Plotesimi i diteve te agjerimit dhe agjerimet vullnetare

Nga libri “Fikhu Suneh”

Autor: Sejjid Sabik
Përkthyer nga një grup përkthyesish
Nxjerrja e Haditheve: Bledar Albani

 

Plotësimi i ditëve të agjërimit të lëna mangut

 

Lejohet për ata që janë të sëmurë kronikë dhe ata që janë udhëtarë ta ndërpresin agjërimin gjatë Ramazanit, me kushtin që ato ditë t’i plotësojnë më vonë.

Allahu (xh.sh.) thotë: “Ata që janë të sëmurë ose në udhëtim le t’i plotësojnë aq ditë nga ditët e mëvonshme”.

Muadhi thotë: “Me të vërtetë Allahu e bëri të detyruar agjërimin për Profetin duke thënë: “O ju që keni besuar! Agjërimi është bërë obligim për ju, ashtu siç ishte dhe për ata përpara jush … ”, deri te fjalët: “Dhe për kë mund të agjërojë (por nuk e bën) ka një sasi që duhet paguar”. Muadhi tregon se pas zbritjes së këtij ajeti, kush donte agjëronte dhe kush dëshironte të ushqente ndonjë të varfër, e bënte këtë dhe ishte e mjaftueshme për të. Pastaj, Allahu shpalli ajetin: “Muaji i Ramazanit është muaji në të cilin zbriti Kurani” dhe më tej “…kush e gjen këtë muaj, le të agjërojë!”. Me këtë ajet agjërimi u vendos për ata që ishin të shëndetshëm dhe jo udhëtarë. Një lejim u bë për të sëmurët, udhëtarët dhe u konfirmua ushqimi i një të varfëri nga i moshuari që nuk mund të agjëronte.[1] Transmetohet nga Ahmedi, Ebu Daudi dhe Bejhakiu me sened të vërtetë.

I sëmuri mund ta ndërpresë agjërimin, nëse ai ndikon në përkeqësimin e sëmundjes ose vonon shërimin e saj[2]. Në librin “El Mugni” thuhet: “Transmetohet nga disa dijetarë të hershëm se çdo lloj sëmundjeje e bën të lejuar për personin ndërprerjen e agjërimit, madje dhe një plagosje në gisht apo dhe një dhimbje dhembi. Ata e bazojnë mendimin e tyre mbi dy argumente:

– Fjalët e përdorura në ajet janë të përgjithshme dhe i referohen të gjitha sëmundjeve.

– Udhëtarit i lejohet të mos agjërojë, edhe në rast se ai nuk e ka të nevojshme.

I njëjtë me këtë është dhe rasti i të sëmurit”.

Gjithashtu, ky është dhe mendimi i Buhariut, Ataut dhe shkollës dhahirite.

Ai që ka frikë se mos sëmuret nga agjërimi, mund ta ndërpresë atë siç bën ai që është përfshirë nga uria ose etja dhe ka frikë se mos vdesë për këtë shkak, edhe nëse është i shëndetshëm dhe nuk është udhëtar. Ai duhet t’i plotësojë ato ditë më vonë.

Këtë ide e mbeshtesin edhe dy ajetet e mëposhtme kuranore:

وَلاَ تَقْتُلُوا أَنفُسَكُمْ إِنَّ اللَّهَ كَانَ بِكُمْ رَحِيمًا

“Mos e vrisni veten, se Allahu është i mëshirshëm me ju” (En-Nisa, 29) dhe وَمَا جَعَلَ عَلَيْكُمْ فِي الدِّينِ مِنْ حَرَجٍ

“Ai nuk ka vënë mbi ju vështirësi në fenë tuaj”. (El-Haxh, 78)

Nëse një person agjëron, megjithëse është i sëmurë, agjërimi i tij është i papëlqyeshëm, pasi ai nuk praktikon lehtësimin e dhënë nga Allahu dhe në këtë mënyrë vështirëson veten e tij. Në kohën e Profetit (a.s.) disa nga shokët agjëronin e disa jo (kjo nëse ishin të sëmurë apo në udhëtim) sipas porosive të Profetit.

Hamza El Eslemi ka thënë: “O i Dërguari i Allahut! Unë kam forcë të agjëroj edhe kur jam udhëtar. A bëj gabim po të veproj kështu?” Profeti (a.s.) iu përgjigj: “Ky është një lehtësim nga ana e Allahut. Kush e shfrytëzon, vepron drejt dhe kush do të agjërojë, nuk ka ndonjë vërejtje për të”.[3] Transmeton Muslimi.

Ebu Seid El Hudri tregon: “Njëherë (gjatë një beteje) po udhëtonim me Profetin (a.s.) për në Mekë dhe ishim agjërueshëm. Ndaluam në një vend dhe Profeti (a.s.) tha: “Po i afroheni armikut. Do të jeni më të fortë po ta prishni agjërimin”. Ai ishte një lehtësim dhe kështu disa nga ne e prishën agjërimin dhe disa të tjerë vazhduan të agjëronin. Pastaj ne mbërritëm në një vend tjetër dhe Profeti (a.s.) tha: “Në mëngjes ju do të përballeni me armikun tuaj. Prishja e agjërimit do t’ju jepte më shumë forcë”. Kështu, ne e prishëm agjërimin duke qenë se ajo ishte gjëja më e mirë për t’u bërë. E megjithatë, disa nga ne agjëronin me Profetin (a.s.) gjatë udhëtimit”.[4] Transmeton Muslimi, Ahmedi dhe Ebu Daudi.

Në një transmetim tjetër, Ebu Seid El Hudri ka thënë: “Ne luftuam nën udhëheqjen e Pejgamberit (a.s.) gjatë Ramazanit. Disa nga ne agjëruan dhe disa jo. Ata që nuk agjëronin nuk e shihnin si të gabuar veprimin e atyre që agjëronin dhe anasjelltas. Ata e dinin se, nëse dikush kishte mundësi të agjëronte kjo ishe e mirë dhe, nëse dikush ishte i dobët dhe nuk agjëronte, edhe kjo ishte e mirë”.[5] Transmeton Ahmedi dhe Muslimi.

Juristët kanë mendime të ndryshme për atë që është më e vlefshme të bësh për të agjëruar ose jo gjatë udhëtimit. Ebu Hanife, Shafiu dhe Maliku janë të mendimit se, nëse dikush ka mundësi të agjërojë, është më mirë për të që të agjërojë. Ahmedi thotë që është më mirë ta prishësh agjërimin.

Umer ibën Abdul Aziz thotë: “Veprimi më i mirë prej atyre të dyve është ai që është më i lehti. Nëse për dikë është më e lehtë të agjërojë sesa të plotësojë ditët më vonë, atëherë është më mirë për të që të agjërojë”. Sheukani ka dalë në konkluzionin se, nëse është e vështirë për një individ të agjërojë dhe nuk dëshiron ta praktikojë lehtësimin gjatë udhëtimit, atëherë më e mirë për të është të mos agjërojë. Në të njëjtën mënyrë, nëse dikush mendon se agjërimi i tij gjatë udhëtimit do të dukej si mburrje apo sa për sy e faqe, atëherë më mirë për të është të mos agjërojë. Nëse dikush nuk përballet me këto rrethana, atëherë është e preferuar për të që të agjërojë.

Nëse udhëtari e bën nijetin në darkë për të agjëruar dhe e ka filluar atë, ai mund ta prishë agjërimin e tij gjatë ditës. Xhabir ibën Abdullahu tregon: “I Dërguari i Allahut po udhëtonte me sahabët për në Mekë në vitin e çlirimit të saj. Profeti (a.s.) ishte agjërueshëm e bashkë me të edhe sahabët. Kur arritën në luginën e Gumejmit[6], dikush i tha Profetit se njerëzit ishin shumë të lodhur nga agjërimi, megjithëse ata preferonin të ndiqnin shembullin e tij. Pastaj ai kërkoi një enë me ujë, e ngriti lart dhe e piu që ta shihnin njerëzit. Më vonë i treguan se disa njerëz ende vazhdonin të agjëronin. Ai tha: “Ata janë mëkatarë”.[7] Transmeton Muslimi, Tirmidhiu dhe Nesaiu. Tirmidhiu e quan këtë hadith të vërtetë.

Nëse dikush ka vendosur që të agjërojë duke mos qenë udhëtar, por gjatë ditës vendos të udhëtojë, shumica e dijetarëve janë të mendimit se ai duhet të agjërojë.

Ahmedi dhe Is’haku thonë se ai mund ta prishë agjërimin. Ky mendim bazohet mbi transmetimin e Muhamed ibën Keab, i cili tregon: “Shkova te Enes ibën Maliku gjatë Ramazanit dhe ai mendonte të udhëtonte. Kafsha e tij ishte gati dhe ai kishte veshur rrobat e udhëtimit. Ai kërkoi ushqim dhe hëngri. Unë i thashë: “A ështe kjo prej Sunetit?” Ai tha: “Po”. Pastaj i hipi kafshës së tij dhe u largua”.[8] Transmeton Tirmidhiu, i cili e cilëson atë të besueshëm.

Ubejd ibën Xhubejr tregon: “Gjatë Ramazanit udhëtova në një anije nga Fustati[9] me Ebu Basra El Gafarin. Ai përgatiti ushqimin, ma serviri dhe më tha: “Urdhëro!” Unë i thashë: “Ende nuk jemi përtej shtëpive të qytetit (që do të thotë se nuk jemi nisur ende). Atëherë Ebu Basra m’u drejtua dhe më tha: “A po kërkon të largohesh nga Suneti i Profetit?”[10] Transmeton Ahmedi dhe Ebu Daudi. Ata që e transmetojnë këtë janë njerëz të besueshëm.

Sheukani shton: “Këto dy hadithe tregojnë se udhëtari mund ta prishë agjërimin përpara se të fillojë udhëtimin”. Më tej Sheukani citon Ibën El Arabiun të ketë thënë: “Përsa i përket hadithit të Enesit, ai është i vërtetë dhe tregon se dikush mund ta prishë agjërimin kur përgatitet të udhëtojë. Ky është një qëndrim i drejtë”.

Lloji i udhëtimit kur lejohet ndërprerja e agjërimit është i njëjtë me atë të shkurtimit të namazit. Po ashtu edhe koha e qëndrimit në të cilën i lejohet mysafirit të mos agjërojë është e njëjtë me dispozitat e namazit të udhëtarit. Ne i kemi diskutuar të gjitha mendimet për këtë pikë në pjesën “Shkurtimi i namazit” dhe kemi mbledhur perfundimet e Ibën El Kajimit për këtë çështje.

Ahmedi, Ebu Daudi, Bejhakiu dhe Tahavi kanë regjistruar nga Mensur El Kelbi se Dihja ibën Halife udhëtoi njëherë nga një fshat i Damaskut në në një distancë 1 farsah gjatë Ramazanit. Kur e prishi agjërimin, disa njerëz bënë të njëjtën gjë. Disa të tjerë nuk e pëlqyen këtë veprim. Kur u kthye në fshatin e tij, Dihjau tha: “Unë pashë diçka sot që nuk kisha dyshuar se do ta shihja. Njerëzit u larguan nga udhëzimet e Profetit dhe të shokëve të tij”. Ai e tha këtë për ata njerëz që vazhduan të agjëronin. Pastaj tha: “O Allah! Më merr tek Ti!”.[11] Të gjithë ata që e tregojnë janë njerëz të besueshëm, përveç Mensur El Kelbit, megjithëse El Ixhli pohon për besueshmërinë e tij.

 

Ata të cilët nuk lejohet të agjërojnë dhe duhet të plotësojnë ditët e lëna mangut

Dijetarët bien dakord se gruaja gjatë periodave mujore dhe gruaja lehonë duhet ta prishin agjërimin dhe t’i zëvendësojnë ato ditë më vonë. Nëse agjërojnë, agjërimi i tyre është i pavlefshëm dhe nuk është i pranuar.

Buhariu dhe Muslimi transmetojnë se Aishja (r.a.) ka thënë: “Kur ne kishim ciklin (me perioda) gjatë kohës që Profeti ishte gjallë, ishim të urdhëruara t’i plotësonim më vonë ditët e lëna të agjërimit, por nuk ishim të urdhëruara të plotësonim namazet e humbura”.[12]

 

Ditët në të cilat ndalohet agjërimi

Ka hadithe që tregojnë qartë se agjërimi është i ndaluar në ditë të caktuara. Këto ditë janë:

1- Ditët e festave të Bajramit:

Të gjithë dijetarët bien dakord se agjërimi gjatë ditëve të festave të Bajramit është i ndaluar. Nuk ka rëndësi nëse agjërimi në këto ditë është i detyrueshëm apo vullnetar. Umeri dëshmon se i Dërguari i Allahut e ka ndaluar agjërimin në këto ditë. Ai ka thënë: “Profeti (a.s.) e ka ndaluar agjërimin në ditët e festave të Bajrameve. Përsa i përket ditës së Fitër-Bajramit, veproni si në kohën e iftarit gjatë Ramazanit, ndërsa në Bajramin e Kurbanit ju duhet të hani nga kurbani juaj”.[13] Transmeton Ahmedi, Nesaiu, Tirmidhiu, Ebu Daudi dhe Ibën Maxhe.

2- Ditët e teshrikut (Tre ditë pas Kurban-Bajramit):

Nuk lejohet të agjërohet tre ditë pas ditës së Kurban-Bajramit. Ebu Hurejra transmeton se i Dërguari i Allahut e ka dërguar Abdullah ibën Hudhafen të lajmëronte në Mina: “Nuk duhet të agjëroni në këto tre ditë. Ato janë ditë në të cilat hahet, pihet dhe kujtohet Allahu”.[14] Transmetohet nga Ahmedi me një zinxhir transmetimi të besueshëm.

Ibën Abasi transmeton se Pejgamberi (a.s.) dërgoi një person të lajmërojë: “Mos agjëroni në këto ditë, pasi në to hahet, pihet dhe dëfrehet me bashkëshorten”.[15] Tabaraniu e tregon këtë hadith në librin e tij “El Eusat”.

Shafitë e lejojnë agjërimin në ditët e teshrikut, nëse ka ndonjë arsye për këtë, si për shembull agjërimi për shkak të një premtimi, për shlyerje apo për të plotësuar ditët e Ramazanit. Për agjërimin që nuk ka arsye të veçantë, nuk ka kundërshtim dhe rrjedhimisht nuk lejohet të bëhet në këto ditë. Shafitë përdorin të njëjtin arsyetim me namazet e veçanta që lejohen të falen dhe në kohët kur nuk lejohet namazi (për shembull namazi i përshendetjes së xhamisë etj).

3- Ndalohet ta veçosh të premten si ditë agjërimi:

Dita e premte është si një bajram i përjavshëm për muslimanët dhe për këtë është e ndaluar të agjërohet në këtë ditë. Shumica e dijetarëve thonë se kjo gjë është më shumë e papëlqyeshme[16] sesa një ndalim i mirëfilltë.

Nuk është e papëlqyeshme të agjërosh të premten, nëse agjëron një ditë para ose një ditë pas saj (bashkë me xhumanë) nëse kjo i bie të jetë në ditën e Arafatit, të Ashures apo nëse është në një nga ditët që dikush i agjëron vazhdimisht, si në rastin kur dikush zotohet se do të agjërojë ditën e shërimit të tij etj.

Abdullah ibën Amër tregon se, njëherë i Dërguari i Allahut ka hyrë në dhomën e Xheurije bint El Harithit, ndërkohë që ishte e premte dhe ajo po agjëronte. Ai e pyeti: “A ke agjëruar dje?” Ajo iu përgjigj: “Jo!” Ai tha: “A ke ndërmend të agjërosh nesër?” Ajo iu përgjigj: “Jo!” Pastaj ai tha: “Atëherë prishe agjërimin”.[17] Transmetohet nga Ahmedi dhe Nasaiu me një zinxhir të besueshëm transmetimi.

Amir El Eshari tregon se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut, Muhamedin (a.s.) të thotë: “Në të vërtetë dita e premte është ditë feste për ju, prandaj mos agjëroni në të, përveç nëse agjëroni një ditë përpara ose një ditë pas saj”.[18] Transmeton Bezari me zinxhir të besueshëm transmetimi.

Aliu (r.a.) këshillon dhe thotë: “Ai që dëshiron të agjërojë vullnetarisht duhet të agjërojë të enjten e të mos agjërojë të premten, pasi e premtja është një ditë përkujtimi, në të cilën hahet dhe pihet”. Transmeton Ibën Ebi Shejbe me një zinxhir të besueshëm transmetimi.

Në të dy “Sahihet” e Buhariut dhe Muslimit, Xhabiri tregon se Profeti ka thënë: “Mos agjëroni të premten, përveçse kur të agjëroni bashkë një ditë përpara ose një ditë pas saj”.[19]

Në versionin e Muslimit thuhet: “Mos e zgjidhni në veçanti natën e së premtes për të kryer namaz nate dhe gjithashtu mos e zgjidhni në veçanti ditën e premte si ditë agjërimi, përveç rastit kur ajo qëllon të jetë në një nga ditët që ju agjëroni rregullisht”.[20]

4- Ndalohet ta veçosh të shtunën si ditë agjërimi:

Busr Es-Selmi transmeton nga motra e tij Sama, se Profeti (a.s.) ka thënë: “Mos agjëroni të shtunave, përveç nëse bëhet fjalë për një agjërim të detyrueshëm. Nëse nuk gjeni diçka për të ngrënë, merrni disa lëvore rrushi ose dege peme dhe përtypini”.[21] Transmetohet nga Ahmedi, Nesaiu, Tirmidhiu, Ebu Daudi, Ibën Maxhe dhe Hakimi. Hakimi thotë se hadithi është i vërtetë (sahih) sipas kushteve të Muslimit, ndërsa Tirmidhiu e quan të besueshëm (hasen). Tirmidhiu ka thënë se ajo çka është e papëlqyeshme është caktimi i veçantë i të shtunës nga dikush si ditë agjërimi, kjo pasi është dita që e nderojnë çifutët.

Në kundërshtim me transmetimin e mësipërm, Umu Seleme thotë se Profeti (a.s.) agjëronte më shumë të shtunave dhe të djelave se në ditët e tjera. Ai thoshte: “Ato janë festat e politeistëve dhe unë pëlqej të dallohem nga ata”.[22] Transmetohet nga Ahmedi, Bejhakiu, Hakimi dhe Ibën Huzejme. Dy të fundit e konsiderojnë hadithin në fjalë të vërtetë.

Hanefitë, shafitë dhe hanbelitë e konsiderojnë të papëlqyeshëm agjërimin e veçuar të të shtunave, për shkak të fakteve të mësipërme.

Maliku ka pikëpamje të kundërt nga ata dhe e lejon agjërimin e veçantë të kësaj dite, megjithëse hadithi është fakt kundër tij.

5- Ndalohet të agjërosh në “ditën e dyshimit”:

Amar ibën Jasiri ka thënë: “Kush agjëron në ditën e dyshimit[23] ka kundërshtuar Ebu El Kasim (Profetin)”.[24] Transmetohet nga Nesai, Tirmidhiu, Ebu Daudi dhe Ibën Maxhe.

Për statutin e këtij hadithi, Tirmidhiu thotë se është një hadith hasen-sahih dhe se shumica e dijetarëve veprojnë në përputhje me të. Ky është mendimi i Sufjan El Theurit, Malik ibën Enesit, Abdullah ibën El Mubarekut, Shafiut, Ahmedit dhe Is’hakut. Të gjithë ata e urrejnë agjërimin në “ditën e dyshimit”. Shumica e tyre besojnë se, nëse dikush agjëron në një ditë të tillë dhe më pas zbulohet se ka qenë Ramazan, ai duhet ta zëvendësojë atë ditë. Nëse kjo ditë qëllon të jetë në një nga ditët e zakonshme që dikush i agjëron rregullisht, atëherë është e mundur të agjërohet në një ditë të tillë.

Transmetohet nga “Grupi” se Ebu Hurejra tregon se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Mos i paraprini Ramazanit duke agjëruar një apo dy ditë para tij, përveç rastit kur është një ditë që ju agjëroni rregullisht”.[25]

Rreth këtij hadithi Tirmidhiu thotë se ai është hasen-sahih dhe dijetarët veprojnë në përputhje me të. Ata nuk e pëlqejnë faktin që dikush ta shpejtojë Ramazanin duke agjëruar ditën para tij.

Nëse dikush agjëron një ditë që qëllon të jetë në “ditën e dyshimit” sipas mendimt të tyre nuk ka ndonjë problem me agjërimin e tij në atë ditë.

6- Ndalohet të agjëruarit e tërë vitit:

Kjo ndalohet, pasi në ditë të caktuara të vitit nuk lejohet agjërimi.

Muhamedi (a.s.) ka thënë: “Nuk ka agjërim për atë që agjëron përherë”.[26] Transmetohet nga Ahmedi, Buhariu dhe Muslimi.

Nëse dikush që agjëron gjithmonë e prish agjërimin në ditët e Bajramit dhe të teshrikëve, atëherë agjërimi i tij nuk do të jetë i papëlqyeshëm, nëse ai është i fuqishëm dhe ka mundësi ta bëjë këtë.

Duke komentuar rreth kësaj çështjeje, Tirmidhiu thotë: “Një grup dijetarësh nuk e pëlqejnë agjërimin e çdo dite, nëse përfshin dhe ditët e bajramit dhe teshrikët. Nëse ai e ndërpret agjërimin në këto ditë, agjërimi i tij nuk është më i papëlqyeshëm, pasi nuk përfshin të gjithë vitin. Ky grup dijetarësh janë Maliku, Shafiu, Ahmedi dhe Is’haku.

Profeti (a.s.) e ka përkrahur agjërimin e vazhdueshëm të Hamza El Eslemit dhe i ka thënë atij: “Po të duash agjëro dhe po të duash prishe agjërimin”. Ky hadith është përmendur dhe më parë. [27]

Më e vlefshme është që një ditë të agjërohet dhe një ditë jo, ngase ky është agjërimi më i dashur tek Allahu. Megjithatë, për këtë do të flitet më vonë me detaje.

7-Nuk i lejohet gruas të agjërojë pa lejen e burrit, kur ky i fundit është me të

I Dërguari i Allahut ia ka ndaluar gruas të agjërojë kur burri i saj është prezent, përveç rasteve kur ai e lejon një gjë të tillë.

Ebu Hurejra tregon se Profeti (a.s.) ka thënë: “Përveç muajit të Ramazanit, gruas nuk i lejohet të agjërojë qoftë edhe një ditë, kur burri i saj është prezent, përveçse me lejen e tij”.[28] Transmeton Ahmedi, Buhariu dhe Muslimi.

Dijetarët e interpretojnë këtë hadith si një ndalesë dhe ata e lejojnë burrin t’ia ndërpresë agjërimin gruas, nëse ajo ka agjëruar pa lejen e tij e të kërkojë të drejtën (seksuale) prej saj. Natyrisht që kjo qëndron për ato ditë jashtë ditëve te Ramazanit, pasi për agjërimin e detyruar të Ramazanit asaj nuk i duhet leja e burrit. Nëse burri mungon, ajo ka të drejtë të agjërojë vullnetarisht pa kërkuar lejen e tij, por është e drejtë e tij që kur të kthehet ta prishë agjërimin e saj. Nëse burri është i sëmurë apo i paaftë për të kryer marrëdhënie seksuale, gruas i lejohet të agjërojë pa lejen e tij, pasi ky rast është i ngjashëm me rastin kur burri nuk ndodhet pranë gruas së tij.

8- Është e ndaluar të agjërohet dy ditë rresht ose më shumë pa ngrënë fare:

Ebu Hurejra tregon se Profeti (a.s.) ka thënë: “Mos e praktikoni El-Uisalin (të agjëruarit pa ndërprerje)!” Ai e tha këtë tre herë dhe njerëzit i thanë: “Por ju po e praktikoni vetë këtë o i Dërguari i Allahut”. Ai tha: “Ju nuk jeni si unë në atë çështje. Unë e kaloj natën në një gjendje të tillë dhe Allahu më ushqen dhe më jep për të pirë. Përkushtohuni në ato vepra që mund t’i bëni”.[29] Transmeton Buhariu dhe Muslimi.

Dijetarët janë të mendimit se kjo ndalesë tregon se veprimi në fjalë është i papëlqyeshëm.

Ahmedi, Is’haku dhe Ibën Mundhiri janë të mendimit se lejohet të agjërohet deri në kohën e syfyrit, për aq kohë sa kjo nuk është një vështirësi për vetë personin. Ky mendim bazohet në atë që Buhariu ka transmetuar nga Ebu Seid El Hudri, sipas të cilit i Dërguari i Allahut ka thënë: “Mos e praktikoni El-Uisalin. Nëse ndonjëri nga ju ngul këmbë për ta bërë këtë, ai mund ta vazhdojë agjërimin e tij deri në kohën e syfyrit”.[30]

AGJËRIMET VULLNETARE

Profeti (a.s.) na nxit për të agjëruar në ditët e mëposhtme:

Gjashtë ditë nga muaji Sheval

Ebu Ejub El Ensari transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Kush e agjëron muajin e Ramazanit dhe e përcjell me gjashtë ditë të muajit Sheval, do të shpërblehet si të kishte agjëruar tërë vitin”.[31] Ky hadith transmetohet nga “Grupi”, përveç Buhariut dhe Nesaiut. [32]

Sipas Ahmedit këto ditë mund të agjërohen rresht ose jo, pasi asnjëra nuk preferohet nga tjetra. Hanefitë dhe shafitë janë të mendimit se është e preferueshme që këto ditë të agjërohen rresht pas ditëve të Bajramit.

Agjërimi i dhjetëditëshit të parë të Dhulhixhes, veçanërisht ditën e Arafatit për ata që nuk janë në haxh

Ebu Katade transmeton se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Agjërimi i ditës së Arafatit i fal gabimet e dy viteve, një vit përpara dhe një vit pas. Agjërimi i ditës së Ashures fal gabimet e vitit të kaluar”.[33] Ky hadith transmetohet nga “Grupi”, përveç Buhariut dhe Tirmidhiut.

Hafsa tregon se Profeti (a.s.) katër gjëra nuk i kishte braktisur kurrë; agjërimin e ditës së Ashures; agjërimin e dhjetëditëshit të parë të Dhulhixhes, agjërimin e tre ditëve të çdo muaji dhe faljen e dy rekateve para namazit të agimit.[34] Transmeton Ahmedi dhe Nesaiu.

Ukbe ibën Amir transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Dita e Arafatit, dita e kurbanit dhe ditët e teshrikut janë ditë feste për ne pjesëtarët e Islamit. Ato janë ditë, në të cilat hahet dhe pihet”.[35] Transmetohet nga “Të pestët”, përveç Ibën Maxhes. Tirmidhiu e konsideron hadithin të vërtetë.

Ebu Hurejra thotë se i Dërguari i Allahut e ka ndaluar agjërimin e ditës së Arafatit për atë që është në Arafat atë ditë.[36] Kjo transmetohet nga Ahmedi, Nesaiu, Ebu Daudi dhe Ibën Maxhe.

Tirmidhiu thotë se dijetarët preferojnë që dita e Arafatit të agjërohet, përveç atyre që janë në Arafat.

Umu El Fadl ka thënë se njerëzit dyshonin nëse Profeti (a.s.) po agjëronte apo jo në ditën e Arafatit. Ajo i dërgoi atij pak qumësht dhe ai e piu ndërsa po u fliste njerëzve në Arafat.[37] Transmeton Buhariu dhe Muslimi.

Agjërimi gjatë muajit Muharrem, veçanërisht ditën e Ashures dhe ditët që e paraprijnë dhe e shoqërojnë atë

Ebu Hurejra tregon se Profeti (a.s.) është pyetur se cili namaz është më i vlefshëm pas namazeve të detyruara. Ai i ka thënë: “Namazi gjatë mesit të natës”. Pastaj e ka pyetur se cili agjërim është më i mirë pas agjërimit të Ramazanit dhe Profeti (a.s.) i është përgjigjur: “Muaji i Allahut që ju e quani Muharrem”.[38] Transmetohet nga Ahmedi, Muslimi dhe Ebu Daudi.

Muavije ibën Ebu Sufjan tregon se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut duke thënë: “Përsa i përket ditës së Ashures, nuk është e detyrueshme për ju të agjëroni, megjithëse unë agjëroj. Kush dëshiron, le të agjërojë e kush nuk dëshiron, nuk është i detyruar të agjërojë”.[39] Hadithi transmetohet nga Buhariu dhe Muslimi.

Aishja (r.a.) tregon se Kurejshët e kishin zakon të agjëronin ditën e Ashures përpara Islamit. Edhe Profeti (a.s.) e agjëronte atë ditë. Kur shkoi në Medine, ai vazhdoi të agjëronte dhe i urdhëroi njerëzit të agjëronin edhe ata. Pastaj, kur muaji i Ramazanit u bë i detyrueshëm, ai tha: “Kush dëshiron mund ta agjërojë ditën e Ashures dhe kush do mund ta lërë atë”.[40] Transmeton Buhariu dhe Muslimi.

Ibën Abasi tregon se Profeti (a.s.) shkoi në Medine dhe i gjeti çifutët duke agjëruar ditën e Ashures. U tha: “Për çfarë e bëni këtë agjërim?” Ata i thanë: “Është një ditë e madhe, se Allahu e shpëtoi Musain dhe fiset e Izraelit nga armiqtë e tyre në këtë ditë, prandaj dhe Musai ka agjëruar në këtë ditë”. Profeti (a.s.) u tha: “Ne kemi më shumë të drejta tek Musai se ju”. Kështu, ai agjëroi dhe i urdhëroi njerëzit të agjëronin në atë ditë.[41] Transmeton Buhariu dhe Muslimi.

Sipas Buhariut dhe Muslimit, Ebu Musa El Eshariu tregon se çifutët e nderonin ditën e Ashures si një festë bajrami. Profeti (a.s.) tha: “Ju duhet të agjëroni në të”.[42]

Ibën Abasi transmeton se Dërguari i Allahut agjëroi ditën e Ashures dhe urdhëroi njerëzit të agjëronin bashkë me të. Njerëzit i thanë: “O i Dërguari i Allahut! Kjo është dita që e nderojnë çifutët dhe të krishterët. Profeti (a.s.) u tha: “Kur të vijë viti tjetër në dashtë Allahu, ne do të agjërojmë ditën e nëntë”. Ndodhi që Profeti (a.s.) ndërroi jetë para vitit pasardhës.[43] Transmeton Muslimi dhe Ebu Daudi. Në një version tjetër thuhet: “Nëse do jem gjallë deri vitin tjetër, do të agjërojmë ditën e nëntë”.[44] (së bashku me Ashuren). Transmeton Muslimi dhe Ebu Daudi.

Dijetarët kanë përmendur agjërimin e Ashures në tre mënyra:

(1) Agjërimi i tre ditëve 9, 10 dhe 11 në muajin Muharrem.

(2) Agjërimi në datën 9 dhe 10 të këtij muaji.

(3) Agjërimi vetëm në datën 10 Muharrem.

Bujaria me ushqimet e shtëpisë ditën e Ashures

Xhabiri transmeton se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Kush është bujar me veten dhe me familjen e tij ditën e Ashures, Allahu do të jetë bujar me të për gjithë vitin”.[45] Këtë e transmeton Bejhakiu në librin “Esh-Shuab” dhe Ibën Abdul Berr. Hadithi ka zinxhirë të tjerë transmetimi, por të gjithë ata janë të dobët. Megjithatë, të tubuar të gjithë bashkë ata e forcojnë rangun e hadithit, siç thotë dhe Sehavi.

Agjërimi i pjesës më të madhe të muajit Shaban (muaj paraprirës i Ramazanit)

Profeti (a.s.) agjëronte pjesën me të madhe të muajit Shaban. Aishja (r.a.) tregon se kurrë nuk e kishte parë Profetin (a.s.) të agjëronte një muaj të plotë përveç Ramazanit dhe se kurrë nuk e kishte parë atë të agjëronte më shumë gjatë një muaji se sa në muajin Shaban.[46] Transmetohet nga Buhariu dhe Muslimi.

Njëherë Usame ibën Zejdi i tha Profetit (a.s.): “O i Dërguari i Allahut! Nuk të shoh të agjërosh në asnjë muaj tjetër, ashtu siç bën në muajin Shaban”. Profeti (a.s.) iu drejtua dhe i tha: “Ai është muaji që njerëzit nuk i kushtojnë vëmendje. Ai është midis Rexhebit dhe Ramazanit. Ai është muaji, gjatë të cilit ngrihen veprat tek Zoti i botërave dhe unë preferoj të jem agjërueshëm kur të ngrihen veprat e mia”.[47] Transmetohet nga Ebu Daudi dhe Nesaiu. Ibën Huzejme e vlerëson këtë hadith si të vërtetë.

Disa njerëz veçojnë në agjërim ditën e pesëmbëdhjetë të këtij muaji, duke menduar se ajo ditë përmban më shumë vlera se të tjerat, por kjo gjë është e pabazuar dhe nuk mbështetet në ndonjë argument të vërtetë.

Agjërimi gjatë “muajve të ndaluar” (Esh’hur el-hurum)

Këta muaj janë Dhulkade, Dhulhixhe, Muharrem dhe Rexheb. Është e pëlqyeshme që gjatë këtyre muajve të agjërohet sa më shumë. Një burrë nga Bahileh shkoi tek Profeti (a.s.) dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut! Unë jam ai që erdhi tek ju një vit më parë”. Profeti (a.s.) i tha: “Çfarë të ka gjetur? Ke qenë shumë më i pashëm!”Ai u përgjigj: “Nuk kam ngrënë, përveçse natën që kur u ndava prej jush”. Profeti (a.s.) i tha: “Përse e ke dënuar veten? Agjëro gjatë muajit të durimit (Ramazanit) dhe nga një ditë në çdo muaj”. Burri tha: “Më shto diçka tjetër, pasi unë kam më shumë forcë dhe mundësi për të agjëruar”. Profeti (a.s.) i tha: “Agjëro nga dy ditë (të çdo muaji)”. Burri këmbënguli dhe tha: “Më shto përsëri”. Atëherë Profeti (a.s.) i tha tre herë: “Agjëro nga “muajt e ndaluar” (tri ditë rresht) dhe lëre agjërimin (tri ditë rresht)”. Ai tregoi me tre gishtat e tij duke i mbledhur dhe i lëshuar ato.[48] Hadithi transmetohet nga Ahmedi, Ebu Daudi, Ibën Maxhe dhe Bejhakiu me zinxhir të mirë transmetimi.

Agjërimi gjatë Rexhebit nuk përmban më shumë vlera se agjërimi në muajt e tjerë. Nuk ka ndonjë transmetim të vërtetë nga Suneti që të tregojë se agjërimi në muajin Rexheb ka një shpërblim të veçantë. Gjithçka që ka pasur lidhje me të nuk ka qenë plotësisht e konsiderueshme për t’u marrë si provë.

Ibën Haxheri thotë se nuk ka hadith autentik, që është i vlefshëm për argmentim rreth vlerave të tij e as agjërimit të tij apo ditëve të caktuara të tij dhe as rreth faljes së namazit në ndonjë natë të veçantë prej netëve të këtij muaji.

Agjërimi i të hënave dhe të enjteve

Ebu Hurejra transmeton se ditët që Profeti (a.s.) agjëronte më tepër ishin e hëna dhe e enjtja. Kur u pyet rreth kësaj, ai tha: “Veprat paraqiten (te Allahu) çdo të hënë dhe të enjte. Allahu fal çdo musliman apo çdo besimtar, përveç atyre që janë grindur me njëri-tjetrin. Ai thotë: Lërini ata për më vonë”.[49] Transmeton Ahmedi me një zinxhir të vërtetë transmetimi.

Në “Sahih Muslim” thuhet se, kur u pyet Profeti (a.s.) rreth agjërimit të ditës së hënë, tha: “Ajo është dita kur unë kam lindur dhe është dita që më ka ardhur shpallja”.[50]

Agjërimi i tre ditëve të çdo muaji

Ebu Dherr El Gafari transmeton se Profeti (a.s.) i kishte urdhëruar të agjëronin tre ditë të çdo muaji, pikërisht ditët me hënë të plotë (13, 14, 15 sipas kalendarit hënor). Ai ka thënë në lidhje me to: “Nëse agjëron ato ditë, është si të agjërosh gjithë vitin”.[51] Transmeton Nesaiu dhe Ibën Hibani, i cili e konsideron këtë hadith të vërtetë.

Tregohet se Profeti (a.s.) agjëronte të shtunën, të dielën dhe të hënën e një muaji dhe të martën, të mërkurën dhe të enjten e muajit tjetër.[52]

Gjithashtu, ai agjëronte tre ditë në fillim të muajit. Po ashtu agjëronte të enjten e parë dhe dy të hënat e pasardhëse të muajit.[53]

Agjërimi një ditë po dhe një ditë jo

Ebu Seleme ibën Abdurrahman transmeton nga Abdullah ibën Amër se Profeti (a.s.) i ka thënë atij: “Më kanë thënë se ti falesh natën dhe agjëron ditën (vazhdimisht)”. Abdullahu iu përgjigj: “Po, o i Dërguari i Allahut”. Pastaj Profeti i tha: “Agjëro dhe ha, falu dhe fli, pasi ti ke detyrime ndaj trupit tënd, ndaj bashkëshortes tënde dhe ndaj mysafirit tënd. Është e mjaftueshme për ty të agjërosh tre ditë të një muaji”. Abdullahu donte ta nënshtronte veten e tij dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut! Unë kam fuqi për më tepër. Profeti (a.s.) i tha: “Agjëro tre ditë në javë”. Abdullahu tha: “Unë kam fuqi për më tepër”. Atëherë, Profeti (a.s.) i tha: “Agjëro sipas agjërimit të Profetit të Allahut, Daudit dhe mos bëj më tepër!” Abdullahu e pyeti: “Cili ishte agjërimi i Daudit?” Profeti (a.s.) iu përgjigj: “Ai agjëronte një ditë dhe hante në tjetrën”.[54] Transmeton Ahmedi dhe të tjerë.

Ahmedi transmeton nga Abdullah ibën Amri se Profeti (a.s.) ka thënë: “Agjërimi më i pëlqyer tek Allahu është agjërimi i Daudit dhe namazi më i pëlqyer tek Allahu është namazi i Daudit. Ai flinte gjysmën e natës, 1/3 e kalonte duke u falur dhe pjesën e mbetur flinte përsëri. Gjithashu, ai agjëronte një ditë po dhe një ditë jo”.[55]

Ai që agjëron vullnetarisht një ditë të caktuar mund ta ndërpresë agjërimin e tij

Umu Hani tregon se Profeti (a.s.) hyri në dhomën e saj, ditën kur u çlirua Meka. I dhanë diçka për të pirë dhe piu. Pastaj ai ia dha Umu Hanit dhe ajo i tha se agjëronte. Profeti (a.s.) i tha: “Ai që agjëron vullnetarisht është përgjegjës për veten e tij. Nëse do, agjëro e nëse do prishe agjërimin tënd”.[56] Transmeton Ahmedi, Darakutni dhe Bejhakiu.

Edhe Hakimi e transmeton këtë hadith dhe thotë se zinxhiri i tij është i vërtetë. Në versionin e tij thuhet: “Nëse dikush dëshiron, mund të agjërojë dhe nëse dëshiron, mund ta prishë atë”.

Ebu Xhuhejfe tregon se Profeti vëllazëroi Selmanin dhe Ebu Derdanë. Njëherë Selmani i bëri vizitë Ebu Derdasë dhe vuri re se e shoqja e tij, Umu Derdaja, mbante rroba shumë të thjeshta. Ai i tha asaj: “Çfarë të ka ndodhur?” Ajo i tha se vëllai i tij (Ebu Derdaja) nuk kishte asnjë nevojë për dynjanë (dhe nuk e vriste fare mendjen për të). Kur erdhi Ebu Derdaja, ai përgatiti ushqim për Selmanin dhe i tha: “Ha, pasi unë agjëroj”. Selmani tha: “Nuk do të ha, derisa të hash dhe ti”. Kështu hëngri dhe ai. Natën, Ebu Derdaja u ngrit për t’u falur dhe Selmani i tha të flinte. Ashtu bëri. Në fund të natës, Selmani e zgjoi Ebu Derdanë dhe i tha: “Falu tani”. Ata u falën të dy dhe Selmani i tha: “Ndaj Zotit ke detyrime, ndaj vetes tënde ke detyrime dhe ndaj gruas tënde ke detyrime. Jepi secilit të drejtën që i takon”.

Më vonë, Ebu Derdaja shkoi tek Profeti (a.s.) për t’i treguar se çfarë kishte thënë Selmani. Pasi e dëgjoi, Profeti (a.s.) i tha: “Selmani ka thënë të vërtetën”.[57] Transmeton Buhariu dhe Tirmidhiu.

Ebu Seid El Hudri tregon se, njëherë po përgatiste ushqim për Profetin (a.s.). Ai shkoi tek ai me disa nga shokët e tij. Kur u shtrua ushqimi, njëri nga burrat tha se agjëronte. Pejgamberi (a.s.) i tha: “Vëllait yt të ka ftuar dhe ka shpenzuar për ty”. Pastaj ai tha: “Prishe agjërimin dhe agjëro një ditë tjetër, nëse do”.[58] Transmeton Bejhakiu.

Shumica e dijetarëve janë të mendimit si ai që agjëron vullnetarisht, mund ta prishë atë. Megjithatë, preferohet që ai ta zëvendësojë atë më vonë. Ky mendim është i qartë dhe mbështetet nga hadithet autentike.

 

Rregulla rreth agjërimit

Vijon …

_______________________________________

[1] Hadith Sahih. “El Irva” 4/21. E ka nxjerrë Ebu Daudi 507, Ibën Xherir et Taberi 2733, el Hakim 2/774, Bejhakiu 4/200, Ahmedi 5/246, 247.

[2] Kjo mund të përcaktohet me anë të eksperiencës ose duke u konsultuar me një mjek të besueshëm ose nëse ka prova të mjaftueshme që tregojnë se personi do të sëmuret.

[3] Muslimi 2624, Ebu Daudi 2403, Nesai 2303, Bejhakiu 4/243.

[4] Muslimi 2619, Ebu Daudi 2406, Ahmedi 3/35.

[5] Muslimi 2613, Tirmidhiu 713, Nesai 2308, Ahmedi 3/12, Bejhakiu 4/245.

[6] Ndodhet përballë Asfanit.

[7] Muslimi 2605, Tirmidhiu 710, Nesai 2263, Bejhakiu 4/246.

[8] Hadith Sahih. “Tas’hih hadith iftaris saimi kable seferihi” 13-28. E ka nxjerrë Tirmidhiu 799, Bejhakiu 4/246.

[9] Egjipti i vjetër.

[10] Hadith Sahih me dëshmuesit për të. “Tamamul Mineh” 400, “El Irva” 928. E ka nxjerrë Ebu Daudi 2412, Bejhakiu 4/246, Ahmedi 6/398.

[11] Hadith Sahih me dëshmuesit për të. “Tamamul Mineh” 400-401. E ka nxjerrë Ebu Daudi 2413, Bejhakiu 4/241.

[12] Buhariu 321, Muslimi 761, Ebu Daudi 262,263, Tirmidhiu 130, Nesai 380, 2317, Ibën Maxheh 631.

[13] Buhariu 1990, 5571, Muslimi 2666, 5070, Ebu Daudi 2416, Tirmidhiu 771, Ibën Maxheh 1722, Ahmedi 1/24. “El Irva” 962.

[14] Ahmedi 5/75, 76, 224.

[15] Hadith Daif me shtesën në fund. “Tamamul Mineh” 402-403.

[16] Sipas Ebu Hanifes dhe Malikut nuk është e papëlqyeshme, por faktet e paraqitura kundërshtojnë mendimin e tyre në këtë çështje.

[17] Buhariu 1986, Ebu Daudi 2422, Ahmedi 2/189, 6/324.

[18] Hadith munker – i panjohur me këtë rrugë transmetimi. “El Irva” 4/116-117. E ka nxjerrë Tahaviu 1/339, Ibën Huzejme 216, el Hakim 1/437, Ahmedi 2/303, 532.

[19] Buhariu , Muslimi 2678, Ebu daudi 262, 263, Tirmidhiu 130, Nesai 382, Ibën Maxheh 631.

[20] Muslimi 2679.

[21] Hadith Sahih. “El Irva” 960, “Tamamul Mineh” 406. E ka nxjerrë Ebu Daudi 2421, Tirmidhiu 744, Ibën Maxheh 1726, Darimi 2/19, Tahaviu 1/339, Ibën Huzejme 2164, el Hakim 1/435, Bejhakiu 4/302, Ahmedi 6/368.

[22] Hadith Daif. “Ed Daife” 1099. E ka nxjerrë Ahmedi 6/324, Ibën Huzejme 2167, Ibën Hibani 941, el Hakim 1/436, Bejhakiu 4/303.

[23] Për shembull, kjo ndodh kur njerëzit janë në dyshim nëse është dita e fundit e shabanit apo dita e parë e ramazanit, që do të thotë se ata nuk e kanë parë hënën, por agjërojnë për të qenë më të sigurt.

[24] Hadith Sahih. “El Irva” 961. E ka nxjerrë Ebu Daudi 2334, Tirmidhiu 686, Nesai 2188, Ibën Maxheh 1645, Ibën Huzejme 2168, Darimi 2/2, Tahaviu 1/356, Datakutni 227, el Hakim 1/424, Bejhakiu 4/208.

[25] Buhariu 1914, Muslimi 2514, Ebu Daudi 2335, Nesai 2172, Tirmidhiu 738, Ibën Maxheh 1650, Ahmedi 2/234, 347, 408, 477, 497, Darimi 2/4.

[26] Buhariu 1977, 1979, 3419, Muslimi 2726, 2727, Tirmidhiu 768, Nesai 2378, Ibën Maxheh 1706, Ahmedi 2/164, 189, 190, 199, 212, 6/455.

[27] Është përmendur më parë me shprehje tjetër, ku nuk përmendet agjërimi i vazhdueshëm, por vetëm agjërimi në udhëtim. Teksti i këtij hadithi është: Esmaja tregon se Hamza ibën Amër El Eslemi ishte shumë i dhënë pas agjërimit dhe njëherë e pyeti Profetin (a.s.), nëse mund të agjëronte gjatë udhëtimit. Profeti (a.s.) i ka thënë atij: “Po të duash agjëro dhe po të duash prishe agjërimin”. Hadithi transmetohet nga Buhariu dhe Muslimi.

[28] Buhariu 2066, 5360, Muslimi 2367, Ebu Daudi 2458, Tirmidhiu 782, Ibën Maxheh 1761, Darimi 2/12, Ahmedi 2/316, 444, 476, 500.

[29] Buhariu 1966, Muslimi 2562, Maliku 1/301, Darimi 2/7,8, Ahmedi 2/231, 237, 244, 315, 345, 418.

[30] Buhariu 1963, Ebu Daudi 2361, Darimi 2/21, Ahmedi 3/8.

[31] Muslimi 2750, Ebu Daudi 2433, Tirmidhiu 759, Ibën Maxheh 1716.

[32] Ky hadith vlen për dikë që e plotëson agjërimin e Ramazanit vit për vit, ngase çdo mirësi shpërblehet dhjetëfish dhe një muaj agjërim shpërblehet me dhjetë muaj, ndërsa gjashtë ditë të Sheëalit shpërblehen me dy muaj, kështu që kompletohet i tërë viti.

[33] Muslimi 2738, Ebu Daudi 2425, Nesai 2382, Tirmidhiu 749, Ibën Maxheh 1713, 1730, 1738, Ahmedi 5/296, 297, 304.

[34] Hadith Daif. “El Irva” 954. E ka nxjerrë Nesai 2416, Ahmedi 6/287.

[35] Hadith Sahih. “El Irva” 4/130-131. E ka nxjerrë Ebu Daudi 2419, Tirmidhiu 773, Nesai 3004, Ibën Ebi Shejbe 2/183, Darimi 2/23, Tahaviu 1/335, Ibën Hibani 958, el Hakim 1/434, Bejhakiu 4/298, Ahmedi 4/152.

[36] Hadith Daif. “Ed Daife” 404. E ka nxjerrë Buhariu në librin “Et Tarih el Kebir” 7/425, Ebu Daudi 2440, Ibën Maxheh 1732, Tahaviu 4/112, el Hakim 1/434, Bejhakiu 4/284.

[37] Buhariu 1661, 1988, 5604, Muslimi 2627, Ebu Daudi 2441, Tirmidhiu 750, Ahmedi 1/217, 278, 344, 6/338-340.

[38] Muslimi 2747, 2748, Ebu Daudi 2429, Tirmidhiu 740, Nesai 1612,1613, Ibën Maxheh 1742, Darimi 2/21, Ahmedi 2/303, 342, 344, 535.

[39] Buhariu 2003, Muslimi 2648, Maliku 1/299, Ahmedi 4/95.

[40] Buhariu 1893, Muslimi 2632, Ebu Daudi 2442, Tirmidhiu 753, Darimi 2/22, Maliku 1/299, Ahmedi 2/57, 143, 6/162.

[41] Buhariu 2004, Muslimi 2651, 2652, Ibën Maxheh 1734.

[42] Buhariu 2005, 3942, Muslimi 2655.

[43] Muslimi 2661, Ebu Daudi 2445.

[44] Muslimi 2662, Ibën Maxheh 1736, Ahmedi 1/224, 225, 345.

[45] Hadith Meudu – i trilluar. “Tamamul Mineh” 410-411.

[46] Buhariu 1969, Muslimi 2714, Ebu Daudi 2434, Nesai 2350, Maliku 1/309.

[47] Hadith Hasen. “El Irva” 4/103. E ka nxjerrë Nesai 2357, Ahmedi 5/201, Ibën Huzejme 3/304-305 me kuptim të përafërt.

[48] Hadith Daif. “Tamamul Mineh” 413, “Daifu Ebi Daud” 419. E ka nxjerrë Ebu Daudi 2428, Ibën Maxheh 1741.

[49] Hadith Sahih. “El Irva” 4/104, “Et Targib” 1042. E ka nxjerrë Ahmedi 2/329, Ed Darimi 2/20, Ibën Maxheh 1740 me shprehje të përafërt.

[50] Muslimi 2742, Ahmedi 5/297, 299.

[51] Hadith Hasen. “Es Sahiha” 1567, “Sahihul Xhami” 673. E ka nxjerrë Nesai 2422, 2423, Ibën Hibani 943, Bejhakiu 4/294, Ahmedi 5/152, 177

[52] Hadith Daif. “Tamamul Mineh” 414, “El Mishkat” 2059. E ka nxjerrë Tirmidhiu 746, Ahmedi 1/406.

[53] Diçka e tillë nuk gjendet në librat e sunetit. “Tamamul Mineh” 415.

[54] Buhariu 1974, 1975, 6134, Muslimi 2722, Nesai 2390, Ahmedi 2/195, 197, 198, 200, 225.

[55] Buhariu 1131, 3420, Muslimi 2731, Ebu Daudi 2448, Nesai 1629, 2343, Ibën Maxheh 1712, Ahmedi 2/160.

[56] Hadith Sahih. “Sahihul Xhami” 3854. E ka nxjerrë Darakutni 2/173, 174, Bejhakiu 4/276, 277, Ahmedi 6/343, el Hakim 1/439.

[57] Buhariu 1968, Tirmidhiu 2413.

[58] Hadith Hasen. “El Irva” 1952. E ka nxjerrë Bejhakiu 4/279, Taberani në “El Eusat” 1/132.