VLERA E MUAJIT RAMAZAN DHE DETYRUESHMERIA E AGJERIMIT TE TIJ

Nga Libri: Agjërimi i Muhamedit (Salallahu alejhi ue selem) në Ramazan

Autor: Selim el Hilali & Ali el Halebi
Përktheu: Unejs Murati
Recensoi: Bledar Albani

2. Vlera e muajit Ramazan

Muaji i Ramazanit është muaji i të mirave e bereqeteve të shumta, dhe Allahu i ka dhuruar atij vlera e dobi të shumta, siç do të përmendim në vijim:

1. Ramazani është muaji i Kuranit:

Allahu i Lartësuar e ka zbritur Librin e Tij udhëzim për njerzimin dhe shërim për besimtarët, udhëzues në atë që është më primare dhe argumentuese, qartësues të Rrugës së Drejtë. Allahu e zbriti atë në natën e Kadrit, në muajin e mirësive, në Ramazan. Allahu, Zoti i Arshit të Lartë thotë: “Muaji i Ramazanit në të cilin u zbrit Kurani: udhëzim për njerëzimin, provë e qartë për udhëheqje dhe kriteri (dallues i të vërtetës nga e kota). Kështu që, kushdo prej jush që dallon (hënën e re të natës së parë) të muajit (Ramazan), t’a agjërojë këtë muaj…” [El Bekare: 185]

Dije, vëlla i nderuar, se cilësimi i muajit të Ramazanit me faktin se në të ka zbritur Kurani, dhe më pas, ndjekja e tij me lidhëzën “kështu që”, e cila përdoret për të treguar rezultatin dhe shkakun e përmendjes së fjalëve para saj dhe lidhjen ndërmjet tyre, tregon dhe hedh dritë tërthorazi në shkakun e agjërimit të këtij muaji; d.m.th. shkaku i zgjedhjes pikërisht këtë muaj për të agjëruar, është se në të ka zbritur Kurani.

2. Në Ramazan lidhen shejtanët, mbyllen dyert e Zjarrit dhe hapen dyert e Parajsës:

Në këtë muaj të bereqetshëm pakësohet e keqja në tokë, për shkak se lidhen dhe prangosen shejtanët prej xhinëve me zinxhirë e pranga, dhe nuk kanë mundësi të bëjnë të këqija tek njerëzit ashtu siç bëjnë në muajt e tjerë. Kjo sepse muslimanët janë të preokupuar me agjërim, i cili është pengesë për epshet, si dhe me leximin e Kuranit dhe të gjitha adhurimet e tjera të cilat pastrojnë dhe edukojnë shpirtrat.

Allahu i Lartësuar thotë: “O ju që keni besuar! Agjërimi u është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, me qëllim që të mund të bëheni të devotshëm.” [El Bekare: 183]

Për këtë shkak, mbyllen dyert e Zjarrit dhe hapen dyert e Parajsës, sepse veprat e mira shtohen dhe fjalët e bukura sundojnë gjithandej.

Muhamedi (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) thotë: “Kur vjen muaji i Ramazanit, hapen dyert e parajsës-xhennetit[1], mbyllen dyert e zjarrit-xhehennemit, dhe prangosen shejtanët.”[2]

E gjitha kjo ndodh që nga nata e parë e muajit të begatshëm; i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) thotë: “Kur hyn nata e parë e muajit Ramazan, lidhen shejtanët dhe xhinët rebelë, mbyllen dyert e Zjarrit dhe nuk qëndron hapur asnjë prej tyre, dhe hapen dyert e Xhennetit e nuk qëndron mbyllur asnjë prej tyre. Një thirrës thërret: “O kërkues i të mirës, afrohu (kryerjes së të mirave)! O kërkues i së keqes, ndalu (nga kryerja të këqijave)! Allahu (në këtë muaj) liron nga Zjarri prej robërve të Tij, dhe kjo për çdo natë.”[3]

3. Në Ramazan gjendet nata e Kadrit:

Mësove më parë, o ti rob besimtar, se Allahu i Madhëruar zgjodhi muajin Ramazan (për t’u agjëruar), për shkak se në të Ai zbriti Kuranin Famëlartë. Sipas këtij fakti, ne mund të nxjerim përfundime të tjera të ngjashme me të. Prej tyre po përmendim:

a) Dita më e nderuar tek Allahu është dita në të cilën ka zbritur Kuranin, kështu që ajo ditë duhet të veçohet me vepër të posaçme. Për këtë dëshmojnë hadithet që flasin për kërkimin dhe përpjekjen për gjetjen e natës se Kadrit, si dhe veçimin e saj me adhurim shtojcë, për të cilën gjë do të flasim më gjerë në kapitullin për Natën e Kadrit.

b) Kur muslimanëve u dhurohet një mirësi, ata obligohen që të veprojnë edhe më shumë të mira, për të treguar falenderim ndaj Allahut, dhe argument për këtë është Fjala Allahut, pas përmendjes së plotësimit të mirësive të muajit të agjërimit, ku thotë: “Që të plotësoni numrin (e ditëve të agjërimit), të madhëroni Allahun për atë se u ka udhëzuar, me qëllim që ju te jeni shumë mirënjohës dhe të falenderoni.” [El Bekare: 185].

Po këtë tregon edhe Fjala e Allahut, pas përmendjes së mirësive të Haxhit, ku thotë: “E kur t’i kryeni ritet e Haxhit (el menasik), përmendeni Allahun sikurse i përkujtoni prindërit tuaj, madje edhe më tepër.” [El Bekare: 200].

3. Obligueshmëria e agjërimit të Ramazanit

1. Ai që nga vullneti i tij bën mirë (agjëron), ajo është edhe më e mirë për të:

Pikërisht për shkak të dobive dhe mirësive të përmendura më parë, Allahu e bëri të obligueshëm agjërimin për muslimanët. Dhe për shkak se ndalimi i vetes nga epshet dhe nga dëshirat e saj, ishte prej gjërave më të vështira për njeriun, obligueshmëria e agjërimit u vonua deri në vitin e dytë të hixhretit. Kur zemrat u banuan nga Njësimi dhe madhërimi i Allahut, atëherë agjërimi filloi të përcillej tek ata gradualisht, në mënyrë vullnetare dhe sipas dëshirës, në fillim, pasi që ai ishte i rëndë për sahabet, kështu që ai që dëshironte të hante dhe të mos agjëronte, por që të jepte kompensim për të, ai ishte i lirë t’a bënte këtë.

Allahu i Lartësuar thotë: “E përsa u përket atyre të cilët e kanë të vështirë agjërimin, ata kanë të drejtë zgjedhje: ose të agjërojnë ose të ushqejnë një të varfër për çdo ditë, por kushdo që i bën mirë vetes së vet me vullnetin e tij (duke agjëruar), është edhe më mirë për të. Mirëpo, agjërimi është më i mirë për ju, nëse jeni që e dini.” [el Bekare: 184].

2. Kush e përjeton prej jush këtë muaj, duhet t’a agjërojë atë:

Pastaj zbriti ajeti në vijim, i cili e abrogoi -e anuloi atë të parin. Këtë e kanë treguar dy sahabët e mëdhenj; Abdullah ibën Umer dhe Seleme ibën el Ekvea (Allahu qoftë i kënaqur prej tyre!), të cilët thonë: “Atë (ajetin e parë) e abrogoi ajeti pas tij:

“Muaji i Ramazanit në të cilin u zbrit Kurani: udhëzim për njerëzimin, provë e qartë për udhëheqje dhe kriteri (dallues i të vërtetës nga e kota). Kështu që, kushdo prej jush që dallon (hënën e re të natës së parë) të muajit (Ramazan), t’a agjërojë këtë muaj; ndërsa kush është i sëmurë ose në udhëtim, të agjërojë aq ditë (sa ka lënë pa agjëruar) në ditët e mëvonshme. Allahu me këtë dëshiron lehtësim për ju, e nuk dëshiron vështërsim për ju. (Agjëroni ditët e lëshuara më vonë) Që të plotësoni numrin, të madhëroni Allahun për atë se u ka udhëzuar drejt, me qëllim që ju të jeni shumë mirënjohës e falënderues ndaj Tij.”[4] [El Bekare: 185].

Transmetohet nga Ibën ebi Lejla, se ka thënë: Na kanë treguar shokët e Muhamedit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!): “Kur u urdhërua agjërimi i Ramazanit, kjo gjë i rëndoi sahabet, dhe ai që ushqente një të varfër për çdo ditë, e linte agjërimin, sigurisht prej atyre që nuk mundeshin të agjëronin. Ky ishte lehtësim për ta, por më pas, ky ligj u abrogua me ajetin “por që të agjëroni është më mirë për ju”, dhe ata u urdhëruan të agjëronin.”[5]

Pas kësaj, agjërimi i Ramazanit u bë çështje parësore dhe një nga shtyllat e Islamit. I Dërguari mëshirë për botët (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) thotë:

“Islami është ndërtuar mbi pesë shtylla: Dëshmia se nuk ka Zot tjetër i cili meriton të adhurohet përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Allahut, falja e Namazit, dhënia e Zekatit, kryerja e Haxhit dhe agjërimi i Ramazanit.”[6]

4. Nxitja për agjërimin e Ramazanit

1. Agjërimi i Ramazanit është falje për gjynahet

Ligjvënësi më i Urtë ka nxitur për agjërimin e Ramazanit, duke qartësuar dobitë e tij dhe vendin e lartë të tij tek Ai; sikur agjëruesi të kishte mëkate sa shkuma e detit, atij i falen ato për shkak të këtij adhurimi të mirë e të begatë.

Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) transmeton se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Kush e agjëron Ramazanin me bindje të plotë, duke llogaritur shpërblimin nga Allahu, atij i falen të gjitha mëkatet e bëra më parë.”[7]

Transmetohet gjithashtu nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se ai ka thënë: I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Pesë namazet, nga e xhumaja deri në të xhumanë tjetër dhe nga Ramazani deri në Ramazanin tjetër, janë falje e asaj që ka ndodhur mes tyre (prej gjynaheve), nëse eliminohen (qëndrohet larg) mëkatet e mëdha.”[8]

Transmetohet gjithashtu nga ai (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) u ngjit në Minber dhe tha: “Amin! Amin! Amin!” Dikush tha: O i Dërguari i Allahut! Ti u ngjite në Minber dhe the: “Amin! Amin! Amin!” (përse e the këtë)? Ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: “Xhibrili (alejhis selam) erdhi e më tha: Kush e arrin muajin e ramazanit e nuk i falen mëkatet, duke merituar kështu Zjarrin, atë e largoftë Allahu (nga Mëshira e Tij)! Thuaj: Amin! Atëherë thashë: Amin!…”[9]

2. Agjërimi i Ramazanit është shkak për pranimin e lutjeve dhe shpëtimin nga Zjarri

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) thotë: “Allahu liron nga Zjarri prej robërve të Tij çdo ditë e çdo natë të muajit të Ramazanit. Çdo musliman që lutet me ndonjë lutje, ajo i pranohet atij.”[10]

3. Agjëruesi është prej të sinqertëve dhe dëshmorëve

Amër ibën Murrah el Xhuheni (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) transmeton se: Një burrë erdhi tek i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe i tha: O i Dërguari i Allahut! Çfarë thua nëse dëshmoj se nuk ka Zot tjetër që meriton të adhurohet përveç Allahut dhe se ti je i Dërguari i Tij, e fal Namazin, e jap Zekatin, e agjëroj ramazanin dhe ngritem me ibadet në të (falem natën –teravitë), atëherë nga cilët jam unë? Ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: “Nga të sinqertët dhe dëshmorët –shehidët.”[11]

5. Kërcënimi për atë që prish me qëllim ndonjë nga ditët e Ramazanit

Transmetohet nga Ebi Umame el Bahili (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), se ka thënë: Kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) të thotë: “Ndërsa po flija, më erdhën dy burra, më kapën për krahu, më shpunë në një mal të thepisur dhe më thanë: Ngjitu! Nuk mundem, u thashë. Ata thanë: Do të t’a lehtësojmë ne ngjitjen. Atëherë u ngjita, deri sa arrita në mes të malit, dëgjova disa zëra të fortë. Thashë: Ç’janë këto zëra? Ata thanë: Këto janë rënkimet e banorëve të Zjarrit. Pastaj u larguam dhe u gjenda tek disa njerëz të varur nga këmbët e tyre, me nofulla të shqyera nga të cilat rridhte gjak. Kush janë këta, thashë? Këta janë ata të cilët e çelin iftarin para kohës së tij…”[12]

Ndërsa hadithi i transmetuar nga i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), ku thuhet: “Kush prish një ditë nga agjërimi i Ramazanit me qëllim, nuk e shlyen atë edhe nëse agjëron gjithë jetën.”

Ky është hadith i Dobët, i pasaktë, e më pas do të vij më gjerësisht fjala rreth tij.

6. Dispozitat e agjërimit

Vijon …

_______________________________________

[1] Ndërsa në transmetimin e Muslimit thuhet: “hapen dyert e mëshirës”.

[2] Transmeton Buhariu (4/97) dhe Muslimi (1079).

[3] Transmeton Tirmidhiu (682), Ibën Maxhe (1642), Ibën Huzejme (3/188); nga transmetimi i Ebu Bekër ibën Ajjash; nga el Amesh; nga Ebi Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!). Ky zinxhir transmetuesish është i mirë-hasen.

[4] Hadithin e Ibën Umerit e transmeton Buhariu (4/188), ndërsa hadithin e Selemes e ka tranbsmetuar Buhariu (8/181) dhe Muslimi (1145).

[5] Këtë hadith e ka përmendur Buhariu në shënimet e tij që ka bërë në “Sahihun” e tij (8/181- el Fet’h), gjithashtu e ka transmetuar Bejhakiu në “Sunenin” e tij (4/200) me zinxhir transmetuesish të lidhur. Senedi i tij është i saktë.

E ka nxjerrë gjithashtu Ebu Davudi ( nr: 507) të gjatë, me rrugë tjetër transmetimit, senedi i të cilit është i mirë (hasen) bashkë me hadithet që dëshmojnë për të.

E ka nxjerë gjithashtu Ebu Nuajm në “Mustahraxh”, siç thuhet në “Taglik et Tealik” (3/185), me rrugë të tretë transmetuesish, e cila është e saktë –sahih.

[6] Transmeton Buharihu ( 1/47) dhe Muslimi (16); nga Ibën Umeri.

[7] Transmeton Buhariu (4/99) dhe Muslimi (759). Kuptimi i shprehjes (me bindje të plotë, duke llogaritur shpërblimin nga Allahu): d.m.th. duke qenë i bindur se ai është obligim dhe duke kërkuar e shpresuar shpërblimin e tij nga Allahu; nga dëshira e vetes së tij, pa u detyruar nga dikush tjetër dhe pa u mërzitur nga namazi i tij i natës (teravitë).

[8] Transmeton Muslimi (233).

[9] Transmeton ibën Huzejme (3/192), Ahmedi (2/246, 254) dhe Bejhakiu (4/204); nga Ebu Hurejra. Ky është Hadith i saktë dhe esenca e tij gjendet në “Sahihun” e Muslimit (4/1978). Në këtë temë kemi hadithe edhe nga sahabe të tjerë. Ato i gjen në librin: “Dobitë e muajit Ramazan” (f. 25-34), të Ibën Shahin.

[10] Transmeton el Bezar (3142) dhe Ahmedi (2/254); nga A’emash; nga ebi Salih; nga Xhabiri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!). Atë e transmeton gjithashtu Ibën Maxhe (1643), por të shkurtuar dhe me rrugë tjetër transmetimi. Ky hadith është i saktë-sahih.

Lutja e pranuar që përmendet në hadith, është në kohën e Iftarit, siç vjen në vijim.

[11] Transmeton Ibën Hibani ( nr 19) me zinxhir të vërtetë.

[12] Transmeton Nesai në “el Kubra”, siç thuhet në “Tuhfetu el eshraf” (4/166), Ibën Hibani (nr. 1800- në shtesat e tij) dhe El Hakim (1/430); nga disa rrugë të ndryshme; nga Abdurrahman ibën Jezid ibën Xhabir; nga Selim ibën Amir; nga Ebu Umame.