Autor: Ismail iben Abdurrahman es Sabuni
Përktheu: Bledar Albani

 

Besimi në Ringjalljen dhe tmerret

e Ditës së Kijametit

Ithtarët e Fesë e të Sunetit besojnë në ringjalljen pas vdekjes, në Ditën e Kijametit dhe në çdo gjë me të cilën ka njoftuar Allahu i Madhëruar prej tmerreve të asaj Dite të Vërtetë. Ata besojnë se gjëndjet e njerëzve dhe të gjitha krijesave në atë Ditë do të jenë të ndryshme, në lidhje me atë që do të gjejnë e do të shohin atje në atë Ditë të tmerrshme, në marrjen e librit me të djathtën apo të majtën, në përgjigjen për pyetjet, e të gjitha tronditjet e mërzitjet që janë premtuar për në atë Ditë.

Ata besojnë qëndrimin e frikshëm para Siratit (Urës së mprehtë të vendosur mbi Xhehenem), peshoren, shpërndarjen e fletushkave, në të cilat janë shënuar të mirat dhe të këqiat, qofshin ato edhe sa grimca e atomit, etj.

 

Ndërmjetësimi i të Dërguarit

(Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!)

Ithtarët e Fesë e të Sunetit besojnë se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) do të ndërmjetësojë tek Allahu për ata që kanë bërë gjynahe prej popullit të Teuhidit (njësuesëve të Allahut) dhe për ata që kanë bërë gjynahe të mëdha, siç ka ardhur lajmi për këtë nga i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!).

Na ka treguar Ebu Seid ibën Hamdun: Na ka treguar Ebu Hamid ibën esh Sherki: Na ka treguar Ahmed ibën Jusuf es Silmi: Na ka treguar Abdurrazaku: Ka treguar Meamari: Nga Thabit: Nga Enesi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!): Nga i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), se ka thënë:

“Ndërmjetësimi im do të jetë për ata që kanë bërë gjynahe të mëdha nga populli im.”[1]

Na ka treguar gjithashtu Ebu Ali Zahir ibën Ahmed: Na ka treguar Muhamed ibën el Musejjib el Argijani: Na ka treguar El Hasen ibën Urfeh: Na ka treguar Abduselam ibën Harb el Mulai: Nga Zijad ibën Hajtheme: Nga Neuman ibën Kurad: Nga Abdullah ibën Umer (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë:

“M’u dha që të zgjidhja ndërmjet ndërmjetësimit dhe hyrjes së gjysmës së popullit tim në Xhenet, ndërsa unë zgjodha ndërmjetësimin, sepse ai është më gjithëpërfshirës dhe më i mjaftueshëm. A mendoni se ai do të jetë për besimtarët e devotshëm? Jo, por ai do të jetë për mëkatarët, të përlyerit (me punë të këqia) dhe gabimtarët.”[2]

Na ka treguar Ebu Muhamed el Muhlidi: Na ka njoftuar Ebu El Abas es Siraxh: Na ka treguar Kutejbe ibën Seid: Na ka treguar Abdulaziz ibën Muhamed ed Deravirdi: Nga Amër ibën Ebi Amër…

(ح) Dhe na ka treguar Ebu Tahir ibën Huzejmeh: Na ka treguar gjyshi im, imam Muhamed ibën Is’hak ibën Huzejmeh: Na ka treguar Ali ibën Haxher: Na ka treguar Ismail ibën Xheafer: Nga Amër ibën Ebi Amër: Nga Seid ibën Ebi Seid el Makberi: Nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), se ai ka thënë:

– O i Dërguari i Allahut! Kush është njeriu më i lumtur me ndërmjetësimin tënd në Ditën e Kijametit?

– Ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha:

“E kisha në mend që nuk do të më pyeste njeri tjetër para teje për këtë Hadith, për shkak të asaj që kam parë prej teje për kujdesin ndaj Hadithit. Njerëzit më të lumtur me ndërmjetësimin tim në Ditën e Kijametit janë ata që thonë (لا إله إلا الله) Nuk ka të adhuruar tjetër përveç Allahut, me sinqeritet nga zemra e tyre.”[3]

***

Besimi në Haudin dhe Keutherin

Ehli Suneti besojnë në Haudin (hauz, liqen i të Dërguarit në Xhenet), në Keutherin (lum i të Dërguarit në Xhenet), në hyrjen e një grupi prej njësuesëve të Allahut në Xhenet pa dhënë llogari, në dhënien llogari të lehtë të një pjese prej tyre dhe pastaj futen në Xhenet pa i prekur ndonjë e keqe dhe pa i ndjekur dënimi.

Ata besojnë në hyrjen e një grupi prej mëkatarëve të tyre në Zjarr dhe pastaj do të shpëtojnë e do të dalin prej tij, duke u bashkuar kështu me vëllezërit e tyre që kanë kaluar më parë në Xhenet, dhe nuk do të jenë përgjithmonë në Zjarr.

Ndërsa kufarët, mosbesimtarët do të jenë përgjithmonë në Zjarr dhe nuk do të dalin kurrë prej tij, kurse prej mëkatarëve besimtarë, Allahu nuk do të lërë askënd në të (Zjarr).

***

Shikimi i besimtarëve Zotin e tyre, në Botën Tjetër

Pasuesit e Sunetit dëshmojnë se besimtarët do ta shohin Zotin e tyre të Lartmadhëruar, me sytë e tyre dhe duke vështruar te Ai (drejtpërdrejtë), ashtu siç thuhet në lajmin e saktë nga i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), në fjalën e tij:

“Ju do ta shihni Zotin tuaj, ashtu siç shihni hënën kur është e plotë!”[4]

Në këtë Hadith vërejmë se krahasimi është bërë për shikimin me shikimin (për të parit e Allahut ashtu si shikojmë hënën) dhe jo për atë që shihet (krahasimin e Allahut me hënën).

Lajmet që kanë ardhur për shikimin e Allahut, i kam nxjerrë në librin “El Intisar”[5] me të gjitha rrugët e tyre.

Përjetësia e Xhenetit dhe Xhehenemit

Ndjekësit e Sunetit dëshmojnë se Xheneti dhe Zjarri janë të krijuara dhe se ato do të ngelin përgjithmonë e nuk do të zhduken kurrë.

Banorët e Xhenetit nuk do të dalin kurrë prej tij dhe po ashtu banorët e Zjarrit -të cilët janë banorët e tij dhe janë krijuar për të- nuk do të dalin kurrë prej tij!

Atë ditë, një thirrës do të thërrasë:

“O ju banorët e Xhenetit! Përjetësi dhe jo vdekje. O banorët e Zjarrit! Përjetësi dhe jo vdekje”, siç ka ardhur në Hadithin e saktë nga i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!).[6]

 

Elementet përbërëse

të Imanit

Vijon …

________________________________________________

[1] E ka nxjerrë Tirmidhiu, Ebu Daudi, Ahmedi, El Hakim etj.

[2] E ka nxjerrë imam Ahmedi në Musned, Ibën Maxheh dhe Bejhakiu.

[3] E transmeton Buhariu.

[4] E transmeton Buhariu.

[5] Këtë libër të autorit nuk e kam gjetur, siç thamë më parë.

[6] Transmeton Buhariu dhe Muslimi; nga Ebi Seid El Hudri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Në Ditën e Kijametit, do të sillet vdekja në formën e një dashi të kriposur dhe do të vendoset ndërmjet Xhenetit dhe Zjarrit, pastaj thuhet: O banorët e Xhenetit! A e njihni këtë? Ata zgjasin kokën për të parë dhe thonë: Po, e njohim. Ajo është vdekja. Thotë: Pastaj thuhet: O banorët e Zjarrit! A e njihni këtë? Ata zgjasin kokën për të parë dhe thonë: Po, e njohim. Ajo është vdekja.

Thotë: Atëherë jepet urdhër që ajo të theret, pastaj thuhet: O banorët e Xhenetit! Përjetësi, pa vdekje në të. O banorët e Zjarrit! Përjetësi, pa vdekje në të.

Thotë: Pastaj i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) lexoi ajetin: “Paralajmëroji ata për Ditën e pikëllimit, kur çështja të jetë vendosur, ndërsa tani ata janë në një gjendje krejt pakujdesie dhe as nuk besojnë.” [Merjem: 36], duke bërë shenjë me dorë nga dynjaja.” [Ky transmetim është i Muslimit].