SYFYRI

Nga Libri: Agjërimi i Muhamedit (Salallahu alejhi ue selem) në Ramazan

Autor: Selim el Hilali & Ali el Halebi
Përktheu: Unejs Murati
Recensoi: Bledar Albani

 

10. Syfyri

1. Urtësia në syfyr

Allahu e ka bërë obligim për ne agjërimin ashtu siç ishte obligim edhe për popujt e mëhershëm nga ithtarët e Librit. Allahu i Lartësuar thotë: ” O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm.” [el Bekare: 183].

Kështu, koha dhe gjykimi i agjërimit ishin të njëjta me ato të ithtarëve të Librit; që të mos hahet, të mos pihet dhe të mos kryhen marrëdhënie intime pas gjumit (të natës), d.m.th nëse dikush flinte pa ngrënë, atij i duhej të qëndronte pa ngrënë deri në mbrëmjen e së nesërmes, gjë e cila ka qenë obligim edhe për muslimanët në fillim, siç e sqaruam më parë. Kur u abrogua kjo dispozitë, i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) urdhëroi që të hahej syfyr në agim, për të dalluar mes agjërimit tonë dhe agjërimit të ithtarëve të Librit.

Amër ibën Asi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) transmeton se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Dallimi mes agjërimit tonë dhe agjërimit të ithtarve të Librit është ngrënia e syfyrit.”[1]

2. Dobitë e syfyrit

a) Ngrënia e syfyrit është bereqet:

Transmetohet nga Selmani (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Bereqeti gjendet në tri gjëra: Në të ngrënurit bashkë, në të ngrënurit e qullit dhe në të ngrënurit e syfyrit.”[2]

Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) transmeton se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Me të vërtetë Allahu e ka vënë bereqetin në syfyr dhe në kandar.”[3]

Abdullah ibën el Harith transmeton nga një prej shokëve të Pejgamberit (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) se ka thënë: Hyra tek i Dërguari (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i cili ishte duke ngrënë syfyr dhe ai tha: “Ky është Bereqeti-mirësia që Allahu ua ka dhuruar juve, andaj mos e humbni atë.”[4]

Fakti i të qënurit e syfyrit bereqet është diçka e dukshme, pasi që ai është pasim i Sunnetit dhe e forcon robin për agjërim, i jep kurajo frymëdhënse për atë se largon vështërsinë nga agjëruesi dhe e nxit atë që të agjërojë sa më shumë. Në ngrënien e syfyrit ka edhe kundërshtim të ithtarëve të librit, të cilët nuk hanë syfyr, dhe për këtë shkak, i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e ka quajtur syfyrin si ushqim i bereqetshëm, siç është përmendur edhe në dy hadithet e el Irbad ibën Sarije dhe të Ebi Darda (Allahu qoftë i kënaqur prej tyre!) : “Ejani – ngrihuni në ngrënien e bereqetshme; d.m.th. në ngrënien e syfyrit.”[5]

b) Allahu fal dhe melekët e Tij bëjnë lutje për ata që hanë syfyr

Ndoshta bereqeti më i madh i syfyrit është se Allahu i lartësuar i përfshin me falje ata që ngrihen në syfyr dhe hedh mbi ta Mëshirën e Tij, ndërsa melekët e Mëshiruesit kërkojnë falje për ta dhe i luten Allahut që t’ua fshijë gjynahet atyre, ashtu që të jenë prej të liruarëve të Mëshiruesit nga Zjarri në muajin e Kuranit.

Ebu Seid el Hudri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) transmeton se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Ngrënia e syfyrit është bereqet, ndaj mos e lini atë, qoftë edhe me pirjen e një gllënke ujë, sepse Allahu i fal dhe melekët e Tij bëjnë lutje për ata që hanë syfyr.”[6]

Kështu që, muslimani nuk duhet ta humbasë këtë shpërblim të madh nga Zoti i Gjithëmëshirshëm, e syfyri më i mirë për besimtarin janë hurmat (arabe).

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) thotë: “Syfyri më i mirë për besimtarin janë hurmat.”[7]

E nëse ndokujt nuk i gjenden hurma, atëherë të bëjë syfyr qoftë edhe me një gllënkë ujë, siç e thamë më sipër dhe në bazë të fjalës së të Dërguarit (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!): “Bëni syfyr qoftë edhe me një gllënkë ujë.”[8]

3. Vonimi i syfyrit

Është e preferuar që syfyri të vonohet deri pak para faljes së sabahut, pasi që i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe Zejd ibën Thabit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) kanë ngrënë syfyr së bashku dhe kur e kanë kryer syfyrin, i Dërguari u ngrit dhe fali sabahun. Koha ndërmjet përfundimit të ngrënies së syfyrit të tyre dhe faljes së namazit ishte sa të lexuarit e pesëdhjetë ajeteve nga Libri i Allahut.

Siç është transmetuar nga Enesi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se Zejd ibën Thabit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) ka thënë: “Kemi bërë syfyr me të Dërguarin (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!), pastaj ai u ngrit për të falur namazin (e sabahut).” I thashë (Enesi i tha Zejdit): Sa ka qenë koha mes ezanit dhe syfyrit? Tha: Sa të lexuarit e pesëdhjetë ajeteve.”[9]

Dije, o rob i Allahut, Allahu të drejtoftë në të Vërtetën, se ty të lejohet ngrënia, pirja dhe kryerja e mardhënieve intime, përderisa je ne dyshim për agimin dhe nuk të është qartësuar ai, pasi që Allahu i Lartësuar dhe i Dërguari i Tij (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e kanë sqaruar kufirin e dallimit të ditës nga nata, dhe ngase Allahu i Madhëruar e ka falur atë vepër që bëhet gabimisht dhe me harresë, dhe e ka lejuar ngrënien, pirjen dhe marrëdhëniet derisa të qartësohesh, ndërsa dyshimi nuk është qartësi, pasi që qartësia është gjë e sigurtë dhe nuk ka dyshim në të; ndaj sigurohu!

4. Vendimi për syfyrin

Për këtë ka urdhëruar i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) me urdhër të prerë, se kush dëshiron të agjërojë, të ngrihet dhe të bëjë syfyr.

Ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) thotë: “Kush dëshiron të agjërojë, atëherë le të ngrihet e të bëjë syfyr me diçka.”[10]

Dhe ka thënë:

“Bëni syfyr, se në syfyr ka bereqet.”[11]

Pastaj ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka sqaruar vlerën e syfyrit për umetin e tij, duke thënë: “Dallimi mes agjërimit tonë dhe agjërimit të ithtarve të Librit është në ngrënien e syfyrit.”[12]

Dhe ka ndaluar lënien apo heqjen dorë nga ai, duke thënë: “Syfyri është ushqim i bereqetshëm, ndaj mos e humbni atë, qoftë edhe me një gllënkë ujë, sepse Allahu fal dhe melekët bëjnë lutje për ata që bëjnë syfyr.”[13]

Dhe thotë: “Bëni syfyr, qoftë edhe me një gllënkë ujë.”[14]

Themi:

Shohim se urdhëri i të Dërguarit (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) është i përforcuar me përforcime të shumta nga tri kahje:

a) Urdhëri për të.

b) Fakti se ai është simbol i agjërimit të muslimanëve dhe ndarës-dallim mes agjërimit të tyre dhe agjërimit të të tjerëve.

c) Ndalesa nga lënia e tij.

Këto janë fakte (të dhena, prova) të forta dhe argumente të qarta.

Megjithatë, pas gjithë kësaj, Ibën Haxheri në “el Fet’h” (4/139), ka përcjellë faktin se dijetarët janë të një mendimi (unanimisht –ixhma) se syfyri është vepër e preferuar dhe e pëlqyer!! E Allahu e di më së miri.

 

11. Çfarë gjërave duhet t’u largohet agjëruesi

Vijon …

________________________________

[1] Transmeton Muslimi (1096).

[2] Transmeton Et Tabarani në “el Kebir” dhe Ebu Nuajm në “Dhikër Ehbar Esbahan” (1/57); nga Selman el Farisi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!).

Senedi i tij është i mirë –hasen, nga hadithet që dëshmojnë për të.

[3] Transmeton esh Shirazi në “el Elkab”, gjithashtu edhe në “Xhamiu Es Sagir” (1715), dhe el Hatib në “el Muvedih” (1/263); nga Ebu Hurejrja me të njëjtin zinxhir të hadithit të mësipërm.

Edhe ky është gjithashtu hasen- i mirë me dëshmitarët e tij, nga të cilët është edhe hadithi i mësipërm.

[4] Transmeton Nesai (4/145) dhe Ahmedi (5/270), me sened të saktë.

[5] Hadithin e el Irbadit e transmeton Ahmedi (4/126), Ebu Daudi (2/303) dhe Nesai, (4/145); nga transmetimi i Junus ibën Sejf; nga el Harith ibën Zijad; nga Ebi Rehm; nga el Irbad .

Por ky El Harith nuk është i njohur.

Ndërsa hadithin e Ebi Derdas e transmeton Ibën Hibani (223); nga transmetimi i Amër ibën el Harith; nga Abdullah ibën Selam; nga Reshdin ibën Sead; prej tij.

Hadithi është sahih.

[6] Nxjerja e këtij hadithi është përmendur më parë.

[7] Transmeton Ebu Davudi (2/303), Ibën Hiban (223), el Bejhakiu (4/237) nga Muhamed ibën Musa nga Sa’eid el Mekberi nga Ebi Hurejra, me zingjir të saktë.

[8] Nxjerja e këtij hadithi është përmendur më parë.

[9] Transmeton Buhariu (4/118) dhe Muslimi (1097).

Ibën Haxheri në “el Fet’h” (4/138), thotë: “Prej zakonit të arabëve ka qenë se ata e përcaktonin kohën me punët që kryenin; p.sh. me kohën e mjeljes së deles, apo me kohën ndërmjet dy mjeljeve të devesë, apo me therjen e një kafshe. Kështu edhe Zejdi e përcaktoi kohën ndërmjet syfyrit dhe ezanit me kohën që duhej për të lexuar pesëdhjetë ajete, gjë e cila të jep të kuptosh se kjo kohë ka qenë për ta kohë adhurimi, ndërsa puna e tyre ka qenë leximi i Kuranit dhe meditimi në të.”

[10] E transmeton Ibën Ebi Shejbe (3/8), Ahmedi (3/367), Ebu Jeala (3/438) dhe El Bezar (1/465); nga Sherik ibën Abdullah ibën Muhamed ibën Akil; nga Xhabiri. Ky Sheriku është i dobët, por hadithi ka një dëshmues tjetër mursel, nga Seid ibën Mensuri në “Sunenet” e tij, me shprehjen: “Bëni syfyr, qoftë edhe me një kafshatë.”

Kështu ka thënë el Hafidh në “el Fet’h” (4/140).

Hadithi ka edhe një dëshmitar tjetër i cili do të vijë pas tri haditheve.

[11] Transmeton Buhariu (4/120) dhe Muslimi (1095); nga Enesi.

[12] Transmetimi i tij kaloi më parë.

[13] Transmeton Ibën Ebi Shejbe (3/8), Ahmedi (3/12 dhe 3/44); nga tri rrugë transmetimi; nga Ebu Seid el Hudri, e ato rrugë përforcojnë njëra-tjetrën.

[14] Transmeton Ebu Ja’la (3340); nga Enesi. Hadithi është i mirë- hasen, në bazë të hadithit që dëshmon për të, të cilin e transmeton Ibën Hibani (nr.884).