TEMAT

ÇFARË E PRISH AGJËRIMIN

ÇFARË ËSHTË E URRYER DHE ÇFARË PREFEROHET GJATË TIJ

 

Tema

Çfarë ka ardhur për Hixhamen

 

18. Rafi’ ibën Hadixh thotë: “I Dërgari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “E ka prishur agjërimin ai që i bën hixhame tjetrit dhe ai që i bëhet hixhamja.” E transmeton Ahmedi dhe Tirmidhiu. [Sahih – El Irva’ 931]. Hadith të ngjashëm transmetojnë edhe Ahmedi, Ebu Daudi dhe Ibën Maxheh; nga Theubani dhe nga Shedad ibën Eus. Po kështu Ahmedi dhe Ibën Maxheh nga Ebu Hurejra. Ahmedi nga Aisha dhe nga Usame ibën Zejd.

19. Transmetohet nga Theubani se: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) shkoi te një burrë që po bënte hixhame në Ramazan, e i tha: “E ka prishur agjërimin ai që i bën hixhame tjetrit dhe ai që i bëhet hixhamja.”

20. Haseni transmeton nga Meakil ibën Sinan se ky ka thënë: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) kaloi pranë meje ndërsa po bëja hixhame në ditën e 18-të të Ramazanit, dhe tha: “E ka prishur agjërimin ai që i bën hixhame tjetrit dhe ai që i bëhet hixhamja.”

Të dy këto hadithe i transmeton Ahmedi. [Sahih – El Irva’ 931]. Këto janë argument se kush bën diçka që e prish agjërimin pa e ditur, agjërimi i tij prishet, ndryshe nga ai që harron. Ahmedi thotë: “Hadithi më i saktë në këtë temë është hadithi i Rafi ibën Hadixh.” Kurse Ali ibën el Medini thotë: “Hadithi më i saktë në këtë temë është hadithi i Theubanit dhe Shedad ibën Eusit.”

21. Ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) ka bërë hixhame duke qenë muhrim (në haxh) dhe po kështu kur ka qenë agjërueshëm.” E transmeton Ahmedi dhe Buhariu. Në një transmetim tjetër thuhet: “Ka bërë hixhame duke qenë muhrim, agjërueshëm.” E transmeton Ebu Daudi, Ibën Maxheh dhe Tirmidhiu i cili e quan të saktë.

22. Transmetohet nga Thabit el Bunani se ky i ka thënë Enes ibën Malikut (Allahu qoftë i kënaqur me të!): “A e urrenit bërjen e hixhames për agjëruesin në kohën e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!)?” Ai tha: “Jo, përveç në rast të dobësimit prej saj.” E transmeton Buhariu.

23. Abdurrahman ibën Ebi Lejla transmeton nga njëri prej shokëve të Pejgamberit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) se ai ka thënë: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) ndaloi nga lidhja e natës me ditën me agjërim dhe nga hixhamja për agjëruesin, për të ruajtur shokët e vet (nga dobësimi i shëndetit), por nuk i ka bërë haram ato.” E transmeton Ahmedi dhe Ebu Daudi. [Sahih – Sahih Ebi Daud 2055].

24. Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) thotë: “Hixhamja u ndalua në fillim kur Xheafer ibën Ebi Talib bëri hixhame duke qenë agjërueshëm dhe pranë tij kaloi i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), dhe tha: “Këta të dy e kanë prishur agjërimin.” Më pas, i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) i dha lejë agjëruesit për të bërë hixhame. Vetë Enesi bënte hixhame duke qenë agjërueshëm.” E transmeton Darakutni dhe thotë: Të gjithë transmetuesit e tij janë të besueshëm dhe nuk di të ketë ndonjë defekt. [Sahih – El Irva’ 931].

 

Tema

Çfarë ka ardhur për të vjellën dhe lyerjen e syve

25. Transmetohet nga Ebu Hurejra se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Kush vjell pa vullnetin e tij, nuk ka detyrim të zevendësojë atë ditë agjërimi (nuk i prishet agjërimi), kurse kush ngacmon vjelljen me qëllim, duhet ta zëvendësojë atë ditë agjërimi (i prishet agjërimi).” E transmetojnë të pestët, përveç Nesait. [Sahih – El Irva’ 930].

26. Abdurrahman ibën Neuman ibën Meabed ibën Hudheh transmeton nga babai i tij, nga gjyshi i tij, se: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) urdhëroi për lyerjen e syve me pluhurin e antinomit (ithmid) para gjumit, por tha: “Ai që agjëron të mos e përdorë atë!” E transmeton Ebu Daudi dhe Buhariu në librin “Et Tarih”. Për zinxhirin e transmetuesve të këtij hadithi ka fjalë. Ibën Muin thotë: “Ky Abdurrahmani është i dobët në transmetim.” Kurse Ebu Hatim er Razi thotë se është i pranueshëm (saduk). [Munker – I panjohur, i refuzuar. El Irva’ 936].

Tema

Për atë që ha ose pi nga harresa

27. Transmetohet nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Kush është agjërueshëm dhe nga harresa ha apo pi diçka, të vazhdojë agjërimin sepse Allahu i ka dhënë atij të hajë e të pijë.” E transmeton Grupi, përveç Nesait. Në një transmetim tjetër thuhet: “Nëse agjëruesi ha nga harresa apo pi nga harresa, ky është furnizim që ia ka sjellë Allahu dhe ai nuk ka detyrë ta zëvendësojë atë ditë.” E transmeton Darakutni dhe thotë: Zinxhiri i transmetuesve të tij është i saktë. Në një transmetim tjetër thuhet: “Kush e prish një ditë nga Ramazani për shkak të harresës, ai nuk ka detyrim ta zëvendësojë atë ditë dhe as ta kompensojë me diçka.” Darakutni thotë: Me këtë tekst e ka përcjell vetëm Ibën Merzuku – i cili është i besueshëm (thikah) -; nga el Ensari.

 

Tema

Ruajtja nga përgojimi dhe bisedat boshe,

Dhe çfarë thuhet kur dikush të ofendon duke qenë agjërueshëm

28. Transmetohet nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Kur dikush nga ju është në ditë agjërimi, të mos flaës fjalë të turpshme (mund të përfshihen edhe marrëdhëniet intime dhe veprat paraprake të tyre) atë ditë dhe të mos gërthasë në grindje. Nëse dikush të shan apo të sulmon, ti thuaj: “Unë jam agjërueshëm.” Pasha Atë në dorën e të Cilit është shpirti i Muhamedit! Ndryshimi i erës së gojës së agjëruesit është më e mirë te Allahu se aroma e miskut. Agjëruesi ka dy gëzime me të cilat gëzohet: Kur çel Iftarin gëzohet me iftarin e tij, dhe kur të takojë Zotin e vet do të gëzohet me agjërimin e tij.” Muttefekun Alejhi.

29. Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) thotë: I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Kush nuk e lë dëshminë e rreme dhe të vepruarit me të, Allahu nuk ka nevojë që ai të lërë ngrënien e pirjen.” E transmeton Grupi, përveç Muslimit dhe Nesait.

 

Tema

Agjëruesi mund të shpëlajë gojën dhe të lahet nga i nxehti

30. Umeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) thotë: “U gjallërova një ditë dhe putha gruan duke qenë agjërueshëm, kështu që shkova te i Dërguari (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) dhe i thashë: “Sot bëra diçka të madhe: putha duke qenë agjërueshëm!” I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) tha: “Po sikur të shpëlaje gojën me ujë, a do të kishte problem?” I thashë: “Jo, nuk do të kishte problem.” I Dërguari (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) tha: “Atëherë përse shqetësohesh?” E transmeton Ahmedi dhe Ebu Daudi. [Hasen – i Mirë, i saktë. Sahih Ebi Daud 2064].

31. Ebu Bekër ibën Abdurrahman transmeton nga një prej shokëve të Pejgamberit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) se ai ka thënë: “E kam parë të Dërguarin (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) të derdhë ujë mbi kokë nga të nxehtit duke qenë agjërueshëm.” E transmeton Ahmedi dhe Ebu Daudi. [Sahih – Sahih Ebi Daud 2047].

Tema

Lejueshmëria e puthjes për agjëruesin,

me përjashtim të atij që ka frikë se nuk mund të përmbahet

32. Umu Seleme (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) e puthte atë megjithëse ishte agjërueshëm.” Muttefekun alejhi.

33. Aisha (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) puthte duke qenë agjërueshëm dhe ledhatonte duke qenë agjërueshëm, por ai ishte më i përmbajturi nga të gjithë ju në nevojën e tij.” E transmeton Grupi, me përjashtim të Nesait. në një transmetim tjetër thuhet: “Puthte në Ramazan duke qenë agjërueshëm.” E transmeton Ahmedi dhe Muslimi.

34. Umer ibën Ebi Seleme transmeton se ka pyetur të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!): “A i lejohet agjëruesit të puthë (gruan e vet)?” I Dërguari (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) iu përgjigj: “Këtë pyetje bëja Umu Selemes (gruas së Pejgamberit).” Atëherë Umu Seleme i tregoi atij se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) e bënte këtë gjë, kurse ai tha: “O i Dërguari i Allahut! Por Allahu t’i ka faluar ty gjynahet e shkuara dhe ato të ardhmet!” I Dërguari (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) ia ktheu: “Pasha Allahun! Unë jam më i devotshëm ndaj Allahut dhe më i shumti që i frikësohet Atij se sa të gjithë ju.” E transmeton Muslimi. Në hadith ka argument se vepra e Pejgamberit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) është argument dhe provë.

35. Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se: “Një burrë pyeti të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) për përkëdhelitë ndaj gruas kur agjëron, e ai ia lejoi atij. Pastaj erdhi dhe e pyeti një burrë tjetër, kurse ai (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) ia ndaloi atij këtë gjë. Ai të cilit ia lejoi, kishte qenë i thyer në moshë, kurse ai tjetri ishte djalë i ri.” E transmeton Ebu Daudi. [Hasen Sahih – Sahih Ebi Daud 2065].

Tema

Kush gdhihet xhunub duke qenë agjërueshëm

36. Aisha (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se: “Një burrë tha: O i Dërguari i Allahut! Ndodh të më zërë koha e namazit (të sabahut) duke qenë xhunub (pas kryerjes së marrëdhënieve bashkëshortore) dhe të jem agjërueshëm?” I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) i tha: “Edhe mua më ndodh të më zërë koha e namazit duke qenë xhunub dhe të agjëroj.” Ai i tha: “Por ti nuk je si ne, o i Dërguari i Allahut, sepse Allahu t’i ka falur ty gjynahet e kaluara dhe ato të ardhmet!” Ai (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) iu përgjigj: “Pasha Allahun! Unë shpresoj të jem më i shumti që i frikësohet Allahut nga ju dhe më i dituri me atë se çfarë duhet t’i ruhem.” E transmeton Ahmedi, Muslimi dhe Ebu Daudi.

37. Transmetohet nga Aisha dhe Umu Seleme (Allahu qoftë i kënaqur me to!) se: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) zgjohej në sabah duke qenë xhunub nga marrëdhëniet intime dhe jo nga ndonjë ëndërr, pastaj vazhdonte agjërimin në Ramazan.” Muttefekun Alejhi.

38. Umu Seleme (Allahu qoftë i kënaqur me të!) thotë: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) zgjohej xhunub nga marrëdhëniet intime dhe jo nga ndonjë ëndërr, pastaj nuk e prishte agjërimin dhe nuk e zëvendësonte atë ditë më pas.” E transmeton Buhariu dhe Muslimi.

Tema

Kompensimi që duhet të paguajë ai që e prish agjërimin e Ramazanit

me kryerjen e marrëdhënieve intime

39. Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) thotë: “Një burrë erdhi te i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) dhe i tha: “U shkatërrova, o i Dërguari i Allahut!” -E çfarë të shkatërroi? – i tha ai. –Kreva marrëdhënie me gruan time në Ramazan, -ia ktheu. I Dërguari (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) i tha: “A ke mundësi të lirosh një skllav?”

-Jo, i tha burri.

-A mundesh të agjërosh dy muaj rresht? – i tha i Dërguari (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!).

-Jo, i tha ai.

-A ke mundësi të ushqesh gjashtëdhjetë të varfër?

-Jo, i tha ai.

Pastaj u ul dhe po rrinte aty, veç kur të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) i sollën dhuratë një thes me hurma, dhe i Dërguari i tha atij: “Merri dhe jepi lëmoshë këto hurma!” Ai iu përgjigj: “A t’ia jap ndonjë më të varfëri se unë? Ndërmjet dy zalleve të Medines nuk gjen shtëpi më të nevojshme se shtëpia jonë për këto hurma.” Atëherë i Dërguari (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) qeshi sa që iu dukën dhëmballët, pastaj tha: “Merri dhe ushqe me to familjen tënde.” E transmeton Grupi. Në transmetimin e Ibën Maxhes thuhet: “I Dërguari (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) i tha: “Liro një skllav. – Nuk kam mundësi, i tha ai. – Agjëro dy muaj rresht, i tha i Dërguari (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!). – Nuk e përballoj dot, tha ai. –Ushqe gjashtëdhjetë të varfër, i tha i Dërguari (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) …” dhe vazhdon hadithin.

Në këtë hadith ka argument të fortë për ruajtjen e rradhës në këto gjëra në kompensimin.

Në transmetimin e Ibën Maxhes dhe në një nga transmetimet e Ebu Daudit thuhet: “..dhe agjëro një ditë tjetër në vend të kësaj dite.” Kurse në një shprehje të Darakutnit thuhet: “Ai burri tha: U shkatërrova dhe shkatërrova edhe tjetrin. –Çfarë të shkatërroi, -i tha i Dërguari (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!)? –Kreva marrëdhënie me gruan …” dhe vazhdon hadithin. Sipas kësaj kuptohet se gruaja e tij ka qenë e detyruar me forcë.

Tema

Urrejtja e lidhjes së dy ditëve me agjërim

40. Ibnu Umer (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) ndaloi nga lidhja e dy ditëve (pa ngrënë natën mes tyre) me agjërim, por dikush i tha: “Por ti e bën këtë gjë!” Ai (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) tha: “Unë nuk jam si ju. Mua më ushqen dhe më jep të pi Zoti im.” Muttefekun alejhi.

41. Transmetohet nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Mos e bëni asesi lidhjen e dy ditëve me agjërim!” Dikush i tha: “Por ti e bën këtë?” Ai i tha: “Kur unë fle gjumë, Zoti im më ushqen dhe më jep të pi. Prandaj merrni përsipër nga punët aq sa mund të përballoni!” Muttefekun alejhi.

42. Aisha (Allahu qoftë i kënaqur me të!) thotë: “I Dërguari (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) i ndaloi shokët e tij nga lidhja e dy ditëve me agjërim si mëshirë për ta, kurse ata i thanë: “Por ti e bën këtë gjë?” Ai iu përgjigj: “Unë nuk jam si gjendja juaj. Mua më ushqen dhe më jep të pi Zoti im.” Muttefekun Alejhi.

43. Transmetohet nga Ebu Seidi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ai ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) të thotë: “Mos i lidhni dy ditë me agjërim, por nëse dikush do patjetër, atëherë të vazhdojë agjërimin deri në kohën e syfyrit (pastaj të hajë syfyr patjetër).” Ata i thanë: “Por ti e bën këtë gjë, o i Dërguari i Allahut!” Ai i tha: “Unë nuk jam si ju. Kur unë fle, kam dikë që më ushqen dhe dikë që më jep të pi.” E transmeton Buhariu dhe Ebu Daudi.

Tema

Edukata e ngrënies së Iftarit dhe Syfyrit

44. Ibën Umeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) thotë: “Kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) të thotë: “Kur nata afron, dita largohet dhe dielli perëndon, agjëruesi e mbyll agjërimin.” Muttefekun alejhi.

45. Sehl ibën Sead (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Njerëzit do të vazhdojnë të jenë mirë përderisa e shpejtojnë ngrënien e Iftarit (menjëherë pas perëndimit të diellit).” Muttefekun alejhi.

46. Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Allahu i Madhëruar thotë: “Më i dashuri nga robët e Mi për mua është ai që e shpejton më shumë Iftarin.” E transmeton Ahmedi dhe Tirmidhiu. [Daif – I Dobët. Daiful Xhami 4041].

47. Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) thotë: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) e çelte Iftarin me disa hurma të njoma (arabie), para se të falte akshamin. Nëse nuk i gjendeshin hurma të njoma, atëherë hante të thata, e nëse nuk i gjendeshin as të thata, atëherë pinte disa gllënjka ujë.” E transmeton Ahmedi, Ebu Daudi dhe Tirmidhiu. [Hasen – i Mirë. El Irva’ 922].

48. Selman ibën Amir ed Dabij (Allahu qoftë i kënaqur me të!) thotë: I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Kur dikush nga ju çel Iftarin, ta çeli me hurma, e nëse nuk i gjenden, atëherë ta çeli me ujë, sepse uji është pastrim.” E transmetojnë të pestët, përveç Nesait. [Daif – i Dobët. Daiful Xhami 389].

49. Transmetohet nga Muadh ibën Zehra, se atij i kanë përcjellë, se kur i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) çelte iftarin, thoshte: “Allahume leke sumtu ue ala rizkike aftartu.” – “O Zoti im! Për ty agjërova dhe me furnizimin tënd e çela Iftarin.” E transmeton Ebu Daudi. [Daif, Mursel. Daiful Xhami 4349].

50. Ebu Dherri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) thoshte: “Ymeti im do të vazhdojë të jetë mirë përderisa vonojnë syfyrin dhe shpejtojnë iftarin.” E transmeton Ahmedi. [Munker, Daif. Irvaul Galil 917].

51. Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Hani syfyr, sepse në syfyr ka bereqet!” E transmeton Grupi, përveç Ebu Daudit.

52. Amër ibën el As (Allahu qoftë i kënaqur me të!) thotë: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Dallimi mes agjërimit tonë dhe agjërimit të ithtarëve të Librit, është ngrënia e syfyrit.” E transmeton Grupi, përveç Buhariut dhe Ibën Maxhes.