NATA E KADRIT

Nga Libri: Agjërimi i Muhamedit (Salallahu alejhi ue selem) në Ramazan

Autor: Selim el Hilali & Ali el Halebi
Përktheu: Unejs Murati
Recensoi: Bledar Albani

19. Nata e Kadrit

Vlera e saj është madhështore, për atë se kjo natë ka dëshmuar zbritjen e Kuranit, i cili e drejton të kapurin për të në rrugën e krenarisë e nderit, dhe e ngre atë në vendet e lavdisë e përjetësisë.

Ummeti Islam, i cili pason Sunnetin e të Dërguarit të tij hap pas hapi, nuk ngre flamuj në këtë natë dhe as harqet për të gëzuar, por ai garon në ngjalljen e kësaj nate me namaz e adhurim, me besim e shpresë për shpërblim nga Allahu.

Në vijim, vëlla musliman, po përmendim ajetet Kuranore dhe hadithet profetike që kanë të bëjnë me këtë natë:

1. Vlera e kesaj nate

Mjafton për vlerën e natës së Kadrit fakti se ajo është më e mirë se një mijë muaj. Allahu i Lartëmadhëruar thotë: “Ne e zbritëm atë (Kuranin) në natën e Kadrit. E ç’të bëri ty të dish se ç’është nata e Kadrit? Nata e Kadrit është më e vlefshme se një mijë muaj! Me lejen e Zotit të tyre, në të zbresin engjëjt dhe shpirti (Xhibrili) me të gjitha vendimet. Ajo (që përcakton Zoti) është paqe deri në agim të mëngjesit.” [El Kadr:1-5].

Në këtë natë vendoset çdo çështje e Vullnetit dhe urdhëresave (për vitin e ardhshëm). Allahu në Kuran thotë: “Ne e zbritëm atë në një natë të bekuar (në natën e begatshme të Kadrit). Vërtet që Ne gjithnjë po këshillojmë. Këtë natë vendoset çdo çështje e Vullnetit dhe urdhëresave. Urdhër i përcaktuar nga Vetë Ne. S’ka dyshim se Ne dërguam të Dërguar. (E zbritëm) Si Mëshirë nga Zoti yt; Ai është Gjithëdëgjuesi, i Gjithëdijshmi.” [Duhan: 3-6].

2. Koha e Natës së Kadrit

Është transmetuar nga i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) se ajo natë është nata e njëzetë e një, apo e njëzetë e tre, apo e njëzetë e pestë, apo e njëzetë e shtatë, apo e njëzetë e nëntë, apo nata e fundit e Ramazanit.[1]

Imam Shafiu (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Sipas mendimit tim, e Allahu e di më së miri, i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) përgjigjej në varësi të pyetjes që i drejtohej. Dikush p.sh. i thoshte: A t’a ruajmë atë në filan natë? Ai përgjigjej: Ruajeni në këtë natë.”[2]

Fjala më dominuese është se Nata e Kadrit është një nga netët e dhjetëditëshit të fundit të Ramazanit dhe për këtë argumenton edhe hadithi të cilin e transmeton Aisheja (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) se: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) në dhjetëditëshin e fundit të Ramazanit thoshte: Kërkojeni Natën e Kadrit në netët teke të dhjetëditëshit të fundit të Ramazanit.”[3]

Nëse njeriu dobësohet dhe nuk mundet, së paku të mos dorëzohet në shtatë netët e fundit, për shkak të hadithit që është transmetuar nga Ibën Umeri i cili ka thënë: I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Kërkojeni atë në dhjetëshin e fundit, e nëse dikush nga ju dobësohet apo i rëndohet gjendja, së paku të mos dorëzohet në shtatë të mbeturat.”[4]

Ky hadith sqaron edhe fjalën tij (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) që thotë: “Po shoh se ëndërrat tuaja janë përputhur me njëra-tjetrën, kështu që kush dëshiron t’a kërkojë atë (Natën e Kadrit), t’a kërkojë në shtatë netët e fundit (të Ramazanit).”[5]

Dhe ajo që është e njohur në Sunnet, është se njohja e kësaj nate është ngritur (e paditur) për shkak se njerzit u grindën, siç transmeton Ubadetu ibën es Samit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se ka thënë: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) doli në natën e Kadrit dhe pa dy burra prej muslimanëve që po grindeshin me njëri-tjetrin. Atëherë ai tha: “Unë dola që t’ju njoftoj për natën e Kadrit, mirëpo filani dhe filani u grindën, e për këtë shkak ajo u ngrit (njohja e saj u fsheh), e ndoshta kjo ka qenë më e mirë për ju. Megjithatë, ju kërkojeni atë në nëntëshin, shtatëshin, dhe pesëshin (e fundit) – ndërsa në një transmetim tjetër thuhet: në shtatëshin, nëntëshin dhe pesëshin-.”[6]

Vërejtje!

Janë transmetuar disa hadithe që na orientojnë në atë se nata e Kadrit është në dhjetëshin e fundit të Rmazanit, ndërsa në disa hadithe të tjera thuhet se ajo është në netët teke të dhjetëshit të fundit. Të parët janë përgjithësues ndërsa të dytët të posaçëm, e siç dihet; e posaçmja paraprihet ndaj të përgjithëshmes.

Pastaj kanë ardhur hadithe që na orientojnë në atë se ajo natë është në shtatë netët e mbetura nga Ramazani, por kjo është e kufizuar me pamundësinë dhe dobësinë, kështu që nuk shkakton ndonjë problem.

Kështu kemi harmonizim të haditheve e jo kundërshtim mes tyre, përputhje e jo ndarje.

Si përfundim, muslimani duhet ta kërkojë natën e Kadrit në netët teke të dhjetëshit të fundit të Ramazanit: natën e njëzetë e një, e njëzetë e tre, e njëzetë e pesë, e njëzetë e shtatë dhe e njëzetë e nëntë. E nëse dobësohet apo nuk ka mundësi në kërkimin e saj, atëherë t’a kërkojë në shtatëshin e mbetur nga Ramazani: natën e njëzetë e pestë, të njëzetë e shtatë dhe të njëzetë e nëntë. E Allahu e di më së miri.

3. Si e kërkon muslimani Natën e Kadrit?

Kjo natë është nata më e bekuar. Personi që e humb atë, vërtet ka humbur një të mirë të madhe, e nuk ka mundësi me e humb atë, veçse i ndaluari prej saj. Për këtë shkak, kërkohet nga muslimani i cili përpiqet t’i bindet Allahut, që t’a ngjallë këtë natë dhe ta kalojë atë në adhurim dhe kërkim të shpërblimit të madh të saj. Nëse ai e bën këtë, atij i fallen të gjitha mëkatet e mëparshme.

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) thotë: “Kushdo që fal namaz të natës në natën e Kadrit, me Iman (besim të fortë) dhe duke kërkuar shpërblimin, atij do t’i falen të gjitha mëkatet e mëparshme.”[7]

Po ashtu, është e rekomandueshme të shtohen lutjet në këtë natë. Aisha (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) transmeton se ajo kishte pyetur të Dërguarin e Allahut, (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!): “O i Dërguari i Allahut! Sikur unë t’a dija se cila ishte Nata e Kadrit, si të lutesha në të?

Thuaj: “Allahume inneke afuun tuhibbul afua fe afu ani” – O Allah! Ti je Falës dhe e do faljen, pra më fal mua!”[8]

Vëlla, Allahu të dhëntë të mira dhe të mundësoftë në bindjen ndaj Tij, e mësove tashmë se çfarë nate është kjo natë, kështu që ngjalle atë me adhurim dhe largim nga gruaja (nga marrëdhëniet intime) dhe urdhëro familjen tënde për këtë. Shtoji adhurimet në të.

Aisheja (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) thotë: “Kur fillonin të dhjetat [e fundit të Ramazanit], Pejgamberi (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e shtrëngonte izarin e tij[9], e kalonte tërë natën zgjuar [në namaz] dhe e zgjonte familjen e tij.”[10]

Transmetohet gjithashtu nga Aisha (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) se ka thënë: “I dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) përpiqej më shumë [në adhurim] në dhjetë netët e fundit (të Ramazanit) sesa në çdo natë tjetër.”[11]

4. Shenjat e kësaj nate[12]

Dije, o ti rob rrespektues, Allahu të ndihmoftë e të përkrahtë me Ndihmën e Tij, se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e ka përshkruar me disa cilësi mëngjesin e natës se kadrit, me qëllim që muslimani ta dijë se cila natë është ajo:

Transmeton Ubej (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Mengjesin e natës se Kadrit, dielli lind pa rrezatim, sikur të ishte tas, derisa të ngrihet lart.”[13]

Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) thotë: Përmendëm një herë Natën e Kadrit te i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe ai tha: “Cili nga ju e kujton hënën kur lind? Kur është në formën e gjysmës së koshit?”[14]

Ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) transmeton se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Nata e Kadrit është natë bujare, e lirshme, as e nxehtë e as e ftohtë. Në mëngjesin e saj dielli lind i dobët dhe me ngjyrë të kuqe.”[15]

20. Itikafi

_____________________________________

[1] Mendimet për këtë janë të shumta e të ndryshme. Imam el Iraki ka shkruar një broshurë të posaçme për këtë, të titulluar “Sherh es Sadër bi dhikri Lejletil Kadër”, ku ai ka përfshirë të gjitha fjalët e dijetarëve në këtë çështje.

[2] Këtë e ka përcjellë nga ai imam el Begavi në “Sherh Es Suneti” (6/388).

[3] Transmeton Buhariu (4/225) dhe Muslimi (1169).

[4] Transmeton Buhariu (4/221) dhe Muslimi (1165).

[5] Shih shënimin e mëparshëm.

[6] Transmeton Buhariu (4/232).

[7] Transmeton Buhariu (4/217) dhe Muslimi (759).

[8] Transmeton Tirmidhiu (3760) dhe Ibën Maxhe (3850) nga Aisheja. Zinxhiri i tij është i saktë.

[9] D.m.th. ai largohej nga gratë e tij me qëllim për të pasur më shumë kohë për adhurim.

[10] Transmeton Buhariu (4/233) dhe Muslimi (1174).

[11] Muslimi (1174).

[12] Në popull fliten shumë shenja dhe thashetheme për natën e Kadrit, si dhe bindje të kota, prej të cilave është edhe fjala e tyre se pemët bëjnë sexhde, ndërtesat flenë! etj, etj.

Sigurisht që këto janë të kota të dukshme dhe lajthitje të qarta.

[13] Transmeton Muslimi (762).

[14] Transmeton Muslimi (1170).

Për fjalën “gjysëm koshi”, Kadi Ijad thotë: Kjo tregon se kjo natë gjendet në dhjetëshin e fundit të mujit, sepse hëna nuk ka mundësi me qenë në këtë gjendje kur lind, por në fund të muajit.

[15] Transmeton et Tajalesi (349), Ibën Huzejme (3/231) dhe el Bezar (1/486). Zinxhiri i tij është i mirë.