Tema te rendesishme rreth Xhihadit

Së pari: Rëndësia e Xhihadit në Islam

Së dyti: Përkufizimi dhe domethënia e Xhihadit

Së treti: Kushtet e obligueshmërisë së Xhihadit

Së katërti: Dispozitat dhe rregullat e Xhihadit

Së pesti: Vërejtje rreth Xhihadit në ditët e sotme

Së gjashti: Shenja dhe orientime për pasuesit e Sunetit që i mungojnë shumë prej të rinjve të ymetit

 

Së pesti: Vërejtje rreth Xhihadit në ditët e sotme

1. Të flasësh nëse xhihadi është i detyrueshëm apo jo në ngjarjet e reja është të flasësh për gjykimin e Allahut

2. Kurrë mos akuzo dijetarët edhe nëse ata thonë të kundërtën e asaj që beson ti

3. Urdhri për Xhihad është nga detyrat dhe të drejtat e udhëheqësit

 

Mos i akuzo dijetarët kur thonë të kundërtën e asaj që beson ti, sepse kjo nuk është vepër e muslimanit të mirë; nëse entuziazmi yt është i lartë, dije se kjo është çështje e fesë dhe, nëse dijetarët do të flisnin ashtu si duan njerëzit, sheriati do të prishej dhe do të humbte. Për këtë arsye jemi urdhëruar që të kthehemi te Kurani dhe Suneti sipas kuptimit të Selefëve të mirë dhe ndjekësve të gjurmëve të tyre prej dijetarëve të ymetit.

Para disa dekadash, në vendet muslimane ndodhën trazira dhe rebelim, dhe dijetarët folën atë duhej thënë sipas ligjit të Allahut në atë kohë, kurse disa e kundërshtuan fjalën e tyre, madje disa injorantë guxuan të flisnin kundër dijetarëve, kështu që shumë prej dijetarëve shkruajtën artikuj të posaçëm në lidhje me këto çështje, ku në mesin e atyre që shkruajtën ishin: Sead ibën Atik (vdekur në vitin 1349 AH), Umer ibën Selim (1362), Muhamed ibën Abdulatif (1367), Abdullah el Ankari (1373), Muhamed ibën Ibrahim (1389) –Allahu i mëshiroftë të gjithë ata!- ku ndër tjera shkruajtën: “Shumë prej injorantëve kanë folur kundër dijetarëve dhe njerëzve të fesë duke i akuzuar ata për servilizëm, neglizhim, mos-kryerje të detyrës me të cilën i ka urdhëruar Allahu, fshehje të dijes së vërtetë dhe heshtjen para sqarimit të saj; por nuk e dinë këta që i thonë këto fjalë se mungesa e dijetarëve dhe tallja me nderin e besimtarëve është helm vrasës, sëmundje varrosëse dhe gjynah i madh i qartë; Allahu i Madhëruar thotë: “Ata që i lëndojnë besimtarët dhe besimtaret, duke i akuzuar për diçka që nuk e kanë bërë, në të vërtetë, i kanë ngarkuar vetes fajin për shpifje dhe një gjynah të qartë.” [El Ahzab, 58].

Poeti thotë:

Pakësojeni qortimin e tyre, humbshit babanë!

Ose zini vendin që ata zunë nëse jeni të zotë![1]

Prej fjalëve të atyre dijetarëve ishte gjithashtu thënia e tyre: “Nga gjërat që shejtani ka futur tek disa fetarë është akuzimi i dijetarëve të muslimanëve për servilizëm, mendim të keq, mosmarrje prej tyre, gjë e cila padyshim që është humbje e dijes së dobishme, sepse dijetarët janë trashëgimtarët e profetëve në çdo vend apo kohë, dhe dija nuk mund të merret veçse prej tyre; kushdo që ndalohet nga marrja e dijes prej tyre dhe nuk e pranon atë që ata përcjellin, ka ndaluar veten nga trashëgimia e zotëriut të profetëve dhe e ka zëvendësuar atë me fjalët e injorantëve të pështjelluar të cilët nuk kanë haber nga sheriati Islam. Dijetarët janë të besuarit e fesë së Allahut, prandaj është detyrë e çdo muslimani që ta marrë fenë nga dijetarët, siç kanë thënë selefët: “Kjo dije është fe, prandaj shihni mirë nga e merrni fenë tuaj!” [Edduraru es Sunije, 9/133].

Kujtojmë këtu gjendjen e disa sahabeve kur ligji i Sheriatit Islam erdhi në kundërshtim me xhelozinë dhe entuziazmin e tyre në marrëveshjen e Hudejbijes, ku i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) lidhi marrëveshje me vrasësit e Jasirit dhe Sumejes, dhe me torturuesit e sahabeve, madje disa prej tyre kishin goditur edhe vetë të Dërguarin (salallahu alejhi ue selem) dhe kishin vendosur të brendshmet e kafshëve mbi shpinën e tij, madje tentuan edhe ta vrisnin atë; por megjithatë, i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) lidhi marrëveshje me ta që të kthehej në Medine pa e bërë Umran për të cilën kishte veshur Ihramin dhe kishte ardhur në Meke bashkë me shokët e tij. Lidhi marrëveshje me ta që t’u kthente Ebu Xhendel, i cili filloi të ngrinte zërin në mesin e muslimanëve: “O muslimanë! A do të më ktheni te idhujtarët që të më sprovojnë në fenë time?!”

Madje Umeri (radiallahu anhu) i tha të Dërguari të Allahut (salallahu alejhi ue selem):

– “A nuk je i dërguari i Allahut me të vërtetë?

– Po! – i tha i Dërguari (salallahu alejhi ue selem).

– A nuk jemi ne në fenë e vërtetë kurse ata në të pavërtetën?

– Po! – i tha i dërguari (salallahu alejhi ue selem).

– Atëherë përse ta ulim fenë tonë?!

– Unë jam i Dërguari i Allahut dhe nuk jam duke e kundërshtuar Allahun, dhe Allahu do të më ndihmojë dhe do më japë triumfin, -tha i Dërguari (salallahu alejhi ue selem).

Pastaj Umeri shkoi te Ebu Bekri dhe i bëri të njëjtat pyetje, kurse ai iu përgjigj njësoj si i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem), dhe i tha: “Kapu për inspirimin e tij, sepse pasha Allahun, ai është në rrugën e vërtetë!” [Buhariu dhe Ahmedi].

Pra, ata nuk folën kundër transmetuesit të sheriatit dhe nuk menduan kurrë keq për të, por u nënshtruan, u përulën dhe iu bindën atij. Kështu duhet të bëjmë edhe ne, nuk duhet ta prishim mendimin për transmetuesit e sheriatit të Allahut, as të ulim vlerën e tyre, edhe nëse ata vijnë me fjalë që kundërshtojnë dëshirat tona apo ëndërrat për triumfin e kësaj feje dhe kthimin mbrapsht të kurtheve të kurth-vënësve dhe armiqësisë së zullumqarëve, pa parë me vështrimin e sheriatit; sepse triumfi i fesë nuk ndodh me dëshirën apo xhelozinë tonë, por me zbatimin e fesë sipas Kuranit dhe Sunetit me kuptimin e transmetuesve të sheriatit dhe bartësve të dijes, të cilët i ka pastruar i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) me fjalën e tij: “Këtë fe do e mbartin njerëzit e drejtë të çdo brezi që do të vijë.”

Dobi: Një burrë i shkroi Umerit (radiallahu anhu) një letër ku e pyeste për dijen, dhe Umeri i shkroi: “Më pyetët për dijen; por dija është shumë herë më e madhe nga çmund të të shkruaj, por të kesh parasysh që të përpiqesh ta takosh Allahun me gjuhë të mbajtur nga përfolja e nderit të muslimanëve, me barrë të lehtë nga gjaku i tyre, me barkun bosh nga pasuria e tyre dhe i bashkuar me xhematin e tyre!” [Historia e Ibën Asakir, 10/259].

Dijetari i madh, Ibnul Kajim (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “E gjen dikë të falet natën, të agjërojë ditën dhe të ruhet nga gjynahet e vogla për pak kohë, veç kur ai e lëshon gjuhën e tij me përgojim, mbartje të fjalëve (spiunllëk) dhe tallje me nderin e njerëzve.” [Iddetu es Sabirin, f 56].

_____________________________

[1] Edduraru es Sunijetu (9/113).