Besimi në Ditën e Gjykimit

Muslimani beson se kjo jetë ka një orë të caktuar në të cilën ajo mbaron, dhe një ditë të fundit, pas së cilës nuk ka ditë tjetër. Pastaj vjen jeta e dytë, dita tjetër e botës tjetër, ku Allahu i Madhëruar i ringjall të gjitha krijesat e Tij dhe i bashkon të gjithë ata për t’i marrë në llogari. Pastaj Ai shpërblen vepërmirët me mirësi të përhershme në xhenet, dhe vepërkeqët me dënim përçmues në zjarr.

Muslimani beson se këtë (kijametin) e paraprijnë disa shenja, si dalja e Dexhalit, Jexhuxhët dhe Mexhuxhët, zbritja e Isait (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), dalja e kafshës që flet, lindja e diellit nga perëndimi e tij, etj. Pastaj i fryhet Surit fryrja e shuarjes dhe shkatërrimit të gjithçkaje, dhe më pas fryrja e ringjalljes, ngritjes dhe qëndrimit para Zotit të botëve. Pastaj gjithësecilit do t’i jepen librat e veprave; dikush e merr librin e tij nga ana e djathtë, e dikush tjetër nga ana e majtë. Aty vendoset peshorja, fillon llogaria, shtrihet ura e Siratit dhe ky qëndrim i vështirë përfundon me vendosjen e banorëve të xhenetit në xhenet dhe banorëve të zjarrit në zjarr.

Për këtë bazohemi në argumentet nga tekstet Hyjnore dhe nga logjika e shëndoshë, si vijon:

Argumentet nga tekstet Hyjnore:

 

1. Për çfarë u tha më lart ka njoftuar Allahu i Madhëruar, në Librin e Tij. Allahu i Madhëruar thotë: “Gjithçka gjendet në të (tokë) do të shuhet. Ndërsa do të mbetet përgjithmonë Fytyra e Zotit tënd gjithë Madhështi e Lavdi.” [Er Rrahman: 27-28]. Dhe thotë: “Dhe Ne nuk i kemi siguruar ndonjë qënie njerëzore para teje (o Muhamed) pavdekësinë, atëherë përderisa ti do të vdesësh, a mos ata do të jetojnë përgjithmonë. Por gjithësecili do ta shijojë vdekjen dhe Ne do t’ju provojmë ju me të keqen dhe me të mirën dhe te Ne ju do të ktheheni.” [El Enbija: 34-35].

Allahu i Madhëruar gjithashtu thotë: “Ata të cilët mohuan pretenduan se nuk do të ringjallen. Thuaj: Po, për Zotin tim! Ju do të ringjalleni dhe pastaj do të njoftoheni me atë që keni punuar. Kjo është shumë e lehtë për Allahun.” [Et Tegabun: 7].

Dhe thotë: “A nuk mendojnë ata se do të ringjallen (për llogari), në një Ditë të Madhe? Ditën kur njerëzimi do të qëndrojë para Zotit të botëve?” [El Mutafifin: 4-6].

“Dhe paralajmëro për ditën e grumbullimit, për të cilën nuk ka pikë dyshimi, kur një pjesë do të jenë në kopshtet e xhenetit dhe një pjesë në zjarrin flakërues të xhehenemit.” [Esh Shura: 7].

“Kur toka të dridhet me tronditjen e madhe. Dhe kur toka të nxjerë jashtë barrën e saj. Dhe njeriu do të thërrasë: “Çfarë ka ajo?” Atë ditë ajo do të shpallë njoftimet e saj, sepse Zoti yt e ka frymëzuar atë. Atë ditë njerëzimi do të paraqiten të veçuar në grupe që t’u tregohen veprat e tyre. Kësisoj, kushdo që bën mirësi sa një thërrmijë qoftë, ai do ta shohë atë. Dhe kushdo që bën keq sa një thërrmijë qoftë, do ta shohë atë.” [Ez Zelzele: 1-8].

“A mos po presin që t’iu vijnë engjëjt, ose të vijë Zoti yt, apo ndonjë nga Shenjat e Zotit tënd?! Por atë ditë që do të vijnë vërtet disa nga Shenjat e Zotit tënd, atë ditë askujt nuk do t’i bëjë dobi besimi nëse nuk ka besuar që më parë, apo që nuk ka punuar mirë nga besimi i tij.” [El Enam: 158].

“Dhe kur fjala (e ndëshkimit) të përmbushet kundër tyre, Ne do t’u nxjerim atyre një kafshë nga toka, e cila do t’u flasë atyre, sepse njerëzit nuk besuan me bindje në provat Tona.” [En Neml: 82].

“Derisa, kur Jexhuxhët dhe Mexhuxhët të lihen të lirë dhe të kacavirren nga çdo bregore e kodër. Dhe premtimi i vërtetë t’i afrohet përmbushjes. Pastaj (pas ringjalljes) do t’i shohësh sytë e mosbesimtarëve zgurdulluar e të shastisur në tmerr.” [El Enbija: 96-97].

“Dhe kur biri i Merjemes sillet si shembull, kur ç’të shohësh! Populli yt çirret me të madhe (duke u zgërdhirë me këtë shembull). Dhe thonë: “A janë zotat tanë më të mirë, apo ai (Isai)?” Ata ta sollën ty këtë shembull veçse për kundërthënie. (Po!) Por ata vërtet që janë popull grindavec. Ai (Isai) nuk qe veçse një rob. Ne i dhuaruam Mirësinë Tonë atij dhe Ne e bëmë atë shembull për Beni Israilët. Dhe po të kishim dashur Ne, atëherë Ne do të kishim bërë t’ju zëvendësonin engjëjt në tokë (do t’ju shuanim). Dhe ai (Isai) do të jetë shenjë njohëse për Orën (Kijametin). Kështu që, mos kini asnjë dyshim për të (Kijametin) dhe më ndiqni Mua (Allahun), kjo është Rruga e Drejtë.” [Ez Zuhruf: 57-61].

“Dhe do t’i fryhet Surit dhe gjithkush që është në qiej dhe gjithkush që është në tokë do të shokohen (shuhen), përveç atij që do Allahu. Pastaj do t’i fryhet për herë të dytë dhe ja! Kur t’i shohësh, ata të gjithë të ngritur shikojnë (e presin). Dhe toka (e mahsherit) do të ndriçojë nga Drita e Zotit të saj, Libri do të vendoset i hapur, Pejgamberët dhe dëshmuesit do të sillen përpara dhe do të gjykohet mes tyre (krijesave) me drejtësi, dhe atyre nuk do t’u bëhet asnjë padrejtësi. Çdonjëri do të shpërblehet plotësisht për atë që ka punuar; dhe Ai është më në Dijeni për çfarë ata bëjnë.” [Ez Zumer- 68-70].

“Kur t’i fryhet Surit me një të fryrë (fryrja e parë). Dhe kur toka dhe mallet të shkulen nga vendet e tyre dhe të shkatërrohen me një goditje shkatërruese. Atëherë, atë ditë do të ngjasë Ngjarja e Madhe. Qielli do të çahet, pasi atë ditë ai do të jetë i dobët dhe i copëtuar. Dhe engjëjt do të jenë në anët e tij; dhe tetë engjëj atë ditë do të mbartin lart Arshin e Zotit tënd. Atë ditë ju do të silleni në gjykim, asnjë sekret nuk do të fshihet. Pastaj, sa për atë të cilit do t’i jepet libri i veprave nga e djathta e tij, do të thotë: “Ja! Merreni dhe lexoni librin tim! Me të vërtetë që besova se do ta takoj llogarinë time.” Kështu ai do të jetë në jetë të kënaqësisë, në Xhenetin e lartë, në të cilin frutat janë në degët e ulura dhe mu ndër duar. Hani dhe pini në qetësi për atë që ju dërguar (vepruat) para jush në ditët e shkuara!

Por sa për atë të cilit do t’i jepet libri i tij nga e majta e tij, do të thotë: “Sa do të doja të mos më ishte dhënë libri im! Asnjëherë nuk e kam ditur si ka qenë llogaria ime! Ah! Sikur ajo (vdekja) të kishte qenë fundi im! Pasuria s’më bëri aspak dobi mua. Fuqia ime dhe shpjegimet (për t’u mbrojtur) më kanë ikur!” (Do të thuhet): Kapeni atë dhe lidheni në pranga, pastaj hidheni në zjarrin flakërues. Pastaj lidheni atë me zinxhir të gjatë shtatëdhjetë kutë. Vërtet që ai asnjëherë nuk besoi në Allahun, më Madhështorin. As nuk dha e nuk nxiti për të ushqyer të varfrit. Kështu që asnjë shok nuk ka ai këtu në këtë ditë.” [El Hakkah: 13-35].

“Kësisoj, për Zotin tënd! Me të vërtetë, Ne do t’i grumbullojmë të gjithë ata së bashku dhe shejtanët (e tyre bashkë me ta), pastaj Ne do t’i sjellim ata përreth xhehenemit të ulur në gjunjë. Pastaj sigurisht Ne do të tërheqim zvarrë nga çdo grup të gjithë ata që kanë qenë arrogantët më kokëfortë ndaj të Gjithëmëshirshmit. Pastaj sigurisht Ne i dimë më mirë ata që janë më të merituarit për t’u djegur në të. Nuk ka asnjë prej jush që të mos kalojë mbi të (mbi xhehenem); kjo është me Zotin tënd një vendim i cili duhet të përmbushet. Pastaj Ne do t’i shpëtojmë ata që e patën frikë Allahun dhe qenë të përkushtuar e të bindur ndaj Tij, ndërsa keqbërësit e zullumqarët do t’i lëmë atje (në xhehenem) të poshtëruar në gjunjë.” [Merjem: 68-72].

2. Njoftimi i të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) për këtë në shumë hadithe të tij. Prej tyre po përmendim fjalën e tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!): “Nuk ka për t’u bërë Kijameti derisa dikush të kalojë pranë varrit të dikujt tjetër e të thotë: “Ah! Sikur të isha unë në vend të tij!”[1]

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) gjithashtu thotë: “Nuk ka për t’u bërë Kijameti, deri sa të shfaqen dhjetë shenja: Një fundosje (e tokës) në lindje, një në perëndim dhe një në Gadishullin Arabik, Tymi, Dexhali, Kafsha e tokës (që del nga toka dhe flet), Jexhuxhët dhe Maxhuxhët, lindja e diellit nga perëndimi i tij, një zjarr që del nga periferia e Adenit dhe që i largon njerëzit dhe zbritja e Isait, birit të Merjemes.”[2]

“Tek populli im do të dalë Dexhali dhe do të qëndrojë dyzet (ditë por jo të gjitha si tonat tani). Atëherë Allahu dërgon Isain, birin e Merjemes, i cili i ngjan Urveh ibën Mesudit. Ai (Isai) do ta kërkojë dhe do ta vrasë atë. Pastaj njerëzit do të jetojnë shtatë vjet pa pasur armiqësi mes dy vetëve. Pastaj Allahu do të dërgojë një erë të ftohtë nga ana e Shamit dhe nuk ka për të mbetur mbi faqen e dheut asnjë që ka pasur hajër (mirësi) apo besim në zemrën e tij qoftë sa një grimcë, veçse ajo erë do ta vdesë atë. Madje edhe sikur ndokush prej jush të hyjë në brendësi të ndonjë mali, ajo erë do të hyjë në të dhe do ta vdesë atë. Pastaj do të mbesin krijesat më të këqija, të cilët nuk veprojnë dhe as e njohin të mirën dhe nuk ndalojnë nga e keqja. Djalli u vjen atyre në formën e një njeriu dhe u thotë: A nuk po më përgjigjeni? –E për çfarë na urdhëron? – Atëherë ai i urdhëron ata që të adhurojnë idhujt. Në atë kohë ata do të kenë furnizim të mirë dhe jetë të mirë. Pastaj i fryhet Surit dhe çdokush që e dëgjon atë, i vë veshin dhe herë e ngre qafën e herë e ul. I pari që do ta dëgjojë atë është një burrë i cili rregullon stallën e deveve të tij. –Pastaj njerëzit vdesin. Pastaj Allahu dërgon një shi të butë, nga i cili mbijnë trupat e njerëzve. Pastaj i fryhet Surit për herë të dytë dhe të gjithë ata do të jenë të ngritur dhe vështrojnë (e presin llogarinë). Pastaj thuhet: O ju njerëz! Ejani te Zoti juaj. Jo, por ndalini ata, sepse ata do të merren në llogari. -Pastaj thuhet: Nxirni prej tyre ata të zjarrit. –Thonë (engjëjt): Sa prej tyre? –Nga çdo një mij njerëz, nxirni (për në zjarr) nëntëqind e nëntëdhjetë e nëntë njerëz.

Kjo është ajo ditë e cila i bën fëmijët me thinja dhe kjo është dita në të cilën do të zbulohet Kërciri (i Allahut të Madhëruar).”[3]

 

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) thotë: “Kijameti nuk ka për t’u bërë veçse mbi njerëzit më të këqinj.”[4]

Dhe ka thënë: “Ndërmjet dy fryrjeve të Surit janë dyzet (ditë a diçka tjetër), pastaj Allahu do të zbresë shi nga qielli dhe ata do të mbijnë ashtu si mbin bari. Çdo pjesë e trupit të njeriut tretet, me përjashtim të një eshtre të vetme e cila është pjesa e fundit e shtyllës kurrizore në vendin e bishtit. Pikërisht prej tij do të formohen krijesat në Ditën e Kijametit.”[5]

“O ju njerëz! Ju do të ringjalleni te Zoti juaj të zbathur, të zhveshur dhe të pa bërë synet. A e dini që krijesa e parë që do të vishet atë ditë është Ibrahimi (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!)? Atë ditë do të sjellin disa burra nga populli im të cilët do t’i tërheqin nga e majta, ndërsa unë them: O Zot! Ata janë shokët e mi! –Allahu thotë: Ti nuk e di çfarë kanë vepruar pas teje.”[6]

Ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) thotë: “Asnjë rob nuk ka për të lëvizur këmbë në ditën e Kijametit, derisa të pyetet për katër gjëra: Për jetën e tij se ku e kaloi, për dijen e tij se çfarë punoi me të, për pasurinë e tij se nga e fitoi dhe ku e shpenzoi, dhe për trupin e tij se ku e konsumoi?”[7]

“Hauzi im (në xhenet) është i gjatë sa ecja një muaj. Uji i tij është më i bardhë se qumështi, aroma e tij është më e mirë se e miskut dhe bardhakët e tij janë sa yjet e qiellit. Kushdo që pi nga ai, nuk etet më kurrë.”[8]

Po kështu edhe fjala e tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) drejtuar Aishes (Allahu qoftë i kënaqur me të!), kur ajo kujtoi zjarrin e xhehenemit dhe qau: “Përse qan?” – Përkujtova zjarrin dhe më erdhi për të qarë, -pastaj vazhdoi: Po ju a do t’i kujtoni familjet (bashkëshortet) tuaja në ditën e Kijametit? –Në tre vende, askush nuk kujton askënd: (1) Tek peshorja, deri sa të mësosh nëse e peshon lehtë apo rëndë, (2) kur të fluturojnë librat, deri sa të mësosh nëse e merr librin me të djathtën apo me të majtën, apo nga pas shpine dhe (3) kur të kalosh urën e Siratit, kur ajo të vendoset mbi xhehenem, deri sa ta kalosh atë.”[9]

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) gjithashtu ka thënë: “Secili Pejgamber ka pasur të drejtën e një lutjeje për popullin e tij dhe të gjithë ata e kanë bërë atë, ndërsa unë e kam ruajtur lutjen time për ndërmjetësimin për popullin tim.”

3. Besimi i miliona Pejgamberëve, të Dërguarëve, dijetarëve, vepërmirëve e të urtëve prej robëve të Allahut, në Ditën e Kijametit me çdo gjë që ka ardhur në tekstet Hyjnore për të, si dhe bindja e tyre e prerë për këtë, është argument i qartë për ekzistencën e saj.

Argumentet nga logjika e shëndoshë:

 

1. Fuqia e plotë e Allahut për rikthimin e krijesave pas zhdukjes së tyre, pasi që rikthimi i tyre nuk është më i vështirë se krijimi dhe shpikja e tyre pa shembull të mëparshëm.

 

2. Nuk ka ndonjë gjë që mendja nuk e pranon, për sa i përket ringjalljes dhe shpërblimit sipas veprave, pasi që mendja nuk refuzon veçse gjërat absurde, si bashkimi ndërmjet dy të kundërtave, apo takimi i dy kundërthënieve, ndërsa ringjallja dhe shpërblimi nuk janë të kësaj natyre.

3. Urtësia e qartë e Allahut të Madhëruar, në komandimin e krijesave të tij, e cila është e dukshme në çdo shfaqje e fushë të jetës, si dhe dukuritë e tyre, të gjitha këto e bëjnë absurde mosekzistencën e ringjalljes së krijesave pas vdekjes së tyre, si dhe mbarimin e jetës së parë dhe shpërblimin sipas veprave të mira e të këqia.

4. Ekzistenca e jetës në këtë botë dhe çfarë gjendet në të prej mirësisë e mjerimit, është dëshmuese për ekzistencën e botës tjetër në një botë tjetër, në të cilën do të ketë drejtësi, mirësi, përsosmëri, lumturi e vuajtje shumë herë më të mëdha e më të shumta, saqë kjo botë e çfarë gjendet në të prej lumturisë e mjerimit, nuk përbën as një kështjellë prej kështjellave të mëdha apo një kopësht prej kopshteve të pasura, në një copëz letre të vogël.

 

Besimi në dënimin e varrit dhe mirësinë në të

Muslimani beson se dënimi i varrit dhe kënaqësia në të, si dhe pyetja e dy engjëjve në të, të gjitha këto janë të vërteta dhe hak. Për këtë dëshmojnë argumentet nga tekstet Hyjnore dhe nga logjika e shëndoshë, si në vijim:

Argumente nga tekstet Hyjnore:

 

1. Njoftimi i Allahut për këtë gjë në Librin e Tij. Allahu i Madhëruar thotë: “Dhe sikur t’i shihje engjëjt kur u marrin shpirtin atyre që nuk besojnë, si i godasin në fytyrë dhe kurriz, duke u thënë: “Shijoni dënimin e zjarrit që flakëron.” Gjithë kjo nga ajo që kanë sjellë duart tuaja përpara jush. Me të vërtetë që Allahu nuk është i padrejtë ndaj robëve të Vet.” [El Enfal: 50-51].

“Dhe sikur t’i shihje zullumqarët (mosbesimtarët, keqbërësit) kur janë duke dhënë shpirt, ndërsa engjëjt zgjasin duart e tyre duke u thënë: “Dorëzoni shpirtrat tuaj! Këtë ditë ju do të shpërbleheni me mundimin poshtërues për shkak të atyre që thatë kundër Allahut duke shpifur krejt tjetër nga e vërteta, dhe ju gjithnjë i mohuat provat e Tij me përbuzje e kryeneçësi.” Dhe në të vërtetë ju erdhët te Ne të vetëm, ashtu siç ju krijuam për herë të parë. Ju i latë pas gjithçka që Ne ju kishim dhuruar. Ne nuk poi  shohim me ju ndërmjetësit tuaj të cilët ju i pohonit si shokë përkrah Allahut. Tani të gjitha lidhjet tuaja me ta janë prerë dhe gjithçka që ju e quanit tuajën tashmë është shuar.” [El Enam: 93-94].

“Ne do t’i ndëshkojmë ata dy herë dhe pas kësaj do të sillen përsëri në dënim të madh.” [Et Teube: 101].

“Ata do t’i ballafaqohen zjarrit mëngjes e mbrëmje dhe ditën kur do të vendoset Ora (Kijameti, do t’u thuhet engjëjve): Futeni popullin e Faraonit në ndëshkimin më të rreptë!” [Gafir: 93-94].

“Allahu do t’i forcojë në qëndrueshmëri me fjalën e qëndrueshme ata që kanë besuar, në këtë botë dhe në botën tjetër. Ndërsa zullumqarët, Allahu i humb. Dhe Allahu vepron atë që dëshiron.” [Ibrahim: 27].

2. Njoftimi i të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) për dënimin e varrit dhe kënaqësinë në të, në fjalën e tij: “Kur njeriu të vendoset në varrin e tij dhe shokët t’i kthejnë shpinën atij –dhe ai e dëgjon trokitjen e sandaleve të tyre kur largohen -, atij i vijnë dy engjëj. Ata i thonë atij: Çfarë thoshe për këtë burrë –për Muhamedin (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!)-? –Besimtari do të thotë: ‘Unë dëshmoj se ai është robi i Allahut dhe i Dërguari i Tij.’ Atëherë atij i thuhet: Vështro tek vendi yt në zjarr! Allahu ta ka ndërruar atë me një vend në xhenet. Dhe ai i sheh që të dy ato vende. Ndërsa hipokriti dhe mosbesimtari, kura ata t’i thonë: Çfarë thoshe për këtë burrë?, këta do të thonë: Nuk e di! Thosha ashtu si thoshin njerëzit. –Atëherë këtij do ti thuhet: As nuk e dite dhe as nuk e pasove. Pastaj ai goditet me çekiçë prej hekuri, një goditje të vetme, ndërsa ai do të bërtasë një të bërtitur të cilën do ta dëgjojnë të gjithë, përveç dy të rëndëve (njerëzit dhe xhinët).”[10]

“Kur dikush prej jush të vdesë, atij i shfaqet vendi i tij i qëndrimit të përjetshëm mëngjes e mbrëmje; nëse ai është prej banorëve të xhenetit, do t’i shfaqet vendi në xhenet me banorët e xhenetit, e nëse është prej banorëve të zjarrit, do t’i shfaqet vendi i tij në zjarr me banorët e zjarrit. Atij i thuhet: Ky është vendi yt, deri sa të të ringjallë Allahu në Ditën e Gjykimit.”[11]

Po kështu fjala e tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) kur bënte lutje (në teshehud): “O Zoti im! Unë kërkoj mbrojtje prej Teje nga dënimi i varrit, nga dënimi i zjarrit, nga sprova e jetës dhe e vdekjes dhe nga sprova e Mesihu Dexhalit!”[12]

Po kështu edhe fjala e tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) kur ai kaloi pranë dy varreve dhe tha: “Këta të dy po dënohen, dhe jo për ndonjë gjë të madhe!” –Pastaj tha: “Po, po! (dënohen për diçka të madhe). Njëri prej tyre ecte lartë e poshtë me thashetheme, ndërsa tjetri nuk ruhej nga urina e tij (nga sytë e njerëzve dhe nga spërkitja).”[13]

 

3. Besimi i biliona dijetarëve, vepërmirëve dhe besimtarëve nga populli i Muhamedit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), si dhe nga popujt e tjerë të mëparshëm, në dënimin e varrit dhe kënaqësinë në të, dhe çdo gjë që është transmetuar në lidhje me të.

Argumentet nga logjika e shëndoshë:

 

1. Besimi i njeriut në Allahun, engjëjt e Tij dhe në Ditën e Gjykimit, bën të detyrueshme besimin në dënimin e varrit, kënaqësinë në të dhe çdo gjë që ndodh atje, pasi që të gjitha këto janë nga gjërat e fshehta, kështu që kush beson një pjesë të tyre (për të cilat ka njoftuar Allahu), ai logjikisht është i detyruar të besojë edhe pjesën tjetër.

2. Dënimi apo kënaqësia e varrit dhe ç’ka ndodh në të prej pyetjes së dy engjëjve, nuk është diçka që logjika ta refuzojë apo ta konsiderojë si absurde. Përkundrazi, logjika e shëndoshë e aprovon dhe dëshmon për të.

3. Njeriu mund të shohë ëndërra të cilat e gëzojnë dhe ai kënaqet me to për shkak të ndikimit të tyre në shpirtin e tij, saqë kur ai zgjohet, do të mërzitej përse u zgjua. Ashtu si dhe mund të shohë ëndërra të cilat e mërzisin dhe e bëjnë të vuajë, saqë kur zgjohet, ai e falenderon atë që e zgjoi nëse e ka zgjuar dikush. Kjo kënaqësi apo vuajtje në gjum, është diçka që ndodh vërtetë me shpirtin dhe ai ndikohet nga ato, megjithëse kjo është diçka e paprekshme dhe e padukshme për ne, por atë nuk e mohon askush. Atëherë si mund të mohohet dënimi i varrit apo kënaqësia e tij, ndërkohë që të dyja këto janë të ngjashme?!


[1] E transmeton Buhariu (9/73), Muslimi (4/2231).

[2] E transmeton Muslimi (4/2236).

[3] E transmeton Muslimi (4/2258).

[4] E transmeton Muslimi (4/2268).

[5] E transmeton Muslimi (4/2270).

[6] E transmeton Ahmedi (1/253).

[7] E transmeton Tirmidhiu (4/529).

[8] E transmeton Buhariu (8/149), Muslimi (4/1793).

[9] E transmeton Ebu Daud (5/116).

[10] E transmeton Buhariu (2/123).

[11] E transmeton Buhariu (8/134).

[12] E transmeton Buhariu (1/211).

[13] E transmeton Buhariu (1/65).

Shkëputur nga libri “Minhaxhu el Muslim
Autor: Ebu Bekër Xhabir el Xhezairi
Përktheu: Bledar Albani