Çfarë gjërave duhet t’u largohet agjëruesi?

Gjërat që lejohen për agjëruesin

Allahu dëshiron lehtësim për ju, e nuk dëshiron vështirësim

 

Nga Libri: Agjërimi i Muhamedit (Salallahu alejhi ue selem) në Ramazan

Autor: Selim el Hilali & Ali el Halebi
Përktheu: Unejs Murati
Recensoi: Bledar Albani

 

11. Çfarë gjërave duhet t’u largohet agjëruesi

Dije, o ti që të është dhënë mundësia për bindje ndaj Allahut të Madhëruar, se agjërues është ai i cili i ndal gjymtyrët nga mëkatet, gjuhën nga gënjeshtrat, fjalët e ndyta dhe dëshmia e rreme, barkun nga ngrënia e pirja, organin gjenital nga marrëdhëniet intime. Nëse flet, nuk flet me diçka që e lëndon agjërimin e tij, e nëse vepron diçka, nuk vepron diçka që e prish agjërimin. Përkundrazi, fjala e tij del e ëmbël dhe vepra e tij e mirë dhe e mbarë.

Ky është agjërimi i ligjshëm, e jo thjesht të ndalurit nga ngrënia, pirja e epshet. Por agjërimi është agjërim i gjymtyrëve nga mëkatet, agjërim i barkut nga ngrënia e pirja. Ashtu sikur ushqimi dhe pirja e prishin atë, po kështu edhe mëkatet presin shpërblimin dhe prishin frytet e tij, duke shkuar me të në rangun e atij që nuk ka agjëruar.

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e ka nxitur muslimanin agjërues që të mveshet me moral të lartë e të mirë, dhe të largohet nga fjalët e ndyta, të ulëta e të pamoralshme, gjëra të cilat edhe pse muslimani është i obliguar që të largohet prej tyre në çdo kohë, por ndalesa për to është shumë më e rreptë gjatë kryerjes së obligimit të agjërimit.

Kështu, është obligim mbi çdo musliman agjërues që të largohet nga këto vepra të cilat e cënojnë agjërimin e tij, me qëllim që të ketë dobi nga agjërimi dhe të arrijë devotshmërinë për të cilën ka folur Allahu në Fjalën e Tij: “O ju që besuat! Agjërimi u është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm.” [el Bekare: 183].

Kjo sepse agjërimi është mjet lidhës që të shpie te devotshmëria, pasi që ai e mbron veten (njeriun) nga dëshirat e tij që janë mëkate. I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) thotë: “Agjërimi është mburojë”[1], gjë të cilën e sqaruam në kapitullin për dobitë e agjërimit.

Më poshtë po paraqesim disa vepra të urryera, të cilat duhet të njihen me qëllim që t’i refuzosh dhe të mos bieshë në to, ashtu siç thotë edhe poeti:

E mësova të keqen jo për t’a vepruar atë,

por që të ruhem prej saj.

E kush nuk e dallon të mirën nga e keqja,

ai bie në të!

1. Dëshmia e rreme:

Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) transmeton se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Kushdo që nuk e lë dëshminë e rreme dhe të vepruarit me të, Allahu s’ka nevojë që ai ta lërë ngrënien dhe pirjen e tij.”[2]

2. Fjalët e kota dhe të turpshme:

Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) transmeton se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Agjërimi nuk është të ndaluarit nga të ngrënit e të pirit, por ai është të ndaluarit nga fjalët e kota e të turpshme. Nëse dikush të shan apo të ngacmon (të sulmon), ti thuaj: Unë jam agjërueshëm. Unë jam agjërueshëm.”[3]

Pikërisht për këtë shkak ka ardhur edhe kërcënimi i ashpër nga i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) për atë që vepron këto vepra të këqia, siç thotë i sinqerti i cili nuk flet nga vetja e tij: “Ndodh që ndonjë agjërues të mos arrijë nga agjërimi i tij veçse uri dhe etje.”[4]

Shkak për këtë është fakti se ai që e vepron kështu, ai nuk e percepton realitetin e të agjëruarit për të cilin Allahu na ka urdhëruar, kështu që Allahu e ndëshkon atë duke ia bërë haram atij shpërblimin dhe sevapet.[5]

Për këtë shkak, dijetarët tanë prej selefëve të sinqertë, kanë bërë dallim ndërmjet të qënurit e ndalimit në atë kuptim të veçantë në lidhje me adhurimin, duke shkaktuar prishjen e atij adhurimi, dhe ndërmjet të mos qenurit e tij në atë kuptim, duke mos e prishur kështu adhurimin.[6]

 

12. Gjërat që lejohen për agjëruesin

Asnjë rob i bindur Allahut, i cili e kupton Kuranin dhe sunetin, nuk dyshon në faktin se Allahu do të mirën dhe të lehtën për robët e Tij dhe nuk do të vështirën për ata.

Prej këtu, Ligjvënësi më i Urtë i ka lejuar agjëruesit disa gjëra, duke e i zhveshur ato nga gjynahu (që nuk janë gjynah të veprohen). Këto gjëra po i paraqesim më poshtë me argumentet e tyre:

1. Agjëruesi mund të gdhihet i papastër-xhunub

Ka pasur raste kur i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) është gdhirë i papastër-xhunub nga marrëdhëniet intime që ka pasur me gratë e tij, pastaj ka marrë gusël pas agimit dhe ka agjëruar.

Aisheja dhe Umu Selemete (Allahu qoftë i kënaqur prej tyre!) transmetojnë se: “Kishte raste që të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e zinte sabahu duke qenë xhunub nga marrëdhëniet që kishte me gruan e tij, pastaj lahej dhe agjëronte.”[7]

2. Agjëruesit i lejohet të përdorë misvakun

Muhamedi (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) thotë: “Sikur mos të mos e rëndoja ummetin tim, do t’a urdhëroja atë që të përdorte misvakun në çdo avbes.”[8]

Në këtë hadith, i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) nuk e ka veçuar agjëruesin nga të tjerët, dhe ky është argument se misvaku përdoret si nga agjëruesi edhe nga të tjerët, në çdo avdes dhe në çdo namaz.[9]

Gjithashtu, ky hadith është i përgjithshëm për çdo kohë; para mesditës apo pas saj, e Allahu e di më së miri.

3. Shpëlarja e gojës dhe hundës

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e shpëlante gojën dhe hundën duke qenë agjërueshëm, mirëpo ai e ka ndaluar agjëruesin nga të tepruarit në këtë.

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) thotë: “… dhe thithe mirë ujin me hundë, vetëm nëse je agjërueshëm.”[10]

4. Përqafimi dhe puthja e agjëruesit gruan e tij

Aisheja (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) transmeto se: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e puthte gruan duke qenë agjërueshëm, si dhe e përqafonte atë duke qenë agjërueshëm, por ai ka qenë më i përmbajtur se ju në epshet e tij.”[11]

Por kjo gjë nuk është e preferuar për të riun, ndryshe nga i kaluari në moshë.

Abdullah ibën Amër ibën Asi transmeton duke thënë: “Ndërsa ishim tek i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!), aty erdhi një djalë i ri dhe tha: O i Dërguari i Allahut! A më lejohet ta puth gruan duke qenë agjërueshëm? Ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: “Jo”. Pastaj erdhi një i moshuar dhe tha: A më lejohet ta puth gruan duke qenë agjërueshëm? I tha “Po”. Atëherë ne po shihnin njëri-tjetrin me habi, ndërsa i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: “I moshuari e sundon veten e tij.”[12]

5. Analizat e gjakut dhe injeksionet joushqyese

Këto nuk janë prej gjërave që e prishin agjërimin.

Për këtë do të flasim më pas në mënyrë të shtjelluar.

6. Hixhamja

Hixhamja, apo nxjerja e gjakut me kupa ka qenë prej gjërave që e prishnin agjërimin, por më pas kjo u abrogua, pasi që është vërtetuar se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka bërë hixhamen duke qenë agjërueshëm, siç është transmetuar nga Ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka bërë hixhamen duke qenë agjërueshëm.”[13]

7. Të provuarit apo të shijuarit e ushqimit

Por kjo është e kushtëzuar me mosfutjen e tij në fyt, duke u bazuar në transmetimin e Ibën Abasit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) ku thuhet: “Nuk ka problem për agjëruesin nëse shijon uthullën apo diçka tjetër, por pa e futur deri në fyt.”[14]

8. Lyerja e syve, futja e pikave të ilaçit në to, apo të ngjashme me to nga gjërat që hyjnë në sy.

Këto gjëra nuk e prishin agjërimin, pa marrë parasysh se a shijon diçka në fyt apo jo. Ky është mendimi që ka zgjedhur edhe dijetari i Islamit, Ibën Tejmije, në librin e tij “E vërteta e agjërimit”, si dhe dhe nxënësi i tij, Ibën Kajjim el Xhevzije, në librin e tij “Zadul Mead”.

Ndërsa imam Buhariu, në “Sahihun” e tij thotë: “Enesi, el Haseni dhe Ibrahimi nuk shihnin ndonjë problem për agjëruesin nga lyrja e syve me kohël.”

9. Hedhja e ujit të ftohtë mbi kokë dhe bërja banjo

El Buhari në “Sahihin” e tij[15] thotë: “Tema: Bërja banjo për agjëruesin”. Pastaj thotë: Ibën Umeri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) njomi një rrobë me ujë dhe e hodhi mbi kokë (a mbi shpinë) duke qenë se ishte agjërueshëm. Po kështu edhe Sheabiu ka hyrë dhe ka bërë banjo duke qenë agjërueshëm. Ndërsa el Haseni ka thënë: Nuk ka problem për agjëruesin që të fusë ujë në gojë gjatë avdesit apo që të freskohet.”

Madje edhe vetë i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka pas hedhur ujë mbi kokën e tij nga etja apo nga vapa, duke qenë agjërueshëm.”[16]

 

13. Allahu dëshiron lehtësim për ju, e nuk dëshiron vështirësim

1. Udhëtari

Janë transmetuar hadithe të sakta ku udhëtarit i është dhënë të zgjedhë nëse dëshiron të agjërojë apo jo, pa harruar se kjo Mëshirë e Allahut është përmendur gjithashtu në Librin e Famëlartë, ku i Gjithëmëshirëshmi, Mëshirëploti thotë: “E kush është i sëmurë ose në udhëtim, le të agjërojë aq ditë nga ditët e mëvonshme. Allahu me këtë dëshiron lehtësim për ju, e nuk dëshiron vështërsim për ju.” [El Bekare: 185].

Hamza ibën Amër el Eslemi, i cili agjëronte vazhdimisht, e pyeti të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!): “A të agjëroj kur jam në udhëtim?” I Dërguari (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i tha: “Nëse do, agjëro e nëse do, çele (mos agjëro).”[17]

Enes ibën Malik (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) ka thënë: “Unë isha duke udhëtuar me të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) gjatë Ramazanit, dhe ata që agjëronin nuk i fajësonin ata që nuk agjëronin, dhe as ata që nuk agjëronin nuk i fajësonin ata që agjëronin”.[18]

Hadithet i mësipërme argumentojnë për përzgjedhjen e agjërimit apo lënies së tij nga udhëtari dhe nuk argumentojnë për preferencën e ndonjërës prej të dyjave. Mirëpo, prej hadithit vijues ne mund të deduktojmë se është më mirë që gjatë udhëtimit të mos agjërohet. I Dërguari (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Vërtet, Allahu dëshiron që të kryhen lehtësimet e Tij, ashtu siç urren të kryhen mëkatet ndaj Tij.”[19]

Ndërsa në një transmetin tjetër thuhet: “…ashtu siç dëshiron vendosmërinë në kryerjen e urdhërave të Tij.”[20]

Por kjo mund kufizohet në atë person i cili nuk gjen veshtirësi në agjërim, me qëllim që të mos kthehet lehtësimi për të pa u vërtetuar qëllimi i tij (i lehtësimit). Këtë gjë e ka qartësuar me një qartësim që nuk lë vend për dyshim, ajo që është transmetuar nga Ebu Seid el Hudri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), i cili thotë: “Ata (sahabet) shihnin; nëse ndjeheshin të fortë për të agjëruar, ashtu bënin, e nëse ndjeheshin të dobët, nuk agjëronin dhe që të dyja ishin të mira.”[21]

Dije, vëlla në besim, Allahu të drejtoftë në rrugën e udhëzimit dhe sinqeritetit dhe të furnizoftë me dituri në fe, se agjërimi në udhëtim nëse është vështërsi për udhëtarin, kjo nuk është nga mirësia assesi, por prishja është më primare dhe më e dashur tek Allahu. Argument për këtë kemi atë që është transmetuar nga disa prej Sahabeve (Allahu qoftë i kënaqur prej tyre!) se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Agjërimi në udhëtim nuk është nga mirësia (nga vepra e mirë).”[22]

Vërejtje:

Disa njerëz mund të supozojnë se prishja e agjërimit për udhëtarin në kohën tonë nuk lejohet, madje e shajnë atë që kapet për lehtësimin e Allahut, apo se agjërimi është më primar për shkak të udhëtimit të lehtë.

Këtyre ne u tërheqim vërejtjen duke i kujtuar me Fjalën e Njohësit të të fshehtës dhe të dukshmes: “Dhe Zoti yt nuk është që harron.” [Merjem: 64].

Si dhe me Fjalën e Allahut: “Allahu di dhe ju nuk dini.” [El Bekare: 232]

Gjithashtu edhe me Fjalën e Allahut në ajetin ku përmendet lehtësimi i prishjes së agjërimit në udhëtim: “Allahu me këtë dëshiron lehtësim për ju, e nuk dëshiron vështërsim për ju.” [El Bekare: 185].

D.m.th: lehtësia, e lehta dhe lehtësimi është ajo që Allahu dëshiron për njerëzit, madje ajo është prej synimeve dhe parimeve themelore të sheriatit liberal, duke mos harruar se Ai që bëri legjitim këtë fe, Ai është krijuesi i kohës, vendit dhe njeriut, dhe Ai është më i dituri për nevojat e njerzëve; për atë që iu bën dobi dhe që iu përshtatet atyre. Allahu thotë: “A nuk di Ai që ka krijuar, ndërkohë që Ai depërton në thellësi të sekreteve, i njeh hollësitë?!” [el Mulk: 14].

E përmedim këtë me qëllim që muslimani ta mësojë se kur Allahu dhe i Dërguari i Tij vendos për diçka, nuk mbetet zgjedhje tjetër, por duhet të bashkohemi me robët besimtarë e të zgjedhur të Allahut, të cilët nuk paraprijnë asgjë para Fjalës së Allahut dhe të Dërguarit të Tij; “Dëgjuam dhe u bindëm. Kërkojmë faljen Tënde, o Zoti ynë! Vetëm te Ti është ardhmëria jonë.” [El Bekare: 285].

2. I sëmuri

Allahu i Lartësuar e ka bërë të lejuar prishjen e agjërimit për të sëmurin, si mëshirë dhe lehtësim për të.

Por duhet patur parasysh se sëmundja e cila e lejon prishjen e agjërimit është ajo që nëse bashkohet me agjërimin, e dëmton shëndetin dhe shtohet edhe më shumë, apo e cila vonon shërimin, e Allahu e di më mirë.

3. Gruaja me perioda dhe gruaja lehonë

Dijetarët janë pajtuar unanimisht se agjërimi nuk është i lejuar për gruan e cila është në periudhën e menstruacioneve dhe as për gruan lehonë. Ato duhet ta ndërprejnë agjërimin dhe ta kompensojnë atë më vonë. Edhe nëse ato agjërojnë, ai nuk u quhet atyre (është i pavlefshëm).

Më shumë sqarim për këtë do të vijë më pas, me Lejen e Allahut.

4. Burri dhe gruaja e kaluar në moshë

Ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) thotë: “Burri i moshuar dhe gruaja e moshuar nuk kanë mundësi agjërimi, por ato japin lëmoshë duke ushqyer një të varfër për çdo ditë.”[23]

Ndërsa Darakutni (2/207) ka përcjellë dhe e ka quajtur të saktë një hadith nga Ibën Mensur; nga Muxhahidi; nga ibën Abasi, se ky ka lexuar ajetin: “E ata që i rëndon ai (nuk mund të agjërojnë), janë të obliguar për kompensim, ushqim (ditor), i një të varfëri” [El Bekare: 184], pastaj tha: Është për qëllim burri i moshuar i cili nuk ka mundësi të agjërojë, kështu që i lejohet t’a prishë agjërimin dhe të japë lëmoshë, duke ushqyer për çdo ditë nga një të varfër; gjysmë tasi drith.”[24]

Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) transmeton dhe thotë: “Këdo që e zë pleqëria dhe nuk është në gjendje të agjërojë në Ramazan, atëherë për secilën ditë ai duhet të japë një mudd (dy grushta) grurë.”[25]

Enes ibën Malik (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) transmeton se: “Një vit, ai u ndje i dobët dhe i paaftë për të agjëruar Ramazanin. Atëherë ai përgatiti një kazan me qull dhe ftoi tridhjetë të varfër, të cilët i ngopi mirë.”[26]

5. Gruaja shtatzënë dhe gruaja gji-dhënëse

Prej Mëshirës së madhe të Allahut ndaj robëve të dobët të Tij është lehtësimi i Tij për ta që të mos agjërojnë. Në këtë kategori përfshihen edhe gratë shtatëzëna dhe gratë gji-dhënëse.

Transmetohet nga Enes ibën Maliku[27] se ka thënë: “Kuajt e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) erdhën drejt nesh me furi, dhe unë shkova te i Dërguari (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) të cilin e gjeta duke ngrënë. Ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: “Afrohu dhe ha.” Unë thashë: “Unë jam agjërueshëm.” Ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: “Afrohu, të të tregoj për agjërimin. Vërtet, Allahu e ka shkurtuar namazin përgjysmë për udhëtarin dhe e ka larguar barrën e të agjëruarit nga gruaja shtatzënë dhe gruaja gji-dhënëse” Për Zotin! I Dërguari (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e tha këtë për të gjithë këta. Atëherë, si të mos e ha ushqimin e të Dërguarit (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!).”[28]

 

14. Iftari

Vijon …

___________________________________

[1] Shiko më sipër transmetimin e tij.

[2] Transmeton Buhariu (4/99).

[3] Transmeton Ibën Huzejme (1996) dhe el Hakim (1/430,431), me zinxhir të saktë.

[4] Transmeton Ibën Maxhe (1/539), Ed Darimij (2/211), Ahmedi (2/441, 373) dhe El Bejhakiu (4/270); nga Said el Makberi; nga Ebi Hurejra, me zinxhir të saktë.

[5] Shih: “El lu’lu’ vel Merxhan fima itefeka alejhi esh Shejhan” (707) dhe “Rijadu Salihin” (1215).

[6] Shih për këtë: “Xhamiu el Ulum vel Hikem” (faqe 58), i Ibën Rexhebit.

[7] Transmeton Buhariu (4/123) dhe Muslimi (1109).

[8] Transmeton Buhariu (2/311) dhe Muslimi (252).

[9] Kjo është zgjedhja e Buhariut, gjithashtu edhe e Ibën Huzejmes dhe të tjerëve. Shih: “Fet’hul Bari” (4/158), “Sahih Ibën Huzejme” (3/247) dhe “Sherh es Sune” (6/298).

[10] Transmeton Tirmidhiu (3/146), Ebu Daudi (2/308), Ahmedi (4/32), Ibën Ebi Shejbete (3/101), Ibën Maxhe (407) dhe Nesai (nr, 87); nga Lakit ibën Sabra; me zinxhir të saktë.

[11] Transmeton Buhariu (4/131) dhe Muslimi (1106).

[12] Transmeton Ahmedi (2/185,221); nga Ibën Lehija; nga Jezid ibën Ebi Habib; nga Kajsar Et Tuxhejbi. Zinxhiri i transmetimit të këtij hadithi është i dobët, për shkak të dobësisë së Ibën Lehijas. Megjithatë, ekziston një hadith tjetër dëshmues për këtë, të cilin e transmeton Taberani, kështu që hadithi mund të ngrihet në gradën hasen- i mirë.

[13] Transmeton Buhariu (4/155). Shih gjithashtu: “Nasih el Hadith ve mensuhihi” (334-338), të Ibën Shahinit.

[14] E transmeton Buhariu në shënimet e tij (mualek), (4/154- Fet’h). Ndërsa Ibën Ebi Shejbe e ka transmetuar me zinxhir të rregull në (3/47). Po kështu edhe el Bejhaki (4/261); nga dy rrugë transmetimi; nga ai (Ibën Abasi). Hadithi është i mirë-hasen. Shih: “Taglik et Tealik” (3/151-152). Pastaj krahasoje me “Muhtasar Sahih el Buhari” (451) të profesorit tonë, el Albani.

[15] Shih burimet e mësipërme.

[16] Transmeton Ebu Daudi (2365) dhe Ahmedi (5/376,380,408,430); me sinxhir të saktë.

[17] Transmeton Buhariu (4/156) dhe Muslimi (1121).

[18] Transmeton Buhariu (4/163) dhe Muslimi (1118).

[19] Transmeton Ahmedi (2/108) dhe Ibën Hibani (2742); nga ibën Omeri, me zinxhir të saktë.

[20] Transmeton ibën Hibani (345), el Bezari (990) dhe et Tabarani në “El Kebir” (11881); nga Ibën Abasi, me zinxhir të vërtetë.

[21] Transmeton Tirmidhiu (713) dhe el Begaviju (1763), me zinxhir të vërtetë edhe pse në të gjendet el Xhurejri, pasi që transmetimet e Abdul A’la nga ai llogariten nga transmetimet më të vërteta, siç ka thënë edhe el Ixhliju, e të tjerë.

[22] Transmeton Buhariu (4/161) dhe Muslimi (1115); nga Xhabiri.

[23] Transmeton Buhariu (4505). Shih: “Sherh es Sune” (6/316″, “Fet’hul Bari” (8/180), “Nejlul Eutar” (4/315) dhe “Irvaul Galil” (4/22-25).

Ndërsa Ibën el Mundhir, në “el Ixhma” (nr.129) ka përcjellë se janë unanim për këtë.

[24] Shih transmetimin para këtij.

[25] E transmeton Darakutni (2/208), por në zinxhirin e tij gjendet Abdullah ibën Salih i cili është i dobët, porse ka dëshmues që e përforcojnë këtë hadith.

[26] Transmeton Darakutni (2/207) me zinxhir të vërtetë.

[27] Ky është Enes ibën Malik el Keabiju, jo Enes ibën Malik el Ensari, shërbetori i Muhamedit alejhi selam, porse ky është njëri nga fisi beni Abdullah ibën Keab, i cili ka banuar në Basra, ka transmetuar nga Muhamedi alejhi selam vetëm një hadith dhe ky është ai hadith.

Shiko “el Isabetu” (1/114-115), të ibën Haxheri dhe “Texhrid eslamu Sahabetu” (1/31) të Dhehebiut, pastaj krahasoji me atë që thuhet në “Fejdul Kadir” (2/268), pasi që midis tyre ka dallim shumë preciz!.

[28] Transmeton Tirmidhiu (715), Nesai (4/180), Ebu Davudi (2408) dhe Ibën Maxhe (1667). Senedi i tij është Hasen- i mirë, ashtu siç ka thënë Tirmidhiu.