Gjërat që e prishin agjërimin, Kompensimi dhe Shlyerja e Agjërimit të prishur

 

Nga Libri: Agjërimi i Muhamedit (Salallahu alejhi ue selem) në Ramazan

Autor: Selim el Hilali & Ali el Halebi
Përktheu: Unejs Murati
Recensoi: Bledar Albani

 

15. Gjërat që e prishin agjërimin

Ekzistojnë disa gjëra të cilave agjëruesi duhet t’u largohet kur agjëron, e nëse i kryen ato gjatë ditës në Ramazan, agjërimi i tij konsiderohet i prishur dhe ai merr gjynahe. Këto gjëra po i përmendim në vijim:

1. Ngrënia e pirja me vetëdije

Allahu i Madhëruar thotë: “Hani e pini derisa qartë të dallohet peri i bardhë nga peri i zi në agim, e pastaj plotësojeni agjërimin deri në mbrëmje” [el Bekare: 187], kështu që kuptohet se agjërimi bëhet duke u ndaluar nga ngrënia e pirja, në të kundërt, nëse agjëruesi ha apo pi, ai e ka prishur agjërimin.

Ndërsa veçimi i kësaj me të qenurit me vetëdije është bërë për faktin se agjëruesi, nëse ha apo në harresë apo gabimisht, a i detyruar, ai nuk ka ndonjë gjynah dhe e vazhdon agjërimin (nuk i prishet agjërimi).

Agrument për këtë janë hadithet e mëposhtme:

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Nëse ha dhe pi nga harresa, atëherë plotësoje agjërimin, sepse Allahu është Ai i Cili të ka ushqyer dhe të ka dhënë për të pirë.”[1]

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) thotë: “Vërtet, Allahu e ka liruar Umetin tim nga barra e gabimeve, nga harresa dhe nga ajo që e bëjnë duke qenë të detyruar.”[2]

2. Të vjellurit e qëllimtë

Ndryshe nga ai të cilin e mund e vjella, pasi për të nuk ka problem me agjërimin (nuk i prishet agjërimi).

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) thotë: “Nëse ndokënd e mund e vjella, ai nuk e ka obligim që ta kompensojë atë ditë, ndërsa kush vjell qëllimisht (duke futur gishtat, a me ndonjë mënyrë tjetër), ai duhet t’a kompensojë atë ditë me një ditë tjetër (më pas).”[3]

3. Menstruacionet dhe lehonia

Nëse gruas i fillojnë menstruacionet apo gjakderdhja e pas-lindjes, në çfarëdo kohe gjatë ditës së Ramazanit, pa marrë parasysh se a është në fillim apo në mbarim të ditës, agjërimi i saj është i prishur dhe ajo duhet t’i kompensojë aq ditë sa ka prishur në një kohë tjetër, pasi që të përfundojë muaji. Nëse ajo vendos që ta vazhdojë agjërimin, ai nuk do të jetë i vlefshëm.

Pejgamberi (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “A nuk është ajo që nëse asaj i fillojnë menstruacionet, ajo as nuk falet, as nuk agjëron? Ato thanë: “Po”. Ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi tw!) tha: “Pikërisht kjo është mangësia në Fenë e saj.”[4]

Urdhëri për kompensim ka ardhur në hadithin e përcjellë nga Muadhetu, e cila ka pyetur Aishen: Përse gruaja që ka menstruacione duhet të kompensojë agjërimin që i humb, ndërsa namazin nuk duhet ta kompensojë? Ajo u përgjigj: A je ti nga Harurijet?[5] Tha: Jo, nuk jam Harurije, por thjesht po pyes. Aishja tha: “Na ndodhte edhe neve një gjendje e tillë (në kohën e të Dërguarit alejhis selam) dhe ne urdhëroheshim që të kompensonim agjërimin, kurse namazin jo.”[6]

4. Injeksionet ushqyese

Është për qëllim futja e disa lëndëve ushqyese në trup me qëllim ushqyerjen e disa të sëmurëve. Këto gjilpëra ushqyese apo sorume e prishin agjërimin, pasi që ato e depërtojnë ushqimin në brendësi.[7] Edhe nëse diagnoza nuk arrin në stomak, por arrin në gjak, gjithashtu edhe kjo e prish agjërimin, pasi që ajo kthehet në vend të ushqimit dhe pirjes. Shumë nga të sëmurët të cilët goditen me humbje të vetëdijes për një kohë të gjatë ushqehen nëpërmjet këtij lloji të injeksioneve si Glukozi dhe Selajini.

Gjithashtu edhe lëndët që marrin disa të sëmurë me astmë, e prishin agjërimin.

5. Marrëdhëniet seksuale

Es Sheukani në “ed Derari el Mudije” (2/22), thotë: “Nuk ka kundërshtim se marrëdhëniet intime e prishin agjërimin, nëse bëhen me vetëdije, mirëpo nëse ndodh në harresë, disa nga dijetarët e kanë llogaritur njësoj si ngrënia dhe pirja në harresë.”

Ibën Kajjimi në “Zadul Mead” (2/60), thotë: “Kurani argumenton se marrëdhëniet janë prishëse të agjërimit, njësoj si ngrënia e pirja. Për këtë nuk ka kundërshtim.”

Argument për këtë nga Kurani kemi Fjalën e Allahut të Lartësuar: “Tani pra, afrojuni atyre dhe kërkoni atë që Allahu ka përcaktuar për ju (fëmijë).” [el Bekare: 187].1

Kështu, Allahu e lejoi kryerjen e marrëdhënieve natën, e nga kjo kuptohet se agjërimi bëhet duke iu ndaluar kryerjes së marrëdhënieve, ngrënies e pirjes (gjatë ditës).

Kush e prish agjërimin e tij me marrëdhënie seksuale, ai duhet të bëjë kompensim dhe shpagim për fajin. Argument për këtë është ajo që transmeton Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), nga i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) se: “Një burrë erdhi dhe tha: O i Dërguari i Allahut! Unë u shkatërrova (mora fund).

– Ç’të ka shkatërruar?”

– Kam bërë marrëdhënie me gruan time në Ramazan.

– A ke mundësi që ta lirosh një rob?”

– Jo.

– A je në gjendje që të agjërosh dy muaj rresht?

– Jo.

– A je në gjendje të ushqesh gjashtëdhjetë të varfër?

– Jo.

– Ulu këtu.

Ai u ul. Më pas, dikush i solli të Dërguarit (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) një kosh me hurma. Pejgamberi (alejhi selam) i tha (burrit që kishte kryer marrëdhënie në Ramazan): Jepe lëmoshë këtë.

– Nuk ka asnjë më të varfër se unë në mes këtyre dy maleve.

Ai (transmetuesi) tha: Atëherë i Dërguari (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) qeshi sa iu dukën dhëmballët dhe tha: “Shko dhe ushqeje familjen tënde me to.”[8]

16. Kompensimi Agjerimit

1. Dije, o ti musliman, Allahu të dhëntë kuptim në Fenë e Tij, se kompensimi i asaj që të ka ikur nga Ramazani nuk është obligim menjëherë pas tij, por obligueshmëria e kësaj është me kohë të gjerë, siç është përcjellë nga Aisha (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) se ka thënë: “Kam pas borxh nga Ramazani, dhe nuk kam pas mundësi t’a kompensoja veçse në Shabanin e ardhshëm (muajin para Ramazanit tjetër)”[9]

El Hafith në “El Fet’h” (4/191) thotë: “Ky hadith argumenton lejimin e vonimit të kompensimit të ditëve të prishura nga Ramazani në përgjithësi, qoftë me arsye apo pa arsye.”

Mirpo, siç dihet vetevtiu, shpejtimi në kompensimin e tij është më primare sesa vonimi, duke hyrë në argumentet e përgjithëshme të cilat nxisin në shpejtimin për punë të mira dhe mosneglizhimin e tyre. Argument për këtë kemi Fjalën e Allahut: “Dhe nxitoni në rrugën drejt faljes nga Zoti juaj.” [Ali Imran: 133].

Allahu thotë: “Të tillët janë që garojnë në vepra të mira dhe janë më të parët në to.” [Muminun: 61].

2. Nuk obligohet vazhdimësia pa shkëputje në agjërimin e ditëve të mbetura për kompensim, me arsyetimin e të bashkuarit e tyre me formën e agjërimit në kohën e vetë. Allahu i Lartësuar thotë: “Atëherë të agjërojë aq ditë në ditët e mëvonshme.” [El Bekare: 185].

Ibën Abasi thotë: “Nuk ka problem nëse agjërohen të ndara nga njëra-tjetra.”[10]

Ndërsa Ebu Hurejra thotë: “I agjëron një nga një, nëse dëshiron.”[11]

Ndërsa hadithi që ka transmetuar el Bejhakiu ( 4/259), dhe Darukutni (2/ 191-192); nga Abdurrahman ibën Ibrahim; nga el Ala ibën Abdurrahman; nga i ati i tij; nga Ebi Hurejra; të ngritur te i Dërguari (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) se ka thënë: “Kushdo nga ju që ka agjërim për të kompensuar nga Ramazani, t’i agjërojë ato ditë njëra pas tjetrës dhe jo ndarë nga njëra-tjetra.”

Ky hadith është i dobët, për shkaqet e mëposhtme:

Darakutni thotë: Abdurrahman ibën Ibrahim është i dobët.

El Bejhakiu thotë: E ka konsideruar të dobët atë Ibën Muin, Nesai dhe Darakutni.

Ndërsa Ibën Haxheri në “Et Telhis el Habir” (2/ 206), ka përcjellë nga Ibën ebi Hatim se ky e ka refuzuar këtë hadith të Abdurrahmanit.

Më hollësisht për dobësinë e këtij hadithi ka folur profesori ynë, el Albani në “el Irva” (nr: 934).

Ndërsa fjala në “Silsileti el Ehadithe ed Daife” (2/137), se shejhu e ka konsideruar të mirë këtë hadith, ai më pas është kthyer nga ajo fjalë (dhe e ka konsideruar të dobët hadithin).[12] Ndaj përqendrohu!

Përfundimi është se nuk është përcjellë ndonjë hadith i saktë i ngritur tek i Dërguari (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!), me sa dimë ne, as për agjërimin e ditëve të kaluara nga Ramazani, të ndara dhe as të ngjitura me njëra-tjetrën. Por ajo që është me e afërt dhe më e lehta është lejimi i të dyjave. Kjo është edhe fjala e Imamit të ehli Sunnetit, Ahmed Ibën Hambelit (Allahu e mëshiroftë!). Siç transmeton Ebu Davudi në “Mesail”, (faqe 95): Kam dëgjuar Ahmedin kur u pyet për kompensimin e Ramazanit, ai tha: “Nëse dëshiron, t’i agjërojë ditët e mbetura njëra pas tjetrës dhe nëse dëshiron, t’i ndajë.” E Allahu e di më së miri.

Kështu, lejimi i shkëputjes nuk e mohon bashkimin.

3. Dijetarët janë të një mendimi se kush vdes dhe ka lënë namaze pa falur, përgjegjësi i tij nuk ia kompenson ato e as dikush tjetër. Po kështu, kush nuk ka mundësi të agjërojë, nuk agjëron për të askush gjatë jetës së tij, por ushqen për çdo ditë nga një të varfër, ashtu siç ka bërë edhe Enes ibën Maliku, në etherin-fjalën e tij, që kemi përmendur më parë.

Ndërsa kush vdes dhe ka agjërim të zotuar pa kryer, agjëron përgjegjësi për të, duke u bazuar në fjalën e Muhamedit (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!): “Kush vdes dhe ka pasur agjërim për të kompensuar, le të agjërojë përgjegjësi i tij për të.”[13]

Ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) thotë: “Një burrë erdhi tek i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe e pyeti: O i Dërguari i Allahut! Nëna ime vdiq dhe i ka mbetur një muaj pa agjëruar (pa e kompensuar), a të kompensoj për të?

– Po. Borxhi i Allahut është më i parë që të kthehet.[14]

Këto hadithe të përgjithshme janë të qarta në ligjshmërinë e agjërimit të përgjegjësit (apo të afërmit) të të vdekurit, të gjitha llojet e agjërimit. Këtë mendim kanë edhe disa nga shafiitë, gjithashtu edhe Ibën Hazmi (7/2,8).

Mirpo këto hadithe janë prej llojit të përgjithshëm që janë ndeshur me përjashtimet dhe veçimet. Kështu që, nuk agjëron përgjegjësi për të vdekurin, veçse agjërimin e zotuar. Kjo është fjala e Ahmedit, siç thuhet në “Mesail Imam Ahmed” nga transmetimi i Ebi Davudit (faqe 96), ku thotë: “Kam dëgjuar Ahmed ibën Hambelin duke thënë: Nuk agjërohet për të vdekurin veçse në rast zotimi. Ebu Davudi thotë: I kam thënë Ahmedit: Po muaji i Ramazanit? Ai tha: “Për të duhet të ushqejë të varfërit në vend të të vdekurit.”

Kjo e fundit është fjalë tek e cila të qetësohet shpirti, të hapet zemra dhe të freskohet gjoksi, pasi që atë e përkrah gjithashtu edhe shpirti i argumentit, sepse kështu aktivizohen të gjitha hadithet e përcjella në këtë temë, pa kthyer asnjë prej tyre, e veçanërisht me kuptimin e hadithit të parë, ku Aisheja (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) nuk ka kuptuar nga përgjithësimi i hadithit, futjen e agjërimit të Ramazanit dhe agjërimeve të tjera në të, por ajo shkoi te ushqimi, megjithëse vetë ajo e ka transmetuar hadithin e kompensimit. Argument për këtë është transmetimi i Amrete, se nëna e saj kishte vdekur dhe i kishin mbetur pa agjëruar disa ditë nga Ramazani. Kjo i tha Aishes: A t’i kompensoj ato ditë për të? Aisha i tha: Jo, por jep lëmoshë për të, për çdo ditë nga gjysmë tasi për çdo të varfër.”

Këtë hadith e transmeton et Tahaviju në “Mushkil el Athar” (3/142) dhe Ibën Hazmi në “el Muhala” (7/4) me zinxhir të saktë.

Dhe siç dihet, transmetuesi i hadithit është më i dituri për atë që ka transmetuar.

Në këtë dallim ka shkuar edhe boja e umetit (më i dituri i umetit), Ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) i cili thotë: “Nëse dikush sëmuret në Ramazan, pastaj vdes dhe nuk agjëron, për të jepet ushqim dhe nuk ka kompensim për të, e nëse ka qenë agjërim zotimi, atëherë agjëron për të përgjegjësi i tij.” Këtë e transmeton Ebu Davudi me zinxhir të saktë dhe Ibën Hazmi në “el Muhala” (7/7), i cili thotë se zinxhiri i transmetuesëve të tij është i saktë.

Dhe është e ditur se Ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) është transmetuesi i hadithit të dytë, aq më tepër kur ai transmeton një hadith ku thuhet se përgjegjësi agjëron për të vdekurin për agjërim zotimi, ku thuhet se: “Sead ibën Ubadetu (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) pyeti të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!): Nëna ime ka vdekur dhe ka pas agjërim zotimi (a të agjëroj në vend të saj)? Ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: “Kompensoje atë në vend të saj.” E transmeton Buhariu, Muslimi, etj.

Ky sqarim është në përputhje me parimet e sheriatit dhe bazat e tij, siç e ka sqaruar edhe Ibën Kajjimi në “Ilamul el Muvekiin”, madje e ka zgjatur sqarimin edhe vërtetimin e kësaj në “Tehdhib suneni Ebu Davud” (3/279-282), kështu që kthehu tek ato, sepse janë të rëndësishme.

4. Kush vdes duke pas agjërim zotimi pa kryer, pastaj në vend të tij agjërojnë disa burra, sa numri i ditëve të zotuara për agjërim, kjo është e lejuar.

El Hasen thotë: “Nëse për të agjërojnë tridhjetë burra, secili nga një ditë, kjo lejohet.”[15]

Ndërsa për të ushqyerit, nëse përgjegjësi i të vdekurit mbledh aq të varfër sa ditë ka për të agjëruar dhe i ngop ata, kjo është gjithashtu e lejuar, madje kështu ka vepruar edhe Enes ibën Malik (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!).

17. Shlyerja e agjërimit të prishur

1. Përmendem më herët hadithin e Ebu Hurejrës për atë burrin i cili erdhi tek i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) pasi kishte bërë marrëdhënie me gruan e tij në ditë Ramazani, se ai kishte obligim kompensimin e asaj dite dhe shlyerjen e fajit të bërë, e cila ishte me lirimin e një robi, e nëse nuk gjen, atëherë duhet të agjërosh dy muaj pa ndërprerë, e nëse nuk mundesh, atëherë duhet të ushqesh gjashtëdhjetë të varfër.

Thuhet gjithashtu se shlyerja për kryerjen e marrëdhënieve seksuale në ditë Ramazani bëhet duke zgjedhur një prej tri dënimeve, jo sipas rradhës, mirëpo ata që transmetojnë rradhitjen janë më të shumtë dhe transmetimi i tyre është më argumentues, për faktin se janë më shumë në numër dhe se kanë me vete edhe më shumë dituri. Ata kanë rënë dakord se prishja e agjërimit ishte për shkak të marrdhënieve ditën, gjë e cila nuk është prekur në transmetimet e tjera, dhe kush di diçka më shumë paraprihet mbi atë që e injoron atë.

Ajo që e bën edhe më të fortë rradhitjen është gjithashtu fakti se kjo është më e sigurtë, pasi që nëse ecim sipas asaj, ne jemi në rregull, e aprovuam apo jo përzgjedhjen në këtë pikë, ndërsa e anasjellta nuk është kështu.

2. Ai që ka obligim shlyerjen e fajit që ka bërë në ditë Ramazani, por nuk mundet të lirojë një rob, as të agjërojë dhe as të ushqejë të varfërit, atëherë kjo shlyerje rrëzohet nga ai, pasi që nuk mund të ketë detyrim pa pasur mundësi kryerje.

Allahu i Lartësuar thotë: “Allahu nuk ngarkon askë përtej mundësive të veta.” [El Bekare: 186].

Po kështu edhe vepra e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) argumenton për këtë, kur ai e rrëzoi shlyerjen e mëkatit nga ai që kreu marrëdhënie në ditë Ramazani, kur mësoi se ai ishte i varfër, madje i dha atij koshin me hurma që të ushqente me to familjen e tij.

3. Gruaja nuk ka për detyrë të shlyejë gjë në këtë rast, pasi që i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) u njoftua për veprën e bërë mes burrit dhe gruas së tij dhe nuk e ngarkoi veçse me një shpagim, e Allahu e di më së miri.

18. Shpagimi për atë që nuk mund të agjërojë

1. Nëse gruaja shtatzënë dhe gruaja gjidhënëse frikësohen për veten apo për foshnjen e tyre, atëherë atyre u lejohet të mos agjërojnë por të ushqejnë për çdo ditë nga një të varfër. Argument për këtë nga Kurani është Fjala e Allahut: “Ndërsa përsa u përket atyre të cilët e kanë të vështirë agjërimin, ata kanë të drejtë zgjedhje: ose të agjërojnë, ose të ushqejnë një të varfër për çdo ditë…” [El Bekare: 184].

Pika e argumentimit është se ky ajet është i posaçëm për plakun e moshuar, gruan e vjetër, të sëmurin i cili nuk ka shërim, shtatëzënën dhe gjidhënësen nëse frikësohen për vetën apo për foshnjen e tyre, siç do të vijë sqarimi i kësaj nga Ibën Abasi dhe Ibën Umeri (Allahu qoftë i knaqur prej tyre!).

2. E mësove, vëlla në besim, nga ajo që kaloi se ky ajet është abroguar nga hadithi i Abdullah ibën Umerit dhe nga hadithi i Seleme ibën el Ekvea (Allahu qoftë i knaqur me ta!), por është përcjellë gjithashtu nga Ibën Abasi se ky ajet nuk është i abroguar, por ai është i veçantë për të moshuarin e të moshuarën të cilët nuk munden të agjërojnë, kështu që ata duhet të ushqejnë për çdo ditë nga një të varfër.[16]

Nga kjo mund të mendohet se Ibën Abasi ka kundërshtuar Sahabët e tjerë, apo se ai ka kundërthënie në vetvete, veçanërisht kur sheh se ai ka shprehur qartë se ky ajet është i abroguar, në një hadith tjetër nga ai, ku thuhet: “Është lehtësuar për plakun dhe plakën e moshuar, të cilët nuk kanë mundësi të agjërojnë, që të mos agjërojnë por të ushqejnë për çdo ditë nga një të varfër, pa kompensuar më pas. Por më pas kjo gjë është abroguar me ajetin: “Kushdo që e përjeton prej jush këtë muaj, le të agjërojë.” [El Bekare: 185]

Ndërsa për plakun dhe plakën e moshuar është përcjellë hadith i saktë se nëse janë nga ata që nuk kanë mundësi agjërimin, gjithashtu edhe gruaja shtatëzënë dhe gjidhënësja, nëse friksohen, atëherë e prishin agjërimin dhe ushqejnë për çdo ditë nga një të varfër.”[17]

Këta kanë vështruar sipërfaqësishtë transmetimin e mëparshëm të Buhariut, i cili flet qartë për mohimin e abrogimit të këtij ajeti, kështu që menduan se Ibën Abasi ka kundërshtuar sahabet e tjerë. Pastaj, kur u ndeshën me transmetimin tjetër të tij që flet qartë për abrogimin e këtij ajeti, thanë se ai ka kundërthënie në vetvete!!

3. Por e vërteta, në të cilën nuk ka dyshim, është se ky ajet është i abroguar, mirëpo me kuptimin e të hershmëve të abrogimit. Të parët tanë të sinqertë e përdornin fjalën “abrogim” për ngritjen e domethënies së ajetit të përgjithshëm, apo të pakufizuar, ndonjëherë dhe me përjashtimin që i futet të përgjithshmit apo me komentimin e tij sipas një ajeti tjetër të kufizuar, apo sqarimin e tij. Madje ata përjashtimin, kushtin dhe cilësinë e quajnë “abrogim”, për atë se kjo përmban ngritje të domethënies së kuptimit sipërfaqësor dhe sqarimin e tij. Kështu, abrogimi tek ata ka qenë sqarimi i asaj që është për qëllim me tekstin, por me shprehje të tjera, madje me diçka tjetër jashtë vetë teksit.

Kushdo që mediton në fjalët e tyre, sheh shumë nga ky lloj dhe si rrjedhojë, largohen të gjitha problemet që kanë dalë për shkak të kuptimit të fjalëve të tyre sipas termave që përdorin këta të mëvonshmit, sipas të cilëve, abrogimi është ngritja e një gjykimi të mëparshëm të sheriatit me një gjykim tjetër të mëvonshëm, në lidhje me të ngarkuarit me ligjet e sheriatit.

4. Këtë e përkrah edhe fakti se ajeti në fjalë është i përgjithshëm për të gjithë të ngarkuarit, dhe ai përfshin ata që munden dhe ata që nuk munden të agjërojnë.

Ndërsa argumenti për këtë nga suneti është hadithi që transmeton Muslimi; nga Seleme ibën el Ekvea (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), i cili ka thënë: “Në kohën e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!), në Ramazan, kush donte agjëronte e kush donte e prishte dhe ushqente një të varfër, derisa zbriti ky ajet: “Kushdo që e përjeton prej jush këtë muaj, le të agjërojë.”

Ndoshta mundet me qenë objekt luhatje hadithi i Ibën Abasit i cili shpreh qartë se ky ajet është abroguar, ku thotë se lehtësimi ka qenë për të moshuarin dhe të moshuarën të cilët nuk kanë mundësi të agjërojnë. Por ky pështjellim bie poshte nëse të qartësohet se kjo ka qenë me qëllim argumentimi dhe jo kufizimi vetëm për të moshuarit.

Argument për këtë të kuptuar është i njëjti hadith, pasi që, sikur lehtësimi të kishte qenë vetëm për të moshuarin e të moshuarën, pastaj u abrogua dhe mbeti përsëri vetëm për të moshuarin e të moshuarën, atëherë ç’kuptim do të kishte ky lehtësim i aprovuar dhe pastaj i abroguar, nëse kjo nuk do të kishte qenë për argumentim dhe jo për kufizim?

Nëse të është qartësuar kjo dhe je bindur për të, atëherë do të shohësh se kuptimi i ajetit është abroguar për sa i përket atyre që kanë mundësi të agjërojnë, por ai nuk është i abroguar për ata që nuk kanë mundësi të agjërojnë. Gjykimi i parë (në lidhje me ata që kanë mundësi të agjërojnë) është abroguar me vetë ajetin e Kuranit të mëpasshëm, ndërsa gjykimi i dytë është aprovuar me argumentimin e sunetit dhe nuk ka për t’u abroguar deri në Ditën e Kijametit.

Këtë e përforcon edhe ajo çka u përmend nga Ibën Abasi në transmetimin ku shpreh qartë abrogimin e ajetit, pastaj thotë: “Pastaj është aprovuar ky gjykim për të moshuarin dhe të moshuarën nëse janë nga ata që nuk kanë mundësi agjërimi, gjithashtu edhe për gruan shtatëzëne dhe gruan gjidhënëse nëse frikësohen. Këta e çelin agjërimin dhe ushqejnë për çdo ditë nga një të varfër.”

Qartësimi i kësaj shtohet edhe më shumë me hadithin e Muadh ibën Xhebel (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) i cili thotë: “Sa i përket fazave të agjërimit, në fillim kur i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) erdhi në Medine, filloi të agjëronte tri ditë nga çdo muaj, pastaj ditën e Ashureve, pastaj Allahu bëri obligim agjërimin dhe zbriti Fjalën e Tij: “O ju që besuat! Agjërimi u është bërë obligim sikurse që ishte obligim për ata para jush…” Pastaj Allahu zbriti ajetin e tjetër: “Muaji i Ramazanit, në të cilin u shpall (filloi të shpallet) Kurani…” [El Bekare: 185]

Kështu, Allahu e caktoi agjërimin e Ramazanit për atë që është vendas dhe i shëndosh fizikisht, ndërsa për udhëtarin dhe të sëmurin Ai dha lehtësim, ndërsa për të moshuarin i cili nuk mundet të agjërojë, caktoi ushqyerjen e një të varfëri.”[18]

Këto dy hadithe janë bindëse në qartësimin se ajeti është i abroguar përsa u përket atyre që kanë mundësi agjërimi dhe nuk është i abroguar përsa u përket atyre që nuk kanë mundësi agjërimi, d.m.th. ajeti është bërë i posaçëm.

Prej këtu, Ibën Abasi është në pajtim me mendimin e Sahabëve të tjerë dhe hadithi i tij është në pajtim me hadithin e Abdullah ibën Umerit dhe të Seleme ibën el Ekva (Allahu qoftë i knaqur me ta!).

Po kështu, ai nuk ka kundërthënie në vetvete, pasi që fjalën e tij: “Nuk është i abroguar” e sqaron fjala e tij: “Është i abroguar”, d.m.th: ky ajet është bërë i posaçëm.

Prej këtu, na bëhet e qartë se abrogimi në të kuptuarit e sahabeve është i barabartë me posaçmërinë dhe kufizimin në të kuptuarit e dijetarëve të mëvonshëm të bazave të fikhut (usuli fikhut).

Këtë gjë e ka prekur edhe Kurtubiu (Allahu e mëshiroftë!), në ” Tefsirin e tij”.[19]

5. Ndoshta, vëlla musliman, po mendon se ajo që u transmetua nga Ibën Abasi dhe Muadhi ishte thjesht mendim apo ixhtihad i tyre, dhe se ajo nuk mund të ngrihet deri në rangun e hadithit të ngrituar te i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!), i cili vetëm ai mund ta bëjë të posaçëm ajetin e përgjithshëm, apo ta kufizojë ajetin e pakufizuar. Përgjigja për këtë është si vijon:

a) Në të vërtet, këto dy hadithe marrin gjykimin e hadithit të ngritur, me pëlqimin e të gjithë dijetarve të hadithit të Muhamedit (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe nuk i lejohet asnjë muslimani i cili e do Allahun dhe të Dërguarin e Tij, që t’i kundërshtojë ata, nëse i vërtetohen atij pasi që ato hadithe kanë ardhur si sqarim i cili ka të bëjë me shkakun e zbritjes së ajetit; d.m.th. këta dy sahabe të cilët kanë prezentuar në zbritjen e Shpalljes, kanë treguar se ky ajet Kurani ka zbritur për këtë gjë. Dhe hadithet në fjalë janë të lidhura dhe të ngritura te i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!), pa pikë dyshimi.[20]

b) Ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) e dha këtë gjykim edhe për gruan zhtatëzënë dhe gjidhënësen, e nga e ka marë këtë gjykim ai? S’ka dyshim se nga Suneti, e posaçërisht se ai nuk është veçuar me këtë gjë, por atë e ka përkrahur edhe Abdullah ibën Umeri, i cili transmeton gjithashtu se ky ajet është i abroguar.

Transmetohet nga Maliku; nga Nafiu, se Ibën Umeri është pyetur për atë grua e cila është shtatëzënë dhe friksohet për foshnjën e saj, e ai ka thënë: “T’a çelë agjërimin dhe të ushqejë për çdo ditë nga një të varfër, një grusht grurë.”[21]

Transmeton Darakutni (1/207); nga Ibën Umeri, dhe e ka konsideruar të saktë, se ai ka thënë: “Se gruaja e tij e ka pyetur atë kur ishte shtatëzënë, dhe ai i tha: “Prishe dhe ushqe për çdo ditë nga një të varfër, dhe mos e kompenso me agjërim më pas.” Senedi i tij është i mirë.

Ndërsa nga një rrugë e tretë nga Ibën Umeri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) është përcjellë se: “Një vajzë e tij ishte nën kurorën e një burri nga Kurejshët. Ajo ishte shtatëzënë dhe e mori etja në Ramazan. Ibën Umeri e urdhëroi atë që ta prishte agjërimin dhe të ushqente për çdo ditë nga një të varfër.”

c) Nuk ka ndonjë kundërshtues të Ibën Abasit prej Sahabeve.

6. Ky qartësim sqaron rrëzimin e agjërimit për zhtatëzënën dhe gjidhënësen të cilat u përmenden në hadithin e Enes Ibën Malik el Keabiju, që kaloi më herët dhe që është i kushtëzuar me frikën për veten apo për foshnjen e saj, dhe se ajo ka për detyrë pagesën e jo kopensimin.

Transmeton Darakutni me zinxhir të cilin e ka quajtur të saktë (1/207), nga Ibën Abasi, se ai ka parë nënën e fëmijës së tij e cila ishte zhtatëzënë, apo me fëmijë në gji, dhe i tha: “Ti je nga ato që nuk kanë mundësi të agjërojnë, ndaj për ty është pagesa e jo kopensimi”.

7. Kush pretendon se gjendja e agjërimit të shtatëzënës dhe gjidhënëses është si gjendja e agjërimit të udhëtarit, pastaj i bashkon ato në kompensimin e agjërimit, fjala e tij është e refuzuar, sepse Kurani e ka qartësuar kuptimin e rënies së agjërimit për udhëtarin: “Kush është i sëmurë ose në udhëtim, le të agjërojë aq ditë nga ditët e mëvonshme.”

Gjithashtu ka qartësuar edhe domethënien e rënies së tij nga ata që nuk kanë mundësi të agjërojnë, ku thotë: “E sa u përket atyre të cilët e kanë të vështirë agjërimin, ata duhet të ushqejnë një të varfër për çdo ditë…” [El Bekare: 184].

E tashmë të është bërë e qartë se shtatëzëna dhe gjidhënësja përfshihen në këtë ajet, madje ai është i posaçëm për to.

 

19. Nata e Kadrit

Vijon …

___________________________________________

[1] Transmeton Buhariu (4/135) dhe Muslimi (1155).

[2] Transmeton et Tahavi në ” Sherh Meani el Athar” (2/56), el Hakim (2/198), Ibën Hazmi në “el Ihkam” (5/149) dhe Darakutni (4/171); nga dy rrugë transmetimi; nga El Evzai; nga Ata ibën Ebi Rrebah; nga Ubejd ibën Umerj; nga Ibën Abasi. Senedi i tij është i saktë.

[3] Transmeton Ebu Davudi (2/310), Tirmidhiu (3/79), Ibën Maxhe (1/536) dhe Ahmedi (2/498); ngaHisham ibën Hasan; nga Muhamed ibën Sirini; nga Ebi Hurejra. Senedi i tij është i saktë, siç ka thënë dijetari i Islamit Ibën Tejmije në “Hakikatu es Sijam” (faqe 14).

[4] Transmeton Muslim (79) dhe (80); nga Ibën Omeri dhe nga Ebu Hurejra.

[5] Harurij është banori i Haruras, vend dy milje larg Kufës. Por përdoret gjithashtu emërtimi “haruri” për atë që ka bindje të havarixhëve, pasi që grupacioni i parë që ngriti krye kundër Aliut (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) ka qenë prej tyre, kështu që u emërtuan me atë emër.

Këtë e ka thënë El Hafidh në “el Fet’h” (4/424).

Këta Haruritë e obligojnë femrën që është me menstruacione, që kur të pastrohet, t’i kompensojë namazet që i kanë kaluar gjatë kohës kur ka qenë në atë gjendje, ndaj u friksua Aisheja se mos Muadhja e kishte marrë këtë pyetje nga havarixhët, të cilët e kishin zakon që t’i kundërshtonin sunetet me mendjet e tyre. Edhe në kohën tonë kemi shumë prej këtyre!!

[6] Transmeton Buhariu (4/429) dhe Muslimi (335).

[7] Shih: “Hakikatu es Sijam” (faqe 55), të shejh Islam, Ibën Tejmije.

[8] Ky hadith është transmetuar me shprehje të shumta nga Buhariu (11/516), Muslimi (1111), Tirmidhiu, (724), el Bugavi (6/288), Ebi Davudi (2390), Ed Darimij (2/11), Ibën maxhe (1671), Ibën ebi Shejbe (2/183-184), Ibën Huzejme (3/216), Ibën Xharud (139), imam Shafiu (299), Maliku (1/297) dhe Abdurazaku (4/196). Shumica e tyre e kanë transmetuar me zinxhir të lidhur deri te i Dërguari, e disa prej tyre e kanë transmetuar mursel.

Disa e kanë parë të saktë shtesën: “Kompenso një ditë tjetër në vend të saj.” Atë e ka saktësuar edhe el Hafidh ibën Haxher në “el Fet’h” (11/516) , dhe ajo është ashtu siç ka thënë ai.

[9] Transmeton Buhariu (4/166) dhe Muslimi (1146).

[10] E ka shënuar Buhariu në tealikatet e tij (4/189), ndërsa Abdurrazaku, Darakutni dhe Ibën Ebi Shejbe e kanë transmetuar të lidhur me zinxhir të saktë. Shih: “Taglik et Talik” (3/186).

[11] Kthehu tek “Irvail Galil” (4/95).

[12] Për sqarimin më të plotë të kësaj çështjeje e kemi pyetur personalisht shejhun tonë, gojarisht dhe ai përmendi njësoj si fjalët që kemi shënuar më sipër, uel hamdu lilah.

[13] Transmeton Buhariu (4/168) dhe Muslimi (1147).

[14] Transmeton Buhariu (4/169) dhe Muslimi (1148).

[15] E ka nxjerrë Buhariu (4/112), por në shënimet e tij, ndërsa Darakutni e ka transmetuar të lidhur në librin “Kitabul Mudebexh”. Senedin e këtij hadithi, shejhu ynë, el Albani, e ka saktësuar në “Muhtasar Sahih el Buhari” (1/58).

[16] Transmeton Buhariu (8/135).

[17] Transmeton Ibën El Xharud (381), El Bejhakiu (4/230) dhe Ebu Davudi (2318), me zinxhir të saktë.

[18] Transmeton Ebu Davudi në “Sunnenet e tij” (507), el Bejhakiu në “Sunenet e tij” (4/200) dhe Ahmedi në “Musnedin e tij” (5/246-247).

Zinxhiri i tij është i vërtetë.

[19] I titulluar “El Xhamiu Li Ehkam el Kuran” (2/288).

[20] Shih: “Tedrib er Ravi” (1/192-193), të Sujutit dhe “Ulum el Hadith” (faqe 24), të Ibën Salah.

[21] Transmeton el Bejhakiu në “Sunnenin e tij” (4/230); nga transmetimi i imam Shafiut. Senedi i tij është i saktë.