Besimi në të Dërguarit e Allahut

 

Muslimani beson se Allahu i Madhëruar ka zgjedhur prej njerëzve të Dërguar, të cilëve u ka shpallur atyre Sheriatin e Tij dhe mori besën e tyre për komunikimin e tij, me qëllim që mos mbesë justifikim për njerëzit para Atij në Ditën e Kijametit. Allahu i ka dërguar ata me prova të qarta dhe i ka ndihmuar ata me mrekullira. Vargun e tyre, Allahu e filloi me Nuhun (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe e vulosi me Muhamedin (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!).

Megjithëse ata kanë qenë njerëz, që u ndodh ashtu siç ndodh me njerëzit; hanë e pinë, sëmuren e shërohen, harrojnë dhe kujtohen, jetojnë dhe vdesin, megjithatë ata janë krijesat e Allahut më të përsosura, më të mirat pa asnjë përjashtim. Besimi i robit nuk plotësohet kurrë nëse ai nuk beson në të gjithë ata, përgjithësisht dhe veçanërisht. Për këtë bazohemi në argumentet nga tekstet Hyjnore dhe nga logjika e shëndoshë, si vijon:

Argumentet nga tekstet Hyjnore:

1. Njoftimi i Allahut të Madhëruar për të Dërguarit e Tij, për Shpalljet dhe Mesazhet e tyre, në Fjalën e Tij: “Vërtet që Ne kemi dërguar në çdo popull të Dërguar (që t’u komunikojë atyre): ‘Adhuroni vetëm Allahun dhe qëndroni larg tagutit (çdo gjëje që adhurohet përveç Allahut)!” [En Nahl: 36].

Dhe në Fjalën e Allahut të Madhëruar: “Allahu zgjedh të dërguar prej engjëjve dhe prej njerëzve. Allahu është Gjithëdëgjues, Gjithëshikues.” [El Haxh: 75].

Dhe në Fjalën e Allahut: “Me të vërtetë që Ne të kemi shpallur ty ashtu si i kemi shpallur edhe Nuhut dhe Pejgamberëve të tjerë pas tij. Po kështu, Ne i kemi shpallur Ibrahimit, Ismailit, Ishakut, Jakubit, Esbatëve (bijve të Jakubit), Isait, Ejubit, Junusit, Harunit dhe Sulejmanit. Ndërsa Daudit i kemi dhënë Zeburin. Ka pasur edhe të Dërguar të tjerë më parë të cilët Ne t’i kemi përmendur, por ka pasur edhe të tjerë të cilët nuk t’i kemi përmendur, dhe Musait Allahu i foli drejtpërdrejtë me fjalë. Të Dërguar përgëzues dhe paralajmërues, në mënyrë që njerëzimi të mos ketë më arsye për t’u shfajësuar tek Allahu pas të Dërguarve. Dhe Allahu është kurdoherë i Gjithëfuqishëm, më i Urti Gjithëgjykues.” [En Nisa: 163-165].

Allahu i Madhëruar thotë: “Padyshim që Ne i kemi dërguar të Dërguarit tonë me prova të qarta dhe bashkë me ta kemi zbritur Libër dhe Peshore (Drejtësi) me qëllim që njerëzimi të përmbajë drejtësinë.” [El Hadid: 25].

Dhe thotë: “(Kujto) Edhe Ejubin kur ai i thirri Zotit të tij: “Vërtet që më ka kapur mjerimi dhe Ti je më Mëshiruesi i mëshiruesve.” [El Enbija: 83].

Dhe thotë: “Ne nuk kemi dërguar para teje ndonjë të dërguar, veçse ata hanin ushqim dhe ecnin nëpër tregje.” [El Furkan: 20].

Allahu i Lartësuar thotë: “Ne e kemi dërguar Musain me nëntë prova të qarta. Pyetini atëherë Beni Israilët, kur ai shkoi tek ata.” [El Isra: 101].

Dhe thotë: “Dhe (përkujto) kur Ne morëm nga Pejgamberët besën e tyre, dhe prej teje, edhe prej Nuhut, Ibrahimit, Musait dhe Isait birit të Merjemes. Ne morëm prej tyre besë të fortë. Që Ai (Allahu) t’i pyesë të besueshmit (Pejgamberët e Tij) për të vërtetën e tyre (Mesazhin). Dhe Ai ka përgatitur për mosbesimtarët dënim të dhimbshëm.” [El Ahzab: 7].

2. Njoftimi i të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) për veten e tij dhe për vëllezërit e tij prej të Dërguarëve e Pejgamberëve, në fjalën e tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!): “Allahu nuk ka dërguar ndonjë Pejgamber, veçse ai e ka paralajmëruar popullin e tij për atë me një sy të verbër dhe gënjeshtar (për Dexhalin).”[1]

Dhe në fjalën e tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!): “Mos bëni dallim ndërmjet Pejgamberëve.”[2]

Po kështu edhe fjala e tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), kur atë e pyeti Ebu Dheri për numrin e të Dërguarëve dhe Pejgamberëve: “Numri i tyre është njëqind e njëzet mij, prej të cilëve treqind e trembëdhjetë kanë qenë të Dërguar (Rasul).”[3]

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) gjithashtu ka thënë: “Pasha Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti im! Sikur Musa të ishte gjallë, ai nuk do të bënte tjetër veçse të më pasonte se mua.”[4]

Dhe ka thënë: “Ai është Ibrahimi”, kur dikush i tha: O krijesa më e mirë! Ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e tha këtë nga thjeshtësia e tij.

Ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) gjithashtu ka thënë: “Askujt nuk i takon të thotë: Unë jam më i mirë se Junus ibën Meta.”[5]

Po kështu edhe kur ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) njoftoi për ta në natën e Israsë – ngritjes nga Meka në Kuds pastaj në qiell- dhe se ata u mblodhën atje në Xhaminë e Kudsit dhe ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) u fal imam i tyre. Po kështu, ai tregoi se në qiell kishte parë Jahjan, Isanë, Jusufin, Idrisin, Harunin, Musën dhe Ibrahimin. Ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tregoi për ta dhe për gjendjen në të cilën ata ishin.

Ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) gjithashtu ka thënë: “Vërtet që Pejgamberi i Allahut, Daudi hante nga puna e duarve të tij.”[6]

3. Besimi i biliona njerëzve prej muslimanëve dhe të tjerëve prej ithtarëve të Librave të mëparshëm, çifutë e të krishterë, në të Dërguarit e Allahut, si dhe bindja e tyre e prerë në Mesazhet e tyre dhe se ata janë krijesat më të përsosura dhe të zgjedhura nga Allahu i Madhëruar.

Argumentet nga logjika e shëndoshë:

1. Fakti që Allahu i Madhëruar është Zot i çdo gjëje, Krijues dhe Komandues i tyre, dhe se Ai është i Gjithëmëshirshëm; këto bëjnë të domosdoshme dërgimin e të Dërguarve nga Ai te krijesat e Tij, me qëllim që ata t’i njohin ata me Zotin e tyre dhe t’i udhëzojnë ata drejt përsosmërisë njerëzore dhe lumturisë në të dyja botët.

2. Fakti që Allahu i Madhëruar i ka krijuar të gjitha krijesat e Tij me qëllim që ata të adhurojnë vetëm Atë, pasi që Ai ka thënë: “Unë nuk i kam krijuar xhinët dhe njerëzit për tjetër, veçse të më adhurojnë vetëm Mua.” [Edh Dharijat: 56].

Kjo rezulton në zgjedhjen e të Dërguarve dhe dërgimin e tyre tek njerëzit me qëllim që ata t’u mësojnë njerëzve si ta adhurojnë Zotin e tyre dhe t’i binden Atij, pasi që ky është edhe misioni e qëllimi për të cilin Ai i ka krijuar ata.

3. Fakti që shpërblimi dhe dënimi janë pasojë e gjurmëve të bindjes dhe gjynahut në shpirt, duke e pastruar apo ndotur atë, rezulton në dërgimin e të Dërguarve dhe të Pejgamberëve, me qëllim që njerëzit të mos thonë në Ditën e Kijametit: “O Zoti ynë! Ne nuk e dinim si të bindeshim Ty, që të mund të të bindeshim dhe as nuk e dinim ndalesën Tënde, që të mund t’i largoheshim asaj. Ndërsa sot, nuk ka padrejtësi tek Ti, ndaj mos na dëno ne! …”

Në këtë rast, ata do të kishin justifikim para Allahut të Madhëruar, kështu që kjo gjendje bën të domosdoshme dërgimin e të Dërguarve, me qëllim që të pritet justifikimi për krijesat. Allahu i Madhëruar thotë: “Të Dërguar përgëzues dhe paralajmërues, në mënyrë që njerëzimi të mos ketë më arsye për t’u shfajësuar tek Allahu pas të Dërguarve. Dhe Allahu është kurdoherë i Gjithëfuqishëm, më i Urti Gjithëgjykues.” [En Nisa: 165].



[1] E transmeton Buhariu (9/148).

[2] E transmeton Buhariu (4/194) dhe Muslimi (42).

[3] Pjesë e një hadithi të cilin e transmeton Ibën Hibani në “Sahihun” e tij.

[4] E transmeton imam Ahmedi (3/387).

[5] E transmeton Ahmedi dhe ai gjendet në dy “Sahihat”; nga transmetimi i Ebu Hurejrës.

[6] E transmeton Buhariu (3/74).


Shkëputur nga libri “Minhaxhu el Muslim
Autor: Ebu Bekër Xhabir el Xhezairi
Përktheu: Bledar Albani