ZEKATI I FITRIT

Nga Libri: Agjërimi i Muhamedit (Salallahu alejhi ue selem) në Ramazan

Autor: Selim el Hilali & Ali el Halebi
Përktheu: Unejs Murati
Recensoi: Bledar Albani

 

22. Zekati i Fitrit[1]

1. Gjykimi për të:

Zekati i Fitrit është farz- detyrë e domosdoshme, nga hadithi i Ibën Umerit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) ku thuhet: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e bëri obligim Zekatul Fitrin [në Ramazan për njerëzit].”[2]

Dhe nga hadithi i Ibën Abasit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) që thotë: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e ka bërë të detyrueshëm Zekatul Fitrin.”[3]

Disa dijetarë kanë thënë se ky hadith është abroguar me hadithin e Kajs ibën Sead ibën Ubade, që thotë: “I Dërguari i Allahut na urdhëroi që të jepnim Sadakatul Fitri, para se të zbresë obligimi i Zekatit, ndërsa kur ka zbritur obligueshmëria e zekatit, ai nuk na ka urdhëruar e as nuk na ka ndaluar (nga zekatul fitri), megjithatë ne e jepnim atë.”

Kësaj fjale i është përgjigjur El Hafith Ibën Haxher (Allahu e mëshiroftë!) (3/368): “Në zinxhirin e tij gjendet një transmetues i pa njohur[4]. Por edhe nëse do të supozonim se hadithi është i saktë, në të nuk ka argument për abrogimin e të parit, për shkak se mundet të jenë mjaftuar me urdhërin e parë, pasi që ardhja e një obligimi të ri nuk bën të detyrueshme rrëzimin e një obligimi të mëparshëm.”

Ndërsa el Hatabi, në “Mealim Es Sunen” (2/214) thotë: “Kjo nuk argumenton për rënien e obligueshmërisë së zekatil fitr, pasi që shtesa në llojin e një adhurimi nuk bën të detyrueshme abrogimin e bazës mbi të cilën është bërë shtesa, me një dallim, në rastin tonë, se objekti i zekatit është pasuria e kapitali, ndërsa objekti i zekatil fitri janë frymët e njerëzve.”

2. Kush e ka obligim zekatin e fitrit:

Zekati i Fitrit është obligim për çdo të vogël dhe të madh, mashkull dhe femër, i lir dhe rob; musliman. Argument për këtë është hadithi i Abdullah ibën Umer (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) i cili thotë: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e ka bërë obligim zekatin e fitrit nga një tas hurma, ose një tas elb, për çdo njeri që është rob apo i lirë, mashkull apo femër, i madh apo i vogël, prej muslimanëve.”[5]

Disa dijetarë janë të mendimit se ai është obligim edhe për robin jomusliman (që është nën pronësinë e muslimanit), duke u mbështetur në hadithin e Ebu Hurejrës (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) që thotë: “Për skllavin nuk jepet zekat, përveç zekatit të fitrit.”[6]

Por ky hadith është i përgjithshëm, ndërsa hadithi i Ibën Umerit është i posaçëm, dhe siç është e njohur, i posaçmi ka privilegj mbi të përgjithshmin.

Ndërsa disa të tjerë thonë: Zekati i fitrit nuk obligohet veçse për agjëruesin, mbështetur në hadithin e Ibën Abasit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) ku thuhet: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e bëri obligim zekatin e fitrit si pastrim për agjëruesin nga fjalët e kota dhe ofendimet, si dhe me qëllim që të ushqehen të varfërit.”[7]

El Hatabi, në “Mealimu es Sunnen” (3/214) thotë: “Zekati i fitrit është obligim për çdo agjërues të pasur apo të varfër që ka mundësi t’a japë atë nga ushqimi i tij, nëse shkaku i obligueshmërisë së tij do të kishte qenë pastrimi, gjë për të cilën kanë nevojë të gjithë ata që kanë agjëruar, kështu që nëse ata bashkohen në shkakun e kësaj, duhet të bashkohen gjithashtu në obligueshmërinë e saj.”

Ndërsa el Hafidh i është përgjigjur në “el Fet’h” (3/369): “Përmendja e të pastruarit është për të treguar atë më të shumtën, pasi që ai është obligim edhe për atë që nuk ka bërë gjynah, apo për atë që është bërë musliman pak çaste para perëndimit të diellit (të ditës së fundit të Ramazanit).”

Ndërsa të tjerë kanë shkuar në mendimin se zekati i fitrit është obligim edhe për fëmijën në barkun e nënës, por për këtë nuk dimë të ketë argument, si dhe nuk mund të quhet i vogël, as në gjuhë dhe as në sheriat.

3. Çfarë jepet në Zekatin e Fitrit:

Në zekatin e fitrit jepet një tas elb, ose një tas hurma, ose një tas djath, ose një tas rrush i thatë, ose një tas grurë.

Argument për këtë është hadithi i Ebu Seid el Hudriut (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!): “Ne e jepnim zekatin e fitrit nga një tas ushqim, ose një tas elb, ose një tas hurma, djath, rrush të thatë.”[8]

Si dhe hadithi i Ibën Umerit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) i cili thotë: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka obliguar që të jepet zekati i fitrit një tas elb, ose një tas hurma, ose një tas elb të mirë.”[9]

Ka mospajtime mes dijetarve rreth fjalës “ushqim” që është përmendur në hadithin e Ebi Seid El Hudriut (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!). Thuhet se është për qëllim gruri, por thuhen edhe fjalë të tjera. Mirëpo ajo që të qetëson zemrën është se kjo është e përgjithshme e që përfshin të gjitha ato që peshohen nga ushqimet, si gruri apo edhe llojet e tjera që janë të përmenduara në hadithin që kaloi më herët. Që të gjitha këto janë bërë në kohën e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!), mbështetur në hadithin e Ibën Abasit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) i cili thotë: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) na urdhëroi që të nxjerrim Zekatin e Ramazanit një tas me ushqim për të voglin dhe të madhin, të lirin dhe skllavin. Kush jepte elb, atij i pranohej. – Apo më duket se ka thënë: Kush jepte miell, atij i pranohej dhe kush jepte grurë, pranohej prej tij.”[10]

Transmetohet gjithashtu nga ai se ka thënë: “Lëmosha e Ramazanit është një tas me ushqim. Kush sjell grurë, pranohet prej tij. Kush sjell elb, pranohet prej tij. Kush sjell hurma, pranohen prej tij. Kush sjell elb të zhveshur, pranohet prej tij dhe kush sjell rrush të thatë, pranohet prej tij. –Ose mund të ketë thënë: dhe kush sjell misër, pranohet prej tij.”[11]

Ndërsa hadithet që flasin për mohimin e të qenurit e grurit prej këtyre, apo se Muavija (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) ka lejuar për banorët e shamit që ta llogarisin ushqimin e nxjerë me njësinë matëse të tyre, e cila ishte e njëjtë me njësinë matëse të Medines, këto komentohen se kanë për qëllim gjëra të rralla dhe se ushqimet e papërmendura janë shumë, dhe se këto janë ushqimet dominuese në vendet e tyre. Këtë e përforcon edhe fjala e Ebi Seidit: “Ushqimi ynë ishte elbi, rrushi i thatë, djathi dhe hurma.”[12]

Fjalën e kundërshtarit në këtë pikë e rrëzojnë hadithet që do të vijojnë në fjalën rreth sasisë së zekatit të fitrit, në të cilat përmendet gruri dhe se medjeni –njësia matëse e Shamit- është i njëjtë me saun –njësinë matëse të Medines-, me qëllim që ta dijë muslimani, i cili ia di vlerën shokëve të të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!), se mendimi i Muavijes nuk ka qenë nga mendja e tij, por ai bazohet në një hadith të ngritur te i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!).

4. Sasia e Zekatit të Fitrit:

Muslimani duhet të nxjerë një saa (një tas) nga llojet që përmendëm më sipër. Ndërsa për grurin kanë rënë në kundërshtim. Disa thonë: gjysmë tasi, dhe kjo është më e qëlluara, bazuar në fjalën e Muhamedit alejhi selam: “Jepni një tas grur për dy vetë, ose një tas hurma, ose një tas elb, për çdo të lirë apo skllav, të vogël apo të madh.”[13]

Dhe Saa i konsideruar është ai i banorëve të Medinës, bazuar në hadithin e Ibën Umerit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) i cili thotë: I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Matja e sendeve të lëngshme është e konsideruar (në hadithet tona) me litroshen (apo njësinë matëse) të banorëve të Mekës, ndërsa matja e të thatave është e konsideruar me njësinë matëse të banorëve të Medines.”[14]

5. Për kë duhet të nxjerë burri zekat fitri?

Muslimani duhet të nxjerë zekat Fitri për vetën e tij dhe për të gjithë ata që ka nën kujdestarinë e tij, i vogël apo i rritur, mashkull apo femër, rob apo i lirë. Argument për këtë është hadithi i Ibën Umerit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!): “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka urdhëruar që të jepet zekati i fitrit, për të voglin dhe të madhin, të lirin dhe robin, prej atyre që ke në kujdestari.”[15]

6. Kujt i dedikohet zekati i Fitrit:

Zekati i fitrit nuk i jepet veçse atyre që u takon, e ata janë të varfërit. Argument për këtë është hadithi i Ibën Abasit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!): “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e bëri obligim zekatin e fitrit si pastrim për agjëruesin nga fjalët e kota dhe ofendimet, si dhe me qëllim që të ushqehen të varfërit.”[16]

Kjo është ajo që ka zgjedhur shejh Islam, Ibën Tejmije në “Mexhmu el Fetava” (25/71-78), si dhe nxënësi i tij, Ibën el Kajimi në librin e tij të çmueshëm ” Zadul Mead” (2/44).

Ndërsa disa dijetarë kanë shkuar në mendimin se ai u jepet tetë llojeve të njerëzve që u jepet edhe zekati i përgjithshëm (të përmendur në suren Teube), por për këtë nuk ka argument dhe Ibën Tejmije e ka kundërshtuar këtë në burimin e sipërpërmendur.

Prej sunetit është që të jetë dikush që e grumbullon atë, pasi që i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e kishte ngarkuar Eba Hurejren (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) me këtë gjë, siç thotë Ebu Hurejra: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) më tha që të mblidhja dhe të ruaja Zekatin e Ramazanit.”[17]

Ndërsa Ibën Umeri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) ia jepte atë atyre që e mblidhnin prej punëtorëve të caktuar nga imami i muslimanëve, dhe kjo bëhej një apo dy ditë para festës së Fitër Bajramit.

Transmeton Ibën Huzejme (4/83), nga Abdulvarith; nga Ejubi, se ky ka thënë: “Thashë: Kur e jepte zekatin e fitrit Ibën Umeri? Ai tha: Kur nënpunësi ulej. I thashë: E kur ulej nënpunësi? Tha : Një apo dy ditë para Bajramit.”

7. Koha e nxjerjes së zekatit të Fitrit:

Zekatit i fitrit duhet të nxiret para shkuarjes së njerëzve për faljen e namazit të Bajramit[18], dhe nuk lejohet vonesa e tij për pas namazit apo shpejtimi i tij më tepër se një apo dy ditë para Bajramit; nga vepra e transmetuar nga Ibën Umeri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), -nisur nga rregulli se transmetuesi i hadithit është më i ditur për atë që transmeton-. E nëse vonohet pas namazit të Bajramit, ajo llogaritet si sadaka e thjeshtë; nga hadithi i Ibën Abasit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!): “…Nëse nxiret para namazit (të Bajramit), ajo është sadaka (fitri) e pranuar, ndërsa nëse nxiret pas namazit, ajo është si të gjitha sadakatë e tjera.”[19]

8. Urtësia në zekatin e Fitrit:

Ligjvënësi më i Urtë e ka bërë obligim zekatin e fitrit si pastrim për agjëruesin nga fjalët e kota dhe ofendimet, si dhe me qëllim që të ushqehen të varfërit dhe të jenë të ngopur në atë ditë të madhe e të gëzueshme, siç u përmend më sipër nga hadithi i Ibën Abasit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!).

 

_____________________________________________

[1] Zekati i fitrit është lëmosha që jepet me rastin e përfundimit të Ramazanit. Për hollësi të mëtejshme, lexo në vijim.

[2] Transmeton Buhariu (3/291) dhe Muslimi (984), ndërsa shtesa është e këtij të dytit.

[3] Transmeton Ebu Davudi (1622) dhe Nesai (5/50). Në transmetimin e këtij gjendet Haseni (i cili është mudelis-fshehës i shjehave), por ai ka dëshmues hadithin e mëparshëm.

[4] Por ai është i pasuar. Atë e ka transmetuar Nesai (5/49), Ibën Maxhe (1/585), Ahmedi (6/6), Ibën Huzejme (4/81), el Hakimi (1/410) dhe el Bejhaki ((4/159); nga disa rrugë, me zinxhir të saktë.

[5] Transmeton Buhariu (3/291) dhe Muslimi (984).

[6] Transmeton Muslim (982).

[7] Transmetimi i tij është përmendur më parë.

[8] Transmeton Buhariu (3/294) dhe Muslimi (985).

[9] Transmeton Ibën Huzejmete (4/80) dhe el Hakim (1/408-410).

[10] Transmeton ibën Huzjeme (4/80), me zinxhir të vërtetë.

[11] Transmeton ibën Huzejme (4/80), me zinxhir të vërtetë.

[12] Transmetimi i tij është përmendur më parë.

[13] Transmeton Ahmedi (5/432); nga Thealebe ibën Suajr. Transmetuesit e tij janë të gjithë të besueshëm. Për këtë ka edhe një dëshmues te Darakutni (2/151); nga Xhabiri, me sened të saktë.

[14] Transmeton Ebu Davudi (2340), Nesai (7/281), El Bejhaki (6/31); nga Ibën Umeri, me zinxhir të vërtetë.

[15] Transmeton Darakutni (2/141), El Bejhaki (7/281); nga ibën Umeri me zinxhir të dobët. Por atë e ka nxjerrë Bejhakiu (4/161) nga rrugë transmetimi tjetër; nga Aliu, por me ndërprerje. Porse ka edhe një rrugë tjetër që i preferohet ibën Omerit, tek Ibën Ebi Shejbe në “Musanaf” (4/37) me zinxhir të saktë. Kështu, me këto rrugë ai arrin gradën hasen- i mirë.

Ky me këto rrugëtransmetimi është i mirë.

[16] Transmetimi i tij është përmendur më parë.

[17] Transmeton Buhariu (4/396).

[18] Shih librin “Dispozita e dy bajrameve në sunnetin e pastër”, autor: Ali ibën Hasen Abdulhamid el Halebi, botuar nga el Mektebetul el Islamije. Ndërsa të publikuar në gjuhën shqipe, e gjeni atë në faqen elektronike: www.mburoja.net.

[19] Transmetimi i tij është përmendur më parë.