusufin, Idrisin, Harunin, Musën dhe Ibrahimin. Ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tregoi për ta dhe për gjendjen në të cilën ata ishin.

Ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) gjithashtu ka thënë: “Vërtet që Pejgamberi i Allahut, Daudi hante nga puna e duarve të tij.”[6]

 

3. Besimi i biliona njerëzve prej muslimanëve dhe të tjerëve prej ithtarëve të Librave të mëparshëm, çifutë e të krishterë, në të Dërguarit e Allahut, si dhe bindja e tyre e prerë në Mesazhet e tyre dhe se ata janë krijesat më të përsosura dhe të zgjedhura nga Allahu i Madhëruar.

 

Argumentet nga logjika e shëndoshë:

 

1. Fakti që Allahu i Madhëruar është Zot i çdo gjëje, Krijues dhe Komandues i tyre, dhe se Ai është i Gjithëmëshirshëm; këto bëjnë të domosdoshme dërgimin e të Dërguarve nga Ai te krijesat e Tij, me qëllim që ata t’i njohin ata me Zotin e tyre dhe t’i udhëzojnë ata drejt përsosmërisë njerëzore dhe lumturisë në të dyja botët.

 

2. Fakti që Allahu i Madhëruar i ka krijuar të gjitha krijesat e Tij me qëllim që ata të adhurojnë vetëm Atë, pasi që Ai ka thënë: “Unë nuk i kam krijuar xhinët dhe njerëzit për tjetër, veçse të më adhurojnë vetëm Mua.” [Edh Dharijat: 56].

Kjo rezulton në zgjedhjen e të Dërguarve dhe dërgimin e tyre tek njerëzit me qëllim që ata t’u mësojnë njerëzve si ta adhurojnë Zotin e tyre dhe t’i binden Atij, pasi që ky është edhe misioni e qëllimi për të cilin Ai i ka krijuar ata.

 

3. Fakti që shpërblimi dhe dënimi janë pasojë e gjurmëve të bindjes dhe gjynahut në shpirt, duke e pastruar apo ndotur atë, rezulton në dërgimin e të Dërguarve dhe të Pejgamberëve, me qëllim që njerëzit të mos thonë në Ditën e Kijametit: “O Zoti ynë! Ne nuk e dinim si të bindeshim Ty, që të mund të të bindeshim dhe as nuk e dinim ndalesën Tënde, që të mund t’i largoheshim asaj. Ndërsa sot, nuk ka padrejtësi tek Ti, ndaj mos na dëno ne! …”

Në këtë rast, ata do të kishin justifikim para Allahut të Madhëruar, kështu që kjo gjendje bën të domosdoshme dërgimin e të Dërguarve, me qëllim që të pritet justifikimi për krijesat. Allahu i Madhëruar thotë: “Të Dërguar përgëzues dhe paralajmërues, në mënyrë që njerëzimi të mos ketë më arsye për t’u shfajësuar tek Allahu pas të Dërguarve. Dhe Allahu është kurdoherë i Gjithëfuqishëm, më i Urti Gjithëgjykues.” [En Nisa: 165].


[1] E transmeton Buhariu (9/148).

[2] E transmeton Buhariu (4/194) dhe Muslimi (42).

[3] Pjesë e një hadithi të cilin e transmeton Ibën Hibani në “Sahihun” e tij.

[4] E transmeton imam Ahmedi (3/387).

[5] E transmeton Ahmedi dhe ai gjendet në dy “Sahihat”; nga transmetimi i Ebu Hurejrës.

[6] E transmeton Buhariu (3/74).

_________________________________________

 

5.  Besimi në Ditën e Gjykimit

 

Muslimani beson se kjo jetë ka një orë të caktuar në të cilën ajo mbaron, dhe një ditë të fundit, pas së cilës nuk ka ditë tjetër. Pastaj vjen jeta e dytë, dita tjetër e botës tjetër, ku Allahu i Madhëruar i ringjall të gjitha krijesat e Tij dhe i bashkon të gjithë ata për t’i marrë në llogari. Pastaj Ai shpërblen vepërmirët me mirësi të përhershme në xhenet, dhe vepërkeqët me dënim përçmues në zjarr.

Muslimani beson se këtë (kijametin) e paraprijnë disa shenja, si dalja e Dexhalit, Jexhuxhët dhe Mexhuxhët, zbritja e Isait (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), dalja e kafshës që flet, lindja e diellit nga perëndimi e tij, etj. Pastaj i fryhet Surit fryrja e shuarjes dhe shkatërrimit të gjithçkaje, dhe më pas fryrja e ringjalljes, ngritjes dhe qëndrimit para Zotit të botëve. Pastaj gjithësecilit do t’i jepen librat e veprave; dikush e merr librin e tij nga ana e djathtë, e dikush tjetër nga ana e majtë. Aty vendoset peshorja, fillon llogaria, shtrihet ura e Siratit dhe ky qëndrim i vështirë përfundon me vendosjen e banorëve të xhenetit në xhenet dhe banorëve të zjarrit në zjarr.

Për këtë bazohemi në argumentet nga tekstet Hyjnore dhe nga logjika e shëndoshë, si vijon:

 

Argumentet nga tekstet Hyjnore:

 

1. Për çfarë u tha më lart ka njoftuar Allahu i Madhëruar, në Librin e Tij. Allahu i Madhëruar thotë: “Gjithçka gjendet në të (tokë) do të shuhet. Ndërsa do të mbetet përgjithmonë Fytyra e Zotit tënd gjithë Madhështi e Lavdi.” [Er Rrahman: 27-28]. Dhe thotë: “Dhe Ne nuk i kemi siguruar ndonjë qënie njerëzore para teje (o Muhamed) pavdekësinë, atëherë përderisa ti do të vdesësh, a mos ata do të jetojnë përgjithmonë. Por gjithësecili do ta shijojë vdekjen dhe Ne do t’ju provojmë ju me të keqen dhe me të mirën dhe te Ne ju do të ktheheni.” [El Enbija: 34-35].

Allahu i Madhëruar gjithashtu thotë: “Ata të cilët mohuan pretenduan se nuk do të ringjallen. Thuaj: Po, për Zotin tim! Ju do të ringjalleni dhe pastaj do të njoftoheni me atë që keni punuar. Kjo është shumë e lehtë për Allahun.” [Et Tegabun: 7].

Dhe thotë: “A nuk mendojnë ata se do të ringjallen (për llogari), në një Ditë të Madhe? Ditën kur njerëzimi do të qëndrojë para Zotit të botëve?” [El Mutafifin: 4-6].

“Dhe paralajmëro për ditën e grumbullimit, për të cilën nuk ka pikë dyshimi, kur një pjesë do të jenë në kopshtet e xhenetit dhe një pjesë në zjarrin flakërues të xhehenemit.” [Esh Shura: 7].

“Kur toka të dridhet me tronditjen e madhe. Dhe kur toka të nxjerë jashtë barrën e saj. Dhe njeriu do të thërrasë: “Çfarë ka ajo?” Atë ditë ajo do të shpallë njoftimet e saj, sepse Zoti yt e ka frymëzuar atë. Atë ditë njerëzimi do të paraqiten të veçuar në grupe që t’u tregohen veprat e tyre. Kësisoj, kushdo që bën mirësi sa një thërrmijë qoftë, ai do ta shohë atë. Dhe kushdo që bën keq sa një thërrmijë qoftë, do ta shohë atë.” [Ez Zelzele: 1-8].

“A mos po presin që t’iu vijnë engjëjt, ose të vijë Zoti yt, apo ndonjë nga Shenjat e Zotit tënd?! Por atë ditë që do të vijnë vërtet disa nga Shenjat e Zotit tënd, atë ditë askujt nuk do t’i bëjë dobi besimi nëse nuk ka besuar që më parë, apo që nuk ka punuar mirë nga besimi i tij.” [El Enam: 158].

“Dhe kur fjala (e ndëshkimit) të përmbushet kundër tyre, Ne do t’u nxjerim atyre një kafshë nga toka, e cila do t’u flasë atyre, sepse njerëzit nuk besuan me bindje në provat Tona.” [En Neml: 82].

“Derisa, kur Jexhuxhët dhe Mexhuxhët të lihen të lirë dhe të kacavirren nga çdo bregore e kodër. Dhe premtimi i vërtetë t’i afrohet përmbushjes. Pastaj (pas ringjalljes) do t’i shohësh sytë e mosbesimtarëve zgurdulluar e të shastisur në tmerr.” [El Enbija: 96-97].

“Dhe kur biri i Merjemes sillet si shembull, kur ç’të shohësh! Populli yt çirret me të madhe (duke u zgërdhirë me këtë shembull). Dhe thonë: “A janë zotat tanë më të mirë, apo ai (Isai)?” Ata ta sollën ty këtë shembull veçse për kundërthënie. (Po!) Por ata vërtet që janë popull grindavec. Ai (Isai) nuk qe veçse një rob. Ne i dhuaruam Mirësinë Tonë atij dhe Ne e bëmë atë shembull për Beni Israilët. Dhe po të kishim dashur Ne, atëherë Ne do të kishim bërë t’ju zëvendësonin engjëjt në tokë (do t’ju shuanim). Dhe ai (Isai) do të jetë shenjë njohëse për Orën (Kijametin). Kështu që, mos kini asnjë dyshim për të (Kijametin) dhe më ndiqni Mua (Allahun), kjo është Rruga e Drejtë.” [Ez Zuhruf: 57-61].

“Dhe do t’i fryhet Surit dhe gjithkush që është në qiej dhe gjithkush që është në tokë do të shokohen (shuhen), përveç atij që do Allahu. Pastaj do t’i fryhet për herë të dytë dhe ja! Kur t’i shohësh, ata të gjithë të ngritur shikojnë (e presin). Dhe toka (e mahsherit) do të ndriçojë nga Drita e Zotit të saj, Libri do të vendoset i hapur, Pejgamberët dhe dëshmuesit do të sillen përpara dhe do të gjykohet mes tyre (krijesave) me drejtësi, dhe atyre nuk do t’u bëhet asnjë padrejtësi. Çdonjëri do të shpërblehet plotësisht për atë që ka punuar; dhe Ai është më në Dijeni për çfarë ata bëjnë.” [Ez Zumer- 68-70].

“Kur t’i fryhet Surit me një të fryrë (fryrja e parë). Dhe kur toka dhe mallet të shkulen nga vendet e tyre dhe të shkatërrohen me një goditje shkatërruese. Atëherë, atë ditë do të ngjasë Ngjarja e Madhe. Qielli do të çahet, pasi atë ditë ai do të jetë i dobët dhe i copëtuar. Dhe engjëjt do të jenë në anët e tij; dhe tetë engjëj atë ditë do të mbartin lart Arshin e Zotit tënd. Atë ditë ju do të silleni në gjykim, asnjë sekret nuk do të fshihet. Pastaj, sa për atë të cilit do t’i jepet libri i veprave nga e djathta e tij, do të thotë: “Ja! Merreni dhe lexoni librin tim! Me të vërtetë që besova se do ta takoj llogarinë time.” Kështu ai do të jetë në jetë të kënaqësisë, në Xhenetin e lartë, në të cilin frutat janë në degët e ulura dhe mu ndër duar. Hani dhe pini në qetësi për atë që ju dërguar (vepruat) para jush në ditët e shkuara!

Por sa për atë të cilit do t’i jepet libri i tij nga e majta e tij, do të thotë: “Sa do të doja të mos më ishte dhënë libri im! Asnjëherë nuk e kam ditur si ka qenë llogaria ime! Ah! Sikur ajo (vdekja) të kishte qenë fundi im! Pasuria s’më bëri aspak dobi mua. Fuqia ime dhe shpjegimet (për t’u mbrojtur) më kanë ikur!” (Do të thuhet): Kapeni atë dhe lidheni në pranga, pastaj hidheni në zjarrin flakërues. Pastaj lidheni atë me zinxhir të gjatë shtatëdhjetë kutë. Vërtet që ai asnjëherë nuk besoi në Allahun, më Madhështorin. As nuk dha e nuk nxiti për të ushqyer të varfrit. Kështu që asnjë shok nuk ka ai këtu në këtë ditë.” [El Hakkah: 13-35].

“Kësisoj, për Zotin tënd! Me të vërtetë, Ne do t’i grumbullojmë të gjithë ata së bashku dhe shejtanët (e tyre bashkë me ta), pastaj Ne do t’i sjellim ata përreth xhehenemit të ulur në gjunjë. Pastaj sigurisht Ne do të tërheqim zvarrë nga çdo grup të gjithë ata që kanë qenë arrogantët më kokëfortë ndaj të Gjithëmëshirshmit. Pastaj sigurisht Ne i dimë më mirë ata që janë më të merituarit për t’u djegur në të. Nuk ka asnjë prej jush që të mos kalojë mbi të (mbi xhehenem); kjo është me Zotin tënd një vendim i cili duhet të përmbushet. Pastaj Ne do t’i shpëtojmë ata që e patën frikë Allahun dhe qenë të përkushtuar e të bindur ndaj Tij, ndërsa keqbërësit e zullumqarët do t’i lëmë atje (në xhehenem) të poshtëruar në gjunjë.” [Merjem: 68-72].

 

2. Njoftimi i të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) për këtë në shumë hadithe të tij. Prej tyre po përmendim fjalën e tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!): “Nuk ka për t’u bërë Kijameti derisa dikush të kalojë pranë varrit të dikujt tjetër e të thotë: “Ah! Sikur të isha unë në vend të tij!”[1]

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) gjithashtu thotë: “Nuk ka për t’u bërë Kijameti, deri sa të shfaqen dhjetë shenja: Një fundosje (e tokës) në lindje, një në perëndim dhe një në Gadishullin Arabik, Tymi, Dexhali, Kafsha e tokës (që del nga toka dhe flet), Jexhuxhët dhe Maxhuxhët, lindja e diellit nga perëndimi i tij, një zjarr që del nga periferia e Adenit dhe që i largon njerëzit dhe zbritja e Isait, birit të Merjemes.”[2]

“Tek populli im do të dalë Dexhali dhe do të qëndrojë dyzet (ditë por jo të gjitha si tonat tani). Atëherë Allahu dërgon Isain, birin e Merjemes, i cili i ngjan Urveh ibën Mesudit. Ai (Isai) do ta kërkojë dhe do ta vrasë atë. Pastaj njerëzit do të jetojnë shtatë vjet pa pasur armiqësi mes dy vetëve. Pastaj Allahu do të dërgojë një erë të ftohtë nga ana e Shamit dhe nuk ka për të mbetur mbi faqen e dheut asnjë që ka pasur hajër (mirësi) apo besim në zemrën e tij qoftë sa një grimcë, veçse ajo erë do ta vdesë atë. Madje edhe sikur ndokush prej jush të hyjë në brendësi të ndonjë mali, ajo erë do të hyjë në të dhe do ta vdesë atë. Pastaj do të mbesin krijesat më të këqija, të cilët nuk veprojnë dhe as e njohin të mirën dhe nuk ndalojnë nga e keqja. Djalli u vjen atyre në formën e një njeriu dhe u thotë: A nuk po më përgjigjeni? –E për çfarë na urdhëron? – Atëherë ai i urdhëron ata që të adhurojnë idhujt. Në atë kohë ata do të kenë furnizim të mirë dhe jetë të mirë. Pastaj i fryhet Surit dhe çdokush që e dëgjon atë, i vë veshin dhe herë e ngre qafën e herë e ul. I pari që do ta dëgjojë atë është një burrë i cili rregullon stallën e deveve të tij. –Pastaj njerëzit vdesin. Pastaj Allahu dërgon një shi të butë, nga i cili mbijnë trupat e njerëzve. Pastaj i fryhet Surit për herë të dytë dhe të gjithë ata do të jenë të ngritur dhe vështrojnë (e presin llogarinë). Pastaj thuhet: O ju njerëz! Ejani te Zoti juaj. Jo, por ndalini ata, sepse ata do të merren në llogari. -Pastaj thuhet: Nxirni prej tyre ata të zjarrit. –Thonë (engjëjt): Sa prej tyre? –Nga çdo një mij njerëz, nxirni (për në zjarr) nëntëqind e nëntëdhjetë e nëntë njerëz.

Kjo është ajo ditë e cila i bën fëmijët me thinja dhe kjo është dita në të cilën do të zbulohet Kërciri (i Allahut të Madhëruar).”[3]

 

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) thotë: “Kijameti nuk ka për t’u bërë veçse mbi njerëzit më të këqinj.”[4]

Dhe ka thënë: “Ndërmjet dy fryrjeve të Surit janë dyzet (ditë a diçka tjetër), pastaj Allahu do të zbresë shi nga qielli dhe ata do të mbijnë ashtu si mbin bari. Çdo pjesë e trupit të njeriut tretet, me përjashtim të një eshtre të vetme e cila është pjesa e fundit e shtyllës kurrizore në vendin e bishtit. Pikërisht prej tij do të formohen krijesat në Ditën e Kijametit.”[5]

“O ju njerëz! Ju do të ringjalleni te Zoti juaj të zbathur, të zhveshur dhe të pa bërë synet. A e dini që krijesa e parë që do të vishet atë ditë është Ibrahimi (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!)? Atë ditë do të sjellin disa burra nga populli im të cilët do t’i tërheqin nga e majta, ndërsa unë them: O Zot! Ata janë shokët e mi! –Allahu thotë: Ti nuk e di çfarë kanë vepruar pas teje.”[6]

Ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) thotë: “Asnjë rob nuk ka për të lëvizur këmbë në ditën e Kijametit, derisa të pyetet për katër gjëra: Për jetën e tij se ku e kaloi, për dijen e tij se çfarë punoi me të, për pasurinë e tij se nga e fitoi dhe ku e shpenzoi, dhe për trupin e tij se ku e konsumoi?”[7]

“Hauzi im (në xhenet) është i gjatë sa ecja një muaj. Uji i tij është më i bardhë se qumështi, aroma e tij është më e mirë se e miskut dhe bardhakët e tij janë sa yjet e qiellit. Kushdo që pi nga ai, nuk etet më kurrë.”[8]

Po kështu edhe fjala e tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) drejtuar Aishes (Allahu qoftë i kënaqur me të!), kur ajo kujtoi zjarrin e xhehenemit dhe qau: “Përse qan?” – Përkujtova zjarrin dhe më erdhi për të qarë, -pastaj vazhdoi: Po ju a do t’i kujtoni familjet (bashkëshortet) tuaja në ditën e Kijametit? –Në tre vende, askush nuk kujton askënd: (1) Tek peshorja, deri sa të mësosh nëse e peshon lehtë apo rëndë, (2) kur të fluturojnë librat, deri sa të mësosh nëse e merr librin me të djathtën apo me të majtën, apo nga pas shpine dhe (3) kur të kalosh urën e Siratit, kur ajo të vendoset mbi xhehenem, deri sa ta kalosh atë.”[9]

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) gjithashtu ka thënë: “Secili Pejgamber ka pasur të drejtën e një lutjeje për popullin e tij dhe të gjithë ata e kanë bërë atë, ndërsa unë e kam ruajtur lutjen time për ndërmjetësimin për popullin tim.”

 

3. Besimi i miliona Pejgamberëve, të Dërguarëve, dijetarëve, vepërmirëve e të urtëve prej robëve të Allahut, në Ditën e Kijametit me çdo gjë që ka ardhur në tekstet Hyjnore për të, si dhe bindja e tyre e prerë për këtë, është argument i qartë për ekzistencën e saj.

 

Argumentet nga logjika e shëndoshë:

 

1. Fuqia e plotë e Allahut për rikthimin e krijesave pas zhdukjes së tyre, pasi që rikthimi i tyre nuk është më i vështirë se krijimi dhe shpikja e tyre pa shembull të mëparshëm.

 

2. Nuk ka ndonjë gjë që mendja nuk e pranon, për sa i përket ringjalljes dhe shpërblimit sipas veprave, pasi që mendja nuk refuzon veçse gjërat absurde, si bashkimi ndërmjet dy të kundërtave, apo takimi i dy kundërthënieve, ndërsa ringjallja dhe shpërblimi nuk janë të kësaj natyre.

 

3. Urtësia e qartë e Allahut të Madhëruar, në komandimin e krijesave të tij, e cila është e dukshme në çdo shfaqje e fushë të jetës, si dhe dukuritë e tyre, të gjitha këto e bëjnë absurde mosekzistencën e ringjalljes së krijesave pas vdekjes së tyre, si dhe mbarimin e jetës së parë dhe shpërblimin sipas veprave të mira e të këqia.

 

4. Ekzistenca e jetës në këtë botë dhe çfarë gjendet në të prej mirësisë e mjerimit, është dëshmuese për ekzistencën e botës tjetër në një botë tjetër, në të cilën do të ketë drejtësi, mirësi, përsosmëri, lumturi e vuajtje shumë herë më të mëdha e më të shumta, saqë kjo botë e çfarë gjendet në të prej lumturisë e mjerimit, nuk përbën as një kështjellë prej kështjellave të mëdha apo një kopësht prej kopshteve të pasura, në një copëz letre të vogël.

 

Besimi në dënimin e varrit dhe mirësinë në të

 

Muslimani beson se dënimi i varrit dhe kënaqësia në të, si dhe pyetja e dy engjëjve në të, të gjitha këto janë të vërteta dhe hak. Për këtë dëshmojnë argumentet nga tekstet Hyjnore dhe nga logjika e shëndoshë, si në vijim:

 

Argumente nga tekstet Hyjnore:

 

1. Njoftimi i Allahut për këtë gjë në Librin e Tij. Allahu i Madhëruar thotë: “Dhe sikur t’i shihje engjëjt kur u marrin shpirtin atyre që nuk besojnë, si i godasin në fytyrë dhe kurriz, duke u thënë: “Shijoni dënimin e zjarrit që flakëron.” Gjithë kjo nga ajo që kanë sjellë duart tuaja përpara jush. Me të vërtetë që Allahu nuk është i padrejtë ndaj robëve të Vet.” [El Enfal: 50-51].

“Dhe sikur t’i shihje zullumqarët (mosbesimtarët, keqbërësit) kur janë duke dhënë shpirt, ndërsa engjëjt zgjasin duart e tyre duke u thënë: “Dorëzoni shpirtrat tuaj! Këtë ditë ju do të shpërbleheni me mundimin poshtërues për shkak të atyre që thatë kundër Allahut duke shpifur krejt tjetër nga e vërteta, dhe ju gjithnjë i mohuat provat e Tij me përbuzje e kryeneçësi.” Dhe në të vërtetë ju erdhët te Ne të vetëm, ashtu siç ju krijuam për herë të parë. Ju i latë pas gjithçka që Ne ju kishim dhuruar. Ne nuk poi  shohim me ju ndërmjetësit tuaj të cilët ju i pohonit si shokë përkrah Allahut. Tani të gjitha lidhjet tuaja me ta janë prerë dhe gjithçka që ju e quanit tuajën tashmë është shuar.” [El Enam: 93-94].

“Ne do t’i ndëshkojmë ata dy herë dhe pas kësaj do të sillen përsëri në dënim të madh.” [Et Teube: 101].

“Ata do t’i ballafaqohen zjarrit mëngjes e mbrëmje dhe ditën kur do të vendoset Ora (Kijameti, do t’u thuhet engjëjve): Futeni popullin e Faraonit në ndëshkimin më të rreptë!” [Gafir: 93-94].

“Allahu do t’i forcojë në qëndrueshmëri me fjalën e qëndrueshme ata që kanë besuar, në këtë botë dhe në botën tjetër. Ndërsa zullumqarët, Allahu i humb. Dhe Allahu vepron atë që dëshiron.” [Ibrahim: 27].

 

2. Njoftimi i të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) për dënimin e varrit dhe kënaqësinë në të, në fjalën e tij: “Kur njeriu të vendoset në varrin e tij dhe shokët t’i kthejnë shpinën atij –dhe ai e dëgjon trokitjen e sandaleve të tyre kur largohen -, atij i vijnë dy engjëj. Ata i thonë atij: Çfarë thoshe për këtë burrë –për Muhamedin (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!)-? –Besimtari do të thotë: ‘Unë dëshmoj se ai është robi i Allahut dhe i Dërguari i Tij.’ Atëherë atij i thuhet: Vështro tek vendi yt në zjarr! Allahu ta ka ndërruar atë me një vend në xhenet. Dhe ai i sheh që të dy ato vende. Ndërsa hipokriti dhe mosbesimtari, kura ata t’i thonë: Çfarë thoshe për këtë burrë?, këta do të thonë: Nuk e di! Thosha ashtu si thoshin njerëzit. –Atëherë këtij do ti thuhet: As nuk e dite dhe as nuk e pasove. Pastaj ai goditet me çekiçë prej hekuri, një goditje të vetme, ndërsa ai do të bërtasë një të bërtitur të cilën do ta dëgjojnë të gjithë, përveç dy të rëndëve (njerëzit dhe xhinët).”[10]

“Kur dikush prej jush të vdesë, atij i shfaqet vendi i tij i qëndrimit të përjetshëm mëngjes e mbrëmje; nëse ai është prej banorëve të xhenetit, do t’i shfaqet vendi në xhenet me banorët e xhenetit, e nëse është prej banorëve të zjarrit, do t’i shfaqet vendi i tij në zjarr me banorët e zjarrit. Atij i thuhet: Ky është vendi yt, deri sa të të ringjallë Allahu në Ditën e Gjykimit.”[11]

Po kështu fjala e tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) kur bënte lutje (në teshehud): “O Zoti im! Unë kërkoj mbrojtje prej Teje nga dënimi i varrit, nga dënimi i zjarrit, nga sprova e jetës dhe e vdekjes dhe nga sprova e Mesihu Dexhalit!”[12]

Po kështu edhe fjala e tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) kur ai kaloi pranë dy varreve dhe tha: “Këta të dy po dënohen, dhe jo për ndonjë gjë të madhe!” –Pastaj tha: “Po, po! (dënohen për diçka të madhe). Njëri prej tyre ecte lartë e poshtë me thashetheme, ndërsa tjetri nuk ruhej nga urina e tij (nga sytë e njerëzve dhe nga spërkitja).”[13]

 

3. Besimi i biliona dijetarëve, vepërmirëve dhe besimtarëve nga populli i Muhamedit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), si dhe nga popujt e tjerë të mëparshëm, në dënimin e varrit dhe kënaqësinë në të, dhe çdo gjë që është transmetuar në lidhje me të.

 

Argumentet nga logjika e shëndoshë:

 

1. Besimi i njeriut në Allahun, engjëjt e Tij dhe në Ditën e Gjykimit, bën të detyrueshme besimin në dënimin e varrit, kënaqësinë në të dhe çdo gjë që ndodh atje, pasi që të gjitha këto janë nga gjërat e fshehta, kështu që kush beson një pjesë të tyre (për të cilat ka njoftuar Allahu), ai logjikisht është i detyruar të besojë edhe pjesën tjetër.

 

2. Dënimi apo kënaqësia e varrit dhe ç’ka ndodh në të prej pyetjes së dy engjëjve, nuk është diçka që logjika ta refuzojë apo ta konsiderojë si absurde. Përkundrazi, logjika e shëndoshë e aprovon dhe dëshmon për të.

 

3. Njeriu mund të shohë ëndërra të cilat e gëzojnë dhe ai kënaqet me to për shkak të ndikimit të tyre në shpirtin e tij, saqë kur ai zgjohet, do të mërzitej përse u zgjua. Ashtu si dhe mund të shohë ëndërra të cilat e mërzisin dhe e bëjnë të vuajë, saqë kur zgjohet, ai e falenderon atë që e zgjoi nëse e ka zgjuar dikush. Kjo kënaqësi apo vuajtje në gjum, është diçka që ndodh vërtetë me shpirtin dhe ai ndikohet nga ato, megjithëse kjo është diçka e paprekshme dhe e padukshme për ne, por atë nuk e mohon askush. Atëherë si mund të mohohet dënimi i varrit apo kënaqësia e tij, ndërkohë që të dyja këto janë të ngjashme?!

 


[1] E transmeton Buhariu (9/73), Muslimi (4/2231).

[2] E transmeton Muslimi (4/2236).

[3] E transmeton Muslimi (4/2258).

[4] E transmeton Muslimi (4/2268).

[5] E transmeton Muslimi (4/2270).

[6] E transmeton Ahmedi (1/253).

[7] E transmeton Tirmidhiu (4/529).

[8] E transmeton Buhariu (8/149), Muslimi (4/1793).

[9] E transmeton Ebu Daud (5/116).

[10] E transmeton Buhariu (2/123).

[11] E transmeton Buhariu (8/134).

[12] E transmeton Buhariu (1/211).

[13] E transmeton Buhariu (1/65).

___________________________________________

 

6. Besimi në Paracaktimin e Allahut dhe përmbushjen e tij

 

Muslimani beson në paracaktimin e Allahut dhe përmbushjen e atij paracaktimi, në Urtësinë dhe Dëshirën e Tij, dhe se asgjë në gjithësi, madje as veprat e lira të njeriut nuk ndodhin veçse pas Dijes gjithëpërfshirëse të Allahut dhe paracaktimit të Tij. Muslimani beson se Allahu i Madhëruar është i Drejtë në Paracaktimin e Tij dhe në përmbushjen e atij paracaktimi, i Urtë në komandimin dhe sistemimin e Tij dhe se Urtësia e Tij ndjek Dëshirën e Tij. Ajo që Ai ka dashur, ka ekzistuar dhe ajo që ai nuk ka dashur, nuk ekziston. Nuk ka ndryshim e as fuqi veçse me Allahun e Madhëruar.

Këto bazohen në argumentet nga tekstet Hyjnore dhe nga logjika e shëndoshë, si në vijim:

 

Argumentet nga tekstet Hyjnore:

 

1.  Njoftimi i Allahut të Madhëruar për këto, në Librin e Tij. Allahu i Madhëruar thotë: “Me të vërtetë që Ne e kemi krijuar çdo gjë me Kader (Paracaktimi Hyjnor).” [El Kamer: 49].

“Dhe s’ka asgjë që Ne të mos i kemi për të thesaret e pashtershëm dhe Ne nuk e dërgojmë atë veçse në masë të drejtë e të ditur (nga Ne).” [El Hixhr: 21].

“Asnjë fatkeqësi nuk bie në tokë ose mbi ju që të mos jetë e shkruar në Librin (El Leuhu el Mahfudh), para se Ne ta sjellim atë në zbatim. Sigurisht që kjo është e lehtë për Allahun.” [El Hadid: 22].

“Asnjë fatkeqësi nuk mund të bjerë veçse me Lejen e Allahut.” [Et Tegabun: 11].

“Dhe çdo njeriu, Ne ja kemi lidhur veprat e tij fortë pas qafës së tij…” [El Isra: 13].

“Thuaj: “Kurrë nuk do të na ndodh gjë neve, përveç asaj që Allahu ka përcaktuar për ne. Ai është Ndihmuesi ynë dhe tek Allahu të mbështeten plotësisht besimtarët.” [Et Teube: 51].

“Dhe vetëm tek Ai janë çelësat e të fshehtës, askush nuk i di përveç Atij. Ai di gjithçka në tokë e në det; nuk ka asnjë grimcë në errësirën e tokës, asgjë të njomë ose të thatë që të mos jetë shkruar në Libër të qartë (El Leuhu el Mahfudh).” [El Enam: 59].

“E ju nuk mund të dëshironi, vetëm nëse dëshiron Allahu.” [Et Tekvir: 29].

“Padyshim se ata për të cilët ka paraprirë mirësia nga Ne, do të jenë të larguar larg prej andej (nga xhehenemi).” [El Enbija: 101].

“Do të ishte më mirë për ty, që kur hyre në kopështin tënd, të thoshe: “Masha Allahu la kuvete il-la bilah” –Ajo që dëshiron Allahu bëhet dhe nuk ka fuqi veçse me Allahun.” [El Kehf: 39].

“Kurrë nuk do të ishim udhëzuar, sikur të mos na kishte udhëzuar Allahu.” [El Araf: 43].

 

2. Njoftimi i të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) për Paracaktimin e Allahut dhe përmbushjen e tij, në shumë hadithe. Prej tyre po përmendim fjalën e tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!): “Gjithkush nga ju fillon të krijohet në barkun e nënës së tij duke u mbledhur në të për dyzet ditë si lëng i ngjizur (nga bashkimi i vezëve mashkullore me ato femërore), pastaj bëhet gjak i mpiksur po për kaq kohë (dyzet ditë), pastaj bëhet copë mishi për të njëjtën kohë. Pastaj tek ai dërgohet një melek (engjëll) i cili fryn shpirtin në të dhe urdhërohet të shkruajë katër gjëra: rrizkun e tij, exhelin (kohën e vdekjes) së tij, punën e tij dhe nëse do të jetë fatkeq apo fatmirë. Betohem në Atë, përveç të Cilit nuk ka të adhuruar tjetër! Ndokush prej jush do të punojë punë të banorëve të xhenetit, deri sa të mos jetë ndërmjet tij dhe tij veçse një parakrah, por atij i paraprin Libri (i shkruar që më parë tek Allahu) dhe ai punon punë të banorëve të zjarrit, kështu që hyn në të. Dhe vërtet që ndokush prej jush do të punojë punë të banorëve të zjarrit, deri sa të mos jetë ndërmjet tij dhe tij veçse një parakrah, por atij i paraprin Libri dhe ai vepron punë të banorëve të xhenetit, dhe hyn në të.”[1]  

Po kështu fjala e tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) drejtuar Ibën Abasit (Allahu qoftë i kënaqur me të!): “O djalosh! Unë do të të mësoj ty disa fjalë: Ruaje Allahun që të të ruajë ty! Ruaje Allahun dh eke për ta gjetur përpara (në ndihmën tënde). Kur të kërkosh, kërko nga Allahu dhe kur të kërkosh ndihmë, kërkoje nga Allahu. Dhe dije se sikur i gjithë populli të bashkohet që të të sjellin ndonjë dobi, ata nuk kanë për të të bërë dobi veçse me atë që Allahu e ka shkruar për ty. E nëse do të bashkoheshin që të të dëmtonin me ndonjë gjë, ata nuk do të mund të të dëmtonin veçse me atë që Allahu e ka shkruar kundër teje. Lapsat tashmë janë ngritur dhe letrat janë tharë.”[2]

“Gjëja e parë që Allahu ka krijuar është lapsi. Pastaj Ai i tha atij: Shkruaj! –Çfarë të shkruaj, o Zot? –tha lapsi. –Shruaj përcaktimet e çdo gjëje deri sa të bëhet Kijameti.”[3]

“Ademi dhe Musa po polemizonin. Musa tha: “O Adem! Ti je babai ynë dhe ti na zmbrapse e na nxore nga xheneti.” Ademi tha: “Ti je Musai, të cilin Allahu e ka veçuar me të Folurin e Tij dhe i ka shkruar Teuratin me Dorën e Tij, a po më kritikon për një gjë të cilën Allahu e ka paracaktuar për mua, dyzet vjet para se të më krijonte?!” Kështu, Ademi fitoi mbi Musën, në polemikë.”[4]

Po kështu edhe fjala e tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) në përkufizimin e imanit (besimit): “(Imani është) Të besosh në Allahun, në engjëjt e Tij, në Librat e Tij, në të Dërguarit e Tij, në Ditën e Fundit dhe të besosh në Paracaktimin e Allahut, qoftë për të mirë apo për të keq.”[5]

“Punoni, sepse gjithësecilit i lehtësohet ajo për të cilën është krijuar.”[6]

“Zotimi nuk e kthen paracaktimin.”[7]

Po kështu edhe fjala e tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) drejtuar Abdullah ibën Kajsit: “O Abdullah ibën Kajs! A të të mësoj një fjalë e cila është prej thesarëve të xhenetit? (Ajo është): “La haule ue la kuvete il-la bilah – Nuk ka ndryshim e fuqi veçse me Allahun”[8]

Po kështu edhe fjala e tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) drejtuar atij që tha: “Çfarë të dojë Allahu dhe çfarë të duash ti”: “Thuaj: “Çfarë të dojë Allahu, vetëm Ai.”[9]

 

3. Besimi i qindra milionëve nga populli i Muhamedit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), prej dijetarëve, të urtëve, të mirëve etj, në Paracaktimin e Allahut të Lartëmadhëruar dhe në përmbushjen e atij paracaktimi, në Urtësinë e Allahut dhe në Vullnetin e Tij, dhe se çdo gjë paraprihet nga dija dhe paracaktimi i Tij i hershëm. Besimi i tyre se në sundimin e Tij nuk mund të hyjë veçse ajo që Ai dëshiron (që ta krijojë e pastaj të ekzistojë), dhe se ajo që Ai ka dashur, është bërë, ndërsa ajo që Ai nuk ka dashur, nuk ka ekzistuar kurrë. Si dhe besimi i tyre se lapsi ka shkruar çdo gjë që do të ndodhë deri në Ditën e Kijametit. Të gjitha këto janë argument i qartë për vërtetësinë e Paracaktimit të Allahut dhe përmbushjen e atij paracaktimi.

 

Argumentet nga logjika e shëndoshë:

 

1. Mendja e njeriut nuk konsideron absurde asgjë në lidhje me paracaktimin e Allahut dhe përmbushjen e tij, as Vullnetin e Allahut, Urtësinë e Tij, Dëshirën dhe komandimin e Tij. Madje logjika e konsideron të domosdoshme të gjithë këtë dhe e vulos atë, pasi që dukuria e tyre është mëse e qartë dhe e dukshme në këtë gjithësi.

 

2. Besimi në Allahun e Madhëruar dhe në Fuqinë e Tij absolute, rezulton në besimin në paracaktimin dhe përmbushjen e tij, në Urtësinë dhe Vullnetin e Tij.

 

3. Përderisa inxhinjeri i ndërtimit e hedh projektin e ndërtesës që kërkon të ndërtojë, në një letër të vogël dhe përcakton kohën që do të duhet për ta përmbushur atë plan, pastaj punon për zbatimin e tij. Pastaj, menjëherë me mbarimin e afatit të përcaktuar, kështjella e vizatuar në letër, del dhe shfaqet në ekzistencë, në përputhje me vizatimin e inxhinjerit në letër, pa lënë mangut asgjë dhe pa shtuar në të. Atëherë si mund të mohohet që Allahu t’i ketë shkruar përcaktimet e të gjithë ekzistencës deri në ditën e Kijametit?! Dhe më pas, nga Fuqia dhe Dija e Tij absolute, këto përcaktime realizohen në përputhje me atë që Allahu ka paracaktuar, në sasi e cilësi, në kohë e në vend, duke ditur se Allahu i Madhëruar është i Gjithëfuqishëm për gjithçka?!

 


[1] E transmeton Muslimi (4/2036).

[2] E transmeton Tirmidhiu (2516).

[3] E transmeton Ahmedi (5/317) dhe Ebu Daudi (4700).

[4] E transmeton Muslimi (4/2042).

[5] E transmeton Muslimi (1/37).

[6] E transmeton Muslimi (4/2040).

[7] E transmeton Muslimi (3/1261).

[8] E transmeton Buhariu (5/170) dhe Muslimi (4/2077).

[9] E transmeton Ahmedi (1/214, 282) dhe Ibën Maxheh (2117).

______________________________________________

Shkëputur nga libri “Minhaxhu el Muslim”
Autor: Ebu Bekër Xhabir el Xhezairi
Përktheu: Bledar Albani