Autor: Ismail iben Abdurrahman es Sabuni
Përktheu: Bledar Albani

 

Urrejtja e pasuesëve të bidatit dhe mosqëndrimi me ta

Pasuesit e Hadithit i urrejnë bidatçinjtë, të cilët kanë shpikur në Fe gjëra që nuk janë prej saj, nuk i duan ata, nuk i shoqërojnë ata, nuk i dëgjojnë fjalët e tyre, nuk ulen me ta, nuk polemizojnë me ta për Fenë dhe as nuk debatojnë me ta, por shohin të obligueshëm ruajtjen e veshëve nga të dëgjuarit e të kotave të tyre të cilat nëse kalojnë nëpër veshë dhe qëndrojnë në zemër, të dëmtojnë dhe të fusin vesvese e mendime të prishura.

Pikërisht për këtë, Allahu i Madhëruar ka zbritur Fjalën e Tij ku thotë:

“Dhe kur ti i sheh ata të cilët zihen në biseda boshe për Vargjet Tona të Kuranit duke i përqeshur ato, rri larg prej tyre deri sa të kalojnë në një çështje tjetër!” [El En’am: 68].

***

Shenjat e bidatçinjve

Shenjat e bidatit janë të qarta e të dukshme te pasuesit e tij, por shenja dhe argumenti më i qartë për njohjen e tyre është urrejtja e fortë që ata kanë për mbartësit dhe përcjellësit e njoftimeve (Haditheve) të të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), përçmimi i tyre dhe quajtja e tyre si të pavlerë, injorantë, dhahirij (sipërfaqësorë), krahasues (të Allahut me krijesat) etj. Kjo, duke qenë gjithashtu të bindur se njoftimet e të Dërguarit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) janë të zhveshura nga shkenca dhe se dija e vërtetë është ajo që shejtani ua frymëzon atyre prej përfundimeve të nxjerra nga mendjet e tyre të prishura, vesveseve të errëta të gjokseve të tyre, iluzioneve të zemrave të tyre në të cilat nuk ka pikë të mire, si dhe argumentet, apo më mirë dyshimet e tyre boshe dhe të kota:

“Ata janë ata të cilët i ka mallkuar Allahu, i ka bërë të shurdhër dhe i ka marrë shikimet e tyre.” [Muhamed: 23].

“Dhe atë që përçmon e turpëron Allahu, askush nuk mund ta nderojë. Sigurisht që Allahu bën çfarë Ai do.” [El Haxh: 18].

Kam dëgjuar hafiz El Hakim Ebu Abdullah të thotë: Kam dëgjuar hafiz Ebu Ali el Husejn ibën Ali të thotë: Kam dëgjuar Xheafer ibën Ahmed ibën Senan el Vasiti të thotë: Kam dëgjuar Ahmed ibën Senan el Katan të thotë:

“Nuk ka bidatçi në botë që të mos i urrejë pasuesit e sunetit. Nëse dikush bën bidate, ëmbëlsia e Hadithit del nga zemra e tij.”[1]

Kam dëgjuar el Hakim të thotë: Kam dëgjuar Ebu el Husejn Muhamed ibën Ahmed el Handhali, në Bagdad të thotë: Kam dëgjuar Muhamed ibën Ismail et Tirmidhi të thotë: Unë dhe Ahmed ibën el Hasen et Tirmidhi shkuam te imami i fesë, Ebu Abdullah Ahmed ibën Hanbel. Ahmed ibën el Hasen i tha atij: O Ebu Abdullah! Njerëzit në Mekë përmendën pasuesit e Hadithit para Ibën Ebi Kutejle dhe ai tha: Ndjekësit e Hadithit janë njerëz të këqinj.

Atëherë Ahmed ibën Hanbel u ngrit duke shtrënguar rroben e tij dhe tha: “Ai është zindik (qafir që nuk beson Botën tjetër dhe as Krijuesin)! Ai është zindik! Ai është zindik! Deri sa hyri në shtëpi.”[2]

Kam dëgjuar gjithashtu El Hakim Ebu Abdullah të thotë: Kam dëgjuar Ebu Nasr Ahmed ibën Sehl, fakihun (dijetarin e fikhut), në Buhara të thotë: Kam dëgjuar fakih Ebu Nasr ibën Selam të thotë:

“Nuk ka gjë më të rëndë dhe më të urryer për mosbesimtarët dhe ateistët, se dëgjimi i Hadithit dhe përcjellja e tij me zinxhir transmetuesish.”[3]

Kam dëgjuar El Hakim të thotë: Kam dëgjuar shejh Ebu Bekër Ahmed ibën Is’hak ibën Ejub, i cili ishte duke diskutuar me një burrë dhe i tha atij: “Na ka treguar filani…”, por ai burri e preu dhe i tha: Lëre këtë “na ka treguar…” dhe deri kur të vazhdoni të thoni “na ka treguar…”.

Atëherë shejhu i tha atij: Ngrihu ore qafir! Nuk të lejohet ty të hysh më në shtëpinë time, pas kësaj dite. Pastaj u drejtua nga ne dhe tha: Askujt nuk i kam thënë kurrë që të mos hyjë në shtëpinë time, përveç këtij.”[4]

Kam dëgjuar profesor Ebu Mensur Muhamed ibën Abdullah Hamshad, dijetarin e devotshëm, të thotë: Kam dëgjuar Ebu el Kasim Xheafer ibën Ahmed El Mukirri er Razi të thotë: Dikush lexoi para Abdurrahman ibën Ebi Hatim er Razi dhe unë dëgjoja: Kam dëgjuar babanë tim (kishte për qëllim imamin e qytetit të tij, babanë e tij, Ebu Hatim Muhamed ibën Idris el Handhali), të thotë:

“Shenja bidatçinjve është të folurit keq për ndjekësit e gjurmëve të të Dërguarit dhe shokëve të tij[5].

Shenja e zindikëve është emërtimi i ndjekësve të sunetit si të pavlefshëm, duke pasur për qëllim me këtë gjë zhdukjen e Haditheve dhe thënieve të Sahabeve.

Shenja e Kaderive[6] është se ata i quajnë ndjekësit e Sunetit “muxhbira”[7].

Shenja e Xhehmive është se ata i quajnë ndjekësit e Sunetit “krahasues”.

Shenja e Rafidive është se ata i quajnë ndjekësit e Sunetit “Nabiteh” (të sapolindur, të vegjël) dhe “Nasibeh” (ata që urrejnë Ali ibën Ebi Talib dhe Ehli bejtin –familjen e të Dërguarit- dhe që nuk i duan ata, madje i quajnë mosbesimtarë e mëkatarë, siç janë Havarixhët).”

Them (autori): Të gjitha këto janë partishmëri, ndërsa pasuesëve të sunetit nuk i mvishet veçse një emër i vetëm dhe ai është “Pasuesit e Hadithit”.

***

Bidatçinjtë kanë ndjekur të njëjtën rrugë që kanë ndjekur edhe mushrikët në llagabet që u mveshin pasuesëve të Sunetit

Them: Unë i kam gjetur bidatçinjtë, që në këto emërtime me të cilat kanë quajtur pasuesit e Sunetit, të kenë ndjekur rrugën dhe mënyrën e mushrikëve me të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!). Ata shpeshherë i ndërronin emërtimet për të: disa prej tyre e quanin magjistar, të tjerë fallxhor, të tjerë poet, disa e quanin të çmendur, përçarës, shpifës, trillues e gënjeshtar. Ndërsa i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ishte larg dhe i pastër nga të gjitha ato mangësi dhe nuk ka qenë veçse i Dërguar, i zgjedhur dhe Lajmëtar i Allahut.

Allahu i Lartësuar thotë:

“Shih se çfarë krahasimesh të mveshin ty! Kështu pra, ata kanë dalë në të gabuarën dhe kurrë më nuk gjejnë dot rrugë.” [El Isra: 48 dhe El Furkan: 9].

Po kështu edhe bidatçinjtë (Allahu i përçmoftë!), kanë thënë fjalë dhe emërtime të ndryshme për mbartësit e Haditheve të tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), për përcjellësit dhe transmetuesit e tyre të cilët marrin për shembull Sunetin e tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), duke i quajtur disa prej tyre “hashavije-të pavlerë”, të tjerë i quajtën “krahasues”, “të vegjël”, “armiq të Aliut” etj.

***

Pasuesit e Hadithit janë të pastër nga ajo me të cilën akuzohen

Pasuesit e Hadithit janë larg këtyre të metave, të pastër e të ruajtur dhe nuk janë veçse ndjekës së Sunetit të pavdekshëm, të rrugës së kënaqshme, të rrugës së drejtë dhe të argumenteve të forta e bindëse. Allahu u ka dhënë sukses atyre në ndjekjen e Librit të Tij, Shpalljes dhe Urdhërit të Tij, si dhe në shëmbëllimin me të Dërguarin e Tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), në fjalët e tij me të cilat ai urdhëroi popullin e tij për vepra dhe fjalë të mira dhe e ndaloi atë nga të këqiat. I ndihmoi ata për të ndjekur rrugën e tij dhe për drejtëudhëzimin me shtrëngimin pas Sunetit të tij. Ai i hapi gjokset e tyre për t’a dashur atë dhe për të dashur prijesat e Fesë së tij dhe dijetarët e popullit të tij.

Dhe ai që e do një popull, ai është prej tyre në Ditën e Kijametit, sipas gjykimit të fjalës së të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) që thotë:

“Njeriu (në Botën tjetër) do të jetë me atë që do.”[8]

***

Prej shenjave të pasuesëve të Sunetit është dashuria

për dijetarët e Hadithit dhe pasuesit e tij

Një nga shenjat e Ehli Sunetit është dashuria e tyre për imamët e Sunetit, dijetarët e tij, ndjekësit dhe ithtarët e tij, si dhe urrejtja për prijësat e bidatit të cilët thërrasin për në Zjarr dhe i drejtojnë pasuesit e tyre për në banesën e shkatërrimit (Xhehenem).

Allahu i Lartësuar i ka zbukuruar zemrat e ndjekësve të Sunetit dhe i ka ndriçuar ato me dashurinë për dijetarët e Sunetit, si Mirësi dhe Dhuratë prej Tij.

Na ka treguar hafiz el Hakim Ebu Abdullah (Allahu e fustë në Xhenet atë dhe neve!): Na ka treguar Muhamed ibën Ibrahim ibën el Fadl el Mezki: Na ka treguar Ahmed ibën Selemeh: Ebu Raxha Kutejbeh ibën Seid lexoi para nesh librin e tij “El Iman”-Besimi, në fund të të cilit thoshte:

“Nëse sheh dikënd që e do Sufjan eth Theurin, Malik ibën Enesin, el Euzain, Shu’ben, Ibën el Mubarek, Ebu el Ahvas, Sherikun, Vekij’, Jahja ibën Seidin dhe Abdurrahman ibën Mehdiun, dije se ai është ndjekës i Sunetit.”

Ahmed ibën Selemeh thotë: Unë shtova me shkrimin tim poshtë të tijit: Jahja ibën Jahja, Ahmed ibën Hanbel dhe Is’hak ibën Rahavejh.

Kur ai arriti te ky vend në libër, vështroi te ne, banorët e Nisaburit dhe tha:

– Këta njerëz anojnë shumë nga Jahja ibën Jahja.

– Atëherë ne i thamë: O Ebu Raxha’! Si është Jahja ibën Jahja?

– Ai tha: Njeri i mirë dhe prijës i muslimanëve. Po ashtu edhe Is’hak ibën Ibrahim është prijës i muslimanëve. Ndërsa Ahmed ibën Hanbel është më i madh nga të gjithë ata që përmende.

Ndërsa unë (autori) i bashkangjita atyre që përmendi Kutejbe (Allahu e mëshiroftë!), duke u nisur nga parrulla: “Kush i do ata, ai është ndjekës i Sunetit”, unë shtova një grup tjetër prej prijësave të dijetarëve të Hadithit të cilët merren për shembull, në rrugën e të cilëve je i udhëzuar dhe të cilët janë prej grupit të tyre, prej pasuesëve dhe prej ithtarëve të tyre, ndjekës seriozë të gjurmëve të tyre.

Prej tyre janë:

Muhamed ibën Idris esh Shafii el Matlibi, imami i paraprirë, zotëriu i madh, dhuruesi i madh për ndjekësit e Islamit dhe të Sunetit, i sakti në gjykime, i inspiruari dhe mësonjësi. Ai i cili ka punuar në Fenë e Allahut dhe Sunetin e të Dërguarit të Tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), duke i ndihmuar dhe pastruar ato nga shpifjet e të paqënat, atë punë që nuk e ka bërë kush tjetër prej dijetarëve të kohës së tij dhe as pas atyre.

Prej atyre të cilët kanë qenë para Shafiut (Allahu e mëshiroftë!) po kujtoj Seid ibën Xhubejr, Ez Zuhri, Esh Sheabij dhe Et Tejmij.

Ndërsa pas tyre ka qenë: El Lejth ibën Sead, El Euzai, Eth Theuri, Sufjan ibën Ujejneh el Hilali, Hamad ibën Selemeh, Hamad ibën Zejd, Junus ibën Abid, Ejubi, Ibën Auni dhe shokët e tyre.

Pas tyre vjen: Jezid ibën Harun, Abdurrazak dhe Xherir ibën Abdulhamid.

Pas tyre vjen: Muhamed ibën Jahja edh Dhehli, Muhamed ibën Ismail el Buhari, Muslim ibën el Haxhaxh el Kashijri, Ebu Daud es Sixhistani, Ebu Zur’ah er Razi, Ebu Hatim dhe i biri i tij, Muhamed ibën Muslim ibën Uarah, Muhamed ibën Eslem et Tusi, Uthman ibën Seid ed Darimi, Muhamed ibën Is’hak ibën Huzejmeh, i cili quhej prijësi i prijësave dhe pasha Allahun që ai ka qenë i tillë në kohën e tij, Ebu Jakub Is’hak ibën Ismail el Busti, dy gjyshat e mi para dy baballarëve të mi: Ebu Seid Jahja ibën Mensur el Heravi, Udej ibën Hamdavejh es Sabuni dhe dy djemtë e tij, dy shpata të Sunetit: Ebu Abdullah es Sabuni dhe Ebu Abdurrahman es Sabuni.

E shumë të tjerë prej imamëve të Sunetit të cilët kanë qenë të kapur për të, punonin për përhapjen e tij, thërrisnin në të dhe ua mësonin atë njerëzve.

Këto rreshta që shkrova në këto fletë kanë qenë besimi i të gjithëve atyre, nga i cili nuk ndryshon asnjë prej tyre, por janë bashkuar të gjithë në të dhe kanë rënë dakord të gjithë për nënshtrimin e ndjekësve të bidatit, për përçmimin dhe talljen e tyre, për largimin dhe dëbimin e tyre, për qëndrimin larg tyre, për mosshoqërimin e mosjetesën me ta dhe se duke i prerë lidhjet dhe fjalët me ta, afrohesh te Allahu i Lartësuar.

Profesori dhe imami -është për qëllim autori- (Allahu e mëshiroftë!) thotë:

“Edhe unë, falë Mirësisë së Allahut të Madhëruar, ndjek gjurmët e tyre, ndriçohem me dritën e tyre dhe këshilloj vëllezërit dhe shokët e mi që të mos rrëshqasin nga ndriçimi i tyre dhe të mos ndjekin tjetër përveç fjalëve të tyre. Mos të humbasin kohën me ato bidate të shpikura të cilat janë përhapur në mesin e muslimanëve dhe nga të cilat sikur të ishte shfaqur qoftë edhe një prej tyre në kohën e atyre prijësave, ata do t’a kishin quajtur bidatçi, do t’i prisnin lidhjet me të, do t’a përgënjeshtronin dhe do t’i ktheheshin atij me të gjitha të këqiat dhe të papëlqyerat.

Vëllezërit e mi! Mos t’iu mashtrojë juve numri madh i bidatçinjëve, sepse kjo është prej shenjave të afrimit të Kijametit, siç ka thënë i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!):

“Prej shenjave të Kijametit dhe afrimit të tij është pakësimi i dijes dhe shtuarja e injorancës.”[9]

“Dija”, në këtë Hadith, është Suneti, kurse “injoranca” është bidati.

Ai që kapet sot për Sunetin e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe punon sipas tij me qëndrueshmëri, pastaj thërret të tjerët në të, shpërblimi i tij është më i madh dhe më i lartë se i atyre që kanë ndjekur këtë rrugë në fillimet e Islamit, sepse i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë:

“Ai ka shpërblimin e pesëdhjetë muslimanëve.”

– Dikush tha: Shpërblimin e pesëdhjetë prej tyre (të kohës së tij)?

– Ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: “Jo, por sa pesëdhjetë prej jush!”[10]

I Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e ka thënë këtë, për atë që punon sipas Sunetit të tij në kohën kur populli të jetë prishur.

Kam gjetur të shkruar në një libër të gjyshit tim, imam Ebu Abdullah Muhamed ibën Udej ibën Hamdavejh es Sabuni (Allahu e mëshiroftë!): Na ka treguar Ebu el Abas el Hasen ibën Sufjan en Nesevi, se el Abas ibën Sabih u ka thënë: Na ka treguar Abdulxhebar ibën Medhahir: Më ka treguar Meamar ibën Rashid: Kam dëgjuar Ibën Shihab ez Zuhri të thotë:

“Të mësuarit e një Suneti është më i mirë se të bësh adhurim dyqind vjet.”[11]

Na ka treguar Ebu Bekër Muhamed ibën Abdullah ibën Muhamed ibën Zekerija esh Shejbani: Na ka treguar Ebu el Abas Muhamed ibën Abdurrahman ed Deguli: Kam dëgjuar Muhamed ibën Hatim el Madhferi të thotë: Kam dëgjuar Amër ibën Muhamed të thotë: Ebu Muavije ed Darijr po i tregonte Harun er Rashid-it një Hadith nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), në të cilin thuhet:

“Po polemizonin Ademi dhe Musai…”[12]

– Isa ibën Xheafer tha: Si mund të ketë ndodhur kjo, kur dihet që ndërmjet Ademit dhe Musës është një kohë e gjatë?

– Atëherë Haruni iu hodh atij dhe tha:

“Ai të tregon për fjalën e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), ndërsa ti e kundërshton atë duke pyetur “Si?”!

Vazhdoi t’ia përsëriste këtë, deri sa u qetësua.[13]

Obligueshmëria e dorëzimit para asaj,

me të cilën ka ardhur i Dërguari

(Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!)

Kështu duhet për muslimanin, që t’a madhërojë njoftimin e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe ta presë atë me pranim, dorëzim dhe besim.

Gjithashtu duhet që ta ndalojë rreptësisht atë që ndjek rrugë tjetër përveç kësaj rruge të cilën e ka ndjekur edhe Harun er Rashidi me shembullin e atij që e kundërshtoi njoftimin e saktë që dëgjoi, duke pyetur “Si?” dhe me qëllim që t’a mohojë një gjë të tillë dhe t’a quajë të pamundur, duke mos e pritur atë me pranim e dorëzim ashtu siç duhet pranuar çdo gjë që vjen nga i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!).

Allahu i Madhëruar na bëftë prej atyre që e dëgjojnë Fjalën (Kuranin dhe Sunetin) dhe e ndjekin atë me të mirë, që kapen në jetën e tyre të kësaj bote për Kuranin dhe Sunetin!

Dhe na largoftë nga pasionet që të humbin, idetë boshe dhe të këqiat përçmuese, me Mirësinë dhe Dhurimin e Tij!

Ky është fundi i librit dhe Falenderimi i takon vetëm Allahut, ndërsa Paqja dhe Mëshira e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij, Muhamedin (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), mbi shokët dhe familjen e tij.

Libri ka përfunduar më 17 Rexheb,

të vitit 1297 H.

______________________________________________

[1] E ka nxjerrë el Hakim, në librin “Njohja e shkencave të Hadithit” dhe el Bagdadi, në librin “Nderi dhe respekti i dijetarëve të Hadithit”.

[2] E ka nxjerrë El Hakim, në librin “Njohja e shkencave të Hadithit” dhe El Bagdadi.

[3] E ka nxjerrë El Hakim, në librin “Njohja e shkencave të Hadithit” dhe El Bagdadi.

[4] E ka nxjerrë El Hakim, në librin “Njohja e shkencave të Hadithit”.

[5] Es Sefarijni, në librin “Shkëlqimi i dritave të shndritshme” thotë: “Pasuesit e gjurmëve (ehlul ether) janë ata të cilët e marrin akiden e tyre nga ajo që ka zbritur Allahu i Lartësuar në Librin e Tij apo në Sunetin e të Dërguarit të Tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe në atë që ka ardhur e është e saktë nga Selefët e mirë prej Sahabeve të ndershëm dhe Tabiinëve, duke hedhur tutje plehrat e ndjekësve të dëshirave e të bidatit, si dhe krundet (fundurinat) e ndjekësve të filozofisë.

[6] Kaderijet janë ata që e mohojnë kaderin (caktimin e Allahut), emërtim i cili është bërë i njohur edhe për Mu’tezilitë, sepse ata pretendojnë se njerëzit i krijojnë vetë punët e tyre dhe se Allahu nuk ka caktuar asgjë.

[7] Rrënja e kësaj fjale është el Xhebër që do të thotë: Mohimi i kryerjes së veprës nga njeriu në të vërtetë dhe mveshja e saj Allahut të Lartësuar. Xheberiet janë një prej grupeve të humbura që thonë se njeriu është i detyruar në veprat e tij dhe se nuk mund të zgjedhë gjë përveç asaj që i është shkruar nga Allahu. Këta janë në vetvete grupe të shumta. Më tepruesit e tyre janë ata që thonë se njeriu nuk bën asnjë vepër dhe nuk ka fuqi të bëjë asgjë, por Ai që bën në të vërtetë, sipas këtyre, është Allahu. Këta janë ndjekësit e Xhehëm ibën Safvan. Disa të tjerë që mund të konsiderohen të mesëm të tyre, thonë se njeriu ka njëfarë fuqie por pa ndikim.[Marrë nga libri “El Milel uen-Nihal” i esh Shehrastanit].

[8] E transmeton Buhariu dhe Muslimi.

[9] E transmeton Buhariu, Muslimi etj.

[10] E ka nxjerrë Tirmidhiu, Ebu Daudi dhe ibën Maxheh.

[11] E ka nxjerrë Ebu Ismail el Heravi, në librin “Dhemul kelami ue ehlihi”.

[12] Ky Hadith është Muttefekun alejhi dhe Hadithi i plotë është: Transmetohet nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Po polemizonin Ademi dhe Musai. Musai tha: O Adem! Ti je babai ynë që na hoqe shpresat dhe na nxorre nga Xheneti. Ademi i tha atij: Ti je Musai që Allahu të ka veçuar me të Folurin e Tij dhe që të ka thurur planet me Dorën e Tij, a po më qorton mua për një gjë, të cilën Allahu e ka caktuar dyzet vjet para se të më krijonte?

Atëherë i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: Kështu që e mundi Ademi Musën, e mundi Ademi Musën!”

[13] Këtë histori të Harun er Rashid-it, e transmeton el Hatib el Bagdadi në “Tarihul Bagdad”.