ARDHJA NE NDIHME NJERIUT TE TRISHTUAR

KUNDER INTRIGAVE TE DJALLIT TE MALLKUAR (4)

Autor: Ibën Kajjim el XHEUZIJE


Nuk ka lumturi për zemrën dhe as kënaqësi e rregullim vetëm duke qenë se Zoti i saj dhe Krijuesi i saj, vetëm Ai të jetë i Adhuruari i saj, pikësynimi i asaj që ajo kërkon dhe më i dashur për të se çdo gjë tjetër

Është e ditur se çdo gjë e gjallë, përveç Allahut të Lartësuar, qoftë engjëll, njeri, xhin apo kafshë, të gjitha ato kanë nevojë për arritjen e gjërave që u bëjnë dobi dhe largimin e atyre që u bëjnë dëm. Por kjo nuk mund të ndodhë veçse duke e përfytyruar të dobishmen dhe të dëmshmen; e dobishmja është prej llojit të mirësisë e kënaqësisë, ndërsa e dëmshmja prej llojit të vuajtjes dhe ndëshkimit.

Kështu që njeriut i duhen dy gjëra të domosdoshme:

E para: Njohja e objektit të kërkuar e dashur nga i cili ai ka dobi dhe kënaqet me arritjen e tij.

E dyta: Njohja e mjetit ndihmues dhe shpurës tek ajo që ai synon.

Përkrah këtyre dyjave qëndrojnë edhe dy gjëra të tjera: Njëra prej tyre është e keqe, e urrejtur dhe e dëmshme, ndërsa e dyta është ndihmuese dhe mbrojtëse nga e dëmshmja.

Pra, këtu kemi katër gjëra:

1.     Një gjë e cila është e dëshiruar dhe e kërkuar që të arrihet e të ekzistojë.

2.      Një gjë e cila është e padëshiruar dhe kërkohet që të asgjësohet.

3.      Mjeti dhe mënyra për të arritur gjënë e kërkuar e të dëshiruar.

4.      Mjeti dhe mënyra e asgjësimit të gjësë së padëshiruar.

Këto katër gjëra janë të domosdoshme për njeriun, madje për çdo kafshë e cila nuk mund të ekzistojë dhe të zhvillohet pa to.

Nëse aprovohet kjo, atëherë duhet të dihet se Allahu i Madhëruar është Ai i Cili duhet të jetë Synimi, i Luturi dhe i Kërkuari, Fytyra e të Cilit duhet të jetë e dëshiruara, afrimi tek Ai dhe kërkimi i Kënaqësisë së Tij duhet të jetë parësore. Dhe Allahu është Ndihmuesi për të arritur këtë.

Ndërsa adhurimi i dikujt tjetër përveç Allahut, të kthyerit nga ai dhe të lidhurit me të, është e keqja e dëmshme, për largimin e së cilës, Allahu është i vetmi Ndihmues.

Ai që i bashkon këto katër gjëra është Allahu i Madhëruar. Ai është i Adhuruari dhe i Dëshiruari. Ai është Ndihmuesi i robit të Tij që ai të arrijë tek Allahu dhe ta adhurojë Atë. Edhe e keqja dhe e dëmshmja ndodhin me Lejen dhe Fuqinë e Tij, dhe Ai është Ndihmuesi i robit të Tij për largimin e saj, siç ka thënë edhe krijesa që di më shumë për të (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!): “Unë mbrohem me Kënaqësinë Tënde nga Zemërimi Yt, me Faljen Tënde nga Ndëshkimi Yt dhe me Ty nga Ty!”[1]

Ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) gjithashtu ka thënë: “O Zoti im! Unë ta kam dorëzuar Ty veten time, nga Ti e kam drejtuar fytyrën time, në Dorën Tënde i kam lënë çështjet e mia, tek Ti e kam strehuar shpinën time, me dëshirë e frikë nga Ti. Nuk ka strehim e as shpëtim veçse tek Ti.”[2]

Pra, nga Allahu është shpëtimi, tek Ai është strehimi, me Të është mbrojtja nga e keqja e çdo gjëje që do të jetë, me Lejen dhe Fuqinë e Tij. Mbrojtja është vepër e Tij dhe gjëja nga e cila kërkon mbrojtje është gjithashtu vepër e Tij, apo rezultat i asaj që Ai krijoi me Vullnetin e Tij.

Kështu që e gjithë çështja i përket Allahut, i gjithë falenderimi dhe lavdërimi i përket vetëm Atij, edhe sundimi e zotërimi, dhe e gjithë e mira është në Duart e Tij. Asnjë prej krijesve të Tij nuk mund t’a përfshijë falenderimin dhe lavdërimin e Tij ashtu si e meriton Ai, por Ai është ashtu si e ka lavdëruar Veten e Tij dhe mbi atë që e lavdëron Atë çdonjë prej krijesave të Tij. Për këtë shkak, përmirësimi i robit dhe lumturia e tij qëndron në vërtetimin e Fjalës: “Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje kërkojmë ndihmë!”

Adhurimi përmban synimin e kërkuar, por në mënyrën më të përsosur, dhe Ndihmuesi është Ai nga i Cili kërkohet ndihmë për të arritur atë që kërkon. E para përmban kuptimin e të qenurit e Allahut Hyjnia i Vetëm që duhet të adhurohet, ndërsa e dyta përmban kuptimin e të qenurit e Tij i Vetmi Zot, Krijues e Komandues. I Adhuruari është Ai të cilin e hyjnizojnë zemrat; me dashuri, përgjërim, madhështim, nderim, nënshtrim, përulje, frikë, shpresë, mbështetje. Ndërsa Zot është Ai i Cili kujdeset për robin e Tij duke e krijuar atë dhe duke e udhëzuar në të mirën për veten e tij. Nuk ka hyjni tjetër përveç Atij dhe as zot tjetër përveç Atij. Ashtu si të qenurit zot e dikujt tjetër përveç Allahut është e pavërteta më e madhe, po kështu edhe të qenurit e dikujt tjetër hyjni përveç Atij është gjithashtu absurde.

Allahu i Madhëruar ka bashkuar mes këtyre dy bazave (Zot dhe Hyjni dhe domethënies së tyre) në shumë vende në Librin e Tij. Allahu i Madhëruar thotë: “Adhuroje Atë dhe mbështetju Atij.” [Hud: 123].

Ndërsa për Pejgamberin e Tij, Shuajbin, Allahu thotë: “Suksesi im në udhëzim nuk është veçse nga Allahu, tek Ai mbështetem dhe Atij i kthehem me pendim.” [Hud: 88].

Allahu i Madhëruar gjithashtu thotë: “Dhe mbështetu tek i Përjetshmi i Cili nuk vdes kurrë dhe madhëro Lavdinë e Tij…!” [El Furkan: 58].

Dhe thotë: “Por kujto Emrin e Zotit tënd dhe përkushtoja Atij veten tënde me devotshmëri të plotë! Zoti i lindjes dhe i perëndimit, nuk ka të adhuruar tjetër (me të drejtë) përveç Atij, ndaj vetëm Atë merr për Rregullues të punëve të tua!” [El Muzemil: 8-9].

Dhe thotë: “Thuaj: “Ai është Zoti im. Nuk ka të adhuruar tjetër përveç Tij. Tek Ai unë jam mbështetur dhe Atij i kthehem me pendim.” [Er Rrad: 30].

Po kështu edhe Fjala e Allahut të Madhëruar për pasuesit e pastër (që nuk adhuronin idhuj por ndoqën rrugën e drejtë) të Ibrahimit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!): “Zoti ynë! Vetëm tek Ti ne mbështetemi dhe vetëm tek Ti ne kthehemi me pendim, dhe vetëm tek Ti është kthimi ynë i fundit.” [El Mumtehine: 4].

Këto shtatë ajete, përmbajnë këto dy baza së bashku, për dy domethëniet e Teuhidit, pa të cilat nuk ka lumturi për robin, në asnjë mënyrë.

Ky ishte këndvështrimi i parë.

Këndvështrimi i dytë:

Allahu i Madhëruar i ka krijuar krijesat e Tij me qëllim që ato të adhurojnë vetëm Atë, ta njohin Atë, të kthehen tek Ai me pendim, me dashuri dhe sinqeritet. Me përmendjen e Allahut, qetësohen zemrat dhe shpirtrat e tyre. Me shikimin tek Allahu në botën tjetër, ndrisin dhe kënaqen sytë e tyre dhe me këtë Allahu e ka plotësuar mirësinë e Tij mbi ta. Ai nuk u jep gjë më të dashur për ta në botën tjetër, as më të kënaqës për sytë e tyre dhe as më të mirë për zemrat e tyre, se sa të shikuarit tek Ai dhe të dëgjuarit e Fjalës së Tij pa ndërmjetësues, por drejtpërdrejt.

Ndërsa në këtë botë, Ai nuk u ka dhënë gjë më të mirë, as më të dashur për ta dhe as më të kënaqshme për sytë e tyre, se sa besimi në Të, dashuria për Të, malli për takimin me Të, shoqëria pranë Tij dhe të kënaqurit me përmendjen e Tij.

Këto dy gjëra, i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i ka bashkuar në lutjen e tij, në hadithin të cilin e transmeton Nesai, imam Ahmedi, Ibën Hibani në Sahihun e tij, e të tjerë; nga transmetimi i Amar ibën Jasir, se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) bënte lutje me këto fjalë: “O Zoti im! Në Dijen Tënde është e fshehta dhe Fuqia Jote mbi krijesat e Tua. Më jep jetë përderisa Ti e di që jeta është më e mirë për mua dhe m’a merr jetën nëse vdekja është më e mirë për mua! Kërkoj të më mundësosh frikërespektin ndaj Teje në publik dhe në vetmi! Kërkoj prej Teje të më mundësosh thënien e të vërtetës në gëzim e hidhërim! Të kërkoj të më mundësosh mesataren në varfëri e pasuri! Të kërkoj mirësi të pashtershme dhe kënaqësi të syve të pandërprerë! Kërkoj të më mundësosh kënaqjen pas Caktimit Tënd (ndonjë fatkeqësi apo mirësi)! Të kërkoj jetë të freskët pas vdekjes, shijimin e të vështruarit në Fytyrën Tënde, mallin për takimin me Ty, pa ndonjë fatkeqësi të dëmshme dhe as sprovë humbëse! O Zot! Na zbukuro me zbukurimin e besimit dhe na bëj të udhëzuar e udhëzues në rrugën e drejtë!”[3]

Në këtë lutje, i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka bashkuar ndërmjet më të mirës dhe më të bukurës gjë në këtë botë, e cila është malli për takimin me Allahun e Lartëmadhëruar, dhe ndërmjet më të mirës dhe më të bukurës gjë në botën tjetër, e cila është të shikuarit në Fytyrën e Tij të Lartë.

Dhe përderisa plotësimi dhe përsosmëria e kësaj qëndron në ruajtjen nga ajo që të dëmton në këtë botë dhe që të sprovon në Fe, ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: “…pa ndonjë fatkeqësi të dëmshme dhe as sprovë humbëse!”

Dhe përderisa përsosmëria e robit qëndron në të qenurit e tij njohës i së vërtetës, pasues i saj, mësues i të tjerëve dhe udhëzues i tyre, ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: “…dhe na bëj të udhëzuar e udhëzues në rrugën e drejtë!”

Dhe përderisa të kënaqurit e dobishëm me të cilin arrihet synimi, është të kënaqurit pas rënies së Caktimit (fatkeqësisë) dhe jo para tij. Kjo është vendosmëri në të qenurit i kënaqur me Allahun dhe nëse të bie Caktimi i Tij (ndonjë fatkeqësi), dhe dobësohet ajo vendosmëri, atëherë kërkon kënaqjen me të pas saj; pasi që caktimin e rrethojnë dy gjëra: Lutja e Allahut për zgjedhjen e tij para se ai të bjerë dhe të kënaqurit me të pas rënies së tij.

Kështu që, lumturia e robit qëndron në të bashkuarit mes këtyre dyjave, siç është transmetuar nga i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) se ai ka thënë: “Prej lumturisë së birit të Ademit (njeriut) është lutja e Allahut në përzgjedhje (istihara) dhe kënaqja me Caktimin e Tij. Ndërsa prej vuajtjes dhë mjerimit të birit të Ademit është lënia e lutjes së Allahut në përzgjedhje dhe mërzitja me atë që ka caktuar Allahu i Lartësuar.”[4]

Dhe përderisa frika nga Allahu është koka e çdo gjëje në publik dhe në fshehtësi, ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i kërkoi Allahut mundësimin e frikës nga Ai në publik dhe në vetmi.

Dhe përderisa shumica e njerëzve flasin të vërtetën kur janë të gëzuar, ndërsa kur hidhërohen, ata i nxjerr hidhërimi në thënien e të pavërtetës, ashtu si edhe mund ta fusë atë gëzimi i tij në të pavërtetën, ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i kërkoi Allahut që t’i mundësojë atij thënien e të vërtetës në gëzim e në hidhërim.

Për këtë arsye, dikush prej selefëve ka thënë: “Mos u bë prej atyre të cilët kur gëzohen, gëzimi i tyre i fut në gënjeshtër dhe kur hidhërohen, hidhërimi i tyre i nxjerr nga e vërteta.”

Dhe përderisa pasuria dhe varfëria janë dy sprova me të cilat Allahu e sprovon robin e Tij, dhe përderisa në pasuri, njeriu e shtrin dorën (shpenzon e shpërdoron), ndërsa në varfëri ai e shtrëngon atë, ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i kërkoi Allahut të Madhëruar të mesmen në të dyja ato, d.m.th: mesataren me të cilën nuk ka shpërdorim dhe as kopraci.

Dhe përderisa mirësia është dy llojesh; një për trupin dhe një tjetër për zemrën, e cila është kënaqja e syrit në vazhdimësi dhe pa ndërprerje, ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) bashkoi mes këtyre të dyjave në fjalën e tij: “Të kërkoj mirësi të pashtershme dhe kënaqësi të syve të pandërprerë!”

Dhe përderisa zbukurimi është dy llojesh: zbukurimi i trupit dhe zbukurimi i zemrës, dhe përderisa zbukurimi i zemrës është më i rëndësishëm dhe më i rrezikshëm, ndërsa zbukurimi i plotë i trupit do të jetë në botën tjetër, ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i kërkoi Zotit të tij zbukurimin e brendshëm, duke thënë: “Na zbukuro me zbukurimin e besimit!”

Dhe përderisa jetesa në këtë botë nuk ftohet për askënd, cilido qoftë ai, madje ajo është e mbushur me vuajtje e shqetësime, e rrethuar me dhimbje të brendshme e të jashtme, ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i kërkoi Allahut jetë të ftohtë (të freskët, të qetë) pas vdekjes.

Qëllimi është se në këtë lutje, i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka bashkuar ndërmjet më të mirës dhe më të bukurës në këtë botë dhe më të mirës e më të bukurës në botën tjetër. Vërtetë që nevoja e robëve për Zotin e tyre në adhurimin dhe hyjnizimin e Tij, është njësoj si nevoja e tyre për Të në krijimin e tyre, furnizimin e tyre, shëndetin e trupave të tyre, mbulimin e auretit të tyre dhe sigurinë e frikës së tyre. Madje nevoja e tyre për hyjnizimin, dashurinë dhe adhurimin e Allahut është edhe më e madhe se kjo, pasi që ky është qëllimi i krijimit të tyre dhe pa të ata nuk kanë rregullim, mirësi, shpëtim, shijim e lumturi. Për këtë shkak, fjala “La ilahe il-lallah” është më e mira e të mirave, dhe Teuhidi i adhurimit është koka e çështjes.

Ndërsa Teuhidi er Rububije (Njësimi i Allahut në hyjnizim – krijim e komandim), të cilin e pohon muslimani dhe jomuslimani, dhe të cilin e kanë pohuar edhe filozofët në librat e tyre, ky lloj i teuhidit nuk është i mjaftueshëm, madje ai është argument kundër tyre, siç e ka qartësuar këtë Allahu i Madhëruar në shumë vende në Librin e Tij.

Për këtë shkak, e drejta e Allahut mbi krijesat e Tij është që ata ta adhurojnë Atë dhe të mos i shoqërojnë Atij askënd në adhurim. Kështu thuhet në hadithin e transmetuar nga Muadh ibën Xhebel (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i tha atij: “A e di cila është e drejta e Allahut mbi robët e Tij? –Allahu dhe i Dërguari i Tij e di më mirë, -thashë unë. –E drejta e Tij mbi robët e Tij është që ta adhurojnë Atë dhe të mos i shoqërojnë Atij kënd në adhurim. A e di cila është e drejta e robëve tek Allahu, nëse ata e bëjnë këtë? –Allahu dhe i Dërguari i Tij e di më mirë, -thashë unë. –E drejta e tyre tek Allahu është që Ai të mos i dënojë ata me zjarr.”[5]

Ndaj Allahu i Madhëruar i do robët e Tij besimtarë, njësues të Tij dhe kënaqet me pendimin e tyre, ashtu si dhe në këtë gjë gjendet ëmbëlsia më e madhe, pasi që nuk ekziston asgjë tek e cila zemra qetësohet, veçse tek Allahu i Madhëruar. Tek Ai zemra qetësohet, pushon dhe kënaqet me të kthyerit tek Ai. Ndërsa kushdo që adhuron tjetër përveç Tij dhe i ndodh të gjejë ndonjë lloj dobije apo shijimi, dije se dëmtimi i tij me këtë gjë është shumëfish më i madh se dobija e tij. Kjo është sikur të kesh ngrënë ushqim të shijshëm por të helmuar, apo sikur në qiej dhe në tokë të kishte hyjni të tjerë përveç Allahut, atëherë ato do të shkatërroheshin. Allahu i Madhëruar ka thënë: “Sikur në ato të dyja (qiej e tokë) të kishte hyjni të tjerë përveç Allahut, ato do të shkatërroheshin.” [El Enbija: 22].

Po kështu edhe zemra, nëse në të ka të adhuruar tjetër përveç Allahut, ajo prishet me një prishje pas së cilës nuk shpresohet të rregullohet, vetëm në rast se del nga ajo ai i adhuruar tjetër dhe kur Allahu i Madhëruar, Vetëm Ai të jetë i adhuruari dhe Hyjnija e saj, të cilin ajo e do, shpreson tek Ai, ka frikë nga Ai, mbështetet tek Ai dhe kthehet tek Ai me pendim.

Këndvështrimi i tretë: Nevoja e robit për të adhuruar vetëm Allahun e Madhëruar pa i përshkruar shok Atij, nuk ka ndonjë shembull me të cilin mund të krahasohet, por nga disa pikëpamje ajo e përngjan nevojës së trupit për të ngrënë e për të pirë dhe për të marrë frymë, kështu që mund të krahasohet me këtë, por ndërmjet këtyre ka shumë dallime. E vërteta e njeriut është zemra dhe shpirti i tij, gjë të cilën nuk mund ta rregullojë veçse Hyjnija i saj i Vërtetë përveç të Cilit nuk ka hyjni tjetër. Zemra nuk mund të qetësohet veçse me përmendjen e Tij (Allahut), nuk ndjen siguri veçse me njohjen e Tij dhe dashurinë për Të. Ajo kthehet tek Ai me veprat dhe sjelljet e saj në një kthim të sigurtë, dhe ka për t’i takuar ato (veprat e saj), patjetër. Nuk ka shëndet për të veçse me njësimin e dashurisë për Të, për adhurimin e Tij, për frikën nga Ai dhe shpresën tek Ai. E nëse asaj i ndodh që të shijojë e të gëzohet me diçka tjetër përveç Allahut, kjo gjë nuk do të jetë e vazhdueshme për të, por do të kapërcejë nga një lloj shijeje në një lloj tjetër dhe nga një person në një tjetër. Herë kënaqet me këtë dhe herë me atë. Por në shumicën e rasteve, gjëja me të cilën ajo kënaqet është shkaku më i madh për dhimbjen dhe dëmtimin e saj. Ndërsa për Zotin e saj të Vërtetë, zemra ka nevojë në çdo cast, në çdo gjendje dhe në çdo vend. Vetë besimi në Allahun, dashuria për Të, adhurimi i Tij, madhështimi dhe përmendja e Tij, është ushqim për njeriun, fuqi për të, rregullim dhe dëndrueshmëri për të. Këtë e dëshmojnë vetë besimtarët dhe për të kanë dëshmuar argumentet nga Kurani dhe Suneti, si dhe ka dëshmuar natyrshmëria e pastër njerëzore dhe uni (ndërgjegja) e tyre, jo ashtu si thonë ata të cilët nuk kanë pikë vërtetimi apo njohjeje dhe as bamirësie: se adhurimi i Allahut, përmendja dhe falenderimi i Tij janë ngarkesë dhe lodhje, thjesht për të sprovuar e provokuar njerëzit, apo për t’ua kompensuar atyre me shpërblim, si shpërblimi me pagesë, apo thjesht si sport për trupin dhe edukim për të me qëllim që të ngrihet nga grada e kafshës, e fjalë të tjera si këto, të atyre që nuk kanë pikë njohjeje për të Gjithëmëshirshmin, as shijen e besimit, por kënaqet me atë që ka prej iderave të prishura dhe mendimeve të pa vlera. Ndërsa adhurimi i Allahut, njohja e Tij, Njësimi i Tij dhe falenderimi i Tij janë kënaqja e syrit të njeriut dhe shija më e ëmbël e shpirtit, zemrës dhe gjymtyrëve të tij. Kjo është mirësia më e madhe që ka arritur ai i cili përfshihet në këtë gjendje. Dhe Allahu është Ndihmuesi më i Mirë dhe tek Ai mbështetemi.

Dhe nuk është për qëllim me adhurimet dhe urdhërat e Allahut, lodhja dhe ngarkimi, edhe pse këto ndodhin në disa prej tyre për arsye të pashmangshme të cilat janë rezulatat i tyre. (Pasi edhe kur punon për t’u ushqyer, ka lodhje e mundime).

Urdhërat e Allahut të Madhëruar dhe e drejta e Tij të cilën e ka bërë të detyrueshme për robët e Tij, si dhe dispozitat që Ai u ka vënë ligj atyre, pikërisht ato janë kënaqja e syrit, shija e zemrës dhe qetësia e shpirtit dhe gëzimi i tij. Me këto urdhëra e dispozita arrihet shërimi i zemrës, lumturia e saj, suksesi dhe përsosmëria e saj në këtë botë dhe në botën tjetër. Madje nuk ka gëzim, as ëmbëlsi dhe as lumturi të vërtetë, veçse me këtë. Allahu i Madhëruar thotë:

“يا أيها الناس قد جاءتكم موعظة من ربكم و شفاء لما في الصدور و هدى و رحمة للمؤمنين. قل بفضل الله و برحمته فبذلك فليفرحوا هو خير مما يجمعون”

O njerëz! Ju ka ardhur juve një këshillë e mirë nga Zoti juaj (Kurani) dhe shërim për atë që ndodhet në gjokset tuaj, -udhëzim dhe mëshirë për besimtarët. Thuaj: “Në Begatinë e Allahut dhe në Mëshirën e Tij, në to le të gëzohen.” Kjo është më e mirë se ajo (pasuri) që ata grumbullojnë.” [Junus: 57-58].

Ebu Seid el Hudri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) thotë: “Begatia e Allahut është Kurani, ndërsa Mëshira e Tij është se Ai i ka bërë ata prej ithtarëve të tij.”

Ndërsa Hilal ibën Jesar thotë: “Në Islamin, në të cilin Ai iu udhëzoi dhe në Kuranin, të cilin Ai u mësoi, kjo është më e mirë se ajo që ata grumbullojnë prej arit e argjendit.”

Kështu ka thënë edhe Ibën Abasi, El Haseni dhe Katade: “Begatia e Allahut është Islami, ndërsa Mëshira e Tij, Kurani.”

Ndërsa një grup prej selefëve kanë thënë: “Begatia e Allahut (e përmendur në ajetin e mësipërm) është Kurani dhe Mëshira e Tij është Islami.”

E vërteta është se të dyja këto; Begatia dhe Mëshira, janë dy gjëra me të cilat Allahu i ka dhënë mirësi të Dërguarit të Tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), kur thotë:

“و كذلك أوحينا إليك روحا من أمرنا ما كنت تدري ما الكتاب و لا الإيمان و لكن جعلناه نورا نهدي به مَن نشاء مِن عبادنا و إنك لتهدي إلى صراط مستقيم”

Dhe kështu Ne të kemi shpallur ty shpirtin (Frymëzim e Mëshirë) nga Urdhëri e Vullneti ynë. Ti nuk e dije as ç’është Libri dhe as besimi, por Ne e kemi bërë atë (Kuranin) dritë, që Ne të udhëzojmë me anë të tij atë që Ne duam nga robët tanë. Dhe padyshim që ti (Muhamed) po udhëheq në Udhën e Drejtë. [Esh Shura: 52].

Allahu i Madhëruar ka ngritur atë që ka ngritur me Kuranin dhe besimin, si dhe ka rrëzuar atë që ka rrëzuar me mohimin e atyre dyve.

Nëse thuhet: Këto (urdhërat dhe dispozitat e Allahut) janë quajtur ngarkim dhe mundim në Kuran, në Fjalën e Allahut: “Allahu nuk e ngarkon askënd mbi mundësitë që ai ka.” [El Bekare: 286]. “Ne nuk ngarkojmë askënd, përveçse aq sa ka mundësi ai.” [El Enam: 152].

Atëherë themi: Po, por kjo ka ardhur në formën mohuese dhe Allahu nuk i ka quajtur Urdhërat, Këshillat dhe Ligjet e Tij ngarkesë, në asnjë rast, por Ai i ka quajtur ato Shpirt, Dritë, Shërim, Udhëzim, Mëshirë, Jetë, Premtim, Këshillë, e të ngjashme me këto.

Këndvështrimi i katërt: Lumturia më e madhe, më e lartë dhe më madhështore në botën tjetër do të jetë të vështruarit në Fytyrën e Allahut të Lartëmadhëruar dhe të dëgjuarit e Fjalës së Tij, siç transmetohet në Sahihun e Muslimit nga Suhejb (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Kur banorët e xhenetit të hyjnë në xhenet, një thirrës do të thërrasë: “O banorët e xhenetit! Ju keni një premtim tek Allahu dhe Ai dëshiron ta përmbushë atë.” -Ata thonë: “E cili është ai? A nuk na i ka zbardhur fytyrat, na i ka rënduar peshoret (e veprave të mira), na ka futur në xhenet dhe na ka shpëtuar nga zjarri?!” –Atëherë ngrihet perdja dhe ata vështrojnë tek Ai (Allahu). Atyre nuk iu është dhënë asgjë më e dashur tek ata se të shikuarit tek Ai.”[6]

Ndërsa në një transmetim tjetër thuhet: “Ata nuk e kthejnë kokën tek ndonjë prej mirësive të tjera, përderisa vështrojnë tek Allahu i Madhëruar.”[7]

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) bën të qartë se megjithë mirësitë e tyre të plota e të pashtershme që u ka dhënë Zoti i tyre në xhenet, Ai nuk u ka dhënë atyre mirësi e kënaqësi më të madhe se shikuarit tek Ai. Dhe kjo është më e dashura gjë për ta, për shkak të asaj që u ndodh atyre prej shijimit, ëmbëlsisë, kënaqësisë, lumturisë, gëzimit dhe kënaqjes së syve, mbi çdo gjë tjetër që ata shijojnë e provojnë në xhenet prej ngrënies e pirjes dhe Hyrive. Por këto dy kënaqësi nuk mund të krahasohen kurrë me njëra-tjetrën.

Për këtë arsye, Allahu i Madhëruar, në lidhje me mosbesimtarët ka thënë:

“كلا إنهم عن ربهم يومئذ لمحجوبون. ثم إنهم لصالوا الجحيم”

Por jo (vetëm kaq)! Sigurisht që ata (mosbesimtarët) do të mbulohen nga të parët Zotin e tyre atë Ditë. Pastaj ata do të hyjnë patjetër dhe do të shijojnë flakën e zjarrtë të xhehenemit.” [El Mutaffifin: 15-16].

Këtu, Allahu ka bashkuar për ta të dyja llojet e dënimit: dënimin e xhehenemit dhe dënimit e të mbuluarit nga të shikuarit e Allahut të Madhëruar. Ndërsa për të dashurit e Tij, Allahu ka bashkuar mes dy llojeve të mirësisë: mirësinë e të kënaqurit e të shijuarit e asaj që është në xhenet dhe mirësinë e të shikuarit tek Ai.

Këto katër lloje, Allahu i Madhëruar i ka përmendur në këtë sure (El Mutaffifin), ku për vepërmirët Ai thotë:

“إن الأبرار لفي نعيم. على الأرائك ينظرون”

Vërtet që vepërmirët do të jenë në lumturi. Mbi frone të lartë duke parë.” [El Mutaffifin: 22-23].

Ndërsa ai i cili thotë se domethënia e këtij ajeti është: se ata vështrojnë tek armiqtë e tyre që ndëshkohen, apo se vështrojnë kështjellat e kopshtet e tyre, apo se vështrojnë njëri-tjetrin, -ky është devijim nga synimi i përmendjes së këtij ajeti. Por domethënia e tij është se ata shohin Fytyrën e Zotit të tyre, ndryshe nga mosbesimtarët të cilët do të mbulohen nga të parët Zotin e tyre, “pastaj ata do të hyjnë patjetër dhe do të shijojnë flakën e zjarrtë të xhehenemit.”

Medito pak se si Allahu i Madhëruar e ka përballur atë që mosbesimtarët e thonin për armiqtë e tyre në dynja dhe talleshin me ta, me të kundërtën e kësaj në ditën e Kijametit. Mosbesimtarët ishin ata të cilët, kur kalonte pranë tyre ndonjë besimtar, ata e tallnin dhe e përqeshnin atë, “dhe kur i shihnin ata (besimtarët), thoshin: “Vërtet që këta janë të humbur.” [El Mutaffifin: 32]. Pastaj Allahu thotë: “Por këtë ditë, ata që besojnë do të qeshin me mosbesimtarët.” [El Mutaffifin: 34]. Duke e vendosur këtë përballë talljes dhe përqeshjes së tyre në dynja.

Pastaj thotë: “Mbi frone të lartë duke parë.” Duke e përmendur shikimin e tyre të pakufizuar në ndonjë gjë të caktuar, kështu që më i Larti, më Madhështori dhe më i Bukuri që ata shohin është Allahu i Madhëruar, vështrimi tek i Cili është lloji më i lartë i të vështruarit dhe më i miri vështrim, gjë e cila është edhe grada më e lartë e udhëzimit. Këtë gjë Allahu e përballi me fjalën e tyre: “Vërtetë që këta (besimtarët) janë të humbur.”

Pra, vështrimi tek Allahu i Lartëmadhëruar është për qëllim në këto dy ajete, ose nga kuptimi i posaçëm, ose nga kuptimi i përgjithshëm dhe i pakufizuar. Dhe kushdo që mediton në këto dy tekste, gjen se ato nuk përmbajnë gjë tjetër përveç kësaj (shikimit tek Allahu); ose posaçërisht, ose përgjithësisht (d.m.th. që do të shohin gjithçka që dëshirojnë dhe më e larta e tyre është shikimi tek Allahu i Madhëruar).

 

Ëmbëlsia e të shikuarit në Fytyrën e Allahut të Lartësuar

 

Vërtet që ëmbëlsia e të shikuarit në Fytyrën e Allahut të Madhëruar në Ditën e Kijametit është rezultat i të kënaqurit me njohjen e Allahut dhe dashurinë e Tij në këtë botë. Dhe ashtu si nuk mund të krahasohet të kënaqurit me begatitë e xhenetit me të kënaqurit e të shikuarit në Fytyrën e Lartë të Allahut, po kështu nuk mund të krahasohet kënaqja me begatitë e kësaj bote me të kënaqurit me dashurinë për Allahun, njohjen e Tij, mallin për Të dhe të shkuarit pranë Tij.

Ndaj, ëmbëlsia e të shikuarit tek Allahu i Madhëruar është rezultat dhe rrjedhojë e njohjes së tyre Atë dhe dashurisë për Të, pasi që ëmbëlsia pason ndjenjat dhe dashurinë dhe sa më njohuri të ketë ai që dashuron për të dashurin e tij dhe sa më e fortë të jetë dashuria e tij për të, aq më i madh do të ishte shijimi dhe gëzimi me të qëndruarit pranë tij, me të shikuarit atë dhe me të arriturit tek ai.

Këndvështrimi i pestë: Krijesa nuk zotëron asnjë dobi për krijesën tjetër si ajo, as dëm, as dhënia e as mbajtje, as udhëzim e as humbje, as ndihmë për fitore dhe as lënie në baltë për humbje, as ngritje dhe as ulje, as krenari dhe as nënshtrim. Por Ai i Cili i zotëron të gjitha këto është vetëm Allahu i Madhëruar, ashtu siç thotë Ai: “Çfarëdo nga përkujtimi (mirësia) që Allahu mund t’i dhurojë njerëzimit, askush nuk mund ta ndalë atë dhe çfarëdo që Ai mund të ndalojë, askush nuk mund ta dhurojë atë paskëtaj. Dhe Ai është i Gjithëfuqishmi, më i Urti Gjithëgjykues.” [Fatir: 2].

Dhe thotë: “Edhe në qoftë se Allahu të prek me ndonjë lëndim, nuk ka kush tjetër që të mund ta heqë atë përveç Tij; edhe në qoftë se Ai dëshiron për ty ndonjë të mirë, nuk ka kush tjetër që mund ta zmbrapsë Mirësinë e Tij të cilën Ai e bën ta arrijë cilindo nga robët e Tij që Ai do. Dhe Ai është gjithnjë Falës i Madh, Mëshirëplotë.” [Junus: 107].

Allahu i Madhëruar gjithashtu thotë: “Në qoftë se ju ndihmon Allahu, askush nuk mund t’ju mposhtë. E në qoftë se Ai ju braktis ju, a ka ndonjë që mund t’ju ndihmojë përveç Atij? Dhe vetëm tek Allahu të mbështeten besimtarët.” [Al Imran: 160].

Dhe thotë: “A të marr (për adhurim) në vend të Tij zota të tjerë, (kur) në qoftë se i Gjithëmëshirshmi më dëshiron mua ndonjë të keqe, (atëherë) ndërhyrja e tyre nuk do të më vlejë aspak dhe as nuk mund të më shpëtojnë?” [Jasin: 23].

Dhe thotë: “O njerëz! Përkujtoni Mirësinë e Allahut mbi ju! A ka krijues tjetër përveç Allahut, që t’ju furnizojë ju nga qielli (me shi) dhe toka?! Nuk ka të adhuruar tjetër (të merituar) përveç Atij. Si atëherë po largoheni (prej Tij)?!” [Fatir: 3].

Dhe thotë: “Kush është ai përveç të Gjithëmëshirshmit që mund të jetë ushtri e juaja për t’ju ndihmuar? Vërtet mohuesit nuk janë në gjë tjetër veçse në mashtrim. Kush është ai i cili mund t’ju furnizojë ju, në qoftë se Ai do ta ndalonte rrizkun (mirësitë dhe furnizimin) e Tij? Përkundrazi, ata vazhdojnë të jenë në kryelartësi dhe në ikje (nga e vërteta).” [El Mulk: 20-21].

Në këto ajete, Allahu i Madhëruar ka bashkuar mes ndihmës dhe furnizimit, pasi që njeriu ka nevojë për dikë që mund t’i largojë atij armikun e tij me ndihmën e tij, si dhe që t’i sjellë atij rrizkun dhe gjërat e dobishme. Kështu që ai ka nevojë të domosdoshme për furnizues dhe ndihmues, dhe Allahu, Vetëm Ai është që furnizon dhe ndihmon. Allahu është Gjithëfurnizuesi, Zotëruesi i Fuqisë, i Përhershmi më i Fortë.

Prej plotësimit të zgjuarsisë së njeriut dhe njohurisë së tij është që ai të mësojë se në qoftë se Allahu e prek atë me ndonjë të keqe, atë nuk mund ta ngrejë e ta heqë askush tjetër përveç Allahut, dhe në qoftë se atij i vjen ndonjë mirësi, atë nuk ia ka furnizuar askush tjetër përveç Allahut. Përmendet (thuhet) se Allahu i Madhëruar i ka shpallur dikujt prej Pejgamberëve të Tij duke i thënë: “Perceptoje për Mua hijeshinë e mprehtësisë dhe sekretin e bamirësisë, sepse Unë i dua këto!” –Ai tha: O Zoti im! E ç’është hijeshia e mprehtësisë? –Në qoftë se mbi ty bie ndonjë mizë, atëherë dije se atë t’a kam hedhur Unë! –Po sekreti i bamirësisë, ç’është? –Në qoftë se të vjen ndonjë e mirë sa një kokërr (drithi), atëherë dije se Jam Unë Ai që të ka kujtuar ty me të!”

Ndërsa për magjistarët, Allahu i Madhëruar ka thënë: “…por ata nuk mund të dëmtonin ndokënd me të, veçse me Lejen e Allahut.” [El Bekare: 102].

Pra, Allahu i Madhëruar është i Vetmi që i mjafton robit të Tij, që e ndihmon atë, e furnizon dhe e ruan atë.

Imam Ahmedi (Allahu e mëshiroftë!) thotë: Abdurrazaku na ka treguar dhe ka thënë: Meamari na ka njoftuar dhe ka thënë: Kam dëgjuar Vehbiun të thotë: “Në një prej Librave të Tij, Allahu i Madhëruar ka thënë: “Betohem në Lavdinë Time! Kushdo që kërkon mbrojtje prej Meje, edhe nëse atë e tradhëtojnë qiejtë me çfarë ka në to dhe tokat me çfarë ka në to, Unë kam për t’i hapur rrugë atij. Ndërsa kush nuk kërkon mbrojtje me Mua, Unë ia pres duart atij që nga lartësitë e qiejve, e fundos tokën nën këmbët e tij dhe e lë atë në ajër, pastaj nuk i lë atij ndihmës veçse veten e tij. Robit tim i mjaftoj Unë, nëse ai më bindet Mua, Unë i jap atij para se të më kërkojë dhe i përgjigjem atij para se të më lutet ai Mua. Unë Jam më i Gjithëditur për nevojën e tij se sa vetë ai.”[8]

Ahmedi gjithashtu thotë: Hashim ibën el Kasim na ka treguar dhe ka thënë: Ebu Seid el Muedib na ka treguar dhe ka thënë: Dikush që ka dëgjuar Ata el Hurasani ka thënë: Takova Vehbi ibën Munebih në Kabe dhe i thashë: Më trego ndonjë hadith që ta mësoj prej teje në këtë vend! –Po, -tha ai. Allahu i Madhëruar i shpalli Daudit: O Daud! Betohem në Lavdinë dhe Madhështinë Time! Nuk ka rob nga robët e Mi që mbrohet me Mua dhe jo me ndonjë prej krijesave të Mia -gjë të cilën Unë e di nga nijeti i tij-, dhe atë e tradhëtojnë shtatë qiejt dhe çfarë gjendet në to, dhe shtatë tokat e çfarë gjendet në to, veçse Unë do t’i hap rrugë atij në mesin e tyre. Dhe betohem në Lavdinë dhe Madhështinë Time! Nuk ka rob prej robëve të Mi që mbrohet me ndonjë prej krijesave të Mia –gjë të cilën Unë e di nga nijeti i tij-, veçse Unë i pres rrugët (furnizimin) e qiellit nga dora e tij, e fundos tokën nën këmbët e tij, pastaj nuk e përfill atë se në cilën luginë ai shkatërrohet.”

Ky këndvështrimi i pestë është më i qartë për popullin e thjeshtë se ai para këtij, ndaj edhe u është drejtuar fjalimi me këtë gjë në Kuran më shumë se me atë para këtij, dhe duke u nisur prej këtu, Pejgamberët kanë thirrur popujt e tyre në këndvështrimin e parë të këtij kapitulli (kthimi i të gjithë çështjes tek Allahu dhe vërtetimi i fjalës “Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm nga Ti kërkojmë ndihmë!”.

Nëse njeriu i arsyeshëm dhe me logjikë të shëndoshë do të meditonte në Kuran, ai do të gjente se Allahu i Madhëruar thërret me anë të këtij këndvështrimi (se krijesa nuk posedon asnjë dobi apo dëm për krijesën tjetër si ajo) për në këndvështrimin e parë.

Ky këndvështrim (i pesti) përfshin mbështetjen tek Allahu i Lartësuar, kërkimin e ndihmës nga Ai, lutjen dhe kërkimin nga Ai dhe jo nga ndonjë prej krijesave të Tij. Ai përfshin gjithashtu dashurinë për Allahun dhe adhurimin e Tij për shkak të bamirësisë së Tij kundrejt robit të Tij dhe përmbushjes së mirësive të Tij ndaj robit të Tij. e nëse ata e duan Allahun dhe mbështeten tek Ai nga ky këndvështrim, atëherë do të hyjnë nga ai në këndvështrimin e parë (e gjithë çështja është në Dorë të Allahut dhe kthehet vetëm tek Ai).

Shembull për këtë është njeriu të cilit i bie një fatkeqësi e madhe, apo ndonjë skamje e madhe a ndonjë frikë shqetësuese, dhe ai i lutet Allahut të Madhëruar, i përgjërohet Atij dhe i përulet deri sa Allahu i hap dhe i jep atij të shijojë ëmbëlsinë e të folurit Allahut dhe e të luturit Atë, madhështinë e besimit në Allahun dhe të kthyerin tek Ai, gjë e cila është më e dashur tek ai se ajo nevojë që ai ka pasur për qëllim të kërkojë në fillim të lutjes së tij, por të cilës ai nuk ia dinte shijen dhe ëmbëlsinë në fillim, që të mund ta kërkonte atë dhe të kishte mall për të.

Këndvështrimi i gjashtë: Lidhja e robit me dikë tjetër përveç Allahut të Madhëruar është dëm për të, nëse ai merr më shumë se ç’është nevoja dhe jo për t’u ndihmuar me të në bindjen ndaj Allahut; nëse ai ha e pi, martohet dhe vishet më shumë ngase ka nevojë, kjo gjë e dëmton atë. Edhe nëse ai do dikë tjetër përveç Allahut, ai patjetër që do të ndahet nga ai, e nëse e do diçka apo dikë jo për Hir të Allahut, patjetër që dashuria e tij do ta dëmtojë atë dhe ai do të vuajë për shkak të të dashurit të tij, në këtë botë ose në botën tjetër, megjithëse në shumicën e rasteve vuajtja e tij është në të dyja botët.

Allahu i Madhëruar thotë: “Dhe atyre që grumbullojnë pasuri në ar e argjend dhe nuk e shpenzojnë në Udhën e Allahut, jepu siharaq për dënim të dhimbshëm. Ditën kur ai (thesar) do të nxehet fort në Zjarrin e Xhehenemit dhe me të do të damkoset balli i tyre, krahët e tyre dhe shpina (duke u thënë): “Ky është thesari të cilin ju e grumbulluat (dhe e groposët) për veten tuaj. Tani shijoni atë (thesar) që grumbulluat!” [Et Teube: 34-35].

Allahu i Madhëruar thotë: “Mos të të mahnisë ty as pasuria dhe as fëmijët e tyre. Në të vërtetë Allahu do që t’i ndëshkojë ata me këto gjëra në jetën e kësaj bote dhe që t’u ndahet shpirti që këtej (nga kjo botë) duke qenë mosbesimtarë.” [Et Teube: 55].

Dijetarët kanë rënë në kundërshtim në lidhje me domethënien e ndëshkimit të tyre me pasuritë e tyre në jetën e kësaj bote, por ajo që ne shohim si më të saktë është që të thuhet:

Ndëshkimi i tyre me to është ajo që duket dhe që shohim prej ndëshkimit të vrapuesëve pas kënaqësive të kësaj dynjaje dhe privilegjimi i saj mbi jetën e botës tjetër nga ata; duke u përpjekur për arritjen dhe grumbullimin e saj me lodhje të madhe dhe duke provuar vuajtjet nga më të ndryshmet për këtë gjë. Ndaj nuk gjen njeri më të lodhur se ai, shqetësimi më i madh i të cilit është dynjaja dhe i cili përpiqet me të gjitha fuqitë për arritjen e saj. Pikërisht ky mundim, kjo vuajtje dhe kjo lodhje është ndëshkimi i përmendur në ajet. E ngjashme me këtë është edhe fjala e të Dërguarit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!): “Udhëtimi është një pjesë dënimi.”[9]

Dhe fjala e tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!): “I vdekuri dënohet me qarjen e të gjallit mbi (për) të.”[10] D.m.th: ndjen dhimbje dhe mundim (nëse ai ka porositur për këtë gjë), dhe jo se ndëshkohet për veprën që bëjnë ata. Po kështu edhe ai, i gjithë shqetësimi i të cilit është i dynjaja, apo shqetësimi i tij më i madh, siç ka thënë i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) në hadithin që ka transmetuar Tirmidhiu e të tjerë nga Enes ibën Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Kushdo, shqetësimi i të cilit është bota tjetër, Allahu i vendos atij pasurinë në zemrën e tij, i bashkon atij çështjen e tij dhe atij i vjen dynjaja e detyruar, dhe kushdo, shqetësimi i të cilit është dynjaja, Allahu i vendos atij varfërinë para syve, i shpërndan çështjen dhe nuk i vjen nga dynjaja veçse ajo që i është caktuar.”[11]

Dhe nga dënimi më i madh në këtë botë është shpërndarja e çështjeve dhe e zemrës, dhe të qenurit e varfërisë para syve të robit, pa iu ndarë atij. E sikur të mos ishte dehja e dashurisë së dynjasë me dashurinë për të, ata do të kërkonin ndihmë nga ky dënim, edhe pse shumica e tyre vazhdojnë të ankohen e të bërtasin nga ky dënim.

Transmetohet gjithashtu në Sunenet e Tirmidhiut; nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Allahu i Lartëmadhëruar thotë: O biri i Ademit! Merru me adhurimin Tim, që të të mbush gjoksin me pasuri dhe t’a heq varfërinë nga ti. E nëse nuk e bën, atëherë do të mbushen duart me punë (do të zihesh me punë e lodhje) dhe nuk kam për t’a shuar varfërinë tënde.”[12]

Ky është gjithashtu një lloj dënimi; zënia e zemrës dhe trupit me barrën e peripecive të dynjasë dhe luftimin e vrapuesve pas saj atë, si dhe ashpërsinë e armiqësisë së tyre për dynjanë. Dikush prej selefëve ka thënë: “Kushdo që e do dynjanë, atëherë ta përgatisë veten e tij për mbartjen e peripecive e fatkeqësive.”

Ai i cili e do dynjanë, nuk ndahet dot kurrë nga tre gjëra: nga shqetësimi i pashmangshëm, lodhja e përhershme dhe pendimi i pashtershëm.

Kjo sepse ai i cili e do dynjanë nuk arrin prej saj ndonjë gjë, veçse kërkon diçka më të madhe se ajo, siç thuhet në hadithin e saktë se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Sikur biri i Ademit të kishte në zotërim dy lugina me pasuri (ar), ai do të dëshironte edhe një të tretë.”[13]

Isai, biri i Merjemes e ka krahasuar të dashuruarin pas dynjasë me atë që pi alkoolin, i cili sa më shumë të pijë, aq më shumë i shtohet etja.

Ibën Ebi ed Dunja ka përmendur se El Hasen el Basri i shkroi Umer ibën Abdulazizit: “Dynjaja është banesë e përkohshme dhe nuk është banesë e përhershme. Ademi (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) u zbrit në dynja si ndëshkim për të, ndaj ruaju asaj, o prijësi i besimtarëve! Të rezervuarit (magazinuarit) prej saj është lënia e saj dhe pasuria në të është varfëri. Çast pas çasti në të gjendet një i vrarë i cili e përçmon atë që e ngre dynjanë dhe e varfëron atë që grumbullon prej saj. Ajo është si helmi të cilin e pi ai që nuk e njeh atë, por ai e vret atë. Ndaj të jesh në të si ai që mjekon plagët e tij, duron pak nga frika që të mos vuajë gjatë dhe duron të hidhtën e ilaçit nga frika e zgjatjes së sëmundjes.

Ki kujdes nga kjo botë mashtruese, intriguese e fantazmë, e cila është zbukuruar me dredhitë e saj, ka magjepsur me dinakërinë e saj, ka mashtruar me shpresat e saj dhe është bërë e dëshiruar për kërkuesit e saj. Ajo është bërë si nusja e zbukuruar dhe sytë vështrojnë nga ajo, zemrat marrosen pas saj, trupat të gjithë e dëshirojnë atë, ndërsa ajo, për të gjithë burrat e saj është vrasëse.

Një i dashuruar i saj mund të arrijë ndonjë nevojë të tij nga ajo, pastaj vetëmashtrohet dhe bëhet tiran, dhe e harron kthimin tek Allahu. Ai e angazhon me të zemrën e tij, deri sa i rrëshqitën këmbët nga ajo dhe ai madhëroi në të pendimin e tij, keqardhja e tij u bë e madhe dhe atij iu bashkua agonia e vdekjes, dhimbjet e saj dhe pendimi për atë që i iku.

Ndërsa një i dashuruar tjetër me të nuk mundi të arrijë prej saj atë që dëshironte, kështu që jetoi me mundimet e tij dhe shkoi me trishtimin e tij pa arritur nga dynjaja atë që kërkonte dhe pa u qetësuar asnjëherë nga lodhja e tij. Ai doli pa rezervuar gjë dhe shkoi pa përgatitur gjë.

Ndaj të jesh sa më i kënaqur për sa të jesh në të dhe sa më i kujdesshëm sa të jesh i saj, pasi që njeriu i dynjasë, sa më shumë ndjen siguri në ndonjë gëzim të saj, ajo e kthen atë në ndonjë gjë të papëlqyer e cila e lidh rehatinë në të me fatkeqësinë e saj, qëndrimin në të e bën mbarim të gëzimit të saj të përzierë me pikëllim. Siguria e saj është e rreme, shpresat tek ajo janë të kota, pastërtia e saj është turbullirë, jetesa në të është dëshpërim. Edhe sikur Zoti ynë të mos na kishte njoftuar asgjë për dynjanë dhe të mos kishte sjellë asnjë shembull për të, vetë ajo do ta kishte zgjuar të fjeturin dhe do ta kishte përmendur të pavëmendshim, por si mund të thuhet kur në të ka ardhur këshillues nga Allahu dhe qortues për të?!

Dynjaja nuk ka asnjë vlerë tek Allahu, asnjë peshë dhe asnjë vështrim të hedhur nga ajo që kur Ai e ka krijuar atë. Edhe të Dërguarit tonë (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i janë propozuar çelësat dhe thesaret e saj, gjë e cila nuk mangëson nga Zotërimi i Allahut as sa krahu i një mushkonje, por ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e refuzoi atë duke urryer që të donte diçka që Krijuesi i tij e urrente atë, apo që të ngrinte diçka të cilën Zotëruesi i saj e ka përçmuar atë. Allahu e ka larguar atë nga vepërmirët me zgjedhjen e tyre dhe ia ka shtrirë (hapur) atë armiqve të Tij me qëllim që të mashtrohen me të, ndërsa ai i mashtruari, i cili ka arritur diçka prej saj, kujton se është nderuar me këtë gjë, dhe ka harruar se si ka vepruar Allahu i Madhëruar me të Dërguarin e Tij kur ai shtrëngoi gurin në barkun e tij nga uria.”

El Haseni gjithashtu ka thënë: “Disa njerëz e nderuan dynjanë ndërsa ajo i kryqëzoi ata mbi dërrasa, ndaj ofendojeni dhe përçmojeni atë, sepse ajo do të bëhet edhe më e mirë nëse e ofendoni atë.”

Kjo temë është gjerë dhe ndjekësit dhe dashnorët e saj janë më të ditur me atë që heqin prej ndëshkimit dhe llojeve të ndryshme të dhimbjeve gjatë kërkimit të saj.

Dhe përderisa dynjaja është shqetësimi më i madh i atyre që nuk besojnë në botën tjetër dhe as nuk e shpresojnë takimin me Zotin e tyre, edhe dënimi i tyre me dynjanë është në varësi të kujdesit të tyre për të dhe të përpjekjeve të tyre për kërkimin e saj.

Nëse dëshiron të dish më shumë për ndëshkimin e ndjekësve të saj me të, atëherë medito pak në gjendjen e një të dashuruari të humbur në dashurinë për të dashurën e tij. Sa më shumë që dëshiron të afrohet nga ajo, ajo largohet nga ai, e braktis atë dhe lidhet me armikun e tij. Me të dashurën e tij ai është në jetën më të mundimshme, për shkak të cilës kërkon edhe vdekjen. E dashura e tij është shumë pak besnike, shumë e ftohtë (e larguar), me shumë shokë, mashtruese e madhe dhe me shumë ngjyra (fytyra). I dashuri i saj nuk ka siguri për veten e tij dhe as për pasurinë e tij, por megjithatë ai nuk mund të durojë ndaj saj dhe nuk gjen rrugë në ndonjë ngushëllim që ta rehatojë atë dhe as ndonjë lidhje që të vazhdojë me të.

Sikur ky dashnor të mos kishte ndëshkim tjetër përveç këtij në këtë botë, ky do të ishte i mjaftueshëm për të, por si do të ishte kur të ndahet mes tij dhe të gjitha kënaqësive të tij dhe të ndëshkohet me të njëjtat gjëra me të cilat ai kënaqej e i dukeshin të ëmbëla, po në atë shkallë në të cilën ato kënaqësi e angazhuan atë nga të kërkuarit e rezervimit atë që i bën dobi në ditën e kthimit të tij te Zoti i tij.

Për plotësimin më tej të kësaj teme do të kthehemi edhe një herë në kapitullin e kurimit të zemrës së sëmurë me dashurinë për dynjanë, -me Lejen e Allahut të Madhëruar!

Ndërsa qëllimi ynë këtu është sqarimi se kushdo që do dhe dëshiron diçka apo dikë tjetër përveç Allahut të Madhëruar dhe dashuria e tij për të nuk është për Hir të Allahut dhe as ndihmues i tij në bindjen ndaj Allahut, atëherë ai dënohet me të (me atë që do) në këtë botë, para dënimit në botën tjetër, siç mund të thuhet:

Ti je i vrarë me gjithçka që dashuron

ndaj zgjidh për dëshirën tënde atë që dëshiron!

Ndërsa kur të vijë dita e rikthimit, Gjykatësi më i Drejtë –Allahu i Lartëmadhëruar- do ia dorëzojë çdo të dashuruar asaj që ka pas dashuruar në dynja, dhe ai ose do të kënaqet me të ose do të ndëshkohet me të. Për këtë shkak, pasuria e atij që e ka zotëruar atë në dynja do të kthehet në formën e një trimi tullac i cili do ta kapë atë nga nofullat dhe do t’i thotë: “Unë jam pasuria jote! Unë jam thesari yt!”[14] Pastaj ajo kthehet në pllaka prej zjarri me të cilat atij i damkoset balli, brinja dhe shpina.[15]

Po kështu të gjithë të dashuruarit, të cilët janë  bashkuar me njëri-tjetrin jo për bindje ndaj Allahut, Allahu do t’i bashkojë ata së bashku në zjarr dhe secili prej tyre dënohet me shokun e tij (për shkak të tij). Allahu i Madhëruar thotë:

﴿الأخلاء يومئذ بعضهم لبعض عدو إلا المتقين﴾

Në atë ditë, shokët do të jenë armiq me njëri-tjetrin, përveç të përkushtuarëve me bindje e nënshtrim ndaj Allahut. [Ez Zuhruf: 67].

Allahu i Mahdëruar gjithashtu ka njoftuar se ata të cilët janë miqësuar me njëri-tjetrin në dynja për shokvënie Allahut, ata do ta mohojnë njëri-tjetrin në ditën e Gjykimit, do ta mallkojnë njëri-tjetrin dhe vend ii tyre do të jetë zjarri ku nuk do të kenë asnjë ndihmues. Pra, i dashuruari do të jetë me atë që dashuron në këtë botë dhe në botën tjetër.

Për këtë shkak, Allahu i Madhëruar do t’i thotë krijesave të Tij në ditën e Kijametit:

﴿و يومَ يَعضُّ الظالمُ على يديه يقول يا ليتني اتخذتُ مع الرسول سبيلاً. يا ويلتىَ ليتني لمْ أتّخِذْ فلاناً خليلاً. لقد أضلّني عن الذكر بعدَ إذْ جاءني و كان الشيطان للإنسان خَذولاً﴾

Dhe (kujto) ditën kur zullumqari (mosbesimtari) do të kafshojë duart e do të thotë: “Oh! Sikur të kasha ndjekur një rrugë me të Dërguarin (Muhamed). Oh! Mjerë për mua! Sikur të mos e kasha zgjedhur filanin për mik! Në të vërtetë ai ishte që më largoi nga Përkujtuesi (Kurani), pasi më erdhi mua. Dhe vërtetë që shejtani është ëq e braktis njeriun në çastin e nevojshëm.” [El Furkan: 27-29].

﴿احشروا الذين ظلموا و أزواجَهم و ما كانوا يعبدون من دون الله فاهدوهم إلى صراط الجحيم. و قفوهم إنهم مسؤولون. ما لكم لا تناصرون﴾

 (Do t’u thuhet engjëjve): “Mblidhini ata që punuan të keqen bashkë me shokët e tyre (nga shejtanët) dhe ata që patën të adhuruar në vend të Allahut dhe i drejtonin (të gjithë) në rrugën e zjarrit të ashpër flakërues. Por i ndaloni! Sigurisht që duhet të pyeten: “Si është puna me ju që nuk e ndihmoni njëri-tjetrin (siç bënit më parë)?” [Es Safat: 22-25].

Umer ibën el Hatab (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Shokët e tyre janë: të ngjashmit me ta dhe që janë në të njëjtën rrugë.”

Allahu i Madhëruar thotë: “Dhe kur shpirtrat të bashkohen me njëri-tjetrin (të mirët me të mirët dhe të këqinjtë me të këqinjtë.” [Et Tekvir: 7]. Duke bashkuar kështu çdo formë me shoqen e saj, pastaj për secilën bëri shoqe dhe dikë që i rri praën: i miri me të mirin dhe i keqi me të keqin.

Qëllimi është se kushdo që do diçka tjetër në vend të Allahut të Madhëruar, atëherë ai do të dëmtohet për shkak të të dashurit të tij, nëse e ka arritur atë në dynja, e nëse i ka humbur ai, atëherë do të ndëshkohet me humbjen e tij dhe me dhimbjet e humbjes së tij në varësi të lidhjes që zemra e tij ka pasur me të. Dhe nëse e gjen atë, ai ndjen dhimbje para se ta arrijë atë, pastaj futet në telashe nëse e arrin atë dhe më pas pikëllohet kur e humb atë. A nuk janë të gjitha këto ndëshkim shumë herë më i madh se kënaqësia që ai ka ndjerë?!

Më të mjerë se i dashuruari, në tokë, jo nuk gjen

edhe nëse me shije të ëmbël dashurinë ai e ndjen!

Por atë e gjen të qajë në të gjitha rastet,

nga frika e përmallimit apo e ndarjes!

Nga malli për të, ai qan kur ajo largohet!

Nga frika e ndarjes, qan edhe kur ajo afrohet!

Sytë e tij skuqen, kur me të takohet!

Skuqen gjithashtu, kur ajo largohet!

Kjo është diçka e njohur nga përvoja dhe nga ajo që shohim me sytë tanë. Dhe për këtë shkak, në një hadith të cilin e transmeton Tirmidhiu, i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Dynjaja është e mallkuar dhe e mallkuar është gjithçka që gjendet në të, me përjashtim të përmendjes së Allahut dhe atij që Ai ndihmon.”[16]

“Përmendja e Allahut” janë të gjitha bindjet ndaj Tij dhe kushdo që është në bindje dhe në përkushtim të Allahut, ai është përmendës i Allahut, edhe nëse ai nuk e lëviz gjuhën e tij me përmendjen e Allahut. Ndërsa ai, të cilin Allahu e ndihmon, Ai njëkohësisht e do atë dhe e afron atë tek Ai.

Këtë njeri nuk e kap mallkimi në asnjë mënyrë, por ai kap të gjithë të tjerët përveç tij.

Këndvështrimi i shtatë: Të mbështeturit e robit te krijesa tjetër dhe kërkimi ndihmë nga ajo, i sjell atij dëm nga vetë ai, dhe po kështu edhe nga pala tjetër e cila e tradhton atë dhe e lë në baltë në kohën kur ai shpresonte të ndihmohej nga ajo. Plus këtyre, ai njeri kritikohet gjithashtu për atë se mendonte të lavdërohej për këtë gjë.

Kjo pikë, përveç faktit se ajo është e aprovuar në Kuran dhe Sunet, ajo është gjithashtu e njohur nga jeta dhe përvoja.

Allahu i Madhëruar thotë:

﴿و اتخذوا من دون الله آلهةً ليكونوا لهم عزًّا. كلا سيكفرون بعبادتهم و يكونون عليهم ضدًّا﴾

Ndërsa ata kanë zgjedhur (për adhurim) perëndi e zota të tjerë në vend të Allahut, që të mund t’u japim atyre nder, fuqi e lavdi (dhe t’i mbrojnë nga Ndëshkimi i Allahut). Jo, kurrë! Përkundrazi ata (të ashtuquajtur zota e perëndi të tyre) do ta mohojnë të qenët të adhuruar prej teje dhe do të bëhen kundërshtarë të tyre (Ditën e Llogarisë). [Merjem: 81-82].

Allahu i Lartësuar gjithashtu thotë:

﴿و اتّخذوا من دون الله آلهةً لعلهم ينصرون. لا يستطيعون نصرَهم و هم لهم جند مُحضَرون﴾

Dhe kanë marrë në vend të Allahut të adhuruar të tjerë duke shpresuar se mund të ndihmohen. Ata nuk mund t’u sjellin ndihmë atyre, por do të sillen (gjatë llogarisë) si turmë kundër atyre të cilët i patën adhuruar. [Jasin: 74-75].

D.m.th: Nxehen për hir të tyre dhe luftojnë ashtu si nxehet dhe lufton ushtari për shokët e tij, por ata nuk do të munden ta ndihmojnë atë, por përkundrazi do të jenë për ta.

Allahu i Madhëruar gjithashtu thotë:

﴿و ما ظلمناهم و لكن ظلموا أنفسهم فما أغنت عنهم آلهتهم التي يدعون من دون الله من شيء لما جاء أمر ربِك و ما زادهم غيرَ تتبيب﴾  

Nuk u bëmë Ne padrejtësi atyre, por ata vetë u bënë keq vetes së tyre. Kësisoj zotat e tyre (të tjerë në vend të Allahut), të cilëve ata u luteshin, nuk u sollën ndonjë dobi, kur tek ata erdhi Urdhëri nga Zoti yt dhe as nuk shtuan gjë në fatin e tyre veçse shkatërrim. [Hud: 101].

Allahu i Lartësuar thotë: ﴿فلا تدع مع الله إلها آخرَ فتكونَ من المعذبين﴾

Mos lut zot tjetër me Allahun se përndryshe do të jesh prej atyre që ndëshkohen! [Esh Shuara: 213].

Dhe thotë: ﴿لا تجعلْ مع الله إلها آخرَ فتَقعُدَ مذموما مخذولا﴾

Mos vër përkrah me Allahun zot tjetër! Ose do të ulesh i përçmuar, i braktisur (në Zjarr). [El Isra: 22].

Politeisti shpreson nga ata që adhuron, herë ndihmë e herë lavdërim e lavdi. Allahu i Madhëruar ka njoftuar në këtë ajet se ajo që ka pasur për qëllim politeisti, i kthehet kundra atij dhe ai përçmohet e braktiset nga zotat e tij.

Qëllimi është se këto dy esenca (adhurimi dhe kërkimi i ndihmës) të adresuara krijesave, janë e kundërta e tyre të adresuara Krijuesit të Lartëmadhëruar. Shëndeti i zemrës, lumturia dhe shpëtimi i saj gjendet në adhurimin vetëm të Allahut dhe në të kërkuarit ndihmë vetëm prej Tij, ndërsa sëmundja e zemrës, mjerimi dhe shkatërrimi i saj në këtë botë dhe në botën tjetër është pasojë e të adhuruarit e krijesave dhe e të kërkuarit ndihmë prej tyre.

Këndvështrimi i tetë: Allahu i Madhëruar është Gjithëzotërues, Bujari më i Madh, i Plotëfuqishëm, i Gjithëmëshirshëm. Allahu i bën bamirësi robit të Tij megjithëse nuk ia ka nevojën atij. Ai i do të mirën robit të Tij dhe ia largon atij të keqen, jo sepse ka ndonjë interes nga robi i Tij apo që të largojë ndonjë të keqe, por si mëshirë nga Ai dhe bamirësi për ta. Allahu i Madhëruar nuk i ka krijuar krijesat e Tij me qëllim që të shtojë numrin e ndihmuesëve dhe përkrahësve të Tij, apo që të krenohet me ta pasi të ketë qenë i përçmuar, as që t’a furnizojnë Atë, apo t’i bëjnë dobi Atij, a ta mbrojnë Atë. Allahu i Madhëruar thotë:

﴿و ما خلقت الجنَّ و الإنسَ إلا ليعبدون. ما أريد منهم من رزق و ما أريد أن يُطعمون. إن الله هو الرزاق ذو القوة المتين﴾

   Dhe Unë (Allahu) nuk i krijova njerëzit dhe xhinët, veçse që ata të më adhurojnë Mua. Dhe nuk dua prej tyre ndonjë furnizim dhe as nuk dua që ata të më ushqejnë Mua. Vërtet që Allahu, Ai është padyshim Gjithëfurnizuesi, Zotëruesi i fuqisë, i Përhershmi më i Fortë.” [Edh Dharijat: 56-58].

Allahu i Madhëruar gjithashtu thotë:

﴿و قل الحمد لله الذي لم يتخذ ولدا و لم يكن له شريكٌ في الملك و لم يكن له وليٌ من الذل و كبِّره تكبيرا﴾

Dhe thuaj: “Gjithë lavdërimet dhe falenderimet janë për Allahun i Cili nuk ka lindur bir dhe i Cili nuk ka asnjë shok të barabartë në Sundimin e Tij, as nuk është Ai aq poshtë sa të ketë ndihmues. Dhe lartësoje Atë me gjithë Madhështinë dhe Madhërinë! [El Isra: 111].

Allahu i Madhëruar nuk e miqëson atë që Ai miqëson nga përulja dhe të nënshtruarit atij, ashtu si e miqësojnë krijesat njëra-tjetrën, por Ai i miqëson miqtë e Tij nga Bamirësia e Tij, nga mëshira dhe dashuria për ta. Ndërsa njerëzit janë ashtu si thotë Allahu i Madhëruar: “Por Allahu është më i Pasuri, ndërsa ju jeni të varfër.” [Muhamed: 38].

Njerëzit, si rezultat i varfërisë dhe nevojës së tyre i bëjnë mirë njëri-tjetrit për nevojat dhe interesat e tyre të çastit apo të mëvonshme. Sikur ata të mos e llogarisnin këtë interes, nuk do t’i bënim mirë tjetrit. Në të vërtetë, kur dikush i bën mirë një tjetri, ai ka për qëllim t’i bëjë mirë vetes së tij, duke e bërë kështu të mirën që i bën tjetrit, mjet dhe rrugë për të aritur interesin e tij. Ky i bën mirë atij duke pritur që ai t’ia shpërblejë atë në një kohë të afërt, pasi që ky është i nevojshëm për atë shpërblim, ose pret shpërblim në dorë, ose pret ndonjë lavdërim e falenderim nga ai. Edhe tjetri gjithashtu i bën mirë këtij me qëllim që të arrijë ndonjë nevojë të tij nga ky. Kështu, ai i bën mirë vetes së tij me bamirësinë që i bën tjetrit.

Ose mund të kërkojë shpërblimin nga Allahu në botën tjetër. Edhe në këtë rast ai i bën mirë vetes së tij, por duke e vonuar shpërblimin e tij për në ditën e varfërisë dhe vuajtjes së tij. Në këtë rast, ai nuk është i kritikuar, sepse në të vërtetë ai është i varfër dhe ka nevoja, gjëra të cilat janë të pandara nga ai, ndërsa plotësimi i tij është duke u përpjekur që të arrijë atë që i bën dobi atij dhe të mos bëhet i paaftë për këtë.

Allahu i Madhëruar thotë: “Në qoftë se bëni mirë, ju do të bëni mirë për veten tuaj.” [El Isra: 7].

 Dhe thotë: “Dhe çfarëdo që jut ë shpenzoni në bamirësi, ajo do t’ju rikthehet juve plotësisht dhe nuk do tj’u bëhet asnjë padrejtësi.” [El Bekare: 272].

Ndërsa në një thënie të Allahut, të cilën i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e ka transmetuar nga Zoti i tij, thuhet: “O robët e Mi! Ju nuk mund t’a arrini dobinë Time që të mund të më bëni dobi dhe as nuk mund t’a arrini dëmtimin Tim që të mund të më dëmtoni. O robët e Mi! Ato janë vetëm veprat tuaja të cilat Unë ua regjistroj juve, pastaj ua rikthej ato (u shpërblej për to). Në qoftë se ndokush gjen mirë, atëherë të falenderojë Allahun dhe në qoftë se ndokush gjen gjë tjetër (jo të mirë), të mos kritikojë veçse veten e tij!”[17]

Pra krijesa nuk ka për qëllim të të bëjë dobi ty së pari, por ai ka për qëllim të përfituarit prej teje, ndërsa Allahu i Madhëruar dëshiron dobinë tënde dhe jo të përfituarit nga ti. Dobia e Allahut për ty është e plotë dhe e pastër nga dëmtimi, ndryshe nga qëllimi i krijesave në të vepruarit në interesin tënd, pasi që në të mund të ekzistojë edhe dëmtim për ty, qoftë edhe duke mbajtur mburrjen dhe të lavdëruarit e tij për të mirën që të ka bërë.

Medito në këtë, sepse perceptimi i kësaj të ndalon nga të shpresuarit tek krijesat, apo që të sillesh me to ashtu si i takon Allahut, apo që të kërkosh nga ato dobi, largim dëmi apo lidhje të zemrës me to. Kjo sepse ata kërkojnë të përfitojnë prej teje dhe jo vetëm dobinë tënde.

Kjo është gjendja e të gjitha krijesave me njëri-tjetrin. Kjo është gjendja e birit me babanë e tij dhe anasjelltas, e bashkëshortit me bashkëshorten e tij dhe anasjelltas, e skllavit me padronin e tij dhe anasjelltas, ortakut me ortakun e tij dhe anasjelltas.

I lumturi dhe i zgjuari është ai i cili bashkëpunon me ta (krijesat e tjera) për Hir të Allahut të Lartësuar dhe jo për hir të tyre, u bën mirë atyre për Hir të Allahut, i frikësohet Allahut në të drejtat e tyre dhe nuk i ka frikë ata bashkë me Allahun, shpreson shpërblimin e Allahut me të mirën që u bën atyre dhe nuk shpreson tek ata bashkë me Allahun, i do ata për shkak të dashurisë për Allahun dhe nuk i do ata bashkë me Allahun. Ashtu si thonë miqtë e Allahut: “Ne po ju ushqejmë vetëm për Fytyrë të Allahut. Ne nuk duam prej jush as shpërblim dhe as falenderime.” [El Insan: 9].

Këndvështrimi i nëntë: Robi i krijuar nuk e njeh dobinë tënde vetëm pasi t’ia tregojë atë Allahu i Madhëruar. Ai nuk mundet t’a sjellë ty atë veçse pasi Allahu t’i japë mundësi atij dhe as nuk e dëshiron atë për ty deri sa Allahu të krijojë tek ai dëshirë dhe vullnet për të. Kështu që e gjithë çështja i kthehet Atij nga i Cili ajo filloi dhe Allahu është Ai, në Dorën e të Cilit është e gjithë e mira dhe tek Ai ktheht e gjithë çështja.

Kështu që të lidhurit e zemrës me dikë tjetër në vend të Tij, me shpresë, frikë, mbështetje dhe adhurim është dëm i padiskutueshëm në të cilin nuk ka asnjë pikë dobie. Edhe nëse me të ndodh që të ketë ndonjë përfitim, atë e ka caktuar vetëm Allahu i Madhëruar, e ka mundësuar dhe e ka lehtësuar atë.

Këndvështrimi i dhjetë: Shumica e krijesave dëshirojnë plotësimin e nevojave të tyre nga ti edhe nëse kjo gjë e dëmton fenë dhe dynjanë tënde. Qëllimi i tyre është plotësimi i nevojave të tyre, edhe në llogari të dëmtimit tënd, ndërsa Zoti i Lartëmadhëruar e do atë të mirë vetëm për ty. Me bamirësinë tek ty, Ai ka për qëllim dobinë për ty, jo për interesin e Tij dhe po kështu edhe me largimin e të keqes nga ti. Atëherë si mund t’a lidhësh dëshirën tënde, shpresën tënde dhe frikën tënde me dikë tjetër në vend të Tij?!

Përmbledhja e gjithë kësaj është që ta dish se: “Sikur të gjitha krijesat të bashkoheshin që të sillnin ndonjë dobi ty, ata nuk do të të bënin dobi veçse me atë që Allahu e ka shkruajtur për ty. Dhe sikur të gjitha ato të baskoheshin që të të bënin ndonjë të keqe, ata nuk do të të dëmtonin aspak përveç asaj që Allahu e ka shkruar kundër teje.”

Allahu i Madhëruar thotë:

﴿قل لن يُصيبنا إلا ما كتب الله لنا هو مولانا و على الله فاليتوكلِ المؤمنون﴾

Thuaj: “Kurrë nuk do të na ndodh gjë neve, përveç asaj që Allahu ka përcaktuar për ne. Ai është Ndihmuesi dhe Mbrojtësi ynë.” Dhe tek Allahu le të mbështeten plotësisht besimtarët. [Et Teube: 51].

Përmbyllje e këtij kapitulli

Përderisa njeriu, madje çdo i gjallë që lëviz me vullnetin e tij nuk ndahet nga të njohurit, dëshira dhe të vepruarit sipas asaj dëshire. Ai ka një qëllim të cilin synon ta arrijë dhe rrugë e mjete të cilat e ndohmojnë atë për të arritur qëllimin e tij. Ai mjet një herë mund të jetë nga vetë ai dhe një herë tjetër nga diçka tjetër jashtë tij dhe e ndarë nga ai. Ndërsa një herë tjetër, ai mjet mund të jetë nga ai dhe nga diçka tjetër jashtë tij gjithashtu. Kështu që i gjalli është i predispozuar që të synojë diçka, ta dëshirojë atë, të ndihmohet me diçka tjetër dhe të mbështetet tek ajo për të arritur synimin e tij.

Synimi është dy llojesh: 1.  Synim i vetë një objekti për ta arritur atë. 2. Synim për të arritur një objekt tjetër ndërmjet këtij të parit.

Edhe ndihmuesi është dy llojesh: 1. Ndihmues më vete. 2. Ndihmues pasues i të parit dhe ndërmjetës për tek ai.

Kështu kemi katër gjëra: Synim më vete dhe synim ndërmjetës, ndihmues më vete dhe ndihmues ndërmjetësues.

Ndërsa zemra duhet patjetër që të ketë një të kërkuar tek i cili ajo qetësohet dhe e do atë me të gjithë dashurinë e saj.

Ajo duhet të ketë gjithashtu një mjet ndërmjetësues që të lidhet me të dhe të ndihmohet nga ai për arritjen e synimit të saj. Ndërsa Ndihmuesi duhet thirrur e lutur. Prandaj adhurimi dhe kërkimi i ndihmës shpeshherë janë të pandara nga njëra-tjetra. Tek Ai i Cili zemra mbështetet në rizkun e saj, në kërkimin e ndihmës dhe në interesin e saj, Atij ajo i nënshtrohet, i përulet, i përkushtohet dhe e do atë, për këtë arsye, edhe nëse nuk e do atë në vetvete. Megjithëse gjendja mund të ndryshojë dhe mundet që ajo ta dojë atë në vetvete (dhe jo për ndërmjetësues) dhe ta harrojë atë që ka pasur për qëllim nga ai.

Ndërsa atë të cilin zemra e do, e dëshiron dhe e synon, ndodh që të mos ndihmohet me të por të kërkojë ndihmë nga dikush tjetër kundër tij. Si shembulli i atij i cili do pasuri, pushtet apo ndonjë grua, në qoftë se ai e di se i dashuri i tij është i mundshëm dhe ka fuqi për të siguruar synimin e tij, atëherë ai i kërkon ndihmë atij dhe kështu bashkon mes dashurisë për të dhe të kërkuarit ndihmë nga ai.

Pra këtu janë katër lloje1. Dikush që duhet për vetë veten e tij dhe për qënien e tij, të cilit i kërkohet ndihmë vetë atij. Ky është edhe lloji më i lartë dhe kjo gjë nuk i takon veçse Allahut të Madhëruar. Ndërsa të tjerët përveç Allahut të Madhëruar duhet të duhen pas dhe si rezultat i dashurisë për Allahun, dhe të ndihmohesh me to nga fakti i të qenurit e tyre mjet dhe sebep për të arritur synimin.

2. Diçka që duhet jo për veten e saj, por për diçka tjetër dhe gjithashtu kërkohet ndihmë nga ajo. Shembull për këtë është dikush që duhet dhe ka mundësi ta realizojë synimin e atij që e do atë.

3. Diçka e dashur por ndihmohesh me diçka tjetër kundër asaj.

4. Diçka me të cilën ndihmohesh por vetë atë nuk e do.

Nëse mësohet kjo, bëhet e qartë se cili prej këtyre katër llojeve është më i merituari për t’u adhuruar dhe për t’u kërkuar ndihmë prej tij, dhe se dashuria për dikë tjetër dhe të kërkuarit ndihmë nga ai, nëse nuk janë mjet për të arritur dashurinë për të dhe të kërkuarit ndihmë nga ai, atëherë do të jenë të dëmshme për robin dhe prishja e tyre do të jetë shumë më e madhe se rregullimi i tyre!

Allahu është i Vetmi Ndihmues dhe Atij i mbështetemi!

 

Kurani Fisnik i përmban ilaçet e zemrës dhe kurat

për të gjitha sëmundjet e saj

Vijon … 

 


[1] E transmeton Muslimi (486), etj.

[2] E transmeton Buhariu (247), Muslimi (2710), etj.

[3] Hadith i saktë. E transmeton Ahmedi (4/264), Nesai (1305), Ibën Hiban (1971). Shejh Albani e ka konsideruar të saktë në Sahih el Xhamiu (1301).

[4] Hadith i dobët. E transmeton Ahmedi (1/168), Tirmidhiu (2151), etj. Shejh Albani e ka konsideruar të dobët.

[5] E transmeton Buhariu (5967), Muslimi (30), etj.

[6] Hadith i saktë. E transmeton Ahmedi (4/333), Tirmidhiu (3105), Ibën Maxheh (187). Shejh Albani e ka konsideruar të saktë në “Sahihu el Xhamiu” (521).

[7] Hadith i dobët. E transmeton Ibën Maxheh (184). Shejh Albani e ka konsideruar të dobët në verifikimin e “Sunen Ibën Maxheh”, me të njëjtin numër hadithi.

[8] Ky hadith është i saktë por i ndërprerë. Atë e ka përmendur Ibën Kethiri në Tefsirin e tij (3/371) dhe ai është prej njoftimeve të Beni Israilëve.

[9] E transmeton Buhariu (1804), Muslimi (1927), etj.

[10] E transmeton Buhariu (1288), Muslimi (929), etj.

[11] Hadith i saktë. E transmeton Tirmidhiu (2465). Shejh Albani e ka konsideruar të saktë në “Sahih el Xhamiu” (6516).

[12] Hadith i saktë. E transmeton Tirmidhiu (2466).

[13] E transmeton Buhariu (6436), Muslimi (1048), etj.

[14] Kjo ka ardhur në një hadith të saktë të cilin e transmeton Buhariu (1403), etj.

[15] Edhe kjo ka ardhur në një hadith të saktë të cilin e transmeton Muslimi (987), etj.

[16] Hadith i mirë. E transmeton Tirmidhiu (2322) dhe Ibën Maxheh (4112). Shih “Sahih el Xhamiu” (3414).

[17] E transmeton Muslimi (2577).