Bazat e Islamit

 

Në hadithin e mirënjohur të Xhibrilit, të cilin e transmeton Umeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!), thuhet: “Më pas vazhdoi: “Më trego çfarë është Islami?” Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha : “Islami është të dëshmosh se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Tij, të falësh namazin, të japësh zekatin, të agjërosh muajin e Ramazanit dhe të vizitosh shtëpinë e shenjtë (Kaben), nëse ke mundësi.” (Trans. Buhariu, Muslimi, etj.)

Prej ketu, bazat mbi të cilat ngrihet Islami janë pesë:

 

  • Baza e Pare: Dy dëshmitë (Shehadeti)

Gjëja e parë që sqaron Islamin është dëshmia se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Tij. Këto dy dëshmi janë shumë të lidhura njëra me tjetrën, prandaj vijnë gjithmonë bashkë dhe të pandara.

Shehadeti (dëshmia: LA ILAHE IL ALLAH, MUHAMEDUN RESULULLAH) është i domosdoshëm dhe duhet pranuar nga çdo njeri apo xhind, duke filluar nga dita kur u dërgua Muhamedi (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) profet e deri në Ditën e Gjykimit. Ai që nuk beson në profetësinë e Muhamedit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) do jetë nga banorët e zjarrit. Argument për këtë është fjala e Profetit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) që thotë: “Betohem në Atë i Cili ka në dorë shpirtin tim se çdo njeri, qoftë çifut apo i krishterë që dëgjon për mua dhe vdes duke mos i besuar profetësisë me të cilën u dërgova, ai do jetë nga banorët e zjarrit.”

Fjala ”LA ILAHE IL ALLAH” do të thotë se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut. Kjo fjalë është e përbërë nga dy elemente apo baza: Mohim i përgjithshëm në fillim të fjalisë (LA ILAHE) dhe pohim i veçantë në fundin e saj (ILALLAH).”
D.m.th, te pjesa e parë mohohet çdo adhurim që i dedikohet dikujt tjetër përveç Allahut, ndërsa pjesa tjetër pohon vetëm adhurimin që i bëhet Allahut, sepse vetëm Ai e meriton diçka të tillë.

Kuptimi i pjesës së dytë të shehadetit (MUHAMEDUN RESULULLAH) është ta duash Profetin (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) më shumë se çdo krijesë tjetër, t’i bindesh në gjërat që ai urdhëron dhe të largohesh nga gjërat që ndalon. Të besosh lajmet që sjell qofshin për kohën e tij apo për të ardhmen dhe ta adhurosh Allahun në përputhje me udhëzimin e tij.
Sinqeriteti në bërjen e një vepre për hir të Allahut dhe pasimi i rrugës profetike, formojnë atë që quhet dëshmi.

Prandaj, një punë që të pranohet tek Allahu duhet të plotësojë dy kushte:

a) të bëhet e sinqertë për hir të Allahut
b) të bëhet në përputhje me sunetin (rrugën, traditën) e të Dërguarit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!)
Nëse një punë nuk bëhet e sinqertë për hir të Allahut atëherë ajo refuzohet dhe tek Allahu nuk pranohet.
Allahu i Madhëruar në Librin e Tij thotë: ”Ne do iu kthehemi veprave që bënë ata dhe do i bëjmë ato hi e pluhur.”
Gjithashtu, në një hadith kudsij (të shenjtë) Allahu i Madhëruar ka thënë: “Unë jam më i panevojshmi për ortak. Prandaj kush punon një punë duke më shoqëruar ortak, Unë do e lë atë dhe ortakun e tij.”

Gjithashtu, nëse një punë nuk bëhet në përputhje me rrugën e Profetit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) atëherë edhe kjo punë refuzohet. Argument është hadithi i Profetit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) i cili thotë: “Kush shpik në fenë tonë diçka që nuk i përket asaj, atëherë ajo punë nuk pranohet (nga Allahu)”.

Ndërsa në versionin që transmeton Muslimi, Profeti (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Kush punon një punë që nuk përputhet me fenë tonë, ajo do t’i refuzohet”.
Duke u nisur nga kjo, themi se nuk janë të vërteta fjalët e disa njerëzve të cilët thonë se nëse një punë është e sinqertë, për hir të Allahut dhe ai që e vepron ka qëllim të mirë, kjo punë pranohet edhe nëse nuk është në përputhje me rrugën e Profetit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!). Ky mendim hidhet poshtë me fjalën e Profetit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) kur iu drejtua njërit prej shokëve të tij, i cili kishte therur kurbanin para namazit të bajramit: “Kafsha jote nuk vleu vetëm se për mish”.

Profeti (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) nuk e konsideroi kafshën e tij kurban, sepse ai e kishte therur para kohës së duhur.
Ibën Haxheri (Allahu e mëshiroftë!) në komentin e këtij hadithi ka thënë: “Eshtë transmetuar se dijetari Ebu Muhamed bin Ebi Xhemrah ka thënë: “Nga ky hadith përfitojmë se puna sado e sinqertë të jetë, nuk pranohet, përderisa nuk është në përputhje me sheriatin.”‘

Eshtë transmetuar në “Sunenin” e Darimiut se Abdullah bin Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) kishte parë disa njerëz të mbledhur bashkë në xhami dhe që po mbanin në duart e tyre gurë të vegjël për t’i numëruar. Njëri nga ata thoshte: “Thoni ”Allahu Ekber” njëqind herë dhe ata e thonin, thoni ”Elhamdulilah” njëqind herë dhe ata e thonin, thoni ”SubhanAllah” njëqind herë dhe ata e thonin”. Abdullah bin Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) kur i pa ata, u tha: “Cfarë është kjo që po bëni?” Ata u përgjigjën: “O baba i Abdurrahmanit! Nuk po bëjmë gjë tjetër vetëm se tesbih që i numërojmë me këta gurë”. Abdullahu tha: “Më mirë për ju është të numëroni mëkatet që bëni dhe (sikur ta lini këtë punë) unë ju siguroj se asnjë vepër e mirë nuk do t’ju shkojë dëm. Mjerë për ju, o popull i Muhamedit! Sa shpejt humbisni! Shokët e Profetit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) janë të pranishëm, rrobat e tij akoma nuk janë kalbur dhe enët e tij akoma nuk janë thyer e ju veproni kështu! Betohem në Allahun se ju ose jeni popull më i udhëzuar se populli i Muhamedit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), ose i keni hapur vetes dyert e humbjes!” Ata thanë: “Betohemi në Allahun o baba i Abdurrahmanit, se nuk kishim për qëllim vetëm se të mirën”. Abdullahu atëherë u përgjigjet: “Sa njerëz e duan të mirën, por nuk e arrijnë atë”.

 

  • Baza e Dyte: Kryerja e Namazit

Shtylla më e rëndësishme pas dy dëshmive të Islamit është namazi. Profeti (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) e ka cilësuar atë si shtyllë të Islamit, siç është transmetuar në hadithin e Muadh bin Xhebelit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!). Gjithashtu, namazi është gjëja e fundit që do humbasin muslimanët, puna e parë për të cilën do të pyeten përpara Allahut të Madhëruar dhe ai e dallon muslimanin nga jomuslimani.
Për të treguar më shumë rëndësinë e namazit, mund të themi se Allahu i Madhëruar i ka obliguar këto namaze natën e Israsë dhe Miraxhit, kur Profeti (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) është ngjitur mbi shtatë qiejt.
Gjithashtu, kur banorët e zjarrit pyeten se cili ishte shkaku i hyrjes së tyre në Sekar (xhehenem) përgjigjen: ”Ne nuk ishim nga ata që falnin namazin.”
Namazi është vepër që largon nga të irrituarat dhe veset e këqia. Allahu i Madhëruar në Librin e Tij thotë: ”E ti fale namazin se me të vërtetë namazi të largon nga gjërat e shëmtuara dhe të irrituara.”

Porosia e fundit me të cilën Profeti (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) e porositi umetin e tij ishte namazi. Eshtë transmetuar nga Umu Selemeh (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se ka thënë: ”Profeti (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) në sëmundjen e rëndë, për shkak të së cilës ndërroi jetë, thoshte: “Kujdesuni për namazin dhe robëreshat (të cilat i keni nën sundimin tuaj)!” Këto fjalë përsëriste derisa ia dorëzoi shpirtin Allahut të Madhëruar. Ndërsa Enesi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) thotë: ”Porosia më përmbledhëse që la Profeti (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) në çastet kur po jepte shpirt ishte: “Kujdesuni për namazin dhe robëreshat!” Gjithashtu, Ali bin Ebi Talib (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) thotë: ”Fjalët e fundit të Profetit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) ishin: “Kujdesuni për namazin dhe robëreshat”.

Allahu i Madhëruar kur përmend virtytet e besimtarëve në suren El muminun dhe El mearixh fillon dhe mbaron me namazin.
Suren El muminun e fillon: “Eshtë e sigurt se kanë shpëtuar besimtarët, ata të cilët në namazin e tyre janë të përulur dhe të kujdesshëm.”
Ndërsa në fund thotë: ”Dhe ata të cilët i kushtojnë kujdes kohës së namazit të tyre.”

Gjithashtu, në suren El mearixh thotë: ”Përveç atyre që falen, ata të cilët janë të rregullt në faljen e namazit të tyre.”
Ndërsa në fund të ajeteve thotë: ”Edhe ata që janë të kujdesshëm ndaj namazit të tyre.”
Kryerja e namazit bëhet në dy mënyra. Mënyra e parë është e detyrueshme dhe do të thotë: Të realizosh të paktën detyrimin, i cili largon nga ti përgjegjësinë dhe llogarinë. Mënyra e dytë është e pëlqyeshme (mustehab) dhe do të thotë: Plotësimi i tij me çdo gjë që është e pëlqyeshme në namaz.
Pesë namazet janë detyrë për çdo person mendërisht i shëndoshë, që ka arritur moshën e pjekurisë, qoftë mashkull apo femër. Kjo detyrë është derisa të ekzistojë shpirti në trupin e tij.

Për burrat është detyrë që namazin ta falin në xhami me muslimanët e tjerë, sepse Profeti (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Betohem në Allahun, isha gati të urdhëroja disa njerëz që të mblidhnin dru zjarri dhe të urdhëroja ndonjë të bënte thirrjen për namaz. Të lija një njeri të ju printe njerëzve në namaz, pastaj të nisesha tek ata njerëz që nuk marrin pjesë në namaz me muslimanët e tjerë dhe më pas do dëshiroja t’iu djeg shtëpitë (për shkak të faljes së namazit në to dhe mosardhjes në xhami)”.

Gjithashtu, transmetohet nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se Profeti (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Namazi më i vështirë për munafikët (hipokritët, dyfytyrëshit) është ai i sabahut dhe jacisë. Sikur ata ta dinin vlerën e tyre, do të vinin zvarrë (për ta falur në xhami). Isha gati të urdhëroja ndonjë nga muslimanët që të bënte thirrjen për namaz dhe një tjetër ta lija imam për njerëzit, ndërkohë unë do doja të shkoja me disa burra që të digjnim shtëpitë e atyre që nuk marrin pjesë në namazin me xhemat”.

Ibën Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) ka thënë: “Kush dëshiron që pas vdekjes ta takojë Allahun si musliman, atëherë le të kujdeset për namazin e tij. Me të vërtetë Allahu e ka urdhëruar Profetin (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) të ndjekë rrugët e udhëzimit, aq sa bëri që dhe namazi të përfshihet në këto rrugë. Prandaj, nëse ndonjë nga ju falet në shtëpinë e tij, ashtu siç falen disa të papërgjegjshëm, atëherë do të linit udhëzimin e Profetit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) dhe nëse lini udhëzimin e tij, do të humbisni. Cdo njeri që merr abdes në shtëpinë e tij, duke e përsosur atë dhe pastaj niset në xhami për t’u falur me xhemat, atëherë për çdo hap që ai hedh, Allahu do t’i japë një të mirë, do t’i ngrejë një gradë dhe do t’i fshijë një të metë. Unë e kam jetuar atë kohë kur në namazin me xhemat nuk mungonte vetëm se ndonjë munafik, i cili njihej për hipokrizinë e tij. Madje në atë kohë kishte burra që nga pamundësia e tyre për të ecur, i sillnin në xhami për krahësh, derisa i vendosnin në saf (rreshti për tu falur)”.

Gjithashtu, Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) thotë: “Erdhi një burrë i verbër te Profeti (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) dhe i tha: ”O i Dërguari i Allahut! Unë nuk kam udhërrëfyes të më tregojë rrugën për në xhami dhe kërkoi ta lejonte të falej në shtëpi. Profeti në fillim e lejoi, por kur i verbëri po largohej, Profeti (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) e thirri dhe i tha: “A e dëgjon thirrjen e ezanit për namaz?” Tha: “Po.” Atëherë Profeti i thotë: “Përgjigjju thirrjes!”

Ibën Umeri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) ka thënë: “Kur nuk shihnim (mungonte) ndonjë në namazin e jacisë ose të sabahut, krijonim mendim të keq për të”.
Për të vërtetuar më shumë obligimin e namazit me xhemat, ekzistojnë shumë ajete kuranore dhe tekste hadithi, të cilat tregojnë për faljen me xhemat edhe në kohën e luftës.

Allahu i Madhëruar thotë: “Nëse ti gjendesh me ata për të falur namazin, atëherë një grup prej tyre të vijë të falet me ty.” Gjithashtu, janë transmetuar shumë hadithe të cilat tregojnë për faljen e namazit të frikës në mënyra të ndryshme.

 

  • Baza e Trete: Agjërimi i Ramazanit

Agjërimi i muajit të Ramazanit është adhurim trupor i fshehtë, ndërmjet njeriut dhe Krijuesit dhe atë nuk e di askush përveç Allahut të Madhëruar. Ka njerëz që ti i mendon se agjërojnë, por në realitet nuk agjërojnë, gjithashtu, ka njerëz që agjërojnë nafile dhe njerëzit mendojnë se ai nuk agjëron. Eshtë transmetuar në një hadith të saktë se Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Njeriu shpërblehet për punën e tij të mirë dhjetë deri në shtatëqind herë.”
Ndërsa Allahu i Madhëruar në një hadith kudsij thotë: ”Me përjashtim të agjërimit, i cili bëhet vetëm për Mua dhe Unë shpërblej për të (pa llogari).” [Transmeton Buhariu me nr.1894 dhe Muslimi me nr.164.] Të gjitha punët e njeriut duhet të bëhen për hir të Allahut. Allahu i Madhëruar në Librin e Tij thotë: “Thuaj, namazi im, kurbani im, jeta dhe vdekja ime, janë vetëm për Allahun, Zotin e botëve. Ai nuk ka shok. Kështu jam urdhëruar dhe jam i pari i muslimanëve.” [Suretul Enam, 162]

 

  • Baza e Katert: Zekati i Pasurisë

Zekati gjithmonë vjen i shoqëruar me namazin, si në ajetet kuranore ashtu dhe në hadithe. Allahu i Madhëruar thotë në Librin e Tij: “Dhe nëse ata pendohen, e falin namazin dhe e japin zekatin, atëherë lerini të lirë.” Dhe thotë: “Dhe nëse ata pendohen, e falin namazin dhe e japin zekatin, atëherë janë vëllezërit tuaj në fe.” Ndërsa në një ajet tjetër thotë: “Ata nuk i urdhëruam me gjë tjetër, vetëm se të adhuronin Allahun me adhurim të sinqertë, të largoheshin nga çdo besim i kotë, të falin namazin dhe të japin zekatin, sepse kjo është feja e drejtë.”
Zekati është adhurim material prej të cilit kanë dobi edhe të tjerët. Allahu i Madhëruar e ka obliguar atë për të pasurit, në mënyrë që të përfitojnë dhe të varfërit. Zekati kurrsesi nuk e dëmton të pasurin, kjo për shkak se nga pasuria e tij jepet një përqindje shumë e vogël në një sasi shumë të madhe parash.

 

  • Baza e Peste: Pelegrinazhi ose Haxhi

Haxhi (vizita e shtëpisë së shenjtë, Kabes) është një adhurim fiziko-material, të cilin Allahu i Madhëruar ia ka obliguar çdo njeriu një herë në jetë. Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) në një prej haditheve të tij ka thënë: “Kush e bën haxhin, duke mos e përzier atë me fjalë të pista ose gjëra të ndaluara, kthehet sikur ta kishte lindur nëna e tij edhe një herë. Gjithashtu, ka thënë: “Kryerja e umreve njëra pas tjetrës, fshin mëkatet ndërmjet tyre, ndërsa haxhi i pranuar tek Allahu, nuk ka shpërblim tjetër përveç xhenetit”.
Të kesh mundësi për të shkuar në haxh, do të thotë të kesh mundësi trupore dhe materiale. Ai i cili vdes pa kryer haxhin, lejohet që në vend të tij ta bëjë dikush tjetër, ndërsa për të gjallin nuk lejohet me përjashtim të dy rasteve: për të moshuarin që nuk mundet të udhëtojë dhe për të sëmurin i cili nuk shpreson të shërohet ndonjëherë.
Nëse gruaja nuk gjen ndonjë të afërm për ta shoqëruar në haxh, atëherë ajo nuk obligohet për kryerjen e tij. Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) thotë: “Nuk lejohet veçimi i një burri me një grua, vetëm nëse gruaja është e shoqëruar nga ndonjë i afërm; gjithashtu, nuk lejohet që gruaja të udhëtojë pa të afërm. Një person kur i dëgjoi këto fjalë tha: “O i Dërguari i Allahut! Gruaja ime është nisur për haxh, ndërsa unë kam regjistruar emrin për të shkuar në betejë”. Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i tha: “Shko dhe kryej haxhin me gruan tënde!”.

_______________________
Shkëputur nga libri “Hadithi i Xhibrilit”
Autor: Abdulmuhsin el Abad
Përktheu: Fation Çorapi