Agjërimi i Muhamedit (Paqja dhe Bekimet e Allahut qofshin mbi të!) në Ramazan

 


Autorë:  Selim ibën Ijd el Hilali dhe Ali Hasen Ali Abdulhamid

Përktheu: Unejs Shuajb Murati

Recensoi dhe korrektoi: Bledar Albani


“Muaji i Ramazanit në të cilin u zbrit Kurani: udhëzim për njerëzimin, provë e qartë për udhëheqje dhe kriteri (dallues i të vërtetës nga e kota). Kështu që, kushdo prej jush që dallon (hënën e re të natës së parë) të muajit (Ramazan), t’a agjërojë këtë muaj; ndërsa kush është i sëmurë ose në udhëtim, të agjërojë aq ditë (sa ka lënë pa agjëruar) në ditët e mëvonshme. Allahu me këtë dëshiron lehtësim për ju, e nuk dëshiron vështirësim për ju. (Agjëroni ditët e lëshuara më vonë) Që të plotësoni numrin, të madhëroni Allahun për atë se u ka udhëzuar drejt, me qëllim që ju të jeni shumë mirënjohës e falënderues ndaj Tij.”  [El Bekare: 185] 


Parathënia e botimit të dytë

Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve. Paqa dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi zotëriun e të dërguarëve, mbi familjen dhe të gjithë shokët e tij!

Keni në duar, vëllëzër kërkues të dijes, një botim të ri të librit tonë “Agjërimi i Muhamedit  në Ramazan”, të cilin po e paraqesim në një trajtë të bukur, me dobi të shumta dhe tema tërheqëse, duke shpresuar që Allahu të na japë shpërblim dhe dobi prej tij!

Në këtë botim të dytë, kemi parë të arsyeshme që të bëjmë nxjerjen e haditheve të përmendura në të, sipas mënyrës së rregullt akademike, bazuar në rregullat dhe bazat të cilat i kemi të trashëguara nga imamët dhe dijetarët tanë (Allahu i mëshiroftë!), pa u zgjatur shumë në to.

Si fillim, mund të themi se në botimin e parë të këtij libri na kanë shpëtuar disa gabime që nuk e kalojnë numrin e gishtave të dy duarve, por në këtë botim jemi munduar t’i korrigjojmë dhe t’i shmangim ato, duke përmendur të saktën dhe të vërtetën, insha Allahu,  si dhe duke kërkuar falje nga Allahu për gabimet tona!

E përsërisim atë që themi çdo herë: Çdo libër tjetër përveç Librit të Allahut të Lartësuar, është objekt i kritikës dhe polemikës, kundërshtimit dhe pranimit, ndaj kush sheh ndonjë rrëshqitje kalemi, apo keqkuptim, të na këshillojë dhe të na korrigjojë, sepse zemrat dhe veshët tanë janë të hapura.

Lutja jonë e fundit është: Falenderimi i takon Allahut, Zotit të botëve!

Dy autorët

25 / Rabiu eth Thani / 1409 h.


Parathënia e botimit të parë

Falënderimi i takon vetëm Allahut. Vetëm Atë falenderojmë, Atij i kërkojmë ndihmë dhe falje të gjynaheve tona. I kërkojmë mbrojtje Allahut prej të keqes së veteve (shpirtrave) dhe punëve tona.

Atë të cilin e udhëzon Allahu, nuk ka kush e humb dhe atë të cilin humb Allahu, nuk ka kush e udhëzon.

Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut, Një e i Pashok dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i Dërguari i Tij.

O ti vëlla, Allahu na bashkoftë në dashurinë e Tij dhe në pasimin e Sunnetit të Dërguarit të Tij, në faqet e këtij libri do të na qartësohet vendi dhe rëndësia e agjërimit në Islam, si dhe shpërblimi i madh dhe nderimi që do të ketë ai, i cili agjëron  për hirë të Allahut. Sigurisht që kjo e fundit ndryshon në varësi të kryerjes së agjërimit në mënyrën më të plotë, sipas agjërimit të Muhamedit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), apo ndryshe nga ai, ashtu si ka treguar edhe vetë zotëriu i bijve të Ademit (Muhamedi) (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), ku thotë:

“Mund të ndodhë që ndonjë agjërues të mos përfitojë nga agjërimi i tij veçse urinë dhe etjen.”[1]

Kështu që është e domosdoshme të mësojmë formën[2] e Agjërimit të Muhamedit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), me gjithçka që përfshihet në të prej kushteve të tij, etikave dhe lutjeve, pastaj t’i praktikojmë ato në veprat tona.

Nisur nga fakti se njohja e hollësishme e këtyre rregullave të agjërimit, është e vështirë për shumicën e njerëzve, pamë të arsyeshme shkruajtjen e një libri përmbledhës për gjithçka që ka të bëjë me formën e agjërimit të Muhamedit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), në Ramazan. E paraqesim atë për të gjithë besimtarët muslimanë, të cilët nuk paraprijnë asgjë mbi Fjalën e Allahut dhe të Dërguarit të Tij.

Pasi vështruam në Ajetet dhe Hadithet e sakta që flasin për agjerimin dhe na u bë e qartë se agjërimi është dy llojesh:

  1. Agjërim obligativ, i detyrueshëm.
  2. Agjërim vullnetar.

Kështu që, iu mbështetëm Allahut dhe filluam të shkruajmë për agjërimin obligativ, pasi që muslimani nuk mund të afrohet më shumë tek Allahu, sesa me veprat obligative, siç ka ardhur edhe në hadithin e el Velij, të cilin e transmeton  imam Buhariu.

Radhitjen dhe vendosjen e temave të librit e kemi bërë në bazë të fazave që ka kaluar obligueshmëria e agjërimit dhe më pas, sipas gjendjes aktuale dhe praktike të agjërimit.

Nëse në libër gjeni gjykime të sakta e të qëlluara, ato janë nga Allahu i Madhëruar, e nëse gjeni ndonjë gabim, ai është nga ne dhe nga shejtani, dhe ne kërkojmë falje nga Allahu për të dhe largim nga ai, në jetën dhe vdekjen tonë!

Kërkojmë nga Allahu të na japë sukses e pëlqim, në fjalë e në vepër! Ai është Dëgjues dhe Pranues i lutjes.

 

Selim el Hilahi

Ali Hasen Ali Abdul Hamid el Halebi

25 / Ramazan / 1403 h.


  1. Dobitë e Agjërimit

 

Në Librin Famëlartë të Allahut të Madhëruar kanë zbritur ajete të qarta dhe të patundshme, të cilat nxisin për agjërim me qëllim që të afrohesh tek Allahu i Lartësuar, si dhe sqarojnë dobitë e agjërimit. Allahu i Lartësuar thotë: Me të vërtetë që muslimanët dhe muslimanet, besimtarët dhe besiamtaret, të bindurit dhe të bindurat ndaj Allahut, të drejtit dhe të drejtat, durimtarët dhe durimtaret, të nënshtruarit dhe të nënshtruarat, sadakadhënësit dhe sadakadhënëset, agjëruesit dhe agjërueset, ruajtësit e nderit dhe ruajtëset e nderit, përkujtuesit dhe përkujtueset që e përkujtojnë shumë Allahun me zemër e me gojë, pikërisht për këta Allahu ka përgatitur falje dhe shpërblim të madh. [El Ahzab: 35].

“Pra, nëse agjëroni, kjo është akoma më mirë për ju, veç sikur ta dinit. [el Bekaretu: 184].

Gjithashtu edhe i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka qartësuar në hadithe të sakta se agjërimi është mburojë nga epshet dhe mburojë nga Zjarri i Xhehennemit, dhe se Allahu e ka veçuar atë me një derë nga dyert e Xhennetit. Agjërimi e pastron shpirtin nga epshet dhe e burgos atë nga dëshirat, duke e bërë atë shpirt të qetë e të sigurt. Këto dobi të mëdha dhe këtë shpërblim të madh, e trajtojnë dhe e sqarojnë hadithet e vërteta që do të paraqesim në vijim:

  • Agjërimi është mburojë[3]:

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e ka urdhëruar atë të cilin e pushton dëshira për martesë por nuk ka mundësi të martohet, që të agjërojë, duke e konsideruar agjërimin pengesë dhe parapritë të këtij epshi. Kjo sepse agjërimi i ndrydh dhe i bllokon fuqitë dhe energjinë e gjymtyrëve, duke i bërë ato të qetësohen dhe të dobësohen. Është provuar me prova të qarta se agjërimi ka ndikim të habitshëm në ruajtjen e gjymtyrëve dhe të energjisë së brendshme.

Për këtë shkak, i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “O ju të rinj! Kushdo prej jush që ka mundësi për martesë, le të martohet, sepse kjo është mënyra më e mirë për uljen e shikimit dhe mënyra më e mirë për mbajtjen e dëlirësisë. Ndërsa kush nuk ka mundësi të martohet, atëherë të agjërojë, sepse agjërimi është ndrydhës (i epshit).”[4]

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) na ka sqaruar gjithashtu se Xhenneti është i rrethuar me vështirësi e sprova, ndërsa Xhehennemi është rrethuar me epshe e dëshira.

Kështu që, nëse të bëhet e qartë, vëlla musliman, se agjërimi i thyen epshet dhe i ndrydh ato, ndërkohë që dihet se ato të çojnë drejt Zjarrit, atëherë ai është bërë pritë dhe pengesë ndërmjet agjëruesit dhe Zjarrit. Për këtë shkak kanë ardhur hadithe që flasin hapur se agjërimi është mburojë e njeriut me të cilën mbrohet nga Zjarri.

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) thotë: “S’ka njeri i cili agjëron një ditë për hir të Allahut, vetëm se Allahu, për shkak të saj do t’ia largojë fytyrën atij (njeriut) nga Zjarri shtatëdhjetë pranvera.”[5]

Gjithashtu thotë: “Agjërimi është mburojë që e mbron robin-njeriun nga Zjarri.”[6]

Dhe thotë: “Kush agjëron një ditë për Hir të Allahut, Allahu do të bëjë mes tij dhe Zjarrit një hendek  sa largësia mes qiellit dhe Tokës.”[7]

Disa nga dijetarët kanë shkuar në mendimin se këto hadithe të sipërpërmendura kanë ardhur për të treguar dobinë e agjërimit në Xhihad dhe në luftën në Rrugën e  Allahut, por nga kuptimi i drejtpërdrejtë i haditheve përfitohet se i gjthë agjërimi, që është i pastër vetëm për hirë të Allahut dhe në përputhje me udhëzimet e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), ai është në Rrugë të Allahut.

  • Agjërimi të fut në Xhennet:

Mësove, o ti njeri i bindur Allahut, Allahu të dhëntë sukses në bindjen ndaj Tij, se agjërimi e largon vepruesin e tij nga Zjarri, duke e afruar kështu për nga begatitë e Xhenetit.

Transmetohet nga Ebi Umame (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), se ka thënë: Thashë: O i Dërguari i Allahut! Më drejto në një vepër që më fut në Xhennet. Ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: “Agjëro, sepse nuk ka si ai!”[8]

  1. Agjëruesve u jepet shpërblimi pa hesap.(*[9])
  2. Agjëruesi ka dy gëzime .(*)
  3. Era që del nga goja e agjëruesit, është më e këndshme tek Allahu sesa parfumi (*).

Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) thotë: I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Allahu thotë: Çdo vepër e birit të Ademit (njeriut) është për të, përveç Agjërimit[10], i cili është për Mua dhe Unë do të shpërblej për të. Agjërimi është mburojë. Nëse dikush nga ju është agjërueshëm, të mos flasë pahijshëm dhe të mos e ngrejë zërin (a të ankohet). Nëse atë e ofendon dikush apo e lufton, ai të thotë: Unë jam agjërueshëm[11]. Betohem në Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti i Muhamedit, se era që del nga goja e agjëruesit, tek Allahu është më e këndshme sesa parfymi. Për agjëruesin ka dy gëzime: kur ai ha iftar, gëzohet dhe kur të takojë Zotin e tij, gëzohet me agjërimin e tij.”[12]

Ndëra në një transmetim tjetër të Buhariut thuhet: “Ai (agjëruesi) e lë ngrënien, pirjen dhe dëshirat e tij vetëm për Mua. Agjërimi është për Mua dhe Unë do të shpërblej për të. Një e mirë shpërblehet me dhjetëfishin e saj.”

Ndërsa në një transmetim tjetër të Muslimit thuhet: “Çdo punë e birit të Ademit shumëfishohet; puna e mirë i shumëfishohet prej dhjetë deri në shtatëqindfish. Allahu thotë: Përveç agjërimit, i cili është për Mua, dhe vetëm Unë shpërblej për të. Ai (robi) largohet nga epshet dhe ushqimi i tij vetëm për Mua. Për agjëruesin ka dy gëzime; një gëzim kur ai bën iftar, dhe një gëzim kur të takojë Zotin e tij. Ndërsa era e gojës së agjëruesit është më e mirë tek Allahu sesa aroma e miskut.”

 

  • Agjërimi dhe Kurani ndërmjetësojnë për shokun e tyre.

Muhamedi (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) thotë: “Kurani dhe agjërimi do të ndërmjetësojnë për njeriun në Ditën e Gjykimit. Agjërimi do të thotë: O Zoti im! Unë e kam ndaluar atë nga ushqimi dhe epshet (gjatë ditës), ndaj më lejo të ndërmjetësoj për të. Ndërsa Kurani do të thotë: Unë e ndalova atë nga gjumi i natës, ndaj më lejo të ndërmjetësoj për të. Thotë: Atëherë u jepet lejë që të ndërmjetësojnë.”[13]

 

  • Agjërimi është shlyerje dhe kompensim:

 

Nga dobitë me të cilat veçohet agjërimi është se; Allahu e ka bërë atë shlyerje dhe kompensim për atë që rruan flokët duke qenë se është muhrim (në Haxh, gjë e cila nuk lejohet para therjes së kurbaneve), për shkak të ndonjë  arsyeje si sëmundje apo dhimbje koke, dhe nuk ka mundësi të therë kurban. Apo për atë që mbyt gabimisht ndonjë të huaj (jomusliman) me kontratë (në vendet islame). Po ashtu për thyerjen e zotimit, apo mbytjen e gjahut në Ihram (me veshjet e haxhit), apo në rastin e Dhiharit (thënia gruas se ajo është si shpina e nënës, me qëllim që të mos i afrohet asaj për marrëdhënie intime). Këto gjëra i gjen të qarta në ajetet që vijojnë:

Allahu në Kuran thotë: Dhe i kryeni me përpikmëri Haxhin dhe Umren për Allahun. Por nëse keni pengesa për t’i plotësuar ato, atëherë preni kurban sa të mund ta përballoni dhe mos i rruani kokat tuaja deri sa kurbani  të mbërrijë në vendin e caktuar për t’u therë. Ndërsa kushdo që është i sëmurë apo ka plagë në kokë,  atëherë ai duhet të paguajë shpërblesë  (Fidjeh), ose me agjërim (tri ditë), ose duke dhënë   sadaka (lëmoshë, të ushqejë gjashtë te varfër), ose duke prerë kurban. Ndërsa në qoftë se jeni shëndoshë, për këdo që kryen Umrën në muajin e Haxhit para Hxhit (Haxhi-Tamatu apo Kiran) gjithësecili duhet të bëjë kurban aq sa të ketë mundësi, por në qoftë se nuk gjen, atëherë duhet të agjërojë tri ditë gjatë Haxhit dhe shtatë ditë pas kthimit në shtëpi, duke i bërë ato gjithsej dhjetë ditë.  Kjo mënyrë është për atë të cilit nuk i ndodhet  familja brenda kufijve të Xhamisë së Shenjtë. Dhe kijeni frikë Allahun dhe dijeni se Allahu është i ashpër në ndëshkim.” [El Bekare 196]. 

Allahu në Kuran thotë: “Nuk shkon që besimtari të vrasë besimtarin, përveç nëse ndodh  gabimisht. E kush e mbytë gabimisht; dhe në këtë rast, kushdo që vret  besimtarin pa dashje, urdhërohet që ai (vrasësi) të lirojë një skllav besimtar dhe përmbushjen e pagesës së gjakut e cila do t’i jepet familjes së të ndjerit, në rast se ata nuk e falim atë. Në rast se i ndjeri i takonte ndonje populli në luftë me ju dhe ai ka qënë besimtar,    ju detyrohet  lirimi i një skllavi, nërsa po të ishte nga ndonjë popull me të cilin ju keni marrëveshje bashkpunimi me njëri-tjetrin, atëherë duhet të jepni pagesën e gjakut familjes së tij dhe në të njëjtën kohë duhet të lironi një skllav besimtar. Ndërsa  kush nuk i ka mundësit (për të liruar skllavin si plotësim të pendimit), ai duhet të agjërojë dy muaj pandërprerë për të treguar pendim tek Allahu. Dhe Allahu është kurdoherë i Gjithëditur më i Urti Gjithëgjykues.” [En Nisa 92].

Allahu në Kuran thotë: “Allahu nuk do t’iu ndëshkojë ju për ato gjëra të paqëllimshme në betimet tuaja, por Ai do t’iu ndëshkojë për betimet me qëllim, dhe për të shlyer një betim (të qëllimshëm), ushqeni dhjetë të varfër në atë masë sa keni ushqyer edhe familjet tuaja, ose i vishni ata, ose çlironi një skllav. Por kushdo që nuk mund ta përballojë këtë, atëherë ai duhet të agjërojë tri ditë. Kjo është shlyerja për betimet e bëra dhe ruani betë tuaja. Kështu Allahu jua bën të qarta Ajetet e Tij që të mund të bëheni mirënjohës e falenderues”. [El Maide 89].

Allahu në Kuran thotë: “O ju që keni besuar! Mos e mbytni gjahun duke qenë se jeni në Ihram (për Haxh apo Umre), dhe kushdo që e mbyt atë me qëllim, dënimi për të është bërja kurban e një kafshe të butë e sjellë në Kabe, të barazvlefshme me atë që ai ka vrarë. Për këtë çështje gjykojnë dy burra të drejtë nga mesi juaj; ose për shlyerje të gjynahit, ai duhet të  ushqejë njerëz të varfër, ose sa i takon kësaj me agjërim, që të ndjejë peshën e ndëshkimit të veprës së tij. Allahu e ka falur atë që ka kaluar, por kushdo që e  bën atë  përsëri, Allahu do të marrë shpagim prej tij. Allahu është i Gjithëfuqishëm, plotësisht i Zoti për të marrë shpagimin.” [El Maide: 95]

Allahu në Kuran thotë: “Ata të cilët i bëjnë të paligjshme bashkëshortet e tyre (me dhihar), e pastaj zmbrapsen nga ajo që kanë thënë, janë të obliguar që para se të prekin njëri-tjetrin, të lirojnë një skllav. Ky është qortim për ju, dhe Allahu është i Mirënjohur për gjithçka që ju punoni. Ai i cili nuk ka mundësi (të lirojë skllav), duhet të agjërojë dy muaj njëri pas tjetrit para se ata të dy të prekin njëri-tjetrin. E për atë i cili nuk është në gjendje për këtë, ai duhet të ushqejë gjashtëdhjetë të varfër. Ky është një urdhër me qëllim që ju të keni besim të plotë tek Allahu dhe tek i Dërguari i Tij. Këta janë kufijtë e vendosur nga Allahu. Dhe për mosbesimtarët është ndëshkimi i dhimbshëm.” [El Muxhadele: 3-4]

Po kështu, agjërimi bashkohet me lëmoshën për shlyerjen e sprovës së burrit në pasurinë, familjen dhe komshiun e tij.

Hudhejefe ibën el Jeman (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) transmeton se Muhamedi (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Fitnen-Sprovat e burrit në familjen, pasurinë dhe fqinjët e tij i shlyen agjërimi dhe lëmosha.”[14]

 

  • Dera “Er Rajjan” e Xhenetit është për Agjëruesit:

 

Sehël ibën Seadi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!)  transmeton se i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Në xhenet është një derë e cila quhet er Rajjan. Nga ajo derë do të hyjnë vetëm agjëruesit në Ditën e Gjykimit, dhe nuk hyn prej saj askush tjetër. Kur ata të hyjnë, ajo mbyllet dhe nuk hyn më askush. [Kur ata të hyjnë të gjithë, ajo mbyllet. Kush hyn në të, do të pijë (ujë a diçka tjetër) dhe kush pi, nuk ka për t’u etur më kurrë.]”[15]


 

  1. Vlera e muajit Ramazan

 

Muaji i Ramazanit është muaji i të mirave e bereqeteve të shumta, dhe Allahu i ka dhuruar atij vlera e dobi të shumta, siç do të përmendim në vijim:

 

  • Ramazani është muaji i Kuranit:

Allahu i Lartësuar e ka zbritur Librin e Tij udhëzim për njerzimin dhe shërim për besimtarët, udhëzues në atë që është më primare dhe argumentuese, qartësues të Rrugës së Drejtë. Allahu e zbriti atë në natën e Kadrit, në muajin e mirësive, në Ramazan. Allahu, Zoti i Arshit të Lartë thotë: “Muaji i Ramazanit në të cilin u zbrit Kurani: udhëzim për njerëzimin, provë e qartë për udhëheqje dhe kriteri (dallues i të vërtetës nga e kota). Kështu që, kushdo prej jush që dallon (hënën e re të natës së parë) të muajit (Ramazan), t’a agjërojë këtë muaj…” [El Bekare: 185]

Dije, vëlla i nderuar, se cilësimi i muajit të Ramazanit me faktin se në të ka zbritur Kurani, dhe më pas, ndjekja e tij me lidhëzën “kështu që”, e cila përdoret për të treguar rezultatin dhe shkakun e përmendjes së fjalëve para saj dhe lidhjen ndërmjet tyre, tregon dhe hedh dritë tërthorazi në shkakun e agjërimit të këtij muaji; d.m.th. shkaku i zgjedhjes pikërisht këtë muaj për të agjëruar, është se në të ka zbritur Kurani.

 

  • Në Ramazan lidhen shejtanët, mbyllen dyert e Zjarrit dhe hapen dyert e Parajsës:

 

Në këtë muaj të bereqetshëm pakësohet e keqja në tokë, për shkak se lidhen dhe prangosen shejtanët prej xhinëve me zinxhirë e pranga, dhe nuk kanë mundësi të bëjnë të këqija tek njerëzit ashtu siç bëjnë në muajt e tjerë. Kjo sepse muslimanët janë të preokupuar me agjërim, i cili  është pengesë për epshet, si dhe me leximin e Kuranit dhe të gjitha adhurimet e tjera të cilat pastrojnë dhe edukojnë shpirtrat.

Allahu i Lartësuar thotë:  “O ju që keni besuar! Agjërimi u është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, me qëllim që të mund të bëheni të devotshëm. [El Bekare: 183]

Për këtë shkak, mbyllen dyert e Zjarrit dhe hapen dyert e Parajsës, sepse veprat e mira shtohen dhe fjalët e bukura sundojnë gjithandej.

Muhamedi (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) thotë: “Kur vjen muaji i Ramazanit, hapen dyert e parajsës-xhennetit[16], mbyllen dyert e zjarrit-xhehennemit, dhe prangosen shejtanët.”[17]

E gjitha kjo ndodh që nga nata e parë e muajit të begatshëm; i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) thotë: “Kur hyn nata e parë e muajit Ramazan, lidhen shejtanët dhe xhinët rebelë, mbyllen dyert e Zjarrit dhe nuk qëndron hapur asnjë prej tyre, dhe hapen dyert e Xhennetit e nuk qëndron mbyllur asnjë prej tyre. Një thirrës thërret: “O kërkues i të mirës, afrohu (kryerjes së të mirave)! O kërkues i së keqes, ndalu (nga kryerja të këqijave)! Allahu (në këtë muaj) liron nga Zjarri prej robërve të Tij, dhe kjo për çdo natë.”[18]

 

 

  • Në Ramazan gjendet nata e Kadrit:

 

Mësove më parë, o ti rob besimtar, se Allahu i Madhëruar zgjodhi muajin Ramazan (për t’u agjëruar), për shkak se në të Ai zbriti Kuranin Famëlartë. Sipas këtij fakti, ne mund të nxjerim përfundime të tjera të ngjashme me të. Prej tyre po përmendim:

  1. a) Dita më e nderuar tek Allahu është dita në të cilën ka zbritur Kuranin, kështu që ajo ditë duhet të veçohet me vepër të posaçme. Për këtë dëshmojnë hadithet që flasin për kërkimin dhe përpjekjen për gjetjen e natës se Kadrit, si dhe veçimin e saj me adhurim shtojcë, për të cilën gjë do të flasim më gjerë në kapitullin për Natën e Kadrit.
  2. b) Kur muslimanëve u dhurohet një mirësi, ata obligohen që të veprojnë edhe më shumë të mira, për të treguar falenderim ndaj Allahut, dhe argument për këtë është Fjala Allahut, pas përmendjes së plotësimit të mirësive të muajit të agjërimit, ku thotë: “Që të plotësoni numrin (e ditëve të agjërimit), të madhëroni Allahun për atë se u ka udhëzuar, me qëllim që ju te jeni shumë mirënjohës dhe të falenderoni.” [El Bekare: 185].

Po këtë tregon edhe Fjala e Allahut, pas përmendjes së mirësive të Haxhit, ku thotë: “E kur t’i kryeni ritet e Haxhit (el menasik), përmendeni Allahun sikurse i përkujtoni prindërit tuaj, madje edhe më tepër.” [El Bekare: 200].

 


 

  1. Obligueshmëria e agjërimit të Ramazanit

 

  • Ai që nga vullneti i tij bën mirë (agjëron), ajo është edhe më e mirë për të:

 

Pikërisht për shkak të dobive dhe mirësive të përmendura më parë, Allahu e bëri të obligueshëm agjërimin për muslimanët. Dhe për shkak se ndalimi i vetes nga epshet dhe nga dëshirat e saj, ishte prej gjërave më të vështira për njeriun, obligueshmëria e agjërimit u vonua deri në vitin e dytë të hixhretit. Kur zemrat u banuan nga Njësimi dhe madhërimi i Allahut, atëherë agjërimi filloi të përcillej tek ata gradualisht, në mënyrë vullnetare dhe sipas dëshirës, në fillim, pasi që ai ishte i rëndë për sahabet, kështu që ai që dëshironte të hante dhe të mos agjëronte, por që të jepte kompensim për të, ai ishte i lirë t’a bënte këtë.

Allahu i Lartësuar thotë: “E përsa u përket atyre të cilët e kanë të vështirë agjërimin, ata kanë të drejtë zgjedhje: ose të agjërojnë ose të ushqejnë një të varfër për çdo ditë, por kushdo që i bën mirë vetes së vet me vullnetin e tij (duke agjëruar), është edhe më mirë për të. Mirëpo, agjërimi është më i mirë për ju, nëse jeni që e dini.” [el Bekare: 184].

 

  • Kush e përjeton prej jush këtë muaj, duhet t’a agjërojë atë:

 

Pastaj zbriti ajeti në vijim, i cili e abrogoi -e anuloi atë të parin. Këtë e kanë treguar dy sahabët e mëdhenj; Abdullah ibën Umer dhe Seleme ibën el Ekvea (Allahu qoftë i kënaqur prej tyre!), të cilët thonë: “Atë (ajetin e parë) e abrogoi ajeti pas tij:

“Muaji i Ramazanit në të cilin u zbrit Kurani: udhëzim për njerëzimin, provë e qartë për udhëheqje dhe kriteri (dallues i të vërtetës nga e kota). Kështu që, kushdo prej jush që dallon (hënën e re të natës së parë) të muajit (Ramazan), t’a agjërojë këtë muaj; ndërsa kush është i sëmurë ose në udhëtim, të agjërojë aq ditë (sa ka lënë pa agjëruar) në ditët e mëvonshme. Allahu me këtë dëshiron lehtësim për ju, e nuk dëshiron vështërsim për ju. (Agjëroni ditët e lëshuara më vonë) Që të plotësoni numrin, të madhëroni Allahun për atë se u ka udhëzuar drejt, me qëllim që ju të jeni shumë mirënjohës e falënderues ndaj Tij.”[19]  [El Bekare: 185].

Transmetohet nga Ibën ebi Lejla, se ka thënë: Na kanë treguar shokët e Muhamedit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!): “Kur u urdhërua agjërimi i Ramazanit, kjo gjë i rëndoi sahabet, dhe ai që ushqente një të varfër për çdo ditë, e linte agjërimin, sigurisht prej atyre që nuk mundeshin të agjëronin. Ky ishte lehtësim për ta, por më pas, ky ligj u abrogua me ajetin “por që të agjëroni është më mirë për ju”, dhe ata u urdhëruan të agjëronin.”[20]

Pas kësaj, agjërimi i Ramazanit u bë çështje parësore dhe një nga shtyllat e Islamit. I Dërguari mëshirë për botët (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) thotë:

“Islami është ndërtuar mbi pesë shtylla: Dëshmia se nuk ka  Zot tjetër i cili meriton të adhurohet përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Allahut, falja e Namazit, dhënia e Zekatit, kryerja e Haxhit dhe agjërimi i Ramazanit.”[21]


  1. Nxitja për agjërimin e Ramazanit

 

  • Agjërimi i Ramazanit është falje për gjynahet

Ligjvënësi më i Urtë ka nxitur për agjërimin e Ramazanit, duke qartësuar dobitë e tij dhe vendin e lartë të tij tek Ai; sikur agjëruesi të kishte mëkate sa shkuma e detit, atij i falen ato për shkak të këtij adhurimi të mirë e të begatë.

Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!)  transmeton se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Kush e agjëron Ramazanin me bindje të plotë, duke llogaritur shpërblimin nga Allahu, atij i falen të gjitha mëkatet e bëra më parë.”[22]

Transmetohet gjithashtu nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se ai ka thënë: I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Pesë namazet, nga e xhumaja deri në të xhumanë tjetër dhe nga Ramazani deri në Ramazanin tjetër, janë falje e asaj që ka ndodhur mes tyre (prej gjynaheve), nëse eliminohen (qëndrohet larg) mëkatet e mëdha.”[23]

Transmetohet gjithashtu nga ai (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) u ngjit në Minber dhe tha: “Amin! Amin! Amin!” Dikush tha: O i Dërguari i Allahut! Ti u ngjite në Minber dhe the: “Amin! Amin! Amin!” (përse e the këtë)? Ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: “Xhibrili (alejhis selam) erdhi e më tha: Kush e arrin muajin e ramazanit e nuk i falen mëkatet, duke merituar kështu Zjarrin, atë e largoftë Allahu (nga Mëshira e Tij)! Thuaj: Amin! Atëherë thashë: Amin!…”[24]

 

  • Agjërimi i Ramazanit është shkak për pranimin e lutjeve dhe shpëtimin nga Zjarri

 

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) thotë: “Allahu liron nga Zjarri prej robërve të Tij çdo ditë e çdo natë të muajit të Ramazanit. Çdo musliman që lutet me ndonjë lutje, ajo i pranohet atij.”[25]

 

  • Agjëruesi është prej të sinqertëve dhe dëshmorëve

 

Amër ibën Murrah el Xhuheni (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) transmeton se: Një burrë erdhi tek i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe i tha: O i Dërguari i Allahut! Çfarë thua nëse dëshmoj se nuk ka Zot tjetër që meriton të adhurohet përveç Allahut dhe se ti je i Dërguari i Tij, e fal Namazin, e jap Zekatin, e agjëroj ramazanin dhe ngritem me ibadet në të (falem natën –teravitë), atëherë nga cilët jam unë? Ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: “Nga të sinqertët dhe dëshmorët –shehidët.”[26]


 

  1. Kërcënimi për atë që prish me qëllim ndonjë nga ditët e Ramazanit

 

Transmetohet nga Ebi Umame el Bahili (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), se ka thënë: Kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) të thotë: “Ndërsa po flija, më erdhën dy burra, më kapën për krahu, më shpunë në një mal të thepisur dhe më thanë: Ngjitu! Nuk mundem, u thashë. Ata thanë: Do të t’a lehtësojmë ne ngjitjen. Atëherë u ngjita, deri sa arrita në mes të malit, dëgjova disa zëra të fortë. Thashë: Ç’janë këto zëra? Ata thanë: Këto janë rënkimet e banorëve të Zjarrit. Pastaj u larguam dhe u gjenda tek disa njerëz të varur nga këmbët e tyre, me nofulla të shqyera nga të cilat rridhte gjak. Kush janë këta, thashë? Këta janë ata të cilët e çelin iftarin para kohës së tij…”[27] 

Ndërsa hadithi i transmetuar nga i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), ku thuhet: “Kush prish një ditë nga agjërimi i Ramazanit me qëllim, nuk e shlyen atë edhe nëse agjëron gjithë jetën.”

Ky është hadith i Dobët, i pasaktë, e më pas do të vij më gjerësisht fjala rreth tij.


 

  1. Dispozitat e Agjërimit

 

Dije, o ti musliman, o rob i Allahut – Allahu na dhëntë dije neve dhe juve-, se këtë shpërblim mashështor dhe mirësi të çmueshme, të cilin nuk mund ta llogarisë veçse Falësi më i Madh, Mëshirëploti, nuk e fiton atë veçse ai i cili e agjëron Ramazanin sipas shembullit të vulës së Pejgamberëve (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), në lidhje me dispozitat që kanë të bëjnë me këtë obligim madhështor dhe me këtë muaj të begatë.

Po fillojmë të paraqesim sqarimin e tyre pa imitim të verbër, duke marrë nga Kurani Famëlartë dhe nga Suneti i pastër, sipas kuptimit të të parëve tanë të mirë, prej katër imamëve dhe atyre që kanë qenë para tyre, nga Sahabet dhe Tabi’inët, dhe mjafton ky argumentim.

Kemi zgjedhur nga medhhebet –drejtimet- e tyre të fikhut, atë që është më e mira, dhe nga mendimet e tyre, atë që është më e drejta.


 

  1. Para fillimit të Ramazanit

 

  • Numërimi i ditëve të muajit Shaban

 

Umeti musliman duhet të numërojë ditët e muajit Shaban në mënyrë që të përgatitet për Ramazanin, pasi që muaji mund të jetë me 29 apo me 30 ditë, ndërsa agjërimi duhet filluar me dallimin e hënës së re. Por nëse qielli është me re, atëherë llogaritja bëhet duke plotësuar tridhjetë ditë nga Shabani. Kjo sepse Allahu, Shpikësi i qiejve dhe tokës, e ka bërë kohën e daljes së hënës shenjë për llogaritjen e kohës dhe të viteve, dhe dihet se muaji hënor nuk i kalon tridhjetë ditët.

Transmetohet nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: Filloni agjërimin me dallimin e hënës dhe përfundojeni atë me dallimin e saj, e nëse keni pengesë nga retë, atëherë plotësojeni Shabanin  tridhjetë ditë.”[28]

Transmetohet nga Abdullah ibën Umeri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Mos agjëroni derisa ta shihni hënën, dhe mos e çelni agjërimin derisa ta shihni atë. Por nëse u pengojnë retë (nga parja e hënës), atëherë llogariteni me ditë.”[29]

Transmetohet nga Adij ibën Hatim (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Kur vjen Ramazani, agjëroni tridhjetë ditë, vetëm nëse e shihni hënën më herët (atëherë çeleni atë).”[30]

 

  • Kush agjëron ditën e dyshimtë[31], ka kundërshtuar Eba el Kasim (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!)

Nuk i lejohet muslimanit që ta presë muajin e Ramazanit me agjërim të një apo dy ditëve, për siguri (se ndoshta mund të ketë hyrë muaji i Ramazanit), me përjashtim të atij që ka zakon të agjërojë disa ditë në javë dhe një prej atyre ditëve qëllon para muajit të Ramazanit.

Transmetohet nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Mos e pritni Ramazanin me agjërim të një apo dy ditëve, përveç atij që ka pas zakon ndonjë  agjërim, ky le të agjërojë.”[32]

Dije, vëlla në Islam, se kush e agjëron ditën e dyshimtë, ai ka kundërshtuar të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!). Siletu ibën Zufer transmeton nga Ammari, se ka thënë: “Kush e agjëron ditën e dyshimtë, ai ka kundërshtuar Eba el Kasim (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!).”[33]

  1. Nëse dëshmon një dëshmitar për daljen e hënës, atëherë agjëroni, apo prisheni agjërimin

Dalja e hënës vërtetohet me dëshminë e dy personave, muslimanë e të drejtë, që e kanë parë atë, dhe kjo bazuar në fjalën e tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!): “Agjëroni kur ta shihni atë (hënën) dhe  prisheni agjërimin përsëri kur ta shihni atë (të dalë për muajin sheval -pas Ramazanit). Ruajeni atë, e nëse iu pengojnë retë, atëherë plotësoni tridhjetë ditë. Nëse dëshmojnë dy dëshmitarë (për daljen e saj), atëherë agjëroni, apo prisheni agjërimin.”[34]

Megjithatë, kjo nuk do të thotë se pranimi i dëshmisë nga dy përsona në gjendjen aktuale, e përjashton pranimin e dëshmisë së një dëshmitari të vetëm, për këtë lejohet dëshmia e një dëshmitari të vetëm në të pamurit e hënës. Është vërtetuar nga Ibën Umeri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se ka thënë: “Njerzit po ruanin daljen e  hënës, ndërsa unë e njoftova të Dërguarin (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) se e pashë atë. Atëherë ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) agjëroi dhe urdhëroi njerëzit të agjërojnë.”[35]


 

  1. Nijeti – Qëllimi, vendosja

 

  • Obligimi i bërjes së nijetit për agjërim të obliguar që para hyrjes së Sabahut:

Nëse është vërtetuar hyrja e Ramazanit me shikim të syrit, apo nga ana e dëshmitarëve, apo me plotësim të muajit Shaban, obligohet çdo musliman i ngarkuar nga sheriati që të vendosë- të bëjë nijet për agjërim që në mbrëmje, sepse i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Kushdo që nuk e bën nijetin për agjërim para agimit, ai nuk ka agjërim (nuk i quhet agjërimi).”[36]

 

I Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) gjithashtu thotë: “Kush nuk vendos për agjërim që nga nata, ai nuk ka agjërim (nuk i quhet agjërimi).”[37]

Vendi i nijetit është zemra, ndërsa shprehja e tij me gjuhë është bidat-risi e humbur, edhe nëse njerzit e shohin si të mirë. Sa i përket bërjes së nijetit para agimit, kjo është e posaçme për agjërimin që është obligim, pasi që i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) shkonte tek  Aisheja, në muajt e tjerë jashtë Ramazanit dhe i thoshte: “A iu gjindet gjë për drekë? Nëse jo, unë po agjëroj.”[38]

Diçka e tillë është përcjellë gjithashtu edhe nga sahabët, si Ebu Derda, Ebu Talha, Ebu Hurejra, Ibën Abasi, dhe Hudhejfe ibën el Jeman (Allahu qoftë i kënaqur prej tyre dhe na bashkoftë me ta nën flamurin e zotëriut të bijve të Ademit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!).

Kjo ka qenë për agjërimin vullnetar, kështu që argumenton qartë se bërja e nijetit që me natë është obligim vetëm në agjërimin e detyrueshëm, e Allahu e di më së miri.

 

  • Mundësia është kusht i obligueshmërisë së agjërimit

 

Ai që e arrin Ramazanin dhe nuk është informuar për të, por ka  ngrënë dhe ka pirë gjatë ditës, pastaj është njoftuar, ai duhet të ndalet nga ushqimi dhe të plotësojë agjërimin, i cili i konsiderohet i saktë (edhe pse ka ngrënë në fillim të ditës). Ndërsa ai që nuk ka ngrënë ende, pastaj mëson se ka hyrë Ramazani, të mos hajë, por të agjërojë, dhe përsa i përket bërjes së nijetit që me natë, ai nuk qëndron më si kusht për këtë, sepse ai nuk ka pasur mundësi për atë (pasi që nuk e dinte se të nesërmen do të ishte Ramazan), e siç dihet, nga bazat e këtij sheriati të drejtë është se obligueshmëria dhe ngarkimi me të është në varësi të mundësisë.

Aisheja (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) transmeton se: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) kishte urdhëruar që të agjërohet dita e Ashures, e kur u bë obligim agjërimi i muajit Ramazan, kush donte agjëronte dhe kush donte nuk agjëronte.”[39]

Ndërsa nga Seleme ibën el Ekva transmetohet se ka thënë: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) urdhëroi një burrë nga fisi Eslem, që të thërriste me zë të lartë; kush ka ngrënë, të agjërojë pjesën e mbetur të ditës, dhe kush nuk ka ngrënë, le të agjërojë, sepse sot është dita e Ashures.”[40]

Siç shihet, agjërimi i ditës së Ashures ka qenë obligim, por ai u abrogua. Ata u urdhëruan që të ndalen nga ushqimi, nëse kishin ngrënë dhe të plotësonin agjërimin, i cili u llogaritej i saktë. Po kështu edhe me agjërimin e Ramazanit, sepse ai është obligim (ashtu si ka qenë edhe agjërimi i ditës së Ashures) dhe gjykimi për atë që është obligim nuk ndryshon.

 

  • Disa dijetarë kanë kundërshtuar dhe kanë thënë se ajo ditë duhet të zëvendësohet

 

Ashura nuk ka qenë farz-obligim i domosdoshëm, por dije, vëlla i nderuar, se të gjitha argumentet sqarojnë se agjërimi ditës së Ashures ka qenë vaxhib-urdhër, për shkak të transmetimit të saj në hadithin e Aishes (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!). Më pas urdhëri për agjërimin e saj u përforcua më shumë kur u bë thirrja e përgjithshme, e më pas u përforcua edhe më shumë kur u urdhëruan të agjërojnë pjesën e mbetur të ditës edhe nëse kishin ngrënë, siç thuhet në hadithin e Seleme ibën el Ekva të sipërpërmendur, si dhe në hadithin e Muhamed ibën Sajfi el Ensari, ku thuhet: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) doli tek ne në ditën e Ashures dhe tha: A e agjëruat këtë ditë? Disa thanë po e disa jo. Ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: Plotësojeni me agjërim pjesën e ditës që ka mbetur. Pastaj i urdhëroi që të njoftonin banorët e fshatrave përreth Medines, që të agjëronin pjesën e mbetur të asaj dite.”[41] 

Kundërthënien e këtyre fjalëve e zgjidh fjala e Ibën Mesudit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!): “Kur u bë obligim agjërimi i Ramazanit, agjërimi i Ashures u anulua”[42], si dhe fjala e Aishes (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!): “Kur zbriti urdhëri për agjërimin e Ramzanit, atëherë Ramazani u bë farz-obligim, ndërsa Ashureja u la (u anulua).”[43]  

Megjithatë, pëlqyeshmëria e agjërimit të ditës së Ashures nuk është anuluar, madje për të ka unanim, siç ka përmendur Hafiz Ibën Haxher në “el Fet’h” (4/346); nga Ibën Abdulberr, kështu që agjërimi i saj qëndron ende, ndërsa ajo që është abroguar-anuluar, është obligueshmëria e saj, e Allahu e di më mirë.

Disa dijetarë të tjerë kanë thënë: Nëse ka qenë farz-obligim, ajo është abroguar bashkë me dispozitat e saj.

Por në të vërtetë, hadithet për agjërimin e ditës së Ashures argumentojnë për disa gjëra:

  1. a) Agjërimi i ditës së Ashures ka qenë vaxhib-detyrë.
  2. b) Ai që nuk e bën nijetin për agjërimin farz që me natë, nga mosdija e hyrjes së Ramazanit, agjërimi i tij nuk prishet.
  3. c) Ai që ka ngrënë e ka pirë, pastaj mëson se ka hyrë Ramazani, ai duhet të agjërojë pjesën e mbetur dhe nuk e ka obligim ta përsërisë atë ditë.

Ajo që është abroguar nga këto pika, është vetëm e para prej tyre, e cila mbeti në rrethin e pëlqyeshmërisë, siç e thamë më sipër. Megjithatë, nga abrogimi i saj nuk rrjedh gjithashtu abrogimi i dispozitave të tjera të saj, e Allahu e di më mirë.

Këta dijetarët (e përmendur më sipër), janë agrumentuar gjithashtu me hadithin të cilin e transmeton Ebu Davudi (2447) dhe Ahmedi (5/409); nga Katade; nga Abdurrahman ibën Seleme; nga xhaxhai i tij, se: “Fisi Eslem erdhi tek i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe ai u tha: “A e agjëruat këtë ditë?” Ata thanë: Jo. Ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: “Atëherë agjërojeni pjesën e mbetur të saj, pastaj zëvendësojeni atë me agjërimin e një dite tjetër.”

Por ky hadith është i dobët dhe ai ka dy dobësira:

* Mosnjohja e Abdurrahman ibën Seleme, për të cilin Dhehebiu  në “el Mizan” (2/567) ka thënë: “Nuk njihet se kush është”. Ndërsa Ibën Haxheri në “et Tehdhib”  (6/239) ka thënë: “Nuk dihet gjë për të”. Kurse  Ibën ebi Hatim e ka përmendur emrin e tij në “el Xherh uet Ta’dil” (5/288), por as nuk ka folur mirë për të dhe as keq.

* Gjithshtu, Katade ka përdorur në transmetimin e tij fjalën “nga filani”, por ai është mudelis-fshehës i emrave dhe mbulues i tyre (kështu që hadithi i tij nuk pranohet tek dijetarët e hadithit).

 


 

  1. Koha e Agjërimit

 

Shokët e Muhamedit (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!), në fillim të Islamit, kur vinte koha e Iftarit dhe nëse kishin agjëruar, hanin, pinin dhe kryenin marrëdhënie me gratë e tyre, përderisa nuk kishin fjetur, e nëse dikush nga ata flinte para ngrënies së darkës apo Iftarit, nuk u lejohej më të bëjnë diçka nga këto që cekëm më lart, deri të nesërmen. Më pas ata i mbuloi Mëshira e Zotit tënd Bujar e Dhuruesi të Madh dhe bëri lehtësim për ta, gjë e cila i gëzoi shumë ata. Këtë e bën të qartë  edhe hadithi në vijim:

Transmetohet nga El Bera (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), se ka thënë: “Kanë qenë shokët e Muhamedit (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) se nëse dikush prej tyre ishte agjërueshëm, pastaj vinte koha e Iftarit dhe ai ngrihej pa ngrënë, atëherë nuk hante më atë natë deri të nesërmen në mbrëmje. Një herë, Kajs ibën Sirme el Ensari ishte agjërueshëm dhe kur erdhi koha e iftarit, shkoi te gruaja e tij dhe i tha: A të ndodhet gjë për të ngrënë? Jo, tha ajo, por mund të shkoj të kërkoj diku. Por ngaqë tërë ditën punonte, atë e zuri gjumi dhe kur ajo erdhi dhe e pa ashtu, tha: Ah, që mbete pa ngrënë! Të nesërmen në mesditë atij i ranë të fikët dhe këtë gjë ia treguan të Dërguarit (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!). Atëherë zbriti ajeti: “Ju është bërë e ligjshme që të keni marrëdhënie me gratë tuaja netët e agjërimit.”

Ata u gëzuan shumë me këtë ajet. Pastaj zbriti pjesa tjetër e ajetit: “Hani e pini deri sa të dallohet peri i bardhë (drita e agimit) nga peri i zi (errësira e natës).” [el Bekare: 187].[44]

Pikërisht kjo mëshirë që i Gjithëmëshirshmi, Mëshirëploti ka hedhur mbi robët e përkushtuar Atij, të cilët thonë:  “Dëgjuam dhe u bindëm. Na fal ne, o Zoti ynë, dhe tek Ti është kthimi!”, pikërisht ajo ka përcaktuar kufijtë e ditës së agjërimit; fillimin dhe mbarimin e saj; që nga dallimi i agimit deri në mbarim të ditës dhe në hyrje të natës, kur rrethi i diellit mbulohet nën horizont.

 

  • Peri i bardhë dhe peri i zi.

Kur zbriti ajeti që përmendëm më lartë, disa nga shokët e Muhamedit (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) morën fije të zeza dhe fije të bardha e i vendosën nën jastëk apo i lidhën në këmbë, pastaj vazhdonin të hanin e të pinin deri sa të mud ti dallonin ato nga njëri-tjetri.

Adij ibën Hatim (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) thotë: “Kur ka zbritur ky ajet: hani e pini derisa të dallohet qartë peri i bardhë nga peri i zi në agim”. [El Bekare: 187], unë mora një pe të zi dhe një të bardhë, dhe i vendosa nën jastëkun tim. Gjatë natës vështroja tek ato me qëllim që ti dalloja nga njëri-tjetri, por nuk i dallova dot, kështu që shkova tek i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe i thashë për këtë, e ai tha: “Në ajet është për qëllim errësira e natës dhe drita e ditës.”[45]

Sehl ibën Sead (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!)  thotë: “Kur zbriti ky ajet: hani e pini derisa të dallohet qartë peri i bardhë nga peri i zi në agim”, ai që donte të agjëronte, lidhte në këmbën e tij një fije peri të bardhë dhe një të zezë, dhe vazhdonte duke ngrënë e pirë deri sa u qartësonte shikimi i tyre. Atëherë Allahu zbriti ajetin: “në agim“, dhe e kuptuan pastaj se qëllimi ishte për ditën dhe natën.[46]

Pas këtij sqarimi Kuranor dhe pas kësaj begatie Hyjnore, vjen roli i të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) në sqarimin e shokëve të tij kufirin e këtij dallimi të ditës nga nata, me një përshkrim pas të cilit nuk mbet asnjë pikë dyshimi apo mosnjohje në këtë çështje.

 

 

Siç thotë një poet:

Nuk mbet gjë e vërtetë për logjikën,

Nëse dita ka nevojë të argumentohet!

 

  • Janë dy agime:

 

Prej atyre dispozitave që ka sqaruar i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) është edhe fakti se agimi është dy llojesh, apo se kemi dy agime:

  1. a) Agimi mashtrues, i rremë: Agimi i cili nuk e bën të lejuar faljen e namazit të sabahut dhe as nuk e ndalon agjëruesin nga ushqimi.
  2. b) Agimi i vërtetë: Agimi ia ndalon ushqimin agjëruesit dhe e bën të lejuar faljen e sabahut.

Ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!)  transmeton se Muhamedi (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Janë dy agime: i pari nuk e bën të ndaluar ushqimin dhe as nuk e bën të lejuar namazin (e sabahut), ndërsa i dyti e bën të ndaluar ushqimin dhe bën të lejuar namazin (e sabahut).”[47]

Dije, vëlla Musliman, se:

  1. a) Agimi mashtrues është e bardha e shtrirë dhe ndriçuese që ngrihet në qiell si bishti i ujkut.
  2. b) Agimi i vërtetë është ngjyra e kuqe që përhapet gjerësisht në fusha e kodra, që shpërndahet nëpër rrugë e shtëpi, e ky është ai me të cilin lidhen dispozitat e agjërimit dhe namazit.

Semurete (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!)  transmeton se Muhamedi (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Të mos iu mashtrojë ezani i Bilalit, e as kjo bardhësi që zgjatet në agim deri sa të përhapet horizontalisht.”[48]

Talk ibën Ali transmeton se Muhamedi (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Hani dhe pini, e të mos iu mashtrojë drita e bardhë që ngjitet në qiell vertikalisht (para agimit), por hani e pini deri sa t’iu zërë drita e kuqe.”[49]

Dije, o ti i drejtuar në adhurimin e Zotit tënd, se cilësitë e agimit të vërtetë janë ato që përputhen me ajetin e Kuranit: derisa të dallohet qartë peri i bardhë nga peri i zi në agim” [El Bekaretu 187]. Pra, drita e agimit të vërtetë është ajo që përhapet horizontalisht nëpër lugina dhe majat e kodrave, sikur të ishte fije peri e bardhë, ndërsa sipër saj shfaqet fija e zezë nga mbetjet e errësirës që është duke u larguar.

Nëse e dallon këtë dritë, atëherë ndalu nga ngrënia e pirja dhe nga marrëdhëniet intime, e nëse ke në dorë një gotë ujë apo pije tjetër, pije atë dhe të bëftë mirë, sepse ajo është një lejim madhështor nga më i Madhi i mëshiruesëve për robët e tij agjërues. Dhe nëse e dëgjon ezanin:

Muhamedi (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) thotë: “Nese dikush nga ju ndëgjon ezanin dhe në dorën e tij ka enë me ushqim apo pije, mos ta lërë atë derisa të marrë nevojën që ka prej saj.”[50]

Është për qëllim me ezanin, ezani i dytë i agimit të vërtetë dhe argument për këtë është edhe shtojca e hadithit, të cilën e ka transmetuar imam Ahmedi (2/510), Ibën Xherir et Taberi (2/102) e të tjerë, në fund të hadithit: “Dhe muezini e thirrte ezanin (e dytë) kur fillonte agimi.”[51]

Për këtë të kuptuar argumenton edhe ajo që transmeton Ebu Umamete (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!)  i cili thotë se: “U thirr ikameti për namaz dhe Umeri kishte enën me ujë në dorë. A të pij, o i Derguari i Allahut? Po, tha ai, dhe Umeri e piu atë.”[52]

Me këtë na vertetohet se ndalesa e të ngrënit para fillimit të agimit të vërtetë është bidat-risi e shpikur.

El Hafidh (Allahu e mëshiroftë!) në “el Fet’h” (4/199) thotë: “Nga bidatet e urrejtuara që janë shpikur në këtë kohë është thirrja e ezanit të dytë në muajin e Ramazanit njëzetë minuta para agimit, si dhe fikja e kandilave që janë vënë si shenjë për ndalimin nga të ngrënit dhe të pirit për atë që dëshiron të agjërojë, me pretendimin se kjo gjë e re është për siguri në kryerjen e plotë të adhurimit. Por këtë gjë nuk e dinë veçse pak njerëz. Po ky pretendim i ka shtyrë ata që të mos e thërrasin ezanin e akshamit veçse pas perëndimit të diellit me disa gradë, që të ketë hyrë koha tamam, sipas tyre, duke e vonuar kështu iftarin dhe duke shpejtuar syfyrin, në kundërshtim me sunetin. Për këtë shkak është pakësuar e mira tek ata dhe është shtuar e keqja. Allahu na ndihmoftë!”

Themi: Dhe ka vazhduar ky bidat i ndalesës së të ngrënurit para agimit të vërtetë dhe pritja e hyrjes mirë të kohës së namazit edhe në këtë kohën tonë, dhe tek Allahu ankohemi.

 

  • Pastaj plotësohet agjërimi deri në mbrëmje.

 

Nëse fillon nata nga ana e lindjes dhe mbaron dita nga perendimi, e perëndon dielli, atëherë çelet të agjërimi.

Transmetohet nga Umeri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se Muhamedi (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Nëse fillon nata nga kjo anë, dhe mbaron dita nga ana tjetër, dhe perëndon dielli, atëherë agjëruesi e prish (e çel) agjërimin.”[53]

Ndërsa kjo gjë vërtetohet menjëherë pasi të humbasë rrethi i diellit, edhe pse ndoshta drita e tij sipërfaqësisht duket, pasi që ka qenë nga udhëzimi i Muhamedit (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) se nëse ka qenë agjërueshëm, ka urdhëruar një përson që të ngjitet mbi një vend të lartë dhe të shikojë diellin, e nëse ka thënë se ka perenduar, ai e ka çelur iftarin.[54]

Disa njerëz supozojnë se nata nuk bie pas perendimit të diellit menjëherë, por pasi të shpërndahet errësira në lindje dhe në perendim. Kjo ka ndodhur edhe me disa nga shokët e Muhamedit (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!), por iu qartësua se mjafton që të bierë errësira nga lindja menjeherë pasi të humbet rrumbullaku i diellit.

Abdullah ibën ebi Eufa (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) transmeton e thotë: Ishim me të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) në një udhëtim dhe ai ishte agjërueshëm (në muajin e Ramazanit). Kur perëndoi dielli, ai i tha njërit prej njerëzve: O filan! [ndërsa në një transmetim tjetër të Ebu Daudit thuhet: “O Bilal!”] Na sill ujë. Ai tha: O i Dërguari i Allahut! Sikur të prisje sa të ngryset? [ndërsa në transmetimin tjetër shton: sa të perëndojë dielli]. Ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: Zbrit dhe na sill ujë.

– Por është ende ditë, tha ai.

– Zbrit dhe na sill ujë.

Atëherë zbriti dhe u solli ujë, nga i cili piu edhe i Dërguari (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!). [Thotë: Sikur ndokush të shihte nga perëndimi i hipur mbi devenë e tij, do ta shihte diellin (të paperënduar ende)]. Pastaj ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) bëri me shenjë me gishtin e tij nga lindja dhe tha: “Nëse sheh se nata ka filluar nga kjo anë, atëherë agjëruesi e ka çelur agjërimin.”[55]

Është vërtetuar nga Sahabët e Muhamedit (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) se ata kanë pasuar këtë fjalë dhe është përshtatur vepra e tyre me fjalën e Muhamedit (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!). Ebu Seid el Huderi, p.sh. ka vepruar kështu duke e çelur agjërimin pasi që ka perënduar apo ka humbur rrumbullaku i diellit.[56]

Vërejtje:

Dispoziatat e agjërimit që u përmendën me herët kanë të bëjnë me shikimin e syrit (syrit të njeriut), dhe nuk duhet që të mundohemi me mjetet teknike-astreonomike bashkëkohore për të dalluar kohën e mëngjesit, apo permes kalendarëve të cilët i kanë larguar muslimanët nga tradita dhe mësimi i Muhamedit (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!), pasi që tek ata e mira është e pakët ndërsa e keqja e shumtë,[57] e Allahu e di më së miri.

 

Vërejtje tjetër:

Në disa vende muslimane, për thirrjen e ezanit muezinët ndihmohen me kalendare që botohen prej rreth pesëdhjetë vitesh!! Ata e vonojnë Iftarin dhe e shpejtojnë syfyrin, duke rënë kështu drejtpërsëdrejti në kundërshtim me udhëzimin e Muhamedit (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!).

Në këto vende ngrihen disa nga ata që kujdesen për praktimin e Sunnetit dhe e çelin agjërimin me perendimin e diellit, ndërsa syfyrin e llogarisin me agimin. Kur perendon dielli, ata hanë iftar dhe kur hyn agimi i vërtetë –siç e sqaruam më parë- e fillojnë agjërimin. Kjo vepër është një vepër e ligjshme dhe e saktë, për të cilën nuk ka pikë dyshimi. Ndërsa ai që mendon se ky gjest apo kjo vepër është gabim, ta dijë mirë se ka gabuar me një gabim shumë të qartë, e nuk ka ndryshim e fuqi veçse me Allahun!

Siç nuk mund të mos jetë e ditur, ky adhurim (agjërimi) është i lidhur me perendimin e diellit dhe me agimin, e nëse këtë gjë e kundërshton ndokush nga njerëzit, ta dini se ata janë gabimtarë e jo ata që kapen për bazën dhe përqendrohen në të. Ezani është lajmërim për hyrjen e kohës, por nëse koha ka hyrë dhe ezani vonohet, apo thirret ezani para se të hyjë koha e caktuar, atëherë qëndrimi në origjinë është ajo që obligohet. Mësoje këtë dhe meditoje mirë!

 


 

  1. Syfyri

 

  • Urtësia në syfyr:

 

Allahu e ka bërë obligim për ne agjërimin ashtu siç ishte obligim edhe për popujt e mëhershëm nga ithtarët e Librit. Allahu i Lartësuar thotë: O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm.” [el Bekare: 183].

Kështu, koha dhe gjykimi i agjërimit ishin të njëjta me ato të ithtarëve të Librit; që të mos hahet, të mos pihet dhe të mos kryhen marrëdhënie intime pas gjumit (të natës), d.m.th nëse dikush flinte pa ngrënë, atij i duhej të qëndronte pa ngrënë deri në mbrëmjen e së nesërmes, gjë e cila ka qenë obligim edhe për muslimanët në fillim, siç e sqaruam më parë. Kur u abrogua kjo dispozitë, i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) urdhëroi që të hahej syfyr në agim, për të dalluar mes agjërimit tonë dhe agjërimit të ithtarëve të Librit.

Amër ibën Asi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!)  transmeton se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Dallimi mes agjërimit tonë dhe agjërimit të ithtarve të Librit është ngrënia e syfyrit.”[58]

 

  • Dobitë e syfyrit:

 

  1. a) Ngrënia e syfyrit është bereqet:

 

Transmetohet nga Selmani (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Bereqeti gjendet në tri gjëra: Në të ngrënurit bashkë, në të ngrënurit e qullit dhe në të ngrënurit e syfyrit.”[59]

Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!)  transmeton se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Me të vërtetë Allahu e ka vënë bereqetin në syfyr dhe në kandar.”[60]

Abdullah ibën el Harith transmeton nga një prej shokëve të Pejgamberit (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) se ka thënë: Hyra tek i Dërguari (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i cili ishte duke ngrënë syfyr dhe ai tha: “Ky është Bereqeti-mirësia që Allahu ua ka dhuruar juve, andaj mos e humbni atë.”[61]

 

Fakti i të qënurit e syfyrit bereqet është diçka e dukshme, pasi që ai është pasim i Sunnetit dhe e forcon robin për agjërim, i jep kurajo frymëdhënse për atë se largon vështërsinë nga agjëruesi dhe e nxit atë që të agjërojë sa më shumë. Në ngrënien e syfyrit ka edhe kundërshtim të ithtarëve të librit, të cilët nuk hanë syfyr, dhe për këtë shkak, i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e ka quajtur syfyrin si ushqim i bereqetshëm, siç është përmendur edhe në dy hadithet e el Irbad ibën Sarije dhe të Ebi Darda (Allahu qoftë i kënaqur prej tyre!) : “Ejani – ngrihuni në ngrënien e bereqetshme; d.m.th. në ngrënien e syfyrit.”[62]

 

  • b) Allahu fal dhe melekët e Tij bëjnë lutje për ata që hanë syfyr

 

Ndoshta bereqeti më i madh i syfyrit është se Allahu i lartësuar i përfshin me falje ata që ngrihen në syfyr dhe hedh mbi ta Mëshirën e Tij, ndërsa melekët e Mëshiruesit kërkojnë falje për ta dhe i luten Allahut që t’ua fshijë gjynahet atyre, ashtu që të jenë prej të liruarëve të Mëshiruesit nga Zjarri në muajin e Kuranit.

Ebu Seid el Hudri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) transmeton se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Ngrënia e syfyrit është bereqet, ndaj  mos e lini atë, qoftë edhe me pirjen e një gllënke ujë, sepse Allahu i fal dhe melekët e Tij bëjnë lutje për ata që hanë syfyr.”[63]

Kështu që, muslimani nuk duhet ta humbasë këtë shpërblim të madh nga Zoti i Gjithëmëshirshëm, e syfyri më i mirë për besimtarin janë hurmat (arabe).

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) thotë: “Syfyri më i mirë për besimtarin janë hurmat.”[64]

E nëse ndokujt nuk i gjenden hurma, atëherë të bëjë syfyr qoftë edhe me një gllënkë ujë, siç e thamë më sipër dhe në bazë të fjalës së të Dërguarit (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!): “Bëni syfyr qoftë edhe me një gllënkë ujë.”[65]

 

  • Vonimi i syfyrit:

 

Është e preferuar që syfyri të vonohet deri pak para faljes së sabahut, pasi që i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe Zejd ibën Thabit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) kanë ngrënë syfyr së bashku dhe kur e kanë kryer syfyrin, i Dërguari u ngrit dhe fali sabahun. Koha ndërmjet përfundimit të ngrënies së syfyrit të tyre dhe faljes së namazit ishte sa të lexuarit e pesëdhjetë ajeteve nga Libri i Allahut.

Siç është transmetuar nga Enesi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se Zejd ibën Thabit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) ka thënë: “Kemi bërë syfyr me të Dërguarin (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!), pastaj ai u ngrit për të falur namazin (e sabahut).” I thashë (Enesi i tha Zejdit): Sa ka qenë koha mes ezanit dhe syfyrit? Tha: Sa të lexuarit e pesëdhjetë ajeteve.”[66]

Dije, o rob i Allahut, Allahu të drejtoftë në të Vërtetën, se ty të lejohet ngrënia, pirja dhe kryerja e mardhënieve intime, përderisa je ne dyshim për agimin dhe nuk të është qartësuar ai, pasi që Allahu i Lartësuar dhe i Dërguari i Tij (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e kanë sqaruar kufirin e dallimit të ditës nga nata, dhe ngase Allahu i Madhëruar e ka falur atë vepër që bëhet gabimisht dhe me harresë, dhe e ka lejuar ngrënien, pirjen dhe marrëdhëniet derisa të qartësohesh, ndërsa dyshimi nuk është qartësi, pasi që qartësia është gjë e sigurtë dhe nuk ka dyshim në të; ndaj sigurohu!

 

  • Vendimi për syfyrin:

 

Për këtë ka urdhëruar i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) me urdhër të prerë, se kush dëshiron të agjërojë, të ngrihet dhe të bëjë syfyr.

Ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) thotë: “Kush dëshiron të agjërojë, atëherë le të ngrihet e të bëjë syfyr me diçka.”[67]

Dhe ka thënë:

“Bëni syfyr, se në syfyr ka bereqet.”[68]

Pastaj ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!)  ka sqaruar vlerën e syfyrit për umetin e tij, duke thënë: “Dallimi mes agjërimit tonë dhe agjërimit të ithtarve të Librit është në ngrënien e syfyrit.”[69]

Dhe ka ndaluar lënien apo heqjen dorë nga ai, duke thënë: “Syfyri është ushqim i bereqetshëm, ndaj mos e humbni atë, qoftë edhe me një gllënkë ujë, sepse  Allahu fal dhe melekët bëjnë lutje për ata që bëjnë syfyr.”[70]

Dhe thotë: “Bëni syfyr, qoftë edhe me një gllënkë ujë.”[71]

Themi:

Shohim se urdhëri i të Dërguarit (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) është i përforcuar me përforcime të shumta nga tri kahje:

  1. a) Urdhëri për të.
  2. b) Fakti se ai është simbol i agjërimit të muslimanëve dhe ndarës-dallim mes agjërimit të tyre dhe agjërimit të të tjerëve.
  3. c) Ndalesa nga lënia e tij.

Këto janë fakte (të dhena, prova) të forta dhe argumente të qarta.

Megjithatë, pas gjithë kësaj, Ibën Haxheri në “el Fet’h” (4/139), ka përcjellë faktin se dijetarët janë të një mendimi (unanimisht –ixhma) se syfyri është vepër e preferuar dhe e pëlqyer!! E Allahu e di më së miri.


  1. Çfarë gjërave duhet t’u largohet agjëruesi

 

Dije, o ti që të është dhënë mundësia për bindje ndaj Allahut të Madhëruar, se agjërues është ai i cili i ndal gjymtyrët nga mëkatet, gjuhën nga gënjeshtrat, fjalët e ndyta dhe dëshmia e rreme, barkun nga ngrënia e pirja, organin gjenital nga marrëdhëniet intime. Nëse flet, nuk flet me diçka që e lëndon agjërimin e tij, e nëse vepron diçka, nuk vepron diçka që e prish agjërimin. Përkundrazi, fjala e tij del e ëmbël dhe vepra e tij e mirë dhe e mbarë.

Ky është agjërimi i ligjshëm, e jo thjesht të ndalurit nga ngrënia, pirja e epshet. Por agjërimi është agjërim i gjymtyrëve nga mëkatet, agjërim i barkut nga ngrënia e pirja. Ashtu sikur ushqimi dhe pirja e prishin atë, po kështu edhe mëkatet presin shpërblimin dhe prishin frytet e tij, duke shkuar me të në rangun e atij që nuk ka agjëruar.

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e ka nxitur muslimanin agjërues që të mveshet me moral të lartë e të mirë, dhe të largohet nga fjalët e ndyta, të ulëta e të pamoralshme, gjëra të cilat edhe pse muslimani është i obliguar që të largohet prej tyre në çdo kohë, por ndalesa për to është shumë më e rreptë gjatë kryerjes së obligimit të agjërimit.

Kështu, është obligim mbi çdo musliman agjërues që të largohet nga këto vepra të cilat e cënojnë agjërimin e tij, me qëllim që të ketë dobi nga agjërimi dhe të arrijë devotshmërinë për të cilën ka folur Allahu në Fjalën e Tij: O ju që besuat! Agjërimi u është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm.” [el Bekare: 183].

 

Kjo sepse agjërimi është mjet lidhës që të shpie te devotshmëria, pasi që ai e mbron veten (njeriun) nga dëshirat e tij që janë mëkate. I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) thotë: “Agjërimi është mburojë”[72], gjë të cilën e sqaruam në kapitullin për dobitë e agjërimit.

Më poshtë po paraqesim disa vepra të urryera,  të cilat duhet të njihen me qëllim që t’i refuzosh dhe të mos bieshë në to, ashtu siç thotë edhe poeti:

 

E mësova të keqen jo për t’a vepruar atë,

por që të ruhem prej saj.

E kush nuk e dallon të mirën nga e keqja,

ai bie në të!

  1. Dëshmia e rreme:

Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) transmeton se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Kushdo që nuk e lë dëshminë e rreme dhe të vepruarit me të, Allahu s’ka nevojë që ai ta lërë ngrënien dhe pirjen e tij.”[73]

  1. Fjalët e kota dhe të turpshme:

Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) transmeton se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë:  “Agjërimi nuk është të ndaluarit nga të ngrënit e të pirit, por ai është të ndaluarit nga fjalët e kota e të turpshme. Nëse dikush të shan apo të ngacmon (të sulmon), ti thuaj: Unë jam agjërueshëm. Unë jam agjërueshëm.”[74]

Pikërisht për këtë shkak ka ardhur edhe kërcënimi i ashpër nga i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) për atë që vepron këto vepra të këqia, siç thotë i sinqerti i cili nuk flet nga vetja e tij: “Ndodh që ndonjë agjërues të mos arrijë nga agjërimi i tij veçse uri dhe etje.”[75]

Shkak për këtë është fakti se ai që e vepron kështu, ai nuk e percepton realitetin e të agjëruarit për të cilin Allahu na ka urdhëruar, kështu që Allahu e ndëshkon atë duke ia bërë haram atij shpërblimin dhe sevapet.[76]

Për këtë shkak, dijetarët tanë prej selefëve të sinqertë, kanë bërë dallim ndërmjet të qënurit e ndalimit në atë kuptim të veçantë në lidhje me adhurimin, duke shkaktuar prishjen e atij adhurimi, dhe ndërmjet të mos qenurit e tij në atë kuptim, duke mos e prishur kështu adhurimin.[77]

 


 

  1. Gjërat që lejohen për agjëruesin

 

Asnjë rob i bindur Allahut, i cili e kupton Kuranin dhe sunetin, nuk dyshon në faktin se Allahu do të mirën dhe të lehtën për robët e Tij dhe nuk do të vështirën për ata.

Prej këtu, Ligjvënësi më i Urtë i ka lejuar agjëruesit disa gjëra, duke e i zhveshur ato nga gjynahu (që nuk janë gjynah të veprohen). Këto gjëra po i paraqesim më poshtë me argumentet e tyre:

 

  1. Agjëruesi mund të gdhihet i papastër-xhunub

 

Ka pasur raste kur i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) është gdhirë i papastër-xhunub nga marrëdhëniet intime që ka pasur me gratë e tij, pastaj ka marrë gusël pas agimit dhe ka agjëruar.

Aisheja dhe Umu Selemete (Allahu qoftë i kënaqur prej tyre!) transmetojnë se: “Kishte raste që të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e zinte sabahu duke qenë xhunub nga marrëdhëniet që kishte me gruan e tij, pastaj lahej dhe agjëronte.”[78]

 

  1. Agjëruesit i lejohet të përdorë misvakun

 

Muhamedi (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) thotë: “Sikur mos të mos e rëndoja ummetin tim, do t’a urdhëroja atë që të përdorte misvakun në çdo avbes.”[79]

Në këtë hadith, i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) nuk e ka veçuar agjëruesin nga të tjerët, dhe ky është argument se misvaku përdoret si nga agjëruesi edhe nga të tjerët, në çdo avdes dhe në çdo namaz.[80]

Gjithashtu, ky hadith është i përgjithshëm për çdo kohë; para mesditës apo pas saj, e Allahu e di më së miri.

 

  1. Shpëlarja e gojës dhe hundës

 

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e shpëlante gojën dhe hundën duke qenë agjërueshëm, mirëpo ai e ka ndaluar agjëruesin nga të tepruarit në këtë.

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) thotë: “… dhe thithe mirë ujin me hundë, vetëm nëse je agjërueshëm.”[81]

 

  1. Përqafimi dhe puthja e agjëruesit gruan e tij

 

Aisheja (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) transmeto se: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e puthte gruan duke qenë agjërueshëm, si dhe e përqafonte atë duke qenë agjërueshëm, por ai ka qenë më i përmbajtur se ju në epshet e tij.”[82]

Por kjo gjë nuk është e preferuar për të riun, ndryshe nga i kaluari në moshë.

Abdullah ibën Amër ibën Asi transmeton duke thënë: “Ndërsa ishim tek i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!), aty erdhi një djalë i ri dhe tha: O i Dërguari i Allahut! A më lejohet ta puth gruan duke qenë agjërueshëm? Ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: “Jo”. Pastaj erdhi një i moshuar dhe tha: A më lejohet ta puth gruan duke qenë agjërueshëm? I tha “Po”. Atëherë ne po shihnin njëri-tjetrin me habi, ndërsa i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: “I moshuari e sundon veten e tij.”[83]

 

  1. Analizat e gjakut dhe injeksionet joushqyese

 

Këto nuk janë prej gjërave që e prishin agjërimin.

Për këtë do të flasim  më pas në mënyrë të shtjelluar.

 

  1. Hixhamja

 

Hixhamja, apo nxjerja e gjakut me kupa ka qenë prej gjërave që e prishnin agjërimin, por më pas kjo u abrogua, pasi që është vërtetuar se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka bërë hixhamen duke qenë agjërueshëm, siç është transmetuar nga Ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka bërë hixhamen duke qenë agjërueshëm.”[84]

 

  1. Të provuarit apo të shijuarit e ushqimit

 

Por kjo është e kushtëzuar me mosfutjen e tij në fyt, duke u bazuar në transmetimin e Ibën Abasit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) ku thuhet: “Nuk ka problem për agjëruesin nëse shijon uthullën apo diçka tjetër, por pa e futur deri në fyt.”[85]

 

  1. Lyerja e syve, futja e pikave të ilaçit në to, apo të ngjashme me to nga gjërat që hyjnë në sy.

 

Këto gjëra nuk e prishin agjërimin, pa marrë parasysh se a shijon diçka në fyt  apo jo. Ky është mendimi që ka zgjedhur edhe dijetari i Islamit, Ibën Tejmije, në librin e tij “E vërteta e agjërimit”, si dhe dhe nxënësi i tij, Ibën Kajjim el Xhevzije, në librin e tij “Zadul Mead”.

Ndërsa imam Buhariu, në “Sahihun” e tij thotë: “Enesi, el Haseni dhe Ibrahimi nuk shihnin ndonjë problem për agjëruesin nga lyrja e syve me kohël.”

 

  1. Hedhja e ujit të ftohtë mbi kokë dhe bërja banjo

 

El Buhari në “Sahihin” e tij[86] thotë: “Tema: Bërja banjo për agjëruesin”. Pastaj thotë: Ibën Umeri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) njomi një rrobë me ujë dhe e hodhi mbi kokë (a mbi shpinë) duke qenë se ishte agjërueshëm. Po kështu edhe Sheabiu ka hyrë dhe ka bërë banjo duke qenë agjërueshëm. Ndërsa el Haseni ka thënë: Nuk ka problem për agjëruesin që të fusë ujë në gojë gjatë avdesit apo që të freskohet.”

Madje edhe vetë i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka pas hedhur ujë mbi kokën e tij nga etja apo nga vapa, duke qenë agjërueshëm.”[87]

 


 

  1. Allahu dëshiron lehtësim për ju, e nuk dëshiron vështirësim

 

  1. Udhëtari

 

Janë transmetuar hadithe të sakta ku udhëtarit i është dhënë të zgjedhë nëse dëshiron të agjërojë apo jo, pa harruar se kjo Mëshirë e Allahut është përmendur gjithashtu  në Librin e Famëlartë, ku i Gjithëmëshirëshmi, Mëshirëploti thotë: E kush është i sëmurë ose në udhëtim, le të agjërojë aq ditë nga ditët e mëvonshme. Allahu me këtë dëshiron lehtësim për ju, e nuk dëshiron vështërsim për ju.” [El Bekare: 185].

Hamza ibën Amër el Eslemi, i cili agjëronte vazhdimisht, e pyeti të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!): “A të agjëroj kur jam në udhëtim?” I Dërguari (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i tha: “Nëse do, agjëro e nëse do, çele (mos agjëro).”[88]

Enes ibën Malik (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) ka thënë: “Unë isha duke udhëtuar me të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!)  gjatë Ramazanit, dhe ata që agjëronin nuk i fajësonin ata që nuk agjëronin, dhe as ata që nuk agjëronin nuk i fajësonin ata që agjëronin”.[89]

Hadithet i mësipërme argumentojnë për përzgjedhjen e agjërimit apo lënies së tij nga udhëtari dhe nuk argumentojnë për preferencën e ndonjërës prej të dyjave. Mirëpo, prej hadithit vijues ne mund të deduktojmë se është më mirë që gjatë udhëtimit të mos agjërohet. I Dërguari  (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Vërtet, Allahu dëshiron që të kryhen lehtësimet e Tij, ashtu siç urren të kryhen mëkatet ndaj Tij.”[90]

Ndërsa në një transmetin tjetër thuhet: “…ashtu siç dëshiron vendosmërinë në kryerjen e urdhërave të Tij.”[91]

Por kjo mund kufizohet në atë person i cili nuk gjen veshtirësi në agjërim, me qëllim që të mos kthehet lehtësimi për të pa u vërtetuar qëllimi i tij (i lehtësimit). Këtë gjë e ka qartësuar me një qartësim që nuk lë vend për dyshim, ajo që është transmetuar nga Ebu Seid el Hudri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), i cili thotë: “Ata (sahabet) shihnin; nëse ndjeheshin të fortë për të agjëruar, ashtu bënin, e nëse ndjeheshin të dobët, nuk agjëronin dhe që të dyja ishin të mira.”[92]

Dije, vëlla në besim, Allahu të drejtoftë në rrugën e udhëzimit dhe sinqeritetit dhe të furnizoftë me dituri në fe, se agjërimi në udhëtim nëse është vështërsi për udhëtarin, kjo nuk është nga mirësia assesi, por prishja është më primare dhe më e dashur tek Allahu. Argument për këtë kemi atë që është transmetuar nga disa prej Sahabeve (Allahu qoftë i kënaqur prej tyre!) se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Agjërimi në udhëtim nuk është nga mirësia (nga vepra e mirë).”[93]

 

Vërejtje:

 

Disa njerëz mund të supozojnë se prishja e agjërimit për udhëtarin në kohën tonë nuk lejohet, madje e shajnë atë që kapet për lehtësimin e Allahut, apo se agjërimi është më primar për shkak të udhëtimit të lehtë.

Këtyre ne u tërheqim vërejtjen duke i kujtuar me Fjalën e Njohësit të të fshehtës dhe të dukshmes: Dhe Zoti yt nuk është që harron.” [Merjem: 64].

Si dhe me Fjalën e Allahut: Allahu di dhe ju nuk dini.” [El Bekare: 232]

Gjithashtu edhe me Fjalën e Allahut në ajetin ku përmendet lehtësimi i prishjes së agjërimit në udhëtim: Allahu me këtë dëshiron lehtësim për ju, e nuk dëshiron vështërsim për ju.” [El Bekare: 185].

D.m.th: lehtësia, e lehta dhe lehtësimi është ajo që Allahu dëshiron për njerëzit, madje ajo është prej synimeve dhe parimeve themelore të sheriatit liberal, duke mos harruar se Ai që bëri legjitim këtë fe, Ai është krijuesi i kohës, vendit dhe njeriut, dhe Ai është më i dituri për nevojat  e njerzëve; për atë që iu bën dobi dhe që iu përshtatet atyre. Allahu thotë: A nuk di Ai që ka krijuar, ndërkohë që Ai depërton në thellësi të sekreteve, i njeh hollësitë?![el Mulk: 14].

E përmedim këtë me qëllim që muslimani ta mësojë se kur Allahu dhe i Dërguari i Tij vendos për diçka, nuk mbetet zgjedhje tjetër, por duhet të bashkohemi me robët besimtarë e të zgjedhur të Allahut, të cilët nuk paraprijnë asgjë para Fjalës së Allahut dhe të Dërguarit të Tij; “Dëgjuam dhe u bindëm. Kërkojmë faljen Tënde, o Zoti ynë! Vetëm te Ti është ardhmëria jonë.” [El Bekare: 285].

 

  1. I sëmuri

 

Allahu i Lartësuar e ka bërë të lejuar prishjen e agjërimit për të sëmurin, si mëshirë dhe lehtësim për të.

Por duhet patur parasysh se sëmundja e cila e lejon prishjen e agjërimit është ajo që nëse bashkohet me agjërimin, e dëmton shëndetin dhe shtohet edhe më shumë, apo e cila  vonon shërimin, e Allahu e di më mirë.

  1. Gruaja me perioda dhe gruaja lehonë

Dijetarët janë pajtuar unanimisht se agjërimi nuk është i lejuar për gruan e cila është në periudhën e menstruacioneve dhe as për gruan lehonë. Ato duhet ta ndërprejnë agjërimin dhe ta kompensojnë atë më vonë. Edhe nëse ato agjërojnë, ai nuk u quhet atyre (është i pavlefshëm).

Më shumë sqarim për këtë do të vijë më pas, me Lejen e Allahut.

  1. Burri dhe gruaja e kaluar në moshë

 

Ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) thotë: “Burri i moshuar dhe gruaja e moshuar nuk kanë mundësi agjërimi, por ato japin lëmoshë duke ushqyer një të varfër për çdo ditë.”[94]

Ndërsa Darakutni (2/207) ka përcjellë dhe e ka quajtur të saktë një hadith nga Ibën Mensur; nga Muxhahidi; nga ibën Abasi, se ky ka lexuar ajetin: E ata që i rëndon ai (nuk mund të agjërojnë), janë të obliguar për kompensim, ushqim (ditor), i një të varfëri [El Bekare: 184], pastaj tha: Është për qëllim burri i moshuar i cili nuk ka mundësi të agjërojë, kështu që i lejohet t’a prishë agjërimin dhe të japë lëmoshë, duke ushqyer për çdo ditë nga një të varfër;  gjysmë tasi drith.”[95]

Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) transmeton dhe thotë: “Këdo që e zë pleqëria dhe nuk është në gjendje të agjërojë në Ramazan, atëherë për secilën ditë ai duhet të japë një mudd (dy grushta) grurë.”[96]

Enes ibën Malik (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) transmeton se: “Një vit, ai u ndje i dobët dhe i paaftë për të agjëruar Ramazanin. Atëherë ai përgatiti një kazan me qull dhe ftoi tridhjetë të varfër, të cilët i ngopi mirë.”[97]

  1. Gruaja shtatzënë dhe gruaja gji-dhënëse

Prej Mëshirës së madhe të Allahut ndaj robëve të dobët të Tij është lehtësimi i Tij për ta që të mos agjërojnë. Në këtë kategori përfshihen edhe gratë shtatëzëna dhe gratë gji-dhënëse.

Transmetohet nga Enes ibën Maliku[98] se ka thënë: “Kuajt e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) erdhën drejt nesh me furi, dhe unë shkova te i Dërguari (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) të cilin e gjeta duke ngrënë. Ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: “Afrohu dhe ha.” Unë thashë: “Unë jam agjërueshëm.” Ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: “Afrohu, të të tregoj për agjërimin. Vërtet, Allahu e ka shkurtuar namazin përgjysmë për udhëtarin dhe e ka larguar barrën e të agjëruarit nga gruaja shtatzënë dhe gruaja gji-dhënëse” Për Zotin! I Dërguari (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e tha këtë për të gjithë këta. Atëherë, si të mos e ha ushqimin e të Dërguarit (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!).”[99]

 


 

  1. Iftari

 

  • Kur bën iftar agjëruesi?

Allahu i Lartësuar thotë: “pastaj plotësojeni agjërimin deri në mbrëmje” [El Bekare: 187].

Ndërsa i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e ka komentuar këtë ajet me ardhjen e natës, ikjen e ditës dhe humbjen e rrumbullakut të diellit, siç e sqaruam më parë, në atë mënyrë që ia qetëson zemrën muslimanit pasues të Rrugës së Drejtë.

O rob i Allahut, këto janë fjalët e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) para duarve tua dhe ti i lexove ato. Veprat e tij nuk janë më të panjohura për ty dhe as veprat e shokëve të tij, të cilët pasuan atë që u solli i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!), hap pas hapi.

Transmeton Abdurrezak në “el Musanaf” (7591) me zinxhir transmetuesish të cilin e ka vërtetuar el Hafidh në “el Fet’h” (4/199) dhe el Hejthemi në “Mexhama el Zevaid” (3/154); nga Amër ibën Mejmun el Advij, thotë: “Shokët e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ishin më të shpejtët –më të parët në çeljen e iftarit dhe më të vonuarit në syfyr.”

  • Shpejtimi i Iftarit:

O vëlla besimtar, nxito për iftar posa të perendojë dielli dhe mos i hidh sytë në të kuqërremtën e ndezur që duket në horizont, sepse ajo nuk është e konsideruar për kohën e iftarit. Në veprimin e kësaj ti je pasues i të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe kundërshtues i çifutëve e të krishterëve, të cilët e vonojnë iftarin deri në një afat të caktuar, i cili është shfaqja e yllit.

Në pasimin e rrugës së Muhamedit (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe në praktikimin e sunnetit të tij shfaqen virtytet e Fesë dhe krenaria me atë që kemi nga udhëzimi i drejtë në të cilin urojmë të bashkohen njerëzit dhe xhinët.

Këte e sqarojnë fare qartë hadithet e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) në paragrafet në vijim:

a) Shpejtimi i Iftarit është mirësi:

Sehl ibën Sead (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) transmeton se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Njerëzit do të vazhdojnë të jenë mirë përderisa e shpejtojnë Iftarin.”[100]

b) Shpejtimi i Iftarit është Sunneti i të Dërguarit të Allahut:

Nëse umeti musliman e shpejton iftarin, ai vazhdon të jetë në rrugën dhe sunetin e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe të Selefëve të sinqertë. Sigurisht që nëse ata vazhdojnë të kapur me dhëmballë në këtë rrugë dhe e refuzojnë çdo gjë që del nga bazat e saj, ata nuk kanë për të humbur kurrë, me Lejen e Allahut të Madhëruar.

Sehl ibën Sead (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) transmeton se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Populli im do të vazhdojë të jetë mirë, përderisa nuk do të presin shfaqjen e yjeve për të bërë iftar.”[101]

c) Shpejtimi i Iftarit është kundërshtim i atyre me të cilët Allahu u hidhërua dhe atyre të humburve:

Nëse njerëzit janë në të mirë, për atë se kanë ndjekur metodën dhe rrugën e Pejgamberit të tyre, duke ruajtur Sunnetin e tij, atëherë Islami mbetet i triumfator dhe i fortë, nuk e pengon atë ata që e kundërshtojnë atë. Vetëm atëherë ummeti musliman do të jetë kandil ndriçues në  thellësinë e errësirës dhe shembull i mirë për t’u ndjekur. Ai nuk do të jetë bisht i popujve të lindjes apo perëndimit.

Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) transmeton se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Feja do të vazhdojë të jetë triumfuese përderisa njerëzit e shpejtojnë Iftarin, për atë se çifutët dhe të krishterët e vonojnë atë.”[102]

Themi: Në hadithet e mësipërme kemi dobi të shumta dhe gjëra të rëndësishme të sqaruara siç vijon:

  1. Qëndresa e Fesë tonë triumfuese, me flamurin që valëvitet lart, ndryshe nga ata që kanë qenë para nesh prej atyre që u është dhënë Libri. Ky është qartësim për popullin musliman se ai i përfshin të gjitha të mirat e të gjitha pikëpamjeve, nëse ai qëndron popull i dalluar dhe fetar, as lindor e as perëndimor. Refuzues i sjelljes rreth boshtit të shterpëve apo i kullotjes në fushat e Shtëpisë së Bardhë –Allahu e nxiftë me të zezë!-, apo nga të kthyerit nga Londra –Allahu e shkatërroftë!-.

Vetëm nëse e bëjnë këtë, atëherë do të qëndrojnë si kandili në mes të të gjithë popujve të tjerë, nga i cili kandil hidhen të gjithë sytë dhe të cilin e dëshirojnë të gjitha zemrat. Por nuk ka për të qenë kështu, vetëm se me kthimin te Islami; me Kuranin dhe Sunetin, me Akiden dhe metodologjinë (menhexhin) e tyre.

  1. Kapja për Islamin duhet të jetë e plotë; me bazat dhe me degët e tij, sepse Allahu i Lartësuar thotë: “O ju që keni besuar! Hyni në Islam plotësisht (përqafoni fenë Islame në tërësi).” [El Bekare: 208].

Prej këtu, ndarja e Islamit në bërthamë dhe lëvore është risi injorante bashkohore. Qëllimi i tyre me bërthamën është hutimi i mendjes së muslimanve dhe futja e tyre në vorbullën me rëndësi, e cila nuk ka asnjë bazë në Fenë e Allahut, por rrënjët e saj janë tek ata me të cilët Allahu është hidhëruar, të cilët besojnë në një pjesë të Librit dhe mohojnë pjesën tjetër. Ata, për të cilët jemi urdhëruar t’i kundërshtojmë në trung e në degë.

Siç e kuptove, frytet e kundërshtimit të çifutëve dhe të krishterëve janë qëndrim i Fesë tonë triumfuese dhe krenare.

  1. Thirrja në Fenë e Allahut dhe përkujtimi i besimtarëve janë hallka që nuk ndahen nga njëra-tjetra. Ngjarjet e mëdha të cilat kanë rënë mbi umetin musliman nuk na bën ne që të bëjmë dallim në mesin e virtyteve të Fesë dhe as të paraprijmë disa prej tyre mbi disa të tjera, duke ua ulur vlerën atyre. Apo që të themi ashtu siç thonë shumë njerëz: Këto gjëra janë sipërfaqësore, dytësore, në to ka kundërshtim, apo ato janë në vend të fusnotave (shënimeve në fund të faqes së librit), kështu që duhet t’i lëmë ato mënjanë dhe duhet t’i përqendrojmë forcat në fatkeqësinë e madhe që ka përçarë mesin tonë dhe ka futur kundërshtimin mes nesh!

Dhe ja tani, ti o Musliman thirrës në Allahun, me vetëdije e njohuri, mësove nga hadithet e mëparshme se qëndrimi i Fesë triumfuese qëndron në shpejtimin e iftarit, i cili vërtetohet me të perënduarit e rrumbullakut të diellit.

Ndaj të kenë frikë Allahun ata njerëz të cilët mendojnë se bërja iftar në kohën e perëndimit të diellit është përçarje e fitne, dhe se thirrja në ringjallje të këtij sunneti është thirrje në diçka të kotë, në injorancë dhe në largim të muslimanve nga feja e tyre. Apo se ajo është thirrje e pa vlerë dhe sa që është e mundur që muslimanët të bashkohen në praktikimin e saj, pasi që ajo është prej çështjeve në të cilat ka kundërshtim, apo nga çështjet dytësore!!

Ve la havle ve la kuvete ila bilah (E nuk ka mundësi e as fuqi veçse me Allahun)

c) Bërja iftar para faljes së namazit të Akshamit:

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) bënte iftar para se të falej[103], pasi që shpejtimi i Iftarit është nga morali i Pejgamberëve.

Transmetohet nga Ebi Derda (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se ka thënë: “Tri gjëra janë nga morali profetik; shpejtimi i iftarit, vonimi i syfyrit dhe vendosja e dorës së djathë mbi të majtën në namaz.”[104]

  • Me çfarë çelet Iftari?

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) nxiste gjithnjë që agjërimi të çelej me hurma (arabe), e nëse nuk gjen, atëherë me ujë, dhe e gjithë kjo nga kujdesi i madh për umetin e tij dhe këshillimin e tyre.

Zoti i botëve, i Cili e dërgoi Muhamedin mëshirë për mbarë njerzimin, thotë: “Juve ju ka ardhur një i Dërguar (Muhamedi) nga mesi juaj. Ai pikëllohet nëse juve ju bie ndonjë lëndim a vështirësi. Ai kujdeset dhe është lakmues i Rrugës së Drejtë për ju, është i ndjeshëm dhe i mëshirshëm për besimtarët.” [Teube: 128].

Kjo sepse kur trupit i jep diçka të ëmbël ndërkohë që stomaku është bosh, ai e pranon më lehtë atë dhe dobia e tij është më e madhe për gjymtyrët, veçanërisht trupit të shëndetshëm (të pasëmurë), sepse ai merr fuqi me të.

Ndërsa uji; pasi që trupi ka humbur lëngje gjatë ditës dhe kur atij i futet ujë, ai ka më shumë dobi nga ushqimi.

Dije, o ti rob i bindur Allahut, se hurma ka bereqet dhe veçori, gjithashtu edhe uji, veçori që lën gjurmë në zemër dhe në pastrimin e saj, gjë të cilën nuk e njohin veçse pasuesit e sunetit.

Transmetohet nga Enes ibën Malik (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se ka thënë: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e çelte iftarin me disa  rutab (hurmë e njomë), para se të falej, e nëse nuk gjente rutab, atëherë e çelte me temër (hurmë e thatë), e nëse nuk gjente temër, atëherë pinte disa gllënka ujë.”[105]

  • Çfarë thuhet kur ha Iftar?

Dije, vëlla agjërues, Allahu na dhëntë sukses neve dhe juve në pasimin e Sunnetit të Muhamedit (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!), se ti ke në dispozicion lutje që të pranohet, kështu që shfrytëzoje rastin dhe lute Allahun me bindje të plotë për plotësimin e saj.

Dije gjithashtu, se Allahu nuk i përgjigjet duas-lutjes së zemrës së pavëmendshme e të shkujdesur.

Lutju Allahut me çdo lloj duaje të mirë që ti dëshiron, se ndoshta arrin të mirat e dunjasë dhe të ahiretit.

Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) transmeton se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Tri lutje janë të pranuara : Lutja –duaja e agjëruesit, lutja-duaja e atij që i është bërë padrejtësi dhe lutja-duaja e udhëtarit.”[106]

Kjo lutje-dua që nuk refuzohet është në kohën e iftarit, bazuar edhe në hadithin e Ebi Hurejrës (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Tre përsonave nuk u refuzohet lutja; agjëruesit kur bën iftar, udhëheqësit të drejtë dhe atij që i është bërë padrejtësi.”[107]

Abdullah ibën Amër ibën Asi thotë: I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Me të vërtetë, për agjëruesin në kohën e iftarit ka dua që nuk refuzohet.”[108]

Ndërsa duaja më e mirë është ajo që është përcjellë nga i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!), i cili kur bënte iftar thoshte:

“ذهب الظَّمأُ و ابْتلَّتْ العُروقُ و ثَبَتَ الأجْرُ إنْ شاء اللهُ”

“Kaloi etja, u mbushën venat dhe u arrit shpërblimi inshallahu – në dashtë Allahu!”[109]

  • Të dhënurit iftar agjëruesit:

Mundohu vëlla, Allahu të shpërbleftë dhe të mundësoftë për punë të mira dhe të mbara, që të ushqesh agjëruesin, për shpërblimin e madh dhe të mirat e pafundme që të vinë nga kjo gjë.

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) thotë: “Kush i bën iftar një agjëruesi, ai ka shpërblim sikur ai që ka agjëruar duke mos i mangësuar nga shpërblimi i agjëruesit asgjë.”[110]

E nëse muslimani agjërues ftohet për iftar, ai e ka obligim t’i përgjigjet ftesës, ndërsa ai i cili nuk i përgjigjet ftesës, ai ka thyer urdhërin e Ebu el Kasim (Muhamedit) (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!). Agjëruesi duhet të jetë i bindur se bërja e iftarit tek dikush tjetër që e fton atë, nuk i pakëson atij asgjë nga shpërblimi dhe të mirat e tij.

Është e preferuar për të ftuarin që të bëjë dua për ftuesin e tij pas ngrënies së ushqimit, duke u bazuar në atë që është transmetuar nga i Dërguari (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!), lutje e cila ka ardhur në disa forma dhe me disa shprehje, si p.sh:

“أكل طعامكم الأبرار، و صلت عليكم الملائكة، و أفطر عندكم الصائمون”

  1. a) “Bukën tuaj e ngrënshin të pastërtit! Melekët bëfshin lutje për ju dhe bëfshin iftar tek ju agjëruesit!”[111]

“اللهم أطْعِم من أطعًمني، و اسقِ من سقاني”

  1. b) “O Zoti im! Ushqeje atë që me ushqeu mua dhe jepi të pijë atij që më dha mua për të pirë.”[112]

“اللهم اغفر لهم و ارحمهم و بارك لهم فيما رزقتهم”

  1. c) “O Zoti im! Fali ata! Mëshiroji ata! Dhe jepu bereqet në atë që u ke furnizuar.”[113]

 

  1. Gjërat që e prishin agjërimin

Ekzistojnë disa gjëra të cilave agjëruesi duhet t’u largohet kur agjëron, e nëse i kryen ato gjatë ditës në Ramazan, agjërimi i tij konsiderohet i prishur dhe ai merr gjynahe. Këto gjëra po i përmendim në vijim:

  1. Ngrënia e pirja me vetëdije

Allahu i Madhëruar thotë: “Hani e pini derisa qartë të dallohet peri i bardhë nga peri i zi në agim, e pastaj plotësojeni agjërimin deri në mbrëmje” [el Bekare: 187], kështu që kuptohet se agjërimi bëhet duke u ndaluar nga ngrënia e pirja, në të kundërt, nëse agjëruesi ha apo pi, ai e ka prishur agjërimin.

Ndërsa veçimi i kësaj me të qenurit me vetëdije është bërë për faktin se agjëruesi, nëse ha apo në harresë apo gabimisht, a i detyruar, ai nuk ka ndonjë gjynah dhe e vazhdon agjërimin (nuk i prishet agjërimi).

Agrument për këtë janë hadithet e mëposhtme:

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Nëse ha dhe pi nga harresa, atëherë plotësoje agjërimin, sepse Allahu është Ai i Cili të ka ushqyer dhe të ka dhënë për të pirë.”[114]

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) thotë: “Vërtet, Allahu e ka liruar Umetin tim nga barra e gabimeve, nga harresa dhe nga ajo që e bëjnë duke qenë të detyruar.”[115]

  1. Të vjellurit e qëllimtë

Ndryshe nga ai të cilin e mund e vjella, pasi për të nuk ka problem me agjërimin (nuk i prishet agjërimi).

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) thotë: “Nëse ndokënd e mund e vjella, ai nuk e ka obligim që ta kompensojë atë ditë, ndërsa  kush vjell qëllimisht (duke futur gishtat, a me ndonjë mënyrë tjetër), ai duhet t’a kompensojë atë ditë me një ditë tjetër (më pas).”[116]

  1. Menstruacionet dhe lehonia

Nëse gruas i fillojnë menstruacionet apo gjakderdhja e pas-lindjes, në çfarëdo kohe gjatë ditës së Ramazanit, pa marrë parasysh se a është në fillim apo në mbarim të ditës, agjërimi i saj është i prishur dhe ajo duhet t’i kompensojë aq ditë sa ka prishur në një kohë tjetër, pasi që të përfundojë muaji. Nëse ajo vendos që ta vazhdojë agjërimin, ai nuk do të jetë i vlefshëm.

Pejgamberi (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!)  ka thënë: “A nuk është ajo që nëse asaj i fillojnë menstruacionet, ajo as nuk falet, as nuk agjëron? Ato thanë: “Po”. Ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi tw!)  tha: “Pikërisht kjo është mangësia në Fenë e saj.”[117]

Urdhëri për kompensim ka ardhur në hadithin e përcjellë nga Muadhetu, e cila ka pyetur Aishen: Përse gruaja që ka menstruacione duhet të kompensojë agjërimin që i humb, ndërsa namazin nuk duhet ta kompensojë? Ajo u përgjigj: A je ti nga Harurijet?[118] Tha: Jo, nuk jam Harurije, por thjesht po  pyes. Aishja tha: “Na ndodhte edhe neve një gjendje e tillë (në kohën e të Dërguarit alejhis selam) dhe ne urdhëroheshim që të kompensonim agjërimin, kurse namazin jo.”[119]

  1. Injeksionet ushqyese

Është për qëllim futja e disa lëndëve ushqyese në trup me qëllim ushqyerjen e disa të sëmurëve. Këto gjilpëra ushqyese apo sorume e prishin agjërimin, pasi që ato e depërtojnë ushqimin në brendësi.[120] Edhe nëse diagnoza nuk arrin në stomak, por arrin në gjak, gjithashtu edhe kjo e prish agjërimin, pasi që ajo kthehet në vend të ushqimit dhe pirjes. Shumë nga të sëmurët të cilët goditen me humbje të vetëdijes për një kohë të gjatë ushqehen nëpërmjet këtij lloji të injeksioneve si Glukozi dhe Selajini.

Gjithashtu edhe lëndët që marrin disa të sëmurë me astmë, e prishin agjërimin.

  1. Marrëdhëniet seksuale

Es Sheukani në “ed Derari el Mudije” (2/22), thotë: “Nuk ka kundërshtim se marrëdhëniet intime e prishin agjërimin, nëse bëhen me vetëdije, mirëpo nëse ndodh në harresë, disa nga dijetarët e kanë llogaritur njësoj si ngrënia dhe pirja në harresë.”

Ibën Kajjimi në “Zadul Mead” (2/60), thotë: “Kurani argumenton se marrëdhëniet janë prishëse të agjërimit, njësoj si ngrënia e pirja. Për këtë nuk ka kundërshtim.”

Argument për këtë nga Kurani kemi Fjalën e Allahut të Lartësuar: “Tani pra, afrojuni atyre dhe kërkoni atë që Allahu ka përcaktuar për ju (fëmijë).” [el Bekare: 187].1

Kështu, Allahu e lejoi kryerjen e marrëdhënieve natën, e nga kjo kuptohet se agjërimi bëhet duke iu ndaluar kryerjes së marrëdhënieve, ngrënies e pirjes (gjatë ditës).

Kush e prish agjërimin e tij me marrëdhënie seksuale, ai duhet të bëjë kompensim dhe shpagim për fajin. Argument për këtë është ajo që transmeton Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), nga i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) se: “Një burrë erdhi dhe tha: O i Dërguari i Allahut! Unë u shkatërrova (mora fund).

  • Ç’të ka shkatërruar?”
  • Kam bërë marrëdhënie me gruan time në Ramazan.
  • A ke mundësi që ta lirosh një rob?”
  • A je në gjendje që të agjërosh dy muaj rresht?
  • A je në gjendje të ushqesh gjashtëdhjetë të varfër?
  • Ulu këtu.

Ai u ul. Më pas, dikush i solli të Dërguarit (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) një kosh me hurma. Pejgamberi (alejhi selam) i tha (burrit që kishte kryer marrëdhënie në Ramazan): Jepe lëmoshë këtë.

  • Nuk ka asnjë më të varfër se unë në mes këtyre dy maleve.

Ai (transmetuesi) tha: Atëherë i Dërguari (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) qeshi sa iu dukën dhëmballët dhe tha: “Shko dhe ushqeje familjen tënde me to.”[121]

 


 

  1. Kompensimi
  • Dije, o ti musliman, Allahu të dhëntë kuptim në Fenë e Tij, se kompensimi i asaj që të ka ikur nga Ramazani nuk është obligim menjëherë pas tij, por obligueshmëria e kësaj është me kohë të gjerë, siç është përcjellë nga Aisha (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) se ka thënë: “Kam pas borxh nga Ramazani, dhe nuk kam pas mundësi t’a kompensoja veçse në Shabanin e ardhshëm (muajin para Ramazanit tjetër)”[122]

El Hafith në “El Fet’h” (4/191) thotë: “Ky hadith argumenton lejimin e vonimit të kompensimit të ditëve të prishura nga Ramazani në përgjithësi, qoftë me arsye apo pa arsye.”

Mirpo, siç dihet vetevtiu, shpejtimi në kompensimin e tij është më primare sesa vonimi, duke hyrë në argumentet e përgjithëshme të cilat nxisin në shpejtimin për punë të mira dhe mosneglizhimin e tyre. Argument për këtë kemi Fjalën e Allahut: “Dhe nxitoni në rrugën drejt faljes nga Zoti juaj.” [Ali Imran: 133].

Allahu thotë: “Të tillët janë që garojnë në vepra të mira dhe janë më të parët në to.” [Muminun: 61].

  • Nuk obligohet vazhdimësia pa shkëputje në agjërimin e ditëve të mbetura për kompensim, me arsyetimin e të bashkuarit e tyre me formën e agjërimit në kohën e vetë. Allahu i Lartësuar thotë: “Atëherë të agjërojë aq ditë në ditët e mëvonshme.” [El Bekare: 185].

Ibën Abasi thotë: “Nuk ka problem nëse agjërohen të ndara nga njëra-tjetra.”[123]

Ndërsa Ebu Hurejra thotë: “I agjëron një nga një, nëse dëshiron.”[124]

Ndërsa hadithi që ka transmetuar el Bejhakiu ( 4/259), dhe Darukutni (2/ 191-192); nga Abdurrahman ibën Ibrahim; nga el Ala ibën Abdurrahman; nga i ati i tij; nga Ebi Hurejra; të ngritur te i Dërguari (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) se ka thënë: “Kushdo nga ju që ka agjërim për të kompensuar nga Ramazani, t’i agjërojë ato ditë njëra pas tjetrës dhe jo ndarë nga njëra-tjetra.”

Ky hadith është i dobët, për shkaqet e mëposhtme:

Darakutni thotë: Abdurrahman ibën Ibrahim është i dobët.

El Bejhakiu thotë: E ka konsideruar të dobët atë Ibën Muin, Nesai dhe Darakutni.

Ndërsa Ibën Haxheri në “Et Telhis el Habir” (2/ 206), ka përcjellë nga Ibën ebi Hatim se ky e ka refuzuar këtë hadith të Abdurrahmanit.

Më hollësisht për dobësinë e këtij hadithi ka folur profesori ynë, el Albani në “el Irva” (nr: 934).

Ndërsa fjala në “Silsileti el Ehadithe  ed Daife” (2/137), se shejhu e ka konsideruar të mirë këtë hadith, ai më pas është kthyer nga ajo fjalë (dhe e ka konsideruar të dobët hadithin).[125] Ndaj përqendrohu!

Përfundimi është se nuk është përcjellë ndonjë hadith i saktë i ngritur tek i Dërguari (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!), me sa dimë ne, as për agjërimin e ditëve të kaluara nga Ramazani, të ndara dhe as të ngjitura me njëra-tjetrën. Por ajo që është me e afërt dhe më e lehta është lejimi i të dyjave. Kjo është edhe fjala e Imamit të ehli Sunnetit, Ahmed Ibën Hambelit (Allahu e mëshiroftë!). Siç transmeton Ebu Davudi në “Mesail”, (faqe 95): Kam dëgjuar Ahmedin kur u pyet për kompensimin e Ramazanit, ai tha: “Nëse dëshiron, t’i agjërojë ditët e mbetura njëra pas tjetrës dhe nëse dëshiron, t’i ndajë.” E Allahu e di më së miri.

Kështu, lejimi i shkëputjes nuk e mohon bashkimin.

  • Dijetarët janë të një mendimi se kush vdes dhe ka lënë namaze pa falur, përgjegjësi i tij nuk ia kompenson ato e as dikush tjetër. Po kështu, kush nuk ka mundësi të agjërojë, nuk agjëron për të askush gjatë jetës së tij, por ushqen për çdo ditë nga një të varfër, ashtu siç ka bërë edhe Enes ibën Maliku, në etherin-fjalën e tij, që kemi përmendur më parë.

Ndërsa kush vdes dhe ka agjërim të zotuar pa kryer, agjëron përgjegjësi për të, duke u bazuar në fjalën e Muhamedit (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!): “Kush vdes dhe ka pasur agjërim për të kompensuar, le të agjërojë përgjegjësi i tij për të.”[126]

Ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) thotë: “Një burrë erdhi tek i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe e pyeti: O i Dërguari i Allahut! Nëna ime vdiq dhe i ka mbetur një muaj pa agjëruar (pa e kompensuar), a të kompensoj për të?

– Po. Borxhi i Allahut është më i parë që të kthehet.[127]

Këto hadithe të përgjithshme janë të qarta në ligjshmërinë e agjërimit të përgjegjësit (apo të afërmit) të të vdekurit, të gjitha llojet e agjërimit. Këtë mendim kanë edhe disa nga shafiitë, gjithashtu edhe Ibën Hazmi (7/2,8).

Mirpo këto hadithe janë prej llojit të përgjithshëm që janë ndeshur me përjashtimet dhe veçimet. Kështu që, nuk agjëron përgjegjësi për të vdekurin, veçse agjërimin e zotuar. Kjo është fjala e Ahmedit, siç thuhet në “Mesail Imam Ahmed” nga transmetimi i Ebi Davudit (faqe 96), ku thotë: “Kam dëgjuar Ahmed ibën Hambelin duke thënë: Nuk agjërohet për të vdekurin veçse në rast zotimi. Ebu Davudi thotë: I kam thënë Ahmedit: Po muaji i Ramazanit? Ai tha: “Për të duhet të ushqejë të varfërit në vend të të vdekurit.”

Kjo e fundit është fjalë tek e cila të qetësohet shpirti, të hapet zemra dhe të freskohet gjoksi, pasi që atë e përkrah gjithashtu edhe shpirti i argumentit, sepse kështu aktivizohen të gjitha hadithet e përcjella në këtë temë, pa kthyer asnjë prej tyre, e veçanërisht me kuptimin e hadithit të parë, ku Aisheja (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) nuk ka kuptuar nga përgjithësimi i hadithit, futjen e agjërimit të Ramazanit dhe agjërimeve të tjera në të, por ajo shkoi te ushqimi, megjithëse vetë ajo e ka transmetuar hadithin e kompensimit.  Argument për këtë është transmetimi i  Amrete, se nëna e saj kishte vdekur dhe i kishin mbetur pa agjëruar disa ditë nga Ramazani. Kjo i tha Aishes: A t’i kompensoj ato ditë për të? Aisha i tha: Jo, por jep lëmoshë për të, për çdo ditë nga gjysmë tasi për çdo të varfër.”

Këtë hadith e transmeton et Tahaviju në “Mushkil el Athar” (3/142) dhe Ibën Hazmi në “el Muhala” (7/4) me zinxhir të saktë.

Dhe siç dihet, transmetuesi i hadithit është më i dituri për atë që ka transmetuar.

Në këtë dallim ka shkuar edhe boja e umetit (më i dituri i umetit), Ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) i cili thotë: “Nëse dikush sëmuret në Ramazan, pastaj vdes dhe nuk agjëron, për të jepet ushqim dhe nuk ka kompensim për të, e nëse ka qenë agjërim zotimi, atëherë agjëron për të përgjegjësi i tij.” Këtë e transmeton Ebu Davudi me zinxhir të saktë dhe Ibën Hazmi në “el Muhala”  (7/7), i cili thotë se zinxhiri i transmetuesëve të tij është i saktë.

Dhe është e ditur se Ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) është transmetuesi i hadithit të dytë, aq më tepër kur ai transmeton një hadith ku thuhet se përgjegjësi agjëron për të vdekurin për agjërim zotimi, ku thuhet se: “Sead ibën Ubadetu (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) pyeti të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!): Nëna ime ka vdekur dhe ka pas agjërim zotimi (a të agjëroj në vend të saj)? Ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: “Kompensoje atë në vend të saj.” E transmeton Buhariu,  Muslimi, etj.

Ky sqarim është në përputhje me parimet e sheriatit dhe bazat e tij, siç e ka sqaruar edhe Ibën Kajjimi në “Ilamul el Muvekiin”, madje e ka zgjatur sqarimin edhe vërtetimin e kësaj në “Tehdhib suneni Ebu Davud” (3/279-282), kështu që kthehu tek ato, sepse janë të rëndësishme.

  • Kush vdes duke pas agjërim zotimi pa kryer, pastaj në vend të tij agjërojnë disa burra, sa numri i ditëve të zotuara për agjërim, kjo është e lejuar.

El Hasen thotë: “Nëse për të agjërojnë tridhjetë burra, secili nga një ditë, kjo lejohet.”[128]

Ndërsa për të ushqyerit, nëse përgjegjësi i të vdekurit mbledh aq të varfër sa ditë ka për të agjëruar dhe i ngop ata, kjo është gjithashtu e lejuar, madje kështu ka vepruar edhe Enes ibën Malik (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!).

 


 

  1. Shlyerja e agjërimit të prishur
  • Përmendem më herët hadithin e Ebu Hurejrës për atë burrin i cili erdhi tek i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) pasi kishte bërë marrëdhënie me gruan e tij në ditë Ramazani, se ai kishte obligim kompensimin e asaj dite dhe shlyerjen e fajit të bërë, e cila ishte me lirimin e një robi, e nëse nuk gjen, atëherë duhet të agjërosh dy muaj pa ndërprerë, e nëse nuk mundesh, atëherë duhet të ushqesh gjashtëdhjetë të varfër.

Thuhet gjithashtu se shlyerja për kryerjen e marrëdhënieve seksuale në ditë Ramazani bëhet duke zgjedhur një prej tri dënimeve, jo sipas rradhës, mirëpo ata që transmetojnë rradhitjen janë më të shumtë dhe transmetimi i tyre është më argumentues, për faktin se janë më shumë në numër dhe se kanë me vete edhe më shumë dituri. Ata kanë rënë dakord se prishja e agjërimit ishte për shkak të marrdhënieve ditën, gjë e cila nuk  është prekur në transmetimet e tjera, dhe kush di diçka më shumë paraprihet mbi atë që e injoron atë.

Ajo që e bën edhe më të fortë rradhitjen është gjithashtu fakti se kjo është më e sigurtë, pasi që nëse ecim sipas asaj, ne jemi në rregull, e aprovuam apo jo përzgjedhjen në këtë pikë, ndërsa e anasjellta nuk është kështu.

  • Ai që ka obligim shlyerjen e fajit që ka bërë në ditë Ramazani, por nuk mundet të lirojë një rob, as të agjërojë dhe as të ushqejë të varfërit, atëherë kjo shlyerje rrëzohet nga ai, pasi që nuk mund të ketë detyrim pa pasur mundësi kryerje.

Allahu i Lartësuar thotë: “Allahu nuk ngarkon askë përtej mundësive të veta.” [El Bekare: 186].

Po kështu edhe vepra e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!)  argumenton për këtë, kur ai e rrëzoi shlyerjen e mëkatit nga ai që kreu marrëdhënie në ditë Ramazani, kur mësoi se ai ishte i varfër, madje i dha atij koshin me hurma që të ushqente me to familjen e tij.

  • Gruaja nuk ka për detyrë të shlyejë gjë në këtë rast, pasi që i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) u njoftua për veprën e bërë mes burrit dhe gruas së tij dhe nuk e ngarkoi veçse me një shpagim, e Allahu e di më së miri.

 


 

  1. Shpagimi për atë që nuk mund të agjërojë
  • Nëse gruaja shtatzënë dhe gruaja gjidhënëse frikësohen për veten apo për foshnjen e tyre, atëherë atyre u lejohet të mos agjërojnë por të ushqejnë për çdo ditë nga një të varfër. Argument për këtë nga Kurani është Fjala e Allahut: “Ndërsa përsa u përket atyre të cilët e kanë të vështirë agjërimin, ata kanë të drejtë zgjedhje: ose të agjërojnë, ose të ushqejnë një të varfër për çdo ditë…” [El Bekare: 184].

Pika e argumentimit është se ky ajet është i posaçëm për plakun e moshuar, gruan e vjetër, të sëmurin i cili nuk ka shërim, shtatëzënën dhe gjidhënësen nëse frikësohen për vetën apo për foshnjen e tyre, siç do të vijë sqarimi i kësaj nga Ibën Abasi dhe Ibën Umeri (Allahu qoftë i knaqur prej tyre!).

  • E mësove, vëlla në besim, nga ajo që kaloi se ky ajet është abroguar nga hadithi i Abdullah ibën Umerit dhe nga hadithi i Seleme ibën el Ekvea (Allahu qoftë i knaqur me ta!), por është përcjellë gjithashtu nga Ibën Abasi se ky ajet nuk është i abroguar, por ai është i veçantë për të moshuarin e të moshuarën të cilët nuk munden të agjërojnë, kështu që ata duhet të ushqejnë për çdo ditë nga një të varfër.[129]

Nga kjo mund të mendohet se Ibën Abasi ka kundërshtuar Sahabët e tjerë, apo se ai ka kundërthënie në vetvete, veçanërisht kur sheh se ai ka shprehur qartë se ky ajet është i abroguar, në një hadith tjetër nga ai, ku thuhet: “Është lehtësuar për plakun dhe plakën e moshuar, të cilët nuk kanë mundësi të agjërojnë, që të mos agjërojnë por të ushqejnë për çdo ditë nga një të varfër, pa kompensuar më pas. Por më pas kjo gjë është abroguar me ajetin: “Kushdo që e përjeton prej jush këtë muaj, le të agjërojë.” [El Bekare: 185]

Ndërsa për plakun dhe plakën e moshuar është përcjellë hadith i saktë se nëse janë nga ata që nuk kanë mundësi agjërimin, gjithashtu edhe gruaja shtatëzënë dhe gjidhënësja, nëse friksohen, atëherë e prishin agjërimin dhe ushqejnë për çdo ditë nga një të varfër.”[130]

Këta kanë vështruar sipërfaqësishtë transmetimin e mëparshëm të Buhariut, i cili flet qartë për mohimin e abrogimit të këtij ajeti, kështu që menduan se Ibën Abasi ka kundërshtuar sahabet e tjerë. Pastaj, kur u ndeshën me transmetimin tjetër të tij që flet qartë për abrogimin e këtij ajeti, thanë se ai ka kundërthënie në vetvete!!

 

  • Por e vërteta, në të cilën nuk ka dyshim, është se ky ajet është i abroguar, mirëpo me kuptimin e të hershmëve të abrogimit. Të parët tanë të sinqertë e përdornin fjalën “abrogim” për ngritjen e domethënies së ajetit të përgjithshëm, apo të pakufizuar, ndonjëherë dhe me përjashtimin që i futet të përgjithshmit apo me komentimin e tij sipas një ajeti tjetër të kufizuar, apo sqarimin e tij. Madje ata përjashtimin, kushtin dhe cilësinë e quajnë “abrogim”, për atë se kjo përmban ngritje të domethënies së kuptimit sipërfaqësor dhe sqarimin e tij. Kështu, abrogimi tek ata ka qenë sqarimi i asaj që është për qëllim me tekstin, por me shprehje të tjera, madje me diçka tjetër jashtë vetë teksit.

Kushdo që mediton në fjalët e tyre, sheh shumë nga ky lloj dhe si rrjedhojë, largohen të gjitha problemet që kanë dalë për shkak të kuptimit të fjalëve të tyre sipas termave që përdorin këta të mëvonshmit, sipas të cilëve, abrogimi është ngritja e një gjykimi të mëparshëm të sheriatit me një gjykim tjetër të mëvonshëm, në lidhje me të ngarkuarit me ligjet e sheriatit.

 

  • Këtë e përkrah edhe fakti se ajeti në fjalë është i përgjithshëm për të gjithë të ngarkuarit, dhe ai përfshin ata që munden dhe ata që nuk munden të agjërojnë.

Ndërsa argumenti për këtë nga suneti është hadithi që transmeton Muslimi; nga Seleme ibën el Ekvea (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), i cili ka thënë: “Në kohën e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!), në Ramazan, kush donte agjëronte e kush donte e prishte dhe ushqente një të varfër, derisa zbriti ky ajet: “Kushdo që e përjeton prej jush këtë muaj, le të agjërojë.”

Ndoshta mundet me qenë objekt luhatje hadithi i Ibën Abasit i cili shpreh qartë se ky ajet është abroguar, ku thotë se lehtësimi ka qenë për të moshuarin dhe të moshuarën të cilët nuk kanë mundësi të agjërojnë. Por ky pështjellim bie poshte nëse të qartësohet se kjo ka qenë me qëllim argumentimi dhe jo kufizimi vetëm për të moshuarit.

Argument për këtë të kuptuar është i njëjti hadith, pasi që, sikur lehtësimi të kishte qenë vetëm për të moshuarin e të moshuarën, pastaj u abrogua dhe mbeti përsëri vetëm për të moshuarin e të moshuarën, atëherë ç’kuptim do të kishte ky lehtësim i aprovuar dhe pastaj i abroguar, nëse kjo nuk do të kishte qenë për argumentim dhe jo për kufizim?

Nëse të është qartësuar kjo dhe je bindur për të, atëherë do të shohësh se kuptimi i ajetit është abroguar për sa i përket atyre që kanë mundësi të agjërojnë, por ai nuk është i abroguar për ata që nuk kanë mundësi të agjërojnë. Gjykimi i parë (në lidhje me ata që kanë mundësi të agjërojnë) është abroguar me vetë ajetin e Kuranit të mëpasshëm, ndërsa gjykimi i dytë është aprovuar me argumentimin e sunetit dhe nuk ka për t’u abroguar deri në Ditën e Kijametit.

Këtë e përforcon edhe ajo çka u përmend nga Ibën Abasi në transmetimin ku shpreh qartë abrogimin e ajetit, pastaj thotë: “Pastaj është aprovuar ky gjykim për të moshuarin dhe të moshuarën nëse janë nga ata që nuk kanë mundësi agjërimi, gjithashtu edhe për gruan shtatëzëne dhe gruan gjidhënëse nëse frikësohen. Këta e çelin agjërimin dhe ushqejnë për çdo ditë nga një të varfër.”

Qartësimi i kësaj shtohet edhe më shumë me hadithin e Muadh ibën Xhebel (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) i cili thotë: “Sa i përket fazave të agjërimit, në fillim kur i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) erdhi në Medine, filloi të agjëronte tri ditë nga çdo muaj, pastaj ditën e Ashureve, pastaj Allahu bëri obligim agjërimin dhe zbriti Fjalën e Tij: “O ju që besuat! Agjërimi u është bërë obligim sikurse që ishte obligim për ata para jush…” Pastaj Allahu zbriti ajetin e tjetër: “Muaji i Ramazanit, në të cilin u shpall (filloi të shpallet) Kurani…” [El Bekare: 185]

Kështu, Allahu e caktoi agjërimin e Ramazanit për atë që është vendas dhe i shëndosh fizikisht, ndërsa për udhëtarin dhe të sëmurin Ai dha lehtësim, ndërsa për të moshuarin i cili nuk mundet të agjërojë, caktoi ushqyerjen e një të varfëri.”[131]

 

Këto dy hadithe janë bindëse në qartësimin se ajeti është i abroguar përsa u përket atyre që kanë mundësi agjërimi dhe nuk është i abroguar përsa u përket atyre që nuk kanë mundësi agjërimi, d.m.th. ajeti është bërë i posaçëm.

Prej këtu, Ibën Abasi është në pajtim me mendimin e Sahabëve të tjerë dhe hadithi i tij është në pajtim me hadithin e Abdullah ibën Umerit dhe të Seleme ibën el Ekva (Allahu qoftë i knaqur me ta!).

Po kështu, ai nuk ka kundërthënie në vetvete, pasi që fjalën e tij: “Nuk është i abroguar” e sqaron fjala e tij: “Është i abroguar”, d.m.th: ky ajet është bërë i posaçëm.

Prej këtu, na bëhet e qartë se abrogimi në të kuptuarit e sahabeve është i barabartë me posaçmërinë dhe kufizimin në të kuptuarit e dijetarëve të mëvonshëm të bazave të fikhut (usuli fikhut).

Këtë gjë e ka prekur edhe Kurtubiu (Allahu e mëshiroftë!), në ” Tefsirin e tij”.[132]

 

  • Ndoshta, vëlla musliman, po mendon se ajo që u transmetua nga Ibën Abasi dhe Muadhi ishte thjesht mendim apo ixhtihad i tyre, dhe se ajo nuk mund të ngrihet deri në rangun e hadithit të ngrituar te i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!), i cili vetëm ai mund ta bëjë të posaçëm ajetin e përgjithshëm, apo ta kufizojë ajetin e pakufizuar. Përgjigja për këtë është si vijon:
  • a) Në të vërtet, këto dy hadithe marrin gjykimin e hadithit të ngritur, me pëlqimin e të gjithë dijetarve të hadithit të Muhamedit (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe nuk i lejohet asnjë muslimani i cili e do Allahun dhe të Dërguarin e Tij, që t’i kundërshtojë ata, nëse i vërtetohen atij pasi që ato hadithe kanë ardhur si sqarim i cili ka të bëjë me shkakun e zbritjes së ajetit; d.m.th. këta dy sahabe të cilët kanë prezentuar në zbritjen e Shpalljes, kanë treguar se ky ajet Kurani ka zbritur për këtë gjë. Dhe hadithet në fjalë janë të lidhura dhe të ngritura te i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!), pa pikë dyshimi.[133]
  • b) Ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) e dha këtë gjykim edhe për gruan zhtatëzënë dhe gjidhënësen, e nga e ka marë këtë gjykim ai? S’ka dyshim se nga Suneti, e posaçërisht se ai nuk është veçuar me këtë gjë, por atë e ka përkrahur edhe Abdullah ibën Umeri, i cili transmeton gjithashtu se ky ajet është i abroguar.

Transmetohet nga Maliku; nga Nafiu, se Ibën Umeri është pyetur për atë grua e cila është shtatëzënë dhe friksohet për foshnjën e saj, e ai ka thënë: “T’a çelë agjërimin dhe të ushqejë për çdo ditë nga një të varfër, një grusht grurë.”[134]

Transmeton Darakutni (1/207); nga Ibën Umeri, dhe e ka konsideruar të saktë, se ai ka thënë: “Se gruaja e tij e ka pyetur atë kur ishte shtatëzënë, dhe ai i tha: “Prishe dhe ushqe për çdo ditë nga një të varfër, dhe mos e kompenso me agjërim më pas.” Senedi i tij është i mirë.

Ndërsa nga një rrugë e tretë nga Ibën Umeri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) është përcjellë se: “Një vajzë e tij ishte nën kurorën e një burri nga Kurejshët. Ajo ishte shtatëzënë dhe e mori etja në Ramazan. Ibën Umeri e urdhëroi atë që ta prishte agjërimin dhe të ushqente për çdo ditë nga një të varfër.”

  • c) Nuk ka ndonjë kundërshtues të Ibën Abasit prej Sahabeve.
  • Ky qartësim sqaron rrëzimin e agjërimit për zhtatëzënën dhe gjidhënësen të cilat u përmenden në hadithin e Enes Ibën Malik el Keabiju, që kaloi më herët dhe që është i kushtëzuar me frikën për veten apo për foshnjen e saj, dhe se ajo ka për detyrë pagesën e jo kopensimin.

Transmeton Darakutni me zinxhir të cilin e ka quajtur të saktë (1/207), nga Ibën Abasi, se ai ka parë nënën e fëmijës së tij e cila ishte zhtatëzënë, apo me fëmijë në gji, dhe i tha: “Ti je nga ato që nuk kanë mundësi të agjërojnë, ndaj për ty është pagesa e jo kopensimi”.

 

  • Kush pretendon se gjendja e agjërimit të shtatëzënës dhe gjidhënëses është si gjendja e agjërimit të udhëtarit, pastaj i bashkon ato në kompensimin e agjërimit, fjala e tij është e refuzuar, sepse Kurani e ka qartësuar kuptimin e rënies së agjërimit për udhëtarin: “Kush është i sëmurë ose në udhëtim, le të agjërojë aq ditë nga ditët e mëvonshme.”

Gjithashtu ka qartësuar edhe domethënien e rënies së tij nga ata që nuk kanë mundësi të agjërojnë, ku thotë: “E sa u përket atyre të cilët e kanë të vështirë agjërimin, ata duhet të ushqejnë një të varfër për çdo ditë…” [El Bekare: 184].

E tashmë të është bërë e qartë se shtatëzëna dhe gjidhënësja përfshihen në  këtë ajet, madje ai është i posaçëm për to.

 


 

  1. Nata e Kadrit

 

Vlera e saj është madhështore, për atë se kjo natë ka  dëshmuar zbritjen e Kuranit, i cili e drejton të kapurin për të në rrugën e krenarisë e nderit, dhe e ngre atë në vendet e lavdisë e përjetësisë.

Ummeti Islam, i cili pason Sunnetin e të Dërguarit të tij hap pas hapi, nuk ngre flamuj në këtë natë dhe as harqet për të gëzuar, por ai garon në ngjalljen e kësaj nate me namaz e adhurim, me besim e shpresë për shpërblim nga Allahu.

Në vijim, vëlla musliman, po përmendim ajetet Kuranore dhe hadithet profetike që kanë të bëjnë me këtë natë:

 

  1. Vlera e saj:

 

Mjafton për vlerën e natës së Kadrit fakti se ajo është më e mirë se një mijë muaj. Allahu i Lartëmadhëruar thotë: Ne e zbritëm atë (Kuranin) në natën e Kadrit. E ç’të bëri ty të dish se ç’është nata e Kadrit? Nata e Kadrit është më e vlefshme se një mijë muaj! Me lejen e Zotit të tyre, në të zbresin engjëjt dhe shpirti (Xhibrili) me të gjitha vendimet. Ajo (që përcakton Zoti) është paqe deri në agim të mëngjesit.”  [El Kadr:1-5].

Në këtë natë vendoset çdo çështje e Vullnetit dhe urdhëresave (për vitin e ardhshëm). Allahu në Kuran thotë: “Ne e zbritëm atë në një natë të bekuar (në natën e begatshme të Kadrit). Vërtet që Ne gjithnjë po këshillojmë. Këtë natë vendoset çdo çështje e Vullnetit dhe urdhëresave. Urdhër i përcaktuar nga Vetë Ne. S’ka dyshim se Ne dërguam të Dërguar. (E zbritëm) Si Mëshirë nga Zoti yt; Ai është Gjithëdëgjuesi, i Gjithëdijshmi.” [Duhan: 3-6].

 

  1. Koha e Natës së Kadrit:

 

Është transmetuar nga i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) se ajo natë është nata e njëzetë e një, apo e njëzetë e tre, apo e njëzetë e pestë, apo e njëzetë e shtatë, apo e njëzetë e nëntë, apo nata e fundit e Ramazanit.[135]

Imam Shafiu (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Sipas mendimit tim, e Allahu e di më së miri, i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) përgjigjej në varësi të pyetjes që i drejtohej. Dikush p.sh. i thoshte: A t’a ruajmë atë në filan natë? Ai përgjigjej: Ruajeni në këtë natë.”[136]

Fjala më dominuese është se Nata e Kadrit është një nga netët e dhjetëditëshit të fundit të Ramazanit dhe për këtë argumenton edhe hadithi të cilin e transmeton Aisheja (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) se: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) në dhjetëditëshin e fundit të Ramazanit thoshte: Kërkojeni Natën e Kadrit në netët teke të dhjetëditëshit të fundit të Ramazanit.”[137]

Nëse njeriu dobësohet dhe nuk mundet, së paku të mos dorëzohet në shtatë netët e fundit, për shkak të hadithit që është transmetuar nga Ibën Umeri i cili ka thënë: I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Kërkojeni atë në dhjetëshin e fundit, e nëse dikush nga ju dobësohet apo i rëndohet gjendja, së paku të mos dorëzohet në shtatë të mbeturat.”[138]

Ky hadith sqaron edhe fjalën tij (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) që thotë: “Po shoh se ëndërrat tuaja janë përputhur me njëra-tjetrën, kështu që kush dëshiron t’a kërkojë atë (Natën e Kadrit), t’a kërkojë në shtatë netët e fundit (të Ramazanit).”[139]

Dhe ajo që është e njohur në Sunnet, është se njohja e kësaj nate është ngritur (e paditur) për shkak se njerzit u grindën, siç transmeton Ubadetu ibën es Samit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se ka thënë: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) doli në natën e Kadrit dhe pa dy burra prej muslimanëve që po grindeshin me njëri-tjetrin. Atëherë ai tha: “Unë dola që t’ju njoftoj për natën e Kadrit, mirëpo filani dhe filani u grindën, e për këtë shkak ajo u ngrit (njohja e saj u fsheh), e ndoshta kjo ka qenë më e mirë për ju. Megjithatë, ju kërkojeni atë në nëntëshin, shtatëshin, dhe pesëshin (e fundit) – ndërsa në një transmetim tjetër thuhet: në shtatëshin, nëntëshin dhe pesëshin-.”[140]

Vërejtje: 

Janë transmetuar disa hadithe që na orientojnë në atë se nata e Kadrit është në dhjetëshin e fundit të Rmazanit, ndërsa në disa hadithe të tjera thuhet se ajo është në netët teke të dhjetëshit të fundit. Të parët janë përgjithësues ndërsa të dytët të posaçëm, e siç dihet; e posaçmja paraprihet ndaj të përgjithëshmes.

Pastaj kanë ardhur hadithe që na orientojnë në atë se ajo natë është në shtatë netët e mbetura nga Ramazani, por kjo është e kufizuar me pamundësinë dhe dobësinë, kështu që nuk shkakton ndonjë problem.

Kështu kemi harmonizim të haditheve e jo kundërshtim mes tyre, përputhje e jo ndarje.

Si përfundim, muslimani duhet ta kërkojë natën e Kadrit në netët teke të dhjetëshit të fundit të Ramazanit: natën e njëzetë e një, e njëzetë e tre, e njëzetë e pesë, e njëzetë e shtatë dhe e njëzetë e nëntë. E nëse dobësohet apo nuk ka mundësi në kërkimin e saj, atëherë t’a kërkojë në shtatëshin e mbetur nga Ramazani:  natën e njëzetë e pestë, të njëzetë e shtatë dhe të njëzetë e nëntë. E Allahu e di më së miri.

 

  1. Si e kërkon muslimani Natën e Kadrit?

Kjo natë është nata më e bekuar. Personi që e humb atë, vërtet ka humbur një të mirë të madhe, e nuk ka mundësi me e humb atë, veçse i ndaluari prej saj. Për këtë shkak, kërkohet nga muslimani i cili përpiqet t’i bindet Allahut, që t’a ngjallë këtë natë dhe ta kalojë atë në adhurim dhe kërkim të shpërblimit të madh të saj. Nëse ai e bën këtë, atij i fallen të gjitha mëkatet e mëparshme.

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) thotë: “Kushdo që fal namaz të natës në natën e Kadrit, me Iman (besim të fortë) dhe duke kërkuar shpërblimin, atij do t’i falen të gjitha mëkatet e mëparshme.”[141]

Po ashtu, është e rekomandueshme të shtohen lutjet në këtë natë. Aisha (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) transmeton se ajo kishte pyetur të Dërguarin e Allahut, (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!): “O i Dërguari i Allahut! Sikur unë t’a dija se cila ishte Nata e Kadrit, si të lutesha në të?

  • Thuaj: “Allahume inneke afuun tuhibbul afua fe afu ani” – O Allah! Ti je Falës dhe e do faljen, pra më fal mua!”[142]

Vëlla, Allahu të dhëntë të mira dhe të mundësoftë në bindjen ndaj Tij, e mësove tashmë se çfarë nate është kjo natë, kështu që ngjalle atë me adhurim dhe largim nga gruaja (nga marrëdhëniet intime) dhe urdhëro familjen tënde për këtë. Shtoji adhurimet në të.

Aisheja (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) thotë: “Kur fillonin të dhjetat [e fundit të Ramazanit], Pejgamberi (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!)  e shtrëngonte izarin e tij[143], e kalonte tërë natën zgjuar [në namaz] dhe e zgjonte familjen e tij.”[144]

Transmetohet gjithashtu nga Aisha (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) se ka thënë: “I dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) përpiqej më shumë [në adhurim] në dhjetë netët e fundit (të Ramazanit) sesa në çdo natë tjetër.”[145]

  1. Shenjat e kësaj nate:[146]

Dije, o ti rob rrespektues, Allahu të ndihmoftë e të përkrahtë me Ndihmën e Tij, se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e ka përshkruar me disa cilësi mëngjesin e natës se kadrit, me qëllim që muslimani ta dijë se cila natë është ajo:

Transmeton Ubej (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Mengjesin e natës se Kadrit, dielli lind pa rrezatim, sikur të ishte tas, derisa të ngrihet lart.”[147]

Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!)  thotë: Përmendëm një herë Natën e Kadrit te i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe ai tha: “Cili nga ju e kujton hënën kur lind? Kur është në formën e gjysmës së koshit?”[148]

Ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) transmeton se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Nata e Kadrit është natë bujare, e lirshme,  as e nxehtë e as e ftohtë. Në mëngjesin e saj dielli lind i dobët dhe me ngjyrë të kuqe.”[149]


 

  1. Itikafi[150]
  • Urtësia e tij

Dijetari i madh, Ibën el Kajjim thotë: “Përderisa filtrimi i zemrës dhe qëndrueshmëria e saj në rrugën për te Allahu i Lartësuar qëndron në përqendrimin e saj për te Allahu dhe në bashkimin e venave të saj për t’i drejtuar plotësisht nga Allahu, atëherë zemra nuk mund të synojë veçse të drejtuarin nga Allahu. Ndërsa ushqimi i tepërt, pirja e tepërt, përzierja e tepërt me njrëzit, fjalët e tepërta dhe gjumi i tepërt ia shton asaj parregullsinë, e shpërndan atë në çdo fushë dhe e shkëput atë nga të ecurit drejt Allahut, ose ia zvogëlon shpejtësinë, ose e ndalon në vend.

Kështu që, Mëshira e të Gjithëfuqishmit Mëshirëplotë me robët e tij, ka përfshirë edhe faktin se u ka ngarkuar atyre agjërimin e Ramazanit, gjë e cila largon ushqimin dhe pirjen e tepërt, heq nga zemra përzierjet e epsheve të ndryshme të cilat e pengojnë atë nga të ecurit drejt Allahut të Lartësuar. Ai e ka ligjësuar agjërimin me një sasi të leverdishme për njeriun, në atë mënyrë që ai të ketë dobi prej tij në dynja dhe në ahiret, pa e dëmtuar dhe pa e ndërprerë atë nga interesat e tij të tashme (në këtë botë) dhe të ardhshme.

Allahu u ka ngarkuar atyre gjithashtu edhe Itikafin, qëllimi dhe shpirti i të cilit është përqendrimi i zemrës tek Allahu i Lartësuar, plotësisht, të qëndruarit vetëm për vetëm me Të, shkëputja nga të preokupuarit me krijesat dhe preokupimi vetëm me Allahun e Lartëmadhëruar, aq sa përmendja, dashuria dhe afrimi tek Ai të jetë preokupimi dhe meditimi i zemrës. Mendimin e saj ta pushtojë përmendja e Allahut, të gjitha meditimet të jenë për Të dhe në të menduarit se si të arrijë kënaqësinë dhe gjërat që të afrojnë tek Ai. Shoqëria e Allahut të jetë zëvendësuese e shoqërisë me krijesat. Largimi nga krijesat me këtë mënyrë është shoqëri për ty në ditën e vetmisë në varrin tënd, kur të mos kesh shoqëri tjetër dhe as dikë që mund të të gëzojë përveç Allahut. Ky është qëllimi më i madh i itikafit.[151]

  1. Kuptimi i tij

Itikafi është qëndrimi në diçka. Kështu, i thuhet atij që qëndron mbyllur në xhami dhe kryen adhurime në të, se ai është mutekif, apo akif.[152] 

  1. Ligjshmëria e tij

Itikafi është i pëlqyer në Ramazan dhe në ditë të tjera të vitit, pasi që është vërtetuar se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka bërë I’tikaf në dhjetëshin e fundit të muajit sheval [153], dhe se Umeri i ka thënë të Dërguarit (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!): “O i Dërguari i Allahut! Unë jam zotuar në kohën e injorancës (para Islamit) për të bërë një natë I’tikaf në Kabe. I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: Zbatoje zotimin. [dhe ai qëndroi një natë në I’tikaf]…”[154]

Por I’tikafi më i mirë është ai në Ramazan, bazuar në hadithin e Ebi Hurejrës (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!)  se: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) qëndronte në I’tikaf në dhjetë ditët e fundit të Ramazanit, kurse në vitin që vdiq, ai qëndroi në I’tikaf njëzet ditë.”[155]

Më e mira është në dhjetëshin e fundit të Ramazanit, pasi që: “I Dërguari i Allahut  (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) qëndronte në I’tikaf në dhjetë ditët e fundit të Ramazanit, derisa ia mori jetën Allahu i Madhëruar.”[156]

  • Kushtet e tij:
  • a) Itikafi nuk lejohet vetëm se në xhami, duke u bazuar në Fjalën e Allahut të Madhëruar: “Por mos iu afroni[157] atyre (për marëdhënie intime) kur jeni të izoluar për i’tikafë në xhamia.” [El Bekare: 187].
  • b) Por këto “xhamia” nuk janë në përgjithësi, por ato janë përcaktuar në sunetin e saktë nga i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe kjo është fjala e tij (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!): “Nuk bëhet I’tikaf veçse në tre xhamitë (në Kabe, në xhaminë e Pejgamberit dhe në Kuds).”[158]
  • c) Është Sunnet për personin i cili hyn në I’tikaf, që të jetë agjërueshëm, duke u bazuar në hadithin e mëparshëm të transmetuar nga Aisheja (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!).[159]
  • Çfarë i lejohet atij që hyn në I’tikaf:
  • a) Atij i lejohet të dalë për nevojat e tij, apo të nxjerë kokën nga xhamia që ta lajë dhe ta krehë. Aisheja (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) thotë: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) fuste kokën në dhomën time (e cila ishte e ngjitur me xhaminë) duke qenë se ishte në [I’tikaf], në xhami [ndërsa unë isha në dhomën time]. Unë ia krehja atë – ndërsa në një transmetim tjetër thotë: ia laja- [dhe mes meje dhe tij ishte vetëm korniza e derës]. [Unë ndërkohë isha me menstruacione]. Ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) nuk hynte në shtëpi, veçse për nevojat [personale], kur ishte në I’tikaf.”[160]
  • b) I lejohet atij që është në I’tikaf, si dhe të tjerëve, që të marrin avdes brenda në xhami, duke u bazuar në fjalën e një burri që i ka shërbyer të Dërguarit (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!), i cili thotë: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka marrë avdes në xhami, një avdes të lehtë.”[161]
  • c) I lejohet atij që të vendosë një çadër të vogël në fund të xhamisë dhe të qëndrojë në të, pasi që Aisha (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) vendoste një çadër (me dy a tre hunj) në xhami kur i Dërguari (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) qëndronte në I’tikaf[162], dhe e gjithë kjo ishte me urdhërin e tij (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!).[163]
  • d) I lejohet gjithashtu të vendosë dyshek apo edhe krevatin e tij në xhami, nga ajo që është transmetuar nga Ibën Umeri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se: “Kur i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) hynte në I’tikaf, atij i vendosnin një dyshek apo një krevat pas shtyllës së xhamisë.”[164]
  • I’tikafi i gruas dhe vizita e saj burrin e saj në xhami
  • a) I lehohet gruas të vizitojë burrin e saj ndërkohë që ai është në I’tikaf. Edhe atij i lejohet t’a përciellë atë deri tek dera e xhamisë.

Safija (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) thotë: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ishte në I’tikaf [në dhjetëshin e fundit të Ramazanit] dhe unë shkova t’a vizitoja një natë. [Tek ai ndodhej një nga gratë e tij e cila u largua]. Bisedova me të për pak kohë pastaj u ngrita që të kthehem, [por ai më tha: Mos shpejto që të të përcjell]. Atëherë u ngrit me mua që të më shoqërojë – vendbanimi i saj ishte në shtepinë e Usame ibën Zejd- [Kur arritëm në derën e xhamisë, ku ishte edhe shtëpia e Umu Seleme, në rrugë kaluan dy burra nga ensarët, të cilët kur panë të Dërguarin (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) shpejtuan të largoheshin, por ai tha: Ngadalë! Kjo është Safije bintu Hajij. Ata thanë: Subhanallah! O i Dërguari i Allahut! Ai tha: “Me të vërtetë, shejtani bredh në trupin e njeriut ashtu si rrjedh gjaku (apo me rrjedhën e gjakut) dhe unë u frikësova se mos po ju ngulit në zemrat tuaja diçka të keqe –apo ka thënë: diçka-.”[165]

  1. b) I lejohet gruas që të qëndrojë edhe ajo në I’tikaf me burrin e saj, apo edhe vetëm, nga fjala e Aishes (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) e cila ka thënë: “I Dërguari (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) bënte I’tikaf në dhjetë ditët e fundit të Ramazanit, derisa ia mori jetën Allahu. Pastaj kanë bërë I’tikaf grat e tij pas tij.”[166]

Profesori ynë[167] (Allahu e ruajtë!) thotë: “Në këtë hadith ka argument për lejimin e të qëndruarit në Itikaf për gratë, por nuk ka dyshim se kjo kushtëzohet me lejen e përgjegjësve të tyre, sigurimin nga ngacmimet dhe nga mosveçimi me burra. Për këtë ka argumente të shumta. Madje një rregull i sheriatit thotë: Shtyrja e të këqiave është më primare se tërheqja e të mirave.”

 

*


 

  1. Namazi i teravive
  • Ligjshmëria e faljes së teravive

Namazi i teravive me xhemat është i ligjshëm në sheriat, bazuar në hadithin e Aishes (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) se: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) doli një natë dhe u fal në xhami. Pas tij u falën edhe disa burra të tjerë. Të nesërmen ata filluan të flasin për këtë me të tjerët dhe natën tjetër u grumbulluan edhe më shumë njerëz. Ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) doli përsëri të falej dhe njerëzit u falën pas tij. Të nesërmen në mëngjes ata i treguan të tjerëve (që nuk ishin falur me ta natën), kështu që natën e tretë numri i njerëzve që erdhën në xhami u shtua shumë. I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) doli dhe ata u falën pas tij. Ndërsa natën e katërt, xhamia nuk mund t’i nxinte njerëzit që kishin ardhur dhe e pritën atë deri sa doli për namazin e sabahut. Pasi fali sabahun, ai u kthye nga njerëzit, tha shehadetin pastaj tha:  “Unë nuk është se nuk e dija që ju ishit këtu (natën), por u frikësova se mos iu bëhej obligim ky namaz, ndërsa ju nuk do të mundeshit t’a kryenit atë.” Deri sa i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ndërroi jetë, kjo mbeti kështu.”[168]

Kur i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) shkoi te Zoti i tij,  sheriati u plotësua dhe u bë i qëndrueshëm, kështu që nuk ekzistonte më frika e ardhjes së ndonjë obligimi tjetër. Prej këtu, ligjshmëria e faljes së teravive me xhemat mbeti e miratuar, pasi që shkaku i mosfaljes së tyre me xhemat në kohën e të Dërguarit (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) u ngrit, dhe siç dihet (në usuli fikh), shkaku është i lidhur me rezultatin, nëse gjindet shkaku, ndodh rezultati dhe në të kundërt, jo.

Këtë Sunnet (faljen e teravive me xhemat) e ka ringjallur halifja Umer ibën el Hatabi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), siç ka treguar për këtë Abdurrahman ibën Abdin el Kariju, i cili thotë: “Një natë Ramazani, dola me Umer ibën Hatabin (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) dhe shkuam në xhami. Aty njerëzit ishin të ndarë në grupe; dikush falej për vete dhe pas tij faleshin disa të tjerë. Umeri tha: Mendoj se sikur t’i bashkoja këta pas një imami të vetëm, do të ishte më mirë. Pastaj e vendosi këtë dhe i bashkoi ata pas Ubej ibën Keab. Pastaj dola me të një natë tjetër dhe pamë njerëzit duke e falur namazin pas imamit të tyre. Atëherë Umeri tha: Risi e mirë kjo, por ajo kohë kur ata flenë është më e mirë për namaz se kjo që ata falen.” Pasi që njerëzit i falnin teravitë në fillim të natës.”[169]

  • Numri i rekateve të teravive

Ka mospajtime mes njerëzve për numrin e rekateve të teravive, por fjala e qëlluar dhe e përputhur me udhëzimin e të Dërguarit  (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) është se numri i tyre është tetë rekate, pa namazin e vitrit.

Transmetohet nga Aisha (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) se ka thënë: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) nuk ka shtuar në Ramazan e as jashtë tij më shumë se njëmbëdhjetë rekate.”[170]

Këtë fjalë të Aishes (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) e ka aprovuar dhe përkrahur gjithashtu edhe Xhabir  ibën Abdullah (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) i cili thotë: “Kur i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) u fal me njerëzit një prej netëve të Ramazanit (namazin e teravive), ai fali tetë rekate pastaj fali vitrin (një rekat).”[171]

Kur Umer Ibën Hatabi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) e ringjalli këtë sunnet, ai i bashkoi njerëzit në njëmbëdhjetë rekate, sipas sunnetit të saktë, siç e ka transmetuar edhe imam Maliku (1/115), me zinxhir mëse të saktë; nga Muhamed ibën Jusuf; nga es Saib ibën Jezid, se ky ka thënë: “Umer ibën Hatabi e urdhëroi Ubej ibën Keabin dhe Temim ed Darin që të falin me njerëzit njëmbëdhjetë rekate.” Thotë (transmetuesi): “Ata lexonin nga dyqind ajete në çdo rekat, saqë ne mbështeteshim mbi bastun nga qëndrimi i gjatë në këmbë. Pastaj nuk e mbaronin faljen (e teravive) veçse në fillim (pak para) agimit.”

Këtë fjalë e ka kundërshtuar Jezid ibën Husajfe, i cili thotë: “Njëzet rekate”. Por transmetimi i tij është anormal dhe ndryshe nga të tjerët, pasi që Muhamed ibën Jusuf është më i besueshëm se Jezid ibën Husajfe, kështu që shtojcës së Jezidit nuk mund t’i thuhet se është shtojcë e të besueshmit e si rrjedhojë duhet pranuar, pasi që pranimi i shtojcës së të besueshmit është e kushtëzuar me moskundërshtimin e një të besueshmi tjetër. Përkundrazi, në rastin tonë ne gjejmë njohuri plus në transmetimin e të parit (që thotë me tetë rekate), siç thuhet në “Fet’hul Mugith” (1/199), në “Mehasin el Istilah” (185) dhe në “el Kifaje” (424-425).

Përveç kësaj, edhe sikur transmetimi i Jezidit të ishte i saktë, ai tregon për një vepër të kryer, ndërsa transmetimi i Muahmed ibën Jusufit është fjalë e shprehur, dhe fjala ka përparësi para veprës, siç është e njohur në shkencën e usuli fikhut.

Abdurrezaku ka transmetuar në “el Musanaf” (7730); nga Davud ibën Kajs dhe të tjerë; nga Muhamed ibën Jusuf; nga Es Saib ibën Jezid, se: “Umeri i ka bashkuar njerëzit në Ramazan pas (imam) Ubej ibën Keab dhe Temim ed Dari, me njëzetë e një rekate, ku në çdo rekat lexonin nga dyqind ajete. Pastaj dilnin nga namazi pak para agimit.”

Por ky transmetim kundërshton atë që ka nxjerë imam Maliku nga Muhamed ibën Jusuf; nga Es Saib ibën Jezid.

Ajo që duket nga zinxhiri i transmetimit të Abdurazakut, është se ai është i saktë, pasi që të gjithë transmetuesit e tij janë të besueshëm.

Disa prej tyre janë argumentuar me këtë transmetim, duke pretenduar se hadithi i Muhamed ibën Jusufit është i trazuar, me qëllim që t’a rrëzojnë atë dhe të dominojë teza e tyre për njëzet rekatet e transmetuara në hadithin e Jezid ibën Husajfe.

Por ky pretendim është i hedhur poshtë, pasi që hadithi i trazuar (mudtarib) është ai hadith që transmetohet dy apo tre herë nga i njëjti transmetues, apo nga dy a më shumë transmetues, por me shprehje të ndryshme, të përafërta e të së njëjtës fuqi transmetimi, ndërkohë që nuk ka dëshmues për të privilegjuar ndonjërën prej tyre.[172]

Ndërsa ky kusht (i hadithit mudtarib) nuk ekziston në hadithin e Muhamed ibën Jusuf, pasi që transmetimi i Malikut është më parësor dhe më i privilegjuar se transmetimi i Abdurazakut, për shkak të dijes dhe memories së fortë të të parit.

E paraqitëm këtë, duke supozuar pastërtinë e zinxhirit të Abdurazakut nga defektet, por realiteti është i kundërt me këtë dhe sqarimi i kësaj është si vijon:

  • a) Ata që e kanë transmetuar el Musanafin nga Abdurazaku kanë qenë më shumë se një, prej të cilëve ka qenë edhe Is’hak ibën Ibrahim ibën Abad Ed Deberij.
  • b) Ky hadith është nga transmetimi i Ed Deberij; nga Abdurazaku, pasi që ky është ai i cili ka transmetuar kapitullin e agjërimit nga ai.[173]
  • c) Ed Deberij i ka dëgjuar nga Abdurazaku shkrimet e tij kur ishte shtatë vjeç.[174]
  • d) Ed Duberiju nuk ka qenë nga dijetarët e hadithit e as nuk ishte nga burrat e këtij profili.[175]
  • e) Për këtë shkak, gabimet në transmetimet e tij nga Abdurazaku janë të shumta. Ai ka transmetuar nga Abdurazaku hadithe të refuzuara. Madje disa dijetarë kanë mbledhur gabimet e Ed Deberijut dhe shtrëmbërimet e tij në “Musanafin” e Abdurazakut, në një libër të veçantë.[176]

Nga ajo që kaluam na bëhet e qartë se ky transmetim është i refuzuar, pasi që Ed Duberijun e ka kundërshtuar dikush që është më i besueshëm se ai, dhe ajo tek e cila të  qetësohet zemra, është se kjo ka qenë nga shtrembërimet e tij, duke i shtrembëruar ato nga njëmbëdhjetë në njëzet rekate. E siç e mësove, ai ka pas bërë shumë shtrembërime.[177]

Për këtë shkak, ky transmetim (i njëzet rekateve) është i refuzuar dhe i shtrembëruar, kështu që argumentimi me të bie poshtë dhe qëndron kështu suneti i saktë i transmetuar   në el Muata (1/115), me zinxhir të saktë; nga Muhamed ibën Jusuf; nga es Saib ibën Jezid. Ndaj, ki mendjen!

 


 

  1. Zekati i Fitrit[178]

 

  • Gjykimi për të

 

Zekati i Fitrit është farz- detyrë e domosdoshme, nga hadithi i Ibën Umerit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) ku thuhet: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e bëri obligim Zekatul Fitrin [në Ramazan për njerëzit].”[179]

Dhe nga hadithi i Ibën Abasit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) që thotë: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e ka bërë të detyrueshëm Zekatul Fitrin.”[180]

Disa dijetarë kanë thënë se ky hadith është abroguar me hadithin e Kajs ibën Sead ibën Ubade, që thotë: “I Dërguari i Allahut na urdhëroi që të jepnim Sadakatul Fitri, para se të zbresë obligimi i Zekatit, ndërsa kur ka zbritur obligueshmëria e zekatit, ai nuk na ka urdhëruar e as nuk na ka ndaluar (nga zekatul fitri), megjithatë ne e jepnim atë.”

Kësaj fjale i është përgjigjur El Hafith Ibën Haxher (Allahu e mëshiroftë!) (3/368): “Në zinxhirin e tij gjendet një transmetues i pa njohur[181]. Por edhe nëse do të supozonim se hadithi është i saktë, në të nuk ka argument për abrogimin e të parit, për shkak se mundet të jenë mjaftuar me urdhërin e parë, pasi që ardhja e një obligimi të ri nuk bën të detyrueshme rrëzimin e një obligimi të mëparshëm.”

Ndërsa el Hatabi, në “Mealim Es Sunen” (2/214) thotë: “Kjo nuk argumenton për rënien e obligueshmërisë së zekatil fitr, pasi që shtesa në llojin e një adhurimi nuk bën të detyrueshme abrogimin e bazës mbi të cilën është bërë shtesa, me një dallim, në rastin tonë, se objekti i zekatit është pasuria e kapitali, ndërsa objekti i zekatil fitri janë frymët e njerëzve.”

 

  • Kush e ka obligim zekatin e fitrit

 

Zekati i Fitrit është obligim për çdo të vogël dhe të madh, mashkull dhe femër, i lir dhe rob; musliman. Argument për këtë është hadithi i Abdullah ibën Umer (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) i cili thotë: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e ka bërë obligim zekatin e fitrit nga një tas hurma, ose një tas elb, për çdo njeri që është rob apo i lirë, mashkull apo femër, i madh apo i vogël, prej muslimanëve.”[182]

Disa dijetarë janë të mendimit se ai është obligim edhe për robin jomusliman (që është nën pronësinë e muslimanit), duke u mbështetur në hadithin e Ebu Hurejrës (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) që thotë: “Për skllavin nuk jepet zekat, përveç zekatit të fitrit.”[183]

Por ky hadith është i përgjithshëm, ndërsa hadithi i Ibën Umerit është i posaçëm, dhe siç është e njohur, i posaçmi ka privilegj mbi të përgjithshmin.

Ndërsa disa të tjerë thonë: Zekati i fitrit nuk obligohet veçse për agjëruesin, mbështetur në hadithin e Ibën Abasit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) ku thuhet: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e bëri obligim zekatin e fitrit si pastrim për agjëruesin nga fjalët e kota dhe ofendimet, si dhe me qëllim që të ushqehen të varfërit.”[184]

El Hatabi, në “Mealimu es Sunnen” (3/214) thotë: “Zekati i fitrit është obligim për çdo agjërues të pasur apo të varfër që ka mundësi t’a japë atë nga ushqimi i tij, nëse shkaku i obligueshmërisë së tij do të kishte qenë pastrimi, gjë për të cilën kanë nevojë të gjithë ata që kanë agjëruar, kështu që nëse ata bashkohen në shkakun e kësaj, duhet të bashkohen gjithashtu në obligueshmërinë e saj.”

Ndërsa el Hafidh i është përgjigjur në “el Fet’h” (3/369): “Përmendja e të pastruarit është për të treguar atë më të shumtën, pasi që ai është obligim edhe për atë që nuk ka bërë gjynah, apo për atë që është bërë musliman pak çaste para perëndimit të diellit (të ditës së fundit të Ramazanit).”

Ndërsa të tjerë kanë shkuar në mendimin se zekati i fitrit është obligim edhe për fëmijën në barkun e nënës, por për këtë nuk dimë të ketë argument, si dhe nuk mund të quhet i vogël, as në gjuhë dhe as në sheriat.

 

  • Çfarë jepet në Zekatin e Fitrit

 

Në zekatin e fitrit jepet një tas elb, ose një tas hurma, ose një tas djath, ose një tas rrush i thatë, ose një tas grurë.

Argument për këtë është hadithi i Ebu Seid el Hudriut (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!): “Ne e jepnim zekatin e fitrit nga një tas ushqim, ose një tas elb, ose një tas  hurma, djath, rrush të thatë.”[185]

Si dhe hadithi i Ibën Umerit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) i cili thotë: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka obliguar që të jepet zekati i fitrit një tas elb, ose një tas hurma, ose një tas elb të mirë.”[186]

Ka mospajtime mes dijetarve rreth fjalës “ushqim” që është përmendur në hadithin e Ebi Seid El Hudriut  (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!).  Thuhet se është për qëllim gruri, por thuhen edhe fjalë të tjera. Mirëpo ajo që të qetëson zemrën është se kjo është e përgjithshme e që përfshin të gjitha ato që peshohen nga ushqimet, si gruri apo edhe llojet e tjera që janë të përmenduara në hadithin që kaloi më herët.  Që të gjitha këto janë bërë në kohën e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!), mbështetur në hadithin e Ibën Abasit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) i cili thotë: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) na urdhëroi që të nxjerrim Zekatin e Ramazanit një tas me ushqim për të voglin dhe të madhin, të lirin dhe skllavin. Kush jepte elb, atij i pranohej. – Apo më duket se ka thënë: Kush jepte miell, atij i pranohej dhe kush jepte grurë, pranohej prej tij.”[187]

Transmetohet gjithashtu nga ai se ka thënë: “Lëmosha e Ramazanit është një tas me ushqim. Kush sjell grurë, pranohet prej tij. Kush sjell elb, pranohet prej tij. Kush sjell hurma, pranohen prej tij. Kush sjell elb të zhveshur, pranohet prej tij dhe kush sjell rrush të thatë, pranohet prej tij. –Ose mund të ketë thënë: dhe kush sjell misër, pranohet prej tij.”[188]

Ndërsa hadithet që flasin për mohimin e të qenurit e grurit prej këtyre, apo se Muavija (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) ka lejuar për banorët e shamit që ta llogarisin ushqimin e nxjerë me njësinë matëse të tyre, e cila ishte e njëjtë me njësinë matëse të Medines, këto komentohen se kanë për qëllim gjëra të rralla dhe se ushqimet e papërmendura janë shumë, dhe se këto janë ushqimet dominuese në vendet e tyre. Këtë e përforcon edhe fjala e Ebi Seidit: “Ushqimi ynë ishte elbi, rrushi i thatë, djathi dhe hurma.”[189]

Fjalën e kundërshtarit në këtë pikë e rrëzojnë hadithet që do të vijojnë në fjalën rreth sasisë së zekatit të fitrit, në të cilat përmendet gruri dhe se medjeni –njësia matëse e Shamit- është i njëjtë me saun –njësinë matëse të Medines-, me qëllim që ta dijë muslimani, i cili ia di vlerën shokëve të të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!), se mendimi i Muavijes nuk ka qenë nga mendja e tij, por ai bazohet në një hadith të ngritur te i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!).

 

  • Sasia e Zekatit të Fitrit

Muslimani duhet të nxjerë një saa (një tas) nga llojet që përmendëm më sipër. Ndërsa për grurin kanë rënë në kundërshtim. Disa thonë: gjysmë tasi, dhe kjo është më e qëlluara, bazuar në fjalën e Muhamedit alejhi selam: “Jepni një tas grur për dy vetë, ose një tas hurma, ose një tas elb, për çdo të lirë apo skllav, të vogël apo të madh.”[190]

Dhe Saa i konsideruar është ai i banorëve të Medinës, bazuar në hadithin e Ibën Umerit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) i cili thotë: I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Matja e sendeve të lëngshme është e konsideruar (në hadithet tona) me litroshen (apo njësinë matëse) të banorëve të Mekës, ndërsa matja e të thatave është e konsideruar me njësinë matëse të banorëve të Medines.”[191]

  • Për kë duhet të nxjerë burri zekat fitri?

Muslimani duhet të nxjerë zekat Fitri për vetën e tij dhe për të gjithë ata që ka nën kujdestarinë e tij, i vogël apo i rritur, mashkull apo femër, rob apo i lirë. Argument për këtë është hadithi i Ibën Umerit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!): “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka urdhëruar që të jepet zekati i fitrit, për të voglin dhe të madhin, të lirin dhe robin, prej atyre që ke në kujdestari.”[192]

  • Kujt i dedikohet zekati i Fitrit

Zekati i fitrit nuk i jepet veçse atyre që u takon, e ata janë të varfërit. Argument për këtë është hadithi i Ibën Abasit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!): “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e bëri obligim zekatin e fitrit si pastrim për agjëruesin nga fjalët e kota dhe ofendimet, si dhe me qëllim që të ushqehen të varfërit.”[193]

Kjo është ajo që ka zgjedhur shejh Islam, Ibën Tejmije në “Mexhmu el Fetava” (25/71-78), si dhe nxënësi i tij, Ibën el Kajimi në librin e tij të çmueshëm ” Zadul Mead” (2/44).

Ndërsa disa dijetarë kanë shkuar në mendimin se ai u jepet tetë llojeve të njerëzve që u jepet edhe zekati i përgjithshëm (të përmendur në suren Teube), por për këtë nuk ka argument dhe Ibën Tejmije e ka kundërshtuar këtë në burimin e sipërpërmendur.

Prej sunetit është që të jetë dikush që e grumbullon atë, pasi që i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e kishte ngarkuar Eba Hurejren (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) me këtë gjë, siç thotë Ebu Hurejra: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) më tha që  të mblidhja dhe të ruaja Zekatin e Ramazanit.”[194]

Ndërsa Ibën Umeri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) ia jepte atë atyre që e mblidhnin prej punëtorëve të caktuar nga imami i muslimanëve, dhe kjo bëhej një apo dy ditë para festës së Fitër Bajramit.

Transmeton Ibën Huzejme (4/83), nga Abdulvarith; nga Ejubi, se ky ka thënë: “Thashë: Kur e jepte zekatin e fitrit Ibën Umeri? Ai tha: Kur nënpunësi ulej. I thashë: E kur ulej nënpunësi? Tha : Një apo dy ditë para Bajramit.”

  • Koha e nxjerjes së zekatit të Fitrit

Zekatit i fitrit duhet të nxiret para shkuarjes së njerëzve për faljen e namazit të Bajramit[195], dhe nuk lejohet vonesa e tij për pas namazit apo shpejtimi i tij më tepër se një apo dy ditë para Bajramit; nga vepra e transmetuar nga Ibën Umeri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), -nisur nga rregulli se transmetuesi i hadithit është më i ditur për atë që transmeton-. E nëse vonohet pas namazit të Bajramit, ajo llogaritet si sadaka e thjeshtë; nga hadithi i Ibën Abasit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!): “…Nëse nxiret para namazit (të Bajramit), ajo është sadaka (fitri) e pranuar, ndërsa nëse nxiret pas namazit, ajo është si të gjitha sadakatë e tjera.”[196]

  • Urtësia në zekatin e Fitrit

Ligjvënësi më i Urtë e ka bërë obligim zekatin e fitrit si pastrim për agjëruesin nga fjalët e kota dhe ofendimet, si dhe me qëllim që të ushqehen të varfërit dhe të jenë të ngopur në atë ditë të madhe e të gëzueshme, siç u përmend më sipër nga hadithi i Ibën Abasit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!).


  1. Disa hadithe të dobëta që përhapen tek njerëzit lidhur me muajin e Ramazanit

Pamë të arsyeshme që t’ia bashkangjisim edhe këtë kapitull këtij libri, për vetë rëndësinë që ka, me qëllim që të paralajmërojmë njerëzit dhe të sqarojmë të vërtetën në to.

S’ka dyshim se Allahu i Lartësuar ka caktuar burra, mbartës të drejtë të sunetit të të Dërguarit të Tij, të cilët mohojnë prej tij shtrembërimet e të devijuarëve, largojnë prej tij interpretimet e ekstremistëve dhe zbulojnë shpifjet e shpifësve..

Sunetit Pejgamberik, ndër shekujt e kaluar i janë përzierë shumë përzierje të ndryshme, si hadithet e dobëta, false, të shpifura, e të tilla si këto, të cilat i kanë sqaruar plotësisht imamët tanë të mëhershëm dhe dijetarët tanë të mëparshëm.

Vështruesi i sotëm në botën e shkrimtarëve e predikuesve, sheh se ata –përveç atyre që ka Mëshiruar Allahu- nuk i kushtojnë rëndësi kësaj çështje aspak, megjithë literaturën studimore të mjaftueshme, e cila shoshit të vërtetën nga e kota dhe zbulon falsen e përzierë me të vërtetën.

Nuk është qëllimi ynë që të zgjerohemi shumë në këtë çështje dhe në pasojat negative që sjellë për dijen dhe njerëzit në përgjithësi, por do të mjaftohemi me përmendjen e disa shembujve të futura këto kohët e fundit dhe që janë bërë shumë të njohura tek njerëzit, saqë ndoshta nuk lexon një artikull apo të dëgjosh një këshillë, vetëm se këto hadithe të dobëta  –fatkeqësisht- zenë vendin më të madh në to.

Kështu që, në praktikim të fjalës së Muhamedit (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) : “Kumtoni nga unë, qoftë edhe një ajet – fjalë…” [Tranmeton Buhariu (6/361)]. Si dhe fjalës së tij (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!): “Feja është Këshillë…” [Transmeton Muslimi (nr, 55)]. Të mbështetur te Allahu i Lartësuar, themi:

Hadithet e dobëta që janë përhapur në mesin e njerëzve,  të të gjitha shresave, janë të shumta, saqë ndoshta ata nuk përmendin hadithe të vërteta me gjithë numrin e madh të tyre gjithashtu. Ata nuk ndalen asnjëherë nga përmendja e haditheve të dobëta, megjithëse siç thotë edhe imam Abdullah ibën el Mubarek: “Preokupimi me hadithet e sakta nuk lë vend për hadithet e sëmura.”

Kështu që, le të jetë ky imam shembull për ne dhe dija e saktë dhe e kulluar rruga jona.

Prej haditheve të dobëta që janë të përhapura në mesin e njerëzve në muajin e Ramazanit, po përmendim:

  1. “Sikur ta dinin njerëzit çfarë ka në Ramazan, do të dëshironin të jetë tërë viti Ramazan. Xhenneti zbukurohet për Ramazanin që nga fillimi deri ne fund të vitit…” Në fakt është hadith i gjatë.

Këtë hadith e transmeton Ibën Huzejme (1886), Ibën El Xhevziju në “Kitabul Mevduat” (2/188-189), Ebu Jeala në “Musnedin e tij” gjithashtu në “El Metalibul el Alijeh” (k46/a-b dorëshkrimi); nga transmetimi i Xherir ibën Ejjub el Bexheli; nga Esh Sheabi;  nga Nafi ibën Burde; nga Ebi Mesud el Gifarij.

Por ky hadith është Mevdu- i shpikur. Defekti i tij qëndron te Xherir ibën Ejjub, biografinë e të cilit e ka përmendur Ibën Haxheri në “Lisanul Mizan” (2/101), ku ndër tjerash thotë: “Është i njohur për dobësi”. Pastaj përcolli fjalën e Ebi Nuajm për të: “Ai shpikte hadithe nga vetja e tij.” Dhe më pas përcolli fjalën e Buhariut për të, i cili thotë: “Ai transmeton hadithe të refuzuara”, ndërsa Nesai thotë: “Ky është i lënë”.

Ibën el Xheuzi ka gjykuar për këtë hadith se ai është i shpikur, ndërs Ibën Huzejme, pas përmendjes së tij tha: Nëse do të jetë i saktë, por në zemër ka diçka në lidhje me Xherir ibën Ejjub el Bexheli.”

  1. Hadithi: “O ju njerëz! Iu erdhi një muaj i madhërishëm. Një muaj në të cilin gjendet një natë më e mirë se një mij muaj. Allahu e ka bërë të detyrueshëm agjërimin e tij dhe të preferueshme ngritjen për namaz nate në të. Kush e kryen në të një punë vullnetare, kjo është sikur të ketë kryer një obligim jashtë Ramazanit… Ky është një muaj, fillimi i të cilit është mëshirë, mesi i tij është falje dhe fundi i tij është lirim nga Zjarri…”

Ky hadith është gjithashtu i gjatë, por ne u mjaftuam me fjalët më të përhapura të tij.

Këtë hadith e transmeton gjithashtu Ibën Huzejme (1887), el Muhamili në “el Emali” (nr; 293) dhe El Esbahani në “Et Tergib” (k/178,b/ dorëshkrimi); nga transmetimi i Ali ibën Zejd ibën Xhedean; nga Seid ibën el Musejjib; nga Selmani.

Ky zinxhir transmetimi është i dobët nga dobësia e Ali ibën Zejd. Ibën Sead ka thënë për të: “Në të ka dobësi dhe me të nuk argumentohet”. Ahmed Ibën Hambeli thotë: “Nuk është i fortë”. Ibën Main thotë: “I Dobët”. Ibën Ebi Hajtheme thotë: “I dobët në çdo gjë”. Ibën Huzejme thotë: “Unë nuk argumentohem me të për shkak të dobësisë në memorien e tij.”

Kështu thuhet në  “Tehdhib Et Tehdhib” (7/322-323).

Ndërsa Ibën Huzjeme, pas transmetimit të tij, thotë: “Nëse[197] vërtetohet lajmi”.

Ndërsa Ibën Haxheri në “El Etraf” thotë: “Ky hadith sillet rreth Ali ibën Zejd ibën Xhedean, por ai është i dobët.”. Kështu ka transmetuar Es Sujuti nga ai, në “Xhemul xhevami” (nr. 23714).

Ibën Ebi Hatim ka përcjellë nga babai i tij, në “Ilelu el Hadith” (1/246) fjalën e tij: “Ky hadith është Munker- i refuzuar.”

  1. Hadithi: “Agjëroni, se do të keni shëndet!”

Kjo është një pjesë nga hadithi të cilin e transmeton Ibën Adij në “El Kamil” (7/2521); nga transmetimi i Nehshel ibën Seid; nga ed Dahak; nga Ibën Abasi.

Por Nehsheli është i lënë pasi që mashtronte, ndërsa ed Dahak nuk ka dëgjuar asgjë nga ibën Abasi.

Atë e ka transmetuar Tabarani në “El Evsat” (1/k, 69/a –Mexhma el Bahrejn), Ebu Nuajm në “Et Tib En Nebevi”, siç thuihet “Tahrixh el Ihja” (3/87), Ibën Buhejt në “Xhuzin” e tij, -siç thuhet në “Sherhu el Ihja” (7/401)-; nga transmetimi i Muhamed ibën Sulejman ibën Ebi Davud; nga Zuhejr ibën Muhamed; nga Suhejl ibën Ebi Salih; nga Ebi Hurejra.

Zinxhiri i tij është i dobët.

Ebu Bekër el Ethrem thotë: “Kam dëgjuar Ahmedin – dhe përmendi transmetimin e banorëve të Shamit nga Zuhejr ibën Muhamed – pastaj tha: Këta transmetojnë hadithe të paqena (të refuzuara) nga ai (Zuhejri).”

Ndërsa Ebu Hatim thotë: “Në memorien e tij ka pas problem dhe transmetimi i tij kur ka qenë në Sham, ka qenë më i keq se kur ka qenë në Irak.”

El Axheli thotë: “Këto hadithe që transmetojnë banorët e Shamit nga ai, nuk më pëlqejnë”. Kështu thuhet në  “Tehdhib el Kemal” (9/417).

Them: Muhamed ibën Sulejman është nga Shami dhe biografia e tij gjendet në “Tarih Dimashk” (15/k 386-dorëshkrim), kështu që transmetimet e tij nga Zuhejri –siç thonë dijetarët- janë të refuzuara. Edhe ky hadith është një prej tyre.

Dhe së fundi:

  1. Hadithi: “Kush e prish një ditë nga Ramazani, pa ndonjë arsye apo sëmundje, nuk do të mund ta kompensojë edhe sikur të agjëronte tërë jetën.”

Këtë hadith e ka përmend Buhariu në shënimet që ka bërë në “Sahihin e tij” (4/160 Fet’hul Bari), pa zixhir transmetuesish.

Ndërsa Ibën Huzejme e ka transmetuar të lidhur në “Sahihun e tij” (1987), po kështu edhe Tirmidhiu (723), Ebu Davudi (2397), Ibën Maxhe (1672), Nesai në “el Kubra” -siç thuhet në “Tuhfetul Eshraf” (10/373)-, el Bejhaki (4/228) dhe Ibën Haxheri në “Teglik et Talik” (3/170); nga transmetimi i Ebi El Matus; nga baba i tij; nga Ebi Hurejra.

Ibën Haxheri në “Fet’hul Bari” (4/161) thotë: “Por në këtë hadith është bërë polemikë e madhe në lidhje me Habib ibën Ebi Thabit dhe hadithi ka tre defekte:  Përzierja dhe kundërthënia në të, mosnjohja e personalitetit të Ebu el Matus dhe dyshimi se a ka ndëgjuar babai i tij nga Ebu Hurejra apo jo?”

Ndërsa Ibën Huzejme, pas transmetimit të tij, thotë: “Nëse mund të vërtetohet ky lajm, pasi që unë nuk e njoh Ibën El Matus e as babanë e tij.”

Kështu që, hadithi është i dobët.

Si përfundim, këto katër hadithe, dijetarët i kanë konsideruar të dobëta dhe të shpikura, e megjithatë ne i dëgjojmë dhe i lexojmë çdo ditë nga ditët e Ramazanit të Begatë, veçanërisht dhe në ditët e tjera përgjithësisht.

Nuk largohet nga mendja se disa nga këto hadithe përmbajnë kuptim të saktë, të miratuar në sheriatin tonë të pastër, në Kuran apo në sunet, por vetëm kjo nuk na bën të lejuar që t’i mveshin të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) atë që nuk është nga ai, e veçanërisht –dhe el hamdu lilah- që ky Ummet është i dalluar mes umeteve tjera me Isnad-zinxhirin e transmetuesve, me të cilin njihet e pranuara nga e futura, e vërteta nga e shpikura. Kjo shkencë, shkenca e hadithit dhe senedit, është shumë e përpiktë, dhe të vërtetën ka thënë ai që ka e quajtur atë: “Logjika e lajmeve që transmetohen dhe peshorja e dallimit të gradës së tyre”

 


 

Mbyllja (Allahu na funrnizoftë një mbyllje të mirë!)

O ti vëlla i kujdesshëm në arritjen e bindjes ndaj të Përjetshmit, Mbajtësit të gjithçkaje që ekziston, kjo është mënyra e agjërimit të Muhamedit (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!). Udhëzimi i tij në lidhje me agjërimin e Ramazanit nuk është më i panjohur për ty. Ndaj nxito për në detin e gjerë të mirësive dhe me kuptimin që të ka dhënë Allahu, largoju gjynaheve!

“I Lartësuar dhe Larg të metave je Ti, o Allah! Vetëm ty të takon i gjithë falenderimi. Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër që meriton adhurimin përveç Teje. Kërkoj falje prej Teje dhe kthehem tek Ti me pendim.”

 

Shkroi

Dy nxënësit e dijes pejgamberike

Selim el Hilahi  &  Ali Hasen Ali Abdulhamid

25 / Ramazan / 1403 H.

6/Korrik/1983

 


[1]  Transmetimi i këtij Hadithi do të vijë më pas.

[2]  Atë të brendshme të zemrës dhe atë të jashtme, të gjymtyrëve, pasi që ajo që ngulitet në zemër, reflektohet dhe jep rezultat në gjymtyrë.

[3] Parapritë.

[4] Transmeton Buhariu ( 4/ 106) dhe Muslimi (1400); nga Ibën Mesudi.

[5] Transmeton Buhariu (6/ 35) dhe Muslimi (1153);  nga Ebi Seid el Hudri. Teksti i përmendur është i Muslimit. Shtatëdhjetë pranvera: d.m.th. ecje 70 vite. Kështu  ka thënë Ibën Haxheri në “El Fet’h” (6/48).

[6] Transmeton Ahmedi (3/241) dhe (3/296); nga Xhabiri, ndërsa në (4/22) e transmeton nga Uthman ibën ebi el Asi. Ky hadith është i saktë.

[7] Transmeton Tirmidhiu (1624); nga hadithi I Ebi Umametu, por në senedin e tij ka butësi (dobësi), pasi që El Velid ibën Xhemil është i besueshëm por gabon. Megjithatë, ky hadith është pasuar nga hadithe të tjera, siç ka ardhur “El Kebir” të Taberanit: ( 8/ 260.274, 280); nga dy rrugë trasmetimesh; nga el Kasim; nga Ebi Umame.

Në këtë temë ka gjithashtu hadith edhe nga Ebi Dardai. Atë e ka transmetuar Tabarani në “es Sagir”: (1/273), por në të ka dobësi.

Si përfundim, Hadithi është i saktë.

[8] Transmeton Nesai (4/165), Ibën Hibani (faqe 232) dhe Hakimi ( 1/321). Senedi i këtij hadithi është i saktë.

[9] Të gjitha pikat që kan në fund këtë yll, përfshihen në Hadithin që përmendet më poshtë.

[10] D.m.th. se çdo vepër ka shpërblim të kufizuar, përveç agjërmit, shpërblimi i tij është pa hesap, siç do të ceket më pas.

[11] Ta thotë këtë fjalë me zë të dëgjueshëm, me qëllim që ofenduesi apo sulmuesi të tërhiqet. Thuhet gjithashtu se kjo fjalë duhet thënë pa zë, me qëllim që të ndalohet nga kthimi i ofendimit me ofendim, apo e sulmit me sulm. Por fjala e parë është më e saktë dhe më e qartë, pasi që “thënia” e pakufizuar me ndonjë cilësi, nuk mund të jetë veçse me gjuhë, ndërsa thënia me vete, pa zë, është e kufizuar. Njësoj si fjala e tij (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) në hadithin e transmetuar nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!): “Allahu ia ka falur popullit tim ato që thonë me vete (që i mendojnë por nuk i veprojnë), përderisa nuk i shprehin apo nuk i veprojnë ato.” [Ky Hadith është Mutefekun alejhi]. Kështu na bëhet e qartë se “thënia” e pakushtëzuar, nuk përdoret veçse për fjalën e shprehur me gjuhë dhe zë, e Allahu e di më mirë.

[12] Transmeton Buhariu (4/88) dhe Muslimi (1151). Teksti i përmendur është i Buhariut.

[13] Transmeton Ahmedi ( 6626), Hakimi (1/554), Ebu Naim (8/161);  nga disa rrugë transmetimi; nga Jahja Ibën Abdullah; nga Abdurrahman el Hubulij, nga Abdullah ibën Amër. Ky transmetim është i mirë.

Dobi: Ky hadith dhe të tjera si ai, që flasin për trupëzimin apo të folurit e veprave të njeriut, duhet të besohen prerë pa asnjë pikë dyshimi, dhe pa ndonjë ndryshim të domethënies apo interpretim të saj, pasi që kjo është rruga e selefëve tanë të sinqertë, e padyshim se kjo është rruga më e paqshme, më e ditur dhe më e qëndrueshme (e saktë). Mjafton që ajo është një nga kushtet e besimit. Allahu i Lartëmadhëruar thotë: “Të cilët besojnë në Gajbin- të fshehtën (që ka lajmëruar Allahu), e falin namazin dhe japin (lëmoshë) nga ajo që Ne i kemi furnizuar.” [El Bekare: 3].

[14] Transmeton Buhariu (2/7) dhe Muslimi (144).

[15] Transmeton Buhariu  (4/95) dhe Muslimi (1152), dhe shtesa ndërmjet kllapave tyransmetohet nga Ibën Huzejme, në “Sahihun”  e tij (1903).

[16] Ndërsa në transmetimin e Muslimit thuhet: “hapen dyert e mëshirës”.

[17] Transmeton Buhariu (4/97) dhe Muslimi (1079).

[18] Transmeton Tirmidhiu (682), Ibën Maxhe (1642), Ibën Huzejme (3/188); nga transmetimi i Ebu Bekër ibën Ajjash; nga el Amesh; nga Ebi Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!). Ky zinxhir transmetuesish është i mirë-hasen.

[19] Hadithin e Ibën Umerit e transmeton Buhariu (4/188), ndërsa hadithin e Selemes e ka tranbsmetuar Buhariu (8/181) dhe Muslimi (1145).

[20] Këtë hadith e ka përmendur Buhariu në shënimet e tij që ka bërë  në “Sahihun” e tij (8/181- el Fet’h), gjithashtu e ka transmetuar Bejhakiu  në “Sunenin” e tij (4/200) me zinxhir transmetuesish të lidhur. Senedi i tij është i saktë.

E ka nxjerrë gjithashtu Ebu Davudi ( nr: 507) të gjatë, me rrugë tjetër transmetimit, senedi i të cilit është i mirë (hasen) bashkë me hadithet që dëshmojnë për të.

E ka nxjerë gjithashtu Ebu Nuajm në “Mustahraxh”, siç thuhet në “Taglik et Tealik”  (3/185), me rrugë të tretë transmetuesish, e cila është e saktë –sahih.

[21]  Transmeton Buharihu ( 1/47) dhe Muslimi (16); nga Ibën Umeri.

[22] Transmeton Buhariu (4/99) dhe Muslimi (759). Kuptimi i shprehjes (me bindje të plotë, duke llogaritur shpërblimin nga Allahu): d.m.th. duke qenë i bindur se ai është obligim dhe duke kërkuar e shpresuar shpërblimin e tij nga Allahu; nga dëshira e vetes së tij, pa u detyruar nga dikush tjetër dhe pa u mërzitur nga namazi i tij i natës (teravitë).

[23] Transmeton Muslimi (233).

[24] Transmeton ibën Huzejme (3/192), Ahmedi (2/246, 254) dhe Bejhakiu (4/204); nga Ebu Hurejra. Ky është Hadith i saktë dhe esenca e tij gjendet  në “Sahihun” e Muslimit (4/1978). Në këtë temë kemi hadithe edhe nga sahabe të tjerë. Ato i gjen në librin: “Dobitë e muajit Ramazan” (f. 25-34), të Ibën Shahin.

[25] Transmeton el Bezar (3142) dhe Ahmedi (2/254); nga A’emash; nga ebi Salih; nga Xhabiri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!). Atë e transmeton gjithashtu Ibën Maxhe (1643), por të shkurtuar dhe me rrugë tjetër transmetimi. Ky hadith është i saktë-sahih.

Lutja e pranuar që përmendet në hadith, është në kohën e Iftarit, siç vjen në vijim.

[26] Transmeton Ibën Hibani ( nr 19) me zinxhir të vërtetë.

[27]  Transmeton Nesai në “el Kubra”, siç thuhet në “Tuhfetu el eshraf” (4/166), Ibën Hibani (nr. 1800- në shtesat e tij) dhe El Hakim (1/430); nga disa rrugë të ndryshme; nga Abdurrahman ibën Jezid ibën Xhabir; nga Selim ibën Amir; nga Ebu Umame.

[28] Tansmeton Buhariu (4/106), Muslimi (1081).

[29] Tansmeton Buhariu (4/106), Muslimi (1080).

[30] Transmeton Et Tahavi në “Mushkilu el Athar” (nr. 501), Ahmedi (4/377) dhe Tabarani në “El Kebir” (17/171). Në mesin e transmetuesëve të këtij hadithi gjendet Muxhalid ibën Seid, i cili është i dobët, por megjithatë, hadithi ka edhe dëshmues të tjerë për të, të cilat i ka përmendur shejh Albani në “El Irva” (f.901).

[31] Është për qëllim ajo ditë që mendohet të jetë dita e parë ose e fundit e Ramazanit. (sh.p).

[32] Transmeton Muslimi (573- versioni i shkurtuar i tij).

[33] Këtë hadith e ka përmendur Buhariu në shënimet e tij (4/119-el Fet’h), ndërsa Ebu Daudi (3334), Tirmidhiu (686), Ibën Maxheh (3334) dhe Nesai (2188) e kanë transmetuar me zinxhir të lidhur; nga Amër ibën Kajs el Mulai; nga Ebu Is’hak; nga Sileh ibën Zufer; nga Amari.

Në mesin e transmetuesve të këtij hadithi gjendet Ebu Ish’ak-es Sebiji- i cili është mudelis-mbulues dhe fshehës i emrave të transmetuesëve të vërtetë, dhe këtë transmetim ai e ka përcjellë me fjalën “nga”, e cila nuk pranohet nga personat e atillë, aq më tepër që nga fundi i jetës atij iu përzienë gjërat. Por megjithatë, hadithi ka rrugë dhe dëshmues të tjerë të cilat i ka përmendur Ibën Haxheri në “Teglik et Tealik” (3/141-142), me të cilat rrugë hadithi ngrihet në gradën Hasen-i mirë.

[34] Transmeton Nesai (4/132), Ahmedi (4/321) dhe Darakutni (2/167); nga transmetimi i Husejn ibën el Harith el Xhedeli; nga Abdurrahman ibën Zejd ibën el Hatab; nga shokët e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!). Senedi i këtij hadithi është Hasen- i mirë.

[35] E ka nxjerë Ebu Daudi (2342), Darimiu (2/4), Ibën Hibani (871), el Hakim (1/423) dhe Bejhakiu (4/212); nga dy rrugë të ndryshme. Senedi i këtij hadithi është Sahih – i saktë, siç ka thënë Ibën Haxheri në “et Telhis el Habir” (2/187).

[36] Transmeton Ebu Davudi (2454), Ibën Huzejme (1933), Bejhakiu (4/202); nga transmetimi i Ibën Veheb; nga Ibën Lehijatu dhe Jahja ibën Ejjub; nga Abdullah ibën Ebi Bekër ibën Hazem; nga Ibën Shihab; nga Salim ibën Abdullah; nga babai i tij; nga Hafsa (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!).

E në një shprehje të Tahaviut, në “Sherhu meani el Athar” (1/54), thuhet : “që nuk e bën niejtin që në mbrëmje”; nga të njëjtat rrugë.

Atë e transmeton gjithashtu Nesai (4/196) dhe Tirmidhiu  (730); nga rrugë të tjera; nga Jahja. Senedi i këtij hadithi është i saktë-sahih.

[37] Transmeton Nesai (4/196), Bejhakiu (4/202), Ibën Hazmi (6/162); nga transmetimi i Abdurrezakut; nga Ibën Xhurejxh; nga Ibën Shihabi.

[38] Transmeton Muslimi (1154).

[39] Transmeton Buhariu  (4/212) dhe Muslimi (1125).

[40] Transmeton Buhariu  (4/216) dhe Muslimi (1135).

 

[41] E ka nxjerë Ibën Huzejme (3/389), Ahmedi (4/388), Nesai (4/192), Ibën Maxheh (1/552) dhe Taberani në “el Kebir” (18/238); nga transmetimi i Sheabiut. Senedi i këtij hadithi është Sahih- i saktë.

[42] E transmeton Muslimi (1127).

[43] E transmeton Muslimi (1125).

[44] Transmeton Buhariu  (4/911).

[45] Transmeton Buhariu (4/113) dhe Muslimi  (1090). Tërheqim vërejtjen këtu se kuptimi i jashtëm i hadithit të bën të kuptosh se Adiji ka qenë prezent në kohën kur ka zbritur ky ajet, gjë që do të thotë se ai ka qenë musliman në atë kohë, por e vërteta nuk qëndron kështu, pasi që obligueshmëia e agjërimit ka qenë në vitin e dytë të hixhretit, ndërsa bërja musliman e Adijit ka qenë në vitin e nëntë apo të dhjetë, siç thuhet në “el Isabe” (2/468). Kështu që, ose të thuhet se ajeti ka zbritur vonë, gjë e cila është shumë larg realitetit, ose të thuhet se fjala e Adijit “Kur zbriti ajeti…”, d.m.th: Unë u bara musliman dhe më lexuan këtë ajet. Kjo e dyta është më afër të vërtetës, duke u bazuar edhe në një transmetim që gjendet në “Musnedin” e imam Ahmedit (4/377), ku thuhet: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) më mësoi namazin dhe agjërimin. Thotë: Ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) më tha: Falu kështu e kështu dhe agjëro; kur të perëndojë dielli, ha dhe pi, deri sa të dallosh perin e bardhë nga peri i zi (në agim). Agjëro tridhjetë ditë, vetëm nëse e sheh hënën (e muajit pas Ramazanit, atëherë mos agjëro më). Atëherë unë mora dy fije floku, një të bardhë e një të zi…” Marrë nga “el Fet’h” i Ibën Haxherit (4/132-133), me ndryshime të vogla.

[46]  Transmeton Buhariu (4/114) dhe Muslimi (1091).

[47] Transmeton Ibën Huzejme (3/210), el Hakim (1/191 dhe 495), Darukutni (2/165), El Bejhaki (4/261); nga transmetimi i Sufjanit; nga Ibën Xhurejxh; nga Ata; nga Ibën Abasi. Dhe zingjiri i tij është i saktë. Ky hadith ka gjithashtu një dëshmitar nga hadithi i Xhabirit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) të cilin e ka nxjerë El Hakimi (1/191), el Bejhakiu (4/215) dhe Darakutni (2/165).

[48] Transmeton Muslimi (1094).

[49] Tansmeton Tirmidhiu  (3/76), Ebu Davudi (2/304), Ahmedi (4/23), Ibën Huzejme (3/211); nga Abdullah ibën Neuman; nga Kajs ibën Talk; nga babai i tij; me zinxhir të saktë.

[50] Transmeton Ebu Davud  (235), Ibën Xherir  (3115), el Hakimi (1/426), el Bejhakiu (2/218), Ahmedi (2/423); nga transmetimi i Hamadit; nga Muhamed ibën Amër; nga Ebi Selemete; nga Ebi Hurejre, me zinxhir të mirë. Gjithashtu ka edhe rrugë tjetër. Atë e transmeton Ahmedi (2/510) dhe el Hakim (1/203-205); nga transmetimi i Hamadit; nga Amar ibën Ebi Ammar; nga Ebi Hurejra; me zinxhir të saktë.

[51] Kjo shtesë e shfuqizon thënjen e hoxhës Habiburrahman el Adhemi el Hanefi në “Musenaf” e Abdurrezakut (4/173), ku thotë: “Nga kjo kuptohet se Muhamedi alejhis selam e ka ditur se muezini e thërriste ezanin para hyrjes së agimit”!!

[52] Transmeton ibën Xherir (2/102); nga dy rrugë transmetuesish nga ai.

[53] Transmeton Buhariu (4/171) dhe Muslimi (1100). Fjala e tij: “e prish agjërimin”; d.m.th. sipas dispozitës e jo realisht, për atë se ka hyrë koha e iftarit.

[54] Transmeton el Hakim (1/434) dhe Ibën Huzejme (2061). E ka vërtetuar edhe el Hakimi sipas kushteve të Buhariut dhe Muslimit.

[55] Transmeton Buhariu (4/199), Muslimi (1101), Ahmedi (4381), Ebu Davud (2352). Ndërsa shtojca e parë ka qenë e Muslimit (1101), ndërsa e dyta nga Abdurrezaku (4/226).

[56] E transmeton Buhariu në shënimet e tij (mualek) (4/196). Gjithashtu e ka përmend edhe Ibën Ebi Shejbe në “el Musanaf” (3/12) dhe Said ibën Mensur, siç thuhet në “el Fet’h” (4/196) dhe në “Umdetu el Karij”  (9/130). Shih: “Taglik et Tealik” (3/195).

[57] Dhe kush don qartësime dhe sqarime më shum  le të shikoj në këto punime librash si vijojn:

  1. “Mexhmua Fetava shejh el Islam ibën Tejmije” (25/123-202).
  2. ” El Mexhmu sherh el Muhedheb” (6/279) nga Neveviu.
  3. ” Et talhis el Habir ” (2/187-188) nga Ibën haxheri.

[58] Transmeton Muslimi (1096).

[59] Transmeton Et Tabarani në “el Kebir” dhe Ebu Nuajm në “Dhikër Ehbar Esbahan” (1/57); nga Selman el Farisi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!).

Senedi i tij është i mirë –hasen, nga hadithet që dëshmojnë për të.

[60] Transmeton esh Shirazi në “el Elkab”, gjithashtu edhe në “Xhamiu Es Sagir” (1715), dhe el Hatib në “el Muvedih” (1/263); nga Ebu Hurejrja me të njëjtin zinxhir të hadithit të mësipërm.

Edhe ky është gjithashtu hasen- i mirë me dëshmitarët e tij, nga të cilët është edhe hadithi i mësipërm.

[61] Transmeton Nesai (4/145) dhe Ahmedi (5/270), me sened të saktë.

[62] Hadithin e el Irbadit e transmeton Ahmedi (4/126), Ebu Daudi (2/303) dhe Nesai, (4/145); nga transmetimi i Junus ibën Sejf; nga el Harith ibën Zijad; nga Ebi Rehm; nga el Irbad .

Por ky El Harith nuk është i njohur.

Ndërsa hadithin e Ebi Derdas e transmeton Ibën Hibani (223); nga transmetimi i Amër ibën el Harith; nga Abdullah ibën Selam; nga Reshdin ibën Sead; prej tij.

Hadithi është sahih.

[63] Nxjerja e këtij hadithi është përmendur më parë.

[64] Transmeton Ebu Davudi (2/303), Ibën Hiban (223), el Bejhakiu (4/237) nga Muhamed ibën Musa nga Sa’eid el Mekberi nga Ebi Hurejra, me zingjir të saktë.

[65] Nxjerja e këtij hadithi është përmendur më parë.

[66] Transmeton Buhariu (4/118) dhe Muslimi (1097).

Ibën Haxheri në “el Fet’h” (4/138), thotë: “Prej zakonit të arabëve ka qenë se ata e përcaktonin kohën me punët që kryenin; p.sh. me kohën e mjeljes së deles, apo me kohën ndërmjet dy mjeljeve të devesë, apo me therjen e një kafshe. Kështu edhe Zejdi e përcaktoi kohën ndërmjet syfyrit dhe ezanit me kohën që duhej për të lexuar pesëdhjetë ajete, gjë e cila të jep të kuptosh se kjo kohë ka qenë për ta kohë adhurimi, ndërsa puna e tyre ka qenë leximi i Kuranit dhe meditimi në të.”

[67] E transmeton Ibën Ebi Shejbe (3/8), Ahmedi (3/367), Ebu Jeala (3/438) dhe El Bezar (1/465); nga Sherik ibën Abdullah ibën Muhamed ibën Akil; nga Xhabiri. Ky Sheriku është i dobët, por hadithi ka një dëshmues tjetër mursel, nga Seid ibën Mensuri në “Sunenet” e tij, me shprehjen: “Bëni syfyr, qoftë edhe me një kafshatë.”

Kështu ka thënë el Hafidh në “el Fet’h” (4/140).

Hadithi ka edhe një dëshmitar tjetër i cili do të vijë pas tri haditheve.

[68] Transmeton Buhariu (4/120) dhe Muslimi (1095); nga Enesi.

[69]  Transmetimi i tij kaloi më parë.

[70] Transmeton Ibën Ebi Shejbe (3/8), Ahmedi (3/12 dhe 3/44); nga tri rrugë transmetimi; nga Ebu Seid el Hudri, e ato rrugë përforcojnë njëra-tjetrën.

[71] Transmeton Ebu Ja’la (3340); nga Enesi. Hadithi është i mirë- hasen, në bazë të hadithit që dëshmon për të, të cilin e transmeton Ibën Hibani (nr.884).

[72] Shiko më sipër transmetimin e tij.

[73] Transmeton Buhariu (4/99).

[74] Transmeton Ibën Huzejme (1996) dhe el Hakim (1/430,431), me zinxhir të saktë.

[75] Transmeton Ibën Maxhe (1/539), Ed Darimij (2/211), Ahmedi (2/441, 373) dhe El Bejhakiu (4/270); nga Said el Makberi; nga Ebi Hurejra, me zinxhir të saktë.

[76] Shih: “El lu’lu’ vel Merxhan fima itefeka alejhi esh Shejhan” (707) dhe “Rijadu Salihin” (1215).

[77] Shih për këtë: “Xhamiu el Ulum vel Hikem” (faqe 58), i Ibën Rexhebit.

[78] Transmeton Buhariu (4/123) dhe Muslimi (1109).

[79] Transmeton Buhariu (2/311) dhe Muslimi (252).

[80] Kjo është zgjedhja e Buhariut, gjithashtu edhe e Ibën Huzejmes dhe të tjerëve. Shih: “Fet’hul Bari” (4/158), “Sahih Ibën Huzejme” (3/247) dhe “Sherh es Sune” (6/298).

[81] Transmeton Tirmidhiu (3/146), Ebu Daudi (2/308), Ahmedi (4/32), Ibën Ebi Shejbete (3/101), Ibën Maxhe (407) dhe Nesai (nr, 87); nga Lakit ibën Sabra; me zinxhir të saktë.

[82] Transmeton Buhariu (4/131) dhe Muslimi (1106).

[83] Transmeton Ahmedi (2/185,221); nga Ibën Lehija; nga Jezid ibën Ebi Habib; nga Kajsar Et Tuxhejbi. Zinxhiri i transmetimit të këtij hadithi është i dobët, për shkak të  dobësisë së Ibën Lehijas. Megjithatë, ekziston një hadith tjetër dëshmues për këtë, të cilin e transmeton Taberani, kështu që hadithi mund të ngrihet në gradën hasen- i mirë.

[84] Transmeton Buhariu (4/155). Shih gjithashtu: “Nasih el Hadith ve mensuhihi” (334-338), të Ibën Shahinit.

[85] E transmeton Buhariu në shënimet e tij (mualek), (4/154- Fet’h). Ndërsa Ibën Ebi Shejbe e ka transmetuar me zinxhir të rregull në (3/47). Po kështu edhe el Bejhaki (4/261); nga dy rrugë transmetimi; nga ai (Ibën Abasi). Hadithi është i mirë-hasen. Shih: “Taglik et Tealik” (3/151-152). Pastaj krahasoje me “Muhtasar Sahih el Buhari” (451) të  profesorit tonë, el Albani.

[86] Shih burimet e mësipërme.

[87] Transmeton Ebu Daudi (2365) dhe Ahmedi (5/376,380,408,430); me sinxhir të saktë.

[88] Transmeton Buhariu (4/156) dhe Muslimi (1121).

[89] Transmeton Buhariu (4/163) dhe Muslimi (1118).

[90]  Transmeton Ahmedi (2/108) dhe Ibën Hibani (2742); nga ibën Omeri, me zinxhir të saktë.

[91] Transmeton ibën Hibani (345), el Bezari (990) dhe et Tabarani në “El Kebir” (11881); nga Ibën Abasi, me zinxhir të vërtetë.

[92] Transmeton Tirmidhiu (713) dhe el Begaviju (1763), me zinxhir të vërtetë edhe pse në të gjendet el Xhurejri, pasi që transmetimet e Abdul A’la nga ai llogariten nga transmetimet më të vërteta, siç ka thënë edhe el Ixhliju,  e të tjerë.

[93] Transmeton Buhariu (4/161) dhe Muslimi (1115); nga Xhabiri.

[94] Transmeton Buhariu (4505). Shih: “Sherh es Sune” (6/316″, “Fet’hul Bari” (8/180), “Nejlul Eutar” (4/315) dhe “Irvaul Galil” (4/22-25).

Ndërsa Ibën el Mundhir, në “el Ixhma” (nr.129) ka përcjellë se janë unanim për këtë.

[95] Shih transmetimin para këtij.

[96] E transmeton Darakutni (2/208), por në zinxhirin e tij gjendet Abdullah ibën Salih i cili është i dobët, porse ka dëshmues që e përforcojnë këtë hadith.

[97] Transmeton Darakutni (2/207) me zinxhir të vërtetë.

[98] Ky është Enes ibën Malik el Keabiju, jo Enes ibën Malik el Ensari, shërbetori i Muhamedit alejhi selam, porse ky është njëri nga fisi beni Abdullah ibën Keab, i cili ka banuar në Basra, ka transmetuar nga Muhamedi alejhi selam vetëm një hadith dhe ky është ai hadith.

Shiko “el Isabetu” (1/114-115), të ibën Haxheri dhe “Texhrid eslamu Sahabetu” (1/31) të Dhehebiut, pastaj krahasoji me atë që thuhet në “Fejdul Kadir” (2/268), pasi që midis tyre ka dallim shumë preciz!.

[99] Transmeton Tirmidhiu (715), Nesai (4/180), Ebu Davudi (2408) dhe Ibën Maxhe (1667). Senedi i tij është Hasen- i mirë, ashtu siç ka thënë Tirmidhiu.

[100] Transmeton Buhariu (4/173) dhe Muslimi (1093).

[101] E transmeton Ibën Hibani  (891), me zinxhir të saktë. Origjina e tij gjendet në dy “Sahihat”, siç e pamë më sipër.

Themi: Shiitët rafidij  u janë përputhur çifutëve dhe të krishterëve në vonimin e Iftarit deri në shfaqjen e yjeve. Allahu na ruajt të gjithëve nga të humbja e tyre.

[102] Transmeton Ebu Davudi (2/305) dhe Ibën Hibani  (224), me zinxhir të mirë.

[103] Transmeton Ahmedi (3/164) dhe Ebu Davudi (2356); nga Enesi, me zinxhir të mirë.

[104] Transmeton Tabarani në “el Kebir” dhe ka thënë:  “…ky hadith është përcjellë edhe i ngritur tek i Dërguari alejhis selam, edhe si fjalë e Ebu Dardasë, por si fjalë e Ebu Dardasë është e saktë, ndërsa si i ngritur, në senedin e tij gjenden transmetues të cilëve nuk u kam gjetur biografi.”

Themi: Megjithatë, edhe transmetimi i ngelur te Ebu Darda merr gjykimin e hadithit të ngritur te i Dërguari, në këtë rast.   

[105] Transmeton Ahemdi (3/163), Ebu Davudi (2/306), Ibën Huzejme (3/277,278) dhe Tirmidhiu (3/70); nga dy rrugë transmetimi; nga Enesi.

Senedi i tij është i saktë.

[106] Transmeton el Ukajli në “ed Duafa” (1/72)  dhe Ebu Muslim el Kexhi në “Xhuzin” e tij. Ndërsa nga transmetimi i këtij të fundit e ka përcjellë gjithashtu Ibën Masii në “Xhuz el Ensari” ( ق9/b). Zinxhiri i tij do të ishte i saktë sikur Jahja Ibën Ebi Kethir të mos e transmetonte me shprehjen “nga filani; nga filani” (port ë thoshte: kam dëgjuar filanin).

Megjithatë, hadithi ka një dëshmues i cili do të vijë fill pas këtij.

[107] Transmeton Tirmidhiu (2527), Ibën Maxhe (1752) dhe Ibën Hibani (2407), por në mesin e transmetuesëve të tij gjendet Ebu Mudile, i cili nuk është i njohur plotësisht.

[108] Transmeton  Ibën Maxhe (1/557), el Hakim (1/442), Ibën Es Sini (128), dhe Et Tajalisi (299); nga dy rrugë transmetimi.

El Buvejsiri thotë (2/81): “Zinxhiri i këtij hadithi është i saktë dhe transmetuesit e tij janë të besueshëm.”

[109] Transmeton Ebu Davudi (2/306), el Bejhakiu (4/239), el Hakim (1/442), Ibën Es Sini (128), Nesai në “Amel el Jevm” (269), Darakutni (2/185), i cili thotë se zinxhiri i tij është i mirë. Themi: Ai është ashtu si ka thënë (d.m.th. i mirë-hasen).

[110] Transmeton Ahmedi (4/114-115-116, 5/192), Tirmidhiu (804), Ibën Maxhe (1746) dhe Ibën Hiban (895).  Tirmidhiu e ka konsideruar të saktë dhe ai është ashtu siç ka thënë.

[111] Transmeton Ibën Ebi Shejbe (3/100), Ahmedi (3/118), Nisai në “Amel el Jevm” (268), Ibën Es Sini (129) dhe Abdurrezaku (311); me disa rrugë. Hadithi është i saktë.

Vërejtje: Ajo që shtojnë disa njerëz në këtë hadith, duke thënë: “Dhe ju përmendtë Allahu tek ata që janë tek Ai!”, kjo shprehje nuk ka bazë në këtë, andaj kujdes!

[112] Transmeton Muslimi (2055); nga el Mikdad.

[113] Transmeton Muslimi (2042); nga Abdullah ibën Busr.

[114] Transmeton Buhariu (4/135) dhe Muslimi (1155).

[115] Transmeton et Tahavi në ” Sherh Meani el Athar” (2/56), el Hakim (2/198), Ibën Hazmi në “el Ihkam” (5/149) dhe Darakutni (4/171); nga dy rrugë transmetimi; nga El Evzai; nga Ata ibën Ebi Rrebah; nga Ubejd ibën Umerj; nga Ibën Abasi. Senedi i tij është i saktë.

[116] Transmeton Ebu Davudi (2/310), Tirmidhiu (3/79), Ibën Maxhe (1/536) dhe Ahmedi (2/498); ngaHisham ibën Hasan; nga Muhamed ibën Sirini; nga Ebi Hurejra. Senedi i tij është i saktë, siç ka thënë dijetari i Islamit Ibën Tejmije në “Hakikatu es Sijam” (faqe 14).

[117] Transmeton Muslim (79) dhe (80); nga Ibën Omeri dhe nga Ebu Hurejra.

[118] Harurij është banori i Haruras, vend dy milje larg Kufës. Por përdoret gjithashtu emërtimi “haruri” për atë që ka bindje të havarixhëve, pasi që grupacioni i parë që ngriti krye kundër Aliut (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) ka qenë prej tyre, kështu që u emërtuan me atë emër.

Këtë e ka thënë El Hafidh në “el Fet’h” (4/424).

Këta Haruritë e obligojnë femrën që është me menstruacione, që kur të pastrohet, t’i kompensojë namazet që i kanë kaluar gjatë kohës kur ka qenë në atë gjendje, ndaj u friksua Aisheja se mos Muadhja e kishte marrë këtë pyetje nga havarixhët, të cilët e kishin zakon që t’i kundërshtonin sunetet me mendjet e tyre. Edhe në kohën tonë kemi  shumë prej këtyre!!

[119] Transmeton Buhariu (4/429) dhe Muslimi (335).

[120] Shih: “Hakikatu es Sijam” (faqe 55), të shejh Islam, Ibën Tejmije.

[121] Ky hadith është transmetuar me shprehje të shumta nga Buhariu (11/516), Muslimi (1111), Tirmidhiu, (724), el Bugavi (6/288), Ebi Davudi (2390), Ed Darimij (2/11), Ibën maxhe (1671), Ibën ebi Shejbe (2/183-184), Ibën Huzejme (3/216), Ibën Xharud (139), imam Shafiu (299), Maliku (1/297) dhe Abdurazaku (4/196). Shumica e tyre e kanë transmetuar me zinxhir të lidhur deri te i Dërguari, e disa prej tyre e kanë transmetuar mursel.

Disa e kanë parë të saktë shtesën: “Kompenso një ditë tjetër në vend të saj.” Atë e ka saktësuar edhe el Hafidh ibën Haxher në “el Fet’h” (11/516) , dhe ajo është ashtu siç ka thënë ai.

[122] Transmeton Buhariu (4/166) dhe Muslimi (1146).

[123] E ka shënuar Buhariu në tealikatet e tij (4/189), ndërsa Abdurrazaku,  Darakutni dhe Ibën Ebi Shejbe e kanë transmetuar të lidhur me zinxhir të saktë. Shih: “Taglik et Talik” (3/186).

[124] Kthehu tek “Irvail Galil” (4/95).

[125] Për sqarimin më të plotë të kësaj çështjeje e kemi pyetur personalisht shejhun tonë, gojarisht dhe ai përmendi njësoj si fjalët që kemi shënuar më sipër, uel hamdu lilah.

[126] Transmeton Buhariu (4/168) dhe Muslimi (1147).

[127] Transmeton Buhariu (4/169) dhe Muslimi (1148).

[128] E ka nxjerrë Buhariu (4/112), por në shënimet e tij, ndërsa Darakutni e ka transmetuar të lidhur në librin “Kitabul Mudebexh”. Senedin e këtij hadithi, shejhu ynë, el Albani, e ka saktësuar në “Muhtasar Sahih el Buhari” (1/58).

[129] Transmeton Buhariu (8/135).

[130] Transmeton Ibën El Xharud (381), El Bejhakiu (4/230) dhe Ebu Davudi (2318), me zinxhir të saktë.

[131] Transmeton Ebu Davudi në “Sunnenet e tij” (507), el Bejhakiu në “Sunenet e tij” (4/200) dhe Ahmedi në “Musnedin e tij” (5/246-247).

Zinxhiri i tij është i vërtetë.

[132] I titulluar “El Xhamiu Li Ehkam el Kuran” (2/288).

[133] Shih: “Tedrib er Ravi” (1/192-193), të Sujutit dhe “Ulum el Hadith” (faqe 24), të Ibën Salah.

[134] Transmeton el Bejhakiu në “Sunnenin e tij” (4/230); nga transmetimi i imam Shafiut. Senedi i tij është i saktë.

[135] Mendimet për këtë janë të shumta e të ndryshme. Imam el Iraki ka shkruar një broshurë të posaçme për këtë, të titulluar “Sherh es Sadër bi dhikri Lejletil Kadër”, ku ai ka përfshirë të gjitha fjalët e dijetarëve në këtë çështje.

[136] Këtë e ka përcjellë nga ai imam el Begavi në “Sherh Es Suneti” (6/388).

[137] Transmeton Buhariu (4/225) dhe Muslimi  (1169).

[138] Transmeton Buhariu (4/221) dhe Muslimi (1165).

[139] Shih shënimin e mëparshëm.

[140] Transmeton Buhariu (4/232).

[141] Transmeton Buhariu (4/217) dhe Muslimi (759).

[142] Transmeton Tirmidhiu (3760) dhe Ibën Maxhe (3850) nga Aisheja. Zinxhiri i tij është i saktë.

[143] D.m.th. ai largohej nga gratë e tij me qëllim për të pasur më shumë kohë për adhurim.

[144] Transmeton Buhariu (4/233) dhe Muslimi (1174).

[145] Muslimi (1174).

[146] Në popull fliten shumë shenja dhe thashetheme për natën e Kadrit, si dhe bindje të kota, prej të cilave është edhe fjala e tyre se pemët bëjnë sexhde, ndërtesat flenë! etj, etj.

Sigurisht që këto janë të kota të dukshme dhe lajthitje të qarta.

[147] Transmeton Muslimi  (762).

[148] Transmeton Muslimi (1170).

Për fjalën “gjysëm koshi”, Kadi Ijad thotë: Kjo tregon se kjo natë gjendet në dhjetëshin e fundit të mujit, sepse hëna nuk ka mundësi me qenë në këtë gjendje kur lind, por në fund të muajit.

[149] Transmeton et Tajalesi (349), Ibën Huzejme (3/231) dhe el Bezar (1/486). Zinxhiri i tij është i mirë.

[150] Itikafi është të qëndruarit mbyllur në xhami me qëllim adhurimi. Shpjegimet e mëtejshme do t’i mësosh në vijim.

[151] “Zadu el Mead” (2/86-87).

[152] ” El Misbah el Munir” (2/424), i el Fejumit dhe “Lisan el Arab” (9/252), i  Ibën Mendhur.

[153] Transmeton Buhariu (4/226) dhe Muslimi (1173).

[154] Transmeton Buhariu (4/237) dhe Muslimi (1656).

[155] Transmeton Buhariu (4/245).

[156] Transmeton Buhariu (4/226) dhe Muslimi (1173); nga Aisheja.

[157] D.m.th. mos bëni marrëdhënie intime me to, siç thotë shumica e dijetarëve.

[158] Ky Hadith është i saktë dhe i qëndrueshëm. Atë e kanë konsideruar të saktë imamët dhe dijetarët e mëdhenj. Për rrugët e transmetimit të tij dhe për kundërpërgjigjen e dyshimeve të hedhur rreth tij nga disa njerëz, ktheju broshurës “El Insaf fi Ahkami el Itikaf”, nga autori Ali Hasen Abdulhamid el Halebi.

[159] Transmeton Abdurrezaku në “el Musanef” (8037).

[160] Transmeton Buhariu (1/342) dhe Muslimi (297).

Shih: “Muhtesar Sahih el Buhari” (nr: 167), të profesorit tonë, el Albani dhe “Xhamiu el Usul” (1/341), të Ibën Ethir.

[161] Transmeton Ahmedi (5/364), me zinxhir të vërtetë.

[162] Siç thuhet në “Sahihul el Buhari” (4/226).

[163] Siç thuhet në “Sahih Muslim” (1173).

[164] Transmeton Ibën Maxhe (641) dhe el Bejhaki -siç ka thënë el Busejrij-;  nga dy rrugë transmetimi;  nga Isa ibën Umer; nga Nafiu; nga ibën Umeri.

Zinxhiri i tij është i mirë.

[165] Transmeton Buhariu (4/240) dhe Muslimi (2157), ndërsa  shtesa e fundit është te Ebu Davudi (7/142-143-Aunul Mabud).

[166]  Kaloi me herët transmetimi i tij.

[167] Është fjala për shejh Albanin, i cili në kohën e shkrimit të librit ka qenë ende gjallë, Allahu e mëshiroftë!

[168] Transmeton Buhariu (3/220) dhe Muslimi (761).

[169] Transmeton Buhariu (4/218), ndërsa shtojca është te Maliku (1/114) dhe AbduRrezaku (7723).

[170] Transmeton Buhariu (3/16) dhe Muslimi (736).

El Hafidhi (Allahu e mëshiroftë!) thotë në “El Fet’h” (4/54): “Kjo, duke qenë e ditur se ajo ishte me e njohura për gjendjen e Muhamedit alejhi selam gjatë natës sesa të tjerët.”

[171] Transmeton Ibën Hibani në “Sahihin e tij” (920), Et Tabarani në “Es Sagir” (faqe 108) dhe Ibën Nasër në “Kijamu Lejl” (faqe90).

Senedi i tij është i mirë me dëshmuesit e tij.

[172] “Tedrib er Ravi” (1/262).

[173] “El Musanah” (4/153).

[174] ” Mizanul  Itidal” (1/181).

[175] ” Mizanul  Itidal” (1/181).

[176] ” Mizanul  Itidal” (1/181).

[177] Ktheju “Tehdhib et Tehdhib” (6/310) dhe “Mizanul I’tidal” (1/181).

[178] Zekati i fitrit është lëmosha që jepet me rastin e përfundimit të Ramazanit. Për hollësi të mëtejshme, lexo në vijim.

[179] Transmeton Buhariu (3/291) dhe Muslimi (984), ndërsa shtesa është e këtij të dytit.

[180] Transmeton Ebu Davudi (1622) dhe Nesai (5/50). Në transmetimin e këtij gjendet Haseni (i cili është mudelis-fshehës i shjehave), por ai ka dëshmues hadithin e mëparshëm.

[181] Por ai është i pasuar. Atë e ka transmetuar Nesai (5/49), Ibën Maxhe (1/585), Ahmedi (6/6), Ibën Huzejme (4/81), el Hakimi (1/410) dhe el Bejhaki ((4/159); nga disa rrugë, me zinxhir të saktë.

[182] Transmeton Buhariu (3/291) dhe Muslimi (984).

[183] Transmeton Muslim (982).

[184] Transmetimi i tij është përmendur më parë.

[185] Transmeton Buhariu (3/294) dhe Muslimi (985).

[186] Transmeton Ibën Huzejmete (4/80) dhe el Hakim (1/408-410).

[187] Transmeton ibën Huzjeme (4/80), me zinxhir të vërtetë.

[188] Transmeton ibën Huzejme (4/80), me zinxhir të vërtetë.

[189] Transmetimi i tij është përmendur më parë.

[190] Transmeton Ahmedi (5/432); nga Thealebe ibën Suajr. Transmetuesit e tij janë të gjithë të besueshëm. Për këtë ka edhe një dëshmues te Darakutni (2/151); nga Xhabiri, me sened të saktë.

[191] Transmeton Ebu Davudi (2340), Nesai (7/281), El Bejhaki (6/31); nga Ibën Umeri, me zinxhir të vërtetë.

[192] Transmeton Darakutni (2/141), El Bejhaki (7/281); nga ibën Umeri me zinxhir të dobët. Por atë e ka nxjerrë Bejhakiu (4/161) nga rrugë transmetimi tjetër; nga Aliu, por me ndërprerje.  Porse ka edhe një rrugë tjetër që i preferohet ibën Omerit, tek Ibën Ebi Shejbe në “Musanaf” (4/37) me zinxhir të saktë. Kështu, me këto rrugë ai arrin gradën hasen- i mirë.

Ky me këto rrugëtransmetimi është i mirë.

[193] Transmetimi i tij është përmendur më parë.

[194] Transmeton Buhariu (4/396).

[195] Shih librin “Dispozita e dy bajrameve në sunnetin e pastër”, autor: Ali ibën Hasen Abdulhamid el Halebi, botuar nga el Mektebetul el Islamije. Ndërsa të publikuar në gjuhën shqipe, e gjeni atë në faqen elektronike: www.mburoja.net.

[196] Transmetimi i tij është përmendur më parë.

[197] Në disa referenca, si në “et Tergib uet Terhib” (2/95), lidhësa “nëse” ka rënë, gjë e cila ka prishur kuptimin dhe është bërë shkak për vetmashtrimin e disa personave të cilët hiqen se kanë dije!