I Derguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) na nxit për të agjëruar në ditët e mëposhtme

1. Gjashtë ditë nga muaji Sheval

Ebu Ejub El Ensari transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Kush e agjëron muajin e Ramazanit dhe e përcjell me gjashtë ditë të muajit Sheval, do të shpërblehet si të kishte agjëruar tërë vitin”.[31] Ky hadith transmetohet nga “Grupi”, përveç Buhariut dhe Nesaiut. [32]

Sipas Ahmedit këto ditë mund të agjërohen rresht ose jo, pasi asnjëra nuk preferohet nga tjetra. Hanefitë dhe shafitë janë të mendimit se është e preferueshme që këto ditë të agjërohen rresht pas ditëve të Bajramit.

 

2. Agjërimi i dhjetëditëshit të parë të Dhulhixhes, veçanërisht ditën e Arafatit për ata që nuk janë në haxh

Ebu Katade transmeton se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Agjërimi i ditës së Arafatit i fal gabimet e dy viteve, një vit përpara dhe një vit pas. Agjërimi i ditës së Ashures fal gabimet e vitit të kaluar”.[33] Ky hadith transmetohet nga “Grupi”, përveç Buhariut dhe Tirmidhiut.

Hafsa tregon se Profeti (a.s.) katër gjëra nuk i kishte braktisur kurrë; agjërimin e ditës së Ashures; agjërimin e dhjetëditëshit të parë të Dhulhixhes, agjërimin e tre ditëve të çdo muaji dhe faljen e dy rekateve para namazit të agimit.[34] Transmeton Ahmedi dhe Nesaiu.

Ukbe ibën Amir transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Dita e Arafatit, dita e kurbanit dhe ditët e teshrikut janë ditë feste për ne pjesëtarët e Islamit. Ato janë ditë, në të cilat hahet dhe pihet”.[35] Transmetohet nga “Të pestët”, përveç Ibën Maxhes. Tirmidhiu e konsideron hadithin të vërtetë.

Ebu Hurejra thotë se i Dërguari i Allahut e ka ndaluar agjërimin e ditës së Arafatit për atë që është në Arafat atë ditë.[36] Kjo transmetohet nga Ahmedi, Nesaiu, Ebu Daudi dhe Ibën Maxhe.

Tirmidhiu thotë se dijetarët preferojnë që dita e Arafatit të agjërohet, përveç atyre që janë në Arafat.

Umu El Fadl ka thënë se njerëzit dyshonin nëse Profeti (a.s.) po agjëronte apo jo në ditën e Arafatit. Ajo i dërgoi atij pak qumësht dhe ai e piu ndërsa po u fliste njerëzve në Arafat.[37] Transmeton Buhariu dhe Muslimi.

3. Agjërimi gjatë muajit Muharrem, veçanërisht ditën e Ashures dhe ditët që e paraprijnë dhe e shoqërojnë atë

Ebu Hurejra tregon se Profeti (a.s.) është pyetur se cili namaz është më i vlefshëm pas namazeve të detyruara. Ai i ka thënë: “Namazi gjatë mesit të natës”. Pastaj e ka pyetur se cili agjërim është më i mirë pas agjërimit të Ramazanit dhe Profeti (a.s.) i është përgjigjur: “Muaji i Allahut që ju e quani Muharrem”.[38] Transmetohet nga Ahmedi, Muslimi dhe Ebu Daudi.

Muavije ibën Ebu Sufjan tregon se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut duke thënë: “Përsa i përket ditës së Ashures, nuk është e detyrueshme për ju të agjëroni, megjithëse unë agjëroj. Kush dëshiron, le të agjërojë e kush nuk dëshiron, nuk është i detyruar të agjërojë”.[39] Hadithi transmetohet nga Buhariu dhe Muslimi.

Aishja (r.a.) tregon se Kurejshët e kishin zakon të agjëronin ditën e Ashures përpara Islamit. Edhe Profeti (a.s.) e agjëronte atë ditë. Kur shkoi në Medine, ai vazhdoi të agjëronte dhe i urdhëroi njerëzit të agjëronin edhe ata. Pastaj, kur muaji i Ramazanit u bë i detyrueshëm, ai tha: “Kush dëshiron mund ta agjërojë ditën e Ashures dhe kush do mund ta lërë atë”.[40] Transmeton Buhariu dhe Muslimi.

Ibën Abasi tregon se Profeti (a.s.) shkoi në Medine dhe i gjeti çifutët duke agjëruar ditën e Ashures. U tha: “Për çfarë e bëni këtë agjërim?” Ata i thanë: “Është një ditë e madhe, se Allahu e shpëtoi Musain dhe fiset e Izraelit nga armiqtë e tyre në këtë ditë, prandaj dhe Musai ka agjëruar në këtë ditë”. Profeti (a.s.) u tha: “Ne kemi më shumë të drejta tek Musai se ju”. Kështu, ai agjëroi dhe i urdhëroi njerëzit të agjëronin në atë ditë.[41] Transmeton Buhariu dhe Muslimi.

Sipas Buhariut dhe Muslimit, Ebu Musa El Eshariu tregon se çifutët e nderonin ditën e Ashures si një festë bajrami. Profeti (a.s.) tha: “Ju duhet të agjëroni në të”.[42]

Ibën Abasi transmeton se Dërguari i Allahut agjëroi ditën e Ashures dhe urdhëroi njerëzit të agjëronin bashkë me të. Njerëzit i thanë: “O i Dërguari i Allahut! Kjo është dita që e nderojnë çifutët dhe të krishterët. Profeti (a.s.) u tha: “Kur të vijë viti tjetër në dashtë Allahu, ne do të agjërojmë ditën e nëntë”. Ndodhi që Profeti (a.s.) ndërroi jetë para vitit pasardhës.[43] Transmeton Muslimi dhe Ebu Daudi. Në një version tjetër thuhet: “Nëse do jem gjallë deri vitin tjetër, do të agjërojmë ditën e nëntë”.[44] (së bashku me Ashuren). Transmeton Muslimi dhe Ebu Daudi.

Dijetarët kanë përmendur agjërimin e Ashures në tre mënyra:

(1) Agjërimi i tre ditëve 9, 10 dhe 11 në muajin Muharrem.

(2) Agjërimi në datën 9 dhe 10 të këtij muaji.

(3) Agjërimi vetëm në datën 10 Muharrem.

Bujaria me ushqimet e shtëpisë ditën e Ashures

Xhabiri transmeton se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Kush është bujar me veten dhe me familjen e tij ditën e Ashures, Allahu do të jetë bujar me të për gjithë vitin”.[45] Këtë e transmeton Bejhakiu në librin “Esh-Shuab” dhe Ibën Abdul Berr. Hadithi ka zinxhirë të tjerë transmetimi, por të gjithë ata janë të dobët. Megjithatë, të tubuar të gjithë bashkë ata e forcojnë rangun e hadithit, siç thotë dhe Sehavi.

4. Agjërimi i pjesës më të madhe të muajit Shaban (muaj paraprirës i Ramazanit)

I Derguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi te!) agjëronte pjesën me të madhe të muajit Shaban. Aishja (Allahu qofte i kenaqur me te!) tregon se kurrë nuk e kishte parë te Derguarin (salallahu alejhi ue selem) të agjëronte një muaj të plotë përveç Ramazanit, dhe se kurrë nuk e kishte parë atë të agjëronte më shumë gjatë një muaji se sa në muajin Shaban. E transmeton Buhariu dhe Muslimi.

Një herë, Usame ibën Zejdi i tha te Derguarit (salallahu alejhi ue selem): “O i Dërguari i Allahut! Nuk të shoh të agjërosh në asnjë muaj tjetër, ashtu siç bën në muajin Shaban”. Ai (salallahu alejhi ue selem) iu drejtua dhe i tha: “Ai është muaji që njerëzit nuk i kushtojnë vëmendje. Ai është midis Rexhebit dhe Ramazanit. Ai është muaji, gjatë të cilit ngrihen veprat tek Zoti i botëve dhe unë preferoj të jem agjërueshëm kur të ngrihen veprat e mia”. E ka nxjerre Ebu Daudi dhe Nesaiu. [Essahiha 1898].

I Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) thotë: “Allahu shikon krijesat e Tij në mes të muajit Shaban, dhe i fal të gjithë ata, përveç idhujtarëve dhe ata që janë në mëri me njëri-tjetrin.” [Essahiha 1144, 1563].
Disa njerëz veçojnë me agjërim ditën e pesëmbëdhjetë të këtij muaji, duke menduar se ajo ditë përmban më shumë vlera se të tjerat, por kjo gjë është e pabazuar dhe nuk mbështetet në ndonjë argument të vërtetë.

5. Agjërimi gjatë “muajve të shenjte” (Esh’hur el-hurum)

Këta muaj janë Dhulkade, Dhulhixhe, Muharrem dhe Rexheb. Është e pëlqyeshme që gjatë këtyre muajve të agjërohet sa më shumë. Një burrë nga Bahileh shkoi tek Profeti (a.s.) dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut! Unë jam ai që erdhi tek ju një vit më parë”. Profeti (a.s.) i tha: “Çfarë të ka gjetur? Ke qenë shumë më i pashëm!”Ai u përgjigj: “Nuk kam ngrënë, përveçse natën që kur u ndava prej jush”. Profeti (a.s.) i tha: “Përse e ke dënuar veten? Agjëro gjatë muajit të durimit (Ramazanit) dhe nga një ditë në çdo muaj”. Burri tha: “Më shto diçka tjetër, pasi unë kam më shumë forcë dhe mundësi për të agjëruar”. Profeti (a.s.) i tha: “Agjëro nga dy ditë (të çdo muaji)”. Burri këmbënguli dhe tha: “Më shto përsëri”. Atëherë Profeti (a.s.) i tha tre herë: “Agjëro nga “muajt e ndaluar” (tri ditë rresht) dhe lëre agjërimin (tri ditë rresht)”. Ai tregoi me tre gishtat e tij duke i mbledhur dhe i lëshuar ato.[48] Hadithi transmetohet nga Ahmedi, Ebu Daudi, Ibën Maxhe dhe Bejhakiu me zinxhir të mirë transmetimi.

Agjërimi gjatë Rexhebit nuk përmban më shumë vlera se agjërimi në muajt e tjerë. Nuk ka ndonjë transmetim të vërtetë nga Suneti që të tregojë se agjërimi në muajin Rexheb ka një shpërblim të veçantë. Gjithçka që ka pasur lidhje me të nuk ka qenë plotësisht e konsiderueshme për t’u marrë si provë.

Ibën Haxheri thotë se nuk ka hadith autentik, që është i vlefshëm për argmentim rreth vlerave të tij e as agjërimit të tij apo ditëve të caktuara të tij dhe as rreth faljes së namazit në ndonjë natë të veçantë prej netëve të këtij muaji.

6. Agjërimi i të hënave dhe të enjteve

Ebu Hurejra transmeton se ditët që Profeti (a.s.) agjëronte më tepër ishin e hëna dhe e enjtja. Kur u pyet rreth kësaj, ai tha: “Veprat paraqiten (te Allahu) çdo të hënë dhe të enjte. Allahu fal çdo musliman apo çdo besimtar, përveç atyre që janë grindur me njëri-tjetrin. Ai thotë: Lërini ata për më vonë”.[49] Transmeton Ahmedi me një zinxhir të vërtetë transmetimi.

Në “Sahih Muslim” thuhet se, kur u pyet Profeti (a.s.) rreth agjërimit të ditës së hënë, tha: “Ajo është dita kur unë kam lindur dhe është dita që më ka ardhur shpallja”.[50]

7. Agjërimi i tre ditëve të çdo muaji

Ebu Dherr El Gifari transmeton se Profeti (a.s.) i kishte urdhëruar të agjëronin tre ditë të çdo muaji, pikërisht ditët me hënë të plotë (13, 14, 15 sipas kalendarit hënor). Ai ka thënë në lidhje me to: “Nëse agjëron ato ditë, është si të agjërosh gjithë vitin”.[51] Transmeton Nesaiu dhe Ibën Hibani, i cili e konsideron këtë hadith të vërtetë.

Tregohet se Profeti (a.s.) agjëronte të shtunën, të dielën dhe të hënën e një muaji dhe të martën, të mërkurën dhe të enjten e muajit tjetër.[52]

Gjithashtu, ai agjëronte tre ditë në fillim të muajit. Po ashtu agjëronte të enjten e parë dhe dy të hënat e pasardhëse të muajit.[53]

8. Agjërimi një ditë po dhe një ditë jo

Ebu Seleme ibën Abdurrahman transmeton nga Abdullah ibën Amër se Profeti (a.s.) i ka thënë atij: “Më kanë thënë se ti falesh natën dhe agjëron ditën (vazhdimisht)”. Abdullahu iu përgjigj: “Po, o i Dërguari i Allahut”. Pastaj Profeti i tha: “Agjëro dhe ha, falu dhe fli, pasi ti ke detyrime ndaj trupit tënd, ndaj bashkëshortes tënde dhe ndaj mysafirit tënd. Është e mjaftueshme për ty të agjërosh tre ditë të një muaji”. Abdullahu donte ta nënshtronte veten e tij dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut! Unë kam fuqi për më tepër. Profeti (a.s.) i tha: “Agjëro tre ditë në javë”. Abdullahu tha: “Unë kam fuqi për më tepër”. Atëherë, Profeti (a.s.) i tha: “Agjëro sipas agjërimit të Profetit të Allahut, Daudit dhe mos bëj më tepër!” Abdullahu e pyeti: “Cili ishte agjërimi i Daudit?” Profeti (a.s.) iu përgjigj: “Ai agjëronte një ditë dhe hante në tjetrën”.[54] Transmeton Ahmedi dhe të tjerë.

Ahmedi transmeton nga Abdullah ibën Amri se Profeti (a.s.) ka thënë: “Agjërimi më i pëlqyer tek Allahu është agjërimi i Daudit dhe namazi më i pëlqyer tek Allahu është namazi i Daudit. Ai flinte gjysmën e natës, 1/3 e kalonte duke u falur dhe pjesën e mbetur flinte përsëri. Gjithashu, ai agjëronte një ditë po dhe një ditë jo”.[55]

 

* Ai që agjëron vullnetarisht një ditë të caktuar mund ta ndërpresë agjërimin e tij

Umu Hani tregon se Profeti (a.s.) hyri në dhomën e saj, ditën kur u çlirua Meka. I dhanë diçka për të pirë dhe piu. Pastaj ai ia dha Umu Hanit dhe ajo i tha se agjëronte. Profeti (a.s.) i tha: “Ai që agjëron vullnetarisht është përgjegjës për veten e tij. Nëse do, agjëro e nëse do prishe agjërimin tënd”.[56] Transmeton Ahmedi, Darakutni dhe Bejhakiu.

Edhe Hakimi e transmeton këtë hadith dhe thotë se zinxhiri i tij është i vërtetë. Në versionin e tij thuhet: “Nëse dikush dëshiron, mund të agjërojë dhe nëse dëshiron, mund ta prishë atë”.

Ebu Xhuhejfe tregon se Profeti vëllazëroi Selmanin dhe Ebu Derdanë. Njëherë Selmani i bëri vizitë Ebu Derdasë dhe vuri re se e shoqja e tij, Umu Derdaja, mbante rroba shumë të thjeshta. Ai i tha asaj: “Çfarë të ka ndodhur?” Ajo i tha se vëllai i tij (Ebu Derdaja) nuk kishte asnjë nevojë për dynjanë (dhe nuk e vriste fare mendjen për të). Kur erdhi Ebu Derdaja, ai përgatiti ushqim për Selmanin dhe i tha: “Ha, pasi unë agjëroj”. Selmani tha: “Nuk do të ha, derisa të hash dhe ti”. Kështu hëngri dhe ai. Natën, Ebu Derdaja u ngrit për t’u falur dhe Selmani i tha të flinte. Ashtu bëri. Në fund të natës, Selmani e zgjoi Ebu Derdanë dhe i tha: “Falu tani”. Ata u falën të dy dhe Selmani i tha: “Ndaj Zotit ke detyrime, ndaj vetes tënde ke detyrime dhe ndaj gruas tënde ke detyrime. Jepi secilit të drejtën që i takon”.

Më vonë, Ebu Derdaja shkoi tek Profeti (a.s.) për t’i treguar se çfarë kishte thënë Selmani. Pasi e dëgjoi, Profeti (a.s.) i tha: “Selmani ka thënë të vërtetën”.[57] Transmeton Buhariu dhe Tirmidhiu.

Ebu Seid El Hudri tregon se, njëherë po përgatiste ushqim për Profetin (a.s.). Ai shkoi tek ai me disa nga shokët e tij. Kur u shtrua ushqimi, njëri nga burrat tha se agjëronte. Pejgamberi (a.s.) i tha: “Vëllait yt të ka ftuar dhe ka shpenzuar për ty”. Pastaj ai tha: “Prishe agjërimin dhe agjëro një ditë tjetër, nëse do”.[58] Transmeton Bejhakiu.

Shumica e dijetarëve janë të mendimit si ai që agjëron vullnetarisht, mund ta prishë atë. Megjithatë, preferohet që ai ta zëvendësojë atë më vonë. Ky mendim është i qartë dhe mbështetet nga hadithet autentike.

 

Shkëputur nga libri “Fikhu Suneh”

Autor: Sejjid Sabik
Përkthyer nga një grup përkthyesish
Nxjerrja e Haditheve: Bledar Albani