Tema te rendesishme rreth Xhihadit

Së pari: Rëndësia e Xhihadit në Islam

Së dyti: Përkufizimi dhe domethënia e Xhihadit

Së treti: Kushtet e obligueshmërisë së Xhihadit

Së katërti: Dispozitat dhe rregullat e Xhihadit

Së pesti: Vërejtje rreth Xhihadit në ditët e sotme

Së gjashti: Shenja dhe orientime për pasuesit e Sunetit që i mungojnë shumë prej të rinjve të ymetit

Së pesti: Vërejtje rreth Xhihadit në ditët e sotme

1. Të flasësh nëse xhihadi është i detyrueshëm apo jo në ngjarjet e reja është të flasësh për gjykimin e Allahut

2. Kurrë mos akuzo dijetarët edhe nëse ata thonë të kundërtën e asaj që beson ti

3. Urdhri për Xhihad është nga detyrat dhe të drejtat e udhëheqësit

 

Duhet të jetë e ditur nga të gjithë se urdhri për Xhihad është nga detyrat dhe të drejtat e udhëheqësit. El Hasen el Basri thotë: “Udhëheqësit zotërojnë pesë çështje kryesore të mbarë popullit: Udhëheqjen në namazin e Xhumasë, në namazin me xhemat, në namazin e Bajrameve, në llogoret e luftës dhe në zbatimin e ligjeve të sheriatit. Pasha Allahun! Nuk mund të zbatohet feja e Allahut në tokë veçse me ta në krye, edhe nëse ata bëjnë padrejtësi e zullum. Pasha Allahun! Allahu rregullon nëpërmjet tyre më shumë nga ajo që ata prishin.” [Xhamiul Ulumi uel hikemi, 2/117].

Sehl ibën Abdullah et Teseturi thotë: “Bindjuni sulltanit (udhëheqësit) në shtatë gjëra: Shtypjen e monedhave të arit e të argjendit, caktimin e masave dhe peshoreve, zbatimin e ligjeve, kryerjen e haxhit, të xhumasë dhe të dy festave, dhe për xhihadin.” [Tefsiri i Kurtubiut, 5/259].

Domethënien e “udhëheqjes / Pushtetit” e kanë përkufizuar dijetarët në fjalët e tyre; Ibën Abidin thotë: “Udhëheqja / Pushteti është drejtimi i pupollit në çështjet e fesë dhe të dynjasë, në vend të të Dërguarit të Allahut (salallahu alejhi ue selem).” [El hashije, 1/571-572]; dhe natyrisht që xhihadi nuk del jashtë këtyre çështjeve të fesë apo të dynjase.

Pastaj thotë: “Udhëheqja është të kesh të drejtën të veprosh, pasi që zgjedhja e prijesëit nga “dijetarët e zgjidhjeve dhe të marrëveshjeve” nuk bëhet veçse për t’i aprovuar prijësit këtë të drejtë.” [El hashije, 1/571-572].

Pra, udhëheqësi apo prijësi zotëron të drejtën e veprimit dhe bindja ndaj tij është e detyrueshme për çdo individ apo qytetar, prandaj gjejmë el Kharki-n të thotë: “Është detyrë e popullit që kur vjen armiku, të lëvizin të gjithë, ata që kanë dhe ata që nuk kanë (mjete lufte), por nuk duhet të përballen me armikun veçse me lejen e prijësit, përveç nëse armiku i befason dhe nuk kanë mundësi as kohë që të njoftojnë prijësin, në këtë rast duhet ta luftojnë atë.” [Sherhu ez Zerkeshi ala metni el Kharki, 6/450].

Siç e shohim, el Kharki e konsideron detyrë mbi çdo individ (farz ajn) kushtin e marrjes së lejes nga udhëheqësi për sa i përket xhihadit.

Ez Zerkeshi thotë: “Nuk lejohet të dalësh për të luftuar armikun veçse me lejen dhe urdhrin e prijësit, sepse çështjet e luftës i janë besuar atij dhe vetëm ai e di numrin e armikut dhe vendndodhjen e tij (strategjinë ushtarake), prandaj ndiqet vendimi i tij në këtë gjë; përveç nëse në ndonjë rast të veçantë është e pamundur kërkimi i lejes nga prijësi, si për shembull kur shfaqet një armik i fuqishëm në mënyrë befasuese në një vend musliman, dhe muslimanët atje i frikësohen të keqes së armikut nëse do të prisnin sa të vinte leja e prijësit (bëhet fjalë për atë kohë kur nuk kishte mjete komunikimi si ato të teknologjisë së sotme), kështu që në këtë rast ata zgjedhin të keqen më të vogël (mospritjen e lejes së prijësit) për të shtyrë një të keqe më të madhe (armikun).” [Sherhu ez Zerkeshi ala Metni el Kharki, 6/450].

Ibën Kudame, në rastin e futjes së armikut në tokat muslimane, thotë: “Nuk i lejohet asnjë muslimani të atij vendi që të mos shkojë të luftojë armikun, përveç atyre që qëndrojnë për të mbrojtur vendin, popullin dhe pasuritë, dhe përveç atyre që i urdhëron prijësi të qëndrojnë mbrapa; sepse kur hyn armiku, luftimi i tij bëhet detyrim mbi të gjithë banorët e atij vendi… dhe nuk i lejohet askujt që të mos shkojë të luftojë armikun. Por, duhet pasur parasysh se nuk lejohet të dilet te armiku veçse me lejen dhe urdhrin e prijësit, sepse çështjet e luftës dhe xhihadit i janë besuar atij, dhe vetëm ai e di numrin e armikut dh vendndodhjen e tij, planet e armikut dhe strategjinë e tij, kështu që duhet vepruar sipas mendimit dhe urdhrit të tij; kjo është më e paqshme për muslimanët, përveç nëse kërkimi i lejes prej tij bëhet e pamundur për shkak të befasimit nga armiku, në këtë rast nuk është e detyrueshme të merret leja e prijësit, sepse interesi dhe e mira e muslimanëve është në luftimin e armikut dhe dalja tek ai, përndryshe pasojat do të ishin shumë të mëdha mbi muslimanët e atij vendi.” [El Mugni, 13/33-34].

Në një vend tjetër thotë: “Çështja e xhihadit i është besuar prijësit dhe vendimit të tij, kurse populli ka për detyrë t’i bindet prijësit për çdo vendim që aim err.” [El Mugni, 13/16].

Imam el Euzai, në lidhje me dy burra që dolën nga një vend musliman në drejtim të një vendi armik pa lejen e prijësit, tha: “Nëse dëshiron prijësi, ka të drejtë që t’i ndëshkojë ata dy.” [Er Radu ala Sijrati el Euzai, i autor Ebu Jusuf Jakub ibën Ibrahim, f. 76].

Imam Shafiu, në rastin e luftës dhe betejës thotë: “Por, ne e konsiderojmë të ndaluar daljen e një grupi të vogël përballë një grupi të madh armiku pa lejen e prijësit.” [El Umm, 7/353].

Ebu Jeala el Fera në librin “El Ahkam es Sultanije”, duke folur për caktimin e Sultanit një prijës në një zonë të caktuar, ndër tjera thotë: “Nëse provinca e këtij prijësi gjendet në kufi me armikun, nuk i lejohet banorëve të asaj province ta lufojnë vendin armik pa lejen e Sultanit, por nëse armiku sulmon, i lejohet prijësit të kësaj province t’i kthejë sulmin dhe t’i luftojë ata pa pritur urdhrin e Sultanit, sepse kthimi i sulmit është nga të drejtat e mbrojtjes dhe ruajtje e nderit.” [El ahkam es Sultanije, f. 37].

Dijetari i Islamit, Ibën Tejmije, ka thënë: “Duhet të jetë e ditur nga të gjithë se administrimi i çështjeve të njerëzve është nga detyrat më të mëdha fetare, madje as feja as dynjaja nuk do të mund të qëndronte pa të; interesi i njerëzve nuk mund të realizohet veçse në kolektiv, për shkak të nevojës që ata kanë për njeri-tjetrin, dhe kur ata grumbullohen, duhet patjetër që të kenë një kokë drejtuese, madje i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Kur tre persona nisen në një udhëtim së bashku, njërin prej tyre duhet ta caktojnë si të parë të tyre.” E transmeton Ebu Daudi nga hadithi i Ebu Seidit dhe Ebu Hurejrës. Kurse Imam Ahmedi ka nxjerrë në librin “El Musned” hadithin e transmetuar nga Abdullah ibën Umeri (radiallahu anhu) se i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Nuk i lejohet tre personave që janë në një zonë të pabanuar, pa caktuar një prijës mes tyre.” Pra, i Dërguari (salallahu alejhi ue selem) e ka bërë të detyruar caktimin e një prijësi kur bashkohet një grup i vogël në një udhëtim të caktuar, për të treguar se në çdo grumbullim duhet vepruar kështu; dhe sepse Allahu i Madhëruar e ka bërë të detyrueshme urdhërimin për mirë dhe ndalimin nga e keqja, gjë e cila nuk mund të realizohet veçse me force dhe pushtet. Po kështu, të gjitha ato që ka urdhëruar Allahu si: xhihadi, drejtësia mes njerëzve, kryerja e haxhit, e xhumave dhe e festave, ndihma e të shtypurit dhe zbatimi i ligjeve të sheriatit, të gjitha këto nuk mund të kryhen veçse me anë të pushtetit dhe forcës. Prandaj thuhet se “Sulltani është hija e Allahut në tokë”, apo se “Njëqind vite me udhëheqës zullumqar është më mirë se një natë të vetme pa udhëheqës”, dhe përvoja e ka provuar këtë gjë.” [Mexhumul Fetava, 28/390-391].

Lexuesi i fjalëve të Ibën Tejmijes vëren se ai i ka emërtuar udhëheqësit me të zotët e forcës dhe luftës, kurse dijetarët me të zotët e gjuhës dhe të punës. [El Istikame, f 31]. D.m.th. që pa udhëheqës, nuk ka luftë apo xhihad.

Dijetarët Sead ibën Atik, Umer ibën Selim, Muhamed ibën Abdulatif, Abdullah el Ankari dhe Muhamed ibën Ibrahim, thonë: “Nëse kuptohen mirë ajetet kuranore, hadithet profetike dhe fjalët e dijetarëve të përmendura më sipër në lidhje me detyrueshmërinë e bindjes ndaj prijësit dhe ndalimin e kundërshtimit të urdhrit të tij dhe kryengritjes ndaj tij, dhe se interesi fetar dhe material i popullit nuk mund të realizohet veçse me prijësin dhe qëndrimin të bashkuar, bëhet më se e qartë se dalja nga bindja ndaj prijësit dhe thurja e planeve kundër tij me luftë apo gjëra të tjera, është konsideruar mëkat dhe kundërshtim i Allahut dhe të Dërguarit të Tij, si dhe kundërshtim i rrugës së Ehli Sunetit dhe Xhematit.” [Ed Duraru es Sunije, 9/119].

Pastaj thonë: “Nëse kuptohet kjo, duhet të bëhet e ditur për të gjithë se Prijësi Abdulaziz ibën Abdurrahman Al Fejsal, ka marrë besën e popullit si prijës dhe udhëheqës, prandaj i gjithë populli e ka detyrim bindjen ndaj tij në ato gjëra që i ka urdhëruar Allahu prej të drejtave që i takojnë udhëheësit ndaj popullit; dhe prej këtyre të drejtave është urdhri për xhihad dhe luftimi i jomuslimanëve apo lidhja e marrëveshjeve të paqes dhe sigurisë me ta; sepse këto janë nga të drejtat e udhëheqësit; dhe nuk i lejohet askujt prej individëve nga populli që ta kundërshtojë atë në këto gjëra. Këto çështje ndërtohen mbi vështrimin dhe studimin e interesit të mbarë popullit musliman, dhe ky vështim e studim i është besuar udhëheqësit të shtetit.” [Ed Duraru es Sunije, 9/123].

Komisioni i përhershëm i Fetvave në Arabinë Saudite, ka nxjerrë fetvanë e mëposhtme:

“Xhihadi për ngritur lartë fjalën e Allahut, për të mbrojtur popullin dhe fenë Islame, për të bërë të mundur transmetimin dhe përhapjen e saj dhe për të ruajtur shenjtëritë e saj, është detyrim mbi çdo musliman që ka mundësi të bëjë diçka nga këto, por për këto gjëra duhet që prijësi të dërgojë ushtrinë dhe ta organizojë atë me qëllim që të mos bëhet rrëmujë dhe kaos; prandaj hyrja në xhihad dhe shpallja e tij është çështje që i takon udhëheqësit të muslimanëve, kurse dijetarët kanë detyrë t’ia bëjnë të qartë atij se çfarë duhet të bëjë dhe ta nxisin për luftë kur e shohin se duhet ashtu, dhe nëse ai vendos të fillojë luftën dhe kërkon ushtarë për të luftuar armikun, atëherë çdo musliman që ka mundësi duhet t’i përgjigjet thirrjes me nijetin e sinqertë për hir të Allahut, duke shpresuar fitoren e të vërtetës dhe mbrojtjen e muslimanëve dhe të Islamit; kurse ata që nuk i përgjigjen thirrjes në këtë rast, duke qenë se nuk kanë asgjë që i pengon, ata janë mëkatarë.” [Fetava el Lexhneh, 12/12].

Shejh Muhamed ibën Uthejmin (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Nuk i lejohet ushtrisë të fillojë luftë veçse me urdhrin e udhëheqësit të shtetit, si do që të jetë çështja, sepse ata, të cilëve iu drejtohet fjala për luftë dhe xhihad, janë udhëheqësit e shtetit dhe jo individët nga populli, sepse individët duhet të pasojnë dijetarët ekspertë të zgjidhjeve dhe marrëveshjeve (Ehlul Hili uel Akd). Askujt nuk i lejohet të luftojë pa urdhrin e prijësit, përveç në rast mbrojtje, kur armiku sulmon befasisht, në këtë rast iu lejohet të mbrohen sepse lufta iu është bërë detyrim. Kurse ndalimi që të luftohet armiku pa urdhrin e udhëheqësit, është sepse kjo çështje është e lidhur mgushtë me të; lufta pa urdhrin e udhëheqësit është dalje nga bindja ndaj tij dhe shkelje e kufijve dhe e të drejtave të tij; dhe sepse sikur të lejohej lufta pa lejen e udhëheqësit, do të bëhej kaos dhe shkatërrim, çdonjëri do i hipte kalit të vet dhe do të shkonte në luftë i vetëm, ose do të bashkohesh një grup dhe do të luftonte një grup tjetër, ose do të ngrihej kundër udhëheqësit, dhe kaosi e pasiguria do të mbretëronte në çdo vend.”

Në një vend tjetër, Ibën Uthejmin thotë: “Kur udhëheqësi thotë “Shkoni në luftë!”, duhet të shkohet; dhe kemi për qëllim udhëheqësin e shtetit, të parin e një shteti musliman, dhe nuk është kusht të jetë Halifja i të gjithë muslimanëve të botës, sepse kjo nuk ekziston që prej shumë kohësh, kurse i Dërguari (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Dëgjoni dhe binduni, edhe sikur udhëheqësi juaj të jetë një skllav nga Abisinia!” Nëse dikush bëhet prijës apo udhëheqës i një zone të caktuar, ai është në vendin e udhëheqësit të përgjithshëm të asaj zone apo të atij shteti, dhe fjala e tij duhet zbatuar. Që prej kohës së prijësit të besimtarëve, Uthman ibën Affanit (radiallahu anhu), ymeti musliman ka filluar të shpërndahet; Ibën Zubejri në Hixhaz, Ibën Mervani në Sham (Levant), el Muhtar ibën Ubejd e të tjerë në Irak; pra ymeti u shpërnda, dhe dijetarët e Islamit i jepnin besën e udhëheqjes dhe bindjes atyre që bëheshin udhëheqës të zonës apo vendit ku ata ndodheshin, edhe nëse ai nuk kishte të drejtën e udhëheqjes së tërësishme të muslimanëve (nuk ishte halife). Prej këtu, ne e shohim qartë humbjen e një grupi të shfaqur së fundmi që thotë se muslimanët në ditët e sotme nuk kanë udhëheqës, kështu që nuk i japin besën e imamit asnjë udhëheqësi, Allahu na ruajtë! Unë nuk e di nëse këta njerëz duan që gjendja e muslimanëve të shndërrohet në rrëmujë e kaos për shkak se njerëzit nuk kanë udhëheqës t’i drejtojë, apo duan të thonë se çdo njeri është prijës i vetvetes?!

Nëse këta njerëz vdesin pa pasur besë prijësi mbi qafat e tyre, ata vdesin me vdekje të injorancës, sepse të gjithë muslimanët, që prej shumë e shumë kohësh, i kanë dhënë besën çdonjërit që ka ardhur në pushtet në një zonë apo vend të caktuar, qoftë me paqe apo me forcë, dhe e kanë konsideruar atë për prijësin e tyre. Këtë gjë e kanë theksuar dijetarët në librat e tyre, si Saneani (ka vdekur në vitin 1768) në librin “Subulus Selam”.

Më pas (Ibën Uthejmin) thotë: “Kjo (hilafeti) është diçka e parealizueshme sot, dhe ky është aktualiteti. Vendet e një zone të caktuar bëjnë zgjedhje dhe grinden për pushtet, paguajnë ryshfet dhe shesin veten; kështu që, nëse njerëzit e një vendi të caktuar nuk mund të caktojnë një prijës për vendin e tyre veçse me zgjedhje të tilla të falsifikuara, atëherë si do të bëhej kjo e mundur për të caktuar udhëheqës për mbarë muslimanët?! Kjo është e pamundur.

Kur udhëheqësi i një shteti urdhëron dikë për të shkuar në luftë, ai individ apo grup e ka për detyrë të shkojë, sespe Allahu i Madhëruar thotë: “38. O besimtarë! Çfarë keni që ngurroni e mbërtheheni fort për toke kur ju thuhet: “Dilni në luftë, në rrugën e Allahut?! A jeni të kënaqur me jetën e kësaj bote, në vend të së amshueshmes?! Kënaqësia e kësaj bote, në krahasim me atë të botës tjetër, është shumë e vogël. 39. Nëse nuk shkoni në luftë, Ai do t’ju ndëshkojë me dënim të dhembshëm dhe do t’ju zëvendësojë me një popull tjetër; Atij ju nuk do të mund t’i bëni dëm aspak, se Allahu është i Fuqishëm për çdo gjë.” [Et Teube, 38-39].

Kurse i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Kur urdhëroheni për të shkuar në luftë, shkoni menjëherë!”

Dhe sepse, sikur njerëzit të mos i binden prijësit në këtë rast, do të ndodhte dëm i madh për Islamin dhe muslimanët, sepse armiku do të luftonte e do të përparonte kur nuk do të gjente kush t’i bënte ball dhe ta ndalte.” [Esh Sherh el Mumti, 8/12-13].

 

Vërejtje!

Pasi është bërë e qartë se çështja e xhihadit i është besuar prijësit të vendit, duhet të dihet nga të gjithë se prijësi ka të drejtë të bëjë marrëveshje armëpushimi dhe paqeje me atë vend që ai e sheh se është në të mirën e muslimanëve.

Ibën Kethiri thotë: “Në rast se armiku është i madh në numër, lejohet lidhja e marrëveshjes së paqes me të, siç argumenton ajeti i Kuranit: “Nëse ata shfaqin prirje për paqe, atëherë edhe ti ano nga ajo dhe mbështetu tek Allahu, sepse, vërtet, Ai dëgjon dhe di gjithçka.” [El Enfal, 61]. Dhe siç veproi i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) në ditën e Marrëveshjes së Hudejbijes.” [Tefsiri i Ibën Kethirit, 2/322-323].

Kurse Ibën Haxheri thotë: “Lidhja e marrëveshjes për paqe kufizohet me kusht që ajo të jetë më e mirë për Islamin dhe muslimanët, por nëse Islami është në gjendje triumfi mbi armikun, dhe marrëveshja për paqe nuk ka ndonjë interes, atëherë nuk lejohet.” [Fet’hul Bari, 6/275-276].

Ai që e përcakton nëse duhet bërë marrëveshje paqeje apo jo është udhëheqësi i shtetit dhe askush tjetër. Ibën Kudame thotë: “Nuk lejohet lidhja e marrëveshjes për paqe veçse nga prijësi ose mëkëmbësi i tij, sepse kjo çështje lidhet me mendimin dhe vendimin e prijësit sipas asaj që ai e sheh më të dobishme, siç e sqaruam më sipër; dhe sepse lejimi i kësaj për dikë tjetër përveç prijësit, do të thotë shfuqizim i xhihadit në mënyrë totale apo në atë zonë të caktuar, dhe kjo është ndërhyrje në çështjet e prijësit dhe shkelje e të drejtës së tij.” [El Mugni, 13/157].

Më pas thotë: “Në rast se prijësi lidh marrëveshje për paqe pastaj vdes ose shkarkohet, marrëveshja e tij nuk prishet, por ai që vjen më pas duhet t’i përmbahet asaj, sepse prijësi i mëparshëm e ka lidhur atë me përpjekjen e tij për të bërë më të mirën.”

Pastaj thotë: “Nëse prijësi lidh marrëveshje për paqe, ai duhet ta zbatojë atë, sepse Allahu i Madhëruar thotë: “O besimtarë! Zbatoni marrëveshjet!” [El Maide, 1], dhe në një ajet tjetër thotë: “Respektojeni marrëveshjen me ta deri në fund.” [Et Teube, 4].” [El Mugni, 13/157].

Ebu Jeala el Fera’, në librin el Ahkam es Sultanije, në lidhje me detyrat e popullit kundrejt prijësit, thotë: “Prej këtyre detyrimeve është që t’ia besojnë atij çështjet e tyre dhe ta lënë atë t’i rregullojë ato, në mënyrë që të mos përplasen mendimet e tyre, ndërsa Allahu i Madhëruar thotë: “E sikur ta përcillnin atë çështje tek i Dërguari dhe paria e tyre, patjetër që hulumtuesit e tyre do të dinin të vepronin me të.” [En Nisa, 83]. Nëse njerëzve iu bëhet e qartë diçka që i ka shpëtuar prijësit, ia sqarojnë dhe i japin sugjerime atij, dhe kjo është diçka që Allahu e ka nxitur.” [El Ahkam es Sultanije, f. 47].

Kurse Ibnul Kajjim thotë: “I lejohet prijësit që të kërkojë marrëveshje për paqe nga armiku kur sheh se kjo është për të mirën e muslimanëve, dhe kjo nuk kufizohet vetëm me rastin kur armiku e kërkon këtë i pari.” [Zadul Miad, 3/304].

Përmendëm më sipër fjalën e disa dijetarëve si: Sead ibën Atik (vdekur në vitin 1349 H), Umer ibën Selim (v. 1362 H), Muhamed ibën Abdulatif (v. 1367 H), Abdullah el Ankari (v. 1373 H), Muhamed ibën Ibrahim (v. 1389 H) në lidhje me dhënien e besës Imam Abdulaziz ibën Abdurrahman Al Fajsal; por i përmendëm këtu me vitet e vdekjes së tyre, për ta kuptuar lexuesi i nderuar se në atë kohë (vitet 1900-1932) kanë ndodhur sprova dhe rrëmuja të mëdha, dhe injorantët flisnin kundër dijetarëve dhe udhëheqësve për shkak të marrëveshjeve që lidhte mbreti Abdulaziz me Anglezët.

Shejh Abdulaziz ibën Bazi (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Lejohet lidhja e marrëveshjes së paqes me armiqtë, qoftë në mënyrë të përkohshme apo të përhershme, nëse prijësi i muslimanëve mendon se kjo është për të mirën e muslimanëve, sepse Allahu i Madhëruar thotë: “Nëse ata shfaqin prirje për paqe, atëherë edhe ti ano nga ajo dhe mbështetu tek Allahu, sepse, vërtet, Ai dëgjon dhe di gjithçka.” [El Enfal, 61]; dhe sepse i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) i ka bërë të dyja këto lloj marrëveshjesh.” [Mexhmuu Fetava ue mekalatin muteneviah, nga shejh Abdulaziz ibën Baz, 18/438].

Vlen të përmendet këtu se djalli i mallkuar i shkon nga rrugë të ndryshme atyre që i adresohen bamirësisë dhe dijes, ku fillimi dhe baza e atyre rrugëve është mendimi i keq për udhëheqësin e shtetit, gjë e cila është në kundërshtim me rrugën e selefëve, ndjekësve të gjurmëve profetike; Sead ibën Atik, Umer ibën Selim, Muhamed ibën Abdulatif, Abdullah el Ankari dhe Muhamed ibën Ibrahim, kanë thënë: “Nga gjërat që ka futur djalli, është gjithashtu mendimi i keq për udhëheqësin e shtetit dhe mosbindjen ndaj tij, gjë e cila është nga mëkatet më të mëdha dhe nga feja e injorantëve, të cilët nuk e shohin dëgjimin dhe bindjen ndaj prijësit prej fesë Islame, dhe secili prej tyre ecën me kokën e vet.” [Ed Duraru es Sunije, 9/135].

“Pra, është e ndaluar thyerja e urdhrit të udhëheqësit dhe kundërshtimi i tij në pushtetin e tij, në vendimet e tij dhe në marrëveshjet që ai lidh me shtetet e tjera, sepse ai është përfaqësues i muslimanëve dhe synon të mirën dhe interesin e tyre, madje vështrimi i tij për ata është më i mirë se vështrimi i vetë atyre për veten e tyre, sepse me anë të pushtetit të tij qëndron rregulli i fesë dhe bashkohet fjala e muslimanëve.” [Ed Duraru es Sunije, 9/135].