Agjërimi i Muhamedit (Salallahu alejhi ue selem) në Ramazan

Autor: Selim el Hilali & Ali el Halebi
Përktheu: Unejs Murati
Recensoi: Bledar Albani

 

1. Dobitë e agjërimit

Në Librin Famëlartë të Allahut të Madhëruar kanë zbritur ajete të qarta dhe të patundshme, të cilat nxisin për agjërim me qëllim që të afrohesh tek Allahu i Lartësuar, si dhe sqarojnë dobitë e agjërimit. Allahu i Lartësuar thotë: “Me të vërtetë që muslimanët dhe muslimanet, besimtarët dhe besiamtaret, të bindurit dhe të bindurat ndaj Allahut, të drejtit dhe të drejtat, durimtarët dhe durimtaret, të nënshtruarit dhe të nënshtruarat, sadakadhënësit dhe sadakadhënëset, agjëruesit dhe agjërueset, ruajtësit e nderit dhe ruajtëset e nderit, përkujtuesit dhe përkujtueset që e përkujtojnë shumë Allahun me zemër e me gojë, pikërisht për këta Allahu ka përgatitur falje dhe shpërblim të madh.” [El Ahzab: 35].

“Pra, nëse agjëroni, kjo është akoma më mirë për ju, veç sikur ta dinit.” [el Bekaretu: 184].

Gjithashtu edhe i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka qartësuar në hadithe të sakta se agjërimi është mburojë nga epshet dhe mburojë nga Zjarri i Xhehennemit, dhe se Allahu e ka veçuar atë me një derë nga dyert e Xhennetit. Agjërimi e pastron shpirtin nga epshet dhe e burgos atë nga dëshirat, duke e bërë atë shpirt të qetë e të sigurt. Këto dobi të mëdha dhe këtë shpërblim të madh, e trajtojnë dhe e sqarojnë hadithet e vërteta që do të paraqesim në vijim:

1. Agjërimi është mburojë[1]:

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e ka urdhëruar atë të cilin e pushton dëshira për martesë por nuk ka mundësi të martohet, që të agjërojë, duke e konsideruar agjërimin pengesë dhe parapritë të këtij epshi. Kjo sepse agjërimi i ndrydh dhe i bllokon fuqitë dhe energjinë e gjymtyrëve, duke i bërë ato të qetësohen dhe të dobësohen. Është provuar me prova të qarta se agjërimi ka ndikim të habitshëm në ruajtjen e gjymtyrëve dhe të energjisë së brendshme.

Për këtë shkak, i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “O ju të rinj! Kushdo prej jush që ka mundësi për martesë, le të martohet, sepse kjo është mënyra më e mirë për uljen e shikimit dhe mënyra më e mirë për mbajtjen e dëlirësisë. Ndërsa kush nuk ka mundësi të martohet, atëherë të agjërojë, sepse agjërimi është ndrydhës (i epshit).”[2]

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) na ka sqaruar gjithashtu se Xhenneti është i rrethuar me vështirësi e sprova, ndërsa Xhehennemi është rrethuar me epshe e dëshira.

Kështu që, nëse të bëhet e qartë, vëlla musliman, se agjërimi i thyen epshet dhe i ndrydh ato, ndërkohë që dihet se ato të çojnë drejt Zjarrit, atëherë ai është bërë pritë dhe pengesë ndërmjet agjëruesit dhe Zjarrit. Për këtë shkak kanë ardhur hadithe që flasin hapur se agjërimi është mburojë e njeriut me të cilën mbrohet nga Zjarri.

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) thotë: “S’ka njeri i cili agjëron një ditë për hir të Allahut, vetëm se Allahu, për shkak të saj do t’ia largojë fytyrën atij (njeriut) nga Zjarri shtatëdhjetë pranvera.”[3]

Gjithashtu thotë: “Agjërimi është mburojë që e mbron robin-njeriun nga Zjarri.”[4]

Dhe thotë: “Kush agjëron një ditë për Hir të Allahut, Allahu do të bëjë mes tij dhe Zjarrit një hendek sa largësia mes qiellit dhe Tokës.”[5]

Disa nga dijetarët kanë shkuar në mendimin se këto hadithe të sipërpërmendura kanë ardhur për të treguar dobinë e agjërimit në Xhihad dhe në luftën në Rrugën e Allahut, por nga kuptimi i drejtpërdrejtë i haditheve përfitohet se i gjthë agjërimi, që është i pastër vetëm për hirë të Allahut dhe në përputhje me udhëzimet e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), ai është në Rrugë të Allahut.

2. Agjërimi të fut në Xhennet:

Mësove, o ti njeri i bindur Allahut, Allahu të dhëntë sukses në bindjen ndaj Tij, se agjërimi e largon vepruesin e tij nga Zjarri, duke e afruar kështu për nga begatitë e Xhenetit.

Transmetohet nga Ebi Umame (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), se ka thënë: Thashë: O i Dërguari i Allahut! Më drejto në një vepër që më fut në Xhennet. Ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: “Agjëro, sepse nuk ka si ai!”[6]

3. Agjëruesve u jepet shpërblimi pa hesap.(*[7])

4. Agjëruesi ka dy gëzime .(*)

5. Era që del nga goja e agjëruesit, është më e këndshme tek Allahu sesa parfumi (*).

Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) thotë: I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Allahu thotë: Çdo vepër e birit të Ademit (njeriut) është për të, përveç Agjërimit[8], i cili është për Mua dhe Unë do të shpërblej për të. Agjërimi është mburojë. Nëse dikush nga ju është agjërueshëm, të mos flasë pahijshëm dhe të mos e ngrejë zërin (a të ankohet). Nëse atë e ofendon dikush apo e lufton, ai të thotë: Unë jam agjërueshëm[9]. Betohem në Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti i Muhamedit, se era që del nga goja e agjëruesit, tek Allahu është më e këndshme sesa parfymi. Për agjëruesin ka dy gëzime: kur ai ha iftar, gëzohet dhe kur të takojë Zotin e tij, gëzohet me agjërimin e tij.”[10]

Ndëra në një transmetim tjetër të Buhariut thuhet: “Ai (agjëruesi) e lë ngrënien, pirjen dhe dëshirat e tij vetëm për Mua. Agjërimi është për Mua dhe Unë do të shpërblej për të. Një e mirë shpërblehet me dhjetëfishin e saj.”

Ndërsa në një transmetim tjetër të Muslimit thuhet: “Çdo punë e birit të Ademit shumëfishohet; puna e mirë i shumëfishohet prej dhjetë deri në shtatëqindfish. Allahu thotë: Përveç agjërimit, i cili është për Mua, dhe vetëm Unë shpërblej për të. Ai (robi) largohet nga epshet dhe ushqimi i tij vetëm për Mua. Për agjëruesin ka dy gëzime; një gëzim kur ai bën iftar, dhe një gëzim kur të takojë Zotin e tij. Ndërsa era e gojës së agjëruesit është më e mirë tek Allahu sesa aroma e miskut.”

6. Agjërimi dhe Kurani ndërmjetësojnë për shokun e tyre.

Muhamedi (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) thotë: “Kurani dhe agjërimi do të ndërmjetësojnë për njeriun në Ditën e Gjykimit. Agjërimi do të thotë: O Zoti im! Unë e kam ndaluar atë nga ushqimi dhe epshet (gjatë ditës), ndaj më lejo të ndërmjetësoj për të. Ndërsa Kurani do të thotë: Unë e ndalova atë nga gjumi i natës, ndaj më lejo të ndërmjetësoj për të. Thotë: Atëherë u jepet lejë që të ndërmjetësojnë.”[11]

7. Agjërimi është shlyerje dhe kompensim:

Nga dobitë me të cilat veçohet agjërimi është se; Allahu e ka bërë atë shlyerje dhe kompensim për atë që rruan flokët duke qenë se është muhrim (në Haxh, gjë e cila nuk lejohet para therjes së kurbaneve), për shkak të ndonjë arsyeje si sëmundje apo dhimbje koke, dhe nuk ka mundësi të therë kurban. Apo për atë që mbyt gabimisht ndonjë të huaj (jomusliman) me kontratë (në vendet islame). Po ashtu për thyerjen e zotimit, apo mbytjen e gjahut në Ihram (me veshjet e haxhit), apo në rastin e Dhiharit (thënia gruas se ajo është si shpina e nënës, me qëllim që të mos i afrohet asaj për marrëdhënie intime). Këto gjëra i gjen të qarta në ajetet që vijojnë:

Allahu në Kuran thotë: “Dhe i kryeni me përpikmëri Haxhin dhe Umren për Allahun. Por nëse keni pengesa për t’i plotësuar ato, atëherë preni kurban sa të mund ta përballoni dhe mos i rruani kokat tuaja deri sa kurbani të mbërrijë në vendin e caktuar për t’u therë. Ndërsa kushdo që është i sëmurë apo ka plagë në kokë, atëherë ai duhet të paguajë shpërblesë (Fidjeh), ose me agjërim (tri ditë), ose duke dhënë sadaka (lëmoshë, të ushqejë gjashtë te varfër), ose duke prerë kurban. Ndërsa në qoftë se jeni shëndoshë, për këdo që kryen Umrën në muajin e Haxhit para Hxhit (Haxhi-Tamatu apo Kiran) gjithësecili duhet të bëjë kurban aq sa të ketë mundësi, por në qoftë se nuk gjen, atëherë duhet të agjërojë tri ditë gjatë Haxhit dhe shtatë ditë pas kthimit në shtëpi, duke i bërë ato gjithsej dhjetë ditë. Kjo mënyrë është për atë të cilit nuk i ndodhet familja brenda kufijve të Xhamisë së Shenjtë. Dhe kijeni frikë Allahun dhe dijeni se Allahu është i ashpër në ndëshkim.” [El Bekare 196].

Allahu në Kuran thotë: “Nuk shkon që besimtari të vrasë besimtarin, përveç nëse ndodh gabimisht. E kush e mbytë gabimisht; dhe në këtë rast, kushdo që vret besimtarin pa dashje, urdhërohet që ai (vrasësi) të lirojë një skllav besimtar dhe përmbushjen e pagesës së gjakut e cila do t’i jepet familjes së të ndjerit, në rast se ata nuk e falim atë. Në rast se i ndjeri i takonte ndonje populli në luftë me ju dhe ai ka qënë besimtar, ju detyrohet lirimi i një skllavi, nërsa po të ishte nga ndonjë popull me të cilin ju keni marrëveshje bashkpunimi me njëri-tjetrin, atëherë duhet të jepni pagesën e gjakut familjes së tij dhe në të njëjtën kohë duhet të lironi një skllav besimtar. Ndërsa kush nuk i ka mundësit (për të liruar skllavin si plotësim të pendimit), ai duhet të agjërojë dy muaj pandërprerë për të treguar pendim tek Allahu. Dhe Allahu është kurdoherë i Gjithëditur më i Urti Gjithëgjykues.” [En Nisa 92].

Allahu në Kuran thotë: “Allahu nuk do t’iu ndëshkojë ju për ato gjëra të paqëllimshme në betimet tuaja, por Ai do t’iu ndëshkojë për betimet me qëllim, dhe për të shlyer një betim (të qëllimshëm), ushqeni dhjetë të varfër në atë masë sa keni ushqyer edhe familjet tuaja, ose i vishni ata, ose çlironi një skllav. Por kushdo që nuk mund ta përballojë këtë, atëherë ai duhet të agjërojë tri ditë. Kjo është shlyerja për betimet e bëra dhe ruani betë tuaja. Kështu Allahu jua bën të qarta Ajetet e Tij që të mund të bëheni mirënjohës e falenderues”. [El Maide 89].

Allahu në Kuran thotë: “O ju që keni besuar! Mos e mbytni gjahun duke qenë se jeni në Ihram (për Haxh apo Umre), dhe kushdo që e mbyt atë me qëllim, dënimi për të është bërja kurban e një kafshe të butë e sjellë në Kabe, të barazvlefshme me atë që ai ka vrarë. Për këtë çështje gjykojnë dy burra të drejtë nga mesi juaj; ose për shlyerje të gjynahit, ai duhet të ushqejë njerëz të varfër, ose sa i takon kësaj me agjërim, që të ndjejë peshën e ndëshkimit të veprës së tij. Allahu e ka falur atë që ka kaluar, por kushdo që e bën atë përsëri, Allahu do të marrë shpagim prej tij. Allahu është i Gjithëfuqishëm, plotësisht i Zoti për të marrë shpagimin.” [El Maide: 95]

Allahu në Kuran thotë: “Ata të cilët i bëjnë të paligjshme bashkëshortet e tyre (me dhihar), e pastaj zmbrapsen nga ajo që kanë thënë, janë të obliguar që para se të prekin njëri-tjetrin, të lirojnë një skllav. Ky është qortim për ju, dhe Allahu është i Mirënjohur për gjithçka që ju punoni. Ai i cili nuk ka mundësi (të lirojë skllav), duhet të agjërojë dy muaj njëri pas tjetrit para se ata të dy të prekin njëri-tjetrin. E për atë i cili nuk është në gjendje për këtë, ai duhet të ushqejë gjashtëdhjetë të varfër. Ky është një urdhër me qëllim që ju të keni besim të plotë tek Allahu dhe tek i Dërguari i Tij. Këta janë kufijtë e vendosur nga Allahu. Dhe për mosbesimtarët është ndëshkimi i dhimbshëm.” [El Muxhadele: 3-4]

Po kështu, agjërimi bashkohet me lëmoshën për shlyerjen e sprovës së burrit në pasurinë, familjen dhe komshiun e tij.

Hudhejefe ibën el Jeman (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) transmeton se Muhamedi (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Fitnen-Sprovat e burrit në familjen, pasurinë dhe fqinjët e tij i shlyen agjërimi dhe lëmosha.”[12]

8. Dera “Er Rajjan” e Xhenetit është për Agjëruesit:

Sehël ibën Seadi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) transmeton se i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Në xhenet është një derë e cila quhet er Rajjan. Nga ajo derë do të hyjnë vetëm agjëruesit në Ditën e Gjykimit, dhe nuk hyn prej saj askush tjetër. Kur ata të hyjnë, ajo mbyllet dhe nuk hyn më askush. [Kur ata të hyjnë të gjithë, ajo mbyllet. Kush hyn në të, do të pijë (ujë a diçka tjetër) dhe kush pi, nuk ka për t’u etur më kurrë.]”[13]

 

2. Vlera e muajit Ramazan

 

____________________________

[1] Parapritë.

[2] Transmeton Buhariu ( 4/ 106) dhe Muslimi (1400); nga Ibën Mesudi.

[3] Transmeton Buhariu (6/ 35) dhe Muslimi (1153); nga Ebi Seid el Hudri. Teksti i përmendur është i Muslimit. Shtatëdhjetë pranvera: d.m.th. ecje 70 vite. Kështu ka thënë Ibën Haxheri në “El Fet’h” (6/48).

[4] Transmeton Ahmedi (3/241) dhe (3/296); nga Xhabiri, ndërsa në (4/22) e transmeton nga Uthman ibën ebi el Asi. Ky hadith është i saktë.

[5] Transmeton Tirmidhiu (1624); nga hadithi I Ebi Umametu, por në senedin e tij ka butësi (dobësi), pasi që El Velid ibën Xhemil është i besueshëm por gabon. Megjithatë, ky hadith është pasuar nga hadithe të tjera, siç ka ardhur “El Kebir” të Taberanit: ( 8/ 260.274, 280); nga dy rrugë trasmetimesh; nga el Kasim; nga Ebi Umame.

Në këtë temë ka gjithashtu hadith edhe nga Ebi Dardai. Atë e ka transmetuar Tabarani në “es Sagir”: (1/273), por në të ka dobësi.

Si përfundim, Hadithi është i saktë.

[6] Transmeton Nesai (4/165), Ibën Hibani (faqe 232) dhe Hakimi ( 1/321). Senedi i këtij hadithi është i saktë.

[7] Të gjitha pikat që kan në fund këtë yll, përfshihen në Hadithin që përmendet më poshtë.

[8] D.m.th. se çdo vepër ka shpërblim të kufizuar, përveç agjërmit, shpërblimi i tij është pa hesap, siç do të ceket më pas.

[9] Ta thotë këtë fjalë me zë të dëgjueshëm, me qëllim që ofenduesi apo sulmuesi të tërhiqet. Thuhet gjithashtu se kjo fjalë duhet thënë pa zë, me qëllim që të ndalohet nga kthimi i ofendimit me ofendim, apo e sulmit me sulm. Por fjala e parë është më e saktë dhe më e qartë, pasi që “thënia” e pakufizuar me ndonjë cilësi, nuk mund të jetë veçse me gjuhë, ndërsa thënia me vete, pa zë, është e kufizuar. Njësoj si fjala e tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) në hadithin e transmetuar nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!): “Allahu ia ka falur popullit tim ato që thonë me vete (që i mendojnë por nuk i veprojnë), përderisa nuk i shprehin apo nuk i veprojnë ato.” [Ky Hadith është Mutefekun alejhi]. Kështu na bëhet e qartë se “thënia” e pakushtëzuar, nuk përdoret veçse për fjalën e shprehur me gjuhë dhe zë, e Allahu e di më mirë.

[10] Transmeton Buhariu (4/88) dhe Muslimi (1151). Teksti i përmendur është i Buhariut.

[11] Transmeton Ahmedi ( 6626), Hakimi (1/554), Ebu Naim (8/161); nga disa rrugë transmetimi; nga Jahja Ibën Abdullah; nga Abdurrahman el Hubulij, nga Abdullah ibën Amër. Ky transmetim është i mirë.

Dobi: Ky hadith dhe të tjera si ai, që flasin për trupëzimin apo të folurit e veprave të njeriut, duhet të besohen prerë pa asnjë pikë dyshimi, dhe pa ndonjë ndryshim të domethënies apo interpretim të saj, pasi që kjo është rruga e selefëve tanë të sinqertë, e padyshim se kjo është rruga më e paqshme, më e ditur dhe më e qëndrueshme (e saktë). Mjafton që ajo është një nga kushtet e besimit. Allahu i Lartëmadhëruar thotë: “Të cilët besojnë në Gajbin- të fshehtën (që ka lajmëruar Allahu), e falin namazin dhe japin (lëmoshë) nga ajo që Ne i kemi furnizuar.” [El Bekare: 3].

[12] Transmeton Buhariu (2/7) dhe Muslimi (144).

[13] Transmeton Buhariu (4/95) dhe Muslimi (1152), dhe shtesa ndërmjet kllapave tyransmetohet nga Ibën Huzejme, në “Sahihun” e tij (1903).