Autor
Ismail iben Abdurrahman es Sabuni
Përktheu: Bledar Albani

Zbritja e Allahut të Lartëmadhëruar,

Ardhja dhe Afrimi i Tij

Dijetarët e Hadithit pohojnë se Allahu i Lartësuar zbret çdo natë në qiellin e dynjasë, pa e krahasuar Zbritjen e Tij me zbritjen e krijesave, pa e përngjasuar dhe pa e përfytyruar, por pohojnë atë që ka pohuar i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe nuk e tejkalojnë atë. Ata e marrin atë që thotë lajmi i saktë (Kurani apo Suneti) në lidhje me Cilësitë e Allahut, në kuptimin e drejtpërdrejtë të tyre, ndërsa njohjen e plotë të formës dhe të vërtetës së tyre, ata ia lënë Allahut të Madhëruar, në dijen e Tij gjithpërfshirëse.

Ata pohojnë gjithashtu atë që ka zbritur Allahu i Lartësuar, në Librin e Tij, për Ardhjen e Allahut dhe Afrimin e Tij tek krijesat e Tij, siç thotë në Fjalën e Tij:

“A mos presin atëherë për ndonjë gjë tjetër veçse t’u vijë Allahu në hijen e reve dhe melekët?” [El Bekare: 210].

Gjithshtu thotë:

“Dhe vjen Zoti yt e melekët radhë-radhë.” [El Fexhr: 22].

Kam lexuar në një letër të Ebu Bekër El Ismaili, të cilën ia dërgonte banorëve të Xhijlanit dhe thoshte: Allahu i Lartësuar zbret në qiellin e dynjasë, siç thuhet në Hadithin e saktë të të Dërguarit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe në Fjalën e Allahut të Lartësuar që thotë:

“A mos presin atëherë për ndonjë gjë tjetër veçse t’u vijë Allahu në hijen e reve dhe melekët?” [El Bekare: 210].

Dhe në Fjalën e Allahut:

“Dhe vjen Zoti yt me melekët radhë-radhë.” [El Fexhr: 22].

Ne besojmë në të gjitha këto ashtu siç kanë ardhur, pa i përshkruar ato, sepse nëse Allahu do të kishte dashur të na e sqaronte formën e tyre, atëherë do ta kishte bërë këtë dhe atëherë ne do të qëndronim te ajo që do të thoshte Ai. Ne nuk bëjmë si ai që përngjason (Cilësitë e Allahut me ato të krijesave) sepse jemi të urdhëruar për këtë në Fjalën e Allahut të Lartësuar, i Cili thotë:

“Është Ai i Cili të ka zbritur ty (O Muhamed!) Librin. Në të ka Vargje plotësisht të qarta të cilat janë themelet e Librit (urdhërat dhe ndalesat) dhe Vargje të tjera jo krejt të qarta (për t’u kuptuar nga njerëzit). Kështu, sa për ata, në zemrat e të cilëve ka largim nga e vërteta, ata ndjekin atë që nuk është plotësisht e qartë, duke kërkuar fitneh (trazira etj.) dhe duke kërkuar për kuptimet e fshehta, por askush nuk i di kuptimet e fshehta përveç Allahut. Dhe ata që janë plotësisht të vendosur në dije, thonë: Ne besojmë në të; i tëri (ajetet e qarta e të paqarta) është nga Zoti ynë. Por nuk marrin mësim, veçse ata që janë të brumosur me mendje të shëndoshë.” [Al Imran: 7].

Na ka treguar Ebu Bekër ibën Zekerija Esh Shejbani, se ka dëgjuar Ebu Hamid ibën esh Sharki të thotë: Kam dëgjuar Hamdan As Selmij dhe Ebu Daud El Haffaf të thonë: Kemi dëgjuar Is’hak ibën Ibrahim el Handhali të thotë: Më ka thënë princ Abdullah ibën Tahir: O Ebu Jakub! Në lidhje me Hadithin që ti tregon prej të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!): “Zoti ynë zbret ç’do natë në qiellin e dynjasë.”[1] Si zbret Allahu? Thotë: Thashë: Allahu e forcoftë princin! Nuk thuhet për Allahun “Si?”. Por Ai zbret pa ndonjë mënyrë që njohim ne![2]

Na ka treguar Ebu Jakub Is’hak ibën Ibrahim, i drejti, se gjykatës Mahbub ibën Abdurrahman u ka thënë: Më ka treguar gjyshi im, Ebu Bekër Muhamed ibën Ahmed ibën Mahbub, se Ahmed ibën Hamavejh ka thënë: Na ka treguar Ebu Abdurrahman El Atekij, se Muhamed ibën Selam u ka thënë: Pyeta Abdullah ibën el Mubarek për zbritjen e Allahut në natën e mezit të muajit Shaban dhe Abdullahi tha: O ti i pafuqishëm! Ai zbret çdo natë (dhe jo vetëm në mes të Shabanit). Një prej të pranishmëve tha: O Ebu Abdurrahman! Si zbret Allahu? A nuk ngel bosh ai vend atëherë? Abdullahi tha:

“Zbret si të dojë.”[3]

Në një transmetim tjetër të kësaj historie thuhet se Abdullah ibën Mubarek i tha atij burrit: “Nëse të vjen një Hadith nga i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), nënshtroju atij!”

Kam dëgjuar hafiz El Hakim Ebu Abdullah të thotë: Kam dëgjuar Ebu Zekerija Jahja ibën Muhamed el Anberi të thotë: Kam dëgjuar Ibrahim ibën ebi Talib të thotë: Kam dëgjuar Ahmed ibën Seid ibën Ibrahim Ebu Abdullah er Rabati të thotë:

“Kam prezentuar një tubim të princit Abdullah ibën Tahir, në të cilin prezentoi edhe Is’hak ibën Ibrahim –d.m.th. ibën Rahavejh- i cili u pyet për Hadithin e zbritjes, nëse është i saktë apo jo?

– Ai tha: Po.

– Atëherë një oficer i Abdullahit i tha atij: O Ebu Jakub! A pretendon se Allahu zbret çdo natë?

– Ai tha: Po.

– Oficeri tha: Atëherë si zbret?

– Is’haku i tha atij: Poho që Allahu është lart (beso që Allahu qëndron mbi Arshin e tij që është mbi shtatë qiejt!) dhe atëherë do të të përshkruaj se si zbret!

– Ai tha: E pohoj që Allahu është lart.

– Atëherë Is’haku tha: Allahu i Lartësuar thotë:

“Dhe vjen Zoti yt me melekët radhë-radhë.” [El Fexhr: 22].

– Princi Abdullah tha: O Ebu Jakub! Por kjo është në Ditën e Kijametit?

– Is’haku tha: Allahu e forcoftë princin! Atëherë çfarë e pengon Atë që vjen në Ditën e Kijametit, të vijë edhe sot?!”

Hadithi i zbritjes së Allahut çdo natë në qiellin e dynjasë, është Hadith i rënë dakord unanimisht për saktësinë e tij. Ai gjendet në dy Sahihat e Buhariut dhe Muslimit nga transmetimi i Malik ibën Enesit, nga Zuhriu, nga El Agurri dhe Ebu Selemeh; nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!).

Na ka treguar Ebu Ali Zahir ibën Ahmed, se Ebu Is’hak Ibrahim ibën Abdusamed ka thënë: Na ka treguar Ebu Musab, se Maliki u ka treguar…

(ح)[4] Dhe na ka treguar Ebu Bekër ibën Zekerija, se Ebu Hatim Mekij ibën Abdan ka thënë: Na ka treguar Muhamed ibën Jahja, ka thënë: Prej atyre që kam lexuar në prani të ibën Nafiut është Hadithi që transmeton Mutavifi nga Maliku…

(ح) Dhe na ka treguar Ebu Bekër ibën Zekerija: Më ka treguar Ebu el Kasim Ubejdullah ibën Ibrahim ibën Bakuvejh: Na ka treguar Jahja ibën Muhamed: Na ka treguar Jahja ibën Jahja, ka thënë: Kam lexuar në prani të Malikut: Nga ibën Shihab ez Zuhrij: Nga Ebi Abdullah el Agurri dhe Ebi Selemeh: Nga Ebu Hurejra (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë:

“Zoti ynë i Lartëmadhëruar zbret çdo natë në qiellin e dynjasë, në një të tretën e fundit të saj (natës) dhe thotë: A ka ndonjë që më lutet, ashtuqë Unë t’i përgjigjem atij? A ka ndonjë që kërkon prej Meje, ashtuqë Unë t’i jap atij? A ka ndonjë që më kërkon falje Mua, ashtuqë Unë ta fal atë?”[5]

Ky Hadith ka rrugë të shumta nga Ebi Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!):

Atë e ka transmetuar gjithashtu El Euzai: Nga Jahja ibën ebi Kethir: Nga Ebi Selemeh: Nga Ebi Hurejra.[6]

(ح) E ka transmetuar gjithashtu Jezid ibën Harun dhe dijetarë të tjerë nga Muhamed ibën Amër: Nga Ebi Selemeh: Nga Ebi Hurejra.[7]

E ka transmetuar gjithashtu Maliku, nga ez Zuhri: Nga El Earaxh: Nga Ebi Hurejra.[8]

E transmeton gjithashtu Maliku nga Ez Zuhri: Nga Seid ibën el Musejjib: Nga Ebi Hurejra.

Dhe e transmeton Ubejdullah ibën Umer: Nga Seid ibën Ebi Seid el Makberi: Nga Ebi Hurejra.

Dhe Abdul Eala ibën ebi el Mesavir dhe Beshir ibën Sulejman: Nga Ebi Hazim: Nga Ebi Hurejra.

Ky Hadith është transmetuar gjithashtu nga rrugë tjetër përveç Ebu Hurejrës (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!):

Atë e ka transmetuar Nafi’ ibën Xhubejr ibën Mat’am: Nga babai i tij.[9]

Dhe Musa ibën Ukbeh: Nga Is’hak ibën Jahja: Nga Ubadetu ibën As Samit.[10]

Dhe Abdurrahman ibën Keab ibën Malik: Nga Xhabir ibën Abdullah.[11]

Dhe Ubejdilah ibën Rafi’: Nga Ali ibën Ebi Talib.[12]

Dhe Sheriku: Nga Ebi Is’hak: Nga Ebi el Ahvas: Nga Abdullah ibën Mes’ud.[13]

Dhe Muhamed ibën Keab: Nga Fadaletu ibën Ubejd: Nga Ebi Darda.[14]

Dhe Ebu Zubejri: Nga Xhabiri.[15]

Dhe Seid ibën Xhubejr: Nga Ibën Abasi.[16]

Dhe nga nëna e besimtarëve Aisha dhe Umu Selemeh (Allahu qoftë i kënaqur prej tyre!).[17]

Të gjitha këto rrugë janë të nxjerra me zinxhirin e transmetuesëve të tyre në librin tonë të madh të njohur me emrin “El Intisar” (Triumfi).[18]

Në transmetimin e El Euzait thuhet: Nga Jahja ibën Ebi Kethir: Nga Ebi Selemeh: Nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), transmetohet se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë:

“Kur kalon gjysma e natës apo një e treta e saj, Allahu zbret në qiellin e dynjasë dhe thotë: A ka ndonjë kërkues, që t’i jepet? A ka ndonjë lutës, që ti dëgjohet lutja e tij? A ka ndonjë kërkues faljeje, që t’i falet atij? Derisa të shpërthejë drita e mëngjesit.”[19]

Ndërsa në transmetimin e Seid ibën Merxhaneh: Nga Ebi Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), ka ardhur një shtesë nga fundi i Hadithit, që thotë:

“Pastaj shtrin Duart e Tij dhe thotë: Kush është ai që më jep borxh (jep lëmoshë, falet etj.), nga i cili nuk varfërohet dhe as nuk i bëhet padrejtësi?”[20]

Në transmetimin e Ebi Hazim: Nga Ebi Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) ka ardhur se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë:

“Allahu zbret në qiellin e dynjasë, në një të tretën e fundit të natës dhe thërret: A ka ndonjë që kërkon, ashtu që t’i jap atij? A ka ndonjë që kërkon falje, që t’ia fal atij? Nuk ngel gjë me shpirt veçse e di (e dëgjon) këtë, përveç dy botëve të njerëzve dhe xhinëve! Kjo është në kohën kur këndojnë gjelat, pëllasin gomerët dhe lehin qentë.”[21]

Në transmetimin e Musa ibën Ukbeh: Nga Is’hak ibën Jahja: Nga Ubadeh ibën As Samit, gjendet një shtesë e mirë.

Atë shtesë na e ka treguar Ebu Jeala Hamzah ibën Abdul Aziz El Mehlebi: Ka treguar Abdullah ibën Muhamed er Razi: Ka treguar Ebu Uthman Muhamed ibën Uthman ibën Ebi Suejd: Na ka thënë Abdurrahman (ka për qëllim Ibnul Mubarek): Na ka treguar Fudajl ibën Sulejman: Nga Musa ibën Ukbeh: Nga Is’hak ibën Jahja: Nga Ubadeh ibën As Samit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), se ka thënë: I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë:

“Allahu i Lartëmadhëruar zbret çdo natë në qiellin e dynjasë, në kohën kur ka ngelur edhe një e treta e natës dhe thotë: A nuk ka ndonjë prej robërve të Mi, të më lutet, ashtu që t’i përgjigjem lutjes së tij? A nuk ka ndonjë që i ka bërë padrejtësi vetvetes, të më lutet ashtu që t’ia fal atij? A nuk ka ndonjë që i është penguar rrisku, të më lutet, ashtu që t’a furnizoj atë? A nuk ka ndonjë që i është bërë padrejtësi, të më kujtojë Mua, ashtu që t’a ndihmoj atë? A nuk ka ndonjë që vuan, të më lutet, ashtu që t’ia heq vuajtjen e tij?

Vazhdon kështu deri sa të dalë drita, pastaj ngrihet në Kursijin e Tij.”[22]

Po ashtu, ky Hadith gjendet në transmetimin e Ebi ez Zubejr: Nga Xhabiri, nëpërmjet rrugës së Merzuk Ebi Bekër, të cilin e ka nxjerrë Muhamed ibën Is’hak ibën Huzejme, të shkurtuar.

Dhe nëpërmjet rrugës së Ejubit, nga Ebi ez Zubejr: Nga Xhabiri, të cilin e ka nxjerrë el Hasen ibën Sufjan në Musnedin e tij.

Ndërsa nëpërmjet rrugës së Hisham ed Dustuvai: Nga Ebi Zubejr: Nga Xhabiri, transmetohet se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë:

“Natën e Arafatit, Allahu zbret në qiellin e dynjasë dhe mburret me banorët e tokës te banorët e qiellit duke thënë: Shihini robërit e Mi të pakrehur e të pluhurosur, që presin kurban! Ata kanë ardhur prej çdo vendi (të afërm e të largët) duke shpresuar që Unë t’i mëshiroj ata, duke qenë se ata nuk e kanë parë dënimin Tim. Nuk është parë ditë në të cilën lirohen njerëzit nga Zjarri më shumë se në ditën e Arafatit.”[23]

Hisham ed Dustuvai transmeton nga Jahja ibën Ebi Kethir: Nga Hilal ibën Ebi Mejmuneh: Nga Atai ibën Jesar: Nga Rufaah el Xhuhenij, se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë:

“Kur kalon një e treta e natës, ose gjysma apo dy të tretat e saj, Allahu zbret në qiellin e dynjasë dhe thotë: Tani nuk pyes ndonjë tjetër për robërit e Mi. Kush është ai që më kërkon falje, ashtuqë t’ia fal atij? Kush më kërkon diçka, ashtuqë t’ia jap atë? Deri sa shpërthen drita.”[24]

Na ka treguar Ebu Muhamed el Muhlidi: Më ka treguar Ebu Abas As Seraxh: Na ka terguar Muhamed ibën Jahja: Na ka treguar Ubejdilah ibën Musa: Nga Israil (ibën Junus): Nga Ebi Is’hak: Nga Ebi Muslim el Agurri, se ka thënë: Ebu Seidi dhe Ebu Hurejra kanë dalë dëshmitarë të të Dërguarit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe unë dal dëshmitar i tyre, se ata të dy kanë dëgjuar të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) të thotë:

“Allahu pret sa të kalojë një e treta e parë e natës, pastaj zbret në qiellin e dynjasë dhe thotë: A ka ndonjë mëkatar? A ka ndonjë që kërkon falje? A ka ndonjë që më kërkon (diçka)? A ka ndonjë që më lutet? Deri sa të lindë dielli.”[25]

Na ka treguar Ebu Muhamed el Muhlidi: Na ka treguar Ebu el Abas eth Thekafi: Na ka treguar el Hasen ibën es Sabah: Na ka treguar Shebabeh ibën Suvar: Nga Junus ibën Ebi Is’hak: Nga Ebi Muslim el Aguri se ka thënë: Dal dëshmitar për Ebi Seidin dhe Ebi Hurejrën, se ata të dy kanë thënë: Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë:

” Allahu pret deri sa të vijë një e treta e natës, pastaj zbret te ky qiell dhe urdhëron dyert e tij që të hapen. Pastaj thotë: A ka ndonjë që më kërkon, ashtu që t’i jap atij? A ka ndonjë që më lutet, ashtu që t’i përgjigjem lutjes së tij? A ka ndonjë që më kërkon falje, ashtu që t’ia fal atij? A ka ndonjë që është zënë ngushtë, ashtu që t’a ç’liroj atë? A ka ndonjë që më kërkon ndihmë, ashtu që t’a ndihmoj atë? Vazhdon në këtë gjëndje derisa të dalë drita, në çdo natë të dynjasë.[26]

Na ka treguar Ebu Muhamed ibën el Muhlidi: Na ka treguar Ebu el Abas –eth Thekafi-: Na ka treguar Muxhahid ibën Musa dhe Fadël ibën Sehël: Na ka treguar Jezid ibën Harun: Na ka treguar Sheriku: Nga Ebi Is’hak: Nga el Aguri, se ai ka dëshmuar për Ebu Hurejrën dhe Ebu Seidin, se ata kanë dëshmuar për të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), se ai ka thënë:

“Kur vjen një e treta e natës, I Lartëmadhëruari zbret në qiellin e dynjasë dhe thotë: A ka ndonjë që kërkon falje, ashtu që t’i falet atij? A ka ndonjë që kërkon, ashtu që t’i jepet ajo? A ka ndonjë që kërkon të pendohet, ashtu që t’i pranohet pendimi?”[27]

Na ka treguar shejh Ebu Mensur ibën Himshad: Na ka treguar Ebu Ali Ismail ibën Muhamed es Sifar në Bagdad: Na ka treguar Ebu Mensur er Ramadi: Na ka treguar Abdurrazaku: Më ka treguar Meamar: Nga Suhejl ibën Ebi Salih: Nga babai i tij: Nga Ebi Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë:

“Allahu i Lartësuar zbret çdo natë në qiellin e dynjasë dhe thotë: Unë jam Mbreti! Unë jam Mbreti! Unë jam Mbreti! Kush është ai që më kërkon, ashtu që t’i jap? Kush është ai që më lutet, ashtu që t’i përgjigjem lutjes së tij? Kush është ai që më kërkon falje, ashtu që ta fal atë? Vazhdon kështu, deri sa të dalë drita e mëngjesit.”[28]

Kam dëgjuar profesor Ebu Mensur, menjëherë pasi na e diktoi këtë Hadith, të thotë: Është pyetur Ebu Hanife për këtë Hadith (se si zbret?) dhe ai tha: “Zbret pa ndonjë formë (që njohim).”[29]

Dikush tjetër ka thënë: Zbret ashtu si i përket Madhështisë së Tij, pa ndonjë formë dhe pa i ngjarë Zbritja e Tij, zbritjes së krijesave të Tij, të cilat mbushin një vend dhe lënë bosh një tjetër (kur zbresin nga një vend në tjetrin), sepse Ai, i Lartëmadhëruari është i Pastër dhe i Lartë nga të qënurit e Cilësive të Tij, si ato të krijesave. Ashtu si edhe është i Pastër nga të qënurit e Vetes (Qënies) së Tij, si ajo e krijesave.

Kështu, Ardhja e Tij, Afrimi i tij dhe Zbritja e Tij, bëhet në formën dhe mënyrën e cila i përshtatet Cilësive të Madhështisë së Tij, duke mos i përngjarë atyre të krijesave dhe pa pyetur “Si?”.[30]

Imam Ebu Bekër Muhamed ibën Is’hak ibën Huzejmeh, në librin e tij “Teuhidi” thotë: Tema e njoftimeve (Haditheve) me zinxhir të saktë transmetuesish, të cilat i kanë transmetuar dijetarët e Hixhazit dhe Irakut, në lidhje me zbritjen e Allahut në qiellin e dynjasë, në çdo natë, pa përshkruar mënyrën e zbritjes, por duke e miratuar zbritjen. (Thotë): Ne dëshmojmë me dëshminë e atij që pohon me gjuhën e tij, që beson me zemrën e tij dhe që është i bindur për atë që thuhet në këto njoftime (Hadithe) për zbritjen (e Allahut në qiellin e dynjasë), duke mos e përshkruar mënyrën e saj (zbritjes), sepse i Dërguari ynë, Muhamedi (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) nuk na e ka përshkruar mënyrën e zbritjes së Krijuesit tonë në qiellin e dynjasë, por na ka mësuar se Ai zbret. Dhe sigurisht që Allahu i Lartësuar e ka ngarkuar të Dërguarin e Tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), që t’u sqarojë muslimanëve çdo gjë që ata kanë nevojë ta dinë prej çështjeve të Fesë së tyre.

Ne besojmë atë që thuhet në këto lajme për zbritjen (e Allahut) pa e përshkruar atë me ndonjë mënyrë apo formë të caktuar, sepse i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) nuk na e ka përshkruar neve mënyrën e zbritjes.”[31]

Na ka treguar hafiz el Hakim ibën Ebu Abdullah: Na ka treguar Ebu Muhamed es Sajdelani: Na ka treguar Ali ibën el Husejn ibën el Xhundi: Na ka treguar Ahmed ibën Salih El Misri: Na ka treguar Ibën Vehbi: Më ka treguar Mahrame ibën Bekir: Nga babai i tij…

(ح) Na ka treguar gjithashtu el Hakim: Na ka treguar Muhamed ibën Jakub el Esam: Na ka treguar Ibrahim Ibën Munkidh: Na ka treguar ibën Vehbi: Nga Mahrameh ibën Bekir, se babai i tij ka thënë: Kam dëgjuar Muhamed ibën el Munkedir të thotë se ka dëgjuar Umu Selemen, gruan e të Dërguarit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) të thotë:

“Nuk ka ditë më të mirë se ajo ditë në të cilën Allahu zbret në qiellin e dynjasë!” Thanë: E cila është ajo ditë? Tha: “Dita e Arafatit.”[32]

Aisha (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) tregon se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë:

“Allahu i Lartësuar zbret në mes të muajit Shaban, në qiellin e dynjasë. Zbret natën deri në fund të ditës tjetër dhe shpëton nga Zjarri aq muslimanë sa qime ka këlyshi i qenit, cakton se kush do të bëjë Haxhin, zbret rrizqet e vitit dhe nuk lë askënd pa falur përveç ndonjë idhujtari, ndonjë që ka prerë lidhjet farefisnore, ndonjë që nuk respekton prindërit dhe ndonjë që transporton fjalët.”[33]

Na ka treguar Ebu Tahir ibën Huzejmeh: Më ka treguar gjyshi im, imami (Muhamed ibën Is’hak ibën Huzejmeh): Na ka treguar El Hasen ibën Muhamed ez Zeaferani: Na ka treguar Ismail ibën Uljeh: Nga Hisham ibën Ed Dustuvai…

(ح) Imami (Muhamed ibën Is’hak) ka thënë: Dhe na ka treguar ez Zeaferani: Na ka treguar Abdullah ibën Bekër es Sehmi: Na ka treguar Hisham ed Dustuvai.

Na ka treguar gjithashtu ez Zeaferani: Na ka treguar Jezid –ibën Harun-: Më ka treguar ed Dustuvai…

(ح) Dhe na ka treguar Muhamed ibën Abdullah ibën Mejmun, në Skenderi: Na ka treguar El Uelid, nga el Euzai.

Të gjithë këta transmetojnë nga Jahja ibën Ebi Kethir: Nga Ata’ ibën Jesar: Më ka treguar Rufaah ibën Urabeh el Xhuhenij…

(ح) Imami thotë: Na ka treguar gjithashtu Ebu Hashim Zijad ibën Ejub: Na ka treguar Mubeshir ibën Ismail el Halebi: Nga El Euzai: Më ka treguar Jahja ibën Ebi Kethir: Më ka treguar Hilal ibën Ebi Mejmuneh: Nga Atai ibën Jesar: Më ka treguar Rufaah ibën Urabeh el Xhuhenij, ka thënë:

U kthyem nga Meka (në Medine) me të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe njerëzit filluan ti marrin atij leje (për të shkuar te familjet e tyre). Ai po u jepte leje atyre, pastaj tha:

“Çfarë e gjeti pemën që u plasarit! A është ai që ndjek të Dërguarin e Allahut, më i urrejtur tek ju, se ai tjetri (që nuk e ndjek)?!”

Pas kësaj nuk shihje njeri që të mos qante, ndërsa Ebu Bekër es Sidiku (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) tha: Ai që të kërkon leje pas kësaj fjale është i pamend.

Atëherë, i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) u ngrit, falenderoi Allahun dhe e Lavdëroi Atë, pastaj u betua ashtu si betohej gjithnjë:

“Pasha Atë në Dorën e të Cilit është shpirti im! Dëshmoj te Allahu se nuk ka ndonjë prej jush që beson Allahun dhe Ditën e Fundit, si dhe nuk e tepron (por është i mesëm në shpenzime e çdo gjë), veçse do të futet në Xhenet. Zoti im më ka premtuar se do të fusë në Xhenet, prej popullit tim, shtatëdhjetë mijë pa llogari dhe pa dënim, ndërsa unë shpresoj që të mos hyni në të, derisa të zotoheni dhe ta mbani zotimin! Atëherë edhe gratë e pasardhësit tuaj të cilët punojnë të mira, vendbanimet tuaja do të jenë në Xhenet.”

Pastaj ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha:

“Kur kalon mesi i natës (apo ka thënë: një e treta e saj), Allahu zbret në qiellin e dunjasë dhe thotë: Nuk pyes për robërit e Mi tjetërkënd; Kush është ai që më kërkon, ashtu që t’i jap? Kush është ai që më lutet, ashtu që t’i përgjigjem lutjes së tij? Kush është ai që më kërkon falje, ashtu që ta fal atë? (Vazhdon kështu) Deri sa të shpërthejë drita.”[34]

Kjo është shprehja e transmetimit të El Uelid.

 

Cilësitë e Allahut të Lartësuar

nuk i përngjajnë atyre të krijesave

Vijon …

_______________________________________________

[1] Këtë Hadith, autori do ta përmendë të plotë më pas.

[2] Këtë histori e ka nxjerrë Ebu Ismail el Heravi në librin “Përçmimi i filozofisë dhe pasuesëve të saj” dhe Bejhakiu në librin “Emrat dhe Cilësitë e Allahut”.

[3] E ka nxjerrë Bejhakiu, në librin “Emrat dhe Cilësitë e Allahut”.

[4] Gërma (ح) tek dijetarët e Hadithit është inecial që do të thotë se ky Hadith ka ardhur me disa rrugë të cilat bashkohen te transmetuesi që është para kësaj shenje.

[5] E transmeton Buhariu në kapitullin e “Et Tehexhud”, Mulimi në kapitullin “Namazi i natës” e të tjerë; nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!).

[6] Përmendja e kësaj rruge do të vijë së shpejti.

[7] Këtë rrugë transmetimi e ka nxjerrë imam Ahmedi në Musnedin e tij, Ed Darimi dhe Darakutni.

[8] Darakutni ka nxjerrë në kapitullin e “Zbritjes” shumë rrugë nga Ebu Hurejra, por jo këtë rrugë nga el Earaxh, apo nga Seid ibën Musejjib, siç thotë autori.

[9] Këtë rrugë e ka nxjerrë imam Ahmedi në Musnedin e tij.

[10] Përmendja e kësaj rruge do të vijë së afërmi.

[11] Këtë rrugë e ka nxjerrë Darakutni në kapitullin e Zbritjes.

[12] Këtë rrugë e ka nxjerrë Ed Darimi në “As Sunen”, Darakutni në kapitullin e Zbritjes dhe el Lalikai në “Sqarimi i bazave të Akides së Ehli Sunetit dhe Xhematit”.

[13] Nuk kam gjetur kënd ta ketë nxjerrë këtë rrugë nga Abdullah ibën Mesudi (radiallahu anhu), por e ka nxjerrë nga ai me rrugë tjetër, imam Ahmedi në Musnedin e tij dhe el Lalikai, në Bazat e Akides së Ehli Sunetit.

[14] Këtë rrugë e ka nxjerrë ed Darimi, Ibën Huzejme, Darakutni dhe Ebu Kasim el Lalikai.

[15] Kjo rrugë do të përmendet së shpejti.

[16] Këtë rrugë nga Ibën Abasi (meukuf), e ka nxjerrë Ibën Ebi Asim, në librin “As Suneh”, ed Darimi dhe el Lalikai.

[17] Përmendja e këtyre dy rrugëve do të vijë së shpejti .

[18] Këtë libër të autorit nuk e kam gjetur as të botuar dhe as si dorëshkrim.

[19] E transmeton Muslimi në Sahihun e tij, kapitulli “Namazi i natës”.

[20] E transmeton Muslimi në Sahihun e tij, kapitulli “Namazi i natës”.

[21] Fillimin e Hadithit deri te fjala (…që t’ia fal atij?) e ka nxjerrë imam Ahmedi në Musned, ed Darimi dhe el Axhurri: Nga Nafi’ ibën Xhubejr ibën Mat’am: Nga babai i tij; por pa shtesën: (në një të tretën e fundit të natës).

Ndërsa pjesës së fundit të Hadithit (nuk ngel gjë me shpirt…) deri në fund, nuk i kam gjetur rrugë transmetimi.

[22] E ka nxjerrë el Axhurri, por pa fjalinë (pastaj ngrihet në Kursijin e Tij). E ka përmendur gjithashtu el Hejthemi dhe ka thënë: E ka transmetuar et Taberani në “El Kebir” dhe në “El Eusat”, dhe ka thënë: Jahja ibën Is’hak nuk ka dëgjuar gjë nga Ubadeh dhe prej tij nuk ka transmetuar veçse Musa ibën Ukbeh. Ndërsa transmetuesit e tjerë të Hadithit janë transmetues të dy Sahijhave të Buhariut dhe Muslimit.

[23] E ka nxjerrë Ibën Hibbani në Sahihun e tij.

[24] E ka nxjerrë Ibën Maxheh, ed Darimi, el Axhurri, Ibën Huzejme etj.

[25] E transmeton Muslimi, me shprehjen (deri sa të shpërthejë mëngjesi) dhe pa përmendur shprehjen (A ka ndonjë mëkatar?). E transmeton gjithashtu Ahmedi duke e theksuar fjalën (A ka ndonjë mëkatar) dhe duke shtuar (A ka ndonjë që do të pendohet?).

[26] E transmeton ed Darakutni në librin “Zbritja”, por në fund të tij shtohet (Pastaj ngjitet në qiell).

[27] E transmeton Muslimi dhe el Axhurri.

[28] E transmeton Muslimi.

[29] Është marrë kjo fjalë e Ebu Hanifes (Allahu e mëshiroftë!), në librin “Sherh el Fikh el Ekber” të vetë atij.

[30] Këtë fjalë e ka përmendur Bejhakiu në librin “El Esmai ues Sifatu” dhe thotë: E kam lexuar këtë fjalë me shkrimin e vetë autorit në librin “Ed Deavat”, por unë (recensori dhe studiuesi) këtë libër nuk e kam gjetur.

[31] Marrë nga libri “Teuhidi dhe pohimi i Cilësive të Allahut të Madhëruar” i Ibën Huzejmes.

[32] E ka nxjerrë Ed Darimi, Darakutni dhe el Lalikai.

[33] Fillimin e këtij Hadithi e transmeton Tirmidhiu, Ibën Maxheh, Ahmedi, Darakutni dhe El Lalikai. Ndërsa pjesën tjetër të Hadithit, që nga fjala (…deri në fund të ditës tjetër) e deri në fund, nuk e kam gjetur në mesin e këtyre transmetimeve (të burimeve të lartëpërmendur).

[34] E ka nxjerrë Ibën Huzejmeh në librin “Teuhidi”, Imam Ahmedi në “Musned”, Et Tajalisi në “Musned”, Darakutni në librin e Zbritjes.

E ka nxjerrë gjithashtu El Axhurri, në librin “Esh Sheri’ah”, por të shkurtuar.