Besimi në caktimin e Allahut dhe përmbushjen e tij

Muslimani beson në përcaktimin e Allahut dhe përmbushjen e atij përcaktimi, në Urtësinë dhe Dëshirën e Tij, dhe se asgjë në gjithësi, madje as veprat e lira të njeriut nuk ndodhin veçse pas Dijes gjithëpërfshirëse të Allahut dhe paracaktimit të Tij. Muslimani beson se Allahu i Madhëruar është i Drejtë në Paracaktimin e Tij dhe në përmbushjen e atij paracaktimi, i Urtë në komandimin dhe sistemimin e Tij dhe se Urtësia e Tij ndjek Dëshirën e Tij. Ajo që Ai ka dashur, ka ekzistuar dhe ajo që ai nuk ka dashur, nuk ekziston. Nuk ka ndryshim e as fuqi veçse me Allahun e Madhëruar.

Këto bazohen në argumentet nga tekstet Hyjnore dhe nga logjika e shëndoshë, si në vijim:

Argumentet nga tekstet Hyjnore:

 

1.  Njoftimi i Allahut të Madhëruar për këto, në Librin e Tij. Allahu i Madhëruar thotë: “Me të vërtetë që Ne e kemi krijuar çdo gjë me Kader (Paracaktimi Hyjnor).” [El Kamer: 49].

“Dhe s’ka asgjë që Ne të mos i kemi për të thesaret e pashtershëm dhe Ne nuk e dërgojmë atë veçse në masë të drejtë e të ditur (nga Ne).” [El Hixhr: 21].

“Asnjë fatkeqësi nuk bie në tokë ose mbi ju që të mos jetë e shkruar në Librin (El Leuhu el Mahfudh), para se Ne ta sjellim atë në zbatim. Sigurisht që kjo është e lehtë për Allahun.” [El Hadid: 22].

“Asnjë fatkeqësi nuk mund të bjerë veçse me Lejen e Allahut.” [Et Tegabun: 11].

“Dhe çdo njeriu, Ne ja kemi lidhur veprat e tij fortë pas qafës së tij…” [El Isra: 13].

“Thuaj: “Kurrë nuk do të na ndodh gjë neve, përveç asaj që Allahu ka përcaktuar për ne. Ai është Ndihmuesi ynë dhe tek Allahu të mbështeten plotësisht besimtarët.” [Et Teube: 51].

“Dhe vetëm tek Ai janë çelësat e të fshehtës, askush nuk i di përveç Atij. Ai di gjithçka në tokë e në det; nuk ka asnjë grimcë në errësirën e tokës, asgjë të njomë ose të thatë që të mos jetë shkruar në Libër të qartë (El Leuhu el Mahfudh).” [El Enam: 59].

“E ju nuk mund të dëshironi, vetëm nëse dëshiron Allahu.” [Et Tekvir: 29].

“Padyshim se ata për të cilët ka paraprirë mirësia nga Ne, do të jenë të larguar larg prej andej (nga xhehenemi).” [El Enbija: 101].

“Do të ishte më mirë për ty, që kur hyre në kopështin tënd, të thoshe: “Masha Allahu la kuvete il-la bilah” –Ajo që dëshiron Allahu bëhet dhe nuk ka fuqi veçse me Allahun.” [El Kehf: 39].

“Kurrë nuk do të ishim udhëzuar, sikur të mos na kishte udhëzuar Allahu.” [El Araf: 43].

2. Njoftimi i të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) për Paracaktimin e Allahut dhe përmbushjen e tij, në shumë hadithe. Prej tyre po përmendim fjalën e tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!): “Gjithkush nga ju fillon të krijohet në barkun e nënës së tij duke u mbledhur në të për dyzet ditë si lëng i ngjizur (nga bashkimi i vezëve mashkullore me ato femërore), pastaj bëhet gjak i mpiksur po për kaq kohë (dyzet ditë), pastaj bëhet copë mishi për të njëjtën kohë. Pastaj tek ai dërgohet një melek (engjëll) i cili fryn shpirtin në të dhe urdhërohet të shkruajë katër gjëra: rrizkun e tij, exhelin (kohën e vdekjes) së tij, punën e tij dhe nëse do të jetë fatkeq apo fatmirë. Betohem në Atë, përveç të Cilit nuk ka të adhuruar tjetër! Ndokush prej jush do të punojë punë të banorëve të xhenetit, deri sa të mos jetë ndërmjet tij dhe tij veçse një parakrah, por atij i paraprin Libri (i shkruar që më parë tek Allahu) dhe ai punon punë të banorëve të zjarrit, kështu që hyn në të. Dhe vërtet që ndokush prej jush do të punojë punë të banorëve të zjarrit, deri sa të mos jetë ndërmjet tij dhe tij veçse një parakrah, por atij i paraprin Libri dhe ai vepron punë të banorëve të xhenetit, dhe hyn në të.”[1]  

Po kështu fjala e tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) drejtuar Ibën Abasit (Allahu qoftë i kënaqur me të!): “O djalosh! Unë do të të mësoj ty disa fjalë: Ruaje Allahun që të të ruajë ty! Ruaje Allahun dh eke për ta gjetur përpara (në ndihmën tënde). Kur të kërkosh, kërko nga Allahu dhe kur të kërkosh ndihmë, kërkoje nga Allahu. Dhe dije se sikur i gjithë populli të bashkohet që të të sjellin ndonjë dobi, ata nuk kanë për të të bërë dobi veçse me atë që Allahu e ka shkruar për ty. E nëse do të bashkoheshin që të të dëmtonin me ndonjë gjë, ata nuk do të mund të të dëmtonin veçse me atë që Allahu e ka shkruar kundër teje. Lapsat tashmë janë ngritur dhe letrat janë tharë.”[2]

“Gjëja e parë që Allahu ka krijuar është lapsi. Pastaj Ai i tha atij: Shkruaj! –Çfarë të shkruaj, o Zot? –tha lapsi. –Shruaj përcaktimet e çdo gjëje deri sa të bëhet Kijameti.”[3]

“Ademi dhe Musa po polemizonin. Musa tha: “O Adem! Ti je babai ynë dhe ti na zmbrapse e na nxore nga xheneti.” Ademi tha: “Ti je Musai, të cilin Allahu e ka veçuar me të Folurin e Tij dhe i ka shkruar Teuratin me Dorën e Tij, a po më kritikon për një gjë të cilën Allahu e ka paracaktuar për mua, dyzet vjet para se të më krijonte?!” Kështu, Ademi fitoi mbi Musën, në polemikë.”[4]

Po kështu edhe fjala e tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) në përkufizimin e imanit (besimit): “(Imani është) Të besosh në Allahun, në engjëjt e Tij, në Librat e Tij, në të Dërguarit e Tij, në Ditën e Fundit dhe të besosh në Paracaktimin e Allahut, qoftë për të mirë apo për të keq.”[5]

“Punoni, sepse gjithësecilit i lehtësohet ajo për të cilën është krijuar.”[6]

“Zotimi nuk e kthen paracaktimin.”[7]

Po kështu edhe fjala e tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) drejtuar Abdullah ibën Kajsit: “O Abdullah ibën Kajs! A të të mësoj një fjalë e cila është prej thesarëve të xhenetit? (Ajo është): “La haule ue la kuvete il-la bilah – Nuk ka ndryshim e fuqi veçse me Allahun”[8]

Po kështu edhe fjala e tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) drejtuar atij që tha: “Çfarë të dojë Allahu dhe çfarë të duash ti”: “Thuaj: “Çfarë të dojë Allahu, vetëm Ai.”[9]

 

3. Besimi i qindra milionëve nga populli i Muhamedit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), prej dijetarëve, të urtëve, të mirëve etj, në Paracaktimin e Allahut të Lartëmadhëruar dhe në përmbushjen e atij paracaktimi, në Urtësinë e Allahut dhe në Vullnetin e Tij, dhe se çdo gjë paraprihet nga dija dhe paracaktimi i Tij i hershëm. Besimi i tyre se në sundimin e Tij nuk mund të hyjë veçse ajo që Ai dëshiron (që ta krijojë e pastaj të ekzistojë), dhe se ajo që Ai ka dashur, është bërë, ndërsa ajo që Ai nuk ka dashur, nuk ka ekzistuar kurrë. Si dhe besimi i tyre se lapsi ka shkruar çdo gjë që do të ndodhë deri në Ditën e Kijametit. Të gjitha këto janë argument i qartë për vërtetësinë e Paracaktimit të Allahut dhe përmbushjen e atij paracaktimi.

Argumentet nga logjika e shëndoshë:

 

1. Mendja e njeriut nuk konsideron absurde asgjë në lidhje me paracaktimin e Allahut dhe përmbushjen e tij, as Vullnetin e Allahut, Urtësinë e Tij, Dëshirën dhe komandimin e Tij. Madje logjika e konsideron të domosdoshme të gjithë këtë dhe e vulos atë, pasi që dukuria e tyre është mëse e qartë dhe e dukshme në këtë gjithësi.

2. Besimi në Allahun e Madhëruar dhe në Fuqinë e Tij absolute, rezulton në besimin në paracaktimin dhe përmbushjen e tij, në Urtësinë dhe Vullnetin e Tij.

3. Përderisa inxhinjeri i ndërtimit e hedh projektin e ndërtesës që kërkon të ndërtojë, në një letër të vogël dhe përcakton kohën që do të duhet për ta përmbushur atë plan, pastaj punon për zbatimin e tij. Pastaj, menjëherë me mbarimin e afatit të përcaktuar, kështjella e vizatuar në letër, del dhe shfaqet në ekzistencë, në përputhje me vizatimin e inxhinjerit në letër, pa lënë mangut asgjë dhe pa shtuar në të. Atëherë si mund të mohohet që Allahu t’i ketë shkruar përcaktimet e të gjithë ekzistencës deri në ditën e Kijametit?! Dhe më pas, nga Fuqia dhe Dija e Tij absolute, këto përcaktime realizohen në përputhje me atë që Allahu ka paracaktuar, në sasi e cilësi, në kohë e në vend, duke ditur se Allahu i Madhëruar është i Gjithëfuqishëm për gjithçka?!


[1] E transmeton Muslimi (4/2036).

[2] E transmeton Tirmidhiu (2516).

[3] E transmeton Ahmedi (5/317) dhe Ebu Daudi (4700).

[4] E transmeton Muslimi (4/2042).

[5] E transmeton Muslimi (1/37).

[6] E transmeton Muslimi (4/2040).

[7] E transmeton Muslimi (3/1261).

[8] E transmeton Buhariu (5/170) dhe Muslimi (4/2077).

[9] E transmeton Ahmedi (1/214, 282) dhe Ibën Maxheh (2117).


Shkëputur nga libri “Minhaxhu el Muslim
Autor: Ebu Bekër Xhabir el Xhezairi