Besimi në Librat e zbritur nga Allahu

Muslimani beson në të gjitha Librat e zbritur nga Allahu i Madhëruar, si dhe në fletushkat e dhëna disa prej Pejgamberëve të Tij. Ai beson se ato janë Fjalë e Allahut, të cilën ua ka shpallur Pejgamberëve të Tij me qëllim që ata të komunikojnë nga Ai Ligjin dhe Fenë e Tij. Më të mëdhenjtë prej këtyre librave janë: Katër Librat: “Kurani i Ndershëm”, i cili i është zbritur të Dërguarit tonë, Muhamedit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), “Teurati”, i cili i ka zbritur të Dërguarit të Allahut, Musa (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), “Zeburi”, i cili i ka zbritur të Dërguarit të Allahut, Daud (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe “Inxhili”, i cili i ka zbritur të Dërguarit të Allahut, Isa (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!). Muslimani beson gjithashtu se Kurani i Ndershëm është më Madhështori prej këtyre librave, dominues mbi to dhe abrogues (shfuqizues) i të gjitha ligjeve dhe dispozitave të tyre (Librave të tjerë). Për këtë dëshmojnë argumentet nga tekstet Hyjnore dhe nga logjika e shëndoshë.

Argumentet nga tekstet Hyjnore:

1. Urdhëri i Allahut të Madhëruar për të besuar në to, në Fjalën e Tij: “O ju që keni besuar! Besoni në Allahun, në të Dërguarin e Tij, në Librin që i ka zbritur të Dërguarit të Tij dhe në Librin që ka zbritur më parë.” [En Nisa: 136].

 

2. Njoftimi i Allahut të Madhëruar për këtë, në Fjalën e Tij: “Allahu është Ai përveç të Cilit nuk të adhuruar tjetër (me të drejtë). I Përjetshmi, Mbajtësi dhe Mbrojtësi i gjithçkaje që ekziston. Është Ai i Cili ta ka zbritur ty Librin (Kuranin) me të vërtetën, duke vërtetuar çfarë ka zbritur para tij. Dhe Ai e ka zbritur Teuratin dhe Inxhilin, kohë më parë, si udhëheqje për njerëzimin. Dhe Ai zbriti edhe Kriterin (e gjykimit mes të mirës dhe të keqes – Kuranin).” [Al Imran: 2-4].

Dhe në Fjalën e Tij: “Dhe Ne të kemi zbritur ty Librin (Kuranin) me të vërtetën, duke vërtetuar Librat e parë që patën ardhur para tij, dhe i besueshëm në shkallën më të lartë dhe dëshmues për ta (Librat e parë).” [El Maide: 48].

Allahu i Madhëruar thotë: “Dhe Daudit i kemi pas dhënë Zeburin.” [En Nisa: 163].

Dhe thotë: “Sigurisht që ky (Kurani) është zbritje nga Zoti i botëve. Me të cilin ka zbritur Shpirti Besnik (Xhibrili). Në zemrën tënde (O Muhamed!), me qëllim që ti të jesh prej këshilluesëve. (I zbritur) Në gjuhën e qartë arabe. Dhe me të vërtetë që ai (Kurani dhe zbritja e tij Muhamedit) është njoftuar në Librat e zbritur popujve të mëparshëm.” [Esh Shuara: 192-196].

Allahu i Madhëruar thotë: “Me të vërtetë që kjo është edhe në shkrimet (fletushkat) e para. Në shkrimet e Ibrahimit dhe të Musait.” [El Eala: 18-19].

 

3. Njoftimi i të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) për to në hadithe të shumta. Prej këtyre haditheve është edhe fjala e tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!): “Qëndrimi juaj në këtë botë, në krahasim me popujt që kanë qenë para jush, është sa koha ndërmjet namazit të ikindisë dhe perëndimit të diellit. Ithtarëve të Teuratit iu dha Teurati dhe ata punuan me të deri në mesditë, pastaj ata nuk mundën më. Atyre u është dhënë shpërblimi nga një kirat (njësi matëse e madhe). Pastaj ithtarëve të Inxhilit iu dha Inxhili dhe ata punuan me të deri sa u fal namazi i ikindisë, pastaj nuk mundën më dhe atyre ju dha shpërblimi nga një kirat. Pastaj iu dha juve Kurani dhe ju punuat me të deri sa perëndoi dielli dhe iu dha shpërblimi nga dy kirat. Ithtarët e Librave të mëparshëm thanë: Këta punuan më pak se ne dhe morën shpërblim më të madh se ne?! Ndërsa Allahu tha: A iu kam bërë ndopak padrejtësi në të drejtën tuaj? –Jo, -thanë ata (do të thonë). –Allahu tha: Kjo është Mirësia Ime dhe Unë ia jap atë kujt të dua.”[1]

Dhe fjala e tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!): “Daudit –alejhis selam- iu bë i lehtë leximi (këndimi i Zeburit) dhe ai urdhëronte që të shalonin kafshët e tij, ndërsa vetë lexonte (nga Zeburi apo Teurati) para se të shaloheshin ato. Dhe ai nuk hante veçse nga puna e duarve të tij.”[2]

 

Dhe fjala e tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!): “Nuk ka smirë (të lejuar) veç për dy njerëz: Një burrë të cilit Allahu i ka dhënë Kuranin (e ka mësuar atë) dhe ai e lexon atë gjatë natës dhe gjatë ditës…”[3]

 

Dhe fjala e tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!): “Unë kam lënë te ju atë, me të cilin nëse kapeni, nuk keni për të humbur kurrë pas meje: Librin e Allahut dhe Sunetin e të Dërguarit të Tij.”[4]

 

Dhe fjala e tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!): “Mos i besoni ithtarëve të Librave të mëparshëm dhe as mos i përgënjeshtroni ata, por thoni: Ne besuam në atë që ka zbritur ten e dhe në atë që ka zbritur te ju. Zoti ynë dhe Zoti juaj është Një dhe ne i jemi dorëzuar vetëm Atij.”[5]

 

4. Besimi miliona dijetarëve, njerëzve të urtë e besimtarëve në çdo kohë e vend, si dhe besimi i tyre i prerë se Allahu i Lartësuar ka zbritur Libra të cilat ua ka shpallur të Dërguarëve, njerëzve më të zgjedhur nga krijesat e Tij dhe ka vendosur në to atë që donte prej Atributeve të Tij, lajmeve të Tij nga bota e fshehtë e Tij, sqarimit të dispozitave dhe Fesë së Tij dhe premtimet e kërcënimet e Tij.

Argumentet nga logjika e shëndoshë:

 

1. Dobësia e njeriut dhe nevoja e tij e padiskutueshme për Zotin e tij, në rregullimin e trupit dhe shpirtit të tij, rezulton në zbritjen e Librave të cilat përmbajnë ligjet dhe dispozitat që i japin njeriut përsosmërinë e tij, si dhe të gjitha kërkesat e jetës së tij; në këtë botë dhe në botën tjetër.

2. Përderisa Pejgamberët janë ndërmjetësa mes Allahut të Madhëruar, krijuesit dhe robëve të Tij të krijuar nga Ai, dhe ata kanë qenë njerëz si të gjithë njerëzit, jetojnë për një kohë të caktuar, pastaj vdesin. E nëse mesazhet e tyre nuk do të ishin të shënuara në libra të posaçëm, atëherë ato do të humbnin me vdekjen e tyre, ndërsa njerëzit pas tyre do të ngelnin pa Mesazh Hyjnor, dhe synimi kryesor nga Shpallja dhe Mesazhi Hyjnor do të humbte. Kështu që, kjo gjëndje kërkonte patjetër zbritjen e Librave Hyjnore, pa pikë dyshimi a dileme.

3. Sikur Lajmëtari, thirrësi për tek Allahu të mos kishte libër të marrë nga Zoti i tij, në të cilin të ishte shënuar ligji, udhëzimi dhe e mira, atëherë njerëzit do ta kishin të lehtë përgënjeshtrimin e tij dhe refuzimin e mesazhit të tij.

Kështu që kjo gjendje rezulton në zbritjen e domosdoshme të Librave Hyjnor, me qëllim që njerëzve t’u ngrihet argumenti dhe të mos kenë justifikim para Allahut.

[Marrë nga libri “Minhaxhu el Muslim”, i Ebu Bekër Xhabir el Xhezairi]

 

[1] E transmeton Buhariu (1/146).

[2] E transmeton Buhariu (4/194).

[3] E transmeton Buhariu (9/189).

[4] E transmeton El Hakim, në “El Mustedrak” (1/93). Hadithi është i saktë.

[5] E transmeton Buhariu (3/237).


Shkëputur nga libri “Minhaxhu el Muslim
Autor: Ebu Bekër Xhabir el Xhezairi
Përktheu: Bledar Albani