Itikafi dhe Namazi i Teravive

 

Nga Libri: Agjërimi i Muhamedit (Salallahu alejhi ue selem) në Ramazan

Autor: Selim el Hilali & Ali el Halebi
Përktheu: Unejs Murati
Recensoi: Bledar Albani

 

20. Itikafi[1]

 

1. Urtësia e tij:

Dijetari i madh, Ibën el Kajjim thotë: “Përderisa filtrimi i zemrës dhe qëndrueshmëria e saj në rrugën për te Allahu i Lartësuar qëndron në përqendrimin e saj për te Allahu dhe në bashkimin e venave të saj për t’i drejtuar plotësisht nga Allahu, atëherë zemra nuk mund të synojë veçse të drejtuarin nga Allahu. Ndërsa ushqimi i tepërt, pirja e tepërt, përzierja e tepërt me njrëzit, fjalët e tepërta dhe gjumi i tepërt ia shton asaj parregullsinë, e shpërndan atë në çdo fushë dhe e shkëput atë nga të ecurit drejt Allahut, ose ia zvogëlon shpejtësinë, ose e ndalon në vend.

Kështu që, Mëshira e të Gjithëfuqishmit Mëshirëplotë me robët e tij, ka përfshirë edhe faktin se u ka ngarkuar atyre agjërimin e Ramazanit, gjë e cila largon ushqimin dhe pirjen e tepërt, heq nga zemra përzierjet e epsheve të ndryshme të cilat e pengojnë atë nga të ecurit drejt Allahut të Lartësuar. Ai e ka ligjësuar agjërimin me një sasi të leverdishme për njeriun, në atë mënyrë që ai të ketë dobi prej tij në dynja dhe në ahiret, pa e dëmtuar dhe pa e ndërprerë atë nga interesat e tij të tashme (në këtë botë) dhe të ardhshme.

Allahu u ka ngarkuar atyre gjithashtu edhe Itikafin, qëllimi dhe shpirti i të cilit është përqendrimi i zemrës tek Allahu i Lartësuar, plotësisht, të qëndruarit vetëm për vetëm me Të, shkëputja nga të preokupuarit me krijesat dhe preokupimi vetëm me Allahun e Lartëmadhëruar, aq sa përmendja, dashuria dhe afrimi tek Ai të jetë preokupimi dhe meditimi i zemrës. Mendimin e saj ta pushtojë përmendja e Allahut, të gjitha meditimet të jenë për Të dhe në të menduarit se si të arrijë kënaqësinë dhe gjërat që të afrojnë tek Ai. Shoqëria e Allahut të jetë zëvendësuese e shoqërisë me krijesat. Largimi nga krijesat me këtë mënyrë është shoqëri për ty në ditën e vetmisë në varrin tënd, kur të mos kesh shoqëri tjetër dhe as dikë që mund të të gëzojë përveç Allahut. Ky është qëllimi më i madh i itikafit.[2]

2. Kuptimi i tij:

Itikafi është qëndrimi në diçka. Kështu, i thuhet atij që qëndron mbyllur në xhami dhe kryen adhurime në të, se ai është mutekif, apo akif.[3]

3. Ligjshmëria e tij:

Itikafi është i pëlqyer në Ramazan dhe në ditë të tjera të vitit, pasi që është vërtetuar se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka bërë I’tikaf në dhjetëshin e fundit të muajit sheval [4], dhe se Umeri i ka thënë të Dërguarit (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!): “O i Dërguari i Allahut! Unë jam zotuar në kohën e injorancës (para Islamit) për të bërë një natë I’tikaf në Kabe. I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: Zbatoje zotimin. [dhe ai qëndroi një natë në I’tikaf]…”[5]

Por I’tikafi më i mirë është ai në Ramazan, bazuar në hadithin e Ebi Hurejrës (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) qëndronte në I’tikaf në dhjetë ditët e fundit të Ramazanit, kurse në vitin që vdiq, ai qëndroi në I’tikaf njëzet ditë.”[6]

Më e mira është në dhjetëshin e fundit të Ramazanit, pasi që: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) qëndronte në I’tikaf në dhjetë ditët e fundit të Ramazanit, derisa ia mori jetën Allahu i Madhëruar.”[7]

4. Kushtet e tij:

a) Itikafi nuk lejohet vetëm se në xhami, duke u bazuar në Fjalën e Allahut të Madhëruar: “Por mos iu afroni[8] atyre (për marëdhënie intime) kur jeni të izoluar për i’tikafë në xhamia.” [El Bekare: 187].

b) Por këto “xhamia” nuk janë në përgjithësi, por ato janë përcaktuar në sunetin e saktë nga i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe kjo është fjala e tij (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!): “Nuk bëhet I’tikaf veçse në tre xhamitë (në Kabe, në xhaminë e Pejgamberit dhe në Kuds).”[9]

c) Është Sunnet për personin i cili hyn në I’tikaf, që të jetë agjërueshëm, duke u bazuar në hadithin e mëparshëm të transmetuar nga Aisheja (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!).[10]

5. Çfarë i lejohet atij që hyn në I’tikaf:

a) Atij i lejohet të dalë për nevojat e tij, apo të nxjerë kokën nga xhamia që ta lajë dhe ta krehë. Aisheja (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) thotë: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) fuste kokën në dhomën time (e cila ishte e ngjitur me xhaminë) duke qenë se ishte në [I’tikaf], në xhami [ndërsa unë isha në dhomën time]. Unë ia krehja atë – ndërsa në një transmetim tjetër thotë: ia laja- [dhe mes meje dhe tij ishte vetëm korniza e derës]. [Unë ndërkohë isha me menstruacione]. Ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) nuk hynte në shtëpi, veçse për nevojat [personale], kur ishte në I’tikaf.”[11]

b) I lejohet atij që është në I’tikaf, si dhe të tjerëve, që të marrin avdes brenda në xhami, duke u bazuar në fjalën e një burri që i ka shërbyer të Dërguarit (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!), i cili thotë: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka marrë avdes në xhami, një avdes të lehtë.”[12]

c) I lejohet atij që të vendosë një çadër të vogël në fund të xhamisë dhe të qëndrojë në të, pasi që Aisha (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) vendoste një çadër (me dy a tre hunj) në xhami kur i Dërguari (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) qëndronte në I’tikaf[13], dhe e gjithë kjo ishte me urdhërin e tij (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!).[14]

d) I lejohet gjithashtu të vendosë dyshek apo edhe krevatin e tij në xhami, nga ajo që është transmetuar nga Ibën Umeri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se: “Kur i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) hynte në I’tikaf, atij i vendosnin një dyshek apo një krevat pas shtyllës së xhamisë.”[15]

6. I’tikafi i gruas dhe vizita e saj burrin e saj në xhami

a) I lehohet gruas të vizitojë burrin e saj ndërkohë që ai është në I’tikaf. Edhe atij i lejohet t’a përciellë atë deri tek dera e xhamisë.

Safija (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) thotë: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ishte në I’tikaf [në dhjetëshin e fundit të Ramazanit] dhe unë shkova t’a vizitoja një natë. [Tek ai ndodhej një nga gratë e tij e cila u largua]. Bisedova me të për pak kohë pastaj u ngrita që të kthehem, [por ai më tha: Mos shpejto që të të përcjell]. Atëherë u ngrit me mua që të më shoqërojë – vendbanimi i saj ishte në shtepinë e Usame ibën Zejd- [Kur arritëm në derën e xhamisë, ku ishte edhe shtëpia e Umu Seleme, në rrugë kaluan dy burra nga ensarët, të cilët kur panë të Dërguarin (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) shpejtuan të largoheshin, por ai tha: Ngadalë! Kjo është Safije bintu Hajij. Ata thanë: Subhanallah! O i Dërguari i Allahut! Ai tha: “Me të vërtetë, shejtani bredh në trupin e njeriut ashtu si rrjedh gjaku (apo me rrjedhën e gjakut) dhe unë u frikësova se mos po ju ngulit në zemrat tuaja diçka të keqe –apo ka thënë: diçka-.”[16]

b) I lejohet gruas që të qëndrojë edhe ajo në I’tikaf me burrin e saj, apo edhe vetëm, nga fjala e Aishes (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) e cila ka thënë: “I Dërguari (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) bënte I’tikaf në dhjetë ditët e fundit të Ramazanit, derisa ia mori jetën Allahu. Pastaj kanë bërë I’tikaf grat e tij pas tij.”[17]

Profesori ynë[18] (Allahu e ruajtë!) thotë: “Në këtë hadith ka argument për lejimin e të qëndruarit në Itikaf për gratë, por nuk ka dyshim se kjo kushtëzohet me lejen e përgjegjësve të tyre, sigurimin nga ngacmimet dhe nga mosveçimi me burra. Për këtë ka argumente të shumta. Madje një rregull i sheriatit thotë: Shtyrja e të këqiave është më primare se tërheqja e të mirave.”

 

21. Namazi i teravive

1. Ligjshmëria e faljes së teravive

Namazi i teravive me xhemat është i ligjshëm në sheriat, bazuar në hadithin e Aishes (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) se: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) doli një natë dhe u fal në xhami. Pas tij u falën edhe disa burra të tjerë. Të nesërmen ata filluan të flasin për këtë me të tjerët dhe natën tjetër u grumbulluan edhe më shumë njerëz. Ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) doli përsëri të falej dhe njerëzit u falën pas tij. Të nesërmen në mëngjes ata i treguan të tjerëve (që nuk ishin falur me ta natën), kështu që natën e tretë numri i njerëzve që erdhën në xhami u shtua shumë. I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) doli dhe ata u falën pas tij. Ndërsa natën e katërt, xhamia nuk mund t’i nxinte njerëzit që kishin ardhur dhe e pritën atë deri sa doli për namazin e sabahut. Pasi fali sabahun, ai u kthye nga njerëzit, tha shehadetin pastaj tha: “Unë nuk është se nuk e dija që ju ishit këtu (natën), por u frikësova se mos iu bëhej obligim ky namaz, ndërsa ju nuk do të mundeshit t’a kryenit atë.” Deri sa i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ndërroi jetë, kjo mbeti kështu.”[19]

Kur i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) shkoi te Zoti i tij, sheriati u plotësua dhe u bë i qëndrueshëm, kështu që nuk ekzistonte më frika e ardhjes së ndonjë obligimi tjetër. Prej këtu, ligjshmëria e faljes së teravive me xhemat mbeti e miratuar, pasi që shkaku i mosfaljes së tyre me xhemat në kohën e të Dërguarit (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) u ngrit, dhe siç dihet (në usuli fikh), shkaku është i lidhur me rezultatin, nëse gjindet shkaku, ndodh rezultati dhe në të kundërt, jo.

Këtë Sunnet (faljen e teravive me xhemat) e ka ringjallur halifja Umer ibën el Hatabi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), siç ka treguar për këtë Abdurrahman ibën Abdin el Kariju, i cili thotë: “Një natë Ramazani, dola me Umer ibën Hatabin (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) dhe shkuam në xhami. Aty njerëzit ishin të ndarë në grupe; dikush falej për vete dhe pas tij faleshin disa të tjerë. Umeri tha: Mendoj se sikur t’i bashkoja këta pas një imami të vetëm, do të ishte më mirë. Pastaj e vendosi këtë dhe i bashkoi ata pas Ubej ibën Keab. Pastaj dola me të një natë tjetër dhe pamë njerëzit duke e falur namazin pas imamit të tyre. Atëherë Umeri tha: Risi e mirë kjo, por ajo kohë kur ata flenë është më e mirë për namaz se kjo që ata falen.” Pasi që njerëzit i falnin teravitë në fillim të natës.”[20]

2. Numri i rekateve të teravive

Ka mospajtime mes njerëzve për numrin e rekateve të teravive, por fjala e qëlluar dhe e përputhur me udhëzimin e të Dërguarit (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) është se numri i tyre është tetë rekate, pa namazin e vitrit.

Transmetohet nga Aisha (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) se ka thënë: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) nuk ka shtuar në Ramazan e as jashtë tij më shumë se njëmbëdhjetë rekate.”[21]

Këtë fjalë të Aishes (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) e ka aprovuar dhe përkrahur gjithashtu edhe Xhabir ibën Abdullah (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) i cili thotë: “Kur i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) u fal me njerëzit një prej netëve të Ramazanit (namazin e teravive), ai fali tetë rekate pastaj fali vitrin (një rekat).”[22]

Kur Umer Ibën Hatabi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) e ringjalli këtë sunnet, ai i bashkoi njerëzit në njëmbëdhjetë rekate, sipas sunnetit të saktë, siç e ka transmetuar edhe imam Maliku (1/115), me zinxhir mëse të saktë; nga Muhamed ibën Jusuf; nga es Saib ibën Jezid, se ky ka thënë: “Umer ibën Hatabi e urdhëroi Ubej ibën Keabin dhe Temim ed Darin që të falin me njerëzit njëmbëdhjetë rekate.” Thotë (transmetuesi): “Ata lexonin nga dyqind ajete në çdo rekat, saqë ne mbështeteshim mbi bastun nga qëndrimi i gjatë në këmbë. Pastaj nuk e mbaronin faljen (e teravive) veçse në fillim (pak para) agimit.”

Këtë fjalë e ka kundërshtuar Jezid ibën Husajfe, i cili thotë: “Njëzet rekate”. Por transmetimi i tij është anormal dhe ndryshe nga të tjerët, pasi që Muhamed ibën Jusuf është më i besueshëm se Jezid ibën Husajfe, kështu që shtojcës së Jezidit nuk mund t’i thuhet se është shtojcë e të besueshmit e si rrjedhojë duhet pranuar, pasi që pranimi i shtojcës së të besueshmit është e kushtëzuar me moskundërshtimin e një të besueshmi tjetër. Përkundrazi, në rastin tonë ne gjejmë njohuri plus në transmetimin e të parit (që thotë me tetë rekate), siç thuhet në “Fet’hul Mugith” (1/199), në “Mehasin el Istilah” (185) dhe në “el Kifaje” (424-425).

Përveç kësaj, edhe sikur transmetimi i Jezidit të ishte i saktë, ai tregon për një vepër të kryer, ndërsa transmetimi i Muahmed ibën Jusufit është fjalë e shprehur, dhe fjala ka përparësi para veprës, siç është e njohur në shkencën e usuli fikhut.

Abdurrezaku ka transmetuar në “el Musanaf” (7730); nga Davud ibën Kajs dhe të tjerë; nga Muhamed ibën Jusuf; nga Es Saib ibën Jezid, se: “Umeri i ka bashkuar njerëzit në Ramazan pas (imam) Ubej ibën Keab dhe Temim ed Dari, me njëzetë e një rekate, ku në çdo rekat lexonin nga dyqind ajete. Pastaj dilnin nga namazi pak para agimit.”

Por ky transmetim kundërshton atë që ka nxjerë imam Maliku nga Muhamed ibën Jusuf; nga Es Saib ibën Jezid.

Ajo që duket nga zinxhiri i transmetimit të Abdurazakut, është se ai është i saktë, pasi që të gjithë transmetuesit e tij janë të besueshëm.

Disa prej tyre janë argumentuar me këtë transmetim, duke pretenduar se hadithi i Muhamed ibën Jusufit është i trazuar, me qëllim që t’a rrëzojnë atë dhe të dominojë teza e tyre për njëzet rekatet e transmetuara në hadithin e Jezid ibën Husajfe.

Por ky pretendim është i hedhur poshtë, pasi që hadithi i trazuar (mudtarib) është ai hadith që transmetohet dy apo tre herë nga i njëjti transmetues, apo nga dy a më shumë transmetues, por me shprehje të ndryshme, të përafërta e të së njëjtës fuqi transmetimi, ndërkohë që nuk ka dëshmues për të privilegjuar ndonjërën prej tyre.[23]

Ndërsa ky kusht (i hadithit mudtarib) nuk ekziston në hadithin e Muhamed ibën Jusuf, pasi që transmetimi i Malikut është më parësor dhe më i privilegjuar se transmetimi i Abdurazakut, për shkak të dijes dhe memories së fortë të të parit.

E paraqitëm këtë, duke supozuar pastërtinë e zinxhirit të Abdurazakut nga defektet, por realiteti është i kundërt me këtë dhe sqarimi i kësaj është si vijon:

a) Ata që e kanë transmetuar el Musanafin nga Abdurazaku kanë qenë më shumë se një, prej të cilëve ka qenë edhe Is’hak ibën Ibrahim ibën Abad Ed Deberij.

b) Ky hadith është nga transmetimi i Ed Deberij; nga Abdurazaku, pasi që ky është ai i cili ka transmetuar kapitullin e agjërimit nga ai.[24]

c) Ed Deberij i ka dëgjuar nga Abdurazaku shkrimet e tij kur ishte shtatë vjeç.[25]

d) Ed Duberiju nuk ka qenë nga dijetarët e hadithit e as nuk ishte nga burrat e këtij profili.[26]

e) Për këtë shkak, gabimet në transmetimet e tij nga Abdurazaku janë të shumta. Ai ka transmetuar nga Abdurazaku hadithe të refuzuara. Madje disa dijetarë kanë mbledhur gabimet e Ed Deberijut dhe shtrëmbërimet e tij në “Musanafin” e Abdurazakut, në një libër të veçantë.[27]

Nga ajo që kaluam na bëhet e qartë se ky transmetim është i refuzuar, pasi që Ed Duberijun e ka kundërshtuar dikush që është më i besueshëm se ai, dhe ajo tek e cila të qetësohet zemra, është se kjo ka qenë nga shtrembërimet e tij, duke i shtrembëruar ato nga njëmbëdhjetë në njëzet rekate. E siç e mësove, ai ka pas bërë shumë shtrembërime.[28]

Për këtë shkak, ky transmetim (i njëzet rekateve) është i refuzuar dhe i shtrembëruar, kështu që argumentimi me të bie poshtë dhe qëndron kështu suneti i saktë i transmetuar në el Muata (1/115), me zinxhir të saktë; nga Muhamed ibën Jusuf; nga es Saib ibën Jezid. Ndaj, ki mendjen!

 

22. Zekati i Fitrit[29]

Vijon …

_____________________________________

[1] Itikafi është të qëndruarit mbyllur në xhami me qëllim adhurimi. Shpjegimet e mëtejshme do t’i mësosh në vijim.

[2] “Zadu el Mead” (2/86-87).

[3] ” El Misbah el Munir” (2/424), i el Fejumit dhe “Lisan el Arab” (9/252), i Ibën Mendhur.

[4] Transmeton Buhariu (4/226) dhe Muslimi (1173).

[5] Transmeton Buhariu (4/237) dhe Muslimi (1656).

[6] Transmeton Buhariu (4/245).

[7] Transmeton Buhariu (4/226) dhe Muslimi (1173); nga Aisheja.

[8] D.m.th. mos bëni marrëdhënie intime me to, siç thotë shumica e dijetarëve.

[9] Ky Hadith është i saktë dhe i qëndrueshëm. Atë e kanë konsideruar të saktë imamët dhe dijetarët e mëdhenj. Për rrugët e transmetimit të tij dhe për kundërpërgjigjen e dyshimeve të hedhur rreth tij nga disa njerëz, ktheju broshurës “El Insaf fi Ahkami el Itikaf”, nga autori Ali Hasen Abdulhamid el Halebi.

[10] Transmeton Abdurrezaku në “el Musanef” (8037).

[11] Transmeton Buhariu (1/342) dhe Muslimi (297).

Shih: “Muhtesar Sahih el Buhari” (nr: 167), të profesorit tonë, el Albani dhe “Xhamiu el Usul” (1/341), të Ibën Ethir.

[12] Transmeton Ahmedi (5/364), me zinxhir të vërtetë.

[13] Siç thuhet në “Sahihul el Buhari” (4/226).

[14] Siç thuhet në “Sahih Muslim” (1173).

[15] Transmeton Ibën Maxhe (641) dhe el Bejhaki -siç ka thënë el Busejrij-; nga dy rrugë transmetimi; nga Isa ibën Umer; nga Nafiu; nga ibën Umeri.

Zinxhiri i tij është i mirë.

[16] Transmeton Buhariu (4/240) dhe Muslimi (2157), ndërsa shtesa e fundit është te Ebu Davudi (7/142-143-Aunul Mabud).

[17] Kaloi me herët transmetimi i tij.

[18] Është fjala për shejh Albanin, i cili në kohën e shkrimit të librit ka qenë ende gjallë, Allahu e mëshiroftë!

[19] Transmeton Buhariu (3/220) dhe Muslimi (761).

[20] Transmeton Buhariu (4/218), ndërsa shtojca është te Maliku (1/114) dhe AbduRrezaku (7723).

[21] Transmeton Buhariu (3/16) dhe Muslimi (736).

El Hafidhi (Allahu e mëshiroftë!) thotë në “El Fet’h” (4/54): “Kjo, duke qenë e ditur se ajo ishte me e njohura për gjendjen e Muhamedit alejhi selam gjatë natës sesa të tjerët.”

[22] Transmeton Ibën Hibani në “Sahihin e tij” (920), Et Tabarani në “Es Sagir” (faqe 108) dhe Ibën Nasër në “Kijamu Lejl” (faqe90).

Senedi i tij është i mirë me dëshmuesit e tij.

[23] “Tedrib er Ravi” (1/262).

[24] “El Musanah” (4/153).

[25] ” Mizanul Itidal” (1/181).

[26] ” Mizanul Itidal” (1/181).

[27] ” Mizanul Itidal” (1/181).

[28] Ktheju “Tehdhib et Tehdhib” (6/310) dhe “Mizanul I’tidal” (1/181).

[29] Zekati i fitrit është lëmosha që jepet me rastin e përfundimit të Ramazanit. Për hollësi të mëtejshme, lexo në vijim.